11.5 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6085

Ish komandanti i operacionit “Shigjeta” i dërgon letër të hapur përfaqësuesve të OVL-së

0

Ish komandanti i D.T. Nr.2 në operacionin “Shigjeta” ka shkruar një letër të hapur për përfaqësuesit e OVL-së e UCK-së në Kosovë.

Ai përmes kësaj letre ka thënë se i dënon ashpër veprimet e përfaqësuesve të OVL-së të cilët dëshmuan se nuk përfaqësojnë zërin e tyre në mbrojte të vlerave të vërteta të luftës sonë të lavdishme, transmeton Indeksonline.

Kjo është letra e plotë e tij:

Letër e hapur drejtuar përfaqësueseve të OVL-ve në Kosovë

Nga: 1100 zëra të Veteranëve luftëtar të Drejtimit Taktik Nr.2, “Shigjeta” -ZO-Pashtriku

I nderuari Kryetar Gucati dhe antare te kryesis se OVLs ne Prishtine,

Se pari shprehim indinjatën tonë të thellë me atë se çfarë ngjau në Kuvendin e Republikës së Kosovës ndaj motrës dhe bashkëluftëtares sonë Aida Derguti. Kjo ngjarje na tronditi pa masë ne veteraneve të D.T. Nr.2 të Operacionit “Shigjeta”!

Ne pa përjashtim i dënojmë ashpër te gjitha veprimet e disa përfaqësueseve të OVL-së, të cilët na dëshmuan se nuk përfaqësojnë zërin tonë në mbrojte të vlerave të vërteta të luftës sonë të lavdishme. Gjuha e shprehur nga ata individë cenon rende dinjitetin e motrave tona luftëtare, respektivisht të bashkëluftëtares sonë Aida Derguti. Atyre qe nuk e njohin atë ua rikujtojmë se motra jonë Aida është shëmbëlltyrë dhe figurë e rëndësishme i historisë sonë me të re dhe vazhdon të jetë edhe sot. Ajo është shembulli me i mirë se si duhet mbrojtur vlerat e luftës sonë të lavdishme.

Se dyti, ne kuptuam se Qeveria jonë kishte paraqitur në Kuvend ndryshimet e Ligjit të Veteraneve të UCK-së, me qellim të ndarjes tashme të vetë kategorisë së Veteranit luftëtar, në disa kategori të tjera në baza kohore në mënyrë tejet diskriminuese. Në këtë pikë ne të gjithë e mbështesim fuqishëm kauzën e motrës sonë Aida Dergutin dhe të deputetëve të tjerë të Kuvendit, qe e ngritën zërin e arsyes dhe i thanë JO kategorizimit diskriminues të Veteranit luftëtar.

Të nderuar përfaqësues të vërtetë të OVL-ve, thirrni një herë e mirë mendjes dhe kujtojeni se çfarë interesi përfaqësoni. Kujtojeni sakrificën e bashkatdhetarëve tanë, të cilët që nga kontinenti i largët Amerikan, Australia dhe mbarë Evropa, iu përgjigjen shpalljes se mobilizimit nga Qeveria e Kosoves dhe kushtrimit dhe zërit të popullit për liri, deri në çlirimin definitiv të Kosovës!

Na thoni ju, kush nga ne e kishte menduar se lufta jonë e lavdishme do të përfundonte në një të ardhme të afërt. Për hir të së vërtetës kujtojeni betejën e Koshares dhe të Pashtrikut, ku ranë për të mos vdekur kurrë mbi 130 ushtarë tanë.

Luteni, mos shkelni mbi gjakun e tyre, mos shkelni sakrificën e ushtareve tanë, mos i diskriminoni ata. Kujtojmë, Ligji në fuqi edhe ashtu i ndan pjesëtaret e UCK-së, në Invalid të luftës, Veteran luftëtar, pjesëmarrës, pjesëtar dhe kontributdhënës. Bashkohuni edhe ju me zërin e arsyes sonë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë të lavdishme, për hir të gjakut të derdhur të dëshmorëve tanë të kombit.

Thuani JO kategorizimit diskriminues të Veteranit luftëtar të UCK-së.

