Home Blog Page 6214

Ceremonia pa Dylan

0

Akademia Suedeze ka bërë të ditur se këngëtari amerikan dhe kantautori Bob Dylan, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2016, nuk do të marrë pjesë në cermoninë e ndarjes së Çmimit më 10 dhjetor në Stockholm, për shkak të angazhimeve të planifikuara më parë.

Njoftimi u bë një muaj pasi Akademia Suedeze pati deklaruar se Dylan ka fituar çmimin prestigjioz – me arsyetimin se “ka kijuar shprehje të reja poetike në traditën e bukur të këngës amerikane”

Ai njoftohet të ketë refuzuar që të flas në telefon për javë të tëra me përfaqësuesit e Komitetit Nobel.

Përgjigja e parë e Dylanit erdhi përmes një interviste në gazetën britanike The Telegraph në të cilën tha: “A nuk është diçka kjo”. Ai i tha gazetës se “absolutisht” planifikon që të marrë pjesë në ceremoni nëse “kjo është e mundshme”, me qëllim që të marrë personalisht çmimin prej 900 mijë dollarësh nga Mbreti Carl Gustaf.

Serwer: Kosova nuk është më prioritet në agjendën amerikane

0

Demarkacioni nuk është temë, ajo po shfrytëzohet për të emocionuar njerëzit. Kurse Asociacioni është kërkesa më e keqe e Planit të Ahtisaarit, por që duhet zbatuar meqë Kosova ka edhe një mori përfitimesh nga zbatimi i atij Plani. Për politikanët e korruptuar analisti amerikan Daniell Serwer thotë se vetëm me votë mund “të hiqen qafe”.

Analisti amerikan dhe njohësi shumë i mirë i politikave, zhvillimeve dhe konflikteve në Ballkan, Daniel Serwer, paralajmëron se Kosova nuk është aktualisht më prioritet në agjendën amerikane.

Ai numëron problemet e Kosovës, duke vlerësuar se ky shtet i ri po vuan një moment të vështirë e të mësuarit për të jetuar me demokracinë.

Profesori në Universitetin “Johns Hopkins”, në intervistën ekskluzive për gazetën “Zëri”, bëri me dije se presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, nuk e njeh Ballkanin sikurse kundërkandidatja e tij Hillary Clinton, e cila e dinte se çfarë kanë bërë amerikanët në Ballkan dhe për pavarësinë e Kosovës si një arritje e madhe.

Serwer tha se Rusia vazhdon të mbetet kërcënuesi më i madh për SHBA-në dhe se kjo mbetet problem edhe për Ballkanin dhe shumë vende të tjera të botës. Ndërkohë që temat me të cilat aktualisht po merret skena politike. /Zëri/

Shqyrtohet kërkesa për seancë të jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit

0

Kryesia e Kuvendit sot do të mbajë mbledhje ku do të diskutohet kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit.

Zyra për informim e Kuvendit bënë të ditur se mbledhja e Kryesisë, e cila do të fillojë në orën 9: 30, do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës.

Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deha, është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Çfarë drejtësie, 400 mijë lëndë të pazgjidhura!

0

Turp për drejtësinë e kapur, që po i shkel qytetarët, shkruan gazeta Kosova Sot.

Të gjeturat që i thekson edhe Raporti i sivjetmë i Progresit për drejtësinë në Kosovë, duke shënjuar kësisoj në gjetjen e tij se janë deri në 400 mijë lëndë që presin me vite nëpër gjykata pa iu dhënë drejtësi, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, tregojnë gjendjen dëshpëruese të sistemit të drejtë- sisë në Kosovë. Ndaj çështja në fjalë ka ngjallur dilemën se a mund të marrin ndonjëherë qytetarët drejtësinë me tërë këto lëndë të pazgjidhura dhe me një gjyqësor në këtë gjendje kolapsi? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se të gjeturat dhe të theksuarat e Raportit të Progresit për drejtësinë në Kosovë, sikur është pra sistemi i drejtësisë, duke shënjuar në gjetjen e tij se janë deri në 400 mijë lëndë që presin me vite nëpër gjykata pa iu dhënë drejtësi, sipas Kelmendit, është tregues dhe faktografi dëshpëruese për gjendjen e gjykatave dhe prokurorive, apo përgjithësisht sistemit të drejtësisë në Kosovë. Tutje, ai shton se këto fakte dhe të dhëna të Raportit të Progresit jo vetëm se tregojnë mosefikasitetin e kësaj drejtësie në shtjellimin, vendimin dhe ndarjen e drejtësisë së këtyre lëndëve, por, siç tha, tregon dhe një anë shumë kaotike të mospunës dhe moskryerjes së detyrave dhe përgjegjësive institucionale të drejtësisë që u takojnë. Sipas tij, atëherë vjen edhe pyetja se kujt i shërbejnë kjo drejtësi e këto institucione të drejtësisë, sikur janë gjyqësori, prokuroritë etj., ani pse ato janë themeluar për të ngritur shtetin juridik, ku ndahet drejtësia për qytetarët dhe njëherësh edhe mbrohet e drejta e qytetarëve para këtyre organeve të drejtësisë dhe sigurisht se jo për të bërë sehir mbi të drejtat dhe ndarjen e drejtësisë për qytetarët. “Kësisoj, lëndët që presin me vite pa u gjykuar dikur edhe vjetrohen dhe sikur është edhe e sanksionuar me ligj, disave edhe u kalojnë afatet ligjore të ndarjes së drejtësisë dhe mbetet pa u ndarë drejtësia. Kështu pra shkelen drejtpërdrejt edhe të drejtat e qytetarit për të marrë drejtësinë në këtë vend nga institucionet e drejtësisë, në rend të parë nga gjykatat, pra nga këto institucione ku buron e drejta dhe shteti ligjor i së drejtës”, theksoi Kelmendi

Mungojnë gjyqtarët

Sipas Kelmendit, kjo gjendje e këtij gjyqësori dhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë është për t’u rishikuar se ku duhet shëruar lëngatën e tij, sigurisht duke u reformuar me njerëz e kuadro të afta e të përgjegjshme dhe me integritet moral e profesional, duke hequr nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë sikur janë kyçur prej 10 vjetësh e më shumë nëpër sektorë të sistemit të drejtësisë, e që asnjë lëndë nuk e zgjidhin apo nuk i japin kujt llogaridhënie për mospërgjegjësitë e për mospunën e tyre, duke e sjellë gjendjen thuaja kolapsike të mosgjykimit të lëndëve. Avokati Isa Salihi fillimisht ka konsideruar se Raporti i Progresit për Kosovën paraqet gjendjen reale sa i përket çështjes së moszgjidhjes të kontesteve ndërmjet palëve në çështjet civile dhe përmbarimore, e që është në kompetenca të gjykatave themelore.”Por, konsideroj se në këtë problematikë kanë ndikuar disa faktorë, qoftë të natyrës objektive, por edhe të asaj subjektive. Kur them të natyrës objektive, këtu më tepër kemi të bëjmë me çështjet civile në Gjykatën Themelore në Mitrovicë për shkak të pengesave që paraqiten në qasjen e objektit të Gjykatës në Mitrovicë, derisa lëndët procedohen në ndërtesën e Gjykatës së Vushtrrisë. Ndërsa sa i përket faktorit subjektiv kjo çështje ndërlidhet me mungesë të gjykatësve, të cilët me gjithë punën dhe konsideratën për punën e tyre janë në numër të pamjaftueshëm në raport me lëndët që procedohen. Ndërsa çështje e grumbullimit dhe zvarritjes së lëndëve është më tepër e theksuar në gjykatën themelore në Prishtine dhe degën e saj në Podujevë si dhe në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, po ashtu në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” avokati Isa Salihi. (Kosova Sot)

Tensione në seancë në gjyqin për kontest pune në Suharekë

0

Refuzimi i gjykatësit për ta ftuar dëshmitar drejtorin e Arsimit të Suharekës e tensionoi seancën. Për thirrjen e Sherif Berishës insistoi avokati i paditëses, Adelina Berisha, sidomos pasi që Gjykata në seancën e kaluar kishte vendosur ta ftonte atë.

Seanca gjyqësore në rastin ku ish-mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Adelina Berisha ka paditur Drejtorinë e Arsimit të Suharekës, ishte goxha e tensionuar.

Tensionet u ngritën pasi që gjykatësi i çështjes, Shaban Zeqiraj, e refuzoi propozimin që si dëshmitar të thirrej drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, edhe pse Gjykata në shqyrtimin e kaluar kishte vendosur që i njëjti të dëgjohej.

Fatbardh Makolli, avokatit i paditëses, insistoi që me çdo kusht të ftohet drejtori i Arsimit, pasi që ky nuk kishte vepruar konform shkresës së drejtorit të Shkollës së Mesme Teknike “Skender Luarasi”, që përpos për pozitën e paditëses konkurs të hapej edhe për mësimdhënësit e tjerë, të cilët ishin të pakualifikuar dhe të pranuar pa konkurs.

“Në rastin konkret, Adelina Berishës, klientes time, iu ka hapur konkursi në mënyrë të padrejtë, me element diskriminues, derisa kolegët e saj, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet, përkatësisht, nuk kanë pasur kualifikim dhe janë pranuar pa konkurs, kanë pasur kualifikim më të dobët, të njëjtët ende punojnë, ndërsa vetëm kësaj i hapet konkursi. Në këtë drejtim ne kemi propozuar drejtorin e Arsimit që të jetë në cilësinë e dëshmitarit. Arsyet e propozimit qëndrojnë në faktin se drejtori i Arsimit, përkatësisht DKA-ja, është punëdhënës i të gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, prandaj ai i din më së miri arsyet e hapjes së vendit të punës vetëm Adelinës dhe jo edhe për mësimdhënës tjerë, të cilët nuk i plotësojnë kushtet”, tha avokati.

Ndonëse i ftuar të marrë pjesë në seancë, drejtori i Arsimit, Sherif Berisha, nuk i është përgjigjur ftesës.

Përmes një shkrese dërguar Gjykatës, ai thotë se për arsye objektive nuk mund të marrë pjesë. Në këtë shkresë ai u është përgjigjur edhe pretendimeve të paditëses.

Ndërsa, gjykatësi Zeqiraj tha se rrethanat në të cilat avokati ka propozuar që drejtori Berisha të thirret për të dëshmuar nuk janë bindëse për Gjykatën.

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Prizrenit, dega në Suharekë, ka dëshmuar drejtori i shkollës “Skender Luarasi”, Gëzim Sopa.

Ai tha se nuk i dinte arsyet pse Drejtoria e Arsimit nuk kishte vepruar sipas kërkesës së tij për hapjen e vendeve të lira të punës edhe për personat e tjerë, të pakualifikuar dhe të pranuar pa konkurs.

Dëshmitari Sopa tha se këta persona, përpos paditëses, edhe sot vazhdojnë të punojnë në këtë shkollë.

Në këtë rast gjyqësor, Adelina Berisha po përpiqet ta detyrojë Komunën e Suharekës që të anulojë konkursin për vendin e punës të cilin ajo e ka mbajtur mbi dy vjet.

KALLXO.com raportoi edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti gjyqësor.

Gjakmarrja po zhduket në Prizren

0

“Të drejtat e njeriut në Prizren mund të maten me shtetet e rajonit, bile ndoshta si shembulli më mirë i një tolerance fetare,ndërnjerëzore, ndërfetare. Prizreni është shembull se ka liri të lëvizjes më të lirë se në çdo qytet tjetër”, është shprehur Bashkim Gashi, nga KMDLNJ-ja në Prizren

E drejta e njeriut nuk nënkupton vetëm të drejtat për minoritete, por për të gjithë. Barazia e përgjithshme njerëzore dhe liria e mirëkuptimit së pari ndërnjerëzor pastaj ndërfetar dhe po kështu në nivele të tjera, është themelore, shprehet Bashkim Gashi,nga KMDLNJ-ja në Prizren. Ai bën të ditur se të drejtat e njeriut në Prizren mund të maten me shtetet e rajonit, bile ndoshta si shembulli më mirë i një tolerance fetare, ndërnjerëzore, ndërfetare. “Prizreni është shembull se ka liri të lëvizjes më të lirë se në çdo qytet tjetër”.

Tradita e mirëkuptimit

Ai është shprehur se ka një traditë mirëkuptimi në këtë qytet sa i përket barazisë ndërnjerëzore. Ai shton se Prizreni duhet të merret shembull për të tjerët. “Këto të drejta natyrisht se zbatohen në jetën e përditshme, por edhe në fushën shëndetësore. Si rast duhet të veçohet, ai i një të sëmuri që ka përkujdesje në maksimum dhe që është i pakicës serbe. Tani, më shumë se tri javë janë bërë që një pacienti të komunitetit serb i ka kaluar koha e hospitalizimit dhe ai tani e plot tri javë, për shkak të mosmundësisë së lëvizjes dhe mospasjes së strehës mbi kokë, ka mbetur banor i Repartit të Neurokirurgjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lidhur me këtë rast, shefi i repartit, Dr.Mejdi Shehu shprehet se, edhe pse i kanë lajmëruar në organet kompetente, ai ende është në këtë repart dhe përkujdesja nuk ka munguar, porse atij i duhet një trajtim shtëpiak.

“Ne i kemi kushtuar kujdes të shtuar. Por, gjithashtu edhe i kemi kërkuar të gjitha të drejtat njerëzore e shëndetësore për pacientin”, tregon Dr. Shehu për “Kosova Sot”.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha se pas konsultës që ka pasur me Zyrën për komunitete, ka arritur të mësojë se kjo zyrë ka bërë angazhim maksimal lidhur me rastin konkret, dhe së shpejti do t’i bëhet zgjidhje këtij rasti qoftë nga organet e tjera, por edhe ato komunale.

Të drejtat e njeriut gjithmonë duhet përmirësuar

Bashkim Gashi është shprehur se në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit është miratuar edhe një strategji për të drejta të njeriut, për të pasur mundësi të barabarta dhe mos-diskriminim edhe ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Kjo strategji përqendrohet në katër fusha kryesore, arsim, punësim dhe mirëqenie sociale,shëndetësi dhe banim, ku zbatimi i saj do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike të këtyre komuniteteve të cenueshme”. Ai tregon se të drejtat e njeriut gjithmonë kanë vend për përmasimin.

“Ajo që dua të them është fakti se niveli i këtyre të drejtave është në nivel me shtete të tjera të rajonit e ka edhe ndonjë privilegj edhe më shumë ndoshta”. Gashi shprehet se e drejta e njeriut shënon edhe përmirësime të tjera. “Vitet e fundit, derisa në qytete të tjera apo në vetë shtetet e rajonit ka rritje të ndarjes e të vrasjeve, në Prizren ndarjet e çifteve kanë shënuar rënie. Ajo që duhet të veçohet tanimë është se gati në tërësi është zhdukur gjakmarrja në këtë komunë. Kurse vetë mirëkuptimi së pari brenda shumicës dhe pastaj ndaj pakicave po shënon rezultate të mira”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)

Tërnava përkrahë rindërtimin e xhamisë në Kala të Prizrenit

0

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, thotë se Bashkësia Islame do të komunikojë ngushtë me institucionet përgjegjëse që të gjejnë mundësinë e përbashkët për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.

Tërnava, vizitoi të mërkurën Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren.

“Iniciativa e ka përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe timën për ndërtimin e Xhamisë në Kala”, tha ai./PrizrenPress.com/

Ish-zyrtarët e Universitetit të Prizrenit, shpallën të pafajshëm

0

Ish-zyrtarët e Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu e Adem Sallauka janë shpallur të pafajshëm, ndërsa Halim Haziraj është dënuar me kusht.

Ish-rektori i Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni Adem Sallauka janë liruar nga akuza për shpërdorim detyre.

Gjykata Themelore në Prizren dënoi me 1 vit burg me kusht, të akuzuarin e tretë të këtij procesi, zyrtarin për Buxhet e Financa të UPZ-së Halim Hazirajn.

“Të akuzuarit Mazllum Baraliu dhe Adem Sallauka lirohen nga akuza për shkak se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. I akuzuari Halim Haziraj shpallet fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Të njëjtit i shqiptohet dënimi me kusht në kohëzgjatje prej një viti i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen brenda dy vjetëve ndonjë vepër tjetër penale,” tha kryetari i trupit gjykues Skender Çoçaj.

Hazirajt gjykata ia ndaloi për dy vjet ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

I akuzuari Halim Haziraj pas shpalljes së aktgjykimit paralajmëroi se do të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Dënimin e vlerësoj të padrejtë, unë jam në këtë procedurë zyrtari i vetëm që kam qenë i akuzuar, të dy të bashkakuzuarit kanë qenë eprorë të mi dhe është absurde të pretendosh se është larguar nga puna një ish prorektor, një ish ushtrues i detyrës së rektorit, një ish profesor i asocuar pa dijen dhe pa lejen e tyre dhe me fajin tim. Natyrisht që do të bëj ankesë,” tha Haziraj.

Sipas aktakuzës, Baraliu, Sallauka e Haziraj prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013 duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.

Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.

Lirimin nga gjykata, duke e konsideruar veten mik të saj, Mazllum Baraliu e kërkoi dje kur paraqiti me shkrim fjalën e tij përfundimtare

“Majmunët” gjejnë strehim nëpër rrugët e Prizrenit (Foto)

0

Kabllot e shumta elektrike po rrezikojnë qytetarët e Prizrenit.

Grupi joformal “Guerilja Kulturore Urbane”, ka zhvilluar një aktivitet me qëllim të ndërgjegjësimit të institucioneve lokale të Komunës së Prizrenit, për të ofruar një qasje më proaktive karshi dukurive të shëmtuara të cilat e ngulfatin zhvillimin modern urban, hapësirën publike, si dhe e dëmtojnë imazhin e qytetit të Prizrenit si qendër e rëndësishme kulturore mbarëkombëtare

Përmes fotografive ky grup tregon “kaosin” e kabllove elektrike, të cilat njëherësh janë edhe furnizues dhe përcjellës të rrymës

“Që nga paslufta, në Kosovë ka filluar të shfaqet një dukuri mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve të Prizrenit. Tela dhe kabllo të shumta si rrjeta marimange të cilat varen mbi kokat e qytetarëve të cilët çdo ditë i frekuentojnë rrugët e qytetit të Prizrenit, kanë filluar të shkaktojnë kaos urbanistik dhe shëmtim të lagjeve, sidomos në zonën historike të qytetit, duke krijuar një imazh aspak të këndshëm të qytetit historik të Prizrenit”, thuhet në komunikatën për media.

“Veç kësaj, kaosi kabllor është pengues i lëvizjes së lirë dhe kërcënim i përhershëm për sigurinë e qytetarëve nga pasojat e këputjeve të mundshme. Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, institucionet përgjegjëse nuk e kanë parë të udhës që të ndërmerret diçka e të ndryshohet kjo gjendje. Përkundër deklarimeve të vazhdueshme të qeverisjes lokale për një qytet modern evropian, qytetarët dhe turistët e shumtë vazhdojnë të lëvizin rrugëve të qytetit, mbi kokat e të cilëve shtrihen të qeta rrjeta të shumta merimangash nga kabllot e operatorëve të ndryshëm privatë, duke mos marrë parasysh asnjë standard sigurie”

“Telat dhe kabllot e shumta kanë pushtuar hapësirën publike ajrore të qytetit të Prizrenit, duke i shtrirë ato në mënyrë shpërdoruese nëpër ndriçues rrugorë dhe pemë dekorative, të mirëmbajtura nga taksapaguesit prizrenas. Ato çdo ditë e më tepër dëmtojnë imazhin e qytetit të Prizrenit dhe kërcënojnë sigurinë e qytetarëve”.

“Është koha e fundit për mobilizim dhe përkushtim institucional që të vihet rend dhe të bëhen ndryshime pozitive në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarit”.
Projekti ka karakter regjional dhe zbatohet nga një konzorcium i OJQ-ve të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Përgjegjëse për Kosovë është Akademia e Trajnimeve dhe Asistencës Teknike (ATTA),ndërsa mbështetet nga Fondi Kulturor Europian (ECF)./PrizrenPress.com/

unnamed-2

Dëshmitarë të ri në zbardhjen e vrasjes së Elvis Pistës

0

As përgjimi i dy personave, të cilët dyshoheshin se mund të jenë të inflirtuar në vrasjen e ish- kandidatit të PDK- për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista, nuk qoj në kapjen e vrasësit.

Organet e hetuesisë ende nuk kanë ndonjë të dyshuar të mundshëm për këtë rast, mirëpo është bërë identifikimi i disa dëshmitarëve të ri, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Prokurori i rastit, Ali Uka i ka thënë “Indeksonline” se deri tash ende nuk ka asgjë definitive në këtë rast.

“Ka përfunduar përgjimi i dy personave që dyshoheshin se mund të jenë të involvuar në vrasjen e ish-kandidatit për deputetet të PDK, Elvis Pista, por asgjë nuk ka dalë nga këto përgjime”, është shprehur prokurori Uka për “Indeksonline”.

Sipas prokurorit, janë intervistuar edhe disa dëshmitarë të ri nga hetuesit policor dhe prokuroria është në pritje të raportit rreth deklarimeve të tyre.

“Vetëm policia është në njohuri për këta dëshmitarë, unë nuk di asgjë për ta. Policia i ka identifikuar si dëshmitar, ndërkohë jam në pritje të raportit zyrtar se çka kanë thënë këta dëshmitarë në deklaratat e tyre”, ka thënë prokurori Uka.

Elvis Pista është vrarë natën e 15 qershorit të vitit 2014, deri sa po dilte nga restorant “Jaha Petrol” në Rahovec, ku ishte bashkë me bashkëshorten dhe disa miq të tij.

Pista, ishte kandidat i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, janë bërë më shumë se 2 vjet nga vrasja e tij, dhe përkundër që janë intervistuar rreth 90 dëshmitar, vrasësi i tij vazhdon të mbetet mister. /Gita Lushi / Indeksonline