2.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6032

Salim Jenuzi gjykohet për korrupsion

0

Përfaqësuesi ligjor i Komunë së Dragashit, Islam Rexhepllar, të mërkurën, në gjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Dragashit, Salim Jenuzit, dhe zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të akuzuar për korrupsion, tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale. Rexhepllar tha se në këtë rast penal, Komuna e Dragashit, nuk konsideron se është dëmtuar nga veprimet e të akuzuarve, andaj edhe nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Avokati publik Rexhepllar, tha se për të mos iu bashkangjitur ndjekjes penale, është bazuar në vendimin që ka marrë Komuna e Dragashit, më 31 janarit 2017. Sipas këtij vendimi, Nexhat Selajt, i cili akuzohet për uzurpim të pronës komunale, i ishte dhënë në shfrytëzim prona që pretendohet si e uzurpuar dhe ishte detyruar që në mënyrë retroaktive të paguante çmimin për shfrytëzim.

Në anën tjetër, prokurori Sefer Morina, në fjalën hyrëse tha se me administrimin e provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

I akuzuari për korrupsion Salim Jenuzi, gjatë fjalës hyrëse tha se ai si kryetar komune, nuk ka mundur t’i dijë të gjitha çështjet e komunës, e sidomos ato juridike, andaj ka kërkuar që të shpallet i pafajshëm.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Dragashit, i akuzuari Bean Haxhihasani, tha se aktakuza vetëm përmend ligjin për ndërtim, ndërsa nuk i cek saktësisht nenet e ligjit, të cilat pretendon se janë shkelur.

I akuzuari Vetim Hasani, tha se punën e inspektorit të ndërtimit, e kishte bërë me përgjegjësi sepse objektin e kishte inspektuar disa herë dhe se pronari kishte pasur të gjitha dokumentet e nevojshme. Ka pranuar se i akuzuari ka bërë pak zgjerim të objektit, por se për një gjë të tillë ka paraqitur dokumente se ka leje.

I akuzuari për uzurpim, Nexhat Selaj, tha se si investitor nuk ndihet fajtor pasi që posedon kontratën e shitblerjes e patundshmërisë dhe të gjitha dokumentet tjera që kërkohen me ligj. Tutje tha se në objektin e tij ka investuar mbi 100 mijë euro dhe se punojnë 10 punëtorë.

Gjatë leximit të provave materiale, të akuzuarit, të cilët nuk kanë mbrojtës, kanë paraqitur prova me të cilat pretendojnë se do të argumentojnë pafajësinë e tyre. Me këtë rast, i akuzuari Bean Haxhihasani ka propozuar që të administrohen disa dokumente me të cilat do të dëshmohet se objekti për të cilin bën fjalë aktakuza është blerë në vitin 1993. Poashtu edhe të gjitha aktet përcjellëse për lejimin e ndërtimit të objektit dhe legalizimin e tij.

Prokurori Sefer Morina ka kërkuar që t’i dorëzohen provat e pasi t’i analizojë, do të deklarohet rreth tyre.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi, pasi konstatoi se i akuzuari Haxhihasani nuk ka bërë kopje të mjaftueshme të provave, ka urdhëruar atë që në afat prej tre ditësh, të furnizojë prokurorin dhe gjykatën me kopjet e këtyre provave.

Seanca e radhës është caktuar për 23 mars 2017, në ora 09:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon  Salim Jenizin, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Poashtu, Bean Haxhihasani, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të urbanizmit në Komunën e Dragashit, ka leshur vendim me të cilin i është lejuar Nexhat Selajt, që të ndërtojë objektin afarist në pronë komunale.

Vetim Hasani, akuzohet se duke qenë inspektor i ndërtimit në Komunën e Dragashit, nuk ka vepruar për të ndërprerë ndërtimin e objektit afarist të Nexhat Selajt, me material të përhershëm.

Ndërsa Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm./betimiperdrejtesi/

Bedri Bytyçi: U njoftova me vonesë për ndërtimin pa leje

0

Ish-drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi, tha se për objektin pa leje, për të cilin po akuzohet se nuk ka vepruar për ta rrëzuar, ishte njoftuar me vonesë. Bytyqi, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë mbrojtjes së tij, tha se për objektin që flet aktakuza, ka kuptuar përmes raportit të inspektorit të terrenit, në shtator 2015, kur veç ishin ndërtuar tre kate të këtij objekti.

Bytyqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare së bashku me inspektorin e ndërtimit, Bashkim Krasniqi, tha se me të marrë vesh për këtë çështje ka marrë vendim me të cilin e ka obliguar pronarin që ta rrënojë objektin brenda 30 ditësh.

Sipas tij, pronari Faton Hoxha, i cili poashtu akuzohet në këtë lëndë për uzurpim, ka bërë ankesë ndaj vendimit për rrënim dhe se deri më tani nuk ka një përgjigje përfundimtare sa i përket çështjes së rrënimit. Bytyqi, ka sqaruar se në momentin kur është bërë ankesa ndaj vendimit të drejtorisë, ekzekutimi i atij vendimi është pezulluar në mënyrë që të mos i shkaktohet palës dëm të pariparueshëm.

Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, pas përfundimit të mbrojtjes së këtij të akuzuari, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 27 shkurt 2017, në orën 09:00.

Në seancën e radhës pritet të vazhdojë paraqitja mbrojtjes nga të akuzuarit tjerë.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Gjinoci i Therandës u dogj dy herë dhe u mbush me kolonë serb

0

Gjinovci shtrihet rreth 5 kilometra në jug të Therandës. Është vendbanim fushor, i tipit të grumbulluar, përveç disa shtëpive që janë mjaft larg njëratjetrës. Është ndër fshatrat më të mëdha të kësaj komune dhe përbëhet nga lagjet ose familjet: Haxhiaj, Haziraj, Hajdaraj, Hamzaj, Muharremaj, Sallahaj, Zenelaj, Zeqiraj, Berisha, Rexhepaj, Asllani, Seferaj, Alijaj, Gashi, Maksutaj, Neziraj etj. Ramdan Haxhiaj, drejtor shkolle në Gjinoc, është shprehur për “Kosova Sot” se fshati i tij ka një histori të vjetër.

“Është djegur dy herë nga ushtritë serbe, në vitet 1941 dhe 1999. Në vitin 1999 mbeten të padjegura vetëm 8 shtëpi të vjetra. Është granatuar ambulanca, ndërsa xhamia është rrënuar tërësisht. Shkolla është gjuajtur me plumba dhe është demoluar”, është shprehur ai. Sipas regjistrimit të fundit, fshati ka 3490 banorë.”Prej tyre jetojnë e veprojnë në vende tjera 1256″, është shprehur Haxhiaj, shkruan gazeta Kosova Sot

Kisha ilire, dëshmi e vendbanimit të vjetër

Haxhiaj ka theksuar se shkolla për herë të parë është hapur në vitin 1928, kurse në gjuhën shqipe është hapur në vitin 1943. Mësuesi i parë ishte Qemajl Muslia nga Shkupi, pastaj Abdurrahim Hoxha nga fshati Bicaj-Kukës. Haxhiaj thotë se në vitin 2012 është ndërtuar objekti i ri shkollor që ka 368 nxënës. Sipas regjistrimit të vitit 2011, fshati kishte 480 shtëpi banimi me 3490 banorë. Kurse i riu Liridon Zeqiraj është shprehur për “Kosova Sot” se toponimet e këtij fshati janë: Tuma, Maxherci, Llocia, Zabeli i Sylejman Agës, Lluga e Asllan Agës, Livadhet e Gata, Luga e Puninit, Pazhiku, Oborvishta, Arat e Kuqe, Arat nën Drum, Livadhet e Verdlia, Livadhet e Buta, Drumi i Gjakovës, Udha e Shkupit, Arat te Brodi, Zabeli i Mehmetit, Zakuta, Zabeli i Qavave, Arrnica, Reka e Thatë, Tarazhda etj. Ndërsa, Haxhiak thotë se Gjinoci është vendbanim i vjetër shqiptar. “Gjinoci i hershëm ishte me afër rrugës kryesore Prizren-Therandë.

Nga aty janë tërhequr më lart, ku është sot Gjinoci, për shkak të burimeve të ujit. Në afërsi të fshatit, afër lumit Sopi, te Gjinoci i Vogël (Topliçani, që e pagëzuan kolonët serbë) është një kodër që quhet Tune. Tunat janë ilire dhe sipas Ramdan Haxhiajt tregojnë dëshmi të fortë iliro-dardane, porse nuk janë bërë gjurmime arkeologjike.

“Toponim me rëndësi është vendi me ara të punuara, që e quajnë Magjerc, në jugperëndim të fshatit. Mendohet se aty ka qenë vendbanimi i hershëm Magjerci. Në pjesën veri-jug të fshatit, të quajtur Llucia, ka qenë një kishë e vjetër ilire. Aty tani janë gurë të varreve dhe gurë të themeleve, eshtra të dimensioneve të mëdha, unaza etj.”, shprehet ai.

Vendosja e kolonëve serbë

Emri i këtij fshati, Arbashki katun Ginovci, del të përmendet më 1348 në një krisobulë të mbretit Stefan Dushanit. Me emrin Gjinofci është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore në këtë vendbanim erdhën si kolonë 15 familje. Haxhiaj thotë se në ngastrën e këtij lokaliteti, në pjesën veriperëndimore, afër rrugës Therandë- Prizren, u kolonizuan 26 familje kolone serbe, kryesisht nga treva e Toplicës dhe e pagëzuan me emrin Topliçan. Deri vonë ky lokalitet llogaritej si vendbanim i veçantë. Shënimet historike të këtij fshati thonë se në fillim të vitit 1941 Gjinoci sulmohet nga një kompani e ushtrisë serbe, ku vriten 60-80 ushtarë serbë dhe komandanti i tyre, Novakoviq. Nga 50 shtëpi sa kishte atëherë Gjinoci, ushtria serbe dogji 18 shtëpi. Lagja Haxhiaj, ku u zhvillua lufta, ka shpëtuar pa u djegur, ndërsa lagjet e tjera janë djegur tërësisht nga ushtria serbe. Ndërsa, nga fshati janë djegur 2 pleq nga lagjja Berisha dhe është vrarë një banor i familjes Haxhiaj. Më 1956 për në Turqi janë shpërngulur 2 familje (Zenelaj 12-anëtarëshe dhe Behlulaj 5-anëtarëshe”, thuhet nga shënimet historike të këtij fshati.

Sipas Ramadan Haxhiajt, 1256 banorë të këtij fshati jetojnë kryesisht në Gjermani, Zvicër, Itali, Slloveni e vende të tjera. Sipas tij, është ndër brenga më të mëdha të këtij fshati. Plaku Avdi Zeqiraj, mbi 90-vjeçar, pohon se fshati ka bërë ndryshime të mëdha. Dikur ky fshat ishte i dalluar për bujari dhe për mikpritje. Sipas tij, traditat e dikurshme edhe këtu po zhduken. “Ajo që po na lëndon ne pleqve është se po duket se po humb dashuria mes vëllaznillëkut, si çdokund tjetër. Dikur kjo dashuri ishte e madhe”, tregon Zeqiraj.

(Kosova Sot)

Arrestohen dy grupe të hajnave në Has

0

Komandanti i Stacionit Policor “ Alfa” në Prizren, Haris Dida, tha se janë arrestuar dy grupe të dyshuar për vjedhje në fshatrat e Hasit.
“Gjendja është shqetësuese. Për këtë arsye kemi shtuar angazhimet tona për të zgjidhur problemet e banorëve me dukurinë e vjedhjes”, tha Dida.

Ndërkaq, kuvendari nga Hasi, Haziz Hodaj tha se banorët e fshatrave të Hasit, janë të shqetësuar me dukurin e vjedhjeve.

“Policia ka kërkuar bashkëpunim nga banorët. Ky bashkëpunim është duke ndodhur, mirëpo rastet e vjedhjeve nuk janë duke u ndalur. Policia është ankuar se pas kapjes hajnat po lirohen nga organet e tjera të drejtësisë”, tha Hodaj./TVPZ/

Nis faza e dytë e vizitave sistematike në shkollat e Malishevës

0

Nga e mërkura ka filluar faza e dytë e realizimit të projektit të vizitave sistematike në shkollat e komunës së Malishevës.

Ky projekt realizohet me qëllim të monitorimit të rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve dhe identifikimit të problemeve potenciale shëndetësore. Realizimin e këtij projekti e kanë parë nga afër kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori për Shëndetësi, Hajdin Berisha, dhe ai i Arsimit, Avdi Morina.
Kryetari Begaj i ka përshëndetur dhe i ka uruar punëtorët shëndetësorë të QKMF-së së Malishevës për këtë punë të jashtëzakonshme, që janë duke bërë për kujdesin e shëndetit të fëmijëve në komunën e Malishevës.

