14.1 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6038

Serbët tonë

0

IMER MUSHKOLAJ

Serbët kosovarë nuk duhet parë si aleatë të Beogradit, në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë një dialog të brendshëm me ta dhe të mos i jep mundësinë Beogradit që t’i manipulojë dhe të marrë vendime në emër të tyre. Shqiptarët si shumicë kanë përgjegjësi për ta, siç duhet ata të kenë përgjegjësi për shtetin në të cilin jetojnë

Serbët e veriut të vendit, të cilët duan të marrin patentshoferë të Republikës së Kosovës, nuk e kanë këtë mundësi. Qeveria e Kosovës nuk ka hapur asnjë zyrë në veri, në të cilën qytetarët që jetojnë në atë pjesë mund t’i kryejnë këto shërbime.

Ky është vetëm një shembull i thjeshtë, por mjaft domethënës, për të treguar se sa institucionet kosovare janë të përkushtuara për integrimin e vërtetë të serbëve që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë dhe që e pranojnë Kosovën shtet. Në mungesë të një zyre të tillë, serbëve të veriut iu mbetet si zgjidhje të pajisen me dokumente të Serbisë, të cilat pastaj nuk njihen nga Prishtina.

Këtë shqetësim dhe të tjera si ky i ka paraqitur para pak ditësh në Prishtinë një aktiviste e shoqërisë civile nga veriu i vendit, teksa ka folur për integrimin e serbëve në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ata nuk mund të jetojnë gjatë gjithë kohës të varur dhe peng i Beogradit, andaj duhet bërë sa më shumë përpjekje që të ndihen si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, me kujdesin dhe përgjegjësinë e shtetit të ri.

* * *

Gjatë gjithë javëve të fundit, kur politika dhe mediat krijuan një psikozë lufte në Kosovë, kjo nuk ndikoi tek serbët e veriut. Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar situata të paqena dhe ndjenjë pasigurie, këto nuk janë reflektuar në jetën e përditshme të serbëve, e as në marrëdhëniet e tyre me popullatën shumicë, shqiptarët.

Serbët kosovarë e përjetojnë ndryshe qasjen e politikës kosovare, e ndryshe disponimin e shqiptarëve. Andaj edhe integrimi i tyre duhet të zhvillohet në dy rrafshe: atë politik dhe atë shoqëror.

Integrimi politik, juridik, institucional është në interesin e tyre, në përfitimin e të drejtës për t’u trajtuar të barabartë me të gjithë të tjerët. Ky integrim do të forcohej edhe më shumë po që se Beogradi do t’i ndalte përfundimisht pagat për ta dhe të gjithë të punësuarit në arsim, shëndetësi etj. të paguheshin nga Prishtina. Në këtë mënyrë do të rritej përgjegjësia e instiucioneve kosovare karshi tyre, sikurse edhe përgjegjësia e tyre karshi institucioneve.

Qeveria e Kosovës ka dështuar që me serbët të vendos një dialog të brendshëm, të domosdoshëm, në mënyrë që t’i zgjidhë problemet. Në vend të kësaj, Prishtina ia ka mundësuar Beogradit që të bisedojë e të marrë vendime në emër të tyre. Kjo është e rrezikshme.

Serbët kosovarë janë qytetarë të shtetit të Kosovës dhe iu takon institucioneve përkatëse të kujdesen për ta. Shqiptarët janë shumicë dhe iu takon të përkujdesen për pakicat, në këtë rast edhe për serbët. Serbët nuk duhet parë si aleatë të Beogradit në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Ata duhet parë si qytetarë të këtij vendi të cilët, me angazhim të sinqertë të institucioneve, mund të kthehen në qytetarët lojalë.

* * *

Problemi më i madh i institucioneve në raport me serbët kosovarë është ndërtimi i besimit. Për shkak të gjithë asaj çfarë ka ndodhur, serbët kanë pak besim në gjithçka që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. Andaj duhet të punohet shumë në këtë aspekt, në mënyrë që ata të binden se Kosova është shtet edhe i tyre. Kjo mund të arrihet me angazhimin më të madh të të gjithëve, me qasje konstruktive e gjithëpërfshirëse, e jo me qasje përjashtuese.

Serbët tashmë janë pjesë e institucioneve, edhe e atyre të sigurisë. Në këtë mënyrë ata po japin kontributin e vet, kontribut ky që do të rritet viteve në vazhdim. Por, më e rëndësishmja është që ata të mos shihen si armiq të shtetit të Kosovës, por si shtetbërës. Të shihen si njerëz që kanë zgjedhur të jetojnë në Kosovë – nëse jo bashkë me shqiptarët dhe të tjerët, së paku pranë shqiptarëve dhe të tjerëve.