Në emër të Veteraneve të D.T. Nr.2 të Operacioni të “Shigjeta”

Bilall Syla, komandant

Ndahet nga jeta Melihate Deva-Nura

0

Veterania e arsimit, mësuesja e devotshme, Melihate Deva-Nura u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, mëngjesin e 1 janarit 2017.

Melihate Deva ishte mësuesja e parë e shkollës shqipe në Mitrovicë, e cila arsimoi dhe edukoi shumë breza. Mësuesja Melihate Deva ka bërë një jetë të vështirë burgjesh e tragjedish familjare.

U lind në Mitrovicë në vitin 1924, në një familje patriotike dhe arsimdashëse. Fëmijërinë dhe rininë e saj e kaloi në vendlindje, në Mitrovicë. Ishte njëra ndër femrat e para të qytetit të Mitrovicës, që para Luftës së Dytë Botërore kishte mbaruar shkollimin fillor dhe të mesëm. Meqë në periudhën midis dy luftërave botërore nuk ka pasur shkolla në gjuhën shqipe, Melihatja u shkollua në gjuhën serbe. Më 1942 ndoqi edhe kursin pedagogjik në Prishtinë.

Pas kësaj menjëherë u emërua mësuese në shkollën fillore “Skënderbeg”, ku punonin edhe Lina Shkreli, Bedri Gjinaj, Ali Gaxha, Jorgji Shuteriqi, Gjon Kabashi e Zehra Zhubi. Kontributi i saj në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, sidomos në përfshirjen e femrave shqiptare të këtij mjedisi në shkollë, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Pas Luftës së Dytë Botërore u emërua mësuese në Gjakovë, por shpejt organet e OZN-së e burgosën për shkak të veprimtarisë së saj arsimore, kulturore e patriotike në Mitrovicë dhe në rrethinë. U lirua nga burgu me “urdhër” që të vazhdojë të punojë në shkollat shqipe të organizuara nga pushteti i ashtuquajtur “popullor”. Gjithnjë ishte e përcjellë dhe mbahej në shënjestër të organeve të pushtetit komunist. Sërish e arrestuan dhe e dënuan, por tash edhe për “fajet” politike të bashkëshortit të saj, Nevruz Nura. Pas lirimit të tij nga burgu, u shpërngulën në Gjilan, ku Me lihatja punoi mësuese e punëtore në Shkollën e Amvisnisë. Në vitin 1958, u vendosën në Prishtinë. Aty punoi edukatore në foshnjoren e qytetit derisa u pensionua.

Ajo do të mbetet ikonë e shkollës dhe e arsimit shqip në Kosovë e më gjerë. Vlerësimi dhe falënderimi për punën dhe sakrificën e saj është bërë në mënyrë institucionale. Me dekretin nr. 811 të dt. 11 prill 1994, presidenti i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, e dekoroi Melihate Devën për meritat në hapjen e shkollave shqipe në Shqipërinë Veriore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar (në vitet 1941-1944). Ndërsa, më 7 mars 2013, nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Melihate Deva-Nura u nderua me Medaljen Presidenciale të Meritës për kontributin e dhënë në emancipimin e gruas shqiptare përmes arsimimit dhe edukimit të saj.

Një rahovecian i lë bagëtitë pa ushqim, faji i mjeteve piroteknike

0

Në fshatin Qifllak të Rahovecit një person ka raportuar se si pasoj e mjeteve piroteknike i është djegur një sasi ushqim bagëtish.

Të lënduar nga ky rast për fat të mirë nuk kishte. /PrizrenPress.com/

Diçka e pazakontë i ka frikësuar banorët e Prizrenit natën e ndërrimit të moteve (Foto)

0

Ndezën fishekzjarre e festuan. Krejt kjo në ndërrimin e moteve.

Por diçka e pazakontë i ka shqetësuar banorët e Prizrenit.

Një lexues i Gazetës Express ka dërguar disa fotografi ku shihet një dritë e fortë në qiell.

Ka sqaruar se foto është bërë shumë kohë pasi u ndalën fishekzjarrët në atë qytet.

Nuk dihet se çka është kjo dritë misterioze.

Thotë se mund edhe të jetë ndonjë mjet piroteknik që qëndron në ajër.

‘Suus’, ende në mesin e 30 këngëve më të mira në historinë e Eurovizionit

0

Kënga mbetet absolutisht më e mira e përfaqësimit shqiptar në Eurovizion.

Sikur cdo fundvit, Wiwibloggs – një prej faqeve më aktive që përcjellë Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, ka publikuar listën e 250 këngëve më të dëgjuara të Festivalit me histori gjashtë dekadëshe.

Dëgjuesit votojnë për këngët e tyre të preferuara për të ardhur kësisoj në këtë listë, e cila mbrëmë ka nxjerrë 250 këngët më të dëgjuara këtë vit nga të gjitha këngët e festivalit ndër vite.

Shqiptarja Rona Nishliu, e cila me këngën “Suus” përfaqësoi shqiptarët në Eurovisionin e vitit 2012-të, vjen në pozitën e 24-të, ndërsa vitin e kaluar ishte në pozitën e 32-të.

Kënga mbetet absolutisht më e mira e përfaqësimit shqiptar në Eurovizion.

E në këtë listë të 250 këngëve më të mira në historinë e Eurovizionit shohim të tjera këngëtare shqiptare. Elhaida Dani, përfaqësuese e Shqipërisë në vitin 2015-të radhitet në pozitën e 63-të, Kejsi Tola në pozitën e 144-të, ndërsa Anjeza Shahini bën hyrjen e saj në këtë listë, në pozitën 191.

Juliana Pasha, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizionin e viti 2010 radhitet në pozitën e 223-të, ndërsa këngët tjera shqipe nuk kanë arritur të hyjnë në këtë listë.

1 (1) Loreen – Euphoria
2 (3) Il Volo – Grande Amore
3 (-) Sergey Lazarev – You Are The Only One
4 (-) Jamala – 1944
5 (16) Sertab Erener – Everyway That I Can
6 (-) Poli Genova – If Love was A Crime
7 (6) Pastora Soler – Quédate Conmigo
8 (5) Måns Zelmerlöw – Heroes
9 (25) Marija Šerifovic – Molitva
10 (2) Conchita Wurst – Rise Like A Phoenix

Në Prizren lind fëmija i parë i vitit 2017: Është djalë!

0

Në ora 6 e 50 minuta në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka lindur fëmija i parë në vitin e saponisur 2017. Fëmija është i gjinisë mashkullore, është lindur nga e ëma 26 vjecare, Nafije Pervizaj, ka peshë 2880 gr dhe gjatësi 48 cm. I porsalinduri është vizituar nga drejtori ekzekutiv, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, dhe drejtori i Infermierisë, Shyqri Hasani, shkruan PrizrenPress.

Drejtori ekzekutiv, në shoqërim edhe të ekipit kujdestar, ka përgëzuar nënën fatlume që ka lindur fëmijën, duke i dhuruar një buqetë lulesh dhe një lodër për fëmijën e sapolindur, duke e përgëzuar për shëndet dhe rritje e jetë të lumtur.

“Është një moment i veçantë kur këtu po vizitojmë fëmijën e parë të porsalindur. Sipas mjekëve kujdestarë fëmija dhe nëna janë me gjendje të mirë shëndetësore. Me këto dhurata modeste ne përgëzojmë dhe urojmë që fëmija të ketë shëndet, ndërsa nëna shërim sa më të shpejtë. Uroj që viti 2017 të jetë vit i sukseseve edhe më të mëdha, ndërsa ne do të mundohemi dhe angazhohemi maksimalisht për të krijuar kushte që Kosova ta ruaj strukturën me popullatë të re dhe të shëndosh”, – pohoi drejtori i ekzekutiv Spitalit të përgjithshëm të Prizrenit, Prof. Ass.Dr. Afrim Avdaj, duke përgëzuar dhe falënderuar edhe ekipet kujdestare që gjatë ditëve të festës janë në kryerjen e detyrës dhe në gatishmëri të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. /PrizrenPress.com/

 

Kosovën e presin dimra të acartë, deri në -30 gradë

0

Deri në vitin 2018 dimrat në Ballkan do të jenë të butë, ndërsa i ftohti i madh do të nisë të mbizotërojë prej vitit 2019 dhe temperaturat pritet të shkojnë deri në minus 30 gradë Celsius.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” fiziko-astronomi Rasim Bejtullahu, duke shtuar se i ftohti do të vijë nga Siberia, Rusia dhe Poli i Veriut.

Ai ka folur edhë për ndotjen e mjedisit, e cila në rend, sipas tij, në të parë është çështje e kulturës së banorëve, por edhe mosorganizimi në nivel qendror të shtetit.

“Në qoftë se udhëtoni nga Prizreni në Prishtinë ose nga Peja në Prishtinë, të dyja anët i keni të mbushura me shishe të plastikës, kjo është sa i përket ndotjes së tokës, a sa i përket ndotjes së ajrit këtu jemi duke i kontribuuar edhe me ngrohje me burime alternative dhe ato burime alternative që i shfrytëzon për ngrohje janë një kalori e dobët, ka pluhur, ka një djegie i cili gjysma është me dhe. Në atmosferë kemi mjaft sulfur dhe grimca të tjera të metalit kështu që apriori gjatë dimrit e pengon edhe procesin e frymëmarrjes, e pengon edhe aktivitetin e njeriut, por në anën tjetër krijon edhe sëmundje te ata, të cilët janë nga shëndetit të dobët, me vështirësi janë duke e kaluar”, tha Bejtullahu. /Zeri/

Kuvendi ka arritur ta ruajë funksionalitetin demokratik

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se viti që po lëmë pas ka qenë sfidues për institucionet dhe qytetarët.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Veseli ka theksuar se Kuvendi i Kosovës, me gjithë vështirësitë e shfaqura, ka arritur ta realizojë agjendën e vet legjislative. Kurse sa i përket debatit parlamentar, dallimet pozitë-opozitë, sipas tij, ka pasur momente që asnjëherë nuk do të duhej të shfaqeshin në kulturën tonë politike.

“Askujt që e do Kosovën gazi lotsjellës nuk i ka sjellë asnjë dobi. Ato pamje vetëm na kanë turpëruar në sytë e botës, ndërsa qytetarët i ka bërë të ndihen keq dhe të zhgënjyer me rrjedhat në vend. Ne jetojmë me demokraci dhe duhet ta kemi të qartë se metodat jodemokratike nuk mund të sjellin asnjëherë rezultate pozitive”, ka thënë Veseli, duke shtuar se, pavarësisht prej çasteve sfiduese, Kuvendi i Kosovës ka arritur të ruajë funksionalitetin demokratik.

I pyetur nëse ndonjëherë i ka shkuar mendja të japë dorëheqje për shkak të përplasjeve pozitë-opozitë, Veseli ka thënë se nëse situata do të kapërcehej përfundimisht me një dorëheqje individuale, kjo do të ishte puna më e lehtë por, sipas tij, ajo që shohim ka të bëjë më shumë me një prirje të qarqeve opozitare për të mohuar gjithçka që është arritur deri më tani në Kosovë. Duke folur rreth koalicionit qeverisës, Veseli ka thënë se PDK-ja është duke kryer me përgjegjësi të lartë pjesën e saj.

Ai ka bërë me dije se PDK-ja do të jetë e gatshme kurdoherë për zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet janë proces fundamental për demokracinë dhe, si të tilla, ato duhet të mbahen ose në afat ligjore, ose në raste specifike që i kërkon interesi imediat qytetar. Zgjedhjet nuk janë çështje e egove personale për pushtet. Ky është parim të cilin e respektoj në angazhimin tim politik e institucional. Në secilin rast që e përmenda më lart Partia Demokratike e Kosovës është e përgatitur në të gjitha nivelet për ta luajtur rolin e saj si partia më e madhe në vend e me përgjegjësinë më të madhe ndaj shtetit dhe qytetarëve”, është shprehur ai.

Veseli ka thënë se sukseset e vitit 2017 do të varen nga sjelljet politike të partive në pushtet dhe në opozitë.

“Nëse i lëmë anash inatet, ndërskamcat primitive, egot e tepërta dhe përqendrohemi në interesat vitale të vendit, sigurisht se viti që po vjen do të jetë shumë më pozitiv dhe progresiv për zhvillimet në vend. Unë besoj se kjo do të ndodhë. Kosova gjithmonë ka ecur përpara përmes frymës së bashkëpunimit dhe unitetit. Nuk kemi alternativë tjetër”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli. /Epoka e re/

Viti i grilave

0

Viti 2016 filloi me arrestime e përfundoi njëjtë nga aksione të ndryshme policore.

Duke filluar me arrestimet e 9 janarit, që erdhën nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë për një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe me Malin e Zi për demarkacionin kufitar, e duke vazhduar deri tek arrestimi i 59 zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për marrje e dhënie të ryshfetit, KALLXO.com me anë të një analize sjell top arrestimet e vitit 2016.

Arrestimi i dy protestuesve opozitarë të 9 janarit, Fidan Zymberit e Besnik Nezirit, erdhi pasi këta dy të fundit sipas policisë dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm në mënyrë frikësuese ose kërcënuese.

Besnik Tahiri dyshohej se pas eskalimit të protestës së 9 janarit ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të policisë dhe ndërtesave qeveritare, e Fidan Zymberi sipas një video incizimi shihet teksa ka në dorë një mjet të rrezikshëm me ç’rast në seancën gjyqësore të mbajtur për këta dy të fundit Drita Gashi, avokate e Fidan Zymberit tha se në materialet e përdorura si prova nga kjo protestë, nuk shihen qartë veprimet që kreu klienti të saj.

E nga janari në shkurt nuk ndryshojnë shumë gjërat, të paktën jo nga ana e subjekteve politike. Në muajin shkurt, policia me anë të një aksioni arrestoi zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje si Shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, zëdhënësin Frashër Krasniqi e duke u vënë në kërkim të dy zyrtarëve të tjerë Xhelal Sfeçlës dhe Salih Zybës.

Aksioni i policisë kishte të bënte me ndjekjet e zyrtarëve të Vetëvendosjes me rastin e demolimit të veturave të EULEX-it, në vitin 2009.

Prokuroria në atë kohë pati ngritur aktakuzë ndaj 27 personave, të gjithë këta pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në prill të këtij viti, policia e EULEX-it, ishte vënë pas ish- komandantit të UÇK-së dhe ish- deputetit të PDK-së, Azem Syla, i dyshuar ky për tjetërsim pronash në Veternik e Çagllavicë.

Tri ditë pasi policia e kërkoi në shtëpinë e tij, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Azem Syla, kishte vendosur t’i dorëzohet organeve të rendit dhe drejtësisë.

Në maj policia u vu në aksion për familjen Kqira, familje kjo e cila dyshohej për fajde.

Në këtë aksion policia arriti që të arrestojë shtatë persona e nga kjo ngjarje në Prizren, u sekuestruan një hotel, një restorant dhe një pronë luksoze.

Natën e 4 gushtit ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë hedhëse e nga kjo u arrestuan gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit të cilët sipas policisë organizuan dhe sulmuan kuvendin.

Në fund të shtatorit e në fund të tetorit pati arrestime nga ana e policisë së Serbisë.

Në shtator u arrestua Drejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës Nehat Thaçi, MBP kishte thënë se Thaçi u arrestua për terrorizëm.

Në muaj më pas Policia Serbe arrestoi një person tjetër Hilmi Kelmendin, nën dyshimet se kishte qenë pjesë e një rrahje ndaj një familjeje të komunitetit ashkali në kohën e luftës.

Disa ditë më parë Inspektorati i Policisë së Kosovës, arrestoi 59 zyrtarë policorë nën dyshimin se këta të fundit marrë ryshfet ose u kanë dhënë ndihmë kryesve të mundshëm. /Kallco.com/

Bob Dylan – këngëtari që nuk flet, por që ua mori shkrimtarëve Nobelin

0

Në një qytet të vogël në mes të Europës, Bob Dylan mban koncertin e radhës. Kushedi për të satën herë ballafaqohet me publikun. Ndonjëherë mendoj se ai tashmë është shndëruar në një robot dhe nuk ka fare ndjenja përballë njerëzve, por pasi fillon të luajë, e kuptoj se perceptimi ka qenë i gabuar. Në skenë ai është i heshtur dhe krenar. Nuk bën asnjë hap të pamenduar.

Dikur në moshë të re, përgjatë koncerteve ai e mbante publikun vazhdimisht në humor. Pas shumë vitesh, tashmë në një moshë të shtyer, ai nuk flet fare në skenë. Dhe kur them nuk flet, nuk e thotë as edhe një fjalë. Asnjë. Ka fituar nofkën “këngëtari qe nuk flet”. Ai hyn e del pa thënë asnjë fjalë. Fjalët e tij të vetme janë këngët.

Në anën tjetër publiku për shkak të respektit të “tepruar”, nuk ja zë për të madhe mungesën fjalëve. Aty-këtu edhe mund të dëgjosh ndonjë ankesë por shpejt ato humbasin nën tingujt elektrizues të kitarës. Në skenën ku interpreton të zë syri disa statuja të vogla që nuk dallohen të kujt janë. Duket se po nderon ndonjë hyjni greke ose thjeshtë po gjen mbështetje në figurat që e kanë frymëzuar në jetë. Këtë askush nuk mund ta di. Gjithçka mbetet në nivelin e supozimit dhe imagjinatës.

Koha tretet dhe koncertit i vie fundi. Me fundin e koncertit shtohen edhe pakënaqësitë në publik. Tani janë të një lloji tjetër. Askush nuk ankohet për heshtjen e Dylan-it, por publiku dëshiron të dëgjojë këngë nga koha e hershme e tij. Shumica e publikut janë në të 40-at apo 50-at. Ata duan të dëgjojnë këngët që e bënë të famshëm Bob Dylan-in dhe jo këngë qe ai i ka shkruar së fundmi. Këngët e reja askush nuk i di. Të pakët janë ata që i kanë dëgjuar. Por “këngëtari që nuk flet”, as që eçan kokën. Ai vazhdon deri në fund sipas planit, largohet nga skena pa thënë asgjë, dhe publiku mbetet i zhgënjyer sërish. Ka edhe nga ata që e quajnë arrogant. Zërat ishin të rrallë por tashmë kishin filluar. Arrogant?!

Dikush nga publiku thërret “Like a rollling stone”, diku tjetër veshi të kap një grup që fillon të këndojë “Don’t think twice”. Këta tituj janë disa nga këngët më të njohura të Bob Dylan. Këngë të cilat kanë shoqëruar jetët e të gjithë atyre që janë prezent në koncert. Ata duan të kujtojnë kohët e vjetra, dhe bashkë me ta edhe unë. Pyes veten:

A duam të dëgjojmë vetëm këngët apo duam të kthehemi pas në kohë?

Përgjigja është e vështirë. Në këtë përgjigje fshehet gjithë jeta. Gjendem përballë një dileme të thellë ekzistenciale. E kaluara, e pa jetuara, nostalgjia,… A janë këto forcat që na shtyjnë të gjithëve të revoltohemi kunder ‘idhullit’ tonë? Kundër atij që me këngë na e lehtësonte përballjen me veten? Eshtë e paimagjinueshme që pas kaq shume kohësh, dhe pas kaq shumë pritjesh, ja më në fund je përballë ‘idhullit’ tënd dhe në fund del kundër tij. E përçmon dhe e quan me fjalë nga më të ndryshmet. A është ky një përçmim ndaj së vërtetës?

A mos valle ne nuk donim të dëgjonim Bob Dylanin, por të pajetuarën tonë. Të djeshmen të cilën ende nuk e kishim kaluar. Sado që mund të duket e largët, dhe e tejkaluar, ajo na shfaqet kohë pas kohe, e paftuar, për të na thënë se ende kemi punë drejt vetes. Prania jonë aty ishte ballafaqim me të kaluarën dhe këtë të kaluar me së miri na e kujtonte Bob Dylan, ai që vetë e kishte kaluar të djeshmen e tij. Zatën, prandaj ne ishim turma dhe ai ishte një dhe i vetëm? Vetmia dhe heshtja e tij ishin të papërballueshme për ekzistencën tonë. Nga mosperfillja e tij neve na ishte larguar objekti i varësisë, ne ndjeheshim pa “Budën” tonë; ai tashmë kishte marrë rrugë tjetër.

Në të dalë të vendit ku u mbajt koncerti, një muzikant me flokë të gjata dhe të palara po këndonte. Të shumtë ishin të grumbulluarit rreth tij. Ai siç edhe pritej, po këndonte këngët e Bob Dylanit, por ato këngët e hershme të tij. Ai po këndonte atëçfarë Bob Dylan nuk këndoi dhe atëçfarë të gjithë donim. Entuziazmi mes njerëzve ishte i madh. Të gjithë këndonin bashkë me këngëtarin. Askujt nuk i bëhej vonë për cilësinë e zërit, por mjaftonte që ai të këndonte atë çfarë ne dëshironim. U ndala edhe unë. Më shumë se vetë këngëtari në fjalë, më interesonte vetja dhe te tjeret.

Kishte momente që këngëtari i panjohur komplimentohej më shumë se vetë Bob Dylan. Kishte momente që e shijoja interpretimin e tij, por herë herë më vinte ndonjë ndjenjë neverie. Nuk mund të kuptoja me arsye pse ky adhurim ndaj një pseudo-këngëtari. Ai madje as këngë të tija nuk luante. Ai po e shfrytëzonte pakënaqësinë e publikut për të fituar para.

Ky këngëtar që bënte sikur këndonte, më vinte si një kopje e Bob Dylanit. Tamam si një kopje platonike e ideve. Konkretisht idesë më të lartë. Përderisa Bob Dylan ishte në maje të malit, ky gjoja këngëtar kishte zbritur në tokë. Kishte zbritur me qëllime materiale. Njësoj sikur të burgosurit e Platonit, që ishin të prangosur në shpellë nga prangat e empirizmit, ne ishim të prangosur nga e kaluara jonë, nga pamundësia për të vazhduar krah për krah me Bob Dylan. Të prangosur siç ishim, ne nuk mund ta kapnim Bob Dylan-in. Ai ishte një ide e cila madje as nuk mund të mendohej se ekzistonte e lëre më ta kapje. Ne ishim te pranguar nga historia, nga emocionet, nga nostalgjia. Ndërsa Dylan, kishte vazhduar rrugëtimin e tij, ai nuk ishte ndalur së krijuari.

Për shkak të mospërfilljes së tij ndaj nesh, Dylan shpesh quhej arrogant. Ai është arrogant sepse nuk i është përgjigjur pritjeve tona për të. Ai është arrogant sepse sjelljet e tij nuk janë në përputhje me sjelljet tona. Arroganca e tij është në fakt arroganca jonë ndaj tij. Ne e duam atë jo si është në vetëvete, por vetëm si projekt tonin. E duam iluzionin tonë tek ai. Sepse kur iluzionin e mishëron tek një gjigand si Dylan, ai-iluzioni, bëhet më i besueshëm. Me çfarë të drejte dikush mund ta quaj dikë arrogant?

Arroganca e Dylan ështe pamundësia e shoqërisë për tu përballur me të vërtetën. Për tu përballuar me dikë që i thyen ca rregulla, dhe të cilat me shumë dëshirë do i thyenim edhe ne. Në pamundësi, për shkak të dobësisë tonë, i’a mveshim tjetrit cilësi nga më të pështirat. Cilësitë e tij janë cilësitë tona.

Nuk mund të jetë arrogant dikush që të shtyn në mendim. Dikush që të bën të reflektosh mbi veten, jetën dhe të jetuarit. Pamundesia për të përballuar mendimin na bën ta quajmë arrogant. E si mund të jetë arrogant dikush që na fton ta jetojmë veten?

“A man is a success if he gets up in the morning and gets to bed at night, and in between he does what he wants to do.”–Bob Dylan