Sipas Valbona Gashit, kryeteknike në QKMF të Malishevës, në fazën e parë të këtyre vizitave janë përfshirë 900 nxënës të shkollave të komunës së Malishevës, ndërsa në fazën e dytë do të përfshihen edhe 300 nxënës për t’i përmbyllur vizitat. Gashi ka thënë se qëllimi i të gjitha vizitave është që të monitorohet rritja dhe zhvillimi i fëmijëve, njëkohësisht të identifikohen problemet potenciale shëndetësore dhe të udhëzohen me kohë në kujdesin sekondar apo terciar.

Gjatë vizitave mjekësore te të gjithë nxënësit kontrollohet: pesha, gjatësia, higjiena, sistemi lokomotor, kafazi i kraharorit, sistemi i të pamurit, dëgjimi, shëndeti oral, sistemi kardiovaskular, sistemi respirator, abdomen dhe sistemi nervor qendror. Projekti përfshinë 43 shkolla të komunës sonë dhe pritet të finalizohet nga fundi i muajit mars.
Redaksia online

Lëndohet një polic në Prizren

0

Një person është arrestuar në Prizren, pasi që të njëjtit pasi i është shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në trafik ka kanosur zyrtarët policorë dhe ka refuzuar urdhrat policorë.

I dyshuari ka rezistuar gjatë arrestimit dhe për pasojë lëndime të lehta ka pësuar një zyrtar policor i cili pas tretmanit mjekësor është liruar, ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Katër muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për falsifikim të dokumentit

0

I akuzuari Ahmet Hoda ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me katër muaj burgim me kusht për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, në seancën e së martës, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren.

Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej një viti.Sipas akuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Ahmet Hodaj, akuzohej se ka kryer veprën penale “falsifikim të dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari Hodaj kishte falsifikuar diplomën e shkollës se mesme të gjeodezisë, dhe të njëjtën e kishte paraqitur në Zyrën Rajonale në Lubjanë, saktësisht në entin për punësim./betimiperdrejtesi.com/

Gjenden në Mitrovicë të veriut dy vetura të vjedhura në Prizren

0

Policia e Kosovës, Drejtoria e Policisë Rajonale – Prizren, në vazhdën e hetimit të vjedhjeve të kryera nga grupi tanimë i arrestuar Bytyqi-Rama, janë zbuluar detaje të reja edhe për dy vjedhje të veturave që patën ndodhur me datën 15 dhe 18 janar në Prizren dhe bëhej fjalë për një veturë të llojit Opel Kadet GSI dhe një Golf III.

“Janë gjetur pjesë të këtyre dy veturave në Mitrovicën Veriore në pronësi të një të dyshuari i cili automjetet e vjedhura i kishte shitur për pjesë”, thekson Policia.

Policia i ka sekuestruar këto pjesë dhe pas ekzaminimeve të nevojshme do t’i përdor në cilësi të provës materiale kundër të dyshuarve.

Logos-A dhe përgjegjësia jonë

0

Ditar Kabashi

Shkupi, dikur qendër e Vilajetit të Kosovës, më pas i strukur mes thellësisë historike dhe tendencës tëhuajësuese, ndërsa tash e gati tri dekada i përmbytur në krizë identitare falë mungesës së boshtit kurrizor të parisë shqiptare atje.

Të jem i sinqertë, ende s’kam arritur të kuptoj eliksirin e kosovarëve të cilët me të vajtur në këtë qytet shkojnë e fotografohen në atë qendër përplot me statuja mitizuese, jo origjinale, estetikisht të shëmtuara dhe, mbi të gjitha, tmerrësisht përçmuese për shqiptarët.

Kafenë e fundjavës mund ta pish në Shkup, por s’mund të tregohesh aq i paturp sa tëtë mos interesojë gjendja e shqiptarëve atje. Kjo, lëre se nuk është aksiomatikëkombëtare, por as morale jo.

Veçanërisht elita (!) intelektuale në Kosovë (me disa përjashtime) është tejet e kompleksuar, inferiore dhe në mos daltë dikush tjetër t’i tregojë se si duhet marrë frymë – mbase do të shuhej e tëra.

Të pohosh që shqiptarët atje nuk dinë të tregojnë qëndrim karshi maqedonëve, e në anën tjetër të mos e përkrahësh bile me një fjalë goje alternativën e vetme politike me figura të pa konsumuara – Lëvizjen BESA, e cila u pa se ua kalli lojën pobratimëve qëishin mësuar të ndajnë kajmakun e një kosi të zënë nga populli,flethiç më pak se për injorancë politike.

Të thuash “unë jam profesor, jam akademik, jam autor librash, studioj…” e tëheshtësh ndaj presionit që i bëhet vatrës së mendimtarisë në letrat shqipe – ShtëpisëBotuese Logos-A, dëshmon për vetëkënaqjenemancipuese “shkencore” që s’arrin të dalë tej kufijve tanë (ende të pa demarkuar).
Sot, nuk mund të studiojë seriozisht ne gjuhën shqipe një historian, gjuhëtar, sociolog, teolog, filozof… e të mos i bjerë rruga kah ndonjë titull i Logos-A. Madje, edhe unë si nxënës i librave të drejtësisë, juristin e famshëm francez Olivier Duhamel e kam lexuar pikërisht nga këtu.

Kjo s’është një shtëpi botuese e rëndomtë. Logos-A nuk është ndërtuar me mendësi materialiste e komerciale. Ajo ngriti fjalën e jo zërin, zgjoi idetë e rrënoi klishetë, u gjend aty ku duhet, kur këtë ia kërkoi historia dhe ndërgjegjja e pastër. Me Logos-in lexuesi shqiptar filloi të frymojë më lirshëm mes rreshtash; begatia e sofrës së shkronjave të këtij nikoqiri të madh kënaq secilin që beson se të lexuaritështë obligim parësor në jetë, se të lexosh nuk do të thotë të njohësh alfabetin por të kapësh thelbin e kuptimit, se të lexuarit nuk është vetëm veprim por edhe porosi metafizike…

Në fillim të këtij shkrimi iu rreka t’i them nja dy fjalë për Shkupin. Nuk e zgjata sepse s’kam ç’tëthem më tepër se libri i mrekullueshëm “Shkupi” i Kim Mehmetit, të cilin e patëm përuruar me shokë në Panairin e Librit në Prizren, në vitin 2013. Eh, pra, edhe ky libër është i botuar nga Logos-A.

Po, po, i nderuari lexues e intelektual. Shkupit s’mjafton t’ia dish emrin. Duhet t’ia njohësh shpirtin dhe mendjen. E kur ta kesh kuptuar këtë, do të vish në përfundim se Shkupi mbëlton farën e ardhmërisë së ndritur të kombit tonë. Urithët mund ta duan errësirën, por dielli s’ndalon së rrezatuari. Sulmi ndaj Shkupit të vërtetë, pra ndaj Logos-A, është sulm ndaj të gjithë neve. Mirëpo, duhet të dihet se ky flakadan do të përndritë gjenerata në mbarë trevat tona. Gjersa të marrim frymë.Sepse Logos-A është kryefjala e dashurisësonë, bile edhe në datën 14 të këtij muaji.

Komisioni i Thaçit, mbrojtje nga Specialja

0

Analistët politikë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e shohin si një veprim joserioz të radhës nismën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për krijimin e komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, sikur e ka quajtur ai, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nismë e re e presidentit po cilësohet si veprim i parakohshëm për një proces të pamundur të pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve, që tani mund t’i shërbejë atij vetë, për qëllim të ngritjes eventuale të imazhit dhe autoritetit të presidentit të vendit, i cili vazhdon të jetë i bojkotuar nga opozita parlamentare.

Nuk mund të kuptohet se si mundë të ketë pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve derisa akoma nuk është hapur për diskutim çështja e krimeve dhe dëmeve të luftës që ka shkaktuar shteti serb në Kosovë. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, vlerëson se takimi i presidentit Hashim Thaçi për gjoja Komisionin për të Vërtetën dhe për Pajtim është një nga ato eksperimentet që po i bëhen Kosovës në vazhdimësi dhe atë si nga ndërkombëtarët e po ashtu edhe nga vendorët.

“Iniciativa për këso lloj komisionesh janë nisur e ndërmarrë disa herë, por asnjëherë mirëfilli nga Serbia. Mbështetësit e këtyre komisioneve shumë herë u janë referuar komisioneve të ngjashme në Afrikën e Jugut, në Peru, në Argjentinë e në vendet e tjera, mirëpo kanë harruar se luftërat e zhvilluara në ish-RSFJ, e posaçërisht në Kosovë, kanë pasur tjetër karakter. Ato nuk kanë qenë luftëra qytetare, por agresion ushtarak e kushtetues”, ka thënë ai.”Edhe pse në ato vende ka qenë më e lehtë të realizohen, komisionet e këtilla, të gjitha me radhë kanë dështuar në një apo formë tjetër”, vijoi më tutje Maloku, shkruan gazeta Kosova Sot.

Këtë nismë duhej ta merrte Nikoliqi

Sipas Malokut, takimi i presidentit Thaçi për këtë komision, që flet shumë për besimin në mes të komuniteteve etnike, niset duke harruar faktin që kryesi i krimeve, pra Serbia, që prej mbarimit të luftërave në ish-Jugosllavi, nuk ka treguar as më të voglin veprim se është e gatshme të jetë e sinqertë. Iniciativa do të duhej të nisej nga homologu serb i presidentit Thaçi, pra nga Tomisllav Nikoliq. Është e pakuptimtë iniciativa e presidentit Thaçi dhe, shkurt me thënë, është punë pa rend e pa pikë dobie për Kosovën.

“Gjithsesi, si e tillë kjo iniciativë është veç e dështuar e shumë mirë që do të dështojë. Ky komisioni është hiç prej gjëje dhe largim nga problemet me të cilat po përballet Republika e Kosovës’, tha Maloku për “Kosova Sot”. Gjykim dhe vlerësim po aq kritik ka edhe analisti Jeton Kelmendi.”Ideja e fundit e presidentit Hashim Thaçi për pajtim, siç shprehet vetë ky njeri, është vazhdimësi e aventurave të tij politike, gjithmonë me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar lëkuren e tij, e cila ka filluar të rrezikohet nga Gjykata Speciale. Një ide e tillë vjen nga persona në tjera pozicione. Një gjë të tillë duhej bërë nga presidenti i Serbisë, pra ‘Thaçi’ i Serbisë do duhej t’u kërkonte falje publike qytetarëve të Kosovës dhe posaçërisht viktimave të shumta në Kosovë për krimet e Serbisë, e pastaj të kërkohej një pajtim. Si duket Thaçi ynë i ka ngatërruar rolet me atë të Serbisë”, theksoi ai.

“Si duket kjo ide i lindi Thaçit pas takimit të fundit në Bruksel me delegacionin serb, ku presidenti serb i kishte thënë ti je kriminel Thaçit, e nëse shikojmë mbi këtë parim duhet pritur pas takimit tjetër mes dy delegacioneve, kur serbi mund ta fyejë Thaçin tonë edhe me ndonjë epitet tjetër, e pastaj ky të dalë me ide edhe më të paarsyeshme, pse jo Kosova t’i kërkojë falje Serbisë që e ka përzënë nga Kosova më 1999? Pra, Serbia vazhdon ta shantazhojë dhe ta pengojë Kosovën në çdo segment ku mundet, edhe përkundër faktit se ky Hashim Thaçi dhe Edita e tij po e ndihmojnë Serbinë në integrime në BE, e cila po e cenon integritetin dhe jo se nuk e njeh Kosovën, por edhe e kontrollon veriun e Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Presidenti fyeu qytetarët

Edhe analisti Hidajet Ahmeti ka pohuar se Thaçi përmes këtyre inicimeve po mundohet të pastrojë personalitetin e rrënuar që nga paslufta.”Veprimet dhe iniciativat e tij asnjëherë nuk shquhen për seriozitet, sinqeritet dhe njëkohësisht janë të pamatura. Iniciativa e tij nuk korrespondon me realitetin objektiv, por në të njëjtën kohë nuk është në kontekst të kohës” , u shpreh ai. Sipas tij, një president i cili nuk shquhet për seriozitet, sinqeritet dhe maturi politike dhe njëkohësisht një president i zgjedhur nën masa represioni dhe shantazhi, çfarëdo iniciative që merr nuk mund të jetë unifikuese dhe të pastrojë personalitetin e tij të rrënuar.”Gjykoj se iniciativa të tilla nuk janë në kontekst të kohës dhe nuk i bëjnë nder shtetit e në veçanti qytetarëve të Kosovës.

Një pajtim i tillë pa kërkim falje për krimet e luftës, dëmet materiale, është i kotë dhe i padobishëm për shoqërinë kosovare. Me këtë iniciativë, Thaçi ka fyer qytetarët e Kosovës, e me theks të veçantë Republikën e Kosovës, që Serbia e ka akoma në aktin më të lartë juridik të vendit. Thaçi me këto veprime po mundohet t’u paraqesë ndërkombë- tarëve personalitetin e rrejshëm, duke u munduar të simbolizojë paqen, tolerancën, frymën e bashkëpunimit, por në fakt këto iniciativa të tilla shpërfaqin injorancën dhe egon e etshme të tij për pushtet”, tha Hidajet Ahmeti