Çështjet e brendshme diskutabile dhe problemet me serbët, institucionet e Kosovës duhet t’i zgjidhin në bashkëpunim dhe në marrëveshje me ta. Për to duhet të vendoset në Prishtinë. Nuk ka kurrfarë arsye që për të tilla çështje të diskutohet me Beogradin, aq më pak në Bruksel.

Natyrisht, Beogradi e ka të drejtës që të interesohet dhe t’i ndihmojë serbët kosovarë, por kurrsesi t’i kthejë në “mish për top” për interesa të veta.

Prishtina ka interes që serbët të ndihen qytetarë të barabartë të këtij vendi. Shqiptarët e kanë një interes të tillë. Kjo është e mundshme – vetëm duhet më shumë angazhim e sinqeritet. Më shumë seriozitet. Serbët janë tonët, të Kosovës, jo të Serbisë./Gazeta Express/

Rahoveci së shpejti me Qendër të Dializës

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe Munib Durguti, drejtor i DShMS-së, gjatë ditës janë takuar me drejtorin e qendrës së dializës në QKUK dhe udhëheqës i dializës në nivel të Kosovës, Ibrahim Rrudhani. Qëllimi i takimit ishte për të parë më afër se deri ku kanë arritur përgatitjet, ku do të vendosen aparatet të cilët shërbejnë për funksionimin e qendrës së analizës.

Në takim ishin edhe drejtori i spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, dhe Agron Sadiku drejtor i kompanisë “MEDITECH”.Ibrahim Rrudhani, drejtor i qendrës së dializës në QKUK dhe  udhëheqës i dializës në nivel të Kosovës, u shpreh se është bërë punë e mirë në përgatitjen e dokumentacionit dhe vendit ku do të vendoset qendra e dializë dhe kjo do të jetë në të mirë të gjithë pacientëve të cilët janë në dializë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi tha se ky është një projekt që nuk duhet të hezitohet që të përkrahet dhe sigurisht që hapja e qendrës së dializës do të jetë në të mirë të pacientëve të dializës, të cilët janë në Komunën e Rahovecit, pasi që siç e dimë pacientët tanë shërbimet e dializës i kryejnë në spitalin e Prizrenit.Kurse, Agron Sadiku, drejtor i kompanisë “MEDITECH”, konfirmoj se ne si kompani jemi të gatshëm që të bëjmë furnizimin e qendrës së dializës në Rahovec , me pajisjet te nevojshme të cilat duhet që kjo qendër të funksionalizohet.

E, Munib Durguti, i njoftoj të gjithë të pranishmit në takim se investimet në infrastrukturë ku do të vendosën aparatet e dializës janë drejt fundit dhe objekti do të jetë i gatshëm shumë shpejt. Ai u shpreh se një pjesë e stafit është trajnuar dhe janë certifikuar, vlera e përgjithshme e investimeve infrastrukturore është 126 mijë eurove.

Kuvendi i Prizrenit mbajti seancën e parë për vitin 2017

0

Të enjten është mbajtur seanca e parë e rregulltë për këtë vit e Kuvendit të Prizrenit, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rendit të ditës, ndërsa disa tjera janë lënë për një takim të radhës, për shkak të numrit të madh të tyre.Në fillim të seancës të së enjtes, disa kuvendarë kërkuan që pikat të cilat kishin të bënin me raportin e pesë organizmave dhe institucionëve të ndryshme të shtyhen për një seancë tjetër, kërkesë kjo që u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit. Më pas është shqyrtuar propozimi i Planit të Punës së Kuvendit, ku kuvendarët e opozitës më disa propozime shtesë kanë përkrahur sikurse edhe pozita miratimin e këtij Plani i cili kaloi me shumicë votash.

Më pas , Kuvendi ka diskutuar edhe për shqyrtimin e propozimvendimit për ndryshimin e emërtimit të disa projekteve në buxhetin e vitit 2017, ku ndër tjerash u përmend projekti për varrezat e reja të qytetit në afërsi të fshatit Landovicë.

Me këtë rast, kryesuesi I Kuvendit, Kujtim Gashi, bëri të ditur se realizimi i këtij projekti të rëndësishëm do të filloj gjatë muajit mars, ndërsa për çështjen e pagesës së shpenzimit të varrimit të qytetarëve ai tha se do të mbulohen shpenzimet e të gjithë atyre që ndërrojnë jetë, jo vetëm kategoritë e rasteve sociale.

Pas miratimit të kësaj pike, kuvendarët kanë shqyrtuar edhe propozimrregulloren për transparencë, ku gjithashtu disa kuvendarë të opozitës kanë paraqitur kërkesa plotësuese për këtë propozimrregullore, ndërsa zyrtari komunal për informim, Ymer Berisha, tha se ky dokument në të cilin kanë dhënë kontribut edhe anëtarët e Kuvendit dhe shoqëria civile, do t’i shërbej në mënyren më të mirë të mundshme çështjes së transparencës së kërkuar. Kuvendi i Prizrenit në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar një vendim që ka marrë më herët për marrjen në pronësi të pronave të ish sistemit, sipas një kërkese të MAPL-së , pasi që për një çështje të tillë pritet të marr vendim qeveria/TV Prizreni/

Hoxha-Babuna: Përse u anulua konkursi për drejtor të shkollës në Vlashnje ?

0

Kuvendarja e Nismës në Prizren, Ganimete Hoxha-Babuna, tha se moszgjedhja e drejtorit të shkollës “Naim Frashëri” në fshatin Vlashnje, është një veprim i shëmtuar

“Që 7 vite shkolla nuk ka drejtor, udhëhiqet me ushtrues detyre të drejtorit, jo se nuk ka kandidat të kualifikuar të cilët janë pjesëmarrës të konkursit, por thjesht nuk e përmbushin kriterin politik dhe milatantesk të cilën e kërkon partia në pushtet”, tha Hoxha-Babuna në seancën e Kuvendit të Prizrenit.

“Deri kur do të vazhdoni në këtë mënyrë, me arbitraritet dhe shkelje ligjore ?”.

“Pyetja konkrete është përse u anulua konkursi i fundit (shkurt 2017), përse u thirren kandidatët në intervistim dhe nuk u mbajt intervista?”

“Kërkojmë një raport me shkrim, nga Drejtori i arsimit, kush kane qenë pjesëmarrësit, cilët kritere nuk i kanë plotësuar dhe cila është baza ligjore e anulimit të konkursit”.

“Po ja bëj me dije publikisht, se nëse do të tentohet që përems emërimit të ndonjë militanti politik, siq kan vepruar gjerë më tani, ta pushtojnë shkollën në fshatin Vlashnje, duke emëruar ushtrues të dhunshëm të drejtorit, kësaj radhe partia në pushtet do ta ketë të pamundshme sepse do të përballen me një rezistencë të fuqishme të prindërve dhe qytetarëve të Vlashnjes, sepse mjaft më kanë abuzuar me kulturën dhe vlerat qytetare të këtyre banorëve”./PrizrenPress.com/

LDK-ja diskuton emrin e Hatim Baxhakut për kryetar të Prizrenit

0

Emri i Hatim Baxhaku është duke u diskutuar nga LDK-ja, si kandidat për kryetar të Prizrenit

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, konfirmon se në këtë subjekt politik, kanë filluar diskutimet nëse kandidatura e Baxhakut, do të rikthente fitoren e LDK-së në Prizren.

“Kemi filluar diskutimet me anëtarësinë tonë nëse kandidatura e deputetit më të votuar në LDK-në e Prizrenit, dr. Hatim Baxhakut do ishte kandidaturë fituese për Prizrenin”, tha Avdyli për PrizrenPress.

Sipas tij, diskutimet janë shumë produktive.

“Unë dhe Hatimi e kemi vënë LDK-në mbi ambiciet personale”, tha ai.

Kryetari Avdyli, premton se në kohën e duhur LDK-ja në Prizren, zyrtarisht do të dalë me emrin e kandidatit për Prizrenin.
“Ky është debat I brendshëm I LDK-së. Unë, e as dr. Hatimi nuk pot hemi Unë, Unë, por NE “.

Avdyli shprehet optimist se LDK-ja sivjet do të fitojë në Prizren.

“Fitorja e LDK-së është imperativ i kërkuar si nga anëtarësia dhe qytetarët, prandaj jemi duke punuar shumë për fitore”.

“Zakonisht LDK e ka pasur traditë që kryetari I Degës të jetë edhe kandidat për kryetar të qytetit, por unë si kryetar po dua ta jap një shembull për politikën kosovare. Interesi i përbashkët për fitore dua që të dominojë mbi ambicien personale”.

“Me fitoren e LDK-së, menaxhimi i qytetit do të ndryshojë. Unë do jem në ekipin politik më të ngushtë në ndonjë pozitë që do të kontribuoj për të ndryshuar qytetin”/PrizrenPress.com/

Shkelet një fëmijë në Prizren

0

Një fëmijë është shkelur me veturë në Prizren. Aksidenti ka ndodhur për shkak pakujdesisë së vozitësit.

Viktima ka pësuar lëndime trupore.

Pas trejtimit mjekësor, ai është lëshuar në shtëpi./PrizrenPress.com/

Arrestohet deputetja Aida Dërguti

0

Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka arrestuar deputeten e VV’së Aida dërgutin.

Arrestimi sipas policisë është bërë në bazë të urdhëarrestit të lëshuar nga organet e drejtësisë.

Ky është njoftimi i plotë i policisë për arrestimin e saj:

Policia e Kosovës bazuar në mandatin ligjor që ka është e obliguar në zbatimin e urdhërarresteve të ligjshme të lëshuara nga organet e drejtësisë dhe bazuar në këtë, sot me 09.02.2017 në orët e mëngjesit ka realizuar zbatimin e një urdhërarresti në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor Vushtrri.

Njësitet relevante policore të stacionit policor Vushtrri, bazuar në urdhëresë, kanë ndaluar deputeten e RKS-së znj. A. D., të cilën e kanë njoftuar mbi arsyen e ndalimit dhe bazuar në urdhëresë të njëjtën e kanë shoqëruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Vlen të potencohet se znj. A.D. ka bashkëpunuar dhe kooperuar mirë me zyrtarët policorë dhe e njëjta është shoqëruar në gjykatë, ashtu siç parashihet me urdhëresë.

Bashkangjitur mund të gjeni urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Arrestohet sulmuesi i boshnjakut në Prizren

0

Policia në Prizren, ka arrestuar një person të dyshuar për sulm fizik ndaj një boshnjaku. Ai është dërguar në mbajtje.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor ne Spitalin e Prizrenit”, njofton Policia e Kosovës.

Sipas policisë, sulmi fizik ka ndodhur për shkak një mosmarrëveshje që kanë pasur i dyshuari me viktimën./PrizrenPress.com/

Specialja, ‘tërmet’ në mars ose në prill

0

Aktakuzat e para të Gjykatës Speciale kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, respektivisht edhe arrestimet e para, pritet të ndodhin gjatë muajve mars ose prill të këtij viti.

Kështu kanë vlerësuar ekspertët e çështjeve juridike dhe kushtetuese, të cilët kanë thënë se Specialja pritet t’i godasë edhe figurat më të rëndësishme të spektrit politik. Por, megjithëkëtë, ata konsiderojnë se Specialja nuk do të sjellë trazira e as destabilizim të situatës, shkruan “Zëri”.

Nga ana tjetër, para dy ditësh shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo, zyrtarisht ka emëruar 19 gjykatës në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Me këtë rast zëdhënësja e Speciales, Avis Benes, ka bërë të ditur për “Zërin” se aktakuzat e para pritet të ngrihen në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Por, ekspertët vlerësojnë se puna e Speciales nuk do të kryhet vetëm gjatë 2017-s. Përkundrazi, siç konsiderojnë ata, puna e kësaj Gjykate do të zgjasë për vite me radhë. /Zëri/

Prizren: Dëshmitarët ndërrojnë deklaratat në gjyqin për fajde ( Video)

0

Pesë dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykimin e 14 personave që akuzohen për fajde dhe vepra të tjera të rënda penale.

Gjatë zhvillimit të seancës në Gjykatën e Prizrenit disa prej dëshmitarëve dhanë dëshmi të tjera nga ato që kishin dhënë në Polici.

Pasi u ballafaqua nga prokurorja speciale Merita Binaj-Rugova me deklaratën e dhënë në Polici, ku kishte deklaruar se i kishte marrë 45 mijë euro nga Tunë Kqira për t’ia kthyer brenda dy jave 50 mijë, dëshmitari Fadil Gashi mohoi në Gjykatë dëshminë e tij të dhënë në Polici. Ai tha se nuk ka marrë asnjëherë para me kamatë nga i akuzuari.

Dëshmitari Gashi tha se të hollat nga Tuna i kishte marrë për shkak të shitjes së banesës në vlerën prej 50 mijë euro, të holla të cilat i ishin dashur për shërimin e njërit nga familjarët e tij.

Ndërsa dëshmitari Viktor Gojani dëshmoi për takimin që kishin pasur Zef Gruda dhe Marian Kqira. Ai tregoi se ishin takuar së bashku në një lokal, ku Zefi i kishte nxjerrë disa letra të cilat tha se as që i kishin shikuar.

Sipas dëshmitarit, Zefi i kishte treguar Marian Kqirës së djali i tij Kastriot Kqira po i kërkonte djalit të tij, Palit, një shumë mbi 300 mijë euro. Dëshmitari Gojani tha se për këtë Mariani e kishte kritikuar Zefin se pse nuk i ka reaguar më herët ngase bëhet fjalë për shuma shumë të mëdha parash.

Në fund të dëshmisë së tij, prokurorja speciale i dorëzoi Gjykatës një CD nga ky takim, në të cilin kishte marrë pjesë edhe dëshmitari Gojani.

Në këtë seancë dëshminë e dha edhe Blerim Qono. Dëshmitari tha se një ditë kishte pasur nevojë për para dhe Gjekson Kqira ato para ia kishte gjetur te miku i tij Ernesti.

300 eurot e huazuara nga Ernesti, dëshmitari Qono tha se duhej t’i kthente brenda tri jave, mirëpo që në ndërkohë i ishte lajmëruar Gjeksoni dhe kishte kërkuar që të hollat t’I ktheheshin atij.

Prokurorja e ballafaqoi këtë dëshmitar me SMS-të që i kishte marrë nga Gjekson Kqira, në të cilat thuhej se sado që ai të vonohej ditët veç po ecnin.

Mirëpo, dëshmitari tha se nuk ka dhënë para më shumë sesa që ka marrë.

“Unë mas 3-4 ditësh i bëra paratë dhe ia dërgova në kafiterinë “Credo”, ku edhe ia pata marrë Ernestit dhe më nuk kam pasë asnjë telefonatë nga askush. 300 i kam marrë 300 i kam kthy”, tha ai.

Dëshmi në gjykatë të martën dha edhe dëshmitari Xhevdet Kabashi, i cili deklaroi se ia kishte shitur një veturë “Mercedes” në vlerë prej 43 mijë euro Burim Shalës, mirëpo që atë e kishte kaluar në emër të Kastriot Kqirës. Ai u deklarua se nuk dinte asgjë, se të hollat i kishte marrë nga Burimi.

Ndërsa dëshmitari Burim Shala, i cili merret me shitblerje veturash, dëshmoi në Gjykatë se i kishte shitur tri vetura të dëmtuarit Pal Gruda.

“Mercedesin” në vlerë prej 43 mijë euro, të cilin e kishte blerë nga Xhevdet Kabashi, ndërsa i kishte kaluar në pronësi Kastriot Kqirës, kurse çmimin e kishin paguar familjarët e të dëmtuarit Pal Gruda.

Po ashtu Palit tha se i kishte shitur edhe një veturë “Audi” në vlerë prej 24 mijë euro dhe një “Polo” në vlerë prej 10 mijë euro.

Të gjitha këto makina tha se Pali i kishte marrë borxh me arsyetimin se e dinte edhe prindi i tij Zefi, mirëpo që më vonë të hollat i kishte paguar vëllai i Palit.

Në fund të seancës, avokati i Tunë Kqirës, Azem Vllasi, kërkoi përjashtimin e prokurores speciale, Merita Binaj-Rugova, nga kjo lëndë.

Kjo ndodhi pasi prokurorja kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për ndërprerjen e paraburgimit për të akuzuarit.

Prokurorja tha se kjo masë duhet të qëndrojë deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Prandaj, avokati Vllasi kërkoi që Merita Binaj-Rugova të përjashtohet nga kjo lëndë. Sipas tij, prokurorja po e keqpërdorë edhe pozitën e saj zyrtare.

“Kjo e shkakton një dyshim shumë të bazuar së paku te unë, se kjo paska do motive tjera për neve tash të panjohura për këmbëngulje te masa e paraburgimit, këtu e kam fjalën, cilat janë ato na nuk dojna me spekulu, por kjo në këtë mënyrë e ka humbë kredibilitetin se mund ta përfaqëson një aktakuzë të tillë në mënyrë profesionale dhe të paanshme”, tha avokati Azem Vllasi.

Seanca e radhës do të vazhdojë me 24 shkurt, kur planifikohet të dëgjohen edhe shtatë dëshmitarë të tjerë.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi./kallxo.com/