Home Blog Page 6205

Veseli: PDK-ja e gatshme për zgjedhje, por t’i respektojmë afatet

0

Kadri Veseli mendon se reforma zgjedhore, diskutimet për të cilën tashmë i ka hapur presidenti Hashim Thaçi, do të duhej të përfundonte deri në fund të dhjetorit të këtij viti dhe shpreson se opozita nuk do ta humbasë mundësinë për të qenë në këtë proces.

Kreu i PDK-së, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka deklaruar se reforma zgjedhore është e domosdoshme, në mënyrë që të prodhohen zgjedhje më të mira në Kosovë. Ai ka dhënë disa propozime konkrete se si mund të avancohet procesi zgjedhor nëpërmjet reformës. Në këtë intervistë Veseli ka folur edhe për zgjedhjet në Drenas. Ai ka thënë se PDK-ja do ta vazhdojë traditën e fitoreve bindëse dhe qeverisjes së mirë. Sipas Veselit, Drenica është e lënduar me zgjedhjet e jashtëzakonshme, por qytetarët do të flasin shumë qartë më 4 dhjetor

“Epoka e re”: Këto javë kemi një iniciativë të presidentit Thaçi për reformën zgjedhore. Sa e konsideroni të rëndësishme këtë reformë dhe a besoni realisht se ajo mund të bëhet në rrethanat aktuale teksa kemi një opozitë që refuzon bashkëpunimin?

Veseli: Reforma zgjedhore është e një rëndësie të madhe dhe është e domosdoshme. Paritë opozitare, fatkeqësisht, janë çimentuar në pozicionet e veta armiqësore ndaj institucioneve të shtetit, duke shpresuar se kështu përfitojnë politikisht. Ato duhet të jenë të përgjegjshme kur bëhet fjalë për interesat e përgjithshme të vendit dhe jo çdo veprim ta kalkulojnë vetëm për interesa personale. Ne kemi nevojë për një debat konstruktiv të të gjitha subjekteve politike për zgjedhjet, për mënyrat e votimit dhe për gjithçka që ndërlidhet me sistemin tonë zgjedhor. Natyrisht, kjo reformë mund të mos jetë e lehtë, por është mirë që ajo të kryhet, në mënyrë që të kemi procese zgjedhore sa më të mira. Gjithashtu, ligjet për zgjedhje, përkundër frymës demokratike, për shkak të disa mangësive, kanë nevojë për ndryshime.

Por, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatime të përbashkëta, mirëpo duhet edhe punë e përbashkët që ta forcojmë demokracinë përfaqësuese në institucione. Duhet gjithsesi ta kemi një thjeshtësim të procesit zgjedhor dhe ne, përfaqësuesit e subjekteve politike, duhet të debatojmë së bashku për të gjitha çështjet që do ta bënin këtë proces më të besueshëm dhe më transparent.
Presidenti i vendit ka filluar një iniciativë serioze dhe unë si kryetar i PDK-së pres që kjo reformë të përfundojë deri në fund të dhjetorit. Andaj, është mirë që partitë opozitare mos ta humbasin shansin që të jenë në këtë proces.

“Epoka e re”: Ku e mbështetni konkretisht nevojën për ndryshime? Vlerësoni se nuk janë mjaftueshëm “përfaqësues të popullit” të zgjedhurit me sistemin aktual zgjedhor?

Veseli: Janë të shumta fushat për të cilat kemi nevojë të debatojmë, duke filluar nga transparenca në numërimin e votave, çështjet që ndërlidhen me sistemin zgjedhor siç është pragu, votimi jashtë vendit, përdorimi i teknologjisë në numërim, votimi me kusht dhe të tjera dilema që mund të ekzistojnë.
Tashmë janë bërë vite që kemi organizuar dhe mbajtur zgjedhje në Kosovë dhe të gjithë i kemi parë mbarëvajtjet dhe të metat e tyre. Gjithashtu, kemi pasur mundësi t’i analizojmë edhe modelet. Për ta pasur një model të përshtatshëm për specifikat tona, natyrisht se nevojitet kontributi i të gjithëve. Mjafton të flasim vetëm për një problem të caktuar dhe shohim se ka argumente të shumta “për” dhe “kundër”, por ato kryesisht bazohen në interesat e partive politike dhe jo në interesin e qytetarëve. Sistemi i një zone zgjedhore, edhe pse ka mangësi dhe mund të mos krijojë mundësi të barabarta për të gjithë, është më i thjeshtë dhe përfshin shumë mirë edhe komunitetet dhe kërkesat e tyre. Nuk krijon mundësi të barabarta, sepse kandidatëve u pamundësohet ta fitojnë mandatin në një zonë zgjedhore, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në dobësimin e lidhjes përfaqësues i popullit dhe popull ose, thënë më qartë, lidhjen mes deputetit dhe qytetarit që përfaqëson, por për të gjitha këto ne duhet të përcaktohemi bashkë. Pra, ka argumente të ngjashme edhe për shumë çështje të tjera zgjedhore, që duhet të trajtohen në kuadër të reformës zgjedhore.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat dhe rekomandimet tuaja si PDK në nismën për këtë reformë?

