Home Blog Page 6169

57 vjet nga vdekja e Albert Kamysë

0

Data 4 janar e vitit 2017 shënon 57 vjetorin e vdekjes së filozofit, shkrimtarit e gazetarit Albert Kamy.

Nobelisti Kamy u largua nga kjo botë në moshën 46 vjeçare. Ai ishte nga ata francezë të vendosur prej kohësh në koloninë e dikurshme franceze, në Algjeri.

I sëmurë nga tuberkulozi që në adoleshencë, kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të pasur një jetë si gjithë të tjerët.

Pasioni i tij ishte gazetaria, ku filloi që në Algjeri, përmes Alger Republicain, Ce Soir e gazeta të tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë, e cila do ta bënte një njeri të njohur të Rezistencës franceze.

Që në vitin 1935 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste franceze, por në vitin 1937, meqë ai kishte mbrojtur qëndrimet nacionaliste të disa algjerianëve, e cilësuan trockist dhe e përjashtuan nga Partia.

Sigurisht që në kujtesën e adhuruesve të letërsisë ai vjen gjithmonë si autori i kryeveprës me titull “I huaji”.

Në këtë përvjetor të vdekjes së tij ne sjellim në Gazetën Zëri një nga letrat që Kamy i shkruante dikur nënës së tij.

“Ti nuk më kupton, e, megjithatë, je e vetmja, e cila mund të më falë. Janë të shumtë ata, që bërtasin në të gjitha mënyrat e mundshme, se unë jam fajtor; dhe, kur ma thonë një gjë të tillë, e kuptoj se nuk është e vërtetë. Janë të tjerë ata, që kanë të drejtën për të ma thënë; dhe e kuptoj se është e arsyeshme të përpiqem të fitoj faljen e tyre. Po faljen ua kërkoj atyre, të cilët e di se mund të falin. Thjesht kështu. Të të falin, pa të kërkuar që ta meritosh këtë, që të presin. Por puna është që thjesht të flasësh me ta, të rrëfesh çdo gjë e të marrësh faljen e tyre. Atyre, të cilëve mund t’ua kërkoja, e di mirë se, në ndonjë kënd të zemrës, me gjithë vullnetin e mirë, fshehin pamundësinë e mungesën e dijes për të falur. Një njeri i vetëm mund ta bënte këtë, të kishte forcë të më falte, po kundrejt tij nuk kam qenë kurrë fajtor dhe i kam dhënë tërë zemrën; e sidoqoftë mund të nisesha për tek ai, e kam bërë shpesh këtë në heshtje, por ai tani ka vdekur e unë jam i vetëm. Ke mbetur vetëm ti, im më, po ti nuk më kupton e nuk mund të më lexosh. Kështu që po të flas, po të shkruaj, vetëm e vetëm ty; dhe kur të kem mbaruar rrëfimin, do të të kërkoj falje, pa dhënë shpjegime se përse. Dhe ti do të më buzëqeshësh”. /ZËRI/

Prizren: Të pish ujë me kambanë për t’u bërë i pasur

0

Në mesin e shumë zejeve që kanë ushtruar zejtarët prizrenas ishte edhe ajo e kambanave e zileve që vendosen edhe sot e kësaj dite në qafë të deleve apo të bagëtive të tjera. Profesor Dr. Nexhat Çoçaj, etnolog, është shprehur për “Kosova Sot” se kambana ose kumona, siç njihet në popull, vendoset për ta orientuar vathen. “Ajo i vihet ogiçit, lopëve e gjedheve, të cilat u prijnë deleve ose kopesë së lopëve dhe kjo për arsye që ato kope të mos kalojnë nëpër ara për shkaktuar dëmeve të fqinjëve. Sipas Çoçajt, kambanat e zilet kanë edhe një rol tjetër të rëndësishëm dhe ai është që ato largojnë syrin e keq.

Sipas tij, ato kryesisht janë punuar nga bakri që kanë pasur rëndësi të mos e lëndojë qafen e bagëtisë dhe për faktin se kurrë nuk ndryshken. Profesor Adem Morina shpjegon se kambanat (kumonat) kanë pasur rëndësi edhe në rajonin e Hasit për bagëtinë që mos të humben ato dhe të gjenden më lehtë. “Janë tradita shumë shekullore, ku banorët brez pas brezi trashëgojnë bile edhe muzikën baritore me fyej, cyla, longari dhe zilet e bagëtive”, shprehet ai. Çoçaj shpjegon se karvanëve ia kanë vënë zilet edhe për faktin se shtigjet ishin të ngushta dhe duhej pritur që ato mos të binin honeve. Sipas tij, në Has e Përdrini për kambanat (kumona) ka pasur edhe një rit se nëse fëmijët pinë ujë nga ajo apo zilja e një vathe të madhe në jetë do të jenë të pasur. Kambanat janë një simbolikë e besimit të lashtë ilir.

Prizreni dikur ka pasur shumë kambanarë

Sipas profesor Sylejman Randobravës, Prizreni dikur ka pasur disa kambanar që janë marrë me këtë zeje. Ai tregon se kambanat apo zilet i punonin shumë farkëtarë të Prizrenit, por, sipas tij, më të njohurit ishin farkëtarët e familjes Çukiqi. Farkëtari i kësaj familjes Rexhep Çukiqi tregon se ata kishin bakrin e mirë dhe punonin shumë kambana (kumona), por ato tash pak kërkohen. Shadan Shinik tregon për gazetën se dikur kishte shumë llogari të merreshe me prodhimin e kambanave, dhe, sipas tij, deri para lufte një kumonë e apo zile shitej deri në 40 marka gjermane. Shton se tash kërkesat janë më të vogla. Shiniku thotë se pos turistëve që i blejnë ato, blegtorët i blejnë secilën herë e më rrallë. Kurse farkëtari Rexhep Çukiqi tregon se tashmë nuk i punojnë më, ngase produktet e tilla i sjellin tregtarët nga Turqia. Thotë se dikur kishin përfitime të mëdha nga ky zanat. Çukiqi shprehet se për të tingëlluar kambanat sa më shumë, ato duhej bërë sa më të holla. “Pastaj duhej vënë edhe një rrumbullak çeliku që e dërgonte zërin deri në largësi. Mirëpo, pasi nevojat janë reduktuar shumë, tash edhe prodhimin e bëjmë vetëm me porosi, ngase materiali i bakrit është mjaft i shtrenjtë”, tregon Çukiqi.

Ujë nga kambana që fëmijët të bëheshin të pasur kur të rriteshin

Kambanat (kumonat) edhe në besimin e traditës kanë pasur një rol dhe rëndësi të veçantë, tregon Nexhat Çoçaj. Plaka Besire Berisha tregon për gazetën se dikur edhe fëmijëve të vegjël u vinin nga një zile të vogël, që ata të bëheshin të parët më të dalluarit dhe iu vihej fëmijëve për t’i larguar nga syri i keq. Berisha thotë se, sipas traditës, fëmijëve të vegjël rreth tre muaj u jepnin tri ditë ujë nga zilja apo kumonat, që të bëhen të pasur e të dalluar e apo që të mos i përcjell ndonjë e keqe. Sipas saj, edhe sot e kësaj dite kur lindin fëmijët e hasretit vazhdojnë t’u vendosin nga një zile të vogël. “Në Has bile u vendosen këto zile që fëmijët të jenë të zgjuar, të zëshëm dhe të aftë për të jetuar me sukses”, shprehet Berisha. Leme Fejzullahu tregon se këtë traditë edhe sot e bëjnë në shumë familje. “Ka plot familje që zilet në secilën festë tradicionale apo fetare i vendosin kambanat apo zilet në dyert e hyrjeve”, është shprehur ajo. “Mirëpo, tani prodhimi i këtyre kambanave apo zileve në Prizren është i pakët dhe është vështirë të gjenden”, tregon ajo. Dyqani që i ka prodhuar dikur këto produkte në Prizren, i familjes Shinik, i sjellin nga Turqia e i shesin me çmime më të kapshme për blerësit.

(Kosova Sot)

Presidentja e Speciales nis punën pas dy javësh

0

Ekaterina Trendafilova, presidente e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, edhe zyrtarisht nis punën nga mesi i janarit të këtij viti, përderisa rekrutimi i stafit për Zyrën e Dhomave të Veçanta dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të përfundojë nesër.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri”, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Avis Benes.

“Procesi i rekrutimit për Zyrën e dhomave të veçanta dhe Prokurorisë ka qenë dhe është duke u zhvilluar në mënyrë intensive. Thirrja e fundit për kontributet për stafin e ri është publikuar në dhjetor, me afat prej 6 janar 2017”, ka sqaruar Benes.

Ajo ka konfirmuar se edhe marrëveshja e vendit nikoqir, Holandës, ka hyrë në fuqi prej 1 janarit 2017. /Zëri/

Arrestohet Ramush Haradinaj

0

Policia franceze ka arrestuar sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është arrestuar në bazë të urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj ndodhet në ndalim në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij.

Insajderi nuk ka mundur ende të marrë një qëndrim zyrtar prej Ministrisë së Drejtësisë.

Haradinaj më herët ishte arrestuar edhe në Slloveni./Insajderi.com

Nait Hasani: Komisioni për Demarkacionin, mbuloi humbjen 12 mijë hektarëve tokë

0

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka vlerësuar reagimin qytetarë për të kërkuar llogaridhënie nga politika, ndërsa ka dënuar dhunën që ishte kryefjalë në vitin 2016. Më tej, Hasani, ka shenjëstruar Komisionit shtetëror për Demarkacionin, pasi sipas të njëjtit kanë tentuar të mbulojnë humbjen e 12 mijë hektarë tokë të territorit të Kosovës.

Bota sot: Si e komentoni vitin 2016 për Kosovën, duke marrë parasysh proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, përfshirë këtu protestat për kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi?

Nait Hasani: Viti 2016 karakterizohet, si vit i sfidave në Kosovë, këto sfida janë bartur edhe nga viti 2015. Bartja ka qenë procesi i Demarkacionit dhe Asociacionit, edhe gjithë proceset e tjera. Këto kanë qenë sfida që shoqëria në Kosovë i ka përtypur. Viti 2016 ka qenë vit i protestave, vit i dhunës në Kuvend dhe vit i kundërshtimit, por njëherësh është edhe një vit i ndërgjegjësimit për reagim qytetar ndaj politikës. Për herë të parë pas kaq vitesh, e kemi reagim politik të qytetarëve në mbështetje të kërkesave për mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Në anën tjetër, kemi edhe veprime të fuqishme të Qeverisë, jo fort të arsyeshme për Demarkacionin dhe Asociacionin, si dhe ligjin e formimit të Gjykatës Speciale. Të gjitha këto janë reflektime, që tregojnë se viti 2016, është një vit që e ka rënduar gjendjen në Kosovë dhe vit që e ka humbur shpresën që viti 2017 të jetë vit i shpresës.

Bota sot: Ju keni qenë kundër Demarkacionit dhe Asociacionit, cili është qëndrimi juaj tani?

Nait Hasani: Unë kam qenë dhe jam kundër marrëveshjes për Demarkacionin. Për arsye se është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën. Është bërë një marrëveshje nga një komision shtetëror i Kosovës, i cili është zgjedhur dhe i cili, nuk i ka marrë arsyeshëm analizat e territorit të Kosovës dhe ekspertët që e kanë bërë, deputetët, gjeografët e të tjerë, ata kanë treguar që Kosova humb territor prej 12 mijë hektarë tokë dhe nuk është e mundur që të kalojë një marrëveshje e tillë. Komisioni shtetëror e ka mbuluar këtë me një formë tjetër kinse, Kosova nuk humb në baza të kadastrit, megjithatë, Kosova ka humbur dhe humb territor. Po në aspektin e valërizimeve, nga 12 hektarë që i humbim katër mijë hektarë tokë ia marrim Malit të Zi, prandaj Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë dhe kjo i bie që Mali i Zi të rritet në territor për 6 mijë hektarë tokë. Kjo tregon që nuk do të kemi një gjendje të mirë dhe kjo marrëveshje nuk mund të kalojë në Kuvend. Aty ku ka ndërgjegje, aty ku mbrohet Kushtetuta, mbrohet territori, atëherë këtu duhet të ketë arsyeshmëri dhe duhet të ketë ndryshime. Prandaj, me këto ndryshime, duhet të vendoset gjendja reale në terren ,sepse neve nuk na duhet të kemi konflikt dhe dhunë brenda vetes, ne kemi nevojë të krijojmë miq dhe raporte të mira me shtetet fqinje.

Intervistë, Zafir Berisha: “Prontistët” menaxhojnë krimin

0

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputeti nga “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha, ka folur mbi situatën politike në Kosovë, mbi krimet e supozuara të UÇK –së, dhe Gjykatën Speciale.

Ndër të tjera, ai është ndalur edhe tek afera Pronto, që mund të konsiderohet, si skandali i vitit 2016. Sipas të njëjtit, afera “ Pronto” e menaxhon çdo gjë në këtë vend të krimit, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur.

Bota sot: Z. Berisha, cili është vlerësimi juaj mbi gjendjen aktuale politike në vend?

Zafir Berisha:  Situata politike në vend është tepër e rëndë. Arsyet janë të shumta, por unë po i them disa, Koalicioni LDK/PDK/Serbska është, ai që e rëndoj jetën politike, sepse për interesa të ngushtë të lidershipit të LDK -së e PDK –së,  bën partner në politik bërje politikën zyrtare të Serbisë përmes listës Serbska. Dhe fillimisht këtë organizatë kriminale ata e faktorizuan me ndihmën edhe te një pjesë të faktorit ndërkombëtar duke i hedhë jashtë institucioneve serbët lojalë të shtetit të Kosovës të cilët kanë njohur realitetin e ri në Kosovë. Kështu vendi bëri një hap mbrapa në integrimet e serbëve dhe sot shumë procese integruese duke përfshirë edhe transformimin e FSK -së në FAK është peng i Beogradit. Ky koalicion vazhdon rrugën e gabuar të qeverisë së mëhershme Thaçi, i cili në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi bënin marrëveshje me Serbinë, ku këtë shtet armik e bëri palë në zgjidhjen e problemeve të brendshme të Kosovës, duke i nxjerr jashtë loje serbët lokale. Në vend se të korrigjohen marrëveshjet e mëhershme me Serbinë kjo Qeveri vazhdon të thellojë gabimet drejt bërjes së shtetit jo funksional, duke bërë marrëveshjem për “Zajednicën”, si një hap shumë i rrezikshëm për vendin e cila bosnjëzon Kosovën. Situata e papranuar politike ka sjell edhe kriza të papara ekonomike e sociale që e bën tepër të rëndë jetën e qytetarëve. Vendimet e Qeverisë lidhur me fatin e vendit kanë qenë të papranishme edhe kur kanë bërë marrëveshje me Malin e Zi për Demarkacionin e cila edhe ka nxitur reagimet e arsyeshme të qytetarëve dhe opozitës.

Bota sot:  Përse keni refuzuar pjesëmarrjen në hartimin e Statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, si do t`ua shpjegoni qytetarëve këtë refuzim?

Zafir Berisha: Nuk mendoj se ne, por edhe askush tjetër duhet të jetë në vazhdim të këtij projekti të rrezikshëm për vendin, dhe tendave  për ta dërguar edhe me tej këtë projekt të dëmshëm, i cili fillimisht nënkupton ta rrezikojë stabilitetin politik në vend.

Bota sot: Z. Berisha, vendi që disa muaj është në një krizë institucionale. Si do të mund të dilet nga kjo situatë sipas jush?

Zafir Berisha: Mungesa e dijes dhe vizionet për të qeverisur vendin ka sjellë situatën, ku vetëm zgjedhjet mund t’i zgjidhin problemet që i ka akumuluar kjo “Qeveri e elefantëve”.

Bota sot: Personalisht ju, si e keni menduar atëherë, në kohën e luftës, shtetin e Kosovës dhe si po e përjetoni funksionimin e tij 17 vjet pas çlirimit,  9 vjet pas shpalljes së  pavarësisë?

Zafir Berisha: Fillimisht shumë pak herë më kishte shkuar mendja që mundem të mbetem gjallë, por edhe atëherë kur më ka shkuar, pas luftën dhe lirinë e kemi menduar si diçka hyjnore, si diçka që është e nevojshme si ajri për gjallesat kështu është liria për shqiptarët. Mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu siç menduam dhe shumë njerëz ndërruan qasjen në bërjen e shtetit. Dhe për fat të keq shtetin dhe institucionet i vunë në shërbim të grupeve të ngushta mafioze, por jo edhe në shërbim të qytetarëve. Normal që pas shpalljes pavarësisë është menduar se punët do shkojnë më mirë por jo.

Bota sot: Si po qeveriset vendi në këtë fazë tranzitore, a mendoni se ka rrëshqitje strategjike – gabime, në hapat e deritanishëm qeverisës të atyre që e patën në  dorë dhe e kanë akoma pushtetin?

Zafir Berisha: Vendi është duke u qeverisur si është më së keqi as edhe me deshtë me qeverisë kaq keq njeriu nuk di të bëj, siç janë duke bërë qeveria PDK dhe LDK. Në fakt, këta nuk kanë një strategji se çfarë duhet bërë me Kosovën. Strategjia e tyre janë sot për nesër, vetëm se si me e zhvatë buxhetin e qytetarëve.

Bota Sot: A është fajtore drejtësia në Kosovë, meqë iu imponua Kosovës një gjykatë speciale ?

Zafir Berisha: Fillimisht është politika fajtor që e ka politizuar drejtësinë dhe e ka vërë në shërbim të njësive parapolitike të partive në pushtet. Drejtësia është storje e qëllimshme e dështuar. Shumë çështje sa i përket drejtësisë është dashur të zgjidhen veçanërisht pas shpalljes pavarësisë sepse me herët dihet që ndërkombëtaret kanë pasur nën kontroll të plotë këtë sektor, por edhe pas pavarësimit të vendit nuk është bërë  diçka serioze në këtë drejtim dhe kemi këtë gjendje kaotike në drejtësinë Kosovës.

Bota Sot: Sa e ekzistojnë mundësitë që Gjykata Speciale, ta pastrojë skenën politike të Kosovës?

Zafir Berisha:  Jo unë nuk e mendoj kështu ketë gjë. Mendoj se gjykata speciale ka me i ndihma shumë politikes sllave dhe mbetjeve të tyre në Kosove qe ta barazoj luftën çlirimtarë te shqiptarëve me luftën okupues te Serbisë, kjo është krejt poenta e formimit te kësaj gjykata e cila ne emër te stabilitetit ne rajon don me i nxjerr serbet viktimë. Munde edhe te ka ndodhe ndonjë budallaki individualë e njerëzve të papërgjegjshëm mirëpo te themelohet Tribunali ndërkombëtare për këtë çështje kjo është me shumë se qesharake.

Bota Sot: Çfarë informacionesh keni ju personalisht dhe a ndjeheni i rrezikuar nga një proces eventual? A ka bërë  UÇK-ja, krime !?

Zafir Berisha:  Nuk kam kurrfarë informacioni rreth ndonjë krimi të UÇK -së, sepse unë kurrë nuk jam marrë me politika konspirative dhe nëse ndonjë veprim individual ka ndodhur nuk do të thotë se e ka bërë UÇK -ja. Prandaj, këtu i kam gjërat e ndara nga ata që mendojnë në kriminalizimin e luftës së UÇK- së. Unë kam qenë pjesë e luftës për çlirim të Kosovës dhe nuk jam penduar që kam qenë dhe nesër me ardhë puna prapë e kap pushkën për ta mbrojtur atdheun dhe jam penduar  që nuk kam mundur edhe më shumë që të bëjë për vendin. Sipas logjikës se si është formuar Gjykata dhe me çfarë deklaratash deri tash janë ngritur aktakuza në Gjykatën e EULEX-it, çdo ushtar i UÇK -së, mund të atakohet, dhe natyrisht se të parët mund të atakohen ata të cilët nuk po pajtohen shumë me politikat e nënshtrimit ndaj Serbisë.

Bota Sot: Sa do të dëmtohet imazhi i UÇK-së,  nga ballafaqimi  i figurave të luftës me një gjykatë të llojit të tillë? A ka pasur nevojë  UÇK-ja, të pastrojë emrin e saj me anë të kësaj gjykate siç janë deklaruar zyrtarë të lartë të shtetit?

Zafir Berisha: Imazhi për llogari të politikës ditore është shumë i dëmtuar, por nuk mendoj se do të triumfojë logjika e sëmurë e njerëzve  me e nxjerrë organizatë terroriste. Nuk besoj, se ka pasur  UÇK -ja e u pastrua UÇK -ja, sepse ata që janë të papastër dihen. UÇK -ja tani i takon historisë dhe fundërrinat që kanë manipuluar në emër të UÇK -së mund të mendojnë se UÇK -ja duhet pastrohet. Njerëzit e ndyrë nuk ka Gjykatë që i lan dhe kështu që çdo tendencë që kërkon që UÇK –ja të pastrohet nga dikush,  është gabim sepse UÇK -ja nuk është ndyrësirë që të pastrohet. Idiotët kanë nevojë që të fshihen dhe që të thonë  kështu, se duhet të pastrohet UÇK-ja.

Bota Sot: A  janë lodhur  qytetarët nga patriotizmi i rremë politik i profiterëve të luftës, të cilët deri më tani drejtësia nuk ka pasur guxim t’i hetoje?

Zafir Berisha: Qytetarët janë lodhur shumë nga patriotizmi. Kjo që njerëzit e papërgjegjshëm që kanë bërë 17 vite pas  luftës në emër të UÇK –së,  nuk do tua falë historia. Mirëpo, unë mendoj se njerëz të caktuar për budallakitë që i kanë bërë pas 12 qershorit 99 nuk duhen  lidhur me UÇK -në. Një fjalë popullore thotë se: “ Çdo burrë varet nga këmbët e veta”,  prandaj, mendoj se misioni UÇK -së është kryer në qershor 99 dhe çdo gjë që ka ndodhur pas asaj kohe, ka emër dhe mbiemër personal, por jo UÇK.

Bota Sot: Si do ta mbaj mend historia këtë garniturë politike në qeverisje, për pozicionin në të cilin e sollën vendin me këtë Gjykatë Ndërkombëtare për dyshimet e krimeve të  UÇK-së?

Zafir Berisha:  Kjo garniturë politike që ka sjellë Gjykatën Speciale për ta gjykuar UÇK –në, do të mbahet mend si tradhtia më e madhe që i është bërë luftës për liri dhe gjakut që është derdhur për arsye, se për interesa disa kanë pranuar që të barazohet lufta jonë çlirimtare me atë okupuese serbe.

Bota Sot:  A keni informacione se përse po zvarritet  riformatimi i  qeverisë?

Zafir Berisha:  Nuk kam informacione se përse po zvarritet riformatimi i qeverisë, por mendoj se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi. Pasi asnjë riformatizim nuk nënkupton ndryshimin e keq-qeverisjes, dhe kushdo që shkarkohet apo emërohet vetëm mund të hyjë në vallen e krimit dhe korrupsionit dhe asgjë më shumë.

Bota Sot: A mendoni se duhet të bëhet ligji për Qeverinë, nëpërmjet të cilit do të përcaktohej numri i ministrive dhe zëvendësministrave. A mendoni se po zvarritet qëllimshëm ky ligj?

Zafir Berisha: Po, sepse jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi ligje për Qeverinë dhe kjo nuk është rastësisht. Kjo ka mbetur kështu për faktin që të mirat dhe resurset e vendit të bëhen leckë për kusuritje, kur vjen puna e koalicioneve.

Bota Sot: Në Kosovë, përveç që mungon sundimi i ligjit kërcënues për të ardhmen paraqitet edhe korrupsioni. Duke e marrë parasysh se politikanët janë kategoria më pasur në Kosovë, a duhet të hetohej mënyra se si është bërë kjo pasuri, pasi dihet e kaluara ekonomike e një pjesë të politikanëve?

Zafir Berisha: Dihet se “ Hajni hajnin nuk e kap thotë populli”, pasi kjo qeveri tashmë e futur deri në fyt në krim të organizuar dhe korrupsion duhet të gjykohet në zgjedhje me votën e qytetarëve sepse drejtësia, ajo që duhet ta bëjë këtë gjë, është pjesë e kapjes nga korrupsioni dhe krimi organizuar.

Bota Sot: Është thënë që edhe në vitin 2017 rrezikohet të mos bëhet liberalizmi i vizave? Cili është qëndrimi i juaj për këtë?

Zafir Berisha: Nuk duhet çuditur, sepse kjo Qeveri si është të qeverisë vendin deri në 2025, mundet  të  na lërë pa viza. Sepse kriterin bazë nuk e ka plotësuar që të luftojë krimin në mesin e vet dhe për shkak të tyre qytetarët po vazhdojnë të jenë në burgun kolektiv sa i përket lëvizjes që quhet Kosovë.

Bota Sot:  Çka mendoni, pse u hesht afera e shumë përfolur “ Pronto” Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për këtë ?

Zafir Berisha:  Është për t’u çuditur se si ka dalë, si doli kjo aferë dhe pse u hesht. Afera “ Pronto” e menaxhon çdo gjë në këtë vend të krimit, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur. Përgjegjësia vazhdimisht mbetet jetim, por dihet kush e ka përgjegjësinë, drejtësia.

Bota Sot: Si e vlerësoni qëndrimin e pozitës ndaj rastit Dehari, të cilët fillimisht, nuk pranuan që të mbahet seanca e jashtëzakonshme?

Zafir Berisha: Nuk i kuptoj pse bëhen kaq kokëfortë për të debatuar për një rast kaq të ndjeshëm siç është rasti Dehari. Mendoj se duhet debatohet, jo për t’u përzier në drejtësi por për ti hequr dilemat, sepse i riu Astrit Dehari ka vdekur, duke qenë në duart e shtetit prandaj edhe deputetët duhet të japin mendimet dhe vlerësimet e veta.

Bota sot: Cili është deputeti Berisha jashtë kornizave politike?

Zafir Berisha: Jam njeri familjar, shok dhe shumë i afërt me ata që kanë nevojë, ndryshe një pjesë të kohës e çoj edhe në biznesin tim familjar.

Bota sot: A keni ndonjë hobi, apo pasion të veçantë?

Zafir Berisha:  Po, shëtitjet në natyrë, dhe gjahun…

Bota sot: Si e kaloni kohën e lirë?

Zafir Berisha:  Kohë të lirë kam shumë pak, e atë që e kam, më shumë e kaloj me familje dhe miqtë e mi.

Bota sot: A bisedoni në familje për politikën?

Zafir Berisha:  Jo edhe pse Kushtimi djali im i madh është më shumë kureshtar për të më pyetur ndonjëherë rreth politikës. Por në familje të ngushtë asnjëherë nuk flas për politikë, edhe pse shumica e kohës kur jem në shtëpi në Tv përcillet politika.

Fishta, në trininë e poetëve më të mëdhenj të Evropës Jugperëndimore

0

Një afishe e rrallë shtypur në Kroaci dhe fotografuar nga Marubi në fillim të shek. XX, paraqet triadën ose trininë e poetëve më të mëdhenj françeskanë të Evropës Jugperëndimore, mes të cilëve shkëlqen i pavdekshmi At Gjergj Fishta.

Në kuadër të rubrikës AMARCORD, kryeministri Edi Rama publikoi këtë fotografi të rrallë, ku sipas tij, dallohet qartë stema e Shqipërisë.
“Pa rendur me vrap në Wikipedia, kombësitë e dy fretërve të tjerë mund të zbulohen falë dy stemave antike të nxjerra nga të ashtuquajturit stemarët ilirikë të shek. XVI-XIX, krahas secilit portret dhe që i përkasin, sipër, Dalmacisë (Kroacisë) dhe poshtë, Bosnjës.


Stema e Shqipërisë dallohet me sy të lirë, ndërsa ajo në të majtë të afishes, në krye, është emblema e urdhrit të fretënve të vegjël apo françeskanëve, të cilit i përkisnin të tre shkrimtarët e mëdhenj”, është shprehur Rama. / KultPlus.com

Populli i një shteti, në cilësinë e tyre kolektive

0

Ali Hertica

Populli i një shteti, në cilësinë e tyre kolektivei është zënë përherë një territor të caktuar të lidhur së bashku nga zakonet e përbashkëta dhe porosi në një organ politik , me anë të një qeverie të organizuar, sovranitetit të pavarur dhe të kontrollit mbi gjithë personat dhe gjërat brenda kufijve të saj, të aftë për të bërë luftë dhe paqe dhe të hyjnë në marrëdhënie ndërkombëtare me shtetet e tjera. Populli i një shteti, në cilësinë e tyre kolektive, konsiderohet si partia e padrejtë nga një vepër penale; publik; si në titullin e një rasti “,Shteti” Rrethanat apo kusht i qeniesë apo gjë, në një kohë të dhënë. Si një folje, që të shprehin veçoritë e një gjëje me shkrim ose me fjalë; për të vendosur poshtë ose të përcaktuara me hollësi; për kohën, pretendojnë, ose të deklarojë.

Për të vendosur poshtë në bruto, të përmendur në terma të përgjithshme, ose me anë të referencës; për të referua. Shteti, megjithatë popullor mund të jetë formë qe ai merr, do të jetë gjithmonë një institucion i dominimit dhe shfrytëzimit, dhe si pasojë e një burimi të përhershëm të varfërisë dhe skllavërimi për vegjëli. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, atëherë, të emancipimit të njerëzve ekonomikisht dhe politikisht, dhe lirinë e mirëqenies në të njëjtën kohë .

Të gjitha shtetet, duke e bërë kështu, duke vrarë, dikur dhe për të gjithë kohën, çfarë, deri më tani, ka qenë quajtur “Politika”, dmth, pikërisht asgjë tjetër sesa me funksionimin apo manifestim të dyshes brendshëm dhe të jashtëm të veprimit të Shtetit, që do të thotë, e praktikës, ose artin dhe shkencën dominuese dhe shfrytëzuar ‘masat në favor të klasave të privilegjuara. Kjo nuk është e vërtetë atëherë të them se ne trajtojmë politikën abstrakte.

Ne nuk bëjmë abstraksionin e saj, pasi që ne dëshirojmë pozitivisht për të vrarë atë. Dhe këtu është pika thelbësore mbi të cilat ne të ndarë veten absolutisht nga politikanët dhe borgjezët radikal, Socialistëve (tani funksionojnë si demokraci sociale apo radikale e cila është vetëm një fasadë për demokracin moderne). Politika e tyre konsiston në transformimin e politikës shtetërore, përdorimin e tyre dhe të reformës.

Politika jonë, e vetmja politikë ne e pranojmë, konsiston në heqjen totale të shtetit, dhe të politikës, e cila është manifestim i saj i domosdoshëm. Kjo është vetëm për shkak se ne dëshirojmë sinqerisht për këtë heqjes së Shtetit që ne besojmë se kemi të drejtë të thërrasë veten internacionalistë dhe Revolucionar e demokratik; për këdo që dëshiron të merret me politikën për ndryshe se si të bëjmë; kush nuk ka, si ne, i urojmë zhdukjen totale apo e politikës, duhet detyrimisht të marrin pjesë në politikën e një shteti patriotik dhe borgjez.

Prizren: Kapet nga policia pasi kishte hyrë për të vjedhur në një shtëpi

0

Një person është arrestuar pasi që i njëjti është kapur në flagrancë duke kryer vjedhje në një shtëpi në rrugën “Faik Emrushi” në Prizren.

Policia njofton se hajni pasi është intervistuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje

81 aksidente për 24 orë në Kosovë

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë kanë ndodhur 81 aksidente trafiku.

Sipas raportit policor, 53 prej tyre kanë qenë pa të lënduar, kurse 28 prej tyre me lëndime në njerëz.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhë janë shqiptuar 731 tiketa trafiku për kundërvajtësit e rregullave të komunikacionit.