10.7 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6042

Dy burra në Prizren kanosin me armë një person

0

Në fshatin Leskovec të Prizrenit janë arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit e kanë kanosur me armë një tjetër.

“Njëri nga të dyshuarit kishte shtënë disa herë me armë në ajër. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë dhe dy predha”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, përcjellë PrizrenPress.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Berisha: Ligji për deklarimin e pasurisë nuk është hartuar mirë

0

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, thotë se përveç faktit që nuk po vepron prokuroria në hetimin e rrugëve të pasurimit të tillë enorm të individëve të ndryshëm, është lënë edhe aso hapësire e zbrazët ligjore qoftë për ta fshehur pasurinë, apo qoftë dhe për ta deklaruar atë sipas dëshirës së individit, pa e pasur të përcaktuar kriterin e vlerësimit dhe arsyetimit të prejardhjes së saj.

“Prokuroria jo vetëm që nuk është marrë me këto raste, por problem tjetër në vete paraqet edhe Ligji për deklarimin e pasurisë, i cili nuk është shumë mirë i hartuar dhe rregulluar, nuk është i definuar sa duhet, prandaj njerëzit, ata që e kanë obligim ligjor deklarimin e pasurisë, mund ta deklarojnë atë edhe sipas dëshirave të tyre”, ka thënë ai.

“Unë mendoj si person zyrtar që e deklaroj pasurinë, këtë deklarim të pasurisë po duhet ta bëjmë akoma me hamendje, e duke përjashtuar këtu faktin që kemi njerëz, tek të cilët dallimi në deklarimin e pasurisë nga viti në vit ndryshon shumë, lë për të dyshuar se aty ka elemente që të merren edhe organet kompetente me këto lëvizje, duke pasur për bazë nivelin e të hyrave dhe deklarimet”, u shpreh Berisha.

“Kjo kur themi që pasuria deklarohet sipas dëshirës, nënkupton së ata që janë shumë të pasur dhe me dyshime për pasurim të paligjshëm ia ulin vlerën pasurisë së deklaruar, por ka edhe ndonjë rast, kur dikush e deklaron nivelin e pasurisë, vlerën më shumë sesa që realisht e ka. Kjo do të mbetet kështu, derisa me ligj nuk përcaktohen edhe kriteret e sakta të vlerësimit të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë”, tha Berisha për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Prizreni sot, sikurse në ditë festash – i mbushur me vizitorë (Foto)

0

Prizreni njihet si qyteti që vizitohet më së shumti prej turistëve. E këtë epitet e ka vërtetuar edhe sot duke u stërmbushur nga ta.
Sipas qytetarëve, edhe pse sot ka qenë një ditë me mot të mirë dhe fundjavë, kaq shumë vizitorë, ka pasur vetëm në kohën e festave.

Për tu bindur rreth kësaj, shihni fotografitë më poshtë.

Lamtumirë “Kapedani im”

0

Nga Blendi Fevziu/

Dritëro Agolli nuk jeton më! Ai u largua nga kjo botë dje, me po atë lehtësi dhe po atë shpërfillje që e kishte trajtuar vdekjen në poezinë e tij. Iku duke marrë me vetë një jetë të trazuar dhe duke lënë këtu, një vepër me të cilën do ta gjykojmë edhe shumë vite pas kësaj.

Poet, Shkrimtar, Gazetar, njeri politik dhe mbi të gjitha njeri i angazhuar, Dritëro Agolli ka lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare së paku në 6 dekada. Që nga fundi i viteve ’50 dhe deri dje që u nda nga jeta, ai ka luajtur një rol të ndjeshëm për shqiptarët.

Agolli i takon së bashku me Ismail Kadarenë, Fatos Arapin dhe disa të tjerë, një brezi shkrimtarësh që transformuan krejtësisht letërsinë shqipe të bukosur nga socrealizmi dhe mediokriteti i viteve 40 – 50. Siç ndodh me brezat që shkëlqejnë papritur dhe gjatë, ky brez, vijoi të dominojë krijimtarinë letrare shqiptare me dekada. Sot mund të themi pa ndonjë sforcim se këta emra vijojnë të mbeten ikonat e letërsisë shqipe dhe emrat më të lexuar në Shqipëri, por edhe shqiptarë jashtë kufijve tanë. Asnjë brez i mëpasëm nuk ka arritur as famën dhe as lexueshmërinë e tyre.

I etiketuar kryesisht si një poet; i shquar për lirikën dhe satirën në vargje, Dritëro Agolli ishte po kaq interesant si prozator. Libri i tij me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” është padyshim një nga përmbledhjet më cilësore të prozës shqipe.

Agolli ishte një gazetar i njohur dhe e ushtroi këtë profesion për shumë vite. Ai ka shkruajtur skenare filmash dhe dokumentarësh.

Agolli ishte një njeri politik. Që nga ardhja në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1973 dhe derisa regjimi ra më 1991 ai ishte deputet dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës.

Më 1991 dhe për 14 vjet me rradhë ai ishte deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin Pluralist dhe luajti një rol në tranzicionin e vështirë drejt shoqërisë së lirë.

Si të gjithë njerëzit që jetuan, punuan dhe krijuan në diktaturë, Agolli ka pasur dhe do ketë gjithnjë kontestimet dhe kritikët e tij. Kritikat si kanë munguar në vite dhe ai është përgjigjur gjithnjë vetë. Por sot, 26 vjet pas rënies së atij regjimi, mund të thuhet se Agolli nuk ka qenë kurrë as një fanatik dhe as një militant i atij regjimi. Siç shprehet edhe Kadare në kujtimet e tij, Agolli ishte nga ata njerëz që shumë herët fliste kundër regjimit, që i njihte dhe kritikonte format represive të tij. Por çdo gjë matet me vepra dhe politikisht Agolli ka lënë një vepër të cilës i referohemi gjithnjë. Në Qershor 1991, ai ishte i pari dhe i vetmi që u ngrit publikisht kundër kultit të Enver Hoxhës në Kongresin e X të PPSH. Gjesti dhe shikimi i tij ndërsa salla reagonte kundër, janë fiksuar tashmë në historinë e Shqipërisë.

Njeriu nuk mund të hyjë në histori çdo moment, por ka gjithnjë një moment që ai ngelet aty dhe ky ishte momenti që historia s’do t’ja harrojë kurrë Dritëro Agollit.

E kam njohur mjaftueshëm Dritëro Agollin, por asnjëherë deri në atë pikë sa të mund të flas saktësisht për të si për një mik. Ishte njeri i gjallë, një dashnor i madh i pijes dhe i jetës. Një njeri që donte të jetonte; që vdekjen edhe në librat e tij e paraqiste si një të keqe që do dinte ta dehte në ditën që do ti dilte përballë. Ajo që i binte gjithnjë në sy ishte tallja me teprimin. I mëshironte budallenjtë, por si durone dot megallomanët. I pëlqenin ata që i flisnin për veprën e tij, por e lodhnin ata që thurnin ditirambe. Ndërsa lexoja mbrëmë statuset e fryra në rrjetet sociale isha gati i bindur që nëse do kishte mundësi t’i shihte; nëse një sekondë të vetme do rikthehej në këtë jetë gjeja e parë që do bënte ishte ironia me veten. Do t’i thurte vetes dy tre rreshta për ta çtensionuar situatën që me aq mjeshtri shumica dinë ta tensionojnë.

Por padyshim ai s’mund të bëjë asgjë nga këto. Ai iku, ashtu siç jetoi. Një njeri i lirë dhe buzagaz. Iku duke lënë pas një vepër dhe një boshllëk. Po atë boshllëk që lë ikja e çdo intelektuali në këtë vend që njerëzit e zot i ka kaq të rrallë. Iku duke marrë me vete protagonizmin e 60 viteve. Iku ashtu si një personazh i mrekullueshëm i tiji, Kapedani tek novela: “Lamtumirë kapedani im”. Ndaj, nuk gjej asnjë frazë më të mirë për të shoqëruar udhëtimin e tij në atë botë për ku u nis dje, veç duke përsëritur sërish fjalët e tij:

“Lamtumirë kapdani im”…

Shala: Do flasin veprimet tona kundër fajdeve në Prizren

0

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala premtoi në “Drejtësia në Kosovë” luftë të ashpër kundër fajdexhinjve.

Kryeprokurori i ri i Prizrenit Admir Shala siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, deklaroi se në Prizren nuk do flitet më për fajdenë, por për veprimet që do i ndërmarrë prokuroria për hetimin dhe arrestimin e fajdexhinjve.

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala premtoi në “Drejtësia në Kosovë” luftë të ashpër kundër fajdexhinjve.

Kryeprokurori i ri i Prizrenit Admir Shala siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, deklaroi se në Prizren nuk do flitet më për fajdenë, por për veprimet që do i ndërmarrë prokuroria për hetimin dhe arrestimin e fajdexhinjve.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”. Ai para se të vijë në këtë pozitë ka hetuar disa raste të mëdha të korrupsionit dhe arrestuar disa persona si prokuror special, duke përfshirë edhe prokuroren nga Mitrovica Vahide Badivuku.

Deklaratat e kryeprokurorit Shala kundër fajdeve dhe dukurive tjera mund ta ndiqni këtu.
Më 26 janar 2017 KALLXO.com shkroi për arrestimin e një personi në lidhje me fajdet në Prizren.
KALLXO.com vazhdimisht e ka ndjekur rastin e anëtarëve të familjes Kqira dhe të akuzuarve të tjerë të ngarkuar për fajde dhe vepra tjera penale.
Në janar të këtij viti KALLXO.com solli rrëfimin e Ibrahim Kazazit, personin që do të dëshmonte në një gjykim kundër të akuzuarve për fajde në Prizren.

Kazazi u plagos me revole e sëpatë dhe plagosja e la pa dëshmuar.

Ymer Hoxha : Nuk do të koritemi

0

Ymer Hoxha që do ta drejtojë Gjykatën e Prizrenit thotë se edhe pse do të pensionohet shpejt, nuk dëshiron të koritet.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren Ymer Hoxha që do të pensionohet pas këtij mandati, tha në “Drejtësia në Kosovë” se pensionimin e afërt e sheh si motiv për punë.

“E kam përkrahjen e gjithë stafit dhe gjyqtarëve. Dhe kjo është një satisfaksion që më bën më përgjegjës që detyrën si kryetar me krye edhe më me nder. Po shpresoj që për kaq kohë sa më ka mbetur nuk do të koritemi dhe do të bëjmë çmos për ta kryer punën me ndërgjegje dhe me profesionalizëm”, tha Hoxha.

Hoxha që nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës e fitoi edhe një mandat në krye të Gjykatës në Prizren, tha se gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të avancojë ndryshimet që nisi në mandatin e kaluar./kallxo.com/

259 pyetje për Qeverinë e Ramadan Mujës

0

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, gjatë seancave të mbajtura në periudhën janar-dhjetor 2016, kanë bërë gjithsej 259 pyetje për drejtorët e Qeverisë së Ramadan Mujës.

Zyrtari i KDI-së, Naim Cahanaj tha se 69 për qind e pyetjeve kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve të Komunës së Prizrenit, ndërsa 31 për qind kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Prizrenit

“Anëtarët e LVV-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me gjithsej 22.8 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LDK-së me 18.9 % të pyetjeve të përgjithshme”, tha Cahanaj.

Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Prizrenit janë: Drita Millaku (LVV) me 13.1 për qind dhe Alush Shala (PDK) me 9.3 për qind të pyetjeve të përgjithshme./PrizrenPress.com/

Rahovec: Burri rrah bashkëshorten

0

Në shtunën në qytetin e Rahovecit rreth orës 13:00 është njoftuar policia për nj rast të dhunës në familje.

Pas një mosmarrëveshje raportohet se burri – shqiptar ka ushtuar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima ka pësuar lëndime trupore ku më pas i është dhënë ndihma e duhur mjekësore. Kurse i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Elitat korruptive na i humbën 18 vjet

0

Për gjithë këto vite të pasluftës, me një administrim ndërkombëtar, deri në shpalljen e pavarësisë, por edhe për nëntë vjet si shtet i pavarur, Kosova po vazhdon të jetë vendi më i prapambetur dhe i pazhvilluar, sipas analistëve politikë, vetëm për pasojë të elitave politike të korruptuara e të tejinkriminuara, të cilat punuan për interesin e vet, por jo edhe të qytetarëve.

Tani, 18 vjet pas, nga njohës të realitetit politik në vend, shtrohet pyetja se a mundet dhe si të ndryshohet ky mentalitet politik korruptiv, klanor, primitiv e fisnor i kësaj klase politike, pozitë dhe opozitë, në mënyrë që Kosova ta shohë dritën e vet të perspektivës dhe të mos vuajë pasojat e kësaj elite të establishmentit të korruptuar në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit. Analisti politik, Florim Zeqa thotë për “Kosova Sot” se krahasuar me sipërfaqen e vogël, Kosova radhitet ndër vendet më të pasura të botës, me resurse natyrore, pasuri të shumta nëntokësore dhe bukuri të rralla natyrore, por që ka mbetur më e prapambetura si pasojë e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të pasurive të saj. “Janë elitat politike të korruptuara dhe tejinkriminuara, të cilat për 18 vjet rresht punuan vetëm për interesin e vet, duke harruar dhe duke anashkaluar interesin e qytetarëve të varfër, tashmë edhe të pashpresë të Kosovës”, u shpreh ai

Mentaliteti primitiv

Sipas Zeqës, ky mentalitet primitiv, klanor e fisnor, e mbi të gjitha korruptiv e kriminal i kësaj klase kusarësh politikë (pozitë dhe opozitë), është i mundur të ndryshojë vetëm me ardhjen në pushtet të një klase të re politike, të pastër e të padjallëzuar,që në plan të parë e ka shtetin e jo pushtetin, jo interesat personale, por ato shoqërore. “Për të ardhur deri te kjo, në radhë të parë duhet të ndodhë një vetëdijesim dhe ndërgjegjësim i përgjithshëm qytetar, për të ndëshkuar këtë bandë hajdutësh e kriminelësh të pashpirt, të pasuruar në kurriz të popullatës së varfër, që kanë uzurpuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror, përfshirë tri pushtetet dhe dy nivelet e qeverisjes”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se ndryshimi pozitiv mund të vijë vetëm nëse ndodh vetëdijesimi dhe unifikimi i gjerë qytetar kundër politikës së inkriminuar. “Me unifikimin e popullatës në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, qytetarët do ta shihnim më shpejt dritën e gjelbër në fund të tunelit, dritën e perspektivës dhe zhvillimit ekonomik të vendit”, vijoi më tutje ai. “Të bashkuar e pamundura bëhet e mundur më shpejt dhe anasjelltas, të ndarë edhe atë që e kemi në dorë mund të na rrëshqas, është një thënie popullore”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Të rishikohen emërimet në drejtësi

0

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë sugjeruar se procedura e tanishme e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të ndryshojë, në mënyrë që kësisoj të shmangen ndikimet aktuale të politikës në drejtësi.

Ata kanë thënë po ashtu se duhet të korrigjohen ligjet në mënyrë që t’i jepet edhe më shumë pavarësi gjykatësve dhe prokurorëve, e më pastaj të futet në zbatim edhe hulumtimi i biografive të atyre të cilët konkurrojnë për këto pozita dhe atje në institucionet e drejtësisë të dërgohen vetëm njerëz të pastër e pa biografi të keqe. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në Kosovë duhet të ndodhin ndryshime të thella dhe rrënjësore, sepse praktika e gjertanishme e emërimeve dhe përzgjedhjeve nuk është dëshmuar efikase dhe e suksesshme, përkundrazi, sipas tij, në drejtësinë kosovare politika i ka futur thellë duart. Prandaj, Dibrani ka konsideruar se për të përftuar sa ma shumë grupet e interesit, ato fillimisht kanë okupuar sistemin e drejtësisë, i cili tashmë po vepron sikur t’i kishte vetë prangat në duar.

Modeli i Shqipërisë

Sa u përket modeleve të tjerë të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të shmangur kësisoj ndikimet aktuale të politikës në drejtësi, Dibrani mendon se modele ka mjaft, porse ka ngritur dilemën se nëse ato mund të zbatohen.

” Ne jemi dëshmitarë se Kosova ka ligje të mira që i ka miratuar Parlamenti, madje jo pak është thënë e trumbetuar se Kosova ka një paketë të ligjeve konkurruese për vendet e rajonit dhe më larg, por realiteti e dëshmon të kundërtën. Nuk ka edhe aq rëndësi për modele, nëse prokurorët dhe gjyqtarët janë të pandërgjegjshëm në punën e tyre, përballë nevojave urgjente që i ka vendi dhe institucionet që drejtohen nga drejtësia e korruptuar”, ka thënë ai.

“Por, sa i përket pavarësimit të gjyqë- sorit, mendoj se ai niset nga individi, i cili nuk pranon të bëhet viktimë e pazareve që vijnë nga politika dhe nga grupet e interesit, të cilat i kanë ngulfatur të gjitha zhvillimet politike, kulturore e ekonomike në Kosovë”, ka shtuar Dibrani. Ai ka nënvizuar se të paktën sistemi i drejtësisë, i cili është miratuar kohëve të fundit në Shqipëri, do të duhej të merrej model edhe për Kosovën. “Nëse duam që sa më shpejt të nisin integrimet në strukturat evropiane dhe më gjerë, përndryshe duhet të durojmë, sepse në Kosovë është instaluar një kastë politike, e cila është e implikuar në krim dhe kriminalitet, prandaj ato grupe bëjnë pengesa dhe i zvarritin të gjitha nismat e mundshme që mund të ndodhin në Kosovë, sidomos ato që kanë të bëjnë me pavarësimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani.

Duhet një gjeneratë e re

Deputeti nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, Ismajl Kurteshi thotë se është shumë me rëndësi ligji se sa e mbron pavarësinë e një institucioni. ” Mirëpo, nganjëherë te ne pavarësia profesionale kuptohet si e drejtë që dikush të bëjë çfarë të dojë, derisa kështu po më duket se e kanë kuptuar edhe një numër i gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe të tjerëve se ata munden të bëjnë çfarë të duan, por pavarësia është vetëm e drejta që të veprojë së bazuari në ligj pa ndikimin nga jashtë dhe kjo duhet të kuptohet”, ka thënë ai. “Ndërsa, edhe ajo që po quhet ‘Vetting’ dhe tash po fillon të zbatohet në Shqipëri, mendoj se një ligj i tillë duhet të iniciohet dhe zbatohet edhe te ne, pasi është shumë me rëndësi dhe kujt t’i besohet kjo detyrë, pasi një numër i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve që tani janë barazuar në Kosovë, d.m.th të njëjtët gjatë viteve të 80- ta kanë dërguar përplot të rinj shqiptarë nëpër burgje, të cilët kanë kërkuar Kosovën Republikë. Andaj, ata kanë edhe një mentalitet tjetër dhe mënyrën e të menduarit, por edhe kanë qenë nën ndikim të politikës dhe nuk dinë të punojnë si të pavarur”, ka shtuar Kurteshi. Ai më tej ka nënvizuar se duhet të korrigjohen ligjet në mënyrë që t’i jepet edhe më shumë pavarësi gjykatësve dhe prokurorëve, pastaj të futet në zbatim edhe hulumtimi i biografive të atyre të cilët konkurrojnë për këto pozita dhe atje në institucionet e drejtësisë të dërgohen njerëz të pastër që janë të gatshëm t’i mbrojnë interesat e këtij vendit bazuar në ligje dhe të veprojnë vetëm drejtë. “Për ta krijuar një sistem të drejtësisë të mirëfilltë, mendoj që një numër i madh i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të duhej të vinte nëpër pozita nga një gjeneratë e re, e cila nuk e ka përvojën e një periudhe kur vërtet edhe gjykatësit dhe prokurorët tërë punë e tyre e kanë bërë bazuar në ndikimet politike”, tha Kurteshi.