Home Blog Page 6206

Kadare dhe piramidat e Enver Hoxhës

0

Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj „Piramida“ e I. Kadaresë, për një sërë arsyesh: nuk kam qenë aty kur është publikuar te „Rilindja Demokratike“; kur jam gjendur në Tiranë ose më ka dalë nga mendja, ose edhe nuk e kam gjetur kur e paskam kërkuar. Ndërsa tani u bë shkak që e lexova më në fund lehtësia me të cilën e shkarkova, pasi veprat e I.K.-së janë hedhur online si e-books e mund të shkarkohen nga gjithkush, shembull ky që u duhet rekomanduar medoemos botuesve shqiptarë, që ankohen për bjerrjen e leximit, porse harrojnë frikshëm shqiptarët jashtë atdheut, që i bie të jenë pothuajse gjysma e lexuesit potencial të librit shqip, por që nuk e kanë fatin e rrëmimit në ato pak librari fizike të trishtueshme të Tiranës.Mirëpo shpejt u ndieva me fat që nuk e paskam lexuar asokohe; nuk do të kisha patur qetësinë e duhur asokohe për ta lexuar këtë libër si ç’duhet, siç edhe vetë autori, cilido autor, ma do mendja, mëton të lexohet, si shkrimtar, si estet, e jo si tribun i vegjëlisë apo bacë i dherave ku shkelën të parët.

Edhe më shumë iu gëzova edhe vetes sime, lexuesit në mua, të cilit nuk i duhet më tashmë, nuk po kërkon më të gjejë mes rreshtash kumte sekrete disidente e as të qëmtojë alegori të largëta apo të afërta, ndonëse ato mund të gjendeshin e gjenden aty me shumicë e pa shumë mundim. Por nuk po dua më të lexoj asisoj dhe i gëzohem leximit të një libri që vjen nga Mëmëdheu sikur dëgjimit të një sinfonie, leximit estetik të tij. Nuk dua, jo se i trembem përballjes me të kaluarën, as se kërkoj ta harroj atë; thjesht, përvoja jetësore më ka mësuar të mos merrem më me gjëra, shtjellën e së cilave nuk e ndikoj, nuk e ndryshoj dot. Ka boll padrejtësi e dhimbje e luftë e ligësi kjo botë, mirëpo duhet bërë kujdes, e këtë paskam mësuar nga disfatat, me dozën e përditshme të helmit që merr nga media, nga njerëzit, nga lajmet, nga gjithçka – fundja, atë që po kërkojmë ta arrijmë për të tërë, duhet të shohim ta vëmë në jetë ne vetë të parët: ndonjë shëtitje të qetë, ndonjë bisedë të këndshme me miq, ndonjë libër të mirë, ndonjë pikturë të bukur e ca muzikë të mirë; për këtë jetohet fundja, apo?

Me një fjalë, i gëzohem faktit, që marr një libër në dorë e nuk më duhet të pyes: »Çfarë ka dashur të na thotë autori me të? » pyetje kjo mbase në kohëra totalitare mëse e këshillueshme, por jo për lexuesin në liri, bashkësi kjo ku mund ta llogaris veten, për fatin tim të keq apo të mirë, vetëm përgjysmë.

2.Para disa vitesh, ndërsa gjendesha në Tiranë, po bisedonim me dy miq në një kafene diku pas piramidës. Asokohe zhvillohej debati në parlament, për prishjen apo ruajtjen e saj, të cilin nuk e kisha ndjekur në hollësi, porse për të cilin isha deri diku në dijeni, pasi nuk i shpëtoje dot; të gjitha gazetat online e kishin në faqen kryesore e mund t’u bishtnoje shkrimeve, por jo titujve, që të goditnin sapo klikoje ndonjë faqe.

Shpejt vura re në Tiranë se tema kish zënë vend edhe në bisedat e përditshme; tre a katër të njohur që kisha takuar më kishin treguar idetë e tyre për të; të djathtët qenë për prishjen e saj, të majtët për rehabilitimin dhe ruajtjen, madje pata dëgjuar edhe të tjerë që flisnin për vlerat e saj arkitektonike. E pasi mbaronin së shfryri dufin e tyre, ndoshta mllefin, me të kaluarën, me shtetin, me botën, në mos me veten e tyre, por edhe me tjetrin në mënyrë të pandërgjegjshme, që në këtë rast i binte të isha vetë, kujtoheshin pastaj se jam i fushës e, për të patur ndoshta edhe alibinë e monologut që kishte paraprirë, ndërmendeshin të më pyesnin së fundmi se ç’do të bëja unë me të, me piramidën domethënë.

Njëri nga miqtë e mi, pasi qemë pyetur me si jeni, e nga familja, e të gjithë mirë, hapi edhe ai këtë temë, duke e treguar me dorë në një gjest domethënës ngrehinën.

“Unë them ta bëjnë muze për të përndjekurit«, tha dhe, pasi kishte argumentuar gjerë e gjatë se pse ajo duhej të bëhej e tillë, muze pra, nuk harroi edhe ai të na pyeste ne dy të tjerët se ç’do të bënim me të, nëse do të mundeshim.

Ashtu si edhe të tjerët, ai e shtroi pyetjen bardhezi, duhej prishur apo duhej mbajtur, por edhe nuk ngjante fort i interesuar për përgjigjet që i binte të merrte prej nesh, gjykuar nga shprehja e vagullt e përhumbjes që i ra në fytyrë, kur mbaroi së foluri vetë e që i bie shumëkujt në Shqipëri përgjatë bisedës, kur tjetri kërkon ta dëgjojnë atë vetë, porse pak i bën për të dëgjuar të tjerët.

“Mua kjo gjëja”, ia nisi miku tjetër, »sidomos e parë këtej nga pas, më ngjan me të pasmet e një shqiponje të bastarduar prej betonarmeje, e shartuar me një yll, po prej betoni, një farë kimere e neveritshme e dhunës me absurditetin, e ateizmit me paganizmin stalinist; me një fjalë: po të ishte për mua e nëse do të mundesha, do ta kisha shkulur qysh tani, si të thuash, nuk do t’i lija dy gurë bashkë. Më kujton, kur e kundroj, një kërmë ndanë rrugës, por edhe më shumë akoma,- po të mos qenë rropullitë, që i kanë mbetur ende, dhe mizat që i vijnë vërdallë (ca njerëz që hipnin e zbrisnin lart e poshtë), si edhe grafititë,- më kujton pra skeletin e një dinozauri, një tireksi, që, falë Zotit, nuk është më gjallë, përndryshe do të na kishte shqyer të gjithëve. Mendo sikur kjo godinë të ishte e mirëmbajtur e bashkë me të edhe diktatura e tash të kishim mbi krye brezin e tretë të diktatorëve, se si do të na dukej.

Do ia hiqja rropullitë fare, do e lija veç skelet, si mbetjet e një ndërtese në Hiroshima, funksioni i së cilës nuk po më kujtohet, por që është lënë në mes të qytetit, tashmë modern, si përkujtimore e bombës atomike që u hodh aty; bomba që hodhi Enver Hoxha këtyre anëve, trutë e gomarit që u hodhi njerëzve, është e njëjta gjë, pak a shumë. Kinse simbolizon një shqiponjë që bëhet gati të çohet në fluturim, porse mua më ngjan me një merimangë.«

Më erdhi për të qeshur me ç’tha, ndërkohë që bashkë me mumien e paqenë të Hoxhës, m’u asociua kushedi pse me një skenë nga „Zoti i unazave“, ku një merimangë gjigante e mbështjell personazhin me fije, e bën kokon. M’u shfaq diktatori i mbështjellë ashtu me fasha, kur u bënë homazhet diku te Kuvendi Popullor (apo paska qenë Instituti i Arteve?), të mbështjellë si kukurec, si plënc i qepur, me penjë mëndafshi, por më kishte ardhur radha për të thënë diçka e të dy po prisnin të flisja, jo pa ligësinë e kujt pret që ti të gabosh, të bësh gafën, rastin për të të zënë gafil me fjalët e tua,- kështu të paktën më ngjau e kishte fort të ngjarë që ligësia që po projektoja tek ata të ishte ligësia ime, që buronte nga pafuqia që të zë kur Qoftëlargu largohet nga kjo botë mirë e bukur, pa i hyrë gjemb në këmbë, – sidoqoftë e zura fillin dhe u pozicionova menjëherë në pozicionin më të rehatshëm në një bisedë, në atë agnostik.

“Shiko”, më bëhet se paskam thënë, por ndoshta edhe vetëm e kam menduar këtë, »nuk mund të them asgjë pa u njohur me objektin; do të më duhej të shikoja planet e ndërtimit, ta vizitoja nga brenda, të mendohesha: e gjitha kjo do të hante disa muaj, porse edhe nëse do i kisha bërë të tëra këto, nuk është e thënë se do të më kishte lindur me patjetër ndonjë ide që do t’ia vlente…«

“Më habit”, shtova pas një heshtjeje, »mënyra se sa shpejt priten drutë këtyre anëve, se sa shpejt e atypëraty parlamenti vendos jo vetëm prishjen, por zgjedh edhe projektin fitues të ngrehinës së radhës. Mirëpo parapëlqimet e mia personale, nëse flasim për objekte të tilla, duhen lënë mënjanë e, nëse do të isha shefi i kësaj pune, do të përpiqesha ta shikoja çështjen më me objektivitet, gjë që është, natyrisht, vetëm deri diku e mundur. Një gjë është e sigurt: ky përbindësh nuk ka asnjë vlerë arkitektonike e as ndonjë estetike; nëse ka të tilla i bie të jenë ose të natyrës historike, ose të asaj muzeale. Tani, edhe ai pallati atje me njëzet e ca kate, edhe ai gërmadhë fringo e re është, parë kështu, e po ndërtohet mu tani bash në qendër të Tiranës, nuk ka mbaruar akoma, por të paktën nuk ka ngarkesën emocionale të diktaturës, pa çka se ka një tjetër asisoj, atë të kapitalizmit vulgar, të çoroditjes së pafre. Dikur na vrau e preu Enveri, qeveria, shteti; sot të qërojnë vrasës gjaknxehtë a gjakftohtë, gjakmarrës, tipa me silenciator a me pump-gun, dealer-a droge, apo ndonjë i fortë që nxehet kot në kokë të vet; dikur na morën në qafë parimet; tani po na merr mungesa e përfarshme e tyre.

Natyrisht që unë nuk jam idiot që të pohoj se tani qenkësh po aq keq sa edhe nën diktaturë, apo edhe më keq akoma: që atëherë ishte më mirë; e tashmja është në njëfarë mënyre vijimësia e së shkuarës e nëse nuk duam të jetë kështu, do të na duhej të ndaheshim përfundimisht prej saj duke e përpunuar, mirëpo jo duke e zhbërë, thjesht sepse kjo e fundit është e pamundur. Por, më tepër se aq, jam pothuajse i lumtur që aq më bën se ç’ndodh me të, pasi problemi i vërtetë nuk qëndron te ndërtesa, por në mendjet e njerëzve; janë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit, por edhe të përvuajturit e asaj kohe, ne të tërë thuajse, që e kemi vetëdijen e trazuar, vetëdijen e fajit, pasi të tërë e dinë se këtu ka ndodhur një krim. Me një fjalë, piramida e vërtetë gjendet në trutë e gjindjes, ndërsa kjo këtu«, e përsërita vetë tash gjestin e mëparshëm të mikut, duke e treguar me përçmim, »është vetëm një kopje e mjerë e arketipit të botës ideale, sipas Platonit, po të duash.“

“Pra, do e mbaje.«, vuri pikat mbi i miku, të cilit i pata kopjuar gjestin, ndonëse nuk ishte kjo ajo që kisha dashur të thoja.

3.Kur u ndamë e u largova nëpër zheg i vetëm, tema e bisedës më ndiqte pas si një pulëbardhë vazhdën që lë në ujë anija. E kjo nuk kishte të bënte me ngrehinën në fjalë; nuk ishte ajo që nuk më lëshonte, por simbolika e arketipit piramidal si e tillë.

Në zanatin tim është e zakonshme të përballesh me figurat elementare dydimensionale në letër e më pas me trupin në realitet, me dimensionin e tretë.

Janë tri figura arketipale; trekëndëshi, qarku dhe katrori. Në artet figurative, veçanërisht në arkitekturë, është e këshillueshme të mos përdoren të trija sëbashku, për të shmangur eklektizmin, por e shumta dy të tilla, gjë që shpesh është e detyruar ngatredimensionaliteti dhe kompleksiteti i formave dhe funksioneve. Çdo kombinim tjetër më kompleks është veçse fraktal i këtyre tre elementëve bazikë.

Nëse do të provohej, në një përpjekje të thjeshtëzuar, të rrokeshin kahjet e artit,- e jo vetëm të tij, por edhe i gjithë mundi botëkuptues i feve, filozofive, shkencave, etj.,- këto kahje mund të ndaheshin në mënyrë, e përsëris, fort naive e të thjeshtëzuar, ndoshta vulgare, në dy kampe të mëdha, në dy prirje themeltare.

Njëri kah është ai drejt reduktimit, zbërthimit së gjithçkaje në emëruesin më të vogël të mundshëm, pikës, drejt zeros, atomit të Demokritit, monadave, monoteizmit; tjetri është ai pagan, pluralitetit të zotave, hinduizmit, bigëzimit aristotelian, multiverseve.

Në epoka të ndryshme e stilet artistike gjendet e njëjta sinusoidë. Ndërsa arkaizmi priret drejt arketipit, epoka klasike mëton të gjejë masën e duhur, më pas vjen baroku, rokokoja, ornamenti e pastaj kurba nis të priret sërish drejt thjeshtëzimit.

E tëra kjo përkon edhe me vetëdijen jo vetëm estetike të njerëzimit, por edhe me ngritjet, shkëlqimet dhe rëniet e tij; me luftrat, epokat e arta, shkatërrimet, përmbytjet e kështu me radhë.

Ndodh, më shpesh se ç’mendohet që të dyja prirjet e lartpërmendura të fqinjërojnë pranë e pranë. Nëse piramida është shembëlltyra e përsosur e reduktimit, labirinti është shembëlltyra e përsosur kah harlisja. Në Egjiptin e vjetër, ndërsa piramidat i kanë mbijetuar kohës, labirinti, i cili, sipas Herodotit, tejkalonte çdo përfytyrim, madje edhe piramidat vetë, ka patur fatin e përkundërt.

Arketipet, me sa duket, janë më stabile, jo vetëm nga ana statike, se fraktalet e tyre. Por ka edhe diçka më elementare se vetë piramida: shkretëtira. Njërën me tjetrën i lidh era, rëra, reduktimi i gurit në emëruesin e tij më të vogël të përbashkët, me hiçin; nëse piramida do të shprishej e do të frynte erë ndërkaq, çka do të mbetej prej saj do të ishte vetëm lëndë shkretëtire, një valle rëre.

4.Kjo përsiatje m’u ndërmend edhe një herë kur mbarova së lexuari „Piramida“ të I. Kadaresë. Ky është ndoshta libri më shtypës, më kompakt, i tij; ka fort dendësi edhe te „Pallati i Ëndrrave“, por ngjashmëria fqinjërore është si ajo e piramidës me labirintin; vetëm dendësia atmosferike dhe lënda e përdorur, lëndë makthesh, të ngjallin asociacionin e fqinjërisë.

Ndërsa për nga stili, për nga intermezzo-t (nga kronika) romani të kujton „Kronikë në gur“ dhe „Kështjella“, këtë të fundit edhe më tepër, pasi, nëse te ky sulmohet një kështjellë, te „Piramida“ po ngrihet një e tillë, që nuk do mbajë të gjallë të rrethuar brenda, porse vetëm një të vdekur të rrethuar prej gurësh. Me një fjalë, rrëfimin e kështjellarit arbër, subjektin njerëzor, vendin e tij, e merr guri, guri i lëvizur me mundime të mëdha sizifiane prej të gjallësh që shpesh shtypen prej tij, bien rrugës nga ngjitja e tij në majë; Sizifi dhe guri ndërrojnë vendet; këto intermezzo janë edhe zemra e romanit e janë të shkruara fort mjeshtërisht.

Ndonëse pesha e gurëve, hetimet, ndëshkimet, përbetimet e denoncimet, krijojnë te lexuesi një kapllim shtypës, me një fill të hollë humori të zi rrëzëllitës autori ruan drejtpeshimin mes makabritetit e zymtësisë, nga njëra anë, dhe lehtësisë efemere të absurdit, të përsëritjes së historisë deri në mërzi, nga ana tjetër. Ambasadori sumer që i nis raportet sekrete shtetit të tij me qerre plot me pllaka të shkruara argjili; bathët (nënkupto; fasulet, groshët tona) për të cilat njerëzit mbajnë radhë; jeta pas vdekjes e faraonit Snefru, e cila mund të përkthehej edhe si ajo e Enver Hoxhës: një ditë, pastaj edhe një ditë tjetër… pastaj vijnë shokët Gogo Nushi, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu për një mbledhje të organizatës, edhe një ditë, një tjetër ditë… i japin së tërës një frymë lojcake rrëzëllitëse, që i rri bukur asaj të përzishmes, që përshkon tekstin fund e krye.

5.Po flisja ca më sipër për kohë leximi; nuk ishte e njëjta gjë të lexoje para ’90-ës; tjetër gjë është po ashtu të lexosh nga ’90-ta e këtej. Leximi në robëri është i ndryshëm nga ai në liri, por edhe ky i fundit varet nga lloji i lirisë në të cilën gjendesh.

E njëjta gjë i ka ndodhur, me sa duket, edhe autorit gjatë shkrimit të këtij romani; ndërsa treçereku i librit është shtypës, alegorik dhe asociativ, nga kreu i XII (Dhunimi) e deri te ai i XV (Kafkana) stili ndryshon papritur, syri gjithëparës,- siç tregohet në teoritë konspirative, ku nuk harrohet të përmendet simboli masonik mbi dollar, por që mund të krahasohej me këndvështrimin e një autori të gjithëdijshëm,- syri gjithëparës pra, piramidioni, si të thuash, i cili deri më atëherë ka qenë panoramik, vjen e fokusohet te personazhet: e gjitha kjo është shkruar fort bukur e mjeshtërisht, porse nuk është në vazhdën e asaj që e ka paraprirë. E njëjta gjë ndodh edhe me paralelen e hequr me Timur Leng-un dhe spagatën me bunkerët e Shqipërisë; faqja e fundit, për shijen e shkruesit të këtyre radhëve, është mëse e tepërt.

Pjesa me Timurin e çalë është e shkruar dhe ajo fort mjeshtërisht e do të kërkonte një shkrim më vete, mirëpo filli që e mban lidhur me rruazat që i kanë paraprirë është i hollë dhe i kërkuar, metafora si e tillë, simbolika e saj, mund të gjendej në gjithë piramidat e kësaj bote, nga majat e Amerikës Jugore e deri në Kinë e Indonezi.

Shkruesi i këtyre radhëve është vetëm lexues e ka fort të ngjarë të gabohet; sidoqoftë ai mendon se pjesa „Kafkana“ duhej të ishte nxjerrë diku më vete, si novelë më vete; por është e kotë të supozojmë për fatin e saj, pasi ajo është tashmë e përfshirë në roman e ky i fundit është fakt i kryer; mund t’i sugjerohej lexuesit, pasi të kish mbërritur te kreu i XII-të, ta linte librin për ca kohë mënjanë, të lexonte diçka tjetër në mes, pastaj të vazhdonte deri te kreu i XV-të e të bënte të njëjtën gjë edhe me pjesën e mbetur.

Me sa duket, edhe për autorët vlen thënia e vjetër e Heraklitit: „Askush nuk zbret në të njëjtin lumë dy herë njëlloj“ e romani nuk është shkruar në vijimësi, por në gjendje të ndryshme krijuese, ndoshta edhe lirie.

Mirëpo, ashtu si ç’ka një kohë leximi, një të tashme të tij, po ashtu ka edhe lexime të shkuara, një kohë pasleximi, e kur lexoj se ç’paskam shkruar më sipër në një kohë të tillë pasleximi, mendoj se ndoshta ajo që shkrova për fillin që i lidh pjesët me njëra-tjetrën bënte sens përgjatë leximit, por jo më tani, për pasleximin, ashtu si shija e disa ushqimeve të zgjedhura të vjen ca me vonesë, pasi i ke përtypur ato.

Ndaj, tash, në një kohë të dytë, kur sjell ndërmend dy imazhet bazë të kësaj novele, piramidën prej guri të Keopsit e atë me kafka të Timur Leng-ut, më duket papritur se tash ata rrinë për bukuri përbri njëri-tjetrit.

Çka e lidh piramidën me labirintin, shartimi i tyre, si të thuash, i reduktimit maksimal me mëtimin e pafundësisë është po ashtu stuhia e rërës, labirinti i shkretëtirës, diçka amorfe, kaotike, e panënshtrueshme, diçka si era, po, turma, thashethemnaja, piramida e shpirtrave, e ëndrrave, piramida prej rëre.

E kjo është edhe lënda e vërtetë e këtij romani.

6.Pas piramidave të Gizesë, shumëkujt do t’i vinte ndër mend, nëse do të përmendej kjo fjalë, një e tillë moderne prej qelqi në hyrje të muzeut të Luvrit.

Pakkush, besoj, e ka patur mendjen, pas gjithë asaj mësymjeje kulturore që pëson vizitori në muze, kur ka dalë prej andej e ka marrë ndoshta përposh për në metro, që të ngrejë kryet e të shohë një piramidë xhuxhe të varur në nënkalim, një kundërpiramidë, nëse nuk më gënjen kujtesa.

Ndoshta gjithçka ka nevojë për të kundërtën e vet, pasqyrimin e vetvetes, ku të mund të kundrohet, ku do të mundte të plotësonte me tjetrën gjysmën e gjymtë.

Strukturat njerëzore, në të gjitha kohërat, edhe në ato demokratike, kanë qenë hierarkike, piramidale. Ndoshta, ndonëse kjo është utopike, do të na duhej të mëtonim ca më shumë për të tjera forma po aq të përsosura, në të cilat pikat janë të barazlarguara nga qendra, struktura rrethore pra, në mos sferike.

Mirëpo në paragrafin e mësipërm ka një të panjohur të madhe: ne, njeriu.

Fort është përpjekur të ndryshohet ai, të gjykohet, të ndahet gruri nga egjra, fort është keqkuptuar ai, prej kujt? Prej tij vetë.

Kafkat tona janë gurët me të cilët kemi ndërtuar piramidat tona, shpesh fort të pjerrëta.

7.Idetë e dy miqve të mi nuk po më ngjajnë, tani që hodha këto radhë, aq të këqija; më mirë akoma, mendoj, do të kishte qenë një kombinim i tyre.

Pasi t’i hiqnim rropullitë mumies, piramidës së Enver Hoxhës, e t’i linim vetëm skeletin prej betonarmeje, mund ta mbushnim kafazin, burgun e krijuar, me kafka, me kafka porcelani ndoshta, ashtu si Ai Weiwei pat mbushur dikur një sallë ekspozite me fara luledielli porcelani. Numri i kafkave mund të llogaritej lehtë.

Ndërsa në majë, aty ku dikur gjendej ylli pesëcepësh, mund të vihej mbikafka, kafka e ndonjë koke të madhe, më të marrit të anëve tona, e cila, nëse pushteti është marrëzia më absolute e ka shumë të ngjarë të jetë ashtu, do i binte të ishte e kujt?…

Por kjo është vetëm një ide e marrë hua nga libri e ndaj le ta lemë më mirë mjeshtrin të flasë vetë:

… Duke qeshur e duke u tallur kërkuan ndonjë kokë të stërmadhe, por meqë nuk e gjetën aq sa ç’e kërkonin, dikush u kujtua për Mongkën, një torollak kokëmadh, nga ata që ndiqnin pas karvanët ushtarakë. E thirrën budallanë, i thanë: »do të bëjmë princ« dhe, pasi ia prenë kryet nën gazmendin e të gjithëve, i derdhën plumb të shkrirë sipër çaçkës dhe ia vendosën në majë…

Grabitje nën kërcënim të armës në Llazicë të Malishevës

0

Një person, mashkull, shqiptar, kishte raportuar në polici se nën kërcënim të armës persona të panjohur i kishin grabitur para e gjësende të tjera.

Në raportin e sotshëm të Policisë së Kosovës theksohet se dje, në orën 22 të mbrëmjes, në fshatin Llazicë të Malishevës viktima mashkull (K/shqiptar) ka raportuar se tre persona të panjohur nën kanosjen e armës-revoles i kanë grabitur para të gatshme, boksa cigare të llojeve të ndryshme dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin, thuhet në raport.

Arrestohet i dyshuari për vjedhje të shtyllave elektrike në Rahovec

0

Në komunën e Rahovecit nga data 5.10.2016 deri me datën 21.11.2016 vazhdimisht janë paraqitur disa raste të vjedhjeve të rënda dhe dëmtime të instalimeve publike të kryera nga persona të panjohur në 28 shtylla elektrike të metalta, konkretisht profilet e metalit të llojeve të ndryshme rreth 9 500 kg.

“Nga këto shtylla elektrike janë vjedhur pllaka metalike të formave dhe madhësive të ndryshme rreth 220 copë, bulona lidhëse, dado, nënshtresa rreth 800 copë, nga linja interkonektive, linjë që përfshin komunën e Rahovecit, përkatësisht përmes fshatrave Zatriq, Kaznik, Pastasel, Polluzhë dhe Sarosh, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, thotë Policia e Kosovës.

Ndërkaq, Stacioni policor në Rahovec pas disa veprimeve operativo-hetimore ka arritur që të identifikojë të dyshuarin e mundshëm, ku në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit ka kryer bastisje në shtëpinë dhe automjetin e të dyshuarit, ku ka gjetur disa mjete të dyshuara për kryerjen e veprës penale, pastaj ka vazhduar me bastisje në një depo të një hekurishte në Rahovec ku ka gjetur dhe ka konfiskuar materialin e vjedhur.

“Me këtë rast është arrestuar i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës, Sh. V., lindur me 1968”, potencon Policia.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët e kësaj zone që të bashkëpunojnë me Policinë dhe kompaninë KOSTT në mënyrë që të parandalohen dëmtimet, respektivisht vjedhjet e këtyre instalimeve publike duke pasur parasysh se përveç rëndësisë së madhe ekonomike këto dëmtime paraqesin rrezik permanent për jetën dhe pronën e qytetarëve.

EULEX mbështet suspendimin e katër zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren

0

Lidhur me lajmin e suspendimit të katër zyrtarëve të Qendrës së Paraburgimit në Prizren ka reaguar edhe EULEX.

“EULEX mbështet përpjekjet e Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien në shërbimin korrektues”, shkruhet në një postim të EULEX-it në Twitter.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë, përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, gjatë inspektimit nuk ka gjetur asnjë veprim të institucionit, i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktar i vdekjes së Astrit Deharit, por për shkak siç thuhet neglizhencës procedurale, ka suspenduar katër zyrtarë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. /Telegrafi/

Vesel Gashi: Gjendja e sigurisë është e qetë dhe stabile

0

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Vesel Gashi, ka theksuar se “gjendja e sigurisë në rajonin e Prizrenit dhe konkretisht në Prizren është e qetë dhe stabile.

“Nuk ka pasur ndonjë rast apo incident që do të ndikonte në sigurinë e rajonit dhe të Prizrenit”, tha Gashi.

Rafet Bushati: Zejtarët dhe argjendarët,  po i mbyllin dyqanet në mungesë të sigurisë

0

Kryetar i ZES-it, përkatësisht Federatës së Shoqatave të Afaristëve  dhe Bizneseve në Prizren, Rafet Bushati ka konfirmuar se shqetësimi në lidhje me sigurinë , përkatësisht mbylljen e hershme të dyqaneve është adresuar  nga disa zejtarë, përkatësisht argjendarë.

“Ata kanë shprehur qëndrimin se  nuk ka patrullime  të policisë apo, ato janë shumë të rralla, si dhe problemin e ndriçimit”, tha Bushati për KD.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, që njëherësh udhëheq edhe Degën e Nismës në Prizren, dje ka akuzuar autoritetet komunale se e kanë bërë të rëndë jetesën e qytetarëve dhe të bizneseve, veçanërisht sa i përket aspektit të sigurisë.

Pasiguria manifestohet me frikën e argjendarëve për të punuar, ngase ata i hapin dyqanet më vonë se bizneset e tjera dhe i mbyllin po ashtu më herët, nga frika e ndonjë sulmi eventual nga hajdutët.

“Bizneset ndihen të pasigurta. Situata e rëndë në rrafshin e sigurisë ka bërë që shumë biznese, veçanërisht argjendarët në rrugën ‘Adem Jashari’ t’i hapin dyqanet e tyre pasi të popullohet rruga me qytetarë, si edhe t’i mbyllin para se të bjerë terri”, ka thënë Berisha.

Ai ka shtuar se Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi udhëhiqet nga kryetari i Komunës, “i cili në mungesë të dijes dhe vizionit ka bërë që qytetarët sot të jenë të pasigurt edhe në shtëpitë e tyre”.

“Në Prizren hajdutë të maskuar vjedhin çdo ditë… Edhe pas 17 vjetëve liri dhe 9 vjetëve pavarësi, të jemi të pasigurt për të jetuar dhe për të zhvilluar veprimtari ekonomike dhe biznesore, është më se skandaloze dhe e patolerueshme”, ka deklaruar Berisha.

 

Eqrem Kryeziu “publikon” votën për zgjedhjet e ardhshme

0

Ish-nënkryetari i LDK-së Eqrem Kryeziu ka “publikuar” votën e tij, për zgjedhjet e ardhshme. Ai thotë se vota e tij do të jetë çkapjen e pushtetit.

“Votën time do ta ketë ajo forcë politike që zotohet se nuk do të pranojë asnjë parashkrim të lëndëve për korrupsion për insektet e majme të skenës politike”, shkruan Kryeziu në Facebook,transmeton PrizrenPress.

“Besa edhe rishqyrtim të proceve herë të kapura, herë të çkapura nga pushteti”.

“Kaq mund të bëj me votën time të vetme”./PrizrenPress.com/

Vandalizohet Shtëpia e Alfabetit, Kosova hesht!

0

Institucionet e Kosovës nuk kanë reaguar për vandalizmin e Shtëpisë së Kongresit të Manastirit. Nga këto institucione nuk është dërguar as urim për këtë përvjetor

Alfabeti shqip ka shënuar 108-vjetorin e formimit. Por, ky përvjetor ka kaluar në heshtje në Kosovë. Institucionet qendrore të shtetit si dhe as ato kulturore e arsimore nuk kanë shënuar ditën e Alfabetit. Më 22 nëntor të vitit 1908 në qytetin e Manastirit, intelektualët shqiptarë vendosën alfabetin latin me 36 shkronja, me të cilin shkruhet sot shqipja.

Para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatje të tyre. Kongresi i Manastirit, madje njihet se i paraprinë shpalljes kulturore të pavarësisë së Shqipërisë, që do të ndodhë më 1912.

Por, të martën Shtëpia e Alfabetit në Manastir është vandalizuar.

“Është thyer dera e shtëpisë, ndërsa në të është ngjitur edhe një grafit ku shkruhej “Vdekje për shqiptarët”, kanë raportuar gjatë ditës së martë mediet shqiptare në Maqedoni. Ndonëse, ende nuk dihen autorët e këtij akti vandal, nuk ka pasur reagime as nga institucionet e Shqipërisë, as ato të Kosovës që të identifikohen kryerësit e kësaj vepre, apo të kërkohet nga qeveria maqedonase zbardhja e rastit. ./zeri/

Asociacioni dhe Demarkacioni, sfida të koalicionit qeverisës

0

49790455Dy rivalët tradicionalë po mundohen të djegin njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Nga kjo krijohet bindja se i kemi dy qeveri, njërën të udhëhequr nga LDK-ja dhe tjetrën nga PDK-ja, prandaj nuk mund të kemi rezultate të dëshiruara, përveç dështimeve të njëpasnjëshme”, deklaroi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot” Deklarimet e fundit të kryeministrit të vendit, se nuk mund ta bëjë procedimin e Demarkacionit në Kuvend për mungesë të votave të mjaftueshme të deputetëve dhe heqja e përkohshme dorë nga hartimi i Statutit e dekretit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga analistët politikë po shihet si një sinjal serioz që flet se më në fund edhe Qeveria i ka ngritur duart lart dhe po e pranon se këto dy marrëveshje ishin një dështim.

“Tani nga vetë fakti se Qeveria ka lëvizur nga pozicioni i saj i dëmshëm në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi mund të vlerësohet si qasje pozitive dhe domosdo mund të konsiderohet se kjo është një fitore e madhe për Kosovën dhe jo vetëm për 8.200 hektarët, që mund t’i humbte Kosova me këtë Demarkacion, i cili nuk mund të ndalej pa reagimin e opozitës dhe përkrahjes së madhe të qytetarëve. Qeveria ka hezituar t’i kalojë ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin, për shkak të frikës nga reagimi i furishëm qytetar bashkë me opozitën, shkaku i dëmeve që këto marrëveshje do t’ia sillnin vendit po të kalonin në formën si i ka nënshkruar kjo Qeveri e papërgjegjshme “, tha deputeti Ismail Kurteshi nga lëvizja “Vetëvendosje”.

Marrëveshjet jodetyruese

Profesor Riza Smaka, njohës i së drejtës kushtetuese, thotë se këto dy marrëveshje nuk janë fare të obligueshme për institucionet e shtetit të Kosovës, përderisa janë vlerësuar edhe kundërkushtetuese, prandaj është interes nacional që Qeveria e vendit përfundimisht të marrë guximin dhe t’i zhvlerësojë të dyja marrëveshjet. “Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi virtualisht nuk e obligojnë vendin tonë, ngase janë vetëm të përafruara nga përfaqësues të Kosovës, por gjithnjë nuk janë ratifikuar në mënyrën e përcaktuar me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Këto dy marrëveshje virtualisht janë projektmarrëveshje, përderisa nuk janë të ratifikuara në një anë dhe të dyja janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, në anën tjetër”, theksoi ai.

“Përderisa me aktin e përafrimit të Marrëveshjes për Asociacionin janë shkaktuar plot 20 shkelje kushtetuese, me përafrimin e Marrëveshjes për Demarkacionin po ashtu janë shkaktuar shkelje të dispozitave kushtetuese referuar cenimit serioz të integritetit territorial të vendit tonë”, tha profesor Smaka. Ai ka pohuar se, pavarësisht faktit që këto marrëveshje po kundërshtohen akoma nga deputetë jo vetëm të opozitës, por edhe të koalicionit qeverisës, për çka kreu i Qeverisë e ka pranuar mungesën e votave. Tendenca është akoma e dëmshme nga kryeministri, i cili nuk po pajtohet të deklarojë se ka hequr dorë nga të dyja këto marrëveshje.

“Për të qenë e keqja edhe më e madhe, kryeministri i vendit gjithnjë po insiston të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin, duke e ndërlidhur atë me kërkesën për liberalizimin e vizave. Komisioni shtetëror i vendit tonë ka gabuar rëndë, kur në vend të Demarkacionit në përputhje me delimitacionin kufitar kosovar- malazez që nga viti 1945 e deri sot, asnjëherë të ndryshuar as për një cm2, ka aplikuar delimitacion të ri dhe atë prapëgabimisht e ka bazuar vetëm në të dhë- nat kadastrale, të cilat janë të karakterit sekondar, subsidiar, komplementar, por asnjëherë dhe askund të karakterit primar, as bazik”, tha Smaka për “Kosova Sot”. Ai thotë se tani edhe Qeveria duhet të dorëzohet pa pikë hezitimi para konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ta pranojë gabimin e madh që është bërë në procesin e negocimit.

Prokuroria sajon raste nën urdhrat e pushtetit

0

Jo rrallëherë ndodh që drejtësia e inkriminuar të sajojë edhe raste të paqena për të persekutuar kësisoj njerëzit e pafajshëm, vetëm e vetëm për të justifikuar mosefikasitetin e tyre në luftimin e dukurive negative. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe specialistët e kësaj fushe të cilët thonë se kjo është e sigurt që ka raste të tilla kur ato sajohen. Ndaj është shtuar edhe çështja se si dhe përse po sajohen rastet e ndryshme të paqena për të persekutuar rrjedhimisht njerëzit e pafajshëm në Kosovë nga drejtësia e porositur dhe e inkriminuar kosovare? Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se jo rrallëherë ndodh që drejtësia e inkriminuar të sajojë raste të paqena për të persekutuar kësisoj njerëzit e pafajshëm, vetëm e vetëm për të justifikuar mosefikasitetin e tyre në luftimin e dukurive negative.

Së këndejmi, Zeqa thotë se drejtësia me porosi të politikës, në mungesë të rezultateve në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik, me (pa) dashjen e tyre i sajojnë rastet e paqena duke përdorur dëshmitarë të rrejshëm për persekutimin e njerëzve krejtësisht të pafajshëm dhe degradimin e vlerave të rivalëve politikë, derisa, sipas tij, gjithë këtë lojë të pasinqertë, drejtësia e inkriminuar e bën me porosi të bosëve politikë, për hesape politike dhe hakmarrje ndaj rivalëve politikë.

” Mirëpo, ndodh në disa raste të tjera, kur sajimi i rasteve bëhet sa për të “arsyetuar” të ardhurat e majme mujore, kinse po “bëjnë” diçka, duke mos llogaritur asnjëherë pasojat që shkaktojnë në shoqëri dhe dëmin financiar që i shkaktojnë shtetit në gjykimin e rasteve të sajuara. Deri në këtë nivel ka rënë drejtësia kosovare, reformimi i së cilës është bërë imperativ kohor për largimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të inkriminuar dhe të korruptuar nga sistemi i drejtësisë kosovare”, u shpreh ai.

Qeveria dirigjon prokurorinë

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi thotë se çdo shtet, që i ka mekanizmat e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, sikurse tek ne, është policia, prokuroria dhe gjykatat, por në qoftë se, sipas tij, në këtë aspekt politika është zotëruese dhe i ka nën kontroll mekanizmat e tillë, atëherë kur të vihen nën kritikë të rreptë institucionet më të larta të shtetit, si kryetari, Kuvendi, Qeveria, etj., për rrjedhojë është e kuptueshme se këta të fundit do të përpiqen të gjejnë raste inekzistente, ku qëllimi i tyre është kryesisht për të bindur dikë e në këtë rast, siç tha, faktorin ndërkombëtar, se është duke u punuar diçka në luftën ndaj krimit e korrupsionit. Sipas tij, ky fakt është parë edhe ditëve të fundit në Kosovë, pasi, siç tha, jemi dëshmitarë që nga Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën, por edhe duke filluar nga viti 2008 e tutje, kur rrjedhimisht gjykatat dhe prokuroritë janë akuzuar për moskryerjen e detyrave të tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Është e kuptueshme se Qeveria ka dhënë urdhër për mendimin tim që prokuroria edhe më tutje të zhvillojë veprimtari të tilla në drejtim të rasteve inekzistente për të bindur faktorin ndërkombëtar se është duke u luftuar krimi dhe korrupsioni dhe duke pasur për qëllim në të njëjtën kohë që fajtorët kryesorë dhe ata të cilët janë organizatorë të krimit e korrupsionit, pra ata të cilët e mbajnë përgjegjësinë e tillë të mos prekën dhe të mos kapen”, ka vijuar Kelmendi