11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Komisioni i Thaçit, mbrojtje nga Specialja

Analistët politikë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e shohin si një veprim joserioz të radhës nismën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për krijimin e komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, sikur e ka quajtur ai, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nismë e re e presidentit po cilësohet si veprim i parakohshëm për një proces të pamundur të pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve, që tani mund t’i shërbejë atij vetë, për qëllim të ngritjes eventuale të imazhit dhe autoritetit të presidentit të vendit, i cili vazhdon të jetë i bojkotuar nga opozita parlamentare.

Nuk mund të kuptohet se si mundë të ketë pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve derisa akoma nuk është hapur për diskutim çështja e krimeve dhe dëmeve të luftës që ka shkaktuar shteti serb në Kosovë. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku, vlerëson se takimi i presidentit Hashim Thaçi për gjoja Komisionin për të Vërtetën dhe për Pajtim është një nga ato eksperimentet që po i bëhen Kosovës në vazhdimësi dhe atë si nga ndërkombëtarët e po ashtu edhe nga vendorët.

“Iniciativa për këso lloj komisionesh janë nisur e ndërmarrë disa herë, por asnjëherë mirëfilli nga Serbia. Mbështetësit e këtyre komisioneve shumë herë u janë referuar komisioneve të ngjashme në Afrikën e Jugut, në Peru, në Argjentinë e në vendet e tjera, mirëpo kanë harruar se luftërat e zhvilluara në ish-RSFJ, e posaçërisht në Kosovë, kanë pasur tjetër karakter. Ato nuk kanë qenë luftëra qytetare, por agresion ushtarak e kushtetues”, ka thënë ai.”Edhe pse në ato vende ka qenë më e lehtë të realizohen, komisionet e këtilla, të gjitha me radhë kanë dështuar në një apo formë tjetër”, vijoi më tutje Maloku, shkruan gazeta Kosova Sot.

Këtë nismë duhej ta merrte Nikoliqi

Sipas Malokut, takimi i presidentit Thaçi për këtë komision, që flet shumë për besimin në mes të komuniteteve etnike, niset duke harruar faktin që kryesi i krimeve, pra Serbia, që prej mbarimit të luftërave në ish-Jugosllavi, nuk ka treguar as më të voglin veprim se është e gatshme të jetë e sinqertë. Iniciativa do të duhej të nisej nga homologu serb i presidentit Thaçi, pra nga Tomisllav Nikoliq. Është e pakuptimtë iniciativa e presidentit Thaçi dhe, shkurt me thënë, është punë pa rend e pa pikë dobie për Kosovën.

“Gjithsesi, si e tillë kjo iniciativë është veç e dështuar e shumë mirë që do të dështojë. Ky komisioni është hiç prej gjëje dhe largim nga problemet me të cilat po përballet Republika e Kosovës’, tha Maloku për “Kosova Sot”. Gjykim dhe vlerësim po aq kritik ka edhe analisti Jeton Kelmendi.”Ideja e fundit e presidentit Hashim Thaçi për pajtim, siç shprehet vetë ky njeri, është vazhdimësi e aventurave të tij politike, gjithmonë me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar lëkuren e tij, e cila ka filluar të rrezikohet nga Gjykata Speciale. Një ide e tillë vjen nga persona në tjera pozicione. Një gjë të tillë duhej bërë nga presidenti i Serbisë, pra ‘Thaçi’ i Serbisë do duhej t’u kërkonte falje publike qytetarëve të Kosovës dhe posaçërisht viktimave të shumta në Kosovë për krimet e Serbisë, e pastaj të kërkohej një pajtim. Si duket Thaçi ynë i ka ngatërruar rolet me atë të Serbisë”, theksoi ai.

“Si duket kjo ide i lindi Thaçit pas takimit të fundit në Bruksel me delegacionin serb, ku presidenti serb i kishte thënë ti je kriminel Thaçit, e nëse shikojmë mbi këtë parim duhet pritur pas takimit tjetër mes dy delegacioneve, kur serbi mund ta fyejë Thaçin tonë edhe me ndonjë epitet tjetër, e pastaj ky të dalë me ide edhe më të paarsyeshme, pse jo Kosova t’i kërkojë falje Serbisë që e ka përzënë nga Kosova më 1999? Pra, Serbia vazhdon ta shantazhojë dhe ta pengojë Kosovën në çdo segment ku mundet, edhe përkundër faktit se ky Hashim Thaçi dhe Edita e tij po e ndihmojnë Serbinë në integrime në BE, e cila po e cenon integritetin dhe jo se nuk e njeh Kosovën, por edhe e kontrollon veriun e Kosovës”, u shpreh Kelmendi.

Presidenti fyeu qytetarët

Edhe analisti Hidajet Ahmeti ka pohuar se Thaçi përmes këtyre inicimeve po mundohet të pastrojë personalitetin e rrënuar që nga paslufta.”Veprimet dhe iniciativat e tij asnjëherë nuk shquhen për seriozitet, sinqeritet dhe njëkohësisht janë të pamatura. Iniciativa e tij nuk korrespondon me realitetin objektiv, por në të njëjtën kohë nuk është në kontekst të kohës” , u shpreh ai. Sipas tij, një president i cili nuk shquhet për seriozitet, sinqeritet dhe maturi politike dhe njëkohësisht një president i zgjedhur nën masa represioni dhe shantazhi, çfarëdo iniciative që merr nuk mund të jetë unifikuese dhe të pastrojë personalitetin e tij të rrënuar.”Gjykoj se iniciativa të tilla nuk janë në kontekst të kohës dhe nuk i bëjnë nder shtetit e në veçanti qytetarëve të Kosovës.

Një pajtim i tillë pa kërkim falje për krimet e luftës, dëmet materiale, është i kotë dhe i padobishëm për shoqërinë kosovare. Me këtë iniciativë, Thaçi ka fyer qytetarët e Kosovës, e me theks të veçantë Republikën e Kosovës, që Serbia e ka akoma në aktin më të lartë juridik të vendit. Thaçi me këto veprime po mundohet t’u paraqesë ndërkombë- tarëve personalitetin e rrejshëm, duke u munduar të simbolizojë paqen, tolerancën, frymën e bashkëpunimit, por në fakt këto iniciativa të tilla shpërfaqin injorancën dhe egon e etshme të tij për pushtet”, tha Hidajet Ahmeti

Më Shumë

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Shqipëria, Besim R. Cengu, promovohet në Prizren

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Kukësi i Shqipëria, Besim R. Cengu, u promovua në Prizren. Studiuesit i kanë vlerësuar lartë baladat e publikuar...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1530 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit