18.8 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6073

Kjo është Shqipëria që e ndërtuam vetë…

0

Nga Blendi Fevziu

Disa ditë më parë më qëlloi të lexoja një refleksion të shkrimtares Ani Vilms mbi ikjen nga Shqipëria më 1994 dhe jetën në Berlin. Përtej të qenit një shkrim tejet i kuruar, analiza e saj më bëri të reflektoj disi mbi Shqipërinë e këtyre 23 viteve dhe ndryshimin e saj. Për ata që nuk e njohin, Ani Vilms ka qenë një vajzë e bukur, krejt jashtë standarteve dhe konizave të kohës, një studente shkëlqyer dhe një shkrimtare që pak nga pak krijoi një profil të sajin në letërsinë shqipe bashkëkohore. Nuk di të them nëse ka qenë një karakter rebel, por di me siguri që i takonte asaj kategorie vajzash të fund viteve ’80 dhe fillim viteve ’90 që përmasat e Shqipërisë së mbyllur dhe të izoluar i rrinin gjithnjë ngushtë. Vilms iku një ditë. Siç thotë vetë ka qenë vitit 1994. Ajo tregon se i ftohti i Berlinit e fshikulloi, por ajo ishte e vendosur të qëndronte aty sepse siç shkruan gjeti diçka që i kishte munguar në jetë:

“Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij: Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s’e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S’kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj-lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunësa, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashetheme dhe nuk përhapte shpifje mbi „nderin” dhe „moralin” tim. Çudi e madhe. Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve ’80-’90, ku për vajzat si unë s’kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve.”

Duke lexuar shkrimin e saj dhe duke bërë një krahasim më atë kohë që edhe unë e kam jetuar po me atë intensitet, pyeta veten, a ka ndryshuar shumë ky vend këto 23 vjet? Eshtë gati një çerek shekulli, kohë e mjaftueshme për të transformuar shumë gjëra e jo më një shoqëri që shkonte nga izolimi total drejt një hapje pa limit. Për fat të keq, dyshoj se ndryshimi ka qenë i vogël për të mos thënë i pandjeshëm. Po, ne ndërtuam pallate më të bukura dhe jetojnë në apartamente më të bollshme, por brenda tyre sillemi po njësoj si dikur. Me po ato paragjykime dhe me po atë mënyrë të menduari; Po, ne e kemi mbushur Tiranën dhe qytetet e tjera me kafene moderne dhe me emra po kaq ekstravagantë, por brenda tyre gëlon po ajo botë tipike orientale e bërjes së llogarive të tjetrit dhe asnjëherë analiza e vetvetes. Gëlon po ai realitet thashethemesh dhe moralizimi pa asnjë sens; Po, në rrugët e Tiranës mbase nuk të tërheq më njeri për krahu me forcë, por dhunën e dikurshme e ka zëvendësuar joshja nga paraja dhe paratë e drogës, pre e të cilave bien shpesh vajzat e reja dhe të bukura të qytetit; Po, ne kemi ndërtuar një shoqëri të konkurimit, por thuajse kurrë nuk bëjmë zgjedhje të lira; Po, ne kemi një shoqëri të hapur, por gjithnjë fiton më i fuqishmi dhe më i pasuri. Ku budallai nuk sheh veten, por tregon me gisht si budalla të zgjuarin dhe korrektin vetëm sepse ai respekton ligjet dhe sillet si qytetar model. Kemi ndërtuar një shoqëri ku i varfëri përbuzet dhe ku vaniteti është kthyer në status të lakmuar social; Po, ne kemi shumë më tepër njerëz të diplomuar, por padyshim shumë më pak njerëz të ditur dhe të thellë. Kemi shumë pak debate thelbësore dhe shumë zhurmë për gjëra pa asnjë lloj rëndësie.

Ne kemi ndërtuar një botë mediatike mbushur me boshësi dhe personazhe falce. Pa asnjë lloj thellësie dhe asnjë lloj analize. Kemi më pak frikë se dikur, por vijojmë të impresionohemi nga fuqia dhe të jemi ende të bindur se jetën tonë e ka në dorë më i fuqishmi. Ka shumë gjëra të tjera që nuk kanë ndryshuar thuajse fare, ndaj unë besoj se sot, ne as e kemi dhe as kemi për ta patur atë liri që Ani Vilms përballi atë ditë që la Shqipërinë dhe u vendos në Berlin. Dhe për fatin e keq, as vetë nuk e kuptojmë që pa atë liri, fëmijët tanë do e kenë gjithnjë e më të vështirë të jetojnë në këtë vend dhe vetë ky vend do ta ketë më të pamundur të bëhet ai vend që ne vetë, 25 vjet më parë kemi ëndërruar. Dhe se ata që realisht e duan lirinë, do vijojnë të ikin, ashtu siç iku Ani Vilms 23 vjet më parë…

Nuk u besojnë premtimeve të Komunës për hapjen e shkollës në Gjonaj

0

Projekti i shkollës së re në fshatin Gjonaj, edhe pse ka kohë që ka nisur, ende nuk është finalizuar. Kohë më parë zyrtarët komunalë kishin premtuar hapjen e dyerve të shkollës për nxënësit e fshatit, derisa opozita dhe shoqëria civile janë shprehur skeptike se kjo do të ndodhë shpejt. Tash, drejtuesit e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit kanë gjetur një arsye tjetër për vonesat. Drejtori Zehadin Shemsedini është shprehur se moti i lig që po mbretëron në vend ka penguar punimet në finalizimin e këtij projekti të shumëpritur.

“Moti i këtyre ditëve i ka shtyrë punët e pranimit të kësaj shkolle. Përndryshe fillimi i këtij gjysmëvjetori do të mund të fillonte në këtë objekt shkollor. Tashmë aty kanë kryer të gjitha punët e nevojshme dhe ai objekt është një objekt kapital”, ka thënë ai për gazetën. Megjithatë, duke folur për “Kosova Sot”, ai shpjegon se tashmë ka përzgjedhur Komisionin për pranimin teknik të objektit të shkollës në fshatin Gjonaj.

“Brenda këtij muaji ai objekt shkollor do të funksionalizohet dhe do të fillojë procesi mësimor në këtë objekt”, shprehet Shemsedini. Por vetë drejtori i kësaj shkolle, Latif Çoçaj, është skeptik lidhur me premtimet që vijnë nga zyrtarët komunalë. “Nuk jam optimist dhe mendoj se është vështirë të bëhet kjo”, ka thënë ai për gazetën.

U premtua më 28 nëntor, por nuk u bë

“Nga biseda e shkurtër që kam pasur më drejtorin e DKA-së, Zehadin Shemsedini, arsyetimi ishte mospërmbushja e disa obligimeve nga punëmarrësi dhe problem më vete është shpronësimi. Sa i përket shpalosjes së planit të objektit që është në ndërtim e sipër, se kur do të lëshohet nuk kam fare informata të tjera dhe për këtë kërkoj falje, sepse unë personalisht asnjëherë nuk kam pasur qasje në këtë drejtim”, shprehet Çoçaj, duke shtuar se në bazë të asaj që shihen në vetë objektin nuk ka gjasa për funksionalizimin e shpejtë.

“Sipas asaj që shoh aty, nuk po arrij të besoj se ka mundësi të fillojë as pas një muaji, mbase në fillim të shtatorit”, thotë ai. Edhe asamblisti Haziz Hodaj është skeptik lidhur me funksionalizimin e plotë të objektit. “Unë me kohë kam menduar dhe kam pasur këtë përshtypje se është e vështirë të arrihet që kjo shkollë të përurohet siç e pati paralajmëruar DKA-ja më 28 nëntor të vitit që shkoi. Kjo tashmë po dihet se atë ditë nuk u bë. Por, kjo tashmë po bëhet tani edhe si për befasi mendoj se ajo prapë nuk do të lëshohet”, pohoi ai për gazetën.

(Kosova Sot)

Ramadan Muja proteston për lirimin e Ramush Haradinajt

0

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka marrë pjesë në protestën e AAK-së, për lirimin e Ramush Haradinajt.

Muja për herë të parë ka marrë pjesë në protestë.

Në protestë ka marrë pjesë edhe kryetari i Malishevës, si dhe deputetë të Parlamentit të Kosovës.

Deputeti Zafir Berisha tha se qytetarët duhet të mrjnë atë që është arritur me luftë.

“Për orë të tëra dje në Parlament u munduam që ti bindim të gjithë se mbi të gjitha është Kosova dhe UÇK-ja por ja që për fatin e keq të vendit dhe qytetarëve të Kosovës ka të tillë që më të rëndësishëm e konsiderojnë dialogun me Serbinë se vetë Kosovën të cilën pretendojnë se e përfaqësojnë. Ne qytetarët e Kosovës jemi të vendosur që ajo që është arritur me luftë dhe sakrificë të mbrohet me çdo kusht. Në asnjë mënyrë nuk jemi kundër miqve ndërkombëtarë në këtë rast edhe Francës, mirëpo jemi për ta mbrojtur ADN e këtij vendi dhe ADN-ja e këtij vendi është UÇK-ja, e cila përfundimisht i dha fund regjimit serbosllav në Ballkan” tha Zafir Berisha.

Edhe kryetari i Degës së AAK-së në Prizren Lulzim Kabashi tha se kjo ndalesë tregoi edhe një herë për brishtësinë e institucioneve tona tregoi paaftësinë dhe inferioritetin e institucioneve tona ndaj situatave jashtëzakonisht serioze siç është kjo.

“Nëse qasja e Institucioneve është kjo që është për një figurë emblematike të Kosovës, çfarë do të jetë për një qytetarë të zakonshëm, tha Kabashi/PrizrenPress.com/

Biblioteka e Mehmet Pashës në Prizren

0

Vehbi Shatri

Gazi Mehmet Pasha, një emër i madh për kohën e vet. Ai, në vitin 1573, e ndërtoi xhaminë “Mehmet Pasha”, pra xhaminë e Bajraklisë, dhe në kuadër të kompleksit të saj e ndërtoi: hamamin (banjë publike), medresenë (shkollë e mesme islame), tyrben (mauzoleu), mejtepin (shkollë fillore), ders-hanen (amfiteatër i vogël), si dhe kitabhanen, pra bibliotekën. Edhe kjo bibliotekë ende mbetet pasive dhe jashtë funksionit që e ka pasur.

Librat e bibliotekës së “Mehmet Pashës” janë vendosur në tyrben e “Mehmet Pashasë”, të cilën ai e pati ndërtuar për t’u varrosur aty, e që dëshira e tij nuk u plotësua asnjëherë, pasi në vitin 1596 ra dëshmor në një fushëbetejë në Hungari.

Një pjesë të dorëshkrimeve të kësaj biblioteke, më se 291 sosh, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, më datë 13. 03. 2004, i ka marrë dhe i ka vendosur në Prishtinë, për një strehim më të mirë. Në anën tjetër, fatmirësisht, fondi i librave të kësaj biblioteke përditë vazhdon të plotësohet me dorëshkrime të vjetra.
E ndërsa sa iu përket arkivave që veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës mund të themi se ato nuk janë edhe aq të njohura, por e tërë ajo që ndërlidhet me jetën e myslimanëve të Kosovës mund ta gjejmë në sirtarët e Arkivit të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe disa bibliotekave të tjera. Në to ka dorëshkrime të rralla e të vjetra dhe, si të tilla, janë një pasuri intelektuale, që shënojnë kohën, vendin, ekzistencën e tyre në periudha të hershme.
Një ndër institucionet që ruan këtë thesar është edhe Arkivi i Kosovës, i cili ka një koleksion të dorëshkrimeve islame-orientale në formën e veprave të plota të pabotuara më parë. Ato janë në gjuhën arabe, turqishte, perse dhe shqipe, kryesisht me grafi arabe. Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve islame-orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse ose 100 vepra në dorëshkrim. Këto dorëshkrime janë përshkruar dhe kopjuar jo vetëm nga autorë të njohur arabë, turq, persianë, por edhe nga autorë vendës.

“Vlen të cekim se, me largimin e turqve nga vendi ynë, ata morën me vete edhe lëndën arkivore islame, e cila sot gjendet në arkivat e Stambollit”.
Është me rëndësi se këto dorëshkrime janë ruajtur me një fanatizëm dhe vetëdije të lartë, të trashëguara brez pas brezi dhe padyshim se përbëjnë një nga kontributet e mëdha të popullit shqiptar.

Vlen të theksohet se në arkivin e Kosovës mund të gjenden dokumente që datojnë nga shekulli XIII-të. Ndërsa dorëshkrimi më i vjetër është fjalori persisht-arabisht “Tuhfe-i Sibjân”, i botuar në vitin 1437. Në Kosovë sot ruhen ende një numër i rëndësishëm i dokumenteve dhe i koleksioneve të dorëshkrimeve orientale, shumë të ndryshme për nga përmbajtja, prejardhja dhe vlera shkencore – artistike, të cilat përbëjnë një pjesë të trashëgimisë historike të kombit shqiptar. Kjo për faktin se për më shumë se pesë shekuj, Kosova ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Osmane. Kosova, në këtë trashëgimi të këtyre dokumenteve dhe dorëshkrimeve që nga shekulli i XV e deri në shek. XX, si nga pikëpamja e sasisë, ashtu edhe nga pikëpamja e përmbajtjes, është një nga vendet më të pasura në rajon. Po ashtu vlen të theksohet se një numër i dokumenteve të vjetra ruhen në biblioteka private, në Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në Institutin e mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Prizren, në Kryesinë e Bashkësisë islame të Kosovës.

“Kronologjia e dorëshkrimeve islame-orientale në Arkivin e Kosovës fillon me fjalorin arabisht-persisht “Tuhfe-i Sibjân”, i kopjuar në vitin 1437, kurse më i riu është dorëshkrimi unikat-autograf në gjuhën arabe i ish-myftiut të Prizrenit, Rrustem ef. Shporta, me titull “Risale fi bejani Esmail-lahi te’ala ve esmai nebijjina alejhis-selam ve esmai xhemi’i-lenbijaii-lmedhkureti fi-l-Kur’ani-l’adhim”, i shkruar më 1925. Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve islame-orientale që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse ose në 100 vepra dorëshkrim”.

Të gjitha këto dorëshkrime që ruhen edhe sot në Arkivin e Kosovës apo edhe në Bibliotekën Kombëtare, janë dëshmi për trashëgimin kulturore që nga periudha osmane, të cilat mund të shërbejnë edhe si një bazë e mirë për të ndriçuar probleme të ndryshme të kohës.

Shkrimet Islame në Arkivat dhe Bibliotekat e Bashkësisë Islame të Kosovës

Shkrimet Islame të cilat sot gjendën në Arkivat dhe Bibliotekat e Bashkësisë Islame të Kosovës janë të shumta. Ato janë të shumta si për nga llojllojshmëria e tyre, si për nga numri i tyre por po ashtu edhe për nga gjuha e tyre. Këto shkrime janë të shkruara në Gjuhën Shqipe, Arabe, Osmane, Perse, Turke dhe Boshnjake. Disa prej tyre janë të botuara ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë ende dorëshkrime të shkruara nga shkrimtarë dhe dijetarë vendas por edhe të huaj.
Prej këtyre shkrimeve do të cekim disa siç janë: Salnamet. Fjala salname e ka prejardhjen nga gjuha persiane, sal do të thotë vit, dhe name që do të thotë letër, libër, e kur të bashkohen këto dy fjalë në salname do të thotë më së përafërti në gjuhën shqipe vjetar. Salname në gjuhën frenge dotë thotë Annuaire, në gjuhën angleze Year book, ndërsa në gjuhën gjermane Almanak.
Në periudhën fundit të Perandorisë Osmane janë botuar salnamet-vjetarët, ku për një vit është përshkruar gjendja ekonomike, politike, sociale, kulturore, shoqërore e një vendi të caktuar të Perandorisë Osmane. Salnamet – vjetarët janë botuar brenda një periudhe 75 vjeçare të ekzistimit të Perandorisë Osmane, prej vitit 1847 e gjer më vitin 1922.
Në këto salnamet-vjetarët janë përshkruar me një stil të posaqshëm dhe janë prezantuar një varg njohurish nga fushat të ndryshme, si nga historia, shkenca, politika, ushtria, kultura, shoqëria e fusha tjera. Salnamet – vjetarët janë ndarë në katër grupe: salnamet – vjetarët shtetëror, salnamet- vjetarët e Vilajeteve, salnamet – vjetarët Nazaret si dhe salnamet – vjetarët personal.
Ndërsa ajo që neve na intereson janë Salnamet e Vilajetit të Kosovës të cilat gjithsejtë ishin tetë salname. Koleksioni (përmbledhja) e 8 salnameve – vjetarëve të Vilajetit të Kosovës gjendet vetëm në bibliotekën popullore të Fatihut në Stamboll, ndërsa veç e veç gjenden të shpërndara nëpër biblioteka të ndryshme, si për shembull: në Bibliotekën e Muzeut Arkeologjik, gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1883 dhe 1887, në Bibliotekën Ataturk në Taksim gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1883, 1885, 1887, 1888, 1896 dhe 1900, në Bibliotekën e Arkivit të kryeministrisë osmane gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1887, 1888, 1893, 1896, në Bibliotekën shtetërore të Bejazit gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të vitit 1887, në bibliotekën e Hakkë Tarëk Us gjenden salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896, në bibliotekën e Universitetit të Stambollit gjenden salnamet- vjetarët e Vilajetit të Kosovës të viteve 1879, 1888 dhe 1896, në bibliotekën e degës së historisë të fakultetit të letërsisë të Universitetit të Stambollit gjenden salnamet – vjetarët e viteve 1879 dhe 1883. Të gjitha këto 8 salnamet – vjetarët e Vilajetit të Kosovës janë të botuara në gjuhën osmane të shkruara me alfabet arab.

Abetarja e Daut Boriçit

Abetarja e Daut Boriçit e shtypur në Stamboll më 1861 e më pas edhe në vitin 1869, është një abetare shqip-turqisht, me shkronja arabo-turke dhe me krijime origjinale të autorit, pa asnjë shënim në frontespic, pa vit e vend botimi. Me këtë abetare, sipas studiuesve, ai zuri në Veri këndin e trinomit që kishin plotësuar më parë Naumi në Jug dhe Kristoforidhi në kërthizë të Shqipërisë. 15 “Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”. Këtë deklaronte Daut Boriçi si kredo politike, në librin e tij, më 1869. Abetareja në fjalë ka gjithsej 37 shkronja, nga të cilat 28 janë të alfabetit arab; 2 i ka marë osmanishtja dhe për të plotësuar nevojat e gjuhës sonë, 7 shkronja Daut Boriçi i hartoi vetë, nga ato fonema që i korrespondonin gjuhës shqipe.

Abetarja e Hafëz Ali Ulqinakut (1853-1913)

Abetarja e Hafiz Aliut, e cila, ndonëse brenda logjikës së kohës është hartuar me alfabet arab, ajo ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike. Sipas studiuesve të jetës dhe veprës së Hafiz Aliut, të cilët i kanë bërë një analizë të shkëlqyer kësaj abetareje: “Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjen e lartë atdhetare të autorit”. Abetarja në fjalë ka gjithsej 15 fletë dhe 26 faqe. Kjo abetare për shumë vite me radhë mbeti në dorëshkrim në dosjen nr. 3 të fondit personal të Hafiz Ali Ulqinakut në Arkivin Qendror të Shtetit.

Për fund

Nga tërë ajo që u cek më lart mund të vijmë në përfundim se Bashkësia Islame e Kosovës, si organ i vetëm kompetent për organizimin e jetës fetare është një organ dhe një institucion me një histori mjaftë të lashtë. Historiku i saj ka rrënjët që nga vetë Perandoria Osmane andaj edhe trashëgimia e saj kulturore, arsimore, artistike, fetare dhe kombëtare daton që atëherë.
Po ashtu, Bashkësia Islame e Kosovës, ka edhe arkivat dhe bibliotekat e saja që veprojnë në kuadër të saj dhe të objekteve përcjellëse të vetë Bashkësisë Islame të Kosovës. Këto arkiva dhe biblioteka në vete mbajnë shumë dorëshkrime, shumë libra, shumë dokumente dhe shumë botime të ndryshme të cilat kanë vlerë, rëndësi dhe karakter kombëtarë dhe fetar.
Nisur nga tërë kjo, mund të vijmë në përfundim se Bashkësia Islame e Kosovës me gjithë organet dhe institucionet e saja përcjellëse, është një Institucion që assesi nuk guxon të anashkalohet dhe assesi nuk guxon që të nënvlerësohet por përkundrazi Bashkësia Islame e Kosovës duhet që të gëzojë një kujdes dhe një vëmendje shumë më të madhe nga organet kompetente vendore, nga studiues, nga hulumtues dhe nga shkencëtarët vendore dhe të jashtë. E tërë kjo duhet të bëhet për vetë faktin se Bashkësia Islame e Kosovës posedon shumë dokumente që janë mjaftë të rëndësishme për vendin tonë e sidomos në këtë kohë kur vendi ynë po kalon nëpër situata jo edhe aq të lakmueshme sa i përket sipërfaqes së saj territoriale, autoktonisë tonë në vend dhe shumë çështje tjera që janë ende diskutabile në nivele shumë të larta vendore dhe jovendore.

Komisioni Emergjentë në Prizren: Rrugët janë të kalueshme

0

Komisioni Emergjentë në Prizren, ka shqyrtuar sërish gjendjen aktuale të rrugëve.

Ky komision ka konstatuar se në terë territorin e Komunës lëvizja e qytetarëve është e mirë, “por sigurisht se duhet kujdes i shtuar gjatë ngasjes nga shoferet”.

“Të gjitha rrugët e fshatrave të komunës së Prizrenit janë të kalueshme dhe kanë qasje në rrugët magjistrale”, thuhet në vlerësimin e Komisionit, i cili është formuar nga kryetari Ramadan Muja.

“Në qytet gjendja e rrugëve është e mirë dhe po punohet në vazhdimësi që të lirohen të gjitha segmentet sekondare, që kyçen në rrugët kryesore”.

“Instituti Meteorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar reshje të reja gjatë ditëve në vijim ndaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët për mos hedhjen e borës në rrugë, mos parkimin e automjeteve në trotuare dhe hapësira tjera publike, sepse pengojnë operatorët në kryerjen e punëve të kontraktuara për pastrimin e borës”./PrizrenPress.com/

Dragash, arrestohet një person, vrau një derr jashtëligjshëm

0

Një qytetar i komunitetit goran është arrestuar për gjueti të paligjshme.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës i arrestuari në fshatin Vraniq të Dragashit, në zonën e Gorës kishte vra një kafshë të egër (derr), e të cilin ia kishte shitur një personi tjetër.

Me urdhër të prokurorit nga i dyshuari është konfiskuar arma e gjuetisë me 12 fishek, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt.

Krusha e Madhe do muze për trokitje në kujtesën kolektive

0

Për të mos e harruar atë që ndodhi, këshilli i fshatit Krushë e Madhe kërkon që të kthehet në muze shtëpia ku u dogjën 65 persona gjatë masakrës së marsit të vitit 1999.

Këshilli i fshatit Krushë e Madhe dhe pronarët e shtëpisë në të cilën janë djegur 65 persona në luftën e fundit, kërkojnë që objekti të shpallet muze.

Selami Hoti, kryetari i fshatit Krushë e Madhe tha për KALLXO.com se kërkesa që shtëpia të kthehet në muze i është dorëzuar tashmë Komunës së Rahovecit.

“Kemi kërku që ajo të shpallet muze. Në Krushë të Madhe kanë qenë zyrtarisht të pranuara 2 krematoriume dhe shumë varreza masive. E nji nga ato është kjo shtëpi të cilën dëshirojmë ta shpallim muze, sepse vitet kalojnë dhe gjërat harrohen dhe ajo do të jetë një adresë ku do të trokitet në kujtesën kolektive shqiptare që të kenë kujdes në të ardhmen në veprime dhe të bëma se kah do të shkojmë dhe kah do ta çojmë vendin,” tha Hoti.

Ai deklaroi se kjo shtëpi duhet të kthehet në muze shpejt, përpara se të shkatërrohet plotësisht.

“Kanë kaluar 18 vjet dhe aty dëmtimet janë shumë të mëdha. Ta shpëtojmë bile të mos rrënohen ato mure. Krematoriumi tjetër ka qenë në pjesën e sipërme të fshatit me t’u kthyer pas lufte e kanë rrënu, ka qenë një stallë dhe më duket se kanë ndërtu shtëpi aty,” tha Hoti.

shtepia

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi tha se procedurat për shndërrimin në muze të shtëpisë ku ndodhi djegia do të nisin në muajt e parë të këtij viti.

“Shpronësimi do të bëhet prej qeverisë. Kjo procedurë ka mundësi që të fillojë në mbledhjen e janarit, por më së largu mbledhjen e shkurtit për ta shpallur interes të përgjithshëm dhe interes për shpronësim dhe pastaj vazhdojnë procedurat tjera. Vlera përcaktohet prej komisioneve përkatëse për atë çështje. Është komisioni që e ndriçon vlerën e pasurisë në Ministrinë e Mjedisit apo Financave,” tha Vehapi.

Ai tregoi se vetëm pas shpronësimit mund të vazhdojnë veprimet tjera drejt shpalljes muze të shtëpisë së cilës i kanë mbetur në këmbë veç muret.

“Sivjet ne i kryejmë procedurat pastaj fillon shpronësimi dhe realizimi i projektit për konservimin dhe procedurat të tjera vazhdojnë në të ardhmen,” shpjegoi kryetari Vehapi.

Shaban Duraku, pronari i objektit ku ndodhi djegia e disave prej viktimave të masakrës së Krushës tha se me kryesinë e fshatit është marrë vesh që të ndërtohen mure të cilat do ta ndajnë shtëpinë ku ai jeton me familje nga ajo që krushjanët dëshirojnë të jetë muze.

“Unë me kryesinë e fshatit në dhjetor kemi kërku që me i ndërtu do mure që mos me pasë unë pengesë, mos me pasë mundësi me u pa karshi shtëpisë sime më kurrgjë,” tha Duraku për KALLXO.com.

Në masakrën e marsit të vitit 1999 të kryer nga forcat serbe u vranë 206 banorë të Krushës së Madhe të Rahovecit.

Në shkurt të këtij viti “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin që iu kushtua zhdukjes së gjurmëve të masakrës së Krushës.

Krusha e Madhe tashmë e ka shtëpinë-muze të filozofit Ukshin Hoti, një pjesë e së cilës është konservuar dhe pjesa tjetër e saj është rinovuar.

Ukshin Hoti që nga ish-regjimi serb u dënua me 5 vjet burg në vitin 1994, u lirua në maj të vitit 1999 dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Burri rrah gruan në Malishevë

0

Një person është arrestuar në Malishevë pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjetja arkeologjike në Sheshin e Lidhjes pa masa mbrojtëse kundër ngricave

0

Gjetja arkeologjike në Sheshin e Lidhjes në Prizren edhe gjatë këtij dimri ka mbetur pa masa mbrojtëse kundër ngricave. Kjo gjetje, ka mbetur e hapur prej vitit 2015, duke iu nënshtruar kushteve të jashtme, ndërkohë që ditëve të fundit është mbuluar nga bora dhe moti i ftohtë përkatësisht ngricat.

Instituti Arkeologjik i Kosovës gjatë vitit 2016 ka vazhduar gërmimet me karakter shpëtimi në Sheshin e Lidhjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një mbetje arkitektonike të periudhës klasike romake, përkatësisht të shekullit II-III. Njëkohësisht ka paralajmëruar mbulimin provizor të monumentit për ta mbrojtur gjatë stinës së dimrit.

Bazuar në vëzhgimin në terren, në këtë hapësirë nuk është vërejtur zbatimi i ndonjë mase mbrojtëse kundër borës e ngricave.

EC Ma Ndryshe përkujton se edhe një vit më parë pat reaguar, duke kërkuar aplikimin e masave mbrojtëse në këtë lokalitet arkeologjik, i cili qe zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë punimeve infrastrukturore në Sheshin e Lidhjes. Vitin e kaluar si pasojë e motit të ftohtë pat ardhur deri te shpërthimi i gypave të ujit që kalojnë nëpër këtë hapësirë, duke mbuluar kështu me ujë pjesë të caktuara të lokalitetit.

Prandaj, EC sërish i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë vlerë të trashëgimisë kulturore ta trajtojnë me seriozitet, të ndërmarrin veprime adekuate për mbrojtje gjatë të ftohtit, dhe në kohën më të shkurtër të fillojë trajtimi profesional i lokalitetit konform legjislacionit dhe praktikave të mira për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, në mënyrë që ai të vihet në shërbim të publikut dhe vizitorëve të Prizrenit.

Mafio-politika shuan shpresën për drejtësi

0

Sistemi i drejtësisë në përgjithësi thuajse tanimë është “dorëzuar” krejtësisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë veçuar se një drejtësi e tillë, veç të tjerash, po e rrënon edhe ardhmërinë e vendit dhe duke hedhur përtokë imazhin e tij si dhe nuk po e lë Kosovën që të ecë para në asnjë aspekt, pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenie për qytetarët.

Ndaj, është shtuar edhe dilema se a janë njerëzit e politikës dhe mafiooligarkisë ata të cilët e ‘bëjnë’ ligjin, e shkelin atë pa pasur kush t’u dalë para, por edhe shpeshherë qëndrojnë mbi ligjin, ngase kemi një sistem të drejtësisë të ‘kalbur’, që nuk ofron asnjë shpresë e perspektivë për vendin dhe qytetarët e tij ? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se mungesa e shtetit ligjor është pasojë e sundimit të krimit të organizuar dhe mafisë politike jo vetëm në drejtësi, por edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës në Kosovë.

” Një sistem i korruptuar i drejtësisë shuan çdo perspektivë në Kosovë, sepse ai përfshin institucionet e shtetit, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike dhe çdo sferë tjetër të jetës, derisa sistemi i drejtësisë, mafio- politika, krimi i organizuar dhe oligarkët janë të lidhur ngushtë dhe e pamundësojnë perspektivën e jetesës në Kosovë”, ka potencuar deputeti Adem Salihaj.

Drejtësia e ndikuar

Analisti Naim Kelmendi shprehet se kjo gjendje e gjyqësorit, por edhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë është për t’u rishikuar se ku duhet shëruar ‘sëmundjen’ e tij, dhe kjo, sipas tij, duke u reformuar me njerëz e kuadro të afta e të përgjegjshme dhe me integritet moral e profesional, duke hequr kësisoj, siç tha Kelmendi, nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë inkuadruar që një kohë të gjatë nëpër sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, derisa e kaluara e tyre, përveçse është e dyshimtë, ata nuk kanë bërë thuajse asgjë në drejtim të avancimit dhe të zhvillimit të drejtësisë, ngase, veç të tjerash, kanë dështuar edhe në zgjidhjen e shumë lëndëve që po ‘flenë’ në sirtarë tash e një kohë të gjatë. Por, sipas tij, njerëzit e tillë po ashtu nuk i japin askujt llogaridhënie për mospërgjegjësitë e tyre dhe për mospunën e tyre, duke e sjellë për rrjedhojë gjendjen thuaja kolapsike të mosgjykimit të lëndëve. Nisur nga kjo, Kelmendi nënvizon se thuajse tanimë sikurse sistemi i drejtësisë përgjithësisht është “dorëzuar” krejtë- sisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar.

” Pra, mjerisht gjendja e tillë lë shumë për të dëshiruar në funksionimin, efikasitetin dhe zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, derisa në anën tjetër ky është edhe treguesi më i mirë se sa larg standardit evropian është drejtësia jonë”, tha ai