Home Blog Page 6181

Salih Morina: LDK udhëhiqet nën frymën dhe filozofinë e Rugovës!

0

“Lidhja Demokratike e Kosovës është LDK tipike e Ibrahim Rugovës”, thotë deputeti i kësaj partie, Salih Morina. Sipas tij, “LDK është në vijë me frymën dhe filozofinë qe ka ndjekur Ibrahim Rugova”.
Morina, në një intervistë për emisionin ‘Fakt Plus’, me Leotrim Berishën në Tribuna Channel, ka thënë se “njerëzit qe e udhëheqin LDK-në janë bashkëpunëtoret me të afërt të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova”.

E, duke folur për miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2017, Morina – i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa – thotë se për herë të parë Kosova do të ketë një buxhet zhvillimor, i cili është i orientuar në investimet kapitale dhe qe do t’i hapë mundësi zhvillimit ekonomik.

Urime Krishtlindjet !

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, uron Kancelarin e Ipeshkvisë së Kosovës, shkëlqesinë e tij, Don Shan Zefi dhe të gjithë qytetaret e besimit katolik të komunës së Prizrenit, me rastin e festës së Krishtlindjes.

“Të nderuar qytetar të besimin katolik, uroj që kjo festë të na shërbejë në forcimin dhe kultivimin e tolerancës, si vlerë e demokracisë dhe qytetarisë për ne dhe brezat qe do të vijnë.

Komuna e Prizrenit do vazhdojë të jetë e angazhuar maksimalisht në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe të ardhmen e sigurtë për të gjithë”, thuhet në urimin e Mujës.

“Lindja e Krishtit, uroj qe të sjellë shëndet, shumë të mira dhe lumturi në familjet tona”./PrizrenPress.com/

Përurohet aneksi i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren

0

Të premten është përuruar aneksi i ri i objektit të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren.

Drejtori Naim Fanaj, tha se me vënien në funksion edhe të këtij aneksi, dukshëm përmirësohen kushtet për punë në trajtimin e shumë personave që vuajnë nga ç’ rregullime të ndryshme mentale.

“Në këtë Qendër vetëm për një muaj trajtohen mbi 500 raste të ndryshme si dhe bëhen vizita nëpër shtëpi të kësaj kategorie në fshatrat më të largëta të Dragashit dhe Suharekës”, tha ai.

“Sfida më e madhe për këtë institucion është numri i vogël i stafit profesional në trajtimin e personave me të meta mendore”.

Realizimin e projektit për ndërtimin e aneksit të ri të objektit të kësaj Qendreje e ka mbështetur financiarisht Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj me 95 mijë euro/TV Prizreni/

Aksidentet, 106 persona kanë vdekur gjatë këtij viti

0

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ultë, konkretisht 89 për qind e të anketuarave të një hulumtimi, kanë qenë të gatshëm që krahas lëndëve të tjera të marrin edhe mësim shtesë sa i përket njohjes së rregullave dhe shenjave të trafikut.
Kështu u tha në konferencën e dytë ndërkombëtare për sigurinë në rrugë, ku u publikua edhe një hulumtim, sipas së cilit është shqetësuese se gjysma e nxënësve nuk kanë njohuri për numrat e thirrjeve emergjente.

Sipas hulumtimit, vetëm 51% e kanë dhënë numrin e saktë të policisë, 2% e tyre, dinë për ndihmën e shpejtë, kurse, asnjë nuk e dinë numrin e zjarrfikësve.

Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë për ‘Identifikimin e faktorëve kryesorë që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes së nxënësve në rrugë’.

Me këtë rast, drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se këtij hulumtimi ia kanë shtuar të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, për kategoria më e rrezikuar gjatë lëvizjes në rrugë janë fëmijët.

Në anën tjetër, këshilltari i kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Azem Grui, tha se siguria në rrugë arrihet duke i informuar nxënësit.

Sipas tij, rreth 400.000, nxënës frekuentojnë institucionet arsimore.

Me këtë hulumtim është gjetur një mostër shumë e mirë, në mënyrë që këto institucione të reflektojnë për sigurinë në rrugë.

Kurse, major Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës, tha se numri i viktimave të aksidentit ka shënuar rënie, në krahasim me vitin e kaluar.
“Numri i aksidenteve ku njerëzit kanë humbur jetën shënon një rënie, për 20 persona më pak apo diku rreth 16 %. Në vitin e kaluar ka të vdekur 129 persona, ndërsa, sot me datën 23 dhjetor janë 106. Ky është një rezultat i angazhimeve të përbashkëta dhe vetë angazhimit të pjesëmarrësve në rrugë në respektim të rregullave. Në vitin 2015, numri i personave si këmbësorë ka qenë në ngritje dhe brenda vitit, kemi pasur 50 këmbësor që kanë humbur jetën duke përfshirë edhe moshat e reja”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Kurse, Burim Krasniqi nga Ministria e Infrastrukturës, thotë se mosha e fëmijëve prej 0 deri në 12 vjeç janë moshat me numër më të vogël të të vdekurve, në komunikacion të trafikut.

Sipas tij, është shqetësuese se pjesa tjetër, mbi moshën 19 vjeçare, ku fillojnë të ngasin automjetet, ka numër më të madh të vdekurve. /Telegrafi/

Babadimri në Prizren

0

Hajrullah Çeku

Unë besoj në babadimër. Si në vitet e fëmijërisë, më të bukurat ndonjëherë, kur besonim në fuqitë e mbinatyrshme. Atëherë kur pas secilit refuzim të prindërve për dhuratë, e përfytyronim babadimrin magjik dhe jetonim të lumtur. E dinim që dhurata do të vjen një ditë dhe se nuk ka pengesë të patejkalueshme. Besoja në babadimër. Edhe sot kam dëshirë të besoj në babadimër. Me gjasë shumë prej jush në këtë moment po më gjykoni për “babadimrin”, e më pak po ju bën përshtypje “besimi”.

Unë besoj në babadimër dhe kam dëshirë që këtë fundvit babadimri ta vizitojë Prizrenin. Dhe kam vetëm një kërkesë për babadimrin për vitin 2017: të mos rrënohet asnjë monument i trashëgimisë kulturore në qytet.

Ndoshta naivisht, por me besim të thellë, po e imagjinoj një Prizren ku të gjithë pa përjashtim e shijojnë me krenari trashëgiminë kulturore, me shumë xhelozi e ruajnë ate dhe mbi të gjitha përfitojnë nga potenciali i saj për ngritje të standardit të jetesës. Një qytet ku të gjitha institucionet e shtetit e kanë shpallur vitin 2016 si kapitullin e fundit të degradimit të qytetit. Ku viti 2016 që u përmbyll me një monument të rrënuar për muaj dhe që mori edhe një jetë fëmije, shpallet si fundi i një epoke të errët të qytetit.

Një qytet ku bizneset i shohin monumentet dhe investimin në to si rrugë të duhur për zhvillim të veprimtarisë afariste. Ku potenciali ekonomik i monumenteve shihet si një nga strategjitë e zhvillimit të qytetit dhe zbutjes së papunësisë. Po e imagjinoj një Prizren ku inspektori komunal e prokurori publik nuk shkruajnë dënime e nuk ngrisin aktakuza, por vetëm parandalojnë dëmtime të monumenteve. Një qytet ku pronarët e shtëpive të vjetra nuk pranojnë me asnjë çmim rrënimin dhe në bashkëpunim me institucionet e shtetit, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset sigurojnë fonde për konservimin e shtëpive të tyre duke i funksionalizuar ato si asete me potencial ekonomik.

Një Prizren që pret turistë kulturor gjatë gjithë vitit. Një qytet që investon në rritjen e cilësisë së hapësirave publike, ku qytetarët pa dallim i shijojnë parqet, sheshet, trotuaret, lumin, ajrin e pastër, hapësirat kulturore. Po e imagjinoj një Prizren që jeton në harmoni dhe begati me trashëgiminë e vet kulturore dhe që në momentin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO nominohet për Listën Botërore të Trashëgimisë.

Nuk besoni në babadimër? Së paku besoni në mundësinë për një Prizren më ndryshe. Dhe provoni t’ia shtoni këtij besimi pak dashuri si mëlmesë. Kur bëhen bashkë besimi e dashuria, vjen edhe babadimri.
Naivisht, me besim e dashuri,
Hajra

(Facebook)

Prizreni me nivel të ulët të transparencës

0

Hapja e të dhënave në funksion të transparencës dhe zhvillimit lokal ka qenë temë e një tryeze të organizuar të enjten nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në Prizren, me ç’rast pjesëmarrësit kryesisht kanë vënë në pah nivelin e ultë të transparencës së Komunës së Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

Ky aktivitet i KDI-së është realizuar me qëllim të nxitjes së lidershipit komunal për publikimin e të dhënave statistikore, prej atyre bazikeve deri tek ato shtesë në ueb faqen zyrtare të komunës sikurse edhe shkëmbimin e përvojave me komunat që kanë arritur të investojnë në hapjen e të dhënave.

Sipas njoftimit të KDI-së, në këtë tryezë kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka shprehur gatishmërinë për hapjen e të dhënave bazuar në kapacitetet dhe mundësitë që i ka administrata komunale.

49 aksidente brenda ditës

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur 19 aksidente trafiku me persona të lënduar dhe 30 aksidente të tjera me dëme materiale.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se brenda ditës ka shqiptuar gjithsej 690 gjoba kundërvajtëse ndaj gjithë pjesëmarrësve në trafik që kanë thyer rregullat e komunikacionit.

Dënohet Hysni Hoxha

0

Hysni Hoxha, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit u dënua për shpërdorim detyre, pasi nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të KOSTT-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi sot Hysni Hoxhën, ish-kreun e Organit Shqyrtues të Prokurimit për shpërdorim detyre, me 3 vjet burg dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të ndonjë funksioni publik, pasi ai nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut, duke i vlerësuar ato të shqyrtuara më parë.

Më 21 qershor Hysni Hoxha u deklarua i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohej.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së, i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së me konkluzionin se është “res judicata”, pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.

Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa emisioni “Jeta në Kosovë” kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.
Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.

KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi. Për këtë aktivitet prokurimi ishte ankuar kompania “Electra”.

Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar.

Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-kryetarit të OSHP-së, Hysni Hoxha

Gjykimit ndaj të akuzuarit Hysni Hoxha, ish-kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i ka ardhur fundi.

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë do të jap verdiktin final ndaj të akuzuarit Hoxha, rrethanë kjo që tregon fajësinë apo pafajësinë e ish-kryetarit të OSHP-së, transmeton “BetimipërDrejtësi”.

Gjatë seancës së fundit të mbajtur, Hoxha paraqiti fjalën përfundimtare ku ndër të tjera tha se ndihet i pafajshëm dhe kërkon nga gjykata që ndaj tij të shpall aktgjykim lirues.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Hoxhën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi në cilësinë e kryetarit të OSHP-së, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore i tejkalon kompetencat e tij ligjore. Sipas aktit akuzues, i pandehuri më 3 tetor dhe 9 tetor 2014 kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Prokurimit Publik .

Konkretisht, kjo akuzë është ngritur lidhur me ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas prokurorisë ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve. Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240.19 euro./ “BetimipërDrejtësi”

Fatmir Limaj në Prizren: Kosova është futur në hipotekë

0

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj, ka akuzuar pushtetarët se për interesa personale e kanë futur në hipotekë Kosovën .

Ai tha se e ardhmja e Kosovës po mbahet peng nga individët të cilët fatin e tyre e kanë lidhur me vendin.

“ E kanë shtie në lojë fatin e Kosovës për interesa personale”, tha Limaj në Prizren.

Ai ka përmendur edhe ndërtimin e murit në Mitrovicë, shkruan PrizrenPress.

“Cilado qeveri, nesër do të ketë telashe me qeverisë vendin, sepse ky pushtet e ka futur në hipotekë Kosovën”, tha Limaj.

Limaj ka ftuar qytetarët e Prizrenit, që të bashkohen dhe mobilizohen për të ndalë degradimin e vendit. /PrizrenPress.com/

Begaj mbajti takimin e dytë publik me qytetarë

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur sot takimin e dytë publik me qytetarë, ku ka prezantua punën e tij njëvjeçare. Sipas kryetarit Begaj, këtë vit kanë arritur që në përgjithësi ti realizojnë objektivat e caktuara, duke realizuar rreth pesë milion euro investime kapitale. Infrastruktura e përgjithshme, shkollat dhe bujqësia, kanë qenë prioritete gjatë këtij viti, ku edhe investimi ka qenë më i madh.

“Rrugët, kanalizimet, ndërtimi i ujësjellësve, shkollat, bujqësia dhe shëndetësia, kanë qenë fokusi ynë kryesor dhe ne jemi munduar që sadopak ti përmbushim këto nevoja përmes investimeve direkte dhe të gjitha këto janë të prekshme për të gjithë. Gjatë këtij viti, kemi ndërtuar mbi 20 kilometra kanalizim, rreth 22 kilometra rrugë, pastaj janë ndërtuar 10 stalla, janë përkrahur bujqit me serra, dhe investime tjera. Po ashtu, jemi duke punuar në ndërtimin e objekteve të reja shkollore”, tha kryetari Begaj, gjatë prezantimit të punëve të kryera gjatë këtij viti.

Më pas, kryetari Begaj, në formë kronologjike, nga janari e deri më sot, i ka prezantuar të gjitha investimet kapitale, të cilat edhe janë shfaqur në mënyrë vizuale para të pranishmëve, përfshi edhe të gjitha kontratat nga sektori i prokurimit publik. Bazuar në këto të dhëna, Komuna e Malishevës, gjatë këtij viti ka realizuar mbi pesë milion euro investime, prej tyre 3.8 milion investime nga buxheti komunal dhe 1.5 milion nga donatorët.

Pas prezantimit, kryetari Begaj është përgjigjur edhe në pyetjet e të pranishmëve.

Rregullimi i kanalizimeve, si në Janqisht, Berishë e Llapqevë, ishin kërkesat kryesore, ndërsa u kërkua edhe investim në trotuare dhe objekte shkollore, si dhe hapja dhe asfaltimi i disa rrugicave në fshatrat e Komunës së Malishevës./PrizrenPress.com/