Home Blog Page 6224

Sot i jepet lamtumira Astrit Deharit

0

Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje do ta varroset sot në orën 14 në varrezat e Matiqanit.

Në orën 11 do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa në 12:00 do të ketë marsh për Astritin.

Astrit Dehari ka vdekur të shtunën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa akoma nuk dihen detajet e sakta të vdekjes së tij.

Arrestimet e Speciales ngutin PDK-në për zgjedhje

0

Turbulencat e fundit që po ndodhin brenda koalicionit aktual qeveritar, deklarimet e shpeshta të disa individëve me ndikim të dukshëm në PDK kundër mënyrës së qeverisjes “Mustafa”, duke përfshirë këtu edhe vetë kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, sipas analistëve politikë po shihen si zhvillime serioze që mund ta thellojnë përçarjen në koalicion dhe vendi të shkojë shpejt në zgjedhje të reja. Është shumë e pritshme të shkohet ne zgjedhje në pranverën e vitit të ardhshëm, ngase dyshohet se PDK-ja dhe Veseli janë duke kërkuar prapa kuintave mbështetje edhe te ndërkombëtarët që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në pranverën e këtij viti. Kjo për faktin se PDK-ja frikësohet nga efekti negativ i prangosjeve nga prokuroret e Gjykatës Speciale.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu konsideron se PDK-ja tani është në momentin kyç kur mund ta shfrytë- zojë avantazhin e prishjes së bllokut opozitar VETËVENDOSJE-AAK-NISMA, prandaj edhe do të kërkojë zgjedhje të shpejta që të dalë parti fituese, mbase në zgjedhjet që mund të ndodhin në pranverën e hershme.

“PDK-ja është gjatë në pushtet dhe kjo natyrshëm zbeh mundësitë e saj për fitore në zgjedhje. Tani është momenti i fundit që falë ‘Vetëvendosjes’ që u nda nga blloku opozitar, PDK-ja ka gjasë që të dalë akoma partia e parë” , tha analisti politik Nexhmedin Spahiu për “Kosova Sot”

Koalicioni i zorit

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, koalicioni i tanishëm PDK-LDK, edhe pse është quajtur si koalicion i madh, e nga disa edhe koalicion i elefantëve, më shumë është një koalicion i zorit sesa i vullnetit të mirëfilltë politik, veçanërisht për LDK-në, dhe ai tani mund të prishet në secilin moment të planifikuar nga PDK-ja, si veprim strategjik që i konvenon këtij subjekti politik për ta ruajtur avancimin e sërishëm në proces të ri zgjedhor.

“Interesat kanë qenë reciproke, PDK-ja për ta marrë Presidencën dhe kreun e Kuvendit, kurse LDK-ja për ta “udhëhequr” Qeverinë dhe duke marrë disa dikastere të rëndësishme. LDK-ja gjithherë kishte qenë kritike ndaj PDK-së, bile një pjesë të votave i kishte fituar duke kritikuar dhe duke u thirrur në kapjen e shtetit, luftimin e krimit, korrupsionit, sundimin e ligjit, dhe vija të kuqë me PDK-në. Nga këto asnjëra nuk ndodhi, u vazhdua dhe po vazhdohet me avazin e njëjtë, ku tash dy partitë e koalicionit e kanë një luftë në mes vete në pretendimin se cila po është më e aftë ta shtrijë rrjetën e vet nëpër institucionet e pavarura”, u shpreh ai.

“Interesat personale, klienteliste e mbajnë gjallë këtë koalicion të zorit, e aq më pak interesat shtetërore e kombëtare. Kjo po dëshmohet çdo ditë se, koalicioni qeverisës, përveçqë është i panatyrshëm, në të njëjtën kohë nuk është i interesuar për zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies qytetare, sundim të ligjit, transparencë, llogaridhënie, konsensus me qytetarë për çështje madhore, por kryekëput për interesa personale e klienteliste me qëllim e vetëm në kapjen përmes rrjetit të tyre klientelist”, tha analisti Hidajet Ahmeti.

Frikë nga Gjykata

Sipas Ahmetit, koalicioni qeverisës do të prishet atëherë kur PDK-ja e sheh që ka arritur interesat partiake dhe ka gjunjëzuar në atë masë LDK-në saqë kurdo që të organizohen zgjedhjet PDK-ja të jetë e pakonkurrencë.

“Jetëgjatësia e koalicionit edhe në të ardhmen do të varet nga PDK-ja. PDK-ja gjithherë ka ditur dhe me vigjilencë të plotë po menaxhon situatat politike. Në rastet e koalicioneve, PDK-ja bën kalkulime largpamëse, e cila mban elektoratin e vet, kurse çdoherë ka ditur t’i djegë partnerët e koalicionit. Në këtë rast, PDK-ja është në ofensivë, kurse LDK-ja në të kundërtën. Prandaj, LDK-së në këtë kohë nuk i shkon për shtati prishja e koalicionit qeverisës, sepse kurdo që do të mbahen zgjedhjet, LDK-ja do pësojë debakël”, tha Ahmeti për “Kosova Sot”.

Ai gjithashtu ka pohuar se PDK-ja përmes deklaratave të eksponentëve të saj po jep shenja së është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, në njërën anë, edhe nëse fillimi i Gjykatës Speciale do të godasë kokat që kanë autoritet brenda PDK-së, kurse në anën tjetër janë disa ndryshime që kanë ndodhur në udhëheqjen e PDK-së, prandaj zgjedhjet shihen afër.

“Prandaj, PDK-ja me çdo kusht do të mundohet që vendin ta çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme shkaku i frikës nga Gjykata Speciale”, tha Hidajet Ahmeti. /Kosova Sot/

Dëshmia e shokut të dhomës: Si e gjeta Astrit Deharin kur u ktheva nga pauza

0

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prizren ka publikuar një raport për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.

Në raportin e KMDLNJ është edhe rrëfimi i shokut të dhomës së të ndjerit Dehari, Naser Makolli, i cili ka thënë se ata ishin në shetinë e zakonshme në orët e pasditës, ku Astriti nuk kishte dalë, dhe kur kthehen në qeli e gjejnë të shtrirë aktivistin e Vetëvendosjes, kurse në gojën e tij është gjetur një shishe e plastikës.

Komunikata e plotë e KMDLNJ-së në Prizren

“Me 07.11.2016 nga ora 10.20 deri në ora 12.25 përfaqësuesi i KMDLNJ-s, ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Qëllimi i vizitës ishte njoftimi shtesë lidhur me rastine vdekjes së të paraburgosurit A.D. Fillimishtë takimi u bë me u.d. drejtorit të Qendrës së Paraburgimit, z.Destan Zogaj, që ka ofruar transparencë të plotë duke vënë në dispozicion çdo informatë lidhur me rastin e të ndjerit A.D.”

Naser Makolli, ka qenë i intervistuar nga KMDLNJ-ja, pasiqë në krahun A-3 ka qenë në të njëjtën qeli me të ndjerin.

‘Prej fillimit kam qenë në të njëjtën dhomë me Astritin. Me mua dhe ate kanë qenë edhe F.L.e A.G. Ka qenë shumë i sjellëshëm dhe i shoqërueshëm. Asnjëherë s’kam vërejt ndonjë shqetësim. Ditën kritike (05.11.2016) paradite kemi dalur bashkë në sheti në ora 9.00. Pasdite kemi bërë pastrimin e zakonshëm, të gjithë ne, të të njëjtës qeli bashkarishtë. Ai, pas pastrimit ka hequr edhe mjekrrën, dhe me sa mbaj mend gjatë qëndrimit të tij këtu, vetëm dy herë ka hequr mjekrrën’, ka thënë fillimisht Makolli.

Në kohën e shetis së pasdites në ora 14.00 Astriti ka thënë se do të rrij në dhomë, ngase ka dhimbje koke dhe do të pushoj. Ka ndodhur ndonjëherë që edhe unë, por edhe ndonjëri sikurse edhe Astriti që të mos del në sheti, dhe kjo na ka bërë që të mos shfaqim ndonjë dyshim. Madje, edhe unë shpesh nuk dalë për arsye të ndryshme. Mirëpo, unë e as shokët e dhomës nuk kemi vërjet diçka të dyshimtë. Pas përfundimit të pushimit, në ora 15.00 jemi kthy dhe unë i pari kam qenë që e kam parë Astritin të shtrirë në dysheme në shpinë, prapa kam pasur shokët e dhomës dhe oficierin D.K. Kam parë që as nuk ka lëviz apo lëshuar ndonjë gjëmë. Ka pasur në gojë një shishe plastike (të mjaltit) që blihen në kantinë. Në moment ka reaguar oficieri dhe ka thirrur në ndihmë ekipin mjekësor të Qendrës së Paraburgimit, që shpejt ka ardhur dhe i kan dhënë ndihmën e parë. Sipas atyre që dhanë ndihmën ka patur puls, shenja jete derisa ishte në dhomë. Më pas është bartur poshtë në ambulancë. Ndërsa, më pas në lajmet e para, në medie (nuk di saktë kur) kemi marrë njohtimin se ka ndërruar jetë’, ka thënë Naser Makolli.

Ai, ka pohuar se derisa ka qenë në dhomë me të (e me të ndjerin ka qenë që nga ardhja e tij këtu) asnjëherë, jo që ka pirë ndonjë tablet, apo medikament, por as që është ankuar në ndonjë sëmundje. Ndërkoh, konstaimi i vdekjes është bërë po të njëjtën ditë (dt.05.11.2016) në ora 15.55 në Qendrën Spitalore të Prizrenit. Ai, kishte qenë në Qendrën e Paraburgimit nga dt.01.09.2016 e deri në ditën kritike 05.11.2016. Takimi me zyrtarët e ambulancës Se nuk ka përdorur barëra asnjëherë apo ndonjë lloj medikamenti që nga ardhja e deri në ditën kritike, e pohuan edhe zyrtarët e ambulancës, që ofruan edhe kartelën personale shëndetësore (të cilën e ka çdo i burgosur), ku qartë shihej se asnjë lloj barëre s’është përdorur nga i ndjeri.

Analizat i ishin bërë njëherë me dt.18.10 2016 me kërkesën e tij dhe ato kishin rezultuar në rregull. Ndërsa, psikologu e kishte vizituar me datat 6 e 8 .09.2016 dhe nuk ka konstatuar ndojë shqetësim apo ankesë.
Takimi me zyrtarin social

I ndjeri me dt.02.09.2016 ishte intervistuar për hartimin e anamnezës.

“Absolutishtë s’kam vërejt ndonjë shqetësim emocional. Ka qenë shumë i hapur. E kam takuar edhe dy herë të tjera ku ka pasur kërkesë për libra. Ka lexuar rregullishtë’, ka thënë Haqif Iliazi, zyrtar social, por që asnjë shqetësim se kishte vërejtur e as që kishte paraqitur i ndjeri.

Shtojcë:

Sa i përket shishës e cila i ishte gjetur në gojë nga ana e shokëve të qelisë në momentin kritik, zyrtarët e Qedrës së Paraburgimit kanë ofruar këto të dhëna: ajo është paketim plastik me mjaltë të ndryshme me sasi 340 gr, që blihet në kantinë.

Me dt. 27.10.2016 të ndjerin e ka vizituar Dardan Molliqaj dhe me dt.03.11.2016 e ka vizituar edhe Sami Kurteshi. Që të dyja vizitat janë bërë bashkë me familjarët e tashmë të ndjerit dhe me lejen e Vebi Kashtanjevës, gjyqtar, i Gjykatës Themelore për krime të rënda në Prishtinë.

KMDLNJ, kërkon nga opinion publik, mediet dhe akterët tjerë që lidhur me rastin të drejtohen drejtpërdrejtë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku hollësishtë mund të njohtohen lidhur me këtë rast, pasiqë menagjmenti u tregua shumë profesional dhe transparent gjatë vizitës sonë. Madje, ata janë jetësishtë të interesuar që rasti të zbardhet, por që puna duhet tu lihet organeve të thirrura për këtë rast. Meqenëse, rastin e vdekjes e ka cilësuar të dyshimë edhe Prokuroria e shtetit, KMDLNJ edhe njëherë kërkon hetim të shpejtë, të gjithanshëm dhe profesional, për ndriqimin e rastit, dhe poashtu kërkon që rasti të mos prejudikohet.

Poashtu, KMDLNJ kërkon që përgjegjësit e rastit të sillen para drejtësisë dhe kërkon ngritjen e nivelit të sigurisë në Qendrat e Paraburgimit dhe burgjet e Kosovës” , (sic), thuhet në raportin e KMDLNJ.

Avokati i Popullit me hetim të veçantë për rastin e Astrit Deharit

0

Pikërisht për rastin e vdekjes së të riut, Astrit Dehari, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se institucioni që ai udhëheq ka filluar me një hetim të veçantë.

“Ne për momentin e kemi hap si rast, që në momentin që e kemi pranuar kërkesën nga familjarët. Dhe tani do të jetë çështje e procesit hetimor të gjithanshëm, prej momentit të pranimit të ndjerit në qendrën e paraburgimit e deri në momentin kur faktikisht është përcjellë me autoambulancë për në spital”, tha Jashari, transmeton RTV Dukagjini.

Ai tha se pikërisht për këtë hetim, do të dalin me një raport të vacantë, e që thotë se në raste të zakonshme merr kohë një apo dy muaj.

Jashari më tej foli edhe për praktikat më të mira të pranimit të një të burgosuri. Veçmas potencoi kontrollin dhe kujdesin që i bëhet një personi që është nën përkujdesjen e autoriteteve shëndetësore.

“Gjitha këto situata, zakonisht hapi i parë i veprimit, është që personi kur pranohet në këto qendra, autoritetet janë të obliguara të ofrojnë një kontroll mjekësor. Gjithçka që konstatohet, duhet të shënohet. Pastaj, varësisht prej nevojave shëndetësore të personit, caktohet edhe përkujdesja mjekësore. Për të gjitha këto mbahet një proces i rregullt i shënimit dhe nëse ka indikacione se personi mund të jetë i pirur në ventëlëndim, atëherë tregohet një kujdes më i veçatë”, tha ai.

Jashari tha se është një nga shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut, nëse konstatohet se vdekja e një të burgosuri ka ndodh për shkak të neglizhencës apo moskujdesit adekuat të autoriteteve publike.

Ai gjithashtu kritikoi edhe deklaratat para se të bëhej autopsia, të cilat i quajti si të ngutshme.

Ura e Gurit që mbolli dashuri

0

Posa të përmendet Ura e Gurit menjëherë kjo asocion me Prizrenin. Kjo urë dhe ky qytet bashkëjetojnë ndër shekuj. Qyteti buzë Lumëbardhit aktualisht ka 20 ura me material të fortë pa numëruar ato të konstruksioneve të hekurta të ndërtua rishtas. Këto ura secila në vete ka nga një histori. Shënimet e një studiuesi të vjetër, Hasan Kaleshi flasin se në shekullin XVII mbi Lumëbardhë kishte 9 ura, por nuk dihet vendi i tyre sepse atëbotë Lumëbardhi kishte tjetër rrjedhë dhe kalonte pranë secilës shtëpi në formë jazi. Secila nga këto ura ka nga një histori në vete dhe secila ka një arsye të kësaj historie. Ura e Gurit tregon se ky qytet dikur ishte kasaba, siç ishin edhe Shkupi e Vushtrria, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas profesor Sylejman Randobravës, Ura e Gurit është njëra ndër urat e lashta që dhe kjo paraqiste lashtësinë e këtij qyteti. Për Urën e Gurit, drejtori i QTRK-së, Samir Hoxha, shpjegon se përmes Prizrenit kalon Lumëbardhi, i cili e ndan qytetin në dy pjesë, pothuajse të barabarta. “Mbi Lumëbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura, por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit, e cila gjendet në qendrën e qytetit të vjetër. Në anën lindore të saj gjendet Ura e ,,Arastës”, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e ,,Naletit”. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit)”.

E ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar

Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar nga fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Ura e vjetër ishte triharkore, harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30 metra, ndërkaq e urës së tanishme është 17 metra. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m. Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103cm dhe lartësi 160cm. Gjerësia e trasesë është 4,20m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40 cm që përcjell nivelimin e saj dhe ka shërbyer vetëm për këmbësorë.

Hoxhaj thotë se në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. “Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumëbardhit, në vitet ’60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq, harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja ,,Elani”, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të saj”, tregon Hoxha.

Një mori historish të dashurisë

Dikur moti në këndin e Urës së Gurit, tregojnë pleqtë, organizohej tregtia, që kryesisht bëhej në ditën e tregut të mërkurën. Kjo urë ishte vendtakimi për të krijuar edhe martesa e për të bërë shumë krushqi. Kurse në raste të fejesave të vajzave shpesh thuhet se sa luan guri i kësaj ure aq luan fjala e burrit, kur ishte fjala për ta dhënë vajzën. Kjo urë ka një vistër historish të dashurisë dhe ka një vistër dhembjesh. Gjatë rregullimit të rrugës “Remzi Ademi” në vitet e 50-ta të shekullit XX, ura pëson ndryshime në dukjen e saj, pasi që harku i djathtë (ana veriore) mbyllet për të zgjeruar rrugën. Edhe pse me pamje deformabile, ura ka kryer funksionin e vet deri më 17.11.1979, kur ujërat vërshojnë Prizrenin, me ç’rast ura rrënohet tërësisht. “Pasi ura kishte një rëndësi të veçantë për Prizrenin dhe banorët ishin të lidhur emocionalisht me të, atëherë vendoset që të bëhet rindërtimi i saj. Kështu menjëherë fillohet me analizën e dokumentacionit dhe hartimin e projektit. