Home Blog Page 6215

Zafir Berisha: Kapja e shtetit, me pasoja të rënda në drejtësi

0

Deputeti nga ‘Nisma’ për Kosovën, Zafir Berisha ka nënvizuar se si çdo segment tjetër i jetës, që është i kapur nga parapolitika, po ashtu, siç tha, edhe përshpejtimi në trajtimin e lëndëve të caktuara nga organet e drejtësisë për fatin e keq shkon përmes preferencave politike dhe të njerëzve me influencë nga institucionet.

” Ne kemi qytetarë jo me pesë vjet, por edhe me dhjetë vjet që lëndët e tyre nuk trajtohen nga gjykatat, derisa në anën tjetër dikujt brenda një periudhe më të shkurtër, apo shumë të shkurtër, i trajtohet dhe i përfundon lënda. Kjo, d.m.th është shqetësim i qytetarëve ku ne çdo ditë përballemi me njerëz, të cilët ankohen në organet e drejtësisë se nëpër sirtarët e tyre, u rrinë lëndët të patrajtuara aty edhe me nga 7 apo 8 vjet, dhe në anën tjetër, kemi segmente të caktuara të krimit të organizuar, ku përmes lidhjeve të ndryshme që intervenojnë në lëndë të ndonjë personi që ka lidhje, ato trajtohen brenda një periudhe shumë të shkurtër, andaj kjo është më se e papranueshme”, ka vijuar ai.

“E tërë kjo vjen si rezultat i katrahurës që ka përfshirë gjitha institucionet, ku ata që e kanë kapur shtetin janë duke ndikuar në forma të ndryshme edhe në organet e drejtësisë”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” deputeti Zafir Berisha

(Kosova Sot)

Neki Emra premton një interpretim të fuqishëm në Festivalin e Këngës në RTSH

0

Të interpretuarit live me një orkestër të madhe dhe me idenë se kjo paraqitje mund të dërgojë drejt festivalit të madh Eurovizion, bën që shumë këngëtarë ta dashurojnë këtë festival dhe të ëndërrojnë paraqitjen në këtë skenë.

Bëhet fjalë për Festivalin e Këngës të RTSH-së, i cili edhe këtë vit ka bërë përzgjedhjen prej 24 artistësh. Në mesin e shumë këngëtarëve nga Kosova këtë vit pjesë e festivalit është edhe një emër i njohur i këngës, i cili në këtë festival merr pjesë për herë të parë. Këngëtari nga Prizreni, Neki Emra, i cili njihet për balada, këtë vit është bërë pjesë e edicionit të 55-të të festivali. Neki është shprehur se ndihet i emocionuar qysh tani për pjesëmarrjen në festivalin shqiptar, ndërsa ndihet i nderuar që është në mesin e 24 pjesëmarrësve të përzgjedhur nga juria.

“Së pari unë jam rritur me këtë festival dhe gjithmonë e kam përcjellë me dashuri të madhe. E dyta është se ky festival është 100% live dhe ka një organizim dhe orkestër të madhe ku emocioni që të përshkon në këtë festival është i jashtëzakonshëm. Është pothuajse gati e pamundur ta krijojmë nëpër mbrëmjet tona apo në çfarëdo organizimi tjetër një orkestër kaq të madhe për të na përcjellë”, ka pohuar fillimisht Neki Emra për KultPlus, i cili tutje tha që po e pret me padurim paraqitjen në atë skenë të jashtëzakonshme. Poashtu gara për Eurovizion është një sfidë tjetër që e ka bërë kureshtar të jetë aty, duke konsideruar gjithashtu që ka qenë koha e duhur që të jetë në këtë festival.

Kënga me të cilën Neki Emra konkurron në këtë festival quhet “Dashuri dhe Urrejtje”. Kënga është kompozuar nga vetë Neki, ndërsa vargjet janë shkruar nga Albatros Rexhaj. Sa i përket përrallës së këngës, sipas Emrës, është një histori që tregon një lidhje ku çdo gjë është e jashtëzakonshme. Aty ka dashuri të jashtëzakonshme, por njëkohësisht ka edhe një urrejtje të madhe. Aty ka puthje, aty ka sharje, ata nuk mund të jenë me njëri tjetrin, por asesi nuk munden pa njëri tjetrin.

“Kënga e tregon një lidhje shumë të komplikuar, ku zhvillohet një luftë mes dashurisë dhe urrejtjes, ku dashuria arrin të fitojë gjithmonë mbi urrejtjen. Pra dallimi në mes këtyre dyjave është një fije e hollë e padukshme sa që nga njëra në tjetrën kalohet shumë lehtë”, ka treguar këngëtari.
Bashkëpunëtori i vetëm për këtë këngë është tekshkruesi Albatros Rexhaj, por kjo nuk do të thotë që deri në fund nuk do të ketë të tjerë pasi që Emra është në zhvillim të ideve që të këtë edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Këngëtari premtoi që në këtë festival do të bëjë paraqitjen më të mirë në karrierën e tij.

“Dua që ta jap maksimumin tim në atë skenë. Për mua personalisht do të jetë me rëndësi paraqitja ime sa më e mirë. Dua të ofroj gjithë artin tim që e kam krijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse të gjithë mendojnë që kënga ime është më e mira, do të isha tejet i lumtur me fitoren. Kjo në këtë moment më duket paksa e pamundur duke pasur parasysh se asnjë nga këngët nuk e di si do të jenë, pra mund të ketë konkurrencë shumë të madhe”, ka thënë Emra, i cili tutje tha që nëse do të fitonte këtë garë, atëherë do të fillonte të mendonte për paraqitjen në Eurovision. / KultPlus.com

Nxënësit e shkollës “Emin Duraku” në rolin e gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit

0

Gjykatën Themelore të Prizrenit e kanë vizituar nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Emin Duraku” të Prizrenit.
Ata janë pritur nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.

“Nxënësit zunë vendet e gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe palës së akuzuar. Në fund ishte edhe sesioni i pyetjeve dhe përgjigjeve ku nxënësit shfaqen kureshtjen e tyre për punën e gjykatës”, njoftoi Kicaj.

“Në pjesën e dytë të takimit nxënësit patën mundësi të njihen me objektin e gjykatës, me punën që bënë secila zyre, me sallën e seancave gjyqësore, dhomën e dëshmitarëve dhe materialet informuese të gjykatës”.

“Gjykata do të vazhdoi traditën e bashkëpunimit me qytetarët me shkollat e qytetit dhe të rajonit”./PrizrenPress.com/

Në Rahovec ka filluar vendosja e tabelave dhe emërtimeve rrugore

0

Në Komunën e Rahovecit ka filluar projekti i cili ka të bëjë me vendosjen e tabelave me emërtimin e rrugëve, shesheve, vendbanimeve dhe parqeve sipas listës së miratuar në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

Sipas njoftimit për media nga kjo komunë, projekti është duke u realizuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Agjencionin Kadastral dhe Komunën e Rahovecit, bartës për realizimin e këtij projekti është drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, drejtori kjo e cila ka caktuar edhe grupin e zyrtarëve nga kjo drejtori që do të bëjnë monitorimin e projektit deri në përfundimin e projektit , projekt ky i një rëndësie të madhe për gjithë banorët e Komunës së Rahovecit dhe me gjerë.

Fehmi Hoxha, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit ka theksuar se i tërë projekti për vendosjen e shtyllave dhe tabelave me emërtimin e rrugëve, shesheve, vendbanimeve dhe parqeve në Komunën e Rahovecit do të përfundoj sipas marrëveshjes me donatorin dhe planin dinamik të firmës e cila është kontraktuar nga zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë.

Hoxha, thotë se ky projekt në radhë të parë është i rëndësishëm për banorët e Komunës së Rahovecit dhe me pastaj edhe për gjithë vizitorët të cilët vijnë në Komunën e Rahovecit. Me vendosjen e emërtimit të rrugëve, shesheve ,vendbanimeve dhe parqeve, të gjithë vizitorëve që do të vizitojnë Komunën e Rahovecit, do të kenë me lehtë që të orientohen në adresimin e duhur.

Ethet e Speciales afrojnë datën e zgjedhjeve

0

F unksionimi i brishtë i koalicionit PDK- LDK, sidomos në këta muajt e fundit, dhe fillimi i përplasjeve të hapura brenda Qeverisë për buxhetin, shto edhe disa zëra deputetësh nga PDKja, që po kërkojnë ndërprerjen e mandatit dhe zgjedhje të parakohshme, sipas analistëve politikë paralajmëron zgjedhje të reja në pranverën e vitit 2017. Në Lidhjen Demokratike, edhe pse nuk preferojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pa e përfunduar mandatin e plotë dhe pa i realizuar disa pika të programit qeveritar, edhe opsionin e zgjedhjeve të parakohshme e pranojnë, nëse imponohet me marrëveshje politike.

“Ndërsa sa u takon disa zërave dhe deklaratave që po dalin tani për zgjedhje të reja, më habit pak apo shumë motivi i kësaj kërkese, sepse kjo ose është revoltë, ose janë interesa të ngushta”, tha Sadri Ferati nga LDK-ja. Sipas tij, vazhdimi i punës së Qeverisë, tejkalimi i këtyre pengesave dhe kthimi i punës në temat për të cilat janë më së shumti qytetarët e Kosovë, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, integrimet, liberalizimi i vizave, do të ishte dashur të jenë interesi i përgjithshëm për të gjitha subjektet politike, para interesit për zgjedhje të parakohshme. Ai mohoi se kjo parti po “fërkon” duart nga dëmi që Gjykata Speciale mund t’ia shkaktojë PDK-së, shkruan gazeta Kosova Sot.

Përfundimi i mandatit, mision i pamundur

Pavarësisht reagimit të matur në LDK, analistët politikë nuk shohin vazhdim stabil të qeverisjes përtej pranverës së vitit që vjen. Analisti politik, Islam Krasniqi nuk sheh vazhdim të mbijetesës së koalicionit përtej pranverës së vitit vijues 2017, e sheh fituese të situatës LDK-në dhe krejtësisht të katandisur dhe humbësen më të madhe nga Gjykata Speciale, PDK-në. “Zgjedhjet qendrore po priten të mbahen në pranverë, ku LDK-ja po e sheh si të përshtatshme këtë kohe, sepse atëherë fillon edhe aksioni i Gjykatës Speciale ndaj deputetëve të PDK-së, duke ia dobësuar pushtetin dhe duke ia humbur fuqinë, që në zgjedhje të jetë e copëtuar, e përçarë. LDK-ja ka marrë mësim nga PDK-ja, që partitë e koalicionit t’i djegë, ketë gjë po mundohet t’ia kthejë PDK-së bash duke e goditur në plagën e hapur, që nê zgjedhje të jetë e shkatërruar tërësisht. Afati i fundit i zgjedhjeve pritet të jetë pranvera, ku edhe LDK-ja do të përgatitur deri atëherë, sepse edhe tani ka filluar të japë edhe një sinjal qe po vjen era zgjedhje”, tha analisti Krasniqi për “Kosova Sot”.

Sipas politologut Arsim Haziri, vetë deklarimi ì disa deputetëve është dëshmia më e mirë se vendi qysh në pranverën e hershme do t’i nënshtrohet një verifikimi elektoral. “Në vazhdën e kësaj fryme shkon edhe pamundësia parlamentare për t’i dhënë legjitimitet edhe çështjes së Demarkacionit, që njëherësh ka qenë kërkesë evropiane, nëse Kosova ka synim zonën Schengen”, ka thënë ai. “Aktualisht, janë të gjitha dëshmitë se ky koalicion vështirë ka për të përfunduar mandatin e plotë, përpos fillesat që ishin të imponueshme dhe jo të natyrshme, ajo pengesë ose defekt është pasuar edhe në momentet e sotshme, duke bërë që gjendja e brendshme me gjithë deklarimet të jetë e vështirë.”, u shpreh më tej ai. “Pranvera e hershme përfaqëson kohën ideale drejt një riverifikimi elektoral, kjo me sa shihet e kuptohet shkon edhe në interes të vetë subjekteve politike, duke ndëshkuar kështu dy subjektet pozitare”, tha Arsim Haziri.

Thaçit i përzihen kompetencat, sillet si ‘shef’ i PDK-së

0

Presidenti, Hashim Thaçi, para pak ditësh mori pjesë në një takim me mësimdhënësit e komunës së Kaçanikut, por edhe me disa militantë të Malishevës. Ai gjatë këtij takimi u premtoi mësimdhënësve se nëse vjen vendimi për rritje pagash, ai do ta përkrahë. Analistët politikë dhe opozita këto takime të Thaçit i konsiderojnë antikushtetuese. Sipas tyre, Thaçi akoma po sillet si “shefi” i PDK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të frymojë si kryeministër i vendit dhe lider partie duke u takuar me mësimdhënës e militantë partiakë të PDK-së, partisë që e drejtoi zyrtarisht 16 vjet.

Ai madje nuk po heziton t’u premtojë rritje pagash e “beneficione” të tjera mësimdhënësve, kryesisht në vendet ku ka më shumë mbështetje.

Por, pjesëmarrja e tij nëpër takime me mësimdhënësit e anëtarët e PDK-së shihet si një veprim jo i duhur dhe antikushtetues nga opozita, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Madje edhe shoqëria civile dhe politologët kosovarë kanë vërejtje në mënyrën sesi po sillet Thaçi si president.

Madje disa po vlerësojnë se Thaçit po i përzihen kompetencat, pasi për 16 vjet është thirrur si “Shefi i Madh”.

Analistët politikë vlerësojnë se presidenti, Hashim Thaçi, mbetet një figurë jounifikuese për qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, Thaçi paraqitet me deklarata që e cenojnë nenin e Kushtetutës, i cili e sanksionon rolin e presidentit si figurë politike unifikuese karshi interesave të qytetarëve./zeri/

Burri i Vitit

0

Është konceptuar si një ceremoni që u dedikohet femrave, por këtë herë “Glamour Woman of the Year” ka bërë një përjashtim, duke zgjedhur jo gruan, por burrin e vitit.

Duke thyer traditën 36-vjeçare, revista nderoi me çmimin e përvitshëm yllin irlandez të rokut, Bono Vox, i cili siç tha kishte punuar përgjatë gjithë jetës për të drejtat e grave dhe vajzave në botë.

“Ne jemi krenar ta shpallim atë si njeriun tonë të vitit”, thuhet në ëebsajtin e revistës.

Vokalisti i grupit U2, krijoi në 2015-n, fushatën e quajtur “Varfëria është seksiste”, që synon të ndihmojë gratë më të varfra të “otes” të kenë qasje më të mirë ndaj arsimit, shërbimeve shëndetësore dhe mundësive të biznesit.

Bono falenderoi revistën “Glamour” për çmimin dhe tha se beteja për barazi gjinore nuk mund të fitohet nëse ajo nuk drejtohet bashkërisht, nga gratë e burrat. Mbrëmja gala nderon ata që jo vetëm bëjnë diferencën në stil, por edhe në politikë, biznes dhe aktivizëm.

Mes atyre që u vlerësuan me çmim ishin stilistja Miuccia Prada, këngëtarja Guen Stefani, themelueset e fushatës “Jetët e personave me ngjyrë vlejnë”, etj. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, u vlerësua për arritjet gjatë karrierës.

“E di që i frymëzoj gratë pasi ato më ndalojnë nëpër rrugë dhe më thonë që duan të bëjnë të njëjtën gjë. Më thonë se kanë nevojë për shembuj për t’u ndjekur, për besim në të ardhmen e për njerëz që pavarësisht goditjeve vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë e të buzëqeshin”.

Në ceremoni ishin të pranishme edhe këngëtarja Leona Lewis, aktorja Amber Heard dhe modelja britanike Cara Delevingne.

Letra e Cohen për muzën e tij

0

Leonard Cohen, i cili javën e kaluar vdiq, në korrik të këtij viti i kishte shkruar një letër të fundit, shumë prekëse, muzës, dashurisë dhe mikeshës së tij, Marianne Ihlen, sapo dëgjoi që ajo po vdiste.

“Ne jemi vërtet kaq të moshuar dhe trupat tanë po shpërbëhen, dhe mendoj se do të vij shumë shpejt te ti”, kishte shkruar ai.

Cohen e takoi Ihlenin në ishullin grek të Hydras në vitet 1960, dhe ndonëse ai do të kishte marrëdhënie të tjera, të cilat do i sillnin fëmijë e nipër e mbesa, ajo mbeti në zemrën e tij.

Shoku i ngushtë i Ihlen, Jan Chrstian Mollestad, kujtonte se pasi kontaktoi me Cohen “u deshën vetëm dy orë, dhe u krijua kjo letër e mrekullueshme nga Leonard, për Marianne”.

“Ne ia sollëm të nesërmen, dhe ajo ishte krejt e vetëdijshme, dhe kaq e lumtur që ai kishte shkruar këtë letër për të”.

Duke folur për detajet e letrës, ai i tha stacionit radiofonik kanadez, CBC:

“Në të thuhej: “Epo, Marianne, ka ardhur një kohë kur ne jemi vërtetë shumë të plakur dhe trupat po na shpërbëhen, dhe unë mendoj se do të ndjek pas shumë shpejt. Ta dish që jam kaq pranë pas teje, saqë po të zgjasësh dorën, do të më kapësh. Dhe ta dish që të kam dashur gjithmonë, për bukurinë dhe urtësinë tënde, por nuk ka nevojë të them më shumë për këtë gjë, pasi ti tashmë di shumë për të. Por tani, dua vetëm të të uroj një udhëtim shumë të mbarë. Mirupafshim mike e vjetër. Dashuri pa fund, shihemi rrugës”.

Mollestad tha se kur lexoi rreshtin “të zgjasësh dorën”, Ihlen me të vërtetë zgjat dorën.

“Vetëm dy ditë më vonë, ajo humbi vetëdijen, dhe rrëshkiti drejt vdekjes”, shtoi Mollestad.

“I shkruajta më pas Leonard Cohen, duke i thënë se në momentet e saj të fundit, unë i pëshpërita “Zogu në tel”, sepse ajo ishte kënga që ajo ndiente më pranë. Dhe më pas e putha në dorë dhe dola nga dhoma, dhe i thashë: “Lamtumirë, Marianne”.

“Lamtumirë Marianne” ishte emri i një kënge të vitit 1967, që Cohen kishte shkruar për të.

Mbulesa i nxjerr probleme mësimdhënëses në Malishevë

0

Është salla e arsimtarëve, por asnjë prej tyre nuk gjendet në tubim.

Janë prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, që diskutuan për një hall që e kanë me mësimdhënësen e matematikës në këtë institucion arsimor, njofton Klan Kosova.

Për ta po del të jetë problem mbulesa e arsimtares Fatmire Bujupi, dhe frika se ajo do mbajë ligjërata për fe në orën e mësimit. Në këtë situatë, e cila dikë po e bënë me lot, fëmijët ka dy ditë që nuk vijnë në shkollë.

Bile njëri prej tyre tregon edhe se çfarë i tha mbesa e tij kur e ka parë arsimtaren për herë të parë.

Vetë Arsimtarja, Fatmire Bujupi , po thotë se po i bëhet e padrejtë nga nxënësit e prindërit, pasi ajo ligjëron lëndën e saj si të tjerë mësimdhënës. Kjo pretendon se është qëllimi që të sjellet një mësues tjetër këtu, e jo puna e shamisë.

Mehmedali Gashi: Çdo i dhjeti vuan nga sheqeri në gjak

0

Dikur numri i atyre që ishin të prekur nga diabeti, apo si njihet në popull sheqeri në gjak, ishte mjaft i vogël, derisa tani kjo sëmundje ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Sipas autoriteteve shëndetësore në Prizren, numri i të prekurve shkon në 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, aq sa është shkalla e të prekurve edhe në vendet e tjera. Përndryshe, kjo sëmundje ka një kosto tejet të lartë, që rëndon shtetet e varfra si Kosova.

Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, pohon se të sëmurit me diabet në Prizren trajtohen dhe furnizohen mirë me barëra të nevojshme.

“Insulina vjen nga ministria dhe ka pasur furnizim të mirë këtë vit”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Ashtu, si edhe në rastet e sëmundjeve të tjera, edhe në këtë rast ka rëndësi identifikimi i hershëm i sëmundjes. Për këtë qëllim, institucionet shëndetësore organizojnë shpesh edhe teste falas për qytetarët. Një fushatë e tillë është ndërmarrë ditët e fundit edhe në Prizren. Qytetari Izet Xhaferi pohon se ky organizim ndihmon sidomos pleqtë.

Shërbime falas për qytetarët

Mehmedali Gashi, drejtor i QKMF-së në Prizren, shprehet se kjo sëmundje është kthyer në pandemi botërore. Por, autoritetet lokale shëndetësore në vendin tonë ende nuk e kanë një shifër të saktë të prekurve me diabet.

“Ne nuk kemi shifra të sakta, por supozohet se në komunën e Prizrenit janë 10 për qind e qytetarëve të sëmurë nga kjo sëmundje”, ka thënë Gashi. Ndryshe, 14 nëntori është Dita Botërore e Diabetit, prandaj ky institucion shëndetësor ka ofruar shërbime falas në qendër të qytetit, ku me këtë rast qindra qytetarë kanë bërë matjen e sheqerit në gjak dhe kanë marrë shërbime tjera shëndetësore.

Shpresa Goçaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, pohon se diabeti është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve sheqernave, yndyrave dhe proteinave. “Ky çrregullim apo më mirë të themi kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë, ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë”, shprehet Goçaj.

Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme, ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak. “Nga kjo sëmundje janë të sëmurë rreth 10 për qind e popullatës së botës, kurse për shërimin e kësaj sëmundje harxhohet 12 për qind e buxhetit botëror dhe është sëmundje që shkakton vdekjen e një personi në çdo 6 sekonda në botë. Kurse edhe në Kosovë janë të sëmurë afërsisht 10 për qind e popullatës”, thotë Goçaj.

Sëmundje që kërkon një regjim të rreptë

Qytetari Izet Xhaferi shprehet se duhet të ketë më shumë organizime të tilla falas për qytetarët. “Njerëzit duhet të kontrollohen. Unë e kam pasur 5 e sot e kisha 9 nivelin. Unë sheqerin e mati ma shpesh. Kurse për ne ky aktivitet është i mirëseardhur”, potencoi Xhaferi.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne e marrim me ushqimet e ndryshme. Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme (simptoma) si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet.
Almir Gashi është 32-vjeçar dhe është diagnostikuar me diabet dhe përdor insulinë. Sipas tij, këtë vit furnizimi me insulinë në Prizren ka qenë i mirë.“Kjo edhe na ka lehtësuar pak a shumë sëmundjen tonë. Kjo sëmundje ndryshe quhet edhe sëmundje e zotërisë, por nëse nuk i rri gati është sëmundje shumë e vështirë dhe e rëndë”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo sëmundje definitvisht kërkon në lloj regjimi të jetës.

(Kosova Sot)