7.5 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6064

Zafir Berisha: Front politik për të shpëtuar Kosovën

0

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, kërkon formimin e një fronti të përbashkët politik.

Ai thotë se fronti i përbashkët politik VV, AAK, NISMA dhe AKR është më se i nevojshëm në këtë kohë në të cilën po kalon vendi.

“Ky front di t’ia kthente krenarinë dhe identitetin, qytetarit të vendit dhe do të trasonte rrugën për integrime euroatlantike”, tha Berisha,shkruan PrizrenPress.

“Në shikim të parë mund të duket i pamundur ky front politik për shkak të dallimeve programore politike, por kjo mund të realizohet për interes të shtetit, nëse këto dallime përkohësisht i fusim në arkiva për hirë të nevojës urgjente të cilën e ka Kosova për të dal nga kjo krize e dëmshme e cila i ka zënë frymën perspektives së qytetrëave dhe Kosovës”.

“Për shtetin, të gjithë duhet sakrifikuar diçka nga vetja”.

“Kosova, stabiliteti i saj ekonomik dhe i sigurisë jo që rrezikohen vetëm nga jashtë, por janë duke u rrezikuar seriozisht edhe nga krimi i organizuar i cili e ka kapur shtetin dhe i cili ka siglën LDK-PDK-SERBSKA”.

“Forca nuk e bënë fuqinë, por Bashkimi bën Fuqinë për ta mundur të keqen”/PrizrenPress.com

Besnik Bobaj, muzicienti që arriti ta njohë botën shumëdimensionale të Klarinetit (FOTO)

0

Muzikën e ka pasion të shpirtit. Ai është përdorues i një vegle muzikore, e që kur interpreton me të, ndihet në një botë që pak njerëz mund ta ndiejnë.

Bëhet fjalë për klarinetistin më të mirë që ka për momentin Prizreni, Besnik Bobaj. Ai Klarinetin e sheh si instrumentin më domethënës nga pikëpamja tradicionale, pasi sipas tij po vazhdojnë të ruhen elementet e muzikës popullore e tradicionale.

Mbase vet instrumenti i Klarinetit ka një dimension gjithëpërfshirës në muzikën klasike, moderne, atë xhaz apo edhe popullore, Besniku vazhdon ta zhvilloj mirëfilli profesionin e tij, duke u dëshmuar si Klarinetisti më i kërkuar në Prizren, e jo vetëm.

I diplomuar në Fakultetin e Muzikës, Besniku tashmë është edhe arsimtar i lëndës së Muzikës në SHMU “Mustafa Bakia”, ku pasionin dhe njohuritë e tij vazhdon ti mbjell e zhvilloj edhe te pasionantët tjerë të muzikës.

Madje, pjesëmarrja e tij në ahengje familjare ka bërë që Besniku të jetë më i kërkuari prej Klarinetistëve, për shkak të dimensionit të pastër interpretues që ai përfaqëson dhe mbështet.

Përndryshe ai është i martuar dhe ka dy vajza, e së bashku me familjen e tij të ngushtë jeton edhe nëna e tij.
Rrugëtimi i tij në muzikë ka filluar menjëherë pas përfundimit të luftës, e me ç’rast ka marrë pjesë në organizime të ndryshme muzikore, koncerte, mbrëmje dhe ahengje të shumta familjare.

Ai beson se dashuria për instrumentin e Klarinetit buron nga shpirti, ndonëse beson se do të mund të jetoj edhe një kohë të gjatë me këtë dashuri. Për ata që nuk e dijnë, Besniku interpreton si një mjeshtër i vërtetë edhe me Sanksofon./04online.info/

Trump largon legjendat e rokut nga inaugurimi për të kursyer para për bamirësi

0

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump ka ndërprerë negociatat me një bend të madh të rokut, i cili ka pasur të performojë në inaugurimin e tij, me qëllim që të ulë kostot dhe potencialisht të kursejë dhjetëra miliona për bamirësi.

Burimet nga inaugurimi kanë thënë për TMZ se Komiteti ishte shumë afër që të marrë një grup legjendar të rokut, një i cili ka yllin në Shëtitoren e Famës “Rock and Roll”, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, por kur presidenti i zgjedhur kuptoi se ata kërkojnë një milion dollarë, menjëherë ka ndërprerë negociatat, transmeton Koha.net. TMZ merr vesh se Trump i ka kërkuar bendit legjendar që të ulin çmimin për performancën e tyre, por kur ata refuzuan ai i tha Komitetit për Inaugurim që të kërkojnë artistë të tjerë.

Thuhet se Komiteti për Inaugurim ka marrë më shumë se 90 milionë dollarë donacion dhe se Trump ka udhëzuar të gjithë anëtarët e Komitetit që të kenë kujdes me shpenzimet për shkak se çfarëdo që të mbesë nga donacionet do të shkojë për bamirësi.

Pse nuk thuhet qartë e shqip- ky ishte agresioni?!

0

Jakup Krasniqi

Nuk ishte problem Treni që vije nga Serbia në Kosovë, por problemi është se pari, nga politika e jonë që ka zhvilluar bisedime politike që nga viti 2012 e ka bërë marrëveshje të papranueshme e tejet të dëmshme për Kosovën!

Se dyti, pse nuk thuhet, nuk është problem Treni si mjet i udhëtarëve, se trena nga Serbia vijnë në Kosovë, por problemi është tek politika shoviniste e agresioni që Serbia po e bënë mbi Kosovën dhe perspektivën e saj.

Se problem ishte ikonografia nacionaliste serbe me të cilën ishte dekoruar Treni!

Se problemi ishte te mesazhet e te porosia që bartë me veti treni politik i Nikoliqit e i Vuqiqit.

E të gjitha këto së bashku shkelnin mbi integritetin e sovranitetin e vendit tonë.

Pse nuk thuhet, Kosova ndaj këtij agresioni serb, o duhet të reagonte o do ta humbte të gjithë atë që e kemi arritur pas qershorit të vitit 1999? Jo vetëm kjo situatë ka treguar e po tregon, por ndoshta kjo ishte kulmi, se politikanët e sotëm te Beogradit, vazhdojnë ta kuptojnë vetëm një gjuhë, gjuhën e forcës. Ata nuk e kuptojnë gjuhën e delegacionit tonë, që nga mirësia shkoi deri në përulje!

E gjithë politika e më shumë se e 30 viteve të fundit e ka dëshmuar këtë.

Çdo përpjekje për të hequr dorë nga gjuha e forcës, nuk bënë gjë tjetër vetëm se e rikthen politikën tani më të njohur serbe, politikë që është konfirmuar qe sa herë dhe jo vetëm në Kosovë!

Këtij rikthimi i ndihmuan Bisedimet e papërgatitura të Brukselit dhe “marrëveshjet” e arritura atje?!

Natyrisht edhe qyqarllëku i atyre që biseduan!

Nga kjo duhet nxjerrë mësimin e duhur! Se a kemi njerëz që nxjerrin mësime kjo është çështje tjetër për të cilën duhet të mendojmë të gjithë shqiptarët?!

Por me stilin e rrahagjokësve, vështirë,! Dhe as me shtyrjet se kush e bëri “namin” më të madh, pse treni nuk hyri në Kosovë, nuk behët gjë !

U promovua libri “Publicistika në luftë e paqe dhe arti poetik i Qazim Thaçit”

0

Libri “Publicistika në luftë e paqe dhe arti poetik i Qazim Thaçit” i autorit Gëzim Ajgeraj është promovuar mbrëm në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Redaktori i librit, Bedri Halimi dhe recensenti Nexhat Çoçaj, thanë se në këtë botim, autori në këtë libër, përshkruhen kronologjikisht raportimet e gazetarit Qazim Thaçi.

“ Autori përmbledhe raportimet në periudha të ndryshme, përfshirë kohën më të vështirë për shqiptarët e Kosovës, para dhe gjatë luftës, si dhe krijimet e tij letrare të Thacit”.

Për veprimtarinë e gazetarit Qazim Thaçi, folën edhe dy deputetët e Parlamentit të Kosovës nga Prizreni, Nait Hasani dhe Zafir Berisha.

Ata, vlerësuan angazhimet e jashtëzakonshme të personazhit të librit në informimin e drejtë për ngjarjet e kohës së luftës.

Edhe bashkëveprimtarët dhe bashkëvendasit e Qazim Thaçit, Skender Morina dhe Osman Qerreti, vlerësuan lartë punën e palodhshme të personazhit të librit në shërbim të interesave të popullit dhe kombit në kohët e rënda që kaloi Kosova.

Ndërkaq personazhi që i dedikohet ky libër, Qazim Thaçi, falënderoi të gjithë ata që po e respektojnë veprimtarinë e tij jetësore si gazetar dhe poet.

“Në libër ka mundur të ketë edhe përshkrime të shumë ngjarjeve”, tha ai.

Autori i këtij libri, Gëzim Ajgeraj, për shkak se ndodhet në Zvicër , nuk ka mundur që të jetë i pranishëm në përurimin e librit të tij më të ri, por se përmes një letre ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar atë në daljen në dritë të këtij botimi. /tvpz/

Rrokje vdeknisht

0

Shkëlqim Çela

Pas “Gjashta maç” të Hatibit, librit më të mirë shqiptar me poezi pas mendimit dhe dijenisë sime, poezia shqipe duket sikur është në pritje të një shtate të së njëjtës shenjë në tryezat e fatit. Nuk e them këtë me ndonjë notë pesimizmi ose alarmi: nja njëzet a tridhjetë vjet për një letërsi të një populli të vogël që s’i kalon dhjetë milion, nuk se janë kushedi se çë. E për më tepër, kur kap sinjale e nishane shprese nëpër ajër, nuk ka arsye për alarm.

Poezia ka fat të vështirë në mënyrë të veçantë, një ankim i përhershëm mbi rrëgjimin e saj, sidomos prej shpërdorimit nga mijëra duar jo të duhura, zukat nëpër letrat që bëjnë kritikën profesioniste si një sfond gjinkallash gushti. Një psherëtimë për kohët kur Pushkinit ia dinin përmendësh vjershat edhe qymyrxhinjtë apo trenistët mund të shoqërojë çdo kafe të hidhur bisedash për të. Por unë për arsye të kuptueshme u druhem kritikëve, “muhabeteve” të tyre, dua të bëj “muhabetin tim” prej lëçitësi, dhe po, dua të them se kam në duar një libër të mirë me poezi, nga autori i vetëm bashkëkohor, të cilit i kam besë për t’i kushtuar kohën aq me krëk të leximit të poezisë, Arb Elos. Më pëlqen rritja e autorit, gjë që haset rrallë, edhe tek autorët e mirë shqiptar, e madje më duket sidomos tek autorët e mirë (“Të mirë” tek ne shpesh përkthehet si “të ndërprerë”, apo “të shuar para kohe”). Ndjej shpresën e asaj shtatës së bekuar numerologjike, një shpresë aspak mëndjelehtë, dhe që nuk ka pse të materializohet me një titull të vetëm siç ka qenë tradita deri tash – Arb Elos i uroj çdo gjë pos të qenit “i ndërprerë”. Kur shikoj pas poetët më të mirë të shqipes, Mjeda, Migjeni, Kadare (thjesht prej librit “Shekulli im”, ky i fundit, që më tepër se “i mirë”, ka vlerën po aq të rëndësishme të ardhjes pikërisht kur duhej) dhe Hatibi, gëzoj që ka një shpresë për rruzare, për një libër pasues, filli i artë është aty, fildishi i tespies ndihet rrotull si fushë elektre me lektisje të vjetër posedimi për atë fill Ariane.

Për më tepër që autorët e mësipërm nuk kanë një korpus poetik, ndërsa Arb Elo mund ta ketë këtë, po të zgjatojmë trajektoren e prodhimtarisë në kohë të ardhshme. Ajo që më lumturon si koleg me të njëjtin pasion, është siç thashë zhvillimi i autorit. Kujdesi për formalen, tingulli dhe metri, lëmimi i vargut dhe puna me fjalën janë gjithnjë aty, por gjithnjë e më pak esenciale, pasi është rritur doza e informacionit dhe kumtit cilësor që forma përçon – gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një poeti. Poezia jonë e ka të kaluar tashmë pikën e domosdoshme të argjendarit të fjalës me monokël në sy e limë për thonj qysh me Lasgushin, apo figurën e qëlluar, por me veprim të shkurtër, siç është çdo gjueti fjale, qysh me Rreshpjen. Braktisja e fjalës për të kapur pyllin, ajo lëvizje aq e mundimshme milimetrike e sumbullës së teleskopit për tjetër fokus, është ajo që vlerësoj tek zhvillimi i Elos.

Libri i Elos është botuar në platformat ekzistuese online – në një kohë kur botuesit shqiptarë duhej të ndiheshin të nderuar nëse autori ua besonte atyre botimin e përmbledhjes. Ky është një “hall” që e njoh shumë mirë, por nuk dua të prish atmosferën e bukur të shfaqjes së këtij libri sido e kudoqoftë. Sepse vërtet nuk ka rëndësinë që ne shpesh i japim. Për kompensim po ju sjell në fund një penel karakteristik të Elos, i cili përshkruan sa vend, dhe kohë, edhe gjendje. Por po dua të them edhe nja dy gjëra: Faktin që librat e Elos nuk janë nga ata që i merr “e s’i lëshon nga dora për gjithë natën derisa t’i mbarosh” – jo se janë të vështirë në ndonjë mënyrë vetëvrasëse, apo Zot na ruaj, hermetikë. Është thjesht natyra e materialit, e cila kushtëzon atë lloj përvetimi pjesë-pjesë. Po kështu, në parantezë rikujtoj edhe një diskutim të hershëm mbi një lloj testi për të parë nëse ka poezi apo jo në një vargëzim: një ngjitje e vargjeve të thyer të vjershës dhe lexim i tyre si prozë; nëse lexohet si prozë, nuk ka poezi, dhe e anasjellta. Me kohë kuptova se sa “me cen” ishte kjo metodë (Ceni ngjiste kocka të thyera krahësh dhe këmbësh), e cila e ulte me përdhunë poezinë tek formalja, duke dashur me se s’bën t’i japë një përkufizim e kusht asaj që është e papërkufizueshme. Sidoqoftë, pjesa që vijon është nga poezia “Natë e Valpurgas” – vargjet mund të ngjiten, nuk kanë nevojë për asnjë lloj jakie, dhe përsëri mbartin aq shumë poezi, saqë proza “mirëfilli ndjen tradhti”.

A ka te meta Elo, që t’i biem kokës? – kështu më tha një vetje nga të shumtat që gëlojnë brenda meje, vetje nga ato që duan të të bëjnë të dukesh si “fair” dhe i paanshëm, deri dhe “cool”. Iu gërmusha duke i britur në anglisht, ç’ka shpjegohet me sëkëlldinë dhe pavolinë e gjendjes: “Who the hell are you to criticize Arb Elo!”

Për ju, pjesë nga fillimi i “Natës së Valpurgas”, besoj do ta shijoni sikundër i nënshkruari:

Robërit u deportuan në pranga pasi kishte rënë nata,
të rënët i lanë ashtu dhe britmat, zhurmat e furgonave
u bënë një me zhaurimën e përjetshme të autostradës.
U shtira si i vdekur dhe kur sirenat u mekën dalëngadalë
e nafora e hënës zuri vend vetiu ndër qiellzën e lagësht
të dritares, u çova në këmbë, u zhvesha e dola në qytezë.
Në kishë stola më s’kish e as altar, në qoshe prifti i vrarë,
kryqi skiç e stivë njëri mbi tjetrin ca besimtarë, një maçok
mjaulliu kur më pa, erdhi e m’u fërkua te këmbët, gazin
nga ajo gudulisje s’e mbajta dot, por ishte gaz histerik;
e mora në krahë e tek e përkëdhelja këmbët më çuan
në diskotekën aty pranë; dera ish shqyer, porse muzika
vazhdonte të luhej, një bum-bum hipnotik, e vërtiteshin
ca drita me ngjyra si papagaj këmbëlidhur nëpër tavan
mbi kufomat e vallzuesve, dixhei ishte këputur mbi pult
dhe disku bënte-ç’bënte kthehej vetiu në të njëjtën pikë,
kur gjilpëra i shkonte në fund; ca ekrane varur në mure,
ndezur akoma, e kërcenin aty papra ca të reja të bukura.
Kisha etje, i bëra vetes diç për të pirë e u ula anë banakut,
po përhumbesha, kur një hije u zgjat mbi truall, kapërceu
trupat një këmbë e hijshme femre e tjetra e pasoi sakaq.
“Unë jam, Lee. Pse lakuriq sot?”, sytë s’i ngrita nga toka,
ndërkaq kënga nisi sërish nga e para. “E ç’rol luan tash,
ç’punë prish?”, iu gjegja pa e parë. “Merr ndonjë të ftohur,
prandaj, përndryshe asnjë problem nuk ka. Si e quajnë?”,
(e kishte fjalën për maçokun, që e mbaja ende në krahë)
“Arb e quaj unë dhe e gjeta a më gjet’ në kishë qëparë.”
“Beson?”. “Jo dhe aq -, thashë – s’po di më se ç’kërkova
atje, por njëlloj qe”, dhe tregova me kokë nga i zoti i lokalit,
në kasë ngrirë me para në dorë a thua se ishim në Pompei.
M’u ndërmend Vezuvi, pastaj Dajti e ngrita kokën, e pashë,
njollat e dritave, të kuqe, jeshile e të verdha lëviznin mbi të,
më në fund ia gjeta sytë, të kaltër […]

Kosova po sharron në agjendën serbe

0

Nga Bekim Rexhepi

E kam thënë shkëputur disa herë se ka komplote politike qe viteve të fundit po shfaqen në ambienti shqiptar, madje ka një apo edhe më shumë kopani të infiltruara, brenda dhe jashtë që në njërën apo tjetrën formë po detyrojnë qeverinë dhe presidencën e Kosovës të zhyten në agjenda serbe. Përditë e kemi vrenjtë deri ne brutalitet zhytjen e Kosovës në top temat serbe si; -“Muri në mesë të rrugës nacionale në veri të Mitrovicës”, Arrestimi i Ramush Haredinajt nga Franca sipas një fletë arrestit serb të viti 2004”, “Deklarimi se shqiptaret mund të sulmojnë ambasadat dhe misionet diplomatike”, “Kthimi i Lavdrim Muhaxherit me grup e tij terrorist dhe se është në Kosovë”, ”Liturgjia sllave për krishtlindje e paraparë për tu mbajtur në kishës ortodokse në qendër të Prishtinës”, “Treni rus me linjën ilegale nga Beogradi në Mitrovicë” dhe “Loja e vazhdueshme me listën serbe, për ta mbajtur pezull Ushtrinë e Kosovës” dhe të tjera tema serbe si këto, që detyrimisht parapërcaktojnë agjendën aktuale në Kosovës. Deshëm apo jo kjo agjendë serbe bëhet imponim për Kosovën, ajo nuk stabilizon dot rehatinë e qeverisë Mustafa, e detyron patjetër të merret me agjendën, madje sikur të jenë çështje e saj urgjente. Qeveria Mustafa nuk mund të shquhet për insiativa vetanakeqe krijojnë agjenda shqiptare me interes ndërkombëtar.

Politika zyrtare e Kosovës gjithsesi duhet të përmbys agjendën serbe, duke krijuar tema të saja të tjera, të cilat në njërën apo tjetrën mënyrë krijojnë konstrukt politik, të kundërta me politikën serbe sepse dihet historikisht se politika serbe orvatet në të gjitha mënyrat të përjashtoj temat tona, të cilat synojnë fuqizimin e shtetësisë në gjithë territorin dhe inkuadrimin tonë në strukturat ndërkombëtare. Pra, edhe tendencat e fundit dhe aversiviteti i Serbisë, sidomos me “trenin rus” dhe me ekstradimin e mundshëm nga Franca të Ramushit për në Serbi, janë tema të krijuara qe moti, në mos ndryshe e mbartin konspiracionit politike edhe të vet shqiptarëve, që tashmë në Kosovë po shpalosen marramendshëm.

Agjenda të reja në dëm të Kosovën nuk janë më befasi, por më shumë domosdoshmëri dhe një qasjes politike, e cila duhet të parandaloj zhytjen e mëtejmë të qeverisë së Kosovës në atë moçalin e doktrinave shoviniste serbe, të cilat gjithnjë kanë sulmuar inventarin me kredibil të kombit dhe shtetësie shqiptare.

Madje po ashtu duhet pranuar se mjaftë konsiderueshëm është demoluar inventar i shtetësisë së Kosovës sidomos në veri (të Kosovës), herë duke bllokuar rrugë, herë duke barrikaduar e betonuar ura, herë duke vendosur mure në mes te rrugëve nacionale, herë duke vendosur lapidare të falangës kriminale, e të tjera akte të tilla të natyrës tradicionale serbe, për të cilat akte duhet gjykuar komuniteti serb, sepse edhe tendenca për tu vetmanipuluar ka dhe duhet të ketë një ndëshkim.

Duhet patjetër të penalizohen të gjithë ata që kryejnë akte antishtetërore, ndërsa organet ligjore të shtetit duhet sillen konform rregullave të përcaktuar, në rast se këto rregulla nuk zbatohen strikt me secilin subjekt, atëherë do të kemi paraqitjen e subjekteve të tjera qe janë të shtyre qe të mos i përmbahen dhe të mos i përgjigjen këtyre rregullave ligjore të shtetit qe i takojnë, por qe në ndërdijen e tyre kanë një tjetër strukturë shteti qe sipas manipulimit të tyre mund ti përgjigjet më mirë interesave të tyre.

Shteti duhet të tregohet gjithnjë i fuqishëm, sepse ne momentin qe heq dorë nga fuqia e tij, kjo foqi e tërhequr i atribuohet kundërshtarit të tij dhe gjërat mund të rrokullisin kriza të njëpasnjëshme të pa menaxhushme për vendin.

Të saktësojmë dhe këtë se agjenda serbe po fuqizohet si pasojë e mos dijës politike qe po shpërfaqin të zgjedhurit apo organet përgjegjëse të vendit, të cilët nuk po arrijnë dot të mbrojnë sado pak inventari shtetëror. Inventari shtetërorë janë rrugët, urat, objektet, liqeje, minierat, fabrikat dhe shumë e shumë të tjera si këto.

Në veri qe prej vitesh ka një politikë destruktivitet politik të komunitetit serb, qe orvatët të minoj shtetësinë e Kosovës, me gjithsej ka disa marrëveshje elokuente te cilat nuk zgjedhin definitivisht strukturën përgjegjëse të organeve vendore dhe sovrane, më gjithsej administrativisht veriu i Kosovës është pjesë e shtetësisë se Republikës së Kosovës, por qe realisht komuniteti serb atje më shumë parapëlqen qe kjo pjesë të administrohet nga shteti i republikës së Serbisë. Mes “marrëveshjes” serbo shqiptare (është e vështirë të quhen marrëveshje të gjitha marrëveshjet me Serbinë sepse ajo nuk i cilëson marrëveshje marrëveshjet me të tjerat në çoftë se ato nuk përputhen qind për qind me interesin e saj nacional, këtë rezervë duhet ta kemi në logjiken politike, sa herë mendojmë të bëjmë politikë, e sidomos kur vendosim të bëjmë marrëveshje me Serbin, sepse ato në fakt kanë këtë natyrë, këtë kodim serb, i cili vlen vetëm për dorën serbe.

Vërmicë: Një femër arrestohet, i gjendet marihuanë në autobus

0

Në pikën kufitare në Vërmicë njësiti policor ka ndaluar një autobus dhe gjatë kontrollit mbi ulësen e të një femre janë gjetur dhe konfiskuar gjithsej 2016 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje./kp/

Kuvendi i Prizrenit, mbledhje të jashtëzakonshme për Ramush Haradinajn

0

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit Kujtim Gashi, ka ftuar për nesër një mbledhje të jashtëzakonshme.

Në këtë mbledhje do të propozohet nxjerrja e një deklarate të përbashkët në përkrahje të Ramush Haradinaj.

Gashi ka thënë se kjo mbledhje do të mbahet me kërkesë të një grupi të antarëve të Kuvendit të Komunës./PrizrenPress.com/

Përjashtohet përsëritja e marsit 2004

0

Zhvillimet e fundit, që po ndodhin në Kosovë dhe përreth saj, krijojnë shqetësim te qytetarët nga aspekti i sigurisë dhe stabilitetit të vendit, veçmas pas tensioneve për murin, rastin “Haradinaj”, dhe trenin rus me njoftimet e kërcënimeve të Beogradit që tensionojnë situatën. Por, pavarësisht kësaj, analistët dhe njohësit e proceseve të deritanishme nuk shohin ndonjë rrezik që Kosova të përballet nga përsëritja e një zhvillimi dramatik, sikur që e kishim para 13 vjetësh, në marsin e vitit 2004. Sipas tyre, krijimi i shumicës së mekanizmave të sigurisë së shtetit edhe atyre të veprimit në preventiv, sikur është AKIja, strukturat e specializuara të Policisë dhe FSK-ja e avancuar, edhe për detyra me aspektin e ruajtjes së sigurisë së shtetit në bashkëpunim me KFOR-in, bëjnë që sado që të ketë tendenca të brendshme dhe nga jashtë të destabilizimit të vendit, ato janë të përballueshme dhe mund të parandalohen dhe të neutralizohen. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, analisti Albinot Maloku thotë se sado që janë të reja të gjitha institucionet dhe mekanizmat e sigurisë së shtetit të Kosovës, niveli i konsolidimit të tyre dhe përgatitjes së dëshmuar deri më tani flet mjaftueshëm që situatat e trazirave dhe rrezikimit të sigurisë si në rastin e vitit 2004 mund të parandalohen dhe të menaxhohen me shumë sukses.

Serbia në panik nga humbjet në terren

Sipas Malokut, Kosova, pavarësisht kërcënimeve e inskenimeve që mund të bëjë Serbia, si destabilizuesi potencial i saj, tani është në gjendje shumë më të mirë për t’iu kundërvënë këtyre situatave.

“Sot, Kosova ka mekanizma të ndryshëm vendorë të sigurisë, nisur nga Policia, FSK-ja e AKI-ja. Ajo çfarë mund ta destabilizojë vendin është politika e paditur dhe e inateve e subjekteve politike dhe liderëve të tyre”, potencoi ai.

“Të gjitha këto inicime të Serbisë për destabilizimin dhe defunksionalizimin e Kosovës nuk janë asgjë e re dhe për mendimin tim nuk paraqesin asgjë për t’u marrë me frikë. Mua do të më trembte vetëm mosprofesionalizimi i organeve shtetërore dhe politizimi i çdo gjëje nga aktorët e politikës në vend, e që për këto gjëra janë shumë profesionalë”, tha analisti Albinot Maloku. Të tejkaluar mundësinë e përsëritjes së një skenari të tillë, qoftë nga veprimet brenda apo jashtë shtetit e sheh edhe eksperti i fushës së drejtësisë Blerim Burjani.

“Serbia po ndihet e kërcënuar, sepse zhvillimet që po vijnë tregojnë se ai shtet po humb kontrollin mbi veriun, paralajmërimi se do të rrëzohet muri deri me 31 janar, dhe pëlqimi qe do t’u jepet institucioneve të Kosovës nga qarqet perëndimore për rrëzimin e murit dhe zbatimin e pakusht të marrëveshjeve të deritashme, po e sjellin Serbinë në pozitë të humbësit të plotë në veri. Kjo duket ta ketë irrituar shumë shtetin serb, prandaj edhe ka vendosur për të ndërmarrë hapa provokues dhe kërcënues ndaj Kosovës”, vijoi më tutje Burjani. Strategjia e dështuar e serbëve Sipas Burjanit, Serbia edhe në këtë periudhë mund të jetë gjithnjë e më shumë agresive ndaj Kosovës, për shkak se duket nuk ka rrugë tjetër, përveç për ta dhënë pëlqimin e plotë për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër.

“Pra, në javët në vazhdim mund të pritet një tensionim i raporteve në mes dy vendeve, dhe me rëndësi është që serbët lokalë të tregohen të matur dhe të vetëdijshëm se ata janë pjesë e barabartë e të gjitha institucioneve, qytetarë të barabartë të shtetit të Kosovës, dhe se ata do të kenë garancinë e plotë të institucioneve ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore të Kosovës për një jetesë dinjitoze me të drejta maksimale njerëzore”, ka thënë ai.

“Pra, reaksionet e Serbisë mund të rriten për shkak edhe të ndryshimit të platformës së dialogut, sepse Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe duhet të zgjidhë çështjen e Demarkacionit me Kosovën, derisa edhe në qarqet ndërkombëtare tashmë flitet për një kushtëzim të plotë të Serbisë në rastin e Kosovës”, ka thënë më tutje Burjani. “Andaj, s’ka shumë alternativa për të zgjedhur Serbia, e që në fjalën popullore te ne njihet me shprehjen “ose hunin, ose tirqit”. Në këtë situatë që do të vijë, Serbinë nuk mund ta nxjerrë as Rusia prej kësaj çështjeje, sepse janë gabimet politike serbe të strategjisë së papërfunduar, e cila sillet në mes Perëndimit dhe Rusisë, që është strategji mesjetare serbe e jo e kësaj kohe.”, tha Blerim Burjani.