Veseli: Ne i kemi mbështetur gjithnjë reformat kur ato janë kërkuar. Do ta japim maksimumin tonë, me ekspertë të kësaj fushe, për t’i kontribuuar kësaj reforme. E përmenda edhe më parë, duhet të debatojmë së bashku për shumë çështje dhe në rrugë e sipër PDK-ja do të dalë edhe me rekomandime konkrete që do të kenë për qëllim një ligj sa më të mirë për zgjedhjet. Por, pavarësisht modelit reformues për të cilin ne përcaktohemi, PDK-ja është subjekti më i madh në vend dhe përsëri do të konfirmohet e para.

Një debat që gjithnjë kthehet, sa herë që flitet për reformën zgjedhore, është ai për listat. Ju personalisht, a jeni për apo kundër listave të hapura?

Veseli: Ne i kemi përvojat e të dyja formave të organizimit të zgjedhjeve, si me sistemin proporcional me lista të mbyllura, ashtu edhe me atë të hapura. Unë mendoj se qytetarët duhet ta gëzojnë gjithnjë të drejtën që të votojnë për kandidatin që ata e vlerësojnë si përfaqësuesin më të mirë të interesave të tyre. A ka të meta modeli i listave të hapura? Mund të ketë. Elektorati ndoshta nuk është më së miri i përfaqësuar proporcionalisht me këtë model. Por, ne duhet të punojmë shumë që ta kemi një proces fer, që t’i parandalojmë keqpërdorimet e mundshme dhe që njëkohësisht të mos e lëndojmë demokracinë.

Z. Veseli, tema e abuzimit të votave, si diskutim, ka shoqëruar vazhdimisht zgjedhjet në Kosovë. Si mund të ndalet manipulimi i votave, sipas jush?

Veseli: Kosova, në zgjedhjet e fundit, është kampione e rajonit për organizim të zgjedhjeve të mira politike, sepse ju e dini se vendet e rajonit janë përballur me probleme të shumta në procese zgjedhore. Zgjedhjet e fundit janë dëshmi se Kosova di të organizojë zgjedhje cilësore dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Ne kemi pasur zgjedhje të mira dhe të ndershme në garën mes subjekteve politike. Por, në garën e brendshme mes listave partiake ka pasur ndonjëherë edhe deformime. Një shqetësim i tillë është ngritur prej të gjitha subjekteve politike, i cili është konfirmuar edhe me disa aktgjykime. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë. Por, kjo duhet të marrë fund. Me reformën zgjedhore mund ta përmirësojmë edhe më shumë procesin zgjedhor, pos të tjerash, edhe duke pasur rezultate më të shpejta dhe më kredibile.

Çfarë e rëndon konkretisht sistemin aktual zgjedhor, atë lokal dhe atë qendror? Në pika të veçanta, a mund t’i veçoni disa prej mangësive dhe propozimeve që ju keni për këtë çështje?

Veseli: Jemi ndër vendet e rralla që vazhdojmë ta aplikojmë votimin me kusht, i cili, sa kam vërejtur, ka sjell vonesa në publikimin e rezultateve përfundimtare. Kjo është vetëm një ide fillestare, për të cilën mund të diskutojmë bashkërisht dhe të shohim se si ta gjejmë një zgjidhje më të mirë, që do ta lehtësonte procesin zgjedhor. Ne duhet të krijojmë një sistem efikas për trajtimin e ankesave të palëve që janë të përfshira në proces zgjedhor dhe kjo do të kishte për qëllim edhe rritjen e besueshmërisë.

Si mund të thjeshtohet dhe lehtësohet maksimalisht procesi zgjedhor?

Veseli: Duhet ta analizojmë se si ta thjeshtojmë procesin zgjedhor, por pa e dëmtuar cilësinë e tij. Edhe përdorimi i teknologjisë informative, që ka marrë hov kohët e fundit, do të mund të na ndihmonte në lehtësimin, përparimin dhe thjeshtimin e procesit zgjedhor.

Çfarë mendoni ju se përfiton qytetari nga reforma zgjedhore? Cilat janë përfitimet konkrete?

Veseli: Qëllimi kryesor i reformës zgjedhore është qytetari i Republikës së Kosovës. Çfarë dua të them me këtë? Me këtë reformë ne duhet ta rrisim besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, duke e bërë atë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.

LDK-ja ka përmendur si mundësi heqjen e balotazhit në zgjedhjet lokale për kryetar komune. A do të pajtohej PDK-ja me një ide të tillë?

Veseli: Kjo është një nga çështjet që mendoj se duhet analizuar më thellësisht jo vetëm brenda PDK-së, por me gjithë spektrin politik. Ne duhet t’i shohim edhe praktikat e shteteve të tjera me traditë demokratike.

A ka ndonjë mekanizëm që e thjeshton dhe përshpejton numërimin e votave dhe publikimin e rezultateve zgjedhore?
Veseli: Publikimi i rezultateve të zgjedhjeve ndërlidhet ngushtë me sistemin zgjedhor që parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale. Prandaj, ne duhet të shohim se si t’u japim zgjidhje çështjeve që në një farë forme e vonojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, siç janë votat me kusht dhe votimi jashtë vendit.

“Epoka e re”: Kohët e fundit, nga media dhe qarqe ndërkombëtare, zgjedhjet e jashtëzakonshme përmenden si opsion. A është e gatshme PDK-ja të shkojë në zgjedhje?
Veseli: PDK-ja, si partia më e madhe dhe më e organizuar në vend, natyrisht se është e gatshme gjithmonë për zgjedhje. Por, zgjedhjet duhet të vijnë si rezultat i një marrëveshjeje të përbashkët politike. Ne duhet të mësohemi që t’i respektojmë afatet e rregullta kohore të zgjedhjeve, ta respektojmë vullnetin e qytetarëve dhe Kushtetutën e vendit. Mirëpo, ne duhet të mendojmë më tepër se çfarë duhet të bëjmë pas zgjedhjeve.

Z. Veseli, sikur po i shmangeni përgjigjes. Përderisa sondazhet po e nxjerrin PDK-në si partinë e parë, pse po hezitoni të jeni i drejtpërdrejtë?

Veseli: Kini parasysh, nëse shkohet në zgjedhje, kjo assesi nuk duhet të bëhet për t’i përmbushur egot e liderëve dhe subjekteve politike për pushtet, por duhet të shkohet vetëm të prirë nga ideja për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. Qytetarët kanë nevojë për punësim, për zhvillim më të hovshëm ekonomik, për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më të mirë. Por, po e përsëris, për zgjedhje nevojitet marrëveshje mes të gjitha subjekteve politike, nga pozita dhe opozita.

Zgjedhjet në Drenas po konsiderohen si një test për ju, pasi kjo është hera e parë që PDK-ja hyn në një proces zgjedhor me ju si kryetar i saj. A jeni nën ethe?

Veseli: Absolutisht jo. Në Drenas, më 4 dhjetor, PDK-ja do ta vazhdojë traditën e fitoreve bindëse dhe të qeverisjes së mirë. Spekulimet e atyre që flasin për ethet dhe të atyre që po mundohen të krijojnë acarime, do ta marrin përgjigjen nga vetë qytetarët. Drenica është e lënduar me këto zgjedhje të jashtëzakonshme, por drenicasit do ta thonë shumë qartë fjalën e tyre./Epoka e re

Java e filmit frankofon në Prizren

0

DokuFest edhe këtë vit përkrah Ambasadën e Francës, Luksemburgut dhe të Zvicrës në Kosovë për organizimin e edicionit të 16-të të Javës së Filmit Frankofon. Në kuadër të këtij festivali,më 25 dhe 26 nëntor në Prizren do të shfaqen 6 filma. Për dallim nga vitet e kaluara, këtë herë filmat do të shfaqen në hapësirën alternative më të re në Prizren, në Kino Klubi.

Programi Javës së Filmit Frankofon në Prizren:

25 NËNTOR

Ora 16:00
Comme un avion
Francë, 2014 – me titra Anglisht dhe Shqip

Ora 19:00
Deux jours avec mon père
Zvicër, 2014 –me titra Anglisht, Shqip dhe Serbisht

Ora 22:00
La supplication
Luksemburg, 2016 – me titra Anglisht dhe Shqip

26 NËNTOR

Ora 13:00
Le génie helvétique
Zvicër, 2003 – me titra Serbisht dhe Shqip

17:00
Le bois dont les rêves sont faits
Francë, 2016 – me titra Anglisht dhe Shqip

Ora 21:00
Human
Francë, 2015 – me titra Anglisht dhe Shqip

Hetim nga fillimi për vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka kërkuar fillimin e hetimeve nga e para për rastin e vdekjes së aktivistit të kësaj lëvizje, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Ai ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të jetë një hetim i drejtë dhe i pavarur.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Selimi ka vlerësuar se hetim të pavarur nuk mund të garantojë pushteti që, sipas tij, është shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit.

“Vetëm fillimi i hetimeve nga e para mund të jetë nismë për një hetim të drejtë dhe të pavarur. Refuzimi nga ana e hetuesve të Mbretërisë së Bashkuar, që të përfshihen në atë që ka kërkuar Ministria e Drejtësisë, është tregues i mjaftueshëm që edhe ata vetë nuk e kanë gjetur veten të përfshirë në atë çfarë synonte të bënte Ministria e Drejtësisë. Prandaj, nuk mund të vihet drejtësia në vend me ndërmjetësimin e palës përgjegjëse”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se LV-ja e ka kundërshtuar hetimin nga britanikët vetëm pse një gjë të tillë e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, që, sipas tij, do të duhej të ofronte dorëheqje.
Të njëjtin veprim, ka thënë ai, do të duhej ta bënte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Në këtë kontekst, Selimi ka bërë me dije se nuk është e mjaftueshme vetëm suspendimi i zyrtarëve korrektues dhe menaxhues të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

“Përgjegjësia për rastin e vdekjes së Astritit do të duhej të qëndronte aty ku është (lart) e jo të tentohet të zbritet në nivele të ulëta, i kufizuar vetëm në menaxhmentin e Burgut në Prizren. Përgjegjës për vdekjen e Astrit Deharit mbetet pushteti që e mori në pranga dhe e ktheu në arkivol. Pra, kjo përgjegjësi do të duhej të manifestohej me dorëheqjet e përgjegjësve që janë ministrja e Drejtësisë dhe ministri i Punëve të Brendshme”, është shprehur Selimi.

Kosova ia pa sherrin politikës së korruptuar

0

Qeverisja e vendit, e veçmas qeverisja e këtyre 8 viteve të pasluftës, e dominuar nga PDKja dhe elitat politike të korruptuara e të inkriminuara, të cilat punuan vetëm për interesin e vet, por jo edhe të qytetarëve, e kanë lënë shtetin e ri të Kosovës një shtet tejet të prapambetur, ndër vendet më të pazhvilluara jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Politikanë dhe analistë konsiderojnë se pa një ndryshim gjeneral substancial të elitave të tanishme politike nuk mund të ketë as ndryshim kualitativ në qeverisjen më të mirë të vendit dhe ngjalljen e perspektivës për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që Kosova të shohë dritën e vet të perspektivës dhe të mos vuajë pasojat e establishmentit te korruptuar në të tri pushtetet.

” Një klasë politike e dobët në qëndrime, e pashkolluar, e lidhur me krimin e organizuar dhe e fokusuar vetëm në interesat personale, në zhvatje e plaçkitje të pafund të pasurisë së qytetarëve të Kosovës, që shet interesat e Kosovës në çdo hap, kjo është elita politike e Kosovës. Këtu nuk është asgjë e rastit. Një shtet si Kosova, që fle mbi pasuri përrallore, të cilat asnjë shtet në botë nuk i ka të koncentruara kaq shumë në një hapësirë kaq të vogël, jeton në varfëri të skajshme. Krejt kjo është pasojë e një elite politikisht injorante, që sheh vetëm interesat e saja dhe jo interesat e Kosovës”, tha deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, politikan me përvojë në LDK, që nga themelimi i saj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Degradimi i shtetit

Analisti politik Nexhmedin Spahiu konsideron se ndryshimi mund të vijë vetëm me një shkëputje të madhe, prerje të fortë nga establishmenti politik i kriminalizuar dhe dhënia e besimit për të qeverisur vendin nga njerëzit me CV të pastër e të pashantazhuar.

“Po, gjithsesi, ndryshimi mund të ndodhë. Mirëpo, për t’u arritur kjo nevojitet në radhë të parë që në pozita ballore të institucioneve të Kosovës të jenë njerëzit e duhur. Duhet të vendosen në majat e piramidës shtetërore persona të aftë dhe të ndershëm”, tha Spahiu për “Kosova Sot”.

Sido që të jetë, ai beson se një filtrim i tillë në establishmentin politik të Kosovës nuk mund të ndodhë derisa vazhdon ky nivel i mosbesimit qytetar, i mungesës së guximit për votë ndryshimi dhe abstinenca e madhe e qytetarëve në zgjedhje.

“Mendoj se klasa politike e Kosovës ka kohë që e ka humbur besimin e qytetarëve me vetë faktin se në zgjedhje asnjëherë pjesëmarrja nuk po e kalon kuotën 50%. Ky fakt edhe e ka bërë klasën politike më të papërgjegjshme”, tha Spahiu për “Kosova Sot”. Pa shpresë me këtë establishment politik e sheh të ardhmen e Kosovës edhe analisti Jeton Kelmendi, sipas të cilit klasa politike e Kosovës është devalvuar si e tërë që nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe fillimi i rrënimit të imazhit dhe besimit edhe në LDK.

“Nga një vend që konsiderohej popull i urtë dhe liridashës, gjë që e pati krijuar një imazh të tillë presidenti Rugova, këta tjerët, duke përfshirë edhe shefat e partisë së Rugovës dhe me theks të veçantë Thaçi me sejmenët e vet, ia dolën që ta realizojnë këtë ndryshim dhe sot kemi një shtet ku qytetarët e tij nuk kanë të drejta as sa macet e vendeve të BE-së”, tha Kelmendi..

Presidenti i rrënuar mundohet të mbijetojë

0

Besimi dhe imazhi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, akoma pa e mbushur një vit të plotë nga zgjedhja e tij në pozitën e të parit të shtetit, ka rënë aq poshtë, saqë asnjë veprim që ndërmerr, nuk shihet si serioz. Edhe nisma për ndryshim të Kodit penal dhe atij të Procedurës penale, nga njohësit e fushës së sundimit të ligjit, po shihet si një lojë false e radhës, me qëllim të përpjekjes për ngritje të imazhit personal, i cili është rrënuar dhe ka rënë në pikën zero. Qasja e presidentit, që apostrofohet si fajtor për keqqeverisjen e vendit nga pozita e kryeministrit në dy mandate, shihet si qasje joserioze. Tani shtrohet pyetja se si mund t’i besohet për një nismë të tillë njeriu, i cili për dy mandate e gjysmë në Qeveri nuk e bëri një punë të tillë, derisa subjekti i tij politik shtriu rrjetin e krimit të organizuar në të gjitha nivelet e shtetit, kurse ai tani del e promovohet si lideri kryesor i agjendës anti-korrupsion nga pozita e presidentit.

“Iniciativa e vonuar e Thaçit për ndryshimin e Kodit penal dhe të Procedurës penale është një lojë false, e radhës e tij, me qëllim të përpjekjes për ngritje të imazhit personal, të rënë tashmë në pikën zero. Nuk e besoj të ketë njeri normal dhe të përgjegjshëm në vendin tonë që mund t’i besojë edhe më tutje Hashim Thaçit për një nismë të tillë, kur i njëjti për dy mandate e gjysmë të qeverisjes së tij nuk arriti të bëjë asnjë ndryshim pozitiv në sistemin e drejtësisë, Kodin penal e as të Procedurës penale. Për më tepër, gjatë qeverisjes së Thaçit, subjekti i cili ai drejtonte (PDK), shtriu rrjetin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e shtetit. Kurse, ai tani, pas asnjë fije turpi merr guximin për t’u promovuar si lideri “kryesor” i agjendës anti-korrupsion nga pozita e të parit të shtetit. Kështu, presidenti aktual po mundohet të shkoj tutje së ëndërruari, për të luajtur rolin e faktorit unifikues të subjekteve politike, nga një përçarës fatal i deridjeshëm”, tha analisti politik Florim Zeqa, shkruan gazeta Kosova Sot.

Lojë elektorale

Zeqa thotë se presidenti Thaçi, duke u deklaruar padrejtësisht si ‘përfaqësues’ i të gjitha subjekteve politike në vend, është duke u përpjekur të lërë në harresë mënyrën e zgjedhjes së tij si president i vendit, nën trysninë e forcave policore, snajperistëve mbi ndërtesën e Kuvendit, gazit lotsjellës dhe dhunës së ushtruar ndaj masave të gjëra popullore, që kundërshtonin zgjedhjen e tij president. Ai po mundohet të lërë në harresë dhe t’i ikë përgjegjësisë edhe për shkeljen skandaloze të 33 neneve të Kushtetutës.

“Hashim Thaçi paraprakisht para nismës për Kodin penal dhe procedurave penale, është e udhës të japë llogari para popullit dhe drejtësisë vendore për shkeljen e 33 neneve të Kushtetutës në marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel për ‘Zajednicën’ dhe nënshkrimin e vënë mbi marrëveshjen e dëmshme të Demarkacionit me Malin e Zi, e tek pastaj të na shesë moral politik dhe agjendë reformimi në sistemin e drejtësisë. Jo zoti president, populli nuk e blen ‘dushkun për gogla’ “, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”. Prof. i së drejtës Riza Smaka konsideron se presidenti e ka shfrytëzuar një të drejtë të tij kushtetuese për inicimin e një nisme legjislative, por ky inicim e ka gjithsesi një prapavijë tjetër joserioze, që ndërlidhet me aktualitetin e zhvillimeve politike e institucionale në vend, dhe është edhe njëfarë loje elektorale, sepse pikërisht këto ndryshime do të duhej iniciuar nga ana e Qeverisë përmes dikasterit përkatës dhe jo si nismë e re ligjore nga kabineti i presidentit.

“Në parim, nisma e presidentit Hashim Thaçi për modifikime të Kodit penal dhe të Kodit për procedurën penale, është konform me dispozitën e nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Zaten po këtë nismë si dhe të tjera të nevojshme për modifikime, nivelime e amendamentime të akteve ligjore në aplikim madje edhe për propozime të një numrit të konsideruar të akteve ligjore, që nuk ekzistojnë e janë të nevojshme për kërkesat praktike, ishte dashur të ndërmerreshin më herët. Gjithsesi, nismat legjislative, konform me nenin 92 dhe 93 të Kushtetutës, kryesisht janë obligime qeveritare”, tha Riza Smaka.

Mekanizmat e drejtësisë së dobët

Gjykim akoma më të ashpër dhe vlerësim negative jep profesori i së njëjtës fushë Muhamet Kelmendi.

“Problemi shtrohet se a është e rrugës që në situatën e tanishme të paraqiten si faktorë kryesorë të mosluftimit të krimit dhe korrupsionit defektet apo mungesat e caktuara të sanksionimit përmes Kodit penal dhe të Procedurës penale, e që unë mendoj se nuk është dobësia në këto dy kode, në të dyja këto kode thuhet mjaft qartë se cilat të drejta dhe cilat detyra i kanë institucionet që duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Mjaft qartë thuhet aty se kush dhe kur duhet të përgjigjet për veprat e tilla penale, dhe është përcaktuar edhe shkalla e dënimit.

Mirëpo, ky lloj veprimi i tanishëm i Thaçit është thjesht një përpjekje për mashtrim të masës duke e dhënë idenë e tij se gjoja shkaktari kryesor për mosluftimin e krimit dhe të korrupsionit, për shkak të së cilave ne nuk po mund të shkojmë më shpejt drejt liberalizimit të vizave, është në zbrazësitë ekzistuese të Kodit penal dhe të Procedurës penale”, tha prof. Kelmendi. Ai ka pohuar se akoma nuk janë krijuar mekanizma të mjaftueshëm sipas ligjit, që do ta luftonin më me efikasitet krimin dhe korrupsionin, derisa edhe ato që janë krijuar sipas ligjit po ngulfaten nga ndikimi i politikës, pikërisht nga kjo politikë e kriminalizuar që po qeveris vendin….

Grevë në burgun e Prizrenit

0

Rreth 20 të burgosur kanë hyrë në grevë në burgun e Prizrenit. Ata janë të pakënaqur me suspendimin e u.d. drejtorit dhe tre oficerëve korrektues.

Koordinatori i KMDLNJ-së në Prizren, Bashkim Kajdomçaj tha se të burgosurit kanë hyrë në grevë në ora 18: 25 minuta.

“Greva ka nisur me 23.11.2016 duke refuzuar shujtat e mëngjesit, drekës dhe darkës”, tha Kajdomçaj, shkruan PrizrenPress.

“Po ashtu, të përfshirët në grevë nuk kanë dal në shtije të zakonshme gjatë ditës së mërkurë. Ndërsa, të trajtuarit me terapi, e kanë refuzuar atë”.

“Arsyet e grevës janë pakënaqësia lidhur me suspendimin e u.d. drejtorit dhe tre oficerëve korrektues”.

“Nuk ka shifër të saktë të grevistëve pos asaj që në krahun C, janë 21 vetë që kanë hyrë në grevë. Ndërsa, burime tjera të pakonfirmuara pohojnë se numri mund të rritet, pasi që grevë si janë bashkuar edhe të burgosur të tjerë nga krahët ‘A’ dhe ‘B’.”.

“Sipas të paraburgosurit S.B. që është në krahun C, janë 21 vetë që kanë hyrë në grevë urie”.

“Qëllimi i hyrjes në grevë është shprehja e pakënaqësisë për padrejtësitë totale ndaj menaxhmentit të Qendrës së Paraburgimit, shkaku i marrjes së masave ndaj u.d. drejtorit dhe tre oficerëve të tjerë për rastin e Astrit Deharit, nga Ministria e Drejtësisë. Jemi në përkrahje të të suspenduarve nga MD-ja dhe nuk do ta ndërpremë grevën’, citon Kajdomcaj, të burgosurin S.B. duke folur në emër të grevistëve./PrizrenPress.com/

Ymer Hoxha pa kundërkandidat për kryetar të Gjykatës në Prizren

0

KALLXO.com sjell emrat e të gjithë atyre që synojnë t’i udhëheqin gjykatat themelore në Kosovë si dhe kandidatët për kreun e Gjykatës së Apelit.

Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj, ka konfirmuar për KALLXo.com listën e pretenduesve për t’i drejtuar gjykatat themelore dhe Gjykatën e Apelit, në mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.

Për të pasuar Salih Mekën në krye të Gjykatës së Apelit, e që tani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pretendojnë tre kandidatë. Hasan Shala, Xhevdet Abazi dhe Tomka Berisha janë tre kandidatët për kryetar të Gjykatës së Apelit.

Gjykatën themelore më të madhe në vend, atë të Prishtinës, e pretendojnë kandidatët Krenar Berisha, Afërdita Bytyqi, Vesel Ismaili, Arben Hoti, Beqir Kalludra si dhe kryetari aktual që kërkon mandatin për herë të dytë, Hamdi Ibrahimi.

Për Gjykatën Themelore të Prizrenit, kryetari aktual Ymer Hoxha nuk ka asnjë kundërkandidat.

Për të udhëhequr me Gjykatën Themelore të Gjakovës, Vaton Durguti është kandidati i vetëm.

Garës për të parin e Gjykatës Themelore të Gjilanit i kanë hyrë kandidatët Naser Maliqi, Veli Kryeziu, Aziz Shaqiri dhe kryetari aktual Zyhdi Haziri.

Ndërsa në gjykatën fqinje, atë të Ferizajt, në garë janë këta kandidatët Elmaz Zenuni, Musa Kongjeli si dhe kryetari aktual Bashkim Hyseni.

Afati për aplikim të kandidatëve për kryetarë të gjykatave ka përfunduar më 19 nëntor ndërsa mandati i kryetarëve të zgjedhur do të fillojë në janar të vitit të ardhshëm.

Hajnat bëjnë kërdi në shtëpitë e Restelicës

0

Më shumë se 20 shtëpi të banorëve të Restelicës së komunës së Prizrenit janë plaçkitur në 48 orët e fundit.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress Fatir Berzati nga Partia Gorane Unike (Jedinstvena Goranska Partia), i cili pas lajmërimit të rastit ka dal në terren për ta vizituar fshatin Restelicë.

Ai tha se shtëpitë janë thyer pasi që pronarët e tyre jetojnë jashtë shtetit.

Në mesin e shtëpive të plaçkitura sipas Berzatit është edhe shtëpia e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha.

Lajmin për KosovaPress e konfirmoi edhe Shaqir Uka nga Policia e Prizrenit. Sipas tij më 22 nëntor, Policia e Kosovës ka marr informatë për disa plaçkitje në fshatin Restelicë.

Uka tha se hajnat kanë tentuar të plaçkitin rreth njëmbëdhjetë shtëpi të cilat janë të pabanuara, ku shtatë shtëpive i është dëmtuar vetëm dera e hyrjes, kurse tek katër tjera nuk është parë ndonjë dëmtim.

Ai tha se nuk ka pasur vjedhje apo dëmtim prone dhe se shtëpisë së deputetit Adem Hoxha i është thyer vetëm dera e hyrjes.

Fshati Restelicë ka rreth 1.500 shtëpi të banueshme dhe mbi 7 mijë banorë të komunitetit goran që aktualisht jetojnë në Restelicë. Ndryshe, së bashku me mërgimtarët shifra arrin deri në 13 mijë./KosovaPress/

Ymer Berisha: Po punojmë për ngrohjen e shkollave

0

Në shkollën “ Besim Ndreca” të fshatit Lutogllavë për shkak të problemeve me ngrohje po mbahet orari i shkurtuar i mësimit, ndërsa nga mbrëmë është vënë në funksion sistemi i ngrohjes në objektin e ri të shkollës së mjekësisë “ Luciano Motroni”. Ditëve të fundit , në shkollën e fshatit Lutogllavë janë paraqitur probleme me ngrohjen e objektit dhe orari i mësimit është shkurtuar.

Lidhur me këtë çështje, zyrtari komunal për informim në Prizren, Ymer Berisha, thotë se në këtë institucion shkollor është duke u punuar në rregullimin e sistemit të ngrohjes, ndërsa aktualisht është duke u përdorur ngrohje alternative. Zyrtari Berisha, tha se si rrjedhojë e rregullimit të sistemit të ngrohjes, mësimi është duke u zhvilluar në orar të shkurtuar, dhe një gjë e tillë do të vijojë edhe gjatë dy ditëve në vijim deri kur të përfundojnë punimet në zgjidhjen e kësaj çështje nga menaxhmenti i shkollës.

Probleme saj përket çështjes së ngrohjes në institucione shkollore janë paraqitur edhe në objektin e ri të shkollës së mjekësisë , por nga mbrëmë ky problem është zgjidhur , bëri të ditur zyrtari për informim , Berisha. Ndryshe , rreth problemeve me ngrohjen në shkollën e Lutogllavës, mbrëmë përmes një postimi në Fejsbuk, ka reaguar zyrtari i degës së LDK-së nga ky lokalitet, Fatmir Memaj, i cili ka apeluar tek organet kompetente që të marrin masa të menjëhershme që të sigurohet ngrohje për nxënësit, të cilët përveç orarit të shkurtuar të mësimit janë përballur edhe më të ftohtin, kishte shkruar ai…/TV Prizreni/

Hoxhaj dorëzon kërkesën për njohjen e Kosovës nga Madagaskari

0

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar të mërkurën ministren e Jashtme të Madagaskarit, Beatrice Atalla, në kuadër të Samitit të Frankofonisë që po mbahet në Madagaskar.

Hoxhaj e ka falënderuar homologen për ftesën si vend nikoqir i Samitit të Frankofonisë, ndërsa ka biseduar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. Me këtë rast Hoxhaj i ka dorëzuar ministres Atalla edhe kërkesën zyrtare për njohje.

Pas takimit, Hoxhaj ka deklaruar se pret mbështetjen e Madagaskarit për Kosovën dhe se është i interesuar për bashkëpunim ndërshtetëror si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët. “Në ditën e parë të Samitit të Frankofonisë kam takuar 12 shtete të ndryshme, shumica e tyre vende jo njohëse dhe qëllimi kryesor ka qenë që ta bëj kërkesën zyrtare për njohje të Kosovës, si dhe t’u ofroj argumente të fuqishme se pse këto vende duhet ta njohin Republikën e Kosovës. Këto vende shtrihen në Afrikë, në Azi dhe në pjesë të tjera të botës dhe shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt do të kemi lajme të mira sa i takon njohjes së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa ministrja Atalla e ka falënderuar Hoxhajn për vizitën si dhe dorëzimin e kërkesës për njohje nga ana e Kosovës. “Si ministre e Punëve të Jashtme e Madagaskarit, dhe si presidente e konferencës ministrore frankofone, së pari dëshiroj të falënderoj ministrin dhe delegacionin e Kosovës për ardhjen e tyre në Madagaskar, dhe para se gjithash për dorëzimin e kërkesës në mënyrë që pavarësia e Kosovës të njihet nga Madagaskari” ka thënë Atalla. Në agjendën intensive të Samitit, Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me homologët dhe udhëheqësit e delegacioneve nga Burkina Faso, Benini, Luksemburgu, Gaboni dhe Comoros. Paradite Hoxhaj ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të Frankofonisë, si dhe ministrat e jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit.