Home Blog Page 6213

Zgjedhjet e jashtëzakonshme i konvenojnë vetëm PDK-së

0

Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, partitë opozitare janë ato që po i kërkojnë me ngulëm këto zgjedhje, për arsye se kjo Qeveri e ka futur vendin në një humnerë të madhe sipas tyre. Mirëpo, pozita, përkatësisht LDK-ja, thotë që opozita duhet të rishikojë qëndrimin e saj, sepse këto zgjedhje po i konvenojnë vetëm PDK-së, ku pas formimit të Gjykatës Special, kjo parti do të jetë pa lidership. Kurse, partia e Ballit Kombëtar, e cila po synon të merr pjesë në këto zgjedhje të ardhshme dhe me bindje që do të fitojë një numër të madh votuesish, thotë që zgjedhjet do të bëhen në vitin e ardhshëm, përkatësisht në maj të vitit të ardhshëm.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet janë të pashmangshme, sepse kjo Qeveri nuk ka dije për të qeverisë.

“Për shkak të rrethanave të krijuara në vend, zgjedhjet janë të pashmangshme dhe janë të domosdoshme dhe për këtë do të angazhohemi në vazhdimësi. Kjo Qeveri ka treguar që nuk ka as vullnet, as dije për të qeverisur me vendin, përkundrazi vendi po shkon drejt humnerës, në secilin drejtim”, u shpreh ai.

Ajo më tej tha që subjekti i saj politik ka një shtrirje aq të madhe saqë këtë herë do të del fitimtare.

“Ne si subjekt politik, asnjëherë nuk kemi qenë më të shtrirë dhe më të fuqishëm se tani. Këtë po e konfirmojnë edhe sondazhet, por edhe gjendja ne terren, si dhe nevoja që po e ndjejnë qytetarët për ndryshim. Gjitha këto janë tregues se Lëvizja është e vetmja alternativë dhe do të dalë e para”, deklaroi Haxhiu.

Që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme thotë edhe kryetarja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Dushica- Bajrami.

Ajo në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet është deshtë të bëhen në dhjetor të vitit të kaluar, pas vendimit për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje në dhjetorin e vitit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese nxori vendimin në lidhje me Asociacioni e Komunave me Shumicë serbe, ku kjo marrëveshje doli të mos jetë në frymën e Kushtetutës në 23 nene të saj, prandaj ne Nisma, pra që nga ai moment kemi kërkuar që vendit dhe qytetarëve duhet t’ju ofrohen zgjedhjet e parakohshme pasi që nga ajo ditë e deri më sot ne qeverisemi nga shkelës të Kushtetutës dhe praktikisht kjo Qeveri është jolegjitime”, mendon Dushica-Bajrami.

Bajrami mendon se Nisma mund ti ofrojë qytetarëve të Kosovës një qeverisje më të mirë, së bashku me AAK-në dhe ka shpresë se do të dalim fitimtare në këto zgjedhje.

“Nisma për Kosovën tashmë është një parti politike, e cila mund t’ju ofrojë qytetareve një qeverisje, e cila do të jetë në të mirë të vendit dhe në të mirë të qytetarëve, dhe ne jemi në koalicion parazgjedhore me AAK-në dhe po që se do mbahen zgjedhjet Nisma dhe AAK do të dalin fituese, sepse ky koalicion është më i dëmshmi që është bërë ndonjëherë që nga pas lufta dhe si i tillë ka bërë shumë gabime që do t’i kushtojnë edhe PDK-së e edhe LKD-se”, tha ajo.

Pro zgjedhjeve u shpreh edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj.

Ai në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet janë të nevojshme, sepse çdo ditë e më shumë qytetarët po varfërohen edhe më shumë nga kjo Qeverisje.

“Zgjedhjet janë të nevojshme që të zhvillohen në kohën sa më të shpejt. Kjo është e nevojshme, sepse Kosova ka ngecur në të gjithë segmentet e jetës. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë, sepse qeveria e sotme të vetmen gjë qe ka bërë, është vazhdimi i kapjes së shtetit, duke e vazhduar kështu traditën e ish-qeverisë. Nuk dua të lëshohem në spekulime e të përmend data, sepse këto gjëra bëhen më dakordim të spektrit politik, porse, a janë të nevojshme? Po gjithsesi! Sa ma shumë vonesa në këtë drejtim, nisja për një Kosovë të zhvilluar do të jetë më e vështirë”, deklaroi Lekaj.

Kurse sa i përket asja, se a do të del fitimtare AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme, ai tha që AAK-ja në bashkpunim me Nismën po zgjerohet çdo ditë e më shumë, kështu që qytetarët do t’ua besojnë votën atyre.

“Boshti opozitar AAK-NISMA po zhvillohet e po zgjerohet çdo ditë, jemi në rrugën që të bëhemi një adresë e qëndrueshme që nesër të jemi në gjendje më udhëheq një qeveri të fortë, që do të jetë në gjendje të marrë vendime të guximshme që do të shkojnë në favor të zhvillimit dhe rritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve. Kemi besimin e plotë që ne do të arrijmë të bëjmë ndryshimin e vërtetë për Kosovën, ketë do ta bëjmë bashkë me qytetarët, ata do të na e besojnë këtë”, përfundoi ai.

Se zgjedhje duhet të mbahen është i mendimit edhe kryetari i Ballit Kombëtar, Gazmend Islami, vetëm se ai mendon se këto zgjedhje nuk do të mbahen deri në mars të vitit të ardhshëm.

“Unë mendoj që zgjedhje të jashtëzakonshme do të kemi në vitin e ardhshëm, që nga fillimi i i marsit do të fillojnë, sepse ky koalicion përveç që është i panatyrshëm është edhe i paqëndrueshëm për shkak të situatës, e cila është e krijuar tash e dy vite, që nga ky fakt kemi një shtet të paralizuar. Kjo qeverisje është e dëmshme, jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë rajonin”, u shpreh Islami.

Islami më tej tha që Balli Kombëtar do të kalojë pragun dhe do të bëhet pjesë e Parlamentit të Kosovës, dhe për herë të parë do të konkurrojë një parti e djathtë konservatore, që për synim ka Bashkimin Kombëtar.

“Balli Kombëtar Demokrat do të jetë fuqi, e cila do të kalojë në parlamentin e Kosovës dhe do të dëgjohet për herë të parë zëri i të djathtës konservatore brenda Institucioneve të Kosovës dhe kjo besoj që do të jetë fitorja, jo vetëm e partisë tonë Balli Kombëtar, por do të jetë fitore e gjithë shqiptarëve për ballistët të cilët kanë sakrifikuar me dekada e shekuj për çlirim e bashkim kombëtar”, përfundoi ai.

Po, për zgjedhje të jashtëzakonshme shihet që nuk është gati LDK-ja.

Deputeti i kësaj partie Adem Salihaj në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që këto zgjedhje më së shumti po i konvenojnë PDK-së, për shkak se nëse zgjedhjet shtyhen më vonë kësaj të fundit nuk do ti konvenojnë, për arsye se do të mbesin pa lidership me formimin e Gjykatës Speciale.

“Zgjedhje të jashtëzakonshme mund të ketë, meqë PDK po e kërkon këtë dhe partitë opozitare po pajtohen. Shkuarja në zgjedhje në këtë periudhë është interes vetëm i PDK-së, kjo parti po ngutet që t’i mbajë zgjedhjet para arrestimeve nga Gjykata Speciale, në mënyrë që të mos mbetet pa lidershipi gjatë zgjedhjeve. Mendoj se opozita duhet ta rishikojë qëndrimin e saj, sepse shkuarja në zgjedhje në këtë moment është strategji e PDK-së. PDK po synon që në zgjedhje të shkohet në fillim të pranverës, por unë mendoj se kohë më e përshtatshme për zgjedhje është korriku ose shtatori, në mënyrë që të mund të mbahen edhe zgjedhjet lokale”, u shpreh Salihaj.

Ai më tej tha që LDK-ja do të del partia e parë në zgjedhje nëse ato do të mbahen në shtator apo korrik të vitit të ardhshëm.

“Nëse zgjedhjet mbahen në korrik ose shtator,mendoj se gjasat e LDK-së që të dalë partia e parë janë shumë të mëdha. Kuptohet, nëse bëhet një riorganizim” mendon ai .

Kurse sa i përket përgatitjeve për zgjedhje, KQZ-ja është gati kurdo që ato të ndodhin.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmiri Elezi, tha për gazetën InfoPress, se çdo vendim që del nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës e mirëpret KQZ-ja.

“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës është detyrë kryesore e fushëveprimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, KQZ-ja, siç e kemi thënë edhe më parë, mbetet e përkushtuar për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës” tha Elezi.

Amaneti i Ramadan Mujës

0

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ka filluar të mendojë për amanetet, që do t’ia lë pasardhësit të tij. Ai tha se njëri ndër amanetet,për pasardhësin, do të jetë ndërtimi i objekteve me nga 30 banesa, për çdo vit për qytetarët e pastrehë.

“Pasardhësit tim do t’ia lë një amanet, që çdo vit të ndërtojë objekte me nga 30 banesa, në mënyrë që të harrohet zhargoni “nuk kam ku të strehohem”, tha ai.

Komuna e Prizrenit, sipas tij, vitin e kaluar ka ndarë 92 banesa për familjet e dëshmorëve, invalidë të luftës dhe familjet skamnore.

“Këtë vit janë edhe 94 banesa në proces të ndarjes për këto kategori”, tregoi ai.

Muja në një intervistë për RTV Besa, ka folur gjerësisht për investimet që ka bërë Komuna e Prizrenit, gjatë mandatit të tij.

Ai tha se si kryetar ka realizuar qindra projekte për qytetarët e Prizrenit.

“E meta e jonë ka qenë se nuk kemi promovuar si duhet punën tonë që kemi bërë “, tha Muja. /PrizrenPress.com/

Kondomët, myslimani, unë dhe Trump

0

Po befasohesha me atë që po shihja para një hangari avionesh, në Wilmington të Ohios. Pakkush hynte brenda pa blerë ndonjë fanellë, kapelë ose dicka tjetër që lidhej me emrin, figurën a slloganin “Make America Great Again”, të Donald Trump. Ky, pas pak, pritej të vinte në këtë qytezë të vogël, për një tubim fushate, të fundit në shtetin e Ohios. Zgjedhjet për president të Amerikës, në të cilat ai garon, si republikan, karshi demokrates Hillary Clinton, mbahen 4 ditë më pas.

Për shkak të atmosferës, kisha harruar që unë, disi pa dashje, isha ndër të rrallët, në mos i vetmi, që po bartja diçka kundër tij. Dhe ata, ishin hiq më pak se kondomë. E mira ishte se ata nuk i shfaqja publikisht.

Për sherr, i kisha marrë ata më herët gjatë ditës, gjatë një vizite që si gazetar ia bëra një OJQ-je në qytetin Columbus. Këtu të gjithë ishin kundër kandidatit republikan për president. Madje, kishin nisur një anti-fushatë ndaj tij, me moton “Mbroje veten nga Trump”. E si mjet mbrojtjeje, ishin kondomët. Gjithfarë ngjyrash e me disa porosi në secilin veç e veç.

“Nëse bëhet siç thotë Trump, atëherë meksikano-amerikanët dhe amerikanët-myslimanë nuk do të mund të bëhen gjykatës federalë”, shkruante në njërën seri të tyre.

“Nëse bëhet siç thotë Trump atëherë aborti nuk do të jetë i sigurt, e as legal, në Amerikë”, në tjetrin.

Kondomët m’u kujtuan kur me ta në çantën e krahut, mësyva hyrjen e hangarit. Më kapi droja.

“Cka nëse dikush i sheh”, thashë me vete. “Do ta pësoj keq. Do më marrin si provokator”.

Para dyerve të hangarit kishte kontroll të rreptë të sigurisë. E pashë që nuk kam “shpëtim”. Ajo që prisja, ndodhi. Njëri nga dy policët që më kontrolluan, ma ktheu përmbys cantën. Në tavolinën pranë tij ra gjithcka ishte brenda. Edhe kondomët. Zotëri polici i kapi tri kutitë dhe e veneroi mirë se çfarë shkruante në to.

E pashë që i shkoi buza në gaz, pak. Më shikoi në sy, për të më parë më mirë se kush jam unë që guxoj të sjell aso gjërash në këtë ngjarje.

Instiktivisht më shkoi dora të ID-ja që e mbaja ngjitur në qafë, në të cilën shkruante “Press”. Demek, ia bëra me dije që jam gazetar dhe nuk kam gjë me Trumpin unë, i kam marr diku.

Ai qeshi pak më shumë. Nuk më tha gjë për këtë, por më la të kuptojë se një gjë të tillë mund ta bëjnë anëtarët e stafit të Trump, që rrinin pak më larg, në rast të një “double check”. Pastaj i mori kondomët dhe i ktheu në çantë, duke i futur disi si më thellë brenda saj. Mbase me idenë për t’i fshehur, në rast të një kontrolli tjetër nga “trumpistët”.

“Në rregull je, mund të hysh”, tha polici me zë të lartë, për të dëgjuar “sigurimsat” tjerë.

Unë, me rrahje të shtuara të zemrës, u nisa drejt tyre. Po tutesha.

“Do më bëjnë përshesh”, mendova me vete. “Do të mendojnë se kam ardhur këtu të bëjë fushatë anti-Trump me kondomë, dhe vaj halli për mua mandej”.

Një person që kishte ngritur një parullë kundër republikanit, në njërën nga ngjarjet e tij, e kishte pësuar keq. Atij i ishin hedhur përmbi shumë veta.

Por, “trumpistat” nuk më ndalën fare dhe unë hyra në hangar. Sigurisht ishin ndikuar nga fjalët e policit kur tha se jam në rregull.

Ahhh, çfarë çlirimi!

Pasi asgjë nuk më ndodhi, nisa, i qetësuar, ta bëj punën time. Përshkova gjithë hangarin, për të parë nga afër kush janë ata që e mbështesin një kandidat të pikëpyetshëm si Donald Trump, që ishte deklaruar kundër meksikanëve dhe imigrantëve tjerë “latinos”. E po ashtu edhe kundër ardhjes së refugjatëve myslimanë në Amerikë.

Dhe në këtë pikë, më ndodhi edhe një befasi.

Kur Donald e tha atë për çfarë kishte ardhur dhe iku, unë fillova të intervistoj disa të pranishëm. Doja të dija si e përjetuan ata takimin me kandidatin për president, që pos veprave dhe fjalëve, ka edhe flokë e frizurë të vecantë. Dhe nëse ai, me ato që ua tha, e shpagoi ardhjen e njerëzve këtu.

Në mesin e atyre që i pyeta, ishte një i ri, afër të njëzetave, që ishte i shoqëruar me disa shokë.

“U ndjeva i prekur. Ai tha ato që doja t’i dëgjoja”, m’u përgjigj ai në njërën nga pyetjet e mia.

Kur e përfundova intervistën, i kërkova të ma shkruajë saktë emrin e tij në fletorën e shënimeve.

Djaloshi e bëri këtë. Për t’u siguruar çfarë ka shkruar, e pashë emrin e tij. Ishte Saed.

Unë u habita. Edhe u ktheva kah i riu.

“Ti, mysliman je?”, nuk u durova pa e pyetur.

“Po”, më tha, duke më treguar se prindërit e tij janë nga Afrika Veriore diku.

“Po pse ti këtu?”, e pyeta unë prapë.

Ai më shikoi si me habi.

“Pse jo?! Trump më pëlqen, ai do të jetë president i ri, prandaj erdha ta takoj këtu”, më tha.

Unë nuk u mjaftova nga kjo përgjigje.

“Po ai sikur nuk po flet mirë për myslimanët”, i thashë.

“Nuk e ka me besimtarët e vërtetë myslimanë. E ka me ISIS dhe është OK krejt ajo që flet se si të mposhtet ISIS”, ma ktheu djaloshi.

Unë po e sillja kokën. Isha i befasuar me një mysliman në tubim të Trump. Nuk prisja. Mendoja se isha i vetmi që i takoja këtij besimi që po merrte pjesë në një “rally” të tij.

Dhë pikërish në këtë rast, ndodhi ajo që nuk e prisja.

“Po ti, çka je?”, më pyeti njëri nga shokët e Saed.

U stepa. Ta them të vërtetën apo jo? Çfarë nëse ky po më provokon? A më ndodh diçka, nëse ia thëm se përkatësia ime fetare është tjetër nga ajo e tij”.

“A guxoj të tregoj këtu?”, thashe si me gjysmë zëri dhe duke provuar ta nxjerr një të qeshur të lehtë, kinse për ta shndërruar në hajgare krejt këtë muhabet.

“Po, po, si jo”, më tha ai.

“Mysliman jam edhe unë”, thashë.

“Oh, niceeee”, tha ai.

Nuk ndodhi asgjë e keqe. Askush nuk më ofendoi e as më qëlloi. Dhe nisa të çlirohem.

Por, përsëri u zura ngusht kur, Saed, mbase, deshi të më bëjë të ndihem rehat.

“Selam ajelkum brother”, më tha ai, duke ma zgjatur dorën.

Ueeee! Dreq, kjo ishte krejt e tepërt dhe e panevojshme në një tubim të Trump.

“S’e mos e ka me sherr ky”, thash me vete.

Dora e Saed mbeti e hapur. U ndjeva keq po të mos ia rrokja me timen.

Ashtu edhe bëra.

“Alejkum selam”, i thashë, ama me krejt pak zë.

Isha në siklet.

Saed dhe shokët e tij qeshën. Njëri nga ta ma rrahu krahun, miqësisht. Sikur ma tha të mos kem frikë se nuk më ndodh gjë.

Unë u ndava nga ta, shpejt e më shpejt.

Rrugës për në dalje të hangarit, e pyeta edhe një grua si iu duk Trump.

“E pëlqeva shuëm dashurinë e tij të madhe për Amerikën”, më tha Vonda Davis. “Me gjithë qenien time besoj se ai do të jetë president”.

Kështu edhe ndodhi, pesë ditë më vonë. Trump fitoi dhe u bë president, duke lënë gabim gjithë ata që kishin besuar se Shtëpinë e Bardhë do ta trashëgojë Hillary Clinton. Biznesmenit i mbetet që në radhë të parë të kujdeset për interesat e votuesve të tij, si puna e atyre që ishin në tubimin e Wilmington, e të cilët besonin se ishin lënë mënjanë.

“Unë jam e krishterë dhe dikush duhet të bëjë dicka edhe për mua”, më tha Natalie Childress, një studente 19 vjeçare, që e kisha intervistuar pak më herët. “Ai është Trump”.

As mësuese me shami e as ‘seks-bomba’ në shkolla

0

Edhe nëse nuk do të pajtohem me mendimin tënd, do të bëj të pamundurën për të respektuar atë edhe nëse është diametralisht i kundërt.

Ky do të duhej të ishte parimi bazik në lidhje me rastin e mësimdhënëses së shkollës fillore “Visar Krasniqi”, në Drenoc të Malishevës, të cilën po e kundërshtojnë familjarët dhe fëmijët për shkak të mbulesës së saj. Së paku ky parim do të duhej të vlejë në këtë kohë kur shteti nuk ka vendosur një normativë nëse do të ndalojë apo të lejojë bartjen e shamisë në shkolla për mësimdhënëset. Apo, nëse do t’ia ndalojë apo t’ia lejojë një mësimdhënëseje bartjen e një minifundi sikurse një “seks-bombë” nga filmat pornografikë.

Nuk ka mbetur zgjidhje tjetër në një shtet sekular si Kosova, që nuk ka asnjë normativë elementare të veshjes.

Mbi këtë parim në një shtet që me Kushtetutë është sekular, cili është kodi i veshjes për shërbyesit civilë? Cili është kodi i veshjes për deputetë? Cili është për mësimdhënësit e cili për punëtorët shëndetësorë?

Shumë pyetje vargohen prej asaj se si është e mundur që Universiteti të lejojë bartjen e shamisë për studentet, për të nxjerrë kuadro profesionale të përgatitura në lëmi të caktuara, por të mos lejohet pastaj bartja e shamisë apo simboleve të tjera fetare për të diplomuarit në shkolla?

Parë edhe më ndryshe, si është e mundur që Kuvendi si institucioni më i lartë i një shteti të lejojë futjen me shami të një deputeteje, ndërkohë që ky standard të mos vlejë edhe për shkollën?

Paradokset nuk kanë të ndalur ku në një shtet nuk do të dinte si të gjykojë në këto raste as kadiu më i mirë.

Por, nëse ndalemi nga vetja. A do të parapëlqente secili prind që një mësuese me shami apo një tjetër që shkon në punë me minifund ta mësojë fëmijën e tij? Të harrojmë për një çast religjionin dhe të mendojmë vetëm si një komb që kemi tri fe.

Si do të ndihej një fëmijë i krishterë para mësimdhënëses e cila bart një shami sipas normativave arabe? Apo, si do të ndihej një fëmijë nga komuniteti mysliman që do ta mësojë lëndën e biologjisë nga një mësimdhënëse me veshje të një motre të nderit?

Cili do të ishte koncepti për prejardhjen e njeriut nga mësuesja e biologjisë me shami e cili do të ishte koncepti për prejardhjen e njeriut nga mësuesja e biologjisë me veshjen e një motre nderi të krishterë?!

Megjithëse edhe pa shami të dy mësueset mund të kishin mendime të ndara për këtë temë, pikërisht për t’i shmangur këto situata shteti duhet të nxjerrë një rregull përmes të cilit do të përcaktohej një kod veshjeje për secilën kategori shtetërore të të punësuarve. Kështu nuk do të krijohej një amulli dhe nuk do të ketë as paragjykime tek prindërit e as nuk do të çonte në keqpërdorimin e fëmijëve për qëllime fetare apo antifetare.

Të ndalohen apo të lejohen të dy ekstremet. Ai ku mësuesja me minifund mban mësimin para adoleshentëve e që në sytë e tyre më shumë shihet si një “seks-bombë” sesa si një mësimdhënëse. Apo duhet t’i thuhet jo të dy ekstremeve.

Ish- menaxheri dëshmon në gjyqin e Hysni Hoxhës

0

Në gjykimin ku Hysni Hoxha akuzohet për shpërdorim detyre dëshmoi Dëfrim Morina, ish-inxhinieri në kompaninë “Beni Construction”.

Dëfrim Morina ish-inxhinieri menaxhues i punishteve në kompaninë “Beni Construction” ishte dëshmitar në gjykimin e ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Hysni Hoxha, ish-zyrtarit të OShP-së Hysni Muhadri dhe kontabilistit në “Conex Group” Arsim Robelli.

Hoxha e Muhadri akuzohen se me dashje direkte i ndihmuan kompanisë “Conex Group” të fitojë tenderin e Ndërmarrjes Publike Banesore “Ndërtimi i Lokaleve Afariste në Qytezën Pejton”, ndërsa nuk shqyrtuan ankesat e dy kompanive në lidhje me këtë tender.

Dëshmitari Afrim Morina tregoi se ishte i angazhuar në tenderin për të cilin akuzohen Hoxha e Muhadri, ndërsa bëri të ditur se gjithashtu përfaqësoi konzorciumin “Beni Construction” dhe “Jaha Company” në ankesën e tyre në OShP.

Ai shpjegoi në gjykatë se pse u ankuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit kompanitë që përfaqësonte.

“Ankesa e jonë në OShP është lidhur me kriterin bazë të tenderit, ku kompania ‘Conex Group’ nuk e kishte numrin e njëjtë të punëtorëve që e kishte deklaruar në ofertën e tenderit me atë që e kishte prezantuar në ATK dhe për këtë arsye kemi bërë ankesë,” tha dëshmitari Dëfrim Morina.

Hoxha e Muhadri akuzohen gjithashtu se gjatë shqyrtimit të ankesës së konzorciumit të përbërë nga “Beni Construction” dhe “Jaha Company” fshehën provat e siguruara prej ATK-së prej dy anëtarëve tjerë të komisionit duke i mashtruar ata që të sjellin vendim refuzues për këtë ankesë.

Në seancë dëshmitari Morina tha se panelin e shqyrtimit tyë ankesës së konzorciumit e udhëhoqi Hysni Hoxha, ndërsa i pranishëm ishte edhe Hysni Muhadri.

“Herë pas here kryetari i panelit më ka thënë se e kuptuam ankesën tuaj dhe nuk ka nevojë te përsëriten pretendimet tuaja,” tha dëshmitari.

Përveç këtyre fjalëve të Hysni Hoxhës, dëshmitari tha se nuk ka pasur ndonjë presion gjatë shqyrtimit të ankesës.

Dëfrim Morina deklaroi se konzorciumi që ankua ishte shumë i pakënaqur që iu refuzua ankesa dhe që OShP-ja rekomandoi kompaninë “Conex Group” për lidhje të kontratës.

Dëshmitari nuk diti të tregojë se sa ka qenë më i lirë operatori fitues në raport me konzorciumin që ai përfaqësonte, ndërsa gjithashtu nuk iu kujtua se lista ku ishin renditur operatorët ekonomikë për këtë tender ishte në formë tabelare, apo në ndonjë formë tjetër.

Hoxha e Muhadri akuzohen se i sollën dobi pasurore kompanisë “Conex Group” në vlerën 1.779.759,54 euro.

Në këtë proces gjyqësor përveç Hoxhës e Muhadrit është i akuzuar edhe kontabilisti në “Conex Group” Arsim Robelli që ngarkohet për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe deklarim të rremë nën betim.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Veton Fetahu pronari i kompanisë “Conex Group” që ngarkohej për të njëjtat vepra si Robelli, por ai e ka pranuar fajësinë dhe procedura ndaj tij është veçuar.

Veton Fetahu më 10 mars 2015 kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin dhe në këtë marrëveshje ishin dakorduar që për veprat për të cilat akuzohet të dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 16.000 euro.

Vehapi “inspekton” punimet e shtatoreve të tre heronjve

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka vizituar punëtorinë, në të cilën janë duke u punuar skulpturat e shtatoreve të heronjve të kësaj komune Mensur Zyberajt, Bedrush Gashit dhe Shejh Mihedinit.

Vehapi gjatë vizitës në punëtori ka përgëzuar skulptorin Art R Hoxha për punën e mrekullueshme, të cilën është e bërë në realizimin e këtij projekti. Ndërsa skulptori Art R Hoxha, e ka falënderuar kryetarin Vehapi për vizitën e bërë dhe i ka premtuar së shtatoret do të realizohen sipas planit dinamik

Berisha: Të çelet Kutia e Pandorës për Astrit Deharin

0

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën ka thënë se duhet që të diskutohet në Parlamentin e Kosovës për vdekjen e dyshimtë të aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ne deputetët e Nismës sigurisht se jemi të interesuar që çështja e studentit që humbi jetën në burgun e Prizrenit të bëhet publike e transparente me idenë që qytetarët e këtij vendi të ndjehen komod kudo që janë e veçanërisht në duart e institucioneve”, ka pohuar Berisha.

“Përgjegjësit e institucioneve të sigurisë, të burgjeve, Ministria e Drejtësisë e kështu me radhë është mirë të përgjigjet para opinionit”.

“Të çelet kutia e Papnores për ta kuptuar të vërtetën e madhe për Astrit Deharin”.

Komunat pa rregulla për veshjen e mësimdhënësve

0

Në Kosovë vetëm disa komuna kanë normativë për veshjen e mësimdhënësve. Mungesa e një kodi etik dhe rregulli për veshje të mësimdhënësve ka bërë që një mësimdhënëse të dalë para nxënësve me shami duke shkaktuar kështu reagimin e prindërve

Kërkesa për largimin e mësimdhënëses e cila bart shami në shkollën fillore “Visar Krasniqi”, në Drenoc të Malishevës, ka rikthyer debatin nëse duhet lejuar apo jo shaminë në institucionet shkollore.

Sociologët kosovarë konsiderojnë se bartja e mbulesës nëpër shkolla është një dukuri shqetësuese, pasi Kosova është shtet demokratik, laik e jo shtet fetar.

Por për përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut një kërkesë e tillë është krejtësisht e pabazë dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.

Kjo pasi që, sipas tyre, nuk ka asnjë ligj në Kosovë i cili e ndalon bartjen e mbulesës në institucionet publike. Ndërkaq, në Komunën e Malishevës kanë thënë se arsimtarja në fjalë është pranuar me procedurë krejtësisht të rregullt pasi i ka plotësuar të gjitha kriteret për punë.

20 shprehje të thella nga Carl Jungu

0

Carl Gustav Jung ishte një psikolog dhe filozof. Ai ishte një impuls për të zgjeruar ndërgjegjen e njeriut, në pothuaj çdo manifestim të neurozës apo depresionit.

Ja 20 prej thënieve më të rëndësishme të këtij dishepulli të Sigmund Freudit, që na ndihmojnë të njohim më mirë vetveten.

  1. Mos u mbaj fort pas dikujt që po ikën, përndryshe nuk do të takosh atë që po vjen.
  2. Çdo gjë që na irriton në lidhje me të tjerët, mund të na shpjerë drejt një njohjeje më të mirë të vetvetes.
  3. Nëse jeni një person me dhunti, kjo nuk do të thotë se keni fituar diçka. Do të thotë se keni diçka për të dhënë mbrapsht.
  4. Takimi mes dy personaliteteve është si kontakti mes dy substancave kimike: të dy elementët transformohen edhe nga reaksioni më i vogël.
  5. Barra më e rëndë për një fëmijë janë jetët e pajetuara të prindërve.
  6. Gjithçka në lidhje me njerëzit e tjerë që nuk na kënaq, na ndihmon që të njohim dhe kuptojmë më mirë veten tonë.
  7. Pamja juaj do të bëhet e qartë, vetëm kur të mund të shihni brenda në zemrën tuaj. Kush sheh jashtë, ëndërron; kush sheh brenda, zgjohet.
  8. Vetmia nuk vjen nga fakti që nuk keni njerëz rrotull, por nga fakti që nuk jeni në gjendje të komunikoni gjërat që janë të rëndësishme për ju, apo nga fakti që nuk shprehni disa pikëpamje që të tjerët i konsiderojnë të papranueshme.
  9. Tregomëni një njeri normal, dhe unë do ta shëroj atë për ju.
  10. Ne zgjatemi tek e shkuara për prindërit tanë dhe tek e ardhmja për fëmijët, të cilët nuk do i shohim asnjëherë, por për të cilët duam të kujdesemi.
  11. Gjëja të cilës ti i reziston, ajo më shumë insiston.
  12. Depresioni është si një grua me të zeza. Nëse shfaqet, mos e dëbo. Ftoje brenda, ofroi një karrike, trajtoje si mysafire dhe dëgjo atë që dëshiron të thotë.
  13. Shpesh, duart do të zgjidhin një mister, për të cilin intelekti është munduar më kot.
  14. Një ëndërr, është një derë e vogël dhe e fshehur, në strehën më të thellë dhe intime të shpirtit, e cila i hapet asaj nate të qëmotshme kozmike që ishte shpirti, shumë kohë përpara se të ekzistonte egoja e të ndërgjegjshmes.
  15. Një njeri që nuk ka kaluar nëpër ferrin e pasioneve të tij, nuk i ka kapërcyer ato.
  16. Perceptimi juaj do të bëhet i qartë, vetëm kur të mund të shihni në shpirtin tuaj.
  17. Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, unë jam ajo që kam zgjedhur të bëhem.
  18. Ne mund të mendojmë se e kontrollojmë plotësisht vetveten. Megjithatë, një mik mund të zbulojë kollaj dicka për ne, për të cilën as nuk e kishim idenë.
  19. “Magji” është thjeshtë një tjetër fjalë për të përshkruar një përcaktim psikologjik.
  20. Personalitetet tona janë pjesë e botës që na rrethon, dhe misteri i tyre është gjithashtu i pakufi. /bota.al

Fatmir Limaj në Prizren

0

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, viziton sot Prizrenin.

Ai bashkë me deputetin, Zafir Berisha, do të qëndrojnë  në Shoqatën e Zejtarëve “ESNAF”.

Vizita realizohet në ora 18:00/PrizrenPress.com/