Home Blog Page 6094

Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi për vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaçit dhe Bilgin Ersojit

0

Shqyrtimi gjyqësor ndaj Eshref Shemallarit dhe djalit të tij Ejup Shemallari, të akuzuar për vrasjen e Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit, është shtyrë sepse kanë munguar dy dëshmitarët e ftuar për këtë seancë. Një nga dëshmitarët e paraparë për t’u dëgjuar në shqyrtimin e të martës ishte babi i të pandehurit Eshrefit, Ejup Shemallari,  ndërsa tjetri familjari i të njderit Ferdi, Xhevat Shishko.

Prokurori i rastit, Genc Nixha ka thënë se për dëshmitarin Ejup Shemallari, ka informata se gjendet për shërim në Gjermani, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet në mënyrë që i njëjti të vijë e të dëshmojë rreth raporteve momentale në mes të familjeve në konflikt.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, ka kërkuar ndihmën e gjykatës, që të sigurojë adresën e saktë të dëshmitarit të tyre, Xhevat Shishko, në mënyrë që të zhvillohet procedura në mënyrë normale.

Poashtu avokati Halimi, u ka dorëzuar trupit gjykues dhe prokurorisë, dokumentacionin e policisë mbi të kaluarën kriminale të të ndjerëve, Ferdi Shishkos, Haki Thaqit dhe Bilgin Ersojit, dhe ka kërkuar që të administrohet si provë. Halimi ka thënë se kjo do të vërtetojë gjendjen psikike të të akuzuarit të tij, para se ta kryejë veprën penale dhe duhet të merret parasysh në momentin  e vlerësimit të gjendjes dhe rrethanave në të cilat është kryer krimi.

Ndërsa avokati Betim Shala, i cili e mbron të akuzuarin Ejup Shemallari, ka thënë se nga foto-dokumentacioni i ekspertizës forenzike nuk vërehet se i mbrojturi i tij të ketë pasur armë në dorë.

Trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka marrë aktvendim me të cilin ka aprovuar kërkesat e prokurorit dhe mbrojtjes për ri-thirrjen e dëshmitarëve Ejup Shemallari dhe Xhevat Shishko për seancën e radhës. Ndërsa ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për administrimin e të kaluarës kriminale të viktimave duke e arsyetuar se nuk ka bazë ligjore.

Seanca e radhës është caktuar për 10 maj 2017, në ora 09:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila i ngarkon Eshref dhe Ejup Shemallarin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas organit të akuzës, Eshrefi dhe Ejupi, pas një historie të gjatë konflikti, kishin qëlluar për vdekje me armë automatike dhe pistoletë, viktimat Shishko, Thaqi dhe Ersoji.

Në shqyrtimin fillestar Eshref Shemalallri ka deklaruar se vet e ka kryer veprën, pa ndihmën e të birit Ejup. Poashtu edhe Ejupi nuk ka pranuar veprën e armëmbajtjes pasi që sipas tij, ai nuk ka pasur armë dhe nuk ka qëlluar në viktimat.

Të akuzuarit në fjalë, pas rastit të atentatit në viktima, për disa ditë, kanë qenë të arratisur e më pas janë dorëzuar./betimiperdrejtesi/

Shkolla e parë shqipe e Prizrenit, e vetme kundër serbëve dhe turqve

0

Një shkrim, që i kushtohet historisë së njërës prej shkollave më interesante shqiptare, asaj të Prizrenit. Me një përpjekje të madhe, ajo mundi t’i mbijetonte të gjithë presioneve. Madje, për të mposhtur qëndresën e popullsisë së Prizrenit kundër shkollës në gjuhën serbokroate, Vjena kërkoi dhe gjeti ndihmën e autoriteteve osmane dhe çuditërisht dhe të Vatikanit. Klerikët atdhetarë, njëri pas tjetrit, u transferuan nga Prizreni dhe u tërhoqën në Vatikan apo u dërguan me punë në vise të tjera…

Përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe dhe krijimin e shkollave kombëtare në trevat e Kosovës janë të kahershme, pa dyshim, të njëkohshëm me orvatjet që bëheshin në këtë drejtim në krahinat e tjera të vendit. Nuk është i rastit fakti që qyteti historik i Prizrenit, qendra e Lidhjes Shqiptare, bëhet qendër e këtij veprimi arsimdashës dhe thellësisht atdhetar.

Mësimi i gjuhës shqipe, në vend të italishtes, në shkollën e Prizrenit, të hapur nga Austro-Hungaria (pranë kishës katolike të këtij qyteti) ka filluar shumë herët nën drejtimin e klerikut atdhetar Ndue Bytyçi. Ky proces u shtri dhe në Gjakovë, Pejë dhe Janjevë. Kjo veprimtari arsimore ishte kryesisht vepër e klerikëve atdhetarë.

Logorecët në drejtim të shkollës

Më 1889 me përpjekjet e ipeshkvit Ndre Logoreci, drejtimi i shkollës u la në duart e nipit të tij, Mati Logoreci. Ky ishte një hap i madh përpara në rrugën e laicizimit dhe shqiptarizimit të mëtejshëm të kësaj shkolle. Ky ishte një sukses me rëndësi të madhe i shqiptarëve jo vetëm në fushën e arsimit. Ai qe rezultat i përpjekjeve që ushtronte popullsia atdhetare dhe arsimdashëse e Kosovës, rezultat i luftës këmbëngulëse për një shkollë kombëtare dhe laike. Këto aspirata dhe përpjekje patën parasysh si Vjena ashtu dhe Vatikani, të cilët me qëndrimin e tyre realist lejuan mësimin e gjuhës shqipe në disa prej shkollave të hapura dhe të administruara prej tyre në Shqipëri. Themi disa sepse numri i shkollave katolike ku jepej gjuha shqipe ishte disa herë më i vogël në krahasim me numrin e institucioneve katolike që vepronin në Shqipëri nën mbrojtjen e Perandorisë Habsburge. Ky numër arrinte në 220 institucione të këtij lloji. Përballë këtyre fakteve del dhe më në pah dukshëm roli që kanë luajtur klerikët atdhetarë si Ndue Bytyçi, Ndre Logoreci, peshkopi Pashko Trokshi, e të tjerë në këtë drejtim. Parë me këtë sy, duhet thënë, se hapat përpara që bënte mësimi i gjuhës shqipe në shkollat katolike ishte, në radhë të parë vepër e atdhetarëve shqiptarë, klerikë, arsimtarë dhe e besimtarëve, të cilët ditën të shfrytëzonin konjukturat e favorshme në fushën arsimore.

Me drejtimin që po merrte shkolla e Prizrenit përtërihej dhe përvijohej më tej një traditë e hershme e mësimit të shqipes në këto treva që lidhej me emrin e atdhetarëve si Pjetër Budi e të tjerë, traditë e cila u ruajt e gjallë. Nga ana tjetër, këto hapa në fushën e arsimit kombëtar ecnin krahas zhvillimit dhe thellimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në këto kushte shkolla e Prizrenit përparonte, numri i nxënësve rritej. Me gjithë propagandat e huaja përçarëse, shkolla, duke u ngritur mbi ndarjet fetare, filloi të ndiqej dhe nga nxënës myslimanë. Shkrimin dhe këndimin e gjuhës amtare filluan ta mësonin dhe prindërit e nxënësve. Një mësues i vetëm nuk mund ta përballonte gjithë ngarkesën dhe përkrah Mati Logorecit, në frontin e arsimit kombëtar u rreshtua dhe një mësues tjetër, Lazër Lumezi. Puna arsimore kryhej në kushte shumë të vështira. Abetaret dhe tekstet e tjera kopjoheshin me dorë me një durim dhe kujdes të jashtëzakonshëm dhe me një shkrim për t’u pasur zili. Kjo gjendje vijoi deri në fillim të shekullit, kur shkolla u pajis me një poligraf dhe sidomos pas ardhjes së teksteve të hartuar nga Ndre Mjeda, të botuar nga Shoqëria “Dija” e Vjenës.

Puna e mësuesve në shkollë mbikëqyrej rreptësisht nga autoritetet osmane. Xhandarmëria lokale bëri objekt ndjekjesh disa shënime të nxënësve, në të cilat bëhej fjalë për luftërat e popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë. Ishte viti 1897, kur në Kosovë po ngrihej lëvizja për rikrijimin e Lidhjes Shqiptare. Për t’u shënuar është fakti se u arrestuan jo vetëm mësuesi katolik i shkollës Mati Logoreci por dhe mjeku mysliman i bashkisë, Haki efendiu. Ky fakt flet qartë për mbështetjen mbarë popullore të lëvizjes edhe jashtë shkollës, që ndodhej nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë, sikurse shumica e institucioneve fetare e arsimore katolike. Situata e krijuar u kapërcye, siç na dëshmon studiuesi më i parë i historikut të kësaj shkolle etnografi i mirënjohur Rrok Zojzi në studimin e tij të mbetur në dorëshkrim “Ma e vjetra shkollë në Prizren”, me ndihmën e Lazër Lumezit dhe prindërve të nxënësve.

Presioni për shkollën

Përparimi i shkollës shqipe të Prizrenit po bëhej në një gjendje shumë të ndërlikuar si rrjedhim i mpleksjes së kontradiktave midis fuqive të mëdha në këtë zonë të Ballkanit. Vilajeti i Kosovës u bë arenë e rivaliteteve politike nga më të ashprat jo vetëm midis qarqeve shoviniste ballkanike por dhe midis shteteve evropiane. Depërtimi i misioneve fetare franceze deri në Prizren e shqetësoi së tepërmi diplomacinë e Vjenës. Ajo për hir të interesave më të gjëra të perandorisë dualiste, me ndihmën e Vatikanit, arriti në vitin 1892 të largonte nga Prizreni murgeshat franceze dhe në vend të tyre të sillte një mision klerikësh sllavë nga Zagrebi. Për t’iu kundërvënë misioneve katolike rivale në këtë rast atyre franceze, ata futën në shkollën e vajzave të Prizrenit mësimin e gjuhës serbokroate. Me këtë i hapej rrugë e gjerë përpjekjeve të shovinistëve serbë për asimilimin, gjegjësisht, për sllavizimin e popullsisë vendase. Ky akt jo rastësisht fillonte me shkollën e vajzave dhe s’ka dyshim që do të shtrihej edhe në institucionet e tjera arsimore e fetare që ishin nën kujdesin e protektoratit fetar austriak në këto treva të Ballkanit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk mund të rrinte indiferente para një perspektive të tillë të veprimtarisë arsimore në viset shqiptare. Përballë këtyre synimeve dhe veprimeve antishqiptare banorët e Kosovës, paq dallim besimi, vepruan menjëherë dhe me vendosmëri.

Pakënaqësia dhe revolta e banorëve të Prizrenit shpërtheu hapur. Ata bojkotuan shkollën e vajzave të administruar nga konsullata austriake dhe misioni fetar katolik sllav, sepse në të mësimi vazhdonte të jepej në gjuhën serbe. Prizrenasit shkuan dhe më tej. Në shenjë solidariteti ata nuk pranuan t’i çonin as djemtë në shkollën e mbajtur prej Austro-Hungarisë edhe pse mësimi këtu vazhdonte të jepej në gjuhën shqipe. Nxënësit, djem dhe vajza, për katër muaj deri në dhjetor të atij viti mbetën pa shkollë.

Në mbylljen e vitit shkollor më 1898 nga 70 nxënës u paraqitën veçse 15 prej tyre. Me mësuesit e shkollës së Prizrenit, me nxënësit dhe prindërit e tyre u bashkuan edhe klerikët atdhetarë Pashko Trokshi dhe Ndue Bytyçi. Për të mposhtur qëndresën e popullsisë së Prizrenit kundër shkollës në gjuhë serbokroate Vjena kërkoi dhe gjeti ndihmën e autoriteteve osmane dhe çuditërisht dhe të Vatikanit. Klerikët atdhetarë, njëri pas tjetrit, u transferuan nga Prizreni dhe u tërhoqën në Vatikan apo u dërguan me punë në vise të tjera. Përkrahësit e shkollës u arrestuan nga autoritetet. Priftërinjtë sllavë dhe të huaj mallkuan mësuesin Mati Logoreci dhe të gjithë banorët katolikë të qytetit, të cilët bojkotuan shkollën austriake të mbikëqyrur nga konsullata. Konsulli austro-hungarez në Prizren, siç shkruante Mati Logoreci aso kohe, ndërhynte “në qeveri që të mos varrosen katolikët e mallkuar në qimeterin (varrezën) e përbashkët, por popullsia qëndron e patundun”.

Të gjitha këto masa dhe presione nuk e thyen qëndresën e popullsisë atdhetare të Prizrenit. Përkundrazi ajo shkoi deri atje sa e bojkotoi për dy vjet rresht edhe kishën e qytetit të Prizrenit, e cila, siç duket, kishte kaluar plotësisht nën drejtimin e klerikëve të huaj, kryesisht sllavë. Ky bojkotim gjatë të cilit prizrenasit qëndruan të bashkuar, zgjati plot dy vjet, nga qershori i vitit 1898 deri në qershor të vitit 1900.

Kështu shkolla e djemve në Prizren u nda më dysh, Shkolla e konsullatës, me mësues Lazër Lumezin, ku megjithëse mësohej shqip, shkonin vetëm 16 fëmijë të nëpunësve të konsullatës, që qenë dhe të vetmit që frekuentonin kishën. Njëkohësisht vijoi mësimdhënien nën drejtimin e Mati Logorecit edhe shkolla e pare. Ajo u quajt siç dëshmonte Rrok Zojzi, “shkolla e popullit, t’atyne pa kishë”. Kjo shkollë e popullit kishte 60 nxënës, d.m.th. katërfishin e nxënësve që mbahej nga shkolla e konsullatës austro-hungareze.

Prifti sllav, të cilin prizrenasit filluan ta thërrisnin Magaroviç, me gjithë presionet që ushtroi në shumë forma, nuk mundi t’i bindte banorët që të shkonin në kishë. Ai jo vetëm i kërcënoi por dhe zbatoi kërcënimin e tij që të mos u pagëzonte fëmijët, të mos i vinte kurorë në kishë çifteve të reja, dhe të mos u përcillte as të vdekurit, sipas riteve të krishtera. Për dy vjet rresht të gjitha këto ceremoni prizrenasit i bënë pa prift. Kur ndonjë plakë shumë besimtare para vdekjes kërkoi që ta përcillte prifti, populli e paralajmëroi se po erdhi prifti nuk do të vijmë ne. Atëherë plaka tha: “ma mirë pa prift, se pa popull”.

Vendosmërinë e popullit të Prizrenit, në mbrojtje të gjuhës shqipe nuk mundi ta thyente as inspektimi i kryer në vend me këtë qëllim nga padër Zubaçi, padër Pacifiku dhe nga një prelat i tillë i lartë si emzot Guerini.Në mbështetje të protestave të Prizrenit për mbrojtjen e shkollës kombëtare u ngritën dhe Peja, Shkupi, Janjeva dhe Gjakova, pa dallim besimi. Shkolla popullore dhe kombëtare e Prizrenit e drejtuar nga Mati Logoreci mbahej me ndihmat materiale e morale të banorëve të qytetit dhe të viseve për rreth, si të krishterë ashtu dhe myslimanë.

Ky proçes i thellë i kombëtarizimit të shkollës së Prizrenit po kryhej jo rastësisht në një kohë kur Kosova po bëhej rishtazi qendër e ngritjes së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kërkim të autonomisë së Shqipërisë. Sapo qe mbajtur nën udhëheqjen e Haxhi Zekës, Kuvendi i Pejës për ripërtëritjen ashtu sikurse 22 vjet më parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kuvendi i Dibrës që u mbajt ato ditë, në vijim të këtyre përpjekjeve parashtroi kërkesa të tilla në fushën e arsimit, të cilat synonin të përgjithësonin dhe të legalizonin në shkallë kombëtare të gjitha ato përpjekje që po bëheshin anë e kënd vendit për hapjen e shkollave shqipe, dhe konkretisht atë çka po ndodhte edhe në Prizren në ato ditë me shkollën shqiptare të atij qyteti.

Qëndrimi i vendosur i popullsisë së Prizrenir në mbrojtje të shkollës kombëtare kundër politikës së tërbuar antishqiptare të shovinizmit pansllavist dhe të mbështetësve të saj qofshin këta dhe koniunkturorë, vazhdonte të gjente përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të popullsisë së mbarë Kosovës, (nga Gjakova e deri në Shkup). Mësuesi i shkollës atdhetari Mati Logoreci vlerësoi lart në mënyrë të veçantë mbështetjen me armë në dorë të malësorëve të Gjakovës. Ai shkruante, se “ata nuk janë gjin qi durojnë, pse nër ta luan martina”. Përballë qëndresë së vendosur të popullsisë së Prizrenit në mbrojtje të shkollës shqipe, kundër përpjekjeve të armiqve për sllavizimin e saj, Vjena dhe Vatikani u detyruan të mbanin një qëndrim më realist dhe ta tërhiqnin misionin fetar kroat nga Prizreni dhe të kthejnë priftërinjtë shqiptarë atdhetarë me në kryepeshkopin Pashko Trokshin. Kjo qe një fitore shumë e madhe e forcave atdhetare dhe arsimdashëse të Kosovës jo vetëm në fushën arsimore.

Përballë ndjekjeve të ashpra dhe rrezikut të mbylljes së “shkollës së re kombëtare”, siç quhej shkolla e Prizrenit e drejtuar nga Mati Logoreci, atdhetarët të detyruar nga rrethanat dhe të kënaqur në shkallë jo të vogël nga largimi i murgeshave dhe të mësuesve sllavë nga shkolla e vajzave, parapëlqyen, për arsye të kuptueshme, bashkimin e saj me shkollën e djemve të hapur dhe të mbajtur nga konsullata austro-hungareze. Mati Logoreci vazhdoi të shërbente në këtë shkollë deri më 1903, pra afro 14 vjet. Për këtë arsye megjithëse me origjinë shkodrane, ai u quajt “Atdhetari i Kosovës” dhe me kete cjlësim bashkëqytetari i tij Luigj Gurakuqi i kushton një poezi.

Pas dëbimit të misionit fetar sllav dhe heqjes së mësimit të gjuhës serbokroate nga shkolla a vajzave, ky qëndrim i shërbente si dhe më parë jo vetëm përhapjes së leximit dhe shkrimit të shqipes, por mbi të gjitha i shërbente rikonfirmimit të identitetit kombëtar e të karakterit etnik shqiptar të trevave ku zhvilluan veprimtarinë e tyre këto shkolla. Këtë fakt do ta kishin tash e mbrapa më mirë parasysh dhe qendra të tilla politike dhe fetare si Vjena dhe Vatikani. Lufta që zhvilloi Prizreni për shkollën kombëtare shqipe në këto vite kundër synimeve dhe ambicieve shoviniste (sllave) kishte një rëndësi jetike për fatin e ardhshëm të këtyre anëve.

Shkolla shqipe e Prizrenit nuk duhet parë me sy mospërfillës, siç ka ndodhur në të kaluarën jo të largët. E konsideruar si një shkollë e huaj e hapur dhe e mbajtur nga Austro-Hungaria dhe nga kleri katolik, shkolla e Prizrenit dhe pse e drejtuar nga arsimtarë atdhetarë, me shumë vështirësi mundit të zinte vendin e vet të merituar, midis përpjekjeve të patriotëve për përhapjen e mësimit shqip. Ishte një kohë, kur, duke bërë fjalë për historinë e arsimit kombëtar, rreshtoheshin (jo pa të drejtë) edhe përpjekjet më të vogla për hapjen e shkollave shqipe anë e kënd vendit. Edhe pse përpjekje të tilla nuk arritën të sendërtoheshin për ta gjindej vendi në tablonë historike të arsimit kombëtar, ndërsa për shkollën e Prizrenit heshtej në vend që ajo të renditej me dinjitet, ashtu siç i takonte, përkrah shkollave të para kombëtare shqipe. Një qëndrim i tillë mbahej në një kohë kur në shtypin periodik e të përditshëm, qysh në vitet gjashtëdhjetë ishte çarë, si të thuash, akulli dhe kjo shkollë, mund të thuhet, kishte fituar, përkundrejt shumë paragjykimeve, të drejtën e qytetarisë.

Megjithatë emri i Mati Logorecit nuk kishte arritur të radhitej deri kah mezi i viteve shtatëdhjetë përkrah emrave të atdhetarëve të tjerë të shquar në fushën e përhapjes dhe të konsolidimit të arsimit kombëtar shqiptar. Gjithë kjo, me sa duket, për shkak të mendimit të diktuar nga politika dhe idelogjia sunduese që mbizotëronte aso kohe, se pse Mati Logoreci shërbente në një shkollë të mbajtur nga Austro-Hungaria, shkollë e cila i shërbente “depërtimit” të saj “paqësor” në Shqipëri. Për më tepër ajo vazhdonte të konsiderohej, me që ndodhej nën drejtimin e klerit katolik, si shkollë katolike gati fetare. Koncepte të tilla që venin shenjën e barazimit midis politikës së fuqive të huaja në Shqipëri dhe përpjekjeve të atdhetarëve për shfrytëzimin e çdo mundësie për hapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe pengonin vlerësimin real të këtyre shkollave dhe të mësuesve dhe të klerikëve atdhetarë që punuan me përkushtim në to. Koncepte të tilla tejkalonin dhe vijën e partisë shtet lidhur me trajtimin e politikës së Fuqive të Mëdha apo dhe të Vatikanit në Shqipëri. Një qëndrim i tillë nga historiografia zyrtare e shkollës shqipe mbahej në një kohë kur mësues, veteranë, studjues të historikut të shkollës kombëtare si Siri Shapllo, Rrok Zojzi, Halim Shpuza kishin arritur të venin në pah mjaft mirë kontributin e Mati Logorecit, të Pashko Trokshit dhe të shkollës së Prizrenit në tërësi. Për ta bërë të mundur këtë gjë atyre u ishte dashur të kapërcenin mjaft vështirësi, midis tyre dhe ndonjë pretendim absurd.

Konceptet ideologjike dhe politike që mbizotëronin aso kohe, me gjithë përpjekjet për një vlerësim sa më të drejtë të kësaj faqeje të historisë së arsimit tonë kombëtar, bënë që të mos merrej në konsideratë propozimi për kremtimin, siç duhej, të 100-vjetorit të shkollës shqipe të Prizrenit. Dhe kjo ngjarje sa kulturore po aq dhe atdhetare jo e zakonshme, në një kohë kur Kosova përjetonte momente sa të rënda aq dhe vendimtare, po të lëmë në një anë ndonjë artikull përkujtimor, mund të thuhet, se u kalua pothuajse në heshtje. Nuk kaloi pa kundërshtime edhe përfshirja e zërit kushtuar shkollës së Prizrenit në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”. Këto kundërshtime u kapërcyen me këmbënguljen e akademikut Bedri Dedja.

Shkolla shqipe e Prizrenit dhe mësuesit që punuan aty shkruan faqe të lavdishme në historinë e arsimit tonë kombëtar. Kur flasim për mësuesit e kësaj shkolle, nuk kemi parasysh vetëm mësuesit më të parë të saj si Mati Logoreci e Lazër Lumezi por dhe ata që shërbyen më vonë aty si Kolë Kodheli, Kolë Rrota, Ndoc Lezhja, Palokë Traboini, Serafin Mitroviqi, Luigj Kromoqi, Lukë Lukaj dhe të tjerë të pavlerësuar, me sa di unë, deri në ditët tona.

Rëndësia e shkollës së Prizrenit nuk qëndron, për mendimin tim vetëm në fushën e arsimit. Vepra e mësuesve atdhetarë të saj e mbështetur fuqimisht nga popullsia atdhetare dhe arsimdashëse jo vetëm e qytetit por të mbarë Kosovës pa dallim besimi dëshmoi dhe një herë se shkolla shqipe nuk ishte vetëm vatër dije dhe kulture, vatër e rritjes dhe e përforcimit të ndërgjegjes kombëtare të masave të popullit, vatër e bashkimit kombëtar të mbarë shqiptarëve pa dallim besimi. Ajo qe gjithashtu, siç e tregon gjithë jeta e kësaj shkolle, dhe front i avancuar i luftës së popullit tonë për ruajtjen e identitetit kombëtar të etnisë shqiptare në këto treva, të kërcënuar nga lakmitë shoviniste të qarqeve sunduese fqinje të përkrahura nga fuqi të mëdha në një mënyrë apo në një tjetër. Në këtë luftë, duke vënë, si gjithnjë kombësinë mbi ndjenjat fetare, me të cilat kërkonin të manipulonin armiqtë e popullit tonë, popullsia e Prizrenit nuk ngurroi t’i kundërvihej në rrafsh politik dhe kishës të manipuluar nga kleri i huaj antishqiptar. Ndjenjat fetare ajo ia nënshtroi plotësisht për dy vjet rresht interesave kombëtare. Parë me këtë sy, rëndësia e shkollës shqipe të Prizrenit i tejkalon së tepërmi caqet e historisë së arsimit tonë kombëtar.

Rrugën e shkollës së parë shqipe të Prizrenit e ndoqën shkollat e Pejës, të Gjakovës, Janjevës, Zymit, Ferizajt, Letnicës, Shkupit, Porozhanit etj. Rrugën e mësuesve atdhetarë Mati Logoreci, Shtjefën Gjeçovi, Lazër Lumezi, Ahmet Gashi, Zekerija Rexha e të tjerë e ndoqën me dhjetëra e qindra arsimtarë. Në këto shkolla u arsimuan dhe u edukuan luftëtarët e vetëdijshëm dhe të vendosur të pavarësisë së plotë të atdheut dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve./Prof.Gazmend Shpuza/

Grushtohen policët në gjykatën e Prizrenit

0

Një person është arrestuar në Prizren, pasi i njëjti gjatë një seance gjyqësore ka fyer gjykatësin, si dhe ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë duke iu shkaktuar lëndime trupore.

“Policët kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Klan Kosova.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Fyen dëshmorët e kombit, arrestohet një person në Suharekë

0

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar të dyshuarin mashkull, pasi që i njëjti në bashkëpunim me një të dyshuar tjetër i cili gjendet në arrati, kanë përdoruar fjalë fyese pranë lapidarit të Dëshmorëve të Kombit.

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur në fshatin Luzhnicë të Suharekës.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Kadri Veseli debaton me studentët e UPZ-së

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një debat me studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Ai nga afër ka dëgjuar ankesat e studentëve, të cilat nuk kanë qen të vogla.

“Në Kosovë kanë ndodhur shumë zhvillime pozitive, por ende jemi larg objektivave të dëshiruara”, tha Veseli.

Ai për ngecje të prosperimit ka kritikuar kolegët politikanë, të cilët sipas tij po punojnë për interesa të ngushta, e jo për mirëqenien e qytetarëve dhe prosperimit të rinisë dhe shtetit të Kosovës.

Për këtë çështje, ai ka dashur të dëgjojë shqetësimet, vërejtjet dhe sygjerimet e studentëve të Prizrenit.
Ndërkaq , studentët shprehen shqetësime për gjendjen aktuale të rinisë, për mungesë të perspektives si rrjedhojë e shumë zhvillimeve negative në Kosovë, u ankuan ata./TV Prizreni/

Prizren: Ngrihet aktakuzë për dileren e drogës

0

Prokuroria Themelore ne Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarës A.Sh., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 të KP-ës.?

Sipas aktakuzës, e pandehura A.Sh. me datë 17 janar 2017, në pikën kufitare të Vërmicës, është gjetur se pa autorizim ka transportuar me qëllim të shitjes apo të shpërndarjes substanca psikotrope të llojit marihuanë të cilët me ligj janë shpallur si narkotik.

“Po ashtu, pas ndalimit të akuzuarës A.Sh. në pikën kufitare të Vërmicës, në hyrje nga Shqipëria për në Kosovë dhe pas kontrollimit të detajuar i është gjetur një qese e madhe prej letre, pronë e të akuzuarës e cila në brendi kishte dy paketime me lëndë psikotropike të llojit marihuan me një peshë prej 1.152,91 gram dhe 860.34 gram si dhe një qese e vogël me peshë 3.32 gram, me peshë të përgjithshme prej 2.016,57 gram”, shkruan në njoftimin për media të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Pas ekzaminimit të mostrave në laborator të këtyre sasive të gjetura tek e akuzuara, është vërtetuar se lëndët narkotike janë të llojit canabis (marihuanë).

Me këto veprime e akuzuara A.Sh. ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 të KP-ës.

MAPL mbështet komunën e Dragashit në projektin e ndërtimi të Shtëpisë së Kulturës

0

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj dhe Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për mbështetjen financiare të projektit “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Dragash”.

Nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit u realizua në kuadër të mbështetjes financiare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për financimin e projekteve kapitale në komunat e Kosovës.

Llora

0

Poemë e shkruar nga Ismail Kadare.

Prapë m’u kujtove, Llora.

Dashurinë tonë të shkuar

Prapë ripërtyp

Si demi që ripërtyp barin e livadheve të largët

Natën

Në grazhdin e rrethuar nga bora.

Po ripërtyp

Atë asfalt e zhavorr të zi kërrcitës,

Boritë dhe katrorët mizëri të taksive,

Tabelat e kafeve plot dritë,

Afishe, stacione metrosh

Ku me ty brodha

Nofullat e zemrës

Më dhëmbin

Llora.

 

 

-II-

Tani shiu godet me shkelma xhamave.

Atje qielli si negativi i zi i një shkretëtire.

Llora,

Më ka marrë malli,

Mall bojë hiri.

Tani nata si një mbulesë vigane

qëndisur me drita anëve

Karrfosur me paralele dhe meridiane

Nga lindja në perëndim,

Na mbulon e shqetësuar.

Ne shtrihemi nën të,

Si në ethe zbulohemi

Të ndarë,

Të largët,

Të vetmuar.

Pati netë

I qullur nga stuhia jote

Heshtja pranë teje dhe pasjonit të marrë

Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua

Si mbi një kryq të madh

Të bardhë.

Në fillim e mora kaq lehtë.

Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.

S’e dija se dhjetë vjet me i ri se Krishti

Do të kryqëzohesha mbi ty.

 

 

-III-

Ja

Vetëtimat e bardha në qiej

Adresën tënde shkarravisin.

Sikur këto re

Të përhimta

Të ngarkuara

Te ti dërgoja si letra, Larisa.

Letra …

Nga tërë letrat që shkrova

S’di pse të dërgova atë më të marrën

Pas së cilës si personazh Dostojevski

Të thashë njëqind herë “më fal!”

Me pas atë faj për ta shlyer

Doja të të shkruaja por më kot.

Lapsi më ngrinte mbi letër

Dhe unë ngrija si robot.

Ti u ngryse kur ta shpjegova,

Vështrimi t’u err, t’u mpi,

Si sytë e falltarit kur pikasin

Midis fallit kumtin e zi.

Diçka qe prishur në botë

Në zemrek të saj, në aks.

Ikje e letrave si e zogjve

S’parandillte veç dimrin plak.

 

-IV-

Kështu pra te ti nisja këto re

Gjer në vilen tënde në rrethinë të Moskës.

Ti në mesnatë e hutuar atje

Do të çoheshe nga gjumi

Tek xhami t’afroheshe:

Ç’ndodh kështu?

Ç’është kjo gjëmë,

Ky shi her i mërzitur, her i rreptë,

Këto vetëtima,

Këto rrufe?

Dhe do të rrije gjithë natën tek dritorja

Retë të dëshifroje,

Llora.

 

-V-

Zor se në jetë do të takohemi.

Adresat humbën,

S’ka më letra.

Ti mjegullat,

Unë retë

Do t’i dërgojmë njeri-tjetrit

Gjersa dhe vetë

Të mjegullohemi.

 

-VI-

Më kujtohet, gazetat hapa në mëngjes

Si një tërbim, si një shkulm ere,

Shkronjat vallëzonin si në ethe:

Prerje. Prerje. Prerje.

Prerje mardhëniesh diplomatike

Kurrë s’do të shoh ty.

Ambasadat u mbyllën.

Pasaportat,

Vizat

Ramë në zi.

Mbi ijet e tua të bardha

Ra pluhur.

Mbi sytë e tu.

Larisa diplomaticeskaja

Ç’ndodhi në botë kështu?

 

-VII-

Qëndrova përpara globit.

Ballin e nxehtë mbështeta

Mbi rrudhat e meridjaneve

Do të desha të pija me globin,

T’endeshim të dy të dehur,

Ai mes kozmosit,

Unë rrugicave të Tiranës.

 

-VIII-

Nga erdhi kjo dashuri

Në kohen kur turp më vinte nga fjalët.

Ishte me siguri si ndëshkimi

I atij që me tempullin tallet.

Njohja në stacjonin Konsomolskaja

Banale si rrallëherë ish

Numri i telefonit shkarravitur shkujdesshëm

Me të kuq buzësh

Barbarisht.

Restorant Leningradi

Shampanjë

Snobiz^ëm i dyanshëm.

Kotni.

Perlat, secili, pse vallë

Përpiqej t’i fshihte në thellësi?

Një të kollur si prej prostitute

Ajo nxirrte orë e çast si mburojë,

Ndërsa unë ngul këmbë se nga lirat,

Merrja vesh më pak se nga futbolli.

Veç te port e shtepisë

Nën ca jargavane

Ajo psherëtiu njerëzisht

Dhe iku me vrap pas puthjes së parë

E kthyer në madonë sërisht.

 

-IX-

Gjithë naten fluturuam mbi qytetet e Evropës

Natën avjoni u ul n’aeroport.

Ç’pati mes nesh,

Llora,

Harresë, ftohje, abort?

Tek dera e avjonit era të priste.

Zemra ime me dëborë u mbush

Si një vetmi e madhe zbrisja

Po n’aeroport.

Askush.

askush.

Hamej, merrini këto valixhe.

Të rënda?

Janë mbushur me pritje.

Gjithë natën fluturuam mbi qytetet e Evropës

Ti s’dija ç’kishe, s’më prisje.

 

-X-

Në kafe artistike bashkë jemi prapë.

Jashtë dëbora ruse.

Brenda ti.

Shkrofëtin brenda meje geni i rracës:

Prapë me sllaven bën dashuri.

Pusho, gen i vjetër i rracës,

Në thellësi, në humnerë hesht,

Nëse jetës sime do t’i duhej një kryq

Kryqi im ajo le të jetë.

 

-XI-

Dhe ja gdhiu mëngjesi plot gazeta.

I ngrysur, shpresëpak, shtetëror,

Kemi flakur të dy mburojat,

Si qelqi të thyeshëm jemi prore.

Ku janë ditët e shkujdesshme.

Të djelat mendjelehta, të martat,

Kur ti me shthurjen unë me injorancën

Vërtiteshim si me maska?

Tani që të tjerët rresht vunë maskat

Ne papritur i hoqëm ato

Fishkëlle, ulëri erë e marrë,

Orën e ndarjes këndo!

 

-XII-

Ndarja …

Një fjale goje

Por ndarja është e rëndë, shpirtin ta qit.

Të ndërtosh një ndarje për të qenë

Ësht’ m’e zorshme se të ngresh një piramidë.

Si yjet janë vërtetë dashuritë,

Kërkojnë hapsira të mëdha e po aq mund.

por jet e njeriut s’është galaktikë

Që të nxejë kaq yje e katastrofa e shkrumb.

Në jetën e ngushtë koha vërtet s’mjafton

Për dashuri,

Për ndarje,

Harresë.

Pleksen dashuritë dhe ndarjet dhe harrimi

Këngëtor i thinjur shëtitës syqorruar…

Era e nëntorit

Librin e tretë të vjeshtës

Shfleton dhe mbyll duke uluritur trishtuar.

Të gjitha këto rikujtoj

Ripërtyp.

Në dhëmbë gurët e pendimit më kërrcasin,

Asfalti i zi më varet nofullave të lodhura.

Kështu pra, Larisa, moskovitja.

Kështu pra, Llora.

Lamtumirë Arsenal, Xhaka rikthehet në Bundesligë

0

Granit Xhaka mund të rikthehet në Bundesligë gjatë verës.

Arsenali mund të ndahet me Granit Xhakën gjatë kësaj vere. Lojtari nuk ka bindur me paraqitjet e deritanishme në Londër dhe ka gjasa që të largohet nga Emirates, shkruan The Sun.

Londinezët kanë pritur më shumë nga përfaqësuesi i Zvicrës, i cili u ble nga Borussia Mönchengladbach për 45 milionë euro

Sipas The Sun, ish-anëtari i Baselit pritet të rikthehet në Bundesligë, ku interesim ka shfaqur gjiganti gjerman, Bayern Munich.

Madje, interesimin e Bayernit për Xhakën e ka konfirmuar edhe ish-selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld.

“Bavaria e ka Xhaka në radar. Xhaka është gjithmonë një temë e bisedës për klubet e mëdha dhe zhvillimi i tij ende nuk ka përfunduar”, ka deklaruar për Bild ish-trajneri i Bayernit.

Zafir Berisha: Bandat po i djegin lokalet afariste

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ka komentuar zjarrin që ka shpërthyer në “Shatërvan” të Prizrenit. Sipas tij, shkaktarët e këtij zjarri janë bandat e parapolitikës.

Postimi në Facebook
Bandat e parapolitikes dhe haraçit në Prizren janë futur në rivalitet, duke i vënë zjarrin lokaleve afariste, që janë pronë publike, ku janë duke e rrezikuar jetën dhe biznesin e qytetarëve prizrenase.

Zjarrvënja në disa lokale afariste që po ndodhë ditëve të fundit në Prizren, është tregues i çartë se menaxhimi jo i drejtë me pronen publike nga pushtetarët aktual, po tregon fytyren e vërtetë të tyre të cilët për interesa të gjepave të bandave po e terrorizojnë qytetarin e Prizrenit…
Zafa