Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje, rreth orës 20:15, patrulla policore, gjatë asistimit të Inspektorëve të Shoqatës së Peshkatarisë në fshatin Krajk, Prizren, ka ndaluar dhe kontrolluar një person që drejtonte një kamion.
“Sapo ka vërejtur policinë, i dyshuari ka hedhur diçka në shkurre. Pas kontrollit të zonës, është gjetur një armë pistoletë e tipit ‘GLOCK 17’, prodhim austriak”, thuhet në njoftimin e PK-së, përcjell PrizrenPress.
Më tej, Policia bën të ditur se: “Patrulla ka ndaluar të dyshuarin dhe ka informuar hetuesin kujdestar, i cili, së bashku me krimin teknikun e kriminalistikës, ka dalë në vendngjarje dhe ka sekuestruar armën.”
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, “me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari, M.L., 27 vjeç, nga fshati Krajk, është ndaluar në ndalim policor për 48 orë,” thekson Policia.
Në këtë rast, “është sekuestruar arma dhe janë filluar hetimet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës’”, përfundon njoftimi./PrizrenPress.com/
Jalen Nesbitt ka udhëhequr Golden Eagle Ylli drejt një fitoreje të rëndësishme ndaj Trepçës, duke u shpallur lojtari më i mirë i javës në ProCredit Superligë. Me 16 pikë, 6 kërcime dhe 2 asistime, ai arriti indeksin më të lartë (27) mes skuadrave fituese, përcjell PrizrenPress.
Në pesëshen më të mirë të javës u renditën edhe Wendell Green dhe Lejson Zeqiri nga Bashkimi, Dardan Berisha nga Peja dhe Josh Nzeakor nga Sigal Prishtina, të cilët spikatën me paraqitjet e tyre.
Lëvizjet në buxhetin për investime kapitale në Komunën e Prizrenit kanë qenë të dukshme në periudhën gjatë viteve 2018 deri në vitin 2023. Por rritja më inkurajuese ka qenë në vitin 2023. Megjithatë një analizë e shoqërisë civile ka gjetur se sfidë mbetet shpërndarja e barabartë përkatësisht mbulimi më i mirë i zonave rurale.
“Nga 2018 në 2019, pati një rritje të ndjeshme prej 29%. Megjithatë, në vitin 2020 pati një rënie të lehtë prej 1.2%. Viti 2021 shënoi një rënie më të madhe prej 17% krahasuar me vitin paraprak. Në 2022, buxheti u rrit lehtësisht me 3%. Ndryshimi më i madh ndodhi në vitin 2023, me një rritje të jashtëzakonshme prej 60% krahasuar me vitin 2022, duke arritur në 43 milionë euro. Kjo rritje e fundit tregon një potencial të madh të kësaj komune për të investuar në projektet kapitale”, thuhet në raport.
Burimi: Instituti GAP
Vlerësuar sipas shpërndarjes së kapitaleve bazuar në fusha, raporti thekson se vërehet një trend i ndryshëm në shpërndarjen e buxhetit.
“Infrastruktura ka pasur rritjen më të madhe, nga 8.8 milionë në 2018 në 12.1 milionë në 2023, që paraqet një rritje prej rreth 37%. Arsimi ka pasur luhatje, me një rritje të konsiderueshme në 2020 (2.5 milionë), por pastaj ka rënë në nivele të ngjashme me 2018 (1.8 milionë në 2023). Shëndetësia ka shënuar rritje të përgjithshme, nga 842 mijë në 2018 në 1.3 milionë euro në 2023, që tregon një investim të shtuar në këtë sektor”.
Kultura, sipas raportit, ka pësuar një rënie të lehtë, duke rënë nga 1.1 milionë euro në 2018 në 1 milionë euro në 2023.
“Ndërkohë, bujqësia ka pësuar rënien më të madhe, duke u ulur nga 1.3 milionë euro në 2018 në vetëm 325 mijë euro në 2023, që paraqet një rënie prej 75%. Kjo tregon një zhvendosje të konsiderueshme të prioriteteve buxhetore duke renditur të fundit sektorin bujqësor”.
Burimi: Instituti GAP
Në raport bëhet e ditur se “Komuna e Prizrenit është komuna me shkallën me të lartë për investime kapitale në mesin e 15 komunave që vlerëson ky raport, me gjithsej 185 milionë euro gjatë viteve 2018-2023, prej të cilave afro 12 milionë euro euro (6.3%) janë investuar në zona rurale, ndërsa 174 milionë euro (93.7%) në zona urbane”.
Aty theksohet se ka lokalitete që nuk kanë përfituar asnjëherë gjatë kësaj periudhe kohore, raporton Telegrafi.
“Prizreni ka 83 lokalitete rurale, prej të cilave 19% (16) nuk kanë përfituar asnjëherë gjatë gjashtë viteve, 41% (33) kanë përfituar pjesërisht (së paku dy herë në gjashtë vite), 40% (34) kanë përfituar vazhdimisht”.
Sipas raportit gjatë kësaj periudhe kohore, Zhuri del në pah si lokaliteti me shumën më të madhe të alokuar, duke marrë një total prej 1.2 milionë euro. Pas Zhurit, lokalitetet me shumat më të mëdha janë Novaka me 390 mijë euro, Manastirica me 375 mijë euro, dhe Vlashnja me 370 mijë euro.
“Këto shifra sugjerojnë një shpërndarje jo të barabartë të burimeve, me disa lokalitete që marrin shumë më shumë financim se të tjerat”, thuhet në raport.
Një trend i dukshëm, sipas këtij raporti, është se shumica e lokaliteteve kanë marrë financim të paqëndrueshëm gjatë viteve, me disa vite që kanë shuma të konsiderueshme dhe të tjera pa financim fare. “Vërehet gjithashtu se disa lokalitete si: Dojnica, Drajçiqi, Gërnçari, Gornjasella, Lezi, Llokvica, Lubinja e Poshtme, Lybeqeva, Lubizhda e Hasit, Lukinaj, Poslishti, Pouska, Sërbica e Epërm, Skorobishti, Struzha dhe Tupeci nuk kanë marrë asnjë financim gjatë kësaj periudhe gjashtëvjeçare”.
Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se Komuna e Prizenit i publikon të gjitha raportet që lidhen me konsultimet e qytetarëve gjatë hartimit të buxhetit, por se për shkak të mos funksionimit të rregullt të uebfaqes zyrtare hartuesit e raportit e kanë pasur të pamundur qasjen në këto dokumente, raporton Telegrafi.
Instituti GAP ka rekomanduar komunat që të rrisin ndjeshëm shumën dhe përqindjen e mjeteve që i dedikojnë për investime kapitale nëpër lokalitetet rurale, përkatësisht të ndjekin një qasje më të balancuar në shpërndarjen e investimeve, duke mos u fokusuar vetëm në infrastrukturë por duke përfshirë më shumë investime në sektorët e ekonomisë, bujqësisë dhe urbanizimit, sikurse edhe t’i nxisnin qytetarët për të marrë pjesë në dëgjimet buxhetore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2061 gjoba në trafik.
Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 19 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 30 me dëme materiale.
Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 22 persona, ndërkaq 11 të tjerë janë dërguar në mbajtje.
Administrata Tatimore e Kosovës, ka ndarë arritjet për vitin e ri fiskal.
Sipas një njoftimi për media, ATK ka theksuar se viti i kaluar ishte një vit i jashtëzakonshëm në aspektin e realizimit të objektivave, por edhe i vlerësimeve nga institucionet ndërkombëtare.
“Në vitin 2024 janë mbledhur të hyra rekorde, duke tejkaluar parashikimet dhe duke konfirmuar angazhimin e menaxhmentit dhe stafit të ATK-së për një sistem tatimor efikas, të drejtë dhe transparent”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq sot ATK raporton për tendencën e rritjes së qëndrueshme të të hyrave tatimore për këtë vit.
“Të dhënat statistikore për dy muajt e parë të vitit 2025 tregojnë se këto të hyra premtojnë realizimin e projeksionit të planifikuar. Janë gjithsejtë 184.3 milionë euro tatime të mbledhura vetëm për këta dy muaj, që në krahasim me janar-shkurt nga vitit 2024 janë 7.2 % më shumë, apo 12.3 milionë euro”, thuhet në njoftim.
ATK ka shtuar se në muajt në vijim sigurisht që do të vazhdoj me intensifikimin e angazhimit për të lehtësuar përmbushjen vullnetare të tatimeve, për të rritur mbikëqyrjen dhe për të përmirësuar mekanizmat e institucionit.
“Do të vazhdohet gjithashtu me implementimin e projekteve dhe reformave të reja, që synojnë rritjen e disiplinës tatimore dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes”, ka njoftuar ATK.
Golden Eagle Ylli shënoi fitore shumë të rëndësishme ndaj kampiones së Kosovës, Trepçës me rezultat 82:74 (24:20, 22:17, 17:18, 19:19), në javën e 23-të të ProCredit Superligës, përcjell PrizrenPreess.
Te vendasit më i miri ishte Jalen Nesbitt me 16 pikë e gjashtë kërcime, derisa Jan Palokaj shtoi 21 pikë, ndërsa te mysafirët Michael Green kishte 22 pikë e tetë asistime, ndërsa Mchael Myres kishte 13 pikë e 14 kërcime.
Golden Eagle Ylli ka dhjetë fitore e 13 humbje, ndërsa Trepça 15 fitore e tetë humbje./PrizrenPress.com/
Bashkimi shënoi fitore ndaj Vëllaznimit në Gjakovë me shifrat 61:67 (14:16, 13:17, 19:13, 15:21), në javën e 23-të të ProCredit Superligës, përcjell PrizrenPress.
Trey Anderson ishte më i miri te vendasit me 28 pikë e 11 kërcime, kurse te mysafirët Wendell Green kishte 18 pikë, Lejson Zeqiri 17 dhe Erik Copes 14.
Vëllaznimi ka 11 fitore e 12 humbje, derisa Bashkimi 16 fitore e shtatë humbje./PrizrenPress.com/
Fermerët e Komunës së Rahovecit po shfrytëzojnë motin e mirë që po mbretëron këto ditë për të nisur zingjirin e prodhimit të perimeve
Punët në bujqësi nuk përfundojnë në asnjë stinë të vitit në komunën e Rahovecit. Që nga mesi i janarit kultivuesit e fidanëve të perimeve kanë filluar te hedhin farën me qëllim që koha optimale për mbjelle t’i gjejë gati.
Çlirim Duraku nga Krusha e Madhe që tradicionalisht merret me këtë punë thotë se kanë arritur të kultivojnë varietete me cilësi të lartë, ndonëse kostoja e prodhimit është e lartë, pasi serat ku ai kultivon fidanë është nxehur me dru.
“Fidanët në serën tonë janë gati në fazën e shitjes, kemi faza edhe më të vonshme, por tash është gati për tregun e shitjes për sera. Interesimi tani është fillojmë me specin dhe me lakrën, tash është koha e lakrës më shumë dhe specat në sera, më vonë fillojmë me domate, shalqin, pjepër etj”, tha ai.
Ai tha se edhe institucionet lokale dhe qendrore kanë qenë pjesë e ndihmës së tyre. “Institucionet lokale në fillim na kanë ndihmuar me sera më të thjeshta, na e kanë hapur rrugën në qeveri për të na dhënë këtë projekt”, tha Duraku.
Në një parcelë tjetër Ymer Gashi po bën gati serat për mbjelljen e trangullit. Ai thotë se dimri i butë nuk shkon në favor të bujqësisë.
“Kur ka ardhur marsi kemi mbjell, gjithnjë ka qenë koha në mars. Baba kur ka punuar para 30 vjetëve kur ka ardh marsi i kemi mbjell këto rastana. Pra krejt i kemi bërë gati në mars. Lagështi ka shumë pak, dimri shumë i butë është, kap miza më shumë, sëmundjet janë më të mëdha. Kur ka dimër të fortë sëmundjet janë më të vogla”, tha ai.
Duke qenë se Rahoveci prioritet e ka bujqësinë, institucionet lokale thonë se po mundohen t’u vijnë në ndihmë bujqëve me kapacitetet që kanë.
“Sikur vitin e kaluar edhe këtë vit do t’i përkrahim fermerët në sektorin e vreshtarisë, në sektorin e perimkulturës. Gjithashtu javën e kaluar kemi hapur një thirrje për kompanitë që merren me përpunimin e perimeve, kryesisht janë të fokusuar perimet që mbillen në fushë të mbyllur ose sera, trangulli kornishin, speca të llojeve të ndryshme. Kjo është një lidhshmëri në mes të fermerëve dhe atyre që merren me tregun”, tha Berat Duraku, drejtor i Bujqësisë.
Për këtë vit, me sera sipas tij në Rahovec me sera janë ndihmuar rreth 90 fermerë, ndërsa sipërfaqja e perimeve që kultivohen në ambient të mbyllur me këto ndihma është rritur për tre hektarë./rtk/
Janë bërë 7 muaj nga vërshimet të cilat Dragashin për pak ditë e bënë vend të pajetueshëm, me mbi 1.2 milion euro dëme në infrastrukturë publike, shtëpi private e bujqësi. Kryetari i kësaj komune, Bexhet Xheladini thotë se Qeveria e Kosovës deri tani nuk e ka ndarë asnjë cent, as për komunën e as për ndihmë private.
Më 26 qershor 2024, dhjetë fshatra të Dragashit ishin tronditur nga vërshime të papara të ujit pas rrebeshit të shiut.
Pos rrezikut të përgjithshëm por që fatmirësisht nuk vdiq askush, dëmet materiale ishin të konsiderueshme.
Një ditë pas në terren kishte dalë edhe Kryeministri bashkë me ministrin e pushtetit lokal.
“Ka qëlluar në një kohë gjatë ditës kur asnjëri prej banorëve nuk ka qenë në podrum të shtëpisë, përndryshe po të kishin qëlluar në podrume të shtëpisë do të kishin vdekur”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Përmes një shkrimi në Facebook, banorëve të Dragashit Kurti iu kishte premtuar se Qeveria do të jetë pranë tyre për ta kaluar sa më shpejtë këtë situatë.
Pranë Komunës dhe qytetarëve të Dragashit, Kurti ka mundur të jetë i pranishëm fizikisht por jo edhe financiarisht.
Sipas kryetarit, Bexhet Xheladini, dora e pushteti nuk e ka dhënë asnjë ndihmë, përkundër se vetëm dy javë më vonë e kishin përfunduar raportin me të dhënat e dëmeve në infrastrukturën publike.
“E kemi dërgu në kopje fizike por edhe elektronike Qeverisë së Kosovës. Dhe pasi e kemi dorëzu atë unë 3 herë ia kam ripërsëritë kërkesën Qeverisë së Kosovës”, ka theksuar Bexhet Xheladini – kryetari i Komunës së Dragashit.
Xheladini tregon se edhe për ekonomitë familjare përfshirë edhe bujqit raporti është votuar në asamble komunale dhe është dorëzuar në Komisionin Qendror për Vlerësimin e dëmeve.
“Sot e kësaj dite ne nuk kemi as përgjigje as një ndihmë as një euro, as për infrastrukturë publike, as për dëmet në ekomomi familjare. Vlera diku tek të dyjat shkon në 1.2 milion euro, dëmet në infrastrukturë janë afër 600 mijë euro”, ka theksuar Xheladini.
TV Dukagjini ka kërkuar një sqarim nga Zyra e Kryeministrit për mos ofrimin e ndihmës, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk kemi pranuar përgjigje.
Xheladini thotë se i kanë anuluar disa tenderë dhe kanë marrë para nga kategoria mallra dhe shërbime në mënyrë që të rregullohet infrastruktura publike, por që tash po e presin Qeverinë që ta lëshojë dorën me 600 mijë euro në mënyrë që t’i marrin paratë e premtuara./dukagjini.com /
Në qytetin e Prizrenit po vazhdon të mbahet gjallë tradita e hedhjes së “topit të iftarit” që paralajmëron hyrjen e kohës kur agjëruesit mund të çelin iftar gjatë muajit të Ramazanit.
Detyrën për të vazhduar praktikisht këtë traditë pothuajse të harruar të Ramazanit, e mori veprimtari Varis Hashimi, i cili ka tetë vite që para çdo iftari gjatë muajve të Ramazanit, merr dy fishekzjarre me vete dhe ngjitet në kala pavarësisht kushteve atmosferike dhe ecjes së vështirë në kembë deri tek topi që me shekuj ndodhet brenda kalasë.
Ai tregon se kjo traditë e paralajmërimit të iftarit me gjëmimin e topit nga kalaja është bërë ne fillimet e shekullit 18-të nga një grup ushtarësh në kohën e sundimit të perandorisë Osmane.
Në Prizren, qytetin historik me mbi 30 xhami, Ramazani po kalon në një atmosferë ndryshe nga qytetet e tjera të Kosovës ku pothuajse pushon çdo aktivitet shoqëror në kohën e iftarit, nga të katër anët dëgjohen fishekzjarret e lëshuara nga kalaja dhe tupanat./Kukes Televizion