18.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6070

Po jetojmë në frymën e antivlerave

0

Në rubrikën “Jepi Zërit” sjellim Veli Sahitin, shef i grupit “Trix” dhe kantautor nga Ferizaj. Sahiti është autor i 20 albumeve muzikore si solo këngëtar dhe si kompozitor. Ishte themelues i Festivalit të parë të rokut të njohur si “Kitariada”, në vitin 1987. Pastaj themelues i Festivalit të muzikës argëtuese “Ferfest”, në vitin 2005. Veli Sahiti është një këngëtar i njohur dhe i pëlqyer jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha hapësirat shqiptare.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Është në natyrën e njeriut që të ngjet në një det të trazuar, për më tepër krijuesi, i cili me dilemat e tij i ngjet një deti me valë të trazuara. Pyetja që më sillet më shpesh vërdallë është ajo që ka ë bëjë me karrierën time prej këngëtari: Mos vallë më mirë do ta kisha në një vend ku era e rokut mund të nuhatet edhe nëpër kalldrëme të vjetra rrugësh dhe nëpër gurë të objekteve të vjetra me një traditë të theksuar të muzikës, ndërsa në këtë qytetin tim të ri më është dashur të përballem me shumë sfida, madje edhe aso të keqkuptimit. Por si ngushëllim kam ndjenjën se i kam dhënë një frymë moderne qytetit tim të ri dhe kam ndikuar sadopak në krijimin e një atmosfere qytetare.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Zakonisht zgjohem herët. Kafenë e mëngjesit e pi para orës 8 dhe atë në kafeterinë “Nostres”, apo në “Rut 66”, që ndodhen poshtë pallatit ku banoj. Zakonisht kafenë e mëngjesit e pi duke shfletuar gazetat e ditës, një shprehi e vjetër kjo e imja. Pastaj përgatitem për nxënësit, meqë bëj punën e mësimdhënësit në shkollën e qytetit “Vezir Jashari”. Pasditen e kaloj duke punuar në studion time të vogël, në kompozim apo orkestrim të ndonjë kënge. Në mbrëmje shkoi në fitnes, ku marrë energji të mjaftueshme për ditën tjetër. Natën vonë nuk e preferoj të dalë. Kjo më ndodhë vetëm kur kam angazhime muzikore.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Janë disa, por unë do ta veçoja romanin “Emri i trëndafilit”, të Umberto Eco. Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare? Kjo nuk është kohë as për krijuesit e mirëfilltë, por as për njerëzit e ndershëm. Është zor të shohësh si në jetën tonë është shthurur gjithçka. Kriza morale po shpërfaqet në të gjitha dimensionet e jetës dhe po krijon një ambient të kontaminuar, nga i cili edhe nuk po mund të ikim, sepse kemi mbetur të getoizuar brenda kësaj Evrope, gjithashtu e ngarkuar me kriza të mëdha. Në bazë të muzikës që më shumë servohet tek ne, zor e ke të besosh se jeton në një tokë të shqipeve. Pastaj kurrë më shumë nuk ka pasur tendenca që të rrënohen figurat emblematike të identitetit tonë kombëtar. Këto figura sulmohen edhe publikisht dhe për fat të keq institucionet tona nuk reagojnë në masën si duhet. Për këtë arsye është shumë e nevojshme që të krijohet hapësirë më e madhe për njerëzit tanë që me vlerat e tyre përfaqësojnë identitetin evropian të shtetit tonë të ri, i cili ka nevojë të njihet në fytyrën e vërtet të tij identitare. Emra përfaqësues për fat të mirë po kemi gjithnjë e më shumë. Të tillët janë ambasadorët tanë më të mirë për të na përfaqësuar, prandaj duhet t’i përkrahim dhe t’i afirmojmë si shembuj të mirë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Sot vendin tonë e ka përfshirë një frymë e antivlerës, e cila po ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e vlerave. Tani muzika nuk dëgjohet, por shikohet. Personazhe publike janë bërë edhe ata që nuk dinë çka janë akordet a notat muzikore dhe që nuk kanë fije talenti as për të kënduar. Kësaj fryme të antivlerave po i kontribuojnë shumë mediet tona, madje edhe televizioni publik, i cili do të duhej që të kishte kujdes, ndërsa mbahet nga taksat tona. Kundër kësaj fryme duhet angazhuar në mënyrë institucionale, sepse kultura mësohet edhe në shkollë. Duhet provuar që të identifikohen vlerat në çdo fushë të jetës e jo të ngulfaten ato nga antivlerat. Kulturën duhet shkëputur nga politika. Kultura është arteria kryesore e një kombi, prandaj duhet një kujdes dhe përkushtim i madh për të. Askush nuk ka mund ta paramendojë një gjendje kështu të çoroditur si e kemi krijuar duke stimuluar dhe përkrahur antivlerat. Antivlerat po kultivohen edhe në sferat tjera të jetës, sepse po përkrahen edhe nga institucionet. Kështu kemi ardhur në një nivel të degradimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë, e cila nga kjo pozitë e ka shumë të vështirë të krijojë një sistem vlerash, pa të cilat nuk mund të prosperojë një shoqëri.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për dje mund të them se kishte më shumë frymë miqësie ndërmjet njerëzve. Raportet e tyre ishin shumë më të sinqerta, gjë që na bënin të ndjeheshim më njerëzorë. Sot ke bindjen se gjithçka është hedhur në tezgë për shitje, sipas një logjike të kapitalizmit të egër, ku si shoqëri konsumi sillemi si të çoroditur. Për nesër të shpresojmë dhe besojmë se do të bëhet më mirë. Gjërat natyrshëm lëvizin, ndërsa e rëndësishme është që nëse nuk mund t’i lëvizim më shpejt, së paku të mos i ndalim në lëvizje, siç po bëjmë tash. Madje shpesh të krijohet bindja se gjërat po i lëvizim nga prapa.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Meqë hobi kam pikturën, me të cilën mbushi kohën e lirë, ka shumë sosh, por unë ende nuk kam arritur të ndahem nga misteri i magjishëm i “Monalizës” së Leonardo da Vinçit. Në përgjithësi nga poetët më shumë pëlqej Lasgushin, ndaj kisha veçuar poezinë e tij “Ndjenja dhe njeriu”. Nga filmat nuk mund të mos e veçoj “Odiseun” me aktorin tonë të madh Bekim Fehmiun./Zeri/.

Zgjedhjet e reja, rrugëdalja e vetme

0

Derisa Kosova detyrimisht duhet të shkojë sivjet në zgjedhje të rregullta lokale, analistët dhe përfaqësuesit e partive politike në opozitë janë shumë të bindur që po në këtë vit, paralelisht me zgjedhjet lokale, do të imponohet nevoja edhe për zgjedhje të parakohshme të nivelit qendror, ngase është vetë mungesa e lidershipit të fortë qeverisës dhe paaftësia e koalicionit për të mirëqeverisur vendin, së bashku me ndikimet që do të ketë ndërhyrja e Gjykatës Speciale tek individë të caktuar, që e bëjnë të domosdoshëm një proces të tillë. Aq më tepër zgjedhjet e reja për nivelin qendror imponohen edhe nga fakti se lidershipi i tanishëm qeverisës vazhdimisht po merr vërejtje dhe mesazhe të qarta ndërkombëtar se derisa nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, Kosova do të vazhdojë të mbetet vendi i izoluar dhe njollë e zezë e Evropës.

Një mesazh të tillë presidenti Thaçi gjatë qëndrimit të tij në SHBA e mori nga zëvendëspresidenti i Amerikës Joe Biden. Ai i dërgoi mesazh Qeverisë së Kosovës jo vetëm që të vazhdojë dialogun me Serbinë, por edhe të zbatojë reformat për të adresuar korrupsionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike në Kosovë, sundimin e ligjit, si parakushte kryesore të zhvillimit të vendit dhe hapjes së perspektivës evropiane për qytetarët kosovarë. Kjo Qeveri e tanishme nuk po tregohet e gatshme për një ballafaqim të tillë, shkruan gazeta Kosova Sot

Kosova, ende vrimë e zezë në Evropë

Sipas analistit Florim Zeqa, për shkak të mungesës së kredibilitetit të lidershipit dhe paaftësisë qeverisëse të koalicionit aktual, gjithnjë e më tepër po bëhet e domosdoshme dhe e pashmangshme mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, më së largu në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Po ashtu edhe legjislativi i vendit në masë të madhe e ka humbur besimin e qytetarëve, shkaku i servilitetit të deputetëve ndaj liderëve partiakë dhe papërgjegjësisë ndaj kërkesave të qytetarëve të vendit, të cilëve votën ua kishin marrë nën premtimin se do të mbrojnë interesat e tyre e jo të liderëve partiakë”, theksoi ai.

“Gjatë vizitës së stërzgjatur në SHBA, presidenti Thaçi mori vërejtje serioze nga zv.presidenti amerikan Joe Biden rreth ngecjes së Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Biden po ashtu presidentit Thaçi i kërkoi thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë, për sundimin më efikas të ligjit si parakusht për sigurinë e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike, shkaqe këto që determinojnë perspektivën evropiane dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, vijoi më tutje Zeqa. Sipas tij, pa përmbushjen e këtyre kushteve, Kosova do të mbetet edhe më tej vrimë e zezë në Ballkan dhe vendi më i izoluar në Evropë. Zgjedhjet i sheh si zgjidhje edhe prof. Muhamet Kelmendi, sado që pret rezistencë të madhe nga koalicioni qeverisës. “Gjithsesi është e udhës të shkohet në zgjedhje të njëkohshme për të dyja nivelet, për ta ndërruar në substancë gjithë këtë mentalitet të deritanishëm politik dhe qeverisës, por dyshoj se interesat e pushtetarëve janë aq të mëdha, prandaj nuk mendoj se do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme për nivelin qendror në të njëjtin vit”, tha për “Kosova Sot” Kelmendi.

Demarkacioni nuk e bllokoi liberalizimin e vizave

Në analizën e tij, Kelmendi thotë se është një mal i madh i dështimeve të kësaj kaste politike që po qeveris vendin, në dy vjetët që po mbeten pas, gjithsesi do të duhej ndëshkuar me zgjedhje të reja, sa më shpejt, aq më mirë për vendin, sepse krimi dhe korrupsioni kanë bllokuar çdo frymëmarrje të jetës.

“Çështja kryesore pse nuk ka ardhur deri te liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka qenë Demarkacioni, por kryesisht korrupsioni dhe krimi i organizuar nga bazat shtetërore. Më vonë, me ndikimin dhe me problemet e krijuara nga Qeveria dhe Kuvendi, erdhi deri te futja edhe e Demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave”, theksoi ai. Sipas Kelmendit, baza kryesore për mosliberalizim të vizave janë dhe mbeten tri çështje kryesore “1. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbi bazat e shtetit, jo në kuptimin e luftimit vetëm të dukurive të nivelit terciar, por të nivelit qendror, ku atje kemi kryesisht krim dhe korrupsion, keqpërdorim të buxhetit të shtetit dhe veprim kryesisht politik dhe grupor në drejtim të vendosjes së kuadrit politik nëpër borde dhe të punësimit në vend. 2. Sundimi i ligjit, apo shprehur më qartë, shteti ligjor është faktori i dytë që ndërlidhet me krim dhe me korrupsion, e ku kemi çrregullim të ashpër në polici, në prokurori dhe nëpër gjykatat e vendit…dhe 3. Mosnjohja e 5 shteteve të UE të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës që gjithashtu është faktor shumë i rëndësishëm i mosliberalizimit të vizave. Dua të theksoj se në Kosovë ka edhe fakte të tjera që merren për bazë për mosdhënien e liberalizimit të vizave, por koma nuk thuhen”, tha prof. Kelmendi. Ai pohon se krimi dhe korrupsioni janë pengesë mbi pengesa. “Krejt kjo bëri që të kemi kërkesa konkrete edhe nga zëvendëspresidenti amerikan, kërkesa të ashpra ndaj Hashim Thaçit në Uashington”, potencoi Kelmendi

Berisha: Serbia po kthehet pas 18 viteve, me tren

0

Deputeti i Nisma-s për Kosovën, Zafir Berisha e ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin, Isa Mustafa, duke thënë se atë që është fituar me luftë po e humbin në paqe.

”Serbia e cila me 1999 iku nga Kosova e mundur nga lufta e UÇK-së dhe NATO-s, po kthehet pas 18 viteve me tren. Turp H.TH e I.M, duke shkelur mbi gjakun e derdhur për Kosovë po e rrezikoni atë që është fituar me luftë dhe po e humbeni në paqe”, ka shkruar ai në Facebook.

Ngrihet Drini i Bardhë, një gjendje e tillë s’mbahet mend (VIDEO)

0

Drini i Bardhë ka ngrirë.

Madje shtresa e akullit këtu duket të jetë aq e trashë, sa nuk është thyer as kur dikush e provoi me mjete të forta.

Dhe pasi u siguruan se i mbanë, qytetarë të rrethit të Gjakovës, dolën lirshëm të ecin mbi këtë akull.

Dikush u përkujdes që edhe emrin e vet ta shkruaj këtu.

Vizitorët që këtyre ditëve ishin të shumtë, patën mundësi të shohin edhe diçka, që nuk duket në rrethana tjera.

Mirëpo me ngritjen e temperaturave, të premten akulli ka filluar të shkrijë nga pak.

Postmortum nga Shqipëria: Vepra e Kelmendit, një dalje nga qelia jonë kulturore

0

Në rrjetet sociale pak nga Shqipëria kanë dhënë ndjeshmërinë e tyre.

Shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave shqipe, ka ndërruar jetë të mërkurën në mbrëmje në moshën 86-vjeçare dhe dje, në mjediset e Teatrit Kombëtar në Kosovë janë bërë homazhet e fundit. Në Shqipëri dje shumë pak zëra kanë pasur reagim për këtë personalitet të kulturës, që jehonën e ka pasur të fortë në qarqet e këtushme letrare dhe intelektuale, por pa mundur të flitet për arritjet e komunikimit kulturor mes dy vendeve
Shkrimtari dhe gazetari Ramiz Kelmendi, i vlerësuar si klasiku modern i letrave shqipe, ka ndërruar jetë të mërkurën në mbrëmje në moshën 86-vjeçare dhe dje, në mjediset e Teatrit Kombëtar në Kosovë janë bërë homazhet e fundit.

Është vlerësuar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Kosovës, si autor që me durim ndoqi jetën e shqiptarëve të Kosovës në shekullin e tij.
Dje, gjithë politika kosovare ka marrë vëmendjen e mediave për të thënë fjalët e fundit për Kelmendin. Në rrjetet sociale pak nga Shqipëria kanë dhënë ndjeshmërinë e tyre. Ne po sjellim dy prej tyre. Shkrimtaren Natasha Lako, e cila ka lënë shënimin për familjarët: “Migjen, ju lutem merrni si familje edhe ngushëllimet tona familjare për humbjen e Ramizit, i cili për ne ka qenë dhe mbetet një botë e tërë e ngrohtë lirie njerëzore. Kemi humbur një shkrimtar dhe një mik që na ka dhënë shumë dashuri”.

Shkrimtari dhe studiuesi Virion Graçi ndan këtë përshpirtje dhe vlerësim: “Përshpirtje për Ramiz Kelmendin! Për mua, përkthimet e TIJ nga fundi i viteve tetëdhjetë – kryevepra të letërsisë botërore, kanë qenë dalje nga qelia jonë kulturore plot errësirë, merimanga e buburrecë të lumtur. Si njeri e kam takuar në vitin 2006, në Prishtinë, në panair. Shkova drejt tij si i panjohur, i dhashë dorën dhe disa fjalë respekti e mirënjohjeje. U ndava me të si i panjohur, si lexues që ka përpirë mijëra faqe me të cilat ka qenë i shkrirë njeriu i mirë Ramiz Kelemendi”.

Ramiz Jakup Kelmendi lindi më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagandonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por meqenëse ishte i mitur (16 vjeç), i mbajtën vetëm 30 ditë burg. Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht. Kur përfundoi shkollën, u pranua gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”. Më 1950 regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë

Shqipe. Studimet në fillim ia financoi babai i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime.
Kur doli në pension, Kelmendi nuk pushoi kurrë së punuari. Më 1996, Kelmendi vendosë të hapë, Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në hapësirat shqiptare “Faik Konica”, i cili funksionoi deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar. / KultPlus.com

Punëtori për hartimin e Planit Strategjik të Spitalit të Prizrenit

0

Në kuadër të Programit Përkrahës për Shëndetësi në Kosovë – KSV/017”, implementuar nga LuxDev dhe Ministria e Shëndetësisë, një grup i përzgjedhur i Spitalit të Prizrenit ka qenë pjesë aktive e punëtorisë dy ditore së bashku me udhëheqësen e projektit, Dr. Afërdita Ademi-osmani, dhe ekspertët ndërkombëtarë Prim.dr. msc, Dorjan Marushiq, ekspert i politikave shëndetësore dhe Msc. Jakop Ceglar, ekonomist shëndetësor

Punëtoria është vlerësuar e suksesshme nga udhëheqësja e programit, Dr. Afërdita Ademi-Osmani, si dhe nga drejtori i spitalit të Prizrenit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj.

“Punëtori jashtëzakonisht e frytshme, me pjesëmarrje të mrekullueshme dhe profesionale të stafit të Spitalit të Prizrenit, si dhe me një përgatitje paraprake për çështjet strategjike. Grupet punuese në mënyrë të suksesshme kanë definuar misonin, vizionin, filozofinë e biznesit, objektivat strategjike dhe specifike për zhvillimin e Planit Strategjik Pesëvjeçar të Spitalit të Prizrenit”, -tha dr. Afërdita Ademi-Osmani, udhëheqëse e Programit KSV/017.

“Vërtetë ka qenë një punëtori e suksesshme. I gjithë grupi ka treguar përkushtimin për të dhënë kontributin maksimal në të gjitha detyrat e dhëna. Unë në emër grupit punues, gjithë punëtorëve të spitalit të Prizrenit dhe në emrin tim personal falënderoj Qeverinë e Luiksemburgut dhe Ministrinë e Shëndetësisë që spitalin e Prizrenit e ka përzgjedhur të jetë pjesë e projektit. Gjithashtu falënderoj edhe udhëheqësen e projektit, dr. Afërdita Ademi- osmani, si dhe ekspertët ndërkombëtar Dornjan Marushiq dhe Jakob Ceglar. Ju siguroj se do të jemi të përkushtuar të kryejmë të gjitha detyrat që kërkohen nga ne, me qëllim që projekti të realizohet në tërësi”,-theksoi drejtori i spitalit të Prizrenit, Prof. Ass.Dr. Afrim Avdaj.

Punëtoritë do të vazhdojnë edhe gjatë muajit janar dhe shkurt me qëllim që dokumenti final të jetë sa më i kompletuar.

Bora ia ndali hovin gripit në Prizren

0

Këto ditë të ftohta, por edhe para këtyre temperaturave të ulëta, Prizreni ka qenë i atakuar nga gripi sezonal. Gripi sezonal zakonisht karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla e thatë, dhembje koke e muskujsh, dobësim e rrjedhje të hundëve. Shpeshherë personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe kanë telashe në rast se nuk marrin mjekimin e nevojshëm me kohë. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë. Gripi i zakonshëm mund të prekë të gjithë popullatën, por ajo mund të sjellë komplikacione për një pjesë të popullatës si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetë- sore. “Ata që preken më shumë nga gripi janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët”, thotë dr. Kujtim Bakiqi, shef i Emergjencës në Prizren.

Kërkojnë ndihmë mjekësore pas rrëshqitjeve në akull

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë tre tipa të gripit të zakonshëm. Tipi i gripit A ka disa nëntipa të tjera dhe kombinime të viruseve. Disa nga nëntipat janë A(H1N1), A(H3N2), të cilat po qarkullojnë edhe te njerëzit në të gjithë botën. “Tipi C i gripit është më pak i zakonshëm se A dhe B. Për këtë arsye në vaksinën e gripit sezonal përfshihet mbrojtja për tipin A dhe B”, thotë Bakiqi.

Ai pohon se vetëm në natën e 31 dhjetorit në Shërbimin Emergjentë janë paraqitur numër i madh pacientë kryesisht fëmijë me simptomat e gripit. Ai pohon se numri i të takuarve nga gripi mund të shkojë deri në 200 pacientë brenda dite.”Kohët e fundit rënia e temperaturave e ka ulur pak numrin e pacientëve me inflamacione gripoze, por e ka shtuar numrin e atyre që kanë pasur nevoja emergjente për shkak të rrëshqitjeve në borë e në akull”, thotë Bakiqi, shkruan gazeta Kosova Sot

Shtohet numri i mjekëve për t’iu përgjigjur emergjencave

Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, pohon se viti 2016 ishte viti më mirë sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale. Sipas tij, furnizimi ka qenë diku në masën 60 për qind të nevojave të përgjithshme.

“Ne nuk jemi prapë të kënaqur, sepse ideale do të ishte të ketë furnizim 100 për qind, por, duke u bazuar në fondin e Ministrisë, këto janë mundësitë. Këtë vit s’kemi kërkuar barna tjera, por reshjet e fundit na kanë detyruar që Emergjenca të shtojë 100 për qind kujdestaritë. Kemi pasur numër të konsideruar intervenimesh. Këtë fillim viti ende nuk kam shumë informacione për furnizim me barna”, thotë Gashi, duke shtuar se e ka shtuar numrin e mjekëve në Emergjencë për t’iu përgjigjur situatave të ndryshme të emergjencave gjatë këtyre ditëve me ngrica. Ai shpjegon se Prizreni ka 44 objekte të shëndetit primar, një objekt të Emergjencës, pastaj ka 26 ambulanca dhe 15 qendra mjekësore familjare.

“Kjo ka bërë që Prizreni të jetë njëra ndër komunat që më së shumti ka treguar përkushtim sa i përket ndërtimit të ambulancave, pastaj Qendrave Shëndetësore dhe bashkë me të edhe Qendrave Familjare. Falë angazhimit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QKMF-së është arritur që me mjete vetjake të bëjë shumë në këtë drejtim”, thotë Gashi, drejtor i QKMF-së në Prizren.

Duhet që barnat t’i blejnë vetë

Edhe zyrtarët e Spitalit Rajonal në Prizren njoftojnë se në tanimë ka numër të shtuar pacientësh nga gripi, sidomos në Repartin e Pediatrisë. Zëdhënësi Shefajet Berisha është shprehur numri i pacientëve nuk mund të thuhet se është alarmant, megjithatë vazhdon të mbetet i madh. Ai është shprehur se nuk janë të rralla as rastet e thyerjeve nga rrëshqitjet në akull. Ai shprehet se rastet e tilla zakonisht trajtohen në Emergjencën e qytetit. Duke pasur parasysh këtë gjendje, autoritetet në Prizren kanë apeluar që mos të dilet pa nevojë jashtë, derisa të kalojë moti i acartë. Nga ana tjetër, qytetarët ankohen për mungesën e barnave. E reja Agnesa Gashi shprehet se gjatë trajtimit të babait të saj nuk ka pasur asnjë bar dhe të gjitha i është dashur t’i blejë vetë familja. Lidhur me këtë rast, drejtori Mehmedali Gashi pohon se kjo mund të ndodhë vetëm nëse bëhet fjalë për barëra që janë jashtë listës esenciale.

(Kosova Sot)

Mbi 325 qytetarë të Prizrenit, heqin dorë nga shtetësia e Kosovës

0

Mbi 325 qytetarë të Prizrenit, kanë aplikuar që të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Drejtori i Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj, tha se ky numër është alarmante.

“Për mua ka qenë shqetësim ky numër i qytetarëve që gjatë vitit të kaluar, kanë kërkuar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Baldedaj për TVPZ,transmeton PrizrenPress.

Ai tha se kërkesa e qytetarëve për të hequr dorë nga shtetësia e tyre, duhet të shqetësojë edhe Qeverinë e Kosovës./PrizrenPress.com/

Arsimtarët në grevë, nëse nuk tërhiqet projektligji për pagat

0

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka paralajmëruar grevë në sistemin e arsimit nëse qeveria nuk tërheq një projektligj me të cilin synon ta rregullojë çështjen e pagave.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK, tha të premten se SBASHK-u do t’ia dorëzojë një letër kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, me kërkesën që ky projektligj të tërhiqet dhe të rishqyrtohet.

Ai tha se javën e ardhshme do të kontaktohen edhe grupet parlamentare në Kuvend që ta parandalojnë këtë ligj që të shkojë në parlament.

Nëse kjo nuk do të ndodhë Jasharaj paralajmëroi grevë në sistemin e arsimit.

“SBAShK-u është i gatshëm që në shenjë të kundërshtimit të marrë masa dhe ta ndërpresim mësimin duke shpallur grevë me afat të pacaktuar”, tha Jasharaj.

Projektligji, sipas kryetarit të SBAShK-ut, degradon profesionin e mësimdhënësve dhe titujt e tyre.

“Ky projektligj, sidomos shtojca tabelare, e degradon, e nënçmon shumë vet profesionin e mësimdhënësit dhe gradat e tij akademike, shkencore duke filluar nga universiteti e deri te çerdhet”, tha Jasharaj.

Sipas projektligjit të pagave janë paraparë 45 grada dhe 11 koeficientë duke filluar nga koeficienti më i vogël 1 e deri te koeficienti më i lartë 11, koeficiente këto që do ta japin shumën e caktuar të pagave për këto 45 gradime. Dhe sipas koeficientëve mësimdhënësit e Kosovës kanë koeficient 1.75.

“Nga analizat e gradave dhe koeficientëve kemi nxjerrë një mesatare dhe koeficienti mesatar do të ishte 4.2. Fatkeqësisht mësimdhënësit e Kosovës nuk janë as te kjo mesatare e koeficientit, por koeficienti për ta parashihet të jetë 1.75, që është më pak se gjysma e mesatares së koeficientit 4.2” u shpreh i pari i SBASHK-ut.

Ai tha se nëse miratohet ky projektligj ka gjasa që pagat e mësimdhënësve të zvogëlohen, në bazë të koeficientëve që i kanë.

Në shtojcën tabelare ku janë të ranguar profesionet në bazë të gradave dhe të koeficientëve në vendin e parë është Presidenti i Kosovës me koeficient 11, i ndjekur nga kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 10. Ndërsa me koeficientin më të ulët, pra me koeficient 1 janë ranguar pastruesit, korrierët, kamarierët, autolarësit dhe rrobalarësit.

Arrestohen dy të dyshuar për tentim vrasje në Prizren

0

Në vazhdën e hetimit të rastit të vrasjes në tentativë që pati ndodhur me 11 janar, ku në një punëtori në rrugën “Aleksandër Fleming” u plagos nga arma e zjarrit një qytetar (viktimë e fajdeve) e më pas u lëndua edhe me sëpatë, sot janë bastisur dy lokacione dhe janë arrestuar dy të dyshuar.

Polcia njofton se gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmi materiale të cilat mund ta ndihmojnë hetimin.

Po ashtu janë sekuestruar edhe një sasi fishekësh të armës së zjarrit.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndalur nën masën e arrestit policor