Home Blog Page 6219

Kanoset një burrë në Malishevë, i dyshuari arrestohet

0

Dje në Malishevë është arrestuar një mashkull, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka kanosur një burrë tjetër, shkruan PrizrenPress.

Policia njofton se i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Aksident në Reqan të Prizrenit, 5 të lënduar

0

Policia e Kosovës njofton se në Reqan të Prizrenit dje ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve.

Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar katër meshkuj dhe një femër, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, shkruan PrizrenPress. Ndërsa njëri prej tyre është hospitalizuar në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësorë. /PrizrenPress.com/

Hallelujah, Leonard Cohen!

0

E kanë quajtur “Profet i zymtë”, “Kumbar i trishtimit”, “kryeprift i patosit”, “thumb i ashpër”, “horr i penduar”, po Leonard Cohen, është tekstshkruesi, poeti e muzikanti që s’e bën nana tjetër. Bashkë me Bob Dylan, Jimmy Page, Jim Morrison e të tjerë, kanë bërë që në një kohë, në një gjeneratë, kur shumica ishin të çorientuar dhe të deziluzionuar, të thonin me fjalë e tinguj atë çfarë të tjerët ndjenin e nuk e shprehnin dot: zemërimin e dëshpërimin e gjeneratave, thellësinë e kuptimin e jetës. Ata kanë arritur të kapin imagjinatën dhe ëndrrat e gjeneratave të gjashtëdhjetave, shtatëdhjetave, tetëdhjetave e nëntëdhjetave, duke i përdorur e përshtatur bukur në lojën e fjalëve e të muzikës.

Disa thonë se ishin pak 82 vjet jetë për të, porse ai do të rrojë gjithnjë. Sensual e krejt i veçantë në lirikat e këngëve, në muzikë, e në poezi, Cohen ishte çdoherë ose i adhuruari i madh ose anashkaluari i madh. Ata që i kanë hapur dyert për ta njohur thellësinë e trishtimit të tij, e kanë dashur fort, ata që i kanë mbyll ato, s’kanë mundur ta njohin asnjëherë.

Cohen bënte pjesë në kategorinë e legjendës së nënvlerësuar. Për muzikëdashësit e tij, duke përfshirë dhe shumë tekstshkrues, ai ishte ndër më të mirët, por asnjëherë nuk ka gëzuar një hit botëror, në kuptimin e popullaritetit, ose një album platin. Ai ka thënë se një imazh i caktuar i tij është ai i poetit feminist që këndon këngë për “melankolinë dhe dëshpërimin” dhe pëlqehet vetëm nga ata që dëshirojnë të jenë “poet feminist”.

Për disa ose për shumicën, mund të mos ketë qenë këngëtari më i mirë, muzikanti më i mirë e as më i pashmi, por Leonard Cohen kishte shumë karizmën, shumë poezi në fjalët e në paraqitje, dhe një inteligjencë të jashtëzakonshme. Ndoshta, për kanadezin, stili i të kënduarit i të cilit i detyrohet më shumë kanconeve frënge dhe këngëve hebreje, se sa folkut amerikan, ai ishte gjithmonë më i dashur në Evropë se sa në Amerikën e Veriut. Në një shkrim të hershëm, në një revistë folku “Sign Out” shkruhej: “Asnjë krahasim nuk mund të bëhet në mes të Leonard Cohen-it dhe ndonjë fenomeni tjetër”. I tillë ishte Cohen.

Mbaj mend se kënga e parë që kam pëlqyer qe “Dance me to the end of love”, për të adhuruar më pas “Famous Blu Raincoat”, e dashuruar në tekstet, në muzikën e në poezinë e tij.

Ai mbetet poeti i lirë, nopran e vetmitar. Poeti që duket se shkruan për ndodhitë e zakonshme në jetën tonë, për të hyr në thellësinë e terrin e botës që fshehim. Nga bota e dukjeve në terrin e bukurinë e fshehtësive tona, të vërtetave të fshehura skutave të shpirtit. Poezia e muzika e artistit është cilësuar jo e lehtë për t’u kuptuar e tejet komplekse për disa. Cohen i vuri në dispozicion muzikës poezinë e thellë, dhe është kjo thellësi vargjesh që lind ‘moskuptimin’ me të. /Gazeta JNK/

Të fshehtat e klasikëve

0

Muzika klasike ecën përmes shekujve, duke kënaqur shpirtrat dhe veshët e shumë brezave. Beethoven, Mozart, Liszt,  Schubert, e të tjerë,  janë gjeni të muzikës, por askush nuk i di anët e errëta të tyre, zakonet, ose sëmundjet që i kanë përndjekur.

Disa të vërteta rreth tyre, të cilat pakkush i di.

1 Fitorja dhe Hakmarrja

Simfonia nr 5, në Do minor të Ludwig van Beethoven, e realizuar në 1808,  është njohur si simfonia e Fitores. Dhe arsyeja është e thjeshtë: 4 notat fillestare (sol-sol-sol-mi bemole), u përdorën gjatë Luftës së II Botëror, si hapje tek Radio e Londrës, e cila transkriptonte kodin Mors: pikë-pikë-pikë-linja, që jepnin letrën V të Fitores. Sekuenca në fjalë është përmendur edhe në filmin V., për Hakmarrje, ndoshta për të njëjtin motiv.

2 Femrat nuk mund të ndiqnin pasionin për muzikë

Kompozitori gjerman Felix Mendelssohn ishte një fëmijë ogurmirë, por jo i vetmi në familje: motra e tij Fanny Mendelssohn ishte e njëjta gjë ; muzikante dhe kompozitore. Asaj nuk iu lejua që të ndiqte dashurinë për muzikën sepse ishte femër. Ishte pikërisht familja që e pengoi atë dhe vëllai Felix pranoi se kishte publikuar disa nga kompozimet e saj me emrin e tij. Një shembull? Ishte i Fannyt vepra “Italien”, kënga që Feliksi kishte bërë për mbretëreshën Viktoria, që në fakt ishte edhe kënga më e preferuar e saj. Ajo nuk e dinte që kënga ishte shkruar nga një femër.

3 Meritat e maces në muzikën klasike

Arratisja në sol minor e Domenico Scarlatti është e njohur gjerësisht si “Cat Run”. Arsyeja? Scarlatti ishte frymëzuar nga melodia e krijuar nga Pulcinella, macja e tij, i cila ishte duke ecur në tastierë. Kjo mjaftoi që Scarlati të frymëzohej për kompozimin e famshëm.

4 Fetishizmi i fansave të Franz Liszt

Fetishizmi (adhurim e hyjnizim i diçkaje, duke iu përulur verbërisht) i një fansi roku, nuk është një fenomen i së sotmes.  Kompozitori hungarez Franz Liszt, ishte mbytur nga kërkesat e fansave, që kërkonin fijet e flokut të tij. Në një moment, Liszt mori një qen dhe i priste qimet dhe ua jepte fansave, duke i thënë se ishin flokët e tij.

5 Humori i pistë i Mozartit

Të gjithë e dimë se Mozart ishte një gjeni, por pak e njohin pasionin e tij për të bërë humor me fjalë të pista. Në letrat e tij dhe madje në vepra të ndryshme gjenden batua për jashtëqitjen e njeriut. Madje ai ka tronditur edhe gruan e hekurt Margaret Thatcher,  e cila pasi kishte qenë prezente në një shfaqje në Amadeus të Peter Shaffer, tha se nuk mund të besonte një version kaq të ndyrë të kompozitorit. “Besoj se është e turpshme për Teatrin Kombëtar që të shohësh Mozartin që të thojë gjëra kaq të turpshme. Një kompozitor i muzikës kaq elegante dhe të mrekullueshme, është e pamundur që të flasë kështu”.

6 Misteri Simfonia nr 8 të Franz Schubert

Simfonia nr 8., e Franz Schubert është njohur edhe si një vepër e papërfunduar, sepse vetëm dy lëvizjet e para janë plotësuar dhe orkestruar nga autori. Po si ka mundësi? Hipotezat janë të ndryshme. Mund të bëhet fjalë për ndonjë eksperiment, ose ndoshta bëhej fjalë për pesimizëm: Schubert  ishte i bindur se nuk do ta mbaronte dhe e braktisi. Dikush thotë se ishte diagnoza e sifilizit dhe që e tronditi. Por teoria më e besueshme është një tjetër: dy lëvizjet e plota të kësaj simfonie kishin aq përsosmëri në vetvete, sa mjaftonin për të shprehur atë që Schubert donte të transmetonte. Prandaj, përfundimi i veprës ishte i panevojshëm.

7 Hypochondria e Tchaikovsky’t

Kompozitori i madh rus, Pyotr Ilyich Tchaikovsky, autori i veprës “Arrëthyesi”, ishte aq hypochondrik, saqë mbante mjekrën me dorë, ndërsa drejtonte orkestrën e tij. Ai ka pohuar se e bënte këtë nga frika se mos i binte koka. Refuzonte të pinte gjëra që nuk ishin në shishe të mbyllura prej frikës se mos infektohej nga ndonjë sëmundje. Ironia e fatit bëri që në vitin 1893 të diagnostikohej me kolere dhe që vdiq pas disa orësh. Ka edhe nga ata që besojnë se kjo nuk ishte e vërtetë. Muzikantja sovjetike Alexandra Orlova thotë se Tchaikovsky vrau veten me arsenik, pas kërcënimeve që iu bënë, të cilët i thanë se do bënin publike homoseksualitetin e tij.

Më e vjetra dhe më e bukura këngë e dashurisë

0

Kënga e këngëve të Solomonit

Dashuria, gjithnjë dashuria, që në mugëtirën e kohëve, pasi ajo duhet të ketë qenë një nga ndjesitë e para, ku pas shekujve të instiktit, të lidhjes dhe bashkimit, dashuria mori formë, u mbrujt, me afsh dhe dëshirë, me ëndrra dhe ngjizma të ngrohta mishi e gjaku, u zbukurua, hodhi shtat mbi lëndina, vreshta e ullishta, për të shkuar drejt ekstazës dhe përkushtimit. Rrahje zemre, dihatje, pritje, ankth dhe netë të pagjumta… dhe përsëri një ag në pritje, ku siç shkruhet, papritur, ezmerja dhe e bukura Shulamit dëgjonte hapat e të dashurit të saj, atij që dhe do i përkushtohej duke thënë në këngën e famshme Kënga e këngëve të Solomonit:
«… Unë flija, por zemra ime rrinte zgjuar. Eshtë zëri i të dashurit tim që troket: «Hapma motër dhe mikja ime, pëllumbesha ime, e përsosura ime!…»
Kur ke lexuar këtë këngë të këngëve, këtë poemë të poemave, dhe udhëton në pllajat e gjelbërta e ngjyrë okër, nga Libani drejt Judesë dhe tokave të Palestinës e Izraelit, duke ndjekur udhët e qeparizave dhe pjergullave, kodrinave të lulëzuara e plot aroma drejt Jeruzalemit, në atë tokë historike që mban gjurmët e Tempullit të Solomonit, e ndjen akoma më shumë këtë këngë, pasi sheh dekorin e gjallë të një dashurie të përjetshme, vende ku është kënduar nga miliona njerëz dhe në mijra vjet kënga e buzëve, e gjinjve, e prehjes, e pushtimit dhe e përkushtimit, vetë pjellës njerëzore, ku dashuria pihet si verë, ku dashuria është më e ëmbël se vera, dhe aroma e saj më e këndshme se të gjitha aromat dhe parfumet e botës. Kjo ishte ndjesia ime kur përshkova atë udhë, kjo duhet të jetë mendoj ndjesia e çdo udhëtari që udhëton në ato kodrina e bregore ku është ngjizur kjo këngë e vjetër si bota, këngë e përhershme e kënduar në festa pagane e fetare, pasi dashuria ka vazhduar gjithnjë, dhe në kohë eklipsesh e furtunash, luftrash, holokaustesh, gjëmash e vdekjesh të mëdha.
Dashuria ka rrjedhur si ujët e burimeve në ujët e paqtë të Jordanit, si lumenjtë që shkojnë drejt brigjeve të Detit të Vdekur apo Mesdheut. Pra, kjo këngë është një vazhdë këngësh që rrjedh, një këngë dashurie mes një burri dhe gruaje, pinjollë të Adamit dhe Evës, të botës së krijuar tashmë që nga lindja e njerëzimit dhe që padyshim është libri më poetik i Biblës, që siç thonë studjuesit, duhet të jetë krijuar nga një poet anonim i shekullit IV para erës sonë, duke i bashkuar dhe shkrirë këngët në një të vetme, duke krijuar kështu një poemë të madhe, të paharruar.
Kënga e këngëve apo Kantika e kantikave të Solomonit është një libër më vete i Biblës hebraike, Chir ha-chirim, apo i Dhjatës së Vjetër, e cila ishte përfshirë në korpusin e librave të shenjtë para se të përkthehej nga hebraishtja e vjetër, pra kur u përkthye Septante (Testamenti i Vjetër nga gjuha e hebrenjve në greqisht nga shtatëdhjetë e dy priftërinjtë e mbyllur në Aleksandri me porosi të Ptolemeut II). Në të ishte integruar edhe kjo këngë, e cila ndryshonte nga të gjitha librat e tjerë të Biblës, nga Genesis, Eksodi, Josué e Samuel apo librat e Profetëve e më pas nga Libri i Job-it, Libri i Ester-it, etj, … një korpus me personazhe, ngjarje e kohëra, shpërngulje e luftra, pra histori e një populli por dhe histori e njerëzimit, me rite të lindjes, dasmës, vdekjes, me jetën njerëzore në kompleksitetin e vet. Por edhe pse u pranua në Septante, kjo këngë u ligjërua në kanionet hebraike e kristiane vetëm në shekullin e parë të erës sonë. Megjithatë futja e kësaj kënge në korpusin e librave të shenjtë është bërë me debate të mëdha dhe të shumta lidhur me tradicionin hebraik, siç dëshmohet dhe në Mishna hebraike, e të pranuar më pas nga doktrina kristiane. Rabbi Akiva[1] shikonte te kjo këngë deklaratën simbolike midis Zotit (YAHVE) dhe popullit të tij, të Izraelit. Por një nga të parët që komentoi këtë këngë të Biblës hebraike (Tanakh) ishte kleriku i famshëm Origene[2] në shekullin e III të erës sonë, i cili thoshte se ajo ishte «një epitalame», një këngë dasme e shkruar nga Solomoni në formën e një drame me vargje dhe me dy personazhe, burri dhe gruaja»…
Studjues të tjerë në shekujt më vonë shikonin në të mitin e Erosit me Psyche-në të Apule-s romak që shkroi për dashurinë e hyjnisë Eros (Cupidon) me princeshën Psyché, temë aq shumë e komentuar në shekullin e XX nga psikoanalistët.[3] Kjo këngë këndohej atëherë gjatë Pashkëve hebraike (Pessah). Tradita hebraike e vendos këtë këngë në pesë «meguilloth»-ët apo rrodhanët që lidheshin me festat liturgjike. Emri i Zotit nuk përmendet veçse në një rresht dhe shkarazi, atëherë kur përmendet «Flaka e Jahve-së». Gjuha dhe stili i përdorur në këtë këngë që kemi sot, të kujtojnë se është përdorur gjuha e kohës së persëve e madje dhe ajo helenistike, pra një kohë më e vonët nga ajo e krijimit të saj, pavarësisht se pikasen disa arkaizma që gjenden në të dhe që lenë të nënkuptojnë kohën më të vjetër të krijimit artistik të saj.
Qindra e qindra libra janë shkruar nga doktorët e shkencës teologjike hebraike e kristiane rreth interpretimit të kësaj poeme të veçantë, herë duke e parë atë si një poemë profane e dashurie, e herë si një poemë mistike, të dashurisë dhe lidhjes së Perëndisë me popullin, me Kishën kristiane, etj., siç e gjejmë në komentarët e Saint Gregoire Le Grand apo Apponius e shumë të tjerë. Dhe për këtë mjafton të shohim kodikët e vjetër të viteve 1000, veçanërisht atë të Bamberg-ut, të regjistruar në Kujtesën e Botës nga Unesco, e cila i referohet kësaj poeme të dashurisë njerëzore. Kënga e këngëve rishkruhej në pergamenët purpura, nga një kodik në tjetrin, pikturuar nga skribët, siç ishte Liuthar në Reichenau dhe ku dashuria shihej si gjëja më e shenjtë.
Ekzaltimi i bukurisë fizike dhe sensualiteti, vështirë të pranoheshin në ato kohë (gjinjtë e tu si bistakë rrushi!!!), dhe ja pse të tjerë studjues e shtyjnë kohën e krijimit të kësaj poeme shumë më herët, në kohën kur jetonte Solomoni dhe kur kishte tradicione pagane, ku nuk flitej ende për libra të shenjtë. Dhe kënga fillon me puthjen, siç shkruhet që në vargun e parë të kësaj kënge, apo me «dodeikha» në hebraisht, ku nënkuptohet dhe puthja, dhe përkëdhelia, edhe shtrati:
«Të më puthë me puthjet e gojës së tij! / Se dashuria tënde është më e shijshme se vera, / aroma e vajrave të tua është më e këndshme; / emri yt është një parfum që shpërndahet, / ja pse vajzat të duan…»
Por të tjerë studjues shohin në këtë krijim të përkryer anën humane të njeriut, lidhjen seksuale, dashurinë fizike, erosin e madh, duke sjellë si shëmbull shpesh herë vargjet e këngës kur Shulamit këndon:
«I dashuri im hedh dorën në të çarën e portës / dhe gjithë trupi m’u drodh për të / dhe unë u ngrita për t’ia hapur të dashurit tim / dhe me duart e mia ai shjoi mirrën time / nga gishtërinjtë e mi, mirra e virgjër / në dorezën e llozit…»
Ja dora që zgjatej në seksin e gruas… Vërtet është kështu? Interpretimi i këtyre këngëve është i hapur prej shekujsh, madje ato vazhdojnë, veçanërisht nga psikoanalistë e post-frojdistë. Të tjerë studjues, thonë se është historia e Shulamit-es, e të dashurit të saj dhe Solomonit që e pengon dhe e mban atë në haremin e tij në Jeruzalem, ndërsa disa të tjerë, duke folur për sensualitetin dhe personazhet mistike, n’a rikujtojnë Shën Terezën e Avilës, e cila kujtonte një çast të ekstazës seksuale të saj, kur imagjinoi se një ëngjëll i përshkoi zemrën me shigjetë…
Dhe padyshim, jo vetëm zemrën, pasi ajo e kishte provuar ndoshta «prishjen hyjnore» apo me hyjninë. Ja pse dhe kur kleriku i njohur humanist Sébastien Castellion vinte në dyshim karakterin hyjnor të kësaj kënge për shkak të karakterit të saj të hapur sensual, kjo solli kritikat e tmerrshme dhe zemërimin e madh tënga Jean Calvin! E krijuar në mugëtirat e kohëve, e përpunuar nga bardi apo bardja anonime për të ardhur deri në pragun e erës sonë, kjo këngë perfeksionoi gjuhën e saj metaforike, ku gjinjtë janë «male me aromë», ku vreshta është vet trupi i dashurisë dhe (ah, ky shtrat i gjelbër ) se «dashuria që ti bën, është më e mirë se vera». Ja sensualiteti në majat e krijimit artistik, e vetmja këngë sensuale e pranuar nga Kisha, ku padyshim klerikët hebraikë shohin dashurinë e Jahve-së me tokën e Izraelit…
Eshtë interesante sesi e shikonte këtë këngë, këtë perlë të popullit hebre, studjuesi i njohur i botës hebraike Ernest Renan,[4] duke e konceptuar këtë këngë si një spektakël, dramë në pesë akte dhe me skena të ndryshme brenda akteve, e para, e dyta, e treta e kështu me rradhë gjer në aktin e pestë. Pas refleksionesh të shumta ai imagjinon se thënien «të më puthë me puthjet e gojës së tij», e thotë një grua e haremit të Solomonit. Imagjinoni një çast: jemi dhjetë apo katër shekuj para Jezusë, ku kori i përgjigjet: «Përkëdheljet e tua janë më të ëmbla se vera…» Pastaj Shulamit-en e sjellin me forcë. Ajo i drejtohet një miku, apo të dashuri, që ne nuk e shohim: «Mermë me vete, të ikim me vrap së bashku… Mbreti më futi në harem»… Dhe ndërkohë gratë e haremit i drejtohen Solomonit: «Të gjitha gëzimet tona janë për ty… (etj, etj.) Në skenën e dytë, Shulamit është vetëm dhe ëndërron: «Thuamë ti, që zemra ime të dashuron, ku i çon qengjat e tu…» (etj.) Në fund, kjo dramë ka një epilog, ku një nga vëllezërit e Shulamit-es thotë: «Kemi një motër të vogël që ende nuk i janë formuar gjinjtë… Çdo të bëjmë ne me motrën tonë kur asaj t’i formohen gjinjtë? (etj).
Ernest Renan e përfundon studimin dhe interpretimin e tij të gjatë me idenë se kjo poemë nuk është thjeshtë një poemë erotike, as një poemë thjeshtë mistike, por është një poemë morale dhe ku moraliteti i saj qëndron në vargun e shtatë të këngës së tetë ku këndohet: «Asgjë nuk mund t’i rezistojë dashurisë së sinqertë; kur i pasuri kërkon të blejë dashurinë, ai në fakt blen veç përbuzjen»… E megjithatë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë interpretim të Renan, siç ishte dhe shkrimtari e dramaturgu Paul Claudel, i cili në vitin 1947, kur ishte kredhur në studimet e tij për Biblën, ishte tronditur nga ai figuracion i jashtëzakonshëm i kësaj kantike, me «kërthizën si një kupë e rrumbullaktë, ku vera plot aromë nuk mungon», me vargun «buzën si një fjongo e kuqe», me «qafën si një torrë fildishi», apo «gjinjtë si dy drenusha binjake», etj. Në komentet e tij, ai refuzon të shohë atë që shikonte Renan, pasi për të, femra, gruaja, ishte vetë Kisha kristiane dhe ai «një nga bijtë e mrekulluar të saj»…
Kjo këngë, e përkthyer në qindra gjuhë të botës dhe në variantet nga më të ndryshme, si kënga më e vjetër e dashurisë së burrit për gruan, është një nga faqet më të bukura të shkrimit njerëzor dhe të këngës njerëzore, më e vjetra dhe më e gjithkohshmja, duke frymëzuar njëkohësisht shumë artistë të mesjetës dhe kohëve moderne t’i referohen asaj, të kompozojnë muzikë, ta pikturojnë atë afresk dashurie e përkushtimi, siç bëri Gustave Moreau duke pikturuar fytyrën e Shulamit-es, apo akoma më mirë Marc Chagall, ilustruesi i jashtëzakonshëm i mesazhit biblik, përmes figurave origjinale të tij. Dhe duke hyrë në botën pikturale të tij plot ngjyra të ndezura e figura në ajër, në qiellin e dashurisë, diku mes tokës dhe kozmosit, ne i ndjejmë ende hapat e Shulamit-es, hapat që rendin për të gjetur të dashurin e saj, edhe pse duhet të kapërcejë pengesa, roje, bregore, gjer në kufijtë më të skajshëm të kësaj bote.
Një himn për dashurinë: ja çfarë është kjo këngë e këngëve, ku Solomoni, biri i Davidit, nuk është thjesht krijuesi i tempullit të lashtë por është dhe ti, dhe unë, jemi ne të gjithë, krijesa të kësaj bote! Po, «të këpusësh frutat e kopështit tim / të shëtisësh mes luleve… hani miq, pini, dehuni, o të dashuruar»![5]
[1] Një nga prijësit shpirtërorë të Mishna-s (Kodi i Ligjeve, pjesë e Talmud-it, shk. I-II) dhe një nga themeluesit e judaizmit rabinik. Ai ishte dërguar disa herë nga hebrenjtë si ambassador i tyre në Romë.
[2] Teolog i persekutuar, një nga “etërit e Kishës”, autori i Historisë kishtare (185-253).
[3] Në latinisht Lucius Apuleius, (123-170), shkrimtar e filozof, autor i romanit dhe kryeveprës së njohur Metamorfozat.
[4] Joseph Ernest Renan (1823-1862), shkrimtar, filozof, historian, autor i shumë veprave ndër të cilat Historia e origjinave të kristianizmit, e cila e zemëroi shumë Kishën Katolike. Përktheu dhe shkroi gjithashtu mbi Kantikën e kantikëve dhe fenë hebraike në përgjithësi.
[5] Përkthimi i Kënga e këngëve e Solomonit, është bërë në bazë të botimit të librit La Bible (Bibla), éd. AELF, Paris, si dhe krahasimeve me përkthime të tjera nga studjuesit më në zë të Biblës, kryesisht nga versionet në frëngjisht të Ernest Renan më 1860, (Le cantique des cantiques, éd. Arlea), si dhe të Louis Segond, Georges Guggenheim, Fréderic Boyer apo André Chouraqui. E krijuar fillimthi në hebraishten e vjetër, e përkthyer në greqisht dhe pastaj në gjuhët e tjera, kjo këngë ka dhënë shkas për shumë interpretime linguistike, antropologjike dhe të traditës hebraike ndër studjuesit e shumtë të botës nga shekujt e parë të mijëvjeçarit tonë deri në ditët tona. (Luan Rama / Marrë nga Gazeta Shqip)

Bora mbulon Brodin e Dragashit (Foto)

0

Në orët e mbrëmjes, në Brod të Dragashit ka filluar të bie borë. Një lexues i lajmi.net ka dërguar fotografi ku shihet se tashmë bora ka zbardhur këtë zonë malore.

Në anën tjetër, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, gjatë këtyre dy ditëve të vikendit vendi ynë do të karakterizohet nga masat relativisht të ftohta të ajrit.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2-3 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 8-12gradë Celsius.

Në viset e ulëta do të ketë reshje shiu të intensitetit mesatar, kurse në viset malore parashihet të ketë reshje bore të intensitetit të dobët. Do të fryjë erë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

Në javën e ardhshme pritet të ketë rënie të temperaturave. /Lajmi.net/

brod-dra1 brod-dra

Ragip Begaj i përgjigjet PDK-së në Malishevë

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka reaguar ndaj akuzave të PDK-së. A thotë se po përballet me punët e pakryera ose të kryera keq nga PDK-ja, në kohën sa kenë qeverisur me Malishevën

Komunikata e plotë e Begajt

E tërë komunikata e PDK-së, dega në Malishevë, për të satën herë i vë në spikamë punët e pakryera ose të kryera keq nga ish partia në pushtet pra, PDK. Së pari, për hir të informimit të drejt të opinionit, diga e cila është ndërtuar në fshatin Mirushë, është ndërtuar në kohën sa PDK-ja, ishte në pushtet në Komunën e Malishevës dhe, kjo digë është ndërtuar pa përfillur procedura të prokurimit publik dhe pa përfillur dhe respektuar asnjë procedurë paraprake, andaj për këtë arsye kjo lëndë tashmë ndodhet në duar të prokurorisë për hetim.

E ndërtuar kështu kjo digë, pa ekspertizë të vlerësimit të shkallës së rrezikshmërisë dhe pa përfillur asnjë procedurë paraprake, tani subjektit të PDK-së, dega në Malishevë, i bie ndërmend që të ja kujtoj dikujt se duhet të hapet gypi për shkarkimin e ujit. Paradoks i llojit të vet.

Shuma e ndarë prej 50 mijë euro nga Qeveria për riparimin e kësaj dige, nuk është shpenzuar për asnjë qëllim tjetër. Kjo është e pavërteta e radhës të cilën e përmban komunikata e PDK-së, dega në Malishevë. Përkundër faktit se këtë çështje e kemi paraqitur si emergjente, vetëm para një muaji kemi nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por që mjetet ende nuk kanë arritur në destinacionin e duhur si parakusht për fillimin e procedurave të nevojshme të prokurimit publik. Përkundër vonesave që janë duke u bërë, Komuna menjëherë ka filluar hartimin e projektit për sanimin dhe riparimin e digës.

Më tutje, në komunikatën e PDK-së, dega në Malishevë, thuhet se grumbullimi i ujit në hyrje të Malishevës nga Banja, është krijuar artificialisht nga ndërtuesit pa leje…, por ja rikujtojmë PDK-së, dega në Malishevë se, ndërtimet pa leje kanë lulëzuar gjatë kohës sa ishit ju në pushtet në Malishevë, vetëm tani po i vëreni këto ndërtime. Këto janë pasoja të qeverisjes së juaj dhe ne jemi duke u përballur për çdo ditë me këto pasoja.

Komuna, e ka ngritur nivelin e gatishmërisë për përballimin e gjendjes të shkaktuar nga reshjet e shiut që e kanë përfshirë Komunën e Malishevës. Të gjitha mekanizmat janë në gatishmëri të plotë për ta përballuar këtë gjendje. Është bërë evakuimi i familjeve të rrezikuara, janë furnizuar me ushqimet e nevojshme nga Komuna dhe në mënyrë permanente do të përcillet gjendja e këtyre familjeve. Përndryshe, përkundër që të reshurat e shiut ende janë duke vazhduar, Komuna është e përgatitur për çdo eventualitet, brenda mundësive dhe kompetencave që i ka në lidhje me situatat e tilla të krijuara nga kushtet klimatike.

Shteti vret në mënyra të ndryshme

0

Rexhep Qosja

Janë bërë tetë ditë nga shuarja e jetës në burgun e Prizrenit të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe studentit i cili edhe dy provime duhej t’i jepte për t’u bërë mjek i popullit!

Janë bërë tetë ditë prej se vendorë e të huaj, njerëz të politikës, intelektualë, medie të shkruara dhe elektronike shfaqin mendime për këtë vdekje të papritur, të ndodhur në rrethana të paqarta dhe në mënyrë edhe më të paqartë.

Disa, me vetësigurinë e njerëzve që s’kanë dëgjuar ndonjëherë për brejtje të ndërgjegjes, thonë se Astrit Dehari u vetëvra!
Disa të tjerë thonë se ai u vra prej atyre në duart e të cilëve e kishte lënë fati tragjik!
Disa të tjerë thonë se e vërteta për shuarjen e jetës së Astrit Deharit do të mësohet sigurt vetëm prej hulumtimeve të atyre që janë caktuar profesionalisht të hetojnë rrethanat dhe vdekjen e tij.
Disa të tjerë, ndërkaq, nuk ngurrojnë të thonë se e vërteta për këtë vdekje në të vërtetë nuk do të mësohet kurrë!
2.
Pavarësisht prej asaj që e thonë a edhe e shkruajnë ata që flasin për vetëvrasjen e Astrit Deharit; pavarësisht prej asaj që e thonë apo edhe e shkruajnë ata që flasin për vrasje; pavarësisht prej asaj që e deklarojnë ata që kërkojnë të priten të dhënat që do të sjellin ata që janë caktuar të bëjnë hulumtimin profesional të vdekjes; dhe pavarësisht prej asaj që deklarojnë ata që mendojnë se e vërteta për vrasjen a vetëvrasjen e Astrit Deharit nuk do të mësohet kurrë, për këtë vdekje tragjike e vërteta është kjo: të birin e Avni Deharit dhe Xhemile Deharit, anëtarin e Vetëvendosjes e vrau shteti: e vrau shteti i Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së të cilit prindërit e tij ia kushtuan gjithë jetën derisa ishin në Kumanovë e, mandej, në Zvicër, kurse të sotmes dhe të ardhmes së të cilit po ia kushtonin jetën e tyre mbas ardhjes në Kosovë.
3.
Shteti nuk vret vetëm në një mënyrë: Jo. Shteti, sidomos, shteti dhunëtar, i bërë shtet privat prej oligarkisë politike dhe përfituese, siç është sot shteti ynë, vret në mënyra të ndryshme: vret me plumba, më shpesh fshehurazi se hapur; vret me armë të ftohta; vret me dhunë fizike ndaj trupit dhe me dhunë psikike ndaj shpirtit; vret me përndjekje; vret me fyerje; vret me shpifje, me gënjeshtra e me mashtrime; vret me burgje, me paraburgje e me pasburgje; vret me mediet e paguara, me mediet e shantazhuara dhe me mediet e frikësuara; vret me mediet e kriminalizuara, siç është portali Express, por edhe disa të tjera! Astrit Deharin shteti e vrau jo me një po me disa nga këto mënyra vrastare! Dhe e vrau me disa nga këto mënyra sepse Astrit Dehari ishte me karakter e me bindje i panënshtruar para pushtetit dhunëtar! Dhe e vrau sepse ky shtet donte të vriste Opozitën dhe sepse ky shtet donte të vriste Lëvizjen Vetëvendosje! Dhe e vrau duke e burgosur me katër shokë dhe me një shoqe, duke i akuzuar të të gjashtët si terroristë që, u tha me gojët e me shkrimet e pushtetarëve, që u tha zyrtarisht e privatisht prej tyre, se deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës, deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës duke vrarë dy a tri tulla a xhama të këtij Kuvendi, prej sallave të të cilit lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po e predikojnë dhe po e “mbrojnë” edhe një numër i atyre që sot perceptohen shumë papranueshëm e padurueshëm prej popullit.
Dhe, me supozimin se prej duarve të tyre “terroriste” u plagosën ato dy a tri tulla a xhama, ata u quajtën terroristë dhe u çuan ku u çuan! Dhe u terrorizuan si u terrorizuan! S’deshën të dinë pushtetarët e dehur prej pushtetit se terroristët s’vrasin tulla po njerëz!
4.
Shtetet demokratike me ligjet e veta i sigurojnë edhe të drejtat njerëzore të të burgosurve dhe kujdesen për ta. Ato, shtetet demokratike, pranojnë të jenë dhe janë përgjegjëse për jetën dhe për vdekjen e të burgosurve të tyre. Por, shteti ynë s’lodhet për ato të drejta të të burgosurve, prandaj u bë vrasës i Astrit Deharit jo vetëm në qoftë se ai u vra prej ndonjë shërbëtori zyrtar, por edhe në qoftë se u vetëvra! Shteti i Kosovës u bë shtet vrasës i tij sepse me terrorin politik e shtetëror e rëndoi pamatshëm politikisht, shpirtërisht dhe trupërisht!
Astrit Dehari nuk është i burgosuri i parë viktimë e shtetit tonë, por është viktimë e veçantë e këtij shteti, që tash e tre vjet po përdor edhe mjete e po zbaton edhe mënyra neofashiste në qërimin e hesapeve me kundërshtarët politikë! E me disa të tjerë!
5.
Pikëllimi i prindërve, i nënës dhe i babait, i motrës dhe i bashkëshortes së Astrit Deharit për shuarjen e jetës së tij është i madh, është i madh dhe është i rëndë, i rëndë sa bjeshka! E madhe, pamatshëm e madhe është edhe dhembja e shokëve, e kolegëve, e miqve, e dashamirëve të shumtë të tij për të.
Prej pesë nëntorit, kur u nda nga jeta, Astrit Dehari nuk është më vetëm i Xhemiles dhe i Avniut: Astrit Dehari tashmë është biri i shtrenjtë, është vëllai i shtrenjtë i ne të gjithëve, i gjithë Kosovës, i gjithë shqiptarëve.

Astrit Deharit iu bënë nderime mortore si një dëshmori, dëshmori të veçantë, të rënë në kushte të veçanta dhe në mënyrë të veçantë. Kur filloi lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Astrit Dehari ishte vetëm nëntë vjeç dhe mosha prej fëmije s’i lejoi të merrte pjesë në atë luftë. Por, në atë luftë morën pjesë prindërit e tij dhe morën pjesë duke e bërë shtëpinë e tyre në Zvicër shtëpi të shumëve nga ata që do të marrin pjesë në Luftën Çlirimtare në Kosovë. Astrit Dehari nuk mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ra dëshmor në një luftë tjetër, shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi: ra dëshmor në luftën politike për Kosovën demokratike, për Kosovën e qeverisur prej bijve e bijave të saj të paprishur prej arrivizmit, prej despotizmit, prej korrupsionit pandemik, prej nepotizmit primitiv, prej pasurimit lehtë dhe shpejt, prej pronave të patundshme e të tundshme, prej privilegjeve të gjithfarëllojshme, prej arrogancës dhe megalomanisë në të cilën aq lehtë e aq shpejt zhyten ata që idealet nuk ngurrojnë t’i zëvendësojnë me karrige e me përfitim!

Le të ngushëllohen nëna e babai i Astrit Deharit me nderimet e jashtëzakonshme që iu bënë djalit të tyre! Le të ngushëllohen Xhemilja e Avniu me përvjetorët që do t’i shënohen birit të tyre si përvjetorë të dëshmorit të rënë për Kosovën demokratike, për Kosovën me drejtësi të kapur prej oligarkisë, për Kosovën ku para ligjit janë të gjithë të barabartë, për Kosovën me sistem vlerash që e bëjnë të kuptimshme e të dinjitetshme edhe jetën e atyre të shpërfillurve e të braktisurve prej pushtetit të oligarkisë, që obligimet shtetërore për të mirat e përgjithshme i ka zëvendësuar me përkushtime të pandalshme ndaj interesave të veta, të të vetëve e të partisë së vet!
Le t’i jetë e lehtë toka e Kosovës Astritit tonë që kësaj toke ia fali rininë, mendjen dhe virtytet e tij të larta.
12-11-2016 Rexhep Qosja

Bllokohet rruga Mirushë-Gurbardh

0

Si rezultat e reshjeve të pandërprera gjatë tërë ditës së sotme, është bllokuar rruga Mirushë-Gurbardh, përkatësisht uji ka mbuluar urën mbi liqenin në Mirushë.

Sipas një njoftimi të Komunës së Malishevës, niveli i ujit është rritur dukshëm dhe në disa vende lumi Mirusha ka dalë nga shtrati, kryesisht në ara dhe livadhe, si në Banjë, Malishevë, Mirushë, dhe vende tjera, mirëpo nuk ka bllokim të rrugëve në vende tjera.

Komuna bën të ditur se ekipet emergjente dhe ato të sigurisë, janë në terren dhe në gjendje gatishmëria, ndërsa Policia e Kosovës, ka venduar shiritat në rrugën Mirushë-Gurbardh, duke mos lejuar që të rrezikojnë vozitësit.

Sipas drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës, të gjitha ekipet e emergjencës do të jenë në gatishmëri, ndërsa situata aktuale, përjashtuar një rrugë, është normale dhe të gjitha rrugët tjera të hapura dhe nuk ka depërtim të ujit në shtëpi banimi. Kjo situatë varet nga reshjet atmosferike.

Kurti: Këtu vdiq një i pafajshëm

0

Ish-lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti tha se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren vdiq një i pafajshëm.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në tubimin para Qendrës së Paraburgimit në Prizren të zhvilluar nga Lëvizja “Vetëvendosje” për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, Albin Kurti tha se “në këtë burg vdiq një i pafajshëm”

Kurti më tutje deklaroi se “mbi Astritin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar deri në vdekjen e tij”.

Kurti kërkoi që “populli të angazhohet për drejtësi për Astritin”.

“Astriti nuk ka vdekur nga medikamente, ai ka vdekur nga ngulfatja,” tha Kurti.

Me fjalimin e Kurtit edhe përfundoi tubimi i sotëm para Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ndërsa organizatorët paralajmëruan edhe tubime tjera të tilla.

Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren të shtunën e kaluar. Ai po mbahej i paraburgosur për më shumë se dy muaj, si njëri nga të dyshuarit për sulmin në Kuvend më 4 gusht./Kallxo.com/