Home Blog Page 6038

Betimi i “shokut Kim”

0

Korea e Veriut është zotuar të përshpejtojë programin e vet bërthamor, për t’u mbrojtur nga sulme të ngjashëm me atë që urdhëroi presidenti i SHBA, Donald Trump, kundër një baze ajrore në Siri.

Korea e Veriut e quajti “absolutisht të pafalshëm” sulmin e SHBA dhe tha se, ai vërtetonte që armët bërthamore janë të justifikuara si mbrojtje nga Uashingtoni si dhe “lëvizjet e tij drejt luftës”. Një takim i Komitetit Qendror të Partisë së Punës në pushtet miratoi përshpejtimin e programit.

Komentet u bënë nga një zyrtar i Ministrisë së jashtme, si dhe u përcollën nga agjencia shtetërore e lajmeve dje.

“Sulmi ajror i SHBA kundër Sirisë është një akt i qartë dhe i patolerueshëm agresioni kundër një shteti sovran, dhe ne e dënojmë me forcë”, tha një zyrtar i qeverisë në Korenë e Veriut. “Ai vërteton një milion herë se vendimi ynë për të forcuar programin tonë bërthamor ka qenë zgjedhja e duhur. Vetëm fuqia jonë ushtarake do të na mbrojë nga agresioni imperialist. Ne do të vazhdojmë të fuqizohemi ushtarakisht në mënyra të ndryshme, me qëllim që të përballojmë aktet e shtuara të agresionit nga SHBA”.

Sulmi i SHBA ndaj Sirisë erdhi pas një sulm me armë kimike në një qytet sirian të mbajtur nga rebelët. Në atë sulm mbetën të vdekur 80 persona.

OKB e ka ndaluar Korenë e Veriut që të kryejë teste me raketa apo bërthamore, por Feniani ka vazhduar të kryejë teste bërthamore gjithnjë e më të forta. /bota.al

Lamtumira e Chuck Berry – legjendës së Rock n’ Roll

0

Një ceremoni lamtumire i është dhënë legjendës së Rock N Roll-it, Chuck Berry të dielën që lamë pas në teatrin “Peageant” në Shën Luis, ku ishin të pranishëm familjarë, miq dhe fansa të tij.

Berry vdiq muajin që kaloj në moshën 90 vjeçaredhe është konsideruar si një nga etërit themelues të “Rock N’ Roll”-it.

Charles Edward Anderson Berry, ishte i pranishëm në skena që në moshë të hershme, në vitet 1950, dhe u shfaq si kitaristi dhe shkruesi i parë me ngjyrë i këngëve, stili i performimit të të cilit elektrifikonte të rinjtë e të gjitha ngjyrave.

Fans pay their respects to the late musicianGuitarist Billy Peek performs during the memorial serviceMarshall Chess, son of Chess Records founder Leonard Chess, speaks during the memorial service for rock 'n' roll legend Chuck Berry (09 April 2017)A fan carries flowers as she pays her respects to the late rock The body of Chuck Berry lies in his casket during a public memorial service for the rock 'n' roll legend at the Pageant Concert Hall and Nightclub (09 April 2017)Gene Simmons, co-founder of the rock band Kiss, delivers remarks during the memorial service for rock 'n' roll legend Chuck Berry at the Pageant Concert Hall and Nightclub (09 April 2017)Chuck Berry fans line up to pay their respects to the late rock 'n' roll visionary at the Pageant club in St Louis (09 April 2017)

Kadare për Nobelin: Ndoshta do ta fitoj më vonë, nuk i dihet

0

Ismail Kadare shumë herë është nominuar për çmimin më të rëndësishëm  në letërsinë botërore – Çmimin Nobel, por asnjëherë s’e ka fituar atë.

Ka shumë shkrimtarë tjerë, më pak të njohur se Kadare që e kanë rrëmbyer këtë çmim, ndaj jo pak kush, sidomos në trevat shqiptare, mendon se mbase Nobeli është i korruptuar, por kështu s’mendon edhe vet Kadare.

“Nuk mendoj se çmimi Nobel është i korruptuar”, ka thënë ai në një bashkëbisedim me lexues në teatrin e Klan Kosovës.

“Flitet për këtë çmim shumë, ka gjithfarë lloj atributesh për të, aq më pak mua nuk më përket të gjykoj një çmim, në të cilin kam qenë vet i propozuar, të cilin nuk e kam marrë dot, por shumica e atyre që propozohen nuk e marrin”, ka pohuar Kadare.

“Sinqerisht, nuk mendoj se është i korruptuar. Atë një njeri do ta marri në botë – si do që të jetë do të ketë të pakënaqur. Dhe unë e di që edhe këtu tek ne – më duket sikur e kam thënë edhe herë të tjera – sikur më bëjnë fajtor që s’e kam marrë dot”.

Kadare tha se e vlerëson shumë vet çmimin, por edhe zhurmën që bëhet rreth tij, njofton Klan Kosova.

Sipas shkrimtarit, kjo gjë është e mirë për vet letërsinë, porse edhe nëse s’e fiton kurrë këtë çmim, s’ka pse një gjë e tillë të shihet si shumë dramatike.

“Ndoshta do ta fitoj më vonë, nuk i dihet, por unë nuk e marrë këtë gjë dramatikisht. Përkundrazi, e quaj një gjë shumë pozitive që për fat të mirët të letërsisë ka disa javë – kur vjen koha e Nobelit – që njerëzimi përqendrohet tek ky çmim”.

Limaj: Kemi arsye për mocion mosbesimi ndaj kësaj Qeverie

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje edhe deputetëve të partive në pushtet, që ta përkrahi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Në një intervistë për ‘Epokën e Re’, Limaj ka bërë me dije se gjatë kësaj javë do t’i nisin konsultat edhe me deputetë të pozitës rreth këtij mocioni.

Ai ka thënë se disa deputetë të koalicionit qeverisës edhe publikisht kanë shprehur pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, prandaj beson se opozita do ta ketë përkrahjen e tyre.

Limaj ka pohuar se mosrealizimi i premtimeve që kanë dhënë partitë në pushtet ka rritur pakënaqësinë qytetare. Kjo Qeveri, sipas Limajt nuk është në ballë të zgjidhjeve të problemeve, por thjesht një Qeveri administrative inerte. Ai është i bindur se pas zgjidhjeve të reja, kurdo që mbahen ato, Qeverinë e re do ta drejtojë opozita.

Ibrahimovic: Unë, si Benjamin Button

0

Zlatan Ibrahimovic nuk di të ndalet në fushën e lojës. Edhe pse në moshën 35-vjeçare, ritmi i tij i shënimit të golave është i një niveli mbresëlënës.

Në përballjen me Sunderlandin, Ibrahimoviç shënoi në minutën e 30, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së Manchester United. Ajo që të bën përshtypje në statistikat e Ibrahimoviç është se, sulmuesi  e sheh veten në kuotën e 250 golave të shënuar që nga momenti kur arriti moshën 30-vjeçare.

I pyetur për sekretin e formës së tij, Ibrahimoviç tha se punon shumë dhe se është i përqëndruar maksimalisht në detyrat e tij.

“Duket se, sa më shumë plakem, aq më inteligjent bëhem. Sigurisht nuk mund të bëj të njëjtat lëvizje si 5 apo 10 vite më parë. Por me kalimin e viteve, një person fiton më shumë eksperiencë dhe bëhet më inteligjent. Nuk shpenzoj shumë energji kur nuk është e nevojshme. Loja ime po përmirësohet, më duket vetja si Benjamin Button, i lindur plak për të vdekur i ri”, tha Ibrahimoviç.

Ibra, si Benjamin Button: Jam lindur plak, për të vdekur i ri

Hesht popull hesht !

0

Luan R. Hoxha

Hesht ti o POPULL hesht . Hesht dhe vetëm hesht. Je brumosur për të heshtur.
Edhe çka duhet të të ndodhë për ta ngritë zërin e arsyes?

Arsimin ta shkatërruan, shëndetësinë e vunë në komë ,ekonominë në agoni,kultura është shpartallua. Vetëm soji i Hashimit ,Kadrisë, Isës dhe klanet e tyre të logjikës dhe ambicjeve krekosen për të mbërrimet e kësaj bande politike. E ti o POPULL ,bënë sehir. Vetëm heshtë. Vetëm unë ta kem mirë e fëmijët e mi le të gjinden.
Ashtu mendon ?

Po, po ashtu mendon ti.
Ashtu mendon ti z. doktor, ashtu mendon ti z. inxhinjer, ashtu mendoni ju ekonomistë e juristë ju kompozitorë e këngëtarë , artist e piktorë, biolog e kimist, ju mësues e arsimtarë profesor e akademik. Nuk është me rëndësi se kam diplomua në kimi, mundë të bëjë edhe punë të tjera ,psh edhe të pastroi rrugë. Nuk është me rëndësi se jam biolog , do të merem me… , nuk di as vet se me çka por ia baj disi.

Me rëndësi do ta ruaj” krenarinë ” time dhe nuk do të bijë në nivel të Hashimit e Kadrisë .

Artist ? Nuk ka lidhje , do të mbahem edhe unë si të tjerët por me rëndësi do të më thonë artist. Do ta bëjë Zoti mirë !
Po ju student ku jeni ,ku është ajo magma vullkanike në shpirtin t’uaj që duhet të jeni avangarda e ndryshimeve?! Heshtni dhe vetëm heshtni.Ku është guximi juaj,ku është grushti i juaj rinorë që botën din dhe mundet ta ndryshoi? Nuk ishit në gjendje ta mbroni as rektorin ” Ramadan Zejnullahu “,që me mish dhe shpirt u mundua ta ruaj Univerzitetin nga kthetrat e injorantëve dhe fallcifikatorëve.E ju heshtët ! Aq lehtë u pajtuat me fatin !

O si nuk kam një grusht të fortë
Ti bijë mu në zemër malit që s’bëzan

Këtë do ta thoshte Migjeni.

Deri kur do të mendoni se do të zbres ndonj? Mesi dhe t’ju rregulloi punet ashtu si doni ju?! Mesiu ështe GRUSHTI i juaj O MALI QE S’BËZANË . Ngrite GRUSHTIN lartë o POPULL dhe thuaj : mjaft ma ,mjaft ma ju o fundrina të kombit ,mjaft ma ju o hordhitë e qytetërimit të kalbur.Mendoni se me një ” LIKE ” në FB , keni kryobligimin t’uaj qytetar ?! Pritni mëshirë nga perëndia? Nga Muhamedi , Krishti apo Mojsiu ? Lutuni, ankohuni se edhe ata do ti marin parasysh lutjet t’uaja dhe do tju bëjnë “LIKE ” në FB.

A ka nënçmim më të madh për një popull , për një komb, që në krye të shtetit ta ketë qiftin e Hashim Thaqit, Kadri Veselit, Isa Mustafës,Grabovcëve e Beqirëve, Hamitëve e shum të tjerëve.A arsyetohen Flora Brovina, Justina Shiroka Pula dhe Anila Statovci ,Blenard Stavileci e Arban Abrashi që për çfarëdo interesi, të jenë aq servil ndaj tyre.Q’kishte me i thanë ish kryetari Rugova vajzës së vet për buçetin e luleve që ia dhuroi Hashimi ?Apo Enver Maloku të vetes që ka hy në valle me ta ?
Gjendjen në të cilën jemi katandisur e ilustron më së miri kjo anekdotë :
” Kali i drejtohet pronarit: o zotni të fali që aq shum ma ngarkove shpindën por nuk ta fali që ma qite gomarin përpara me m’udhëheqë.”

Mali heshtë dhe në vuajtje qeshë
E unë vuaj dhe në vuajtje vdes.
Po unë, kur? Heu ! Kur kam për të qeshë?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes ?

E tha Migjeni.

/Shkrimi është botuar edhe në Koha Ditore/

Anton Chekhov: 8 cilësitë e një njeriu të kulturuar

0

Çfarë do të thotë të jesh ”i kulturuar”?

A ka të bëjë me të qenët një lexues i mirë, apo të dish se si të flasësh për libra që nuk i ke lexuar, apo të kesh në përgjithësi një natyrë intelektuale? Kjo është pikërisht pyetja që autori i dashur rus, Anton Çekov (29 janar 1860-15 korrik 1904), parashtron në një letër drejtuar vëllait të tij të madh Nikolai, një artist. Letra, e shkruar kur Antoni ishte 26 vjeç dhe Nikolai 28, e cila u gjet në “Letrat e Anton Çekov për familjen dhe shokët e tij”, shpërndan me përzemërsi dozat e një dashurie të mundimshme dhe përshkruan 8 cilësitë e një njeriu të kulturuar – duke përfshirë ndershmërinë, altruizmin dhe veset e mira.

Çekov shkruan nga Moska më 1886:

Më je ankuar shpesh që njerëzit “nuk të kuptojnë”! Gëte dhe Njuton nuk u ankuan për këtë… Vetëm Krishti u ankua, por nuk po fliste për veten e tij, por për doktrinën e tij… njerëzit të kuptojnë mjaft mirë. Por nuk është faji i tyre nëse ti nuk kupton vetë veten tënde.

Ta siguroj, si vëlla dhe si shok, që të kuptoj dhe të kam në zemër. I njoh cilësitë e tua të mira siç njoh gishtat e dorës sime: i vlerësoj dhe i respektoj shumë. Nëse do të provosh që unë të kuptoj, mund të t’i rendis këto cilësi. Mendoj se je shumë i mirë për nga ana  e butësisë, shpirtmadhësisë, joegoizmit, i gatshëm për të ndarë edhe qindarkën e fundit: nuk ke zili apo urrejtje; Je zemërmirë, ndjen keqardhje për çdo lloj qenie, je i besueshëm, pa mëri e dredhi, dhe nuk mban inat… të është dhënë nga lart një dhuratë që të tjerët nuk e kanë: ti ke talent. Ky talent të veçon nga miliona njerëz, në këtë botë vetëm një në dy milionë është një artist. Talenti është ai që të bën të veçantë: Edhe po të ishe një amfib apo merimangë, edhe atëhere njerëzit do të respektonin, sepse të talentuarit i justifikohet e falet gjithçka.

Ti ke vetëm një të metë, të cilës i detyrohet falsiteti i qëndrimit tënd, palumturia jote dhe pezmatimi i brendshëm. Kjo është në total mungesa e kulturës tek ty. Të lutem, më fal por (veritas magis amicitiae)…

E shikon, jeta ka kushtet e saj. Që të ndihet rehat mes njerëzish të edukuar, të ndihet i kënaqur dhe si në shtëpinë e tij, njeriu duhet të jetë i kulturuar deri në një masë të caktuar. Talenti të ka futur në këtë rreth, të cilit i përket, por… ti i je larguar atij, dhe ti ngurron mes njerëzve të edukuar dhe banorëve përballë.

Sipas mendimit tim, njerëzit me kulturë duhet të përmbushin kushtet që vijojnë:

  1. Ata respektojnë personalitetet njerëzore, dhe aty për aty, janë gjithmonë të dashur, të sjellshëm dhe të gatshëm për të bërë për të tjerët. Ata nuk bëjnë sherr për një çekiç apo sepse humbin një copë kauçuku, nëse jetojnë me të tjerët nuk e marrin këtë gjë si nder, dhe kur largohen, nuk thonë “asnjeri nuk do të mund të jetonte me ty.” Ata ia dalin me zhurmën, të ftohtët, vërejtjet e holluara dhe me praninë e të huajve në shtëpi.
  2. Ata nuk kanë dhembshuri vetëm për lypsarët apo macet pa shtëpi. Zemra e tyre dhemb për atë që syri nuk shikon… ata ngrihen natën për të ndihmuar… për të paguar për vëllezërit që janë në universitet, dhe për të blerë rroba për nënën e tyre.
  3. Ata respektojnë hapësirën e të tjerëve dhe i shlyejnë detyrimet.
  4. Ata janë të sinqertë, dhe i frikësohen gënjeshtrës sikurse zjarrit. Nuk gënjejnë as për gjërat më të vogla. Një gënjeshtër është fyese për dëgjuesin dhe e ul atë në sy të folësit. Ata nuk shtiren, ata sillen në rrugë ashtu si në shtëpi, dhe nuk mburren para miqve modestë. Nuk janë të dhënë pas dërdëllitjeve dhe të detyrojnë të tjerët mbi besimet e tyre. Pas shpinës së tjetrit parapëlqejnë të heshtin më shumë sesa të flasin.
  5. Ato nuk i ulin vlerat e tyre për të zgjuar dhembshuri. Nuk luajnë me telat e zemrës së njerëzve që më vonë të psherëtijnë dhe të ndiejnë këqardhje. Ata nuk thonë “ jam keqkuptuar,” ose “jam lënë pas dore,” sepse gjithë kjo përpjekje, është vulgare boshe, false…
  6. Ata nuk kanë krenari të cekët. Ata nuk duan t’ia dinë për diamantet fallso si të njohurit e të famshmëve, për t’i dhënë dorën “P”-së [me gjasë Palmin, poet i padëgjuar] së dehur, të dëgjojnë entuziazmin e një spektatori të humbur në një shou pikturash, të qenët të njohurit e tavernave…. Nëse bëjnë diçka të vogël, ata nuk krekosen për të sikur të kishin dhuruar diçka me vlerën e 100 rublave, dhe nuk mburren që kanë arritur aty ku të tjerët nuk janë pranuar…. Ata që janë vërtet të talentuar, gjithmonë anojnë nga ana e turmës, sa më larg reklamimit…Edhe Krivol ka thënë se një fuçi boshe bën më shumë jehonë sesa një e plotë.
  7. Nëse kanë një talent, e respektojnë atë. E sakrifikojnë atë për të tjerët, gruan, verën, krenarinë… Ata janë krenarë për talentin e tyre.
  8. Ata zhvillojnë ndjenjen estetike tek vetja e tyre. Nuk bien dot të flenë me rrobat e tyre, të shohin të çarat e mureve plot me insekte, të thithin ajër të keq, të ecin në një rrugë të pështyrë, të gatuajnë vaktet në vaj të ndenjur. Ata kërkojnë sa më shumë të mposhtin dhe të fisnikërojnë instiktet seksuale… nuk e duan për shoqe shtrati një femër… nuk kërkojnë inteligjencën që shfaq veten në një gënjeshtër të vazhdueshme. Nëse janë artistë, ata duan në veçanti, freski, elegancë, njerëzi dhe kapacitet për amësinë…Ata nuk rrokullisin vodka në çdo orë të ditës dhe natës, nuk kërkojnë në rafte, nuk janë derra dhe e dinë që nuk janë. Ata pinë vetëm kur janë të lirë, me raste… Ajo çfarë duan është një mendje e shëndetshme në një trup të shëndetshëm (mens sana in corpe sano).

E kështu me radhë. Kështu janë njerëzit e kulturuar. Që të jesh i kulturuar dhe të mos jesh nën nivelin e atyre çfarë të rrethojnë nuk mjafton të kesh lexuar “The pickwick Papers” dhe të kesh mësuar një monolog nga “Fausti”…

Ajo çfarë duhet është një punë konstante, natë dhe ditë, lexim i vazhdueshëm, studim, vullnet…

Çdo orë është e vlefshme… eja tek ne, thyeje shishen e vodkës, shtrihu dhe lexo… Turgenev, po të pëlqeu, të cilin nuk e ke lexuar.

Duhet ta lësh krenarinë, nuk je një fëmijë… së shpejti do bëhesh 30 vjeç.

Është koha!

Unë pres nga ti… të gjithë presin nga ti.

Politikanë kthejuni punës, kazmës dhe parmendës!

0

Një mesazh i rilindasit Faik Konica, që vlen edhe sot, përsëritur thuajse me të njëjtat fjalë nga zëra të urtë të shoqërisë

konica.al

Hiqni dorë, se do të bëheni lodra e botës. Ta dini se ne,- në sy të Evropës së qytetëruar., jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na …përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zëni besën raporteve që thone gjëra të mira ‘per ne, dhe mbase një ditë dalim të “Rritur përpara botës, udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, por me ferra; ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i djersitur, i lodhur; dhe trëndafilat, dafinat, ujët e ftohtë, lëndina ‘ku është mirë dhe ëmbël të shtrihet, të gjitha këto i gjen në kulm vetëm, dhe atje shumë herë as që i gëzon dot, se bie i vdekur nga të lodhurit, po me vetëdijen që i hapi një udhë të re Popullit.

Ne, vëllezër, jemi negër të varfër, pa nonjë rëndësi fare; mos dehuni me moskuptime, mos dëgjoni njerëz të cekët, njerëz aq të paditur sa ju, më të paditur se ju ndofta, të cilët kanë vetëm një guxim barbar dhe të verbër që i shtyn të futen kudo, në mes të talljes së përgjithshme.
Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe Parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s’qaj dot.

Dhe më në fund, aq di, aq them; Jini të lirë të bëni si të doni.

Qytetarët mbjellin pisha në gropat në rrugët e Dragashit

0

Sipas një fotografie të dërguar në KALLXO.com nga një qytetar i Dragashit, dikush ka mbjellë një pishë në gropën në mes të një rruge në këtë zonë.

Një qytetar i komunës së Dragashit ka zgjedhur një mënyrë kreative për të protestuar dhe për të kritikuar autoritetet lokale dhe qendrore për gropat e mëdha në rrugët e kësaj ane.

Sipas një fotografie të dërguar në KALLXO.com nga një qytetar i Dragashit, dikush ka mbjellë një pishë në gropën në mes të një rruge në këtë zonë.

Qytetari që e ka dërguar fotografinë nuk ka treguar se në cilën rrugë saktësisht ka ndodhur ky “pyllëzim”.

KALLXO.com ka raportuar edhe për një rast tjetër të mbjelljes së pishave në gropat në mes të rrugës.

Pas raportimit të këtij rasti kishin reaguar Komuna e Vitisë, ku kishte ndodhur “pyllëzimi” dhe Qeveria qendrore, të cilat kishin nisur mbushjen e gropave.

Përgatitjet përfundimtare për festivalin “Hasi Jehon”

0

Festivali folklorik “Hasi Jehon”, i cili organizohet tradicionalisht në fshatin Gjonaj të Hasit, edhe këtë vit do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm.
Drejtori i këtij manifestimi gjithëkombëtarë, Haziz Hodaj ka thënë se përgatitjet për këtë festival tashmë janë në përfundim e sipër dhe se organizatorët me të drejtë presin performanca shumë kualitative nga Shoqëritë Kulturo – Artisike, grupet folklorike dhe individët që janë kualifikuar e do të prezantohen në skenën e këtij festivali.

“Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për organizimin sa më të mirë të këtij manifestimi tradicional për promovimin e vlerave kulturore dhe tradicionale mbarëshqiptare”, tha Hodaj.

Ai tha se, është një numër i konsiderueshëm i ShKA-ve që kanë shprehur interesimin për të marr pjesë, “por nuk mund t’i pranojmë të gjitha”.

“Jemi fokusuar te ato ShKA-të të cilat kultivojnë folklor burimor sepse karakteri i Festivalit tonë është i tillë”,transmeton TVPZ.

“Për herë të parë në këtë festival, do të marrin pjesë ShKA “Rexho Mulliqi” nga Presheva.

Festivali, do begatohet edhe me një grup shqiptarësh nga Suedia, pasi që është konfirmuar pjesëmarrja e Ansamblit “Dardania” nga ky shtet skandinav.

Edhe në këtë edicion, do të organizohet ekspozita e prodhimeve të bukës si zeje tradicionale hasjane, si dhe ekspozita e veshjeve hasjane, si veshje karakteristike.

Festivali mbahet me 4,5 dhe 6 maj./PrizrenPress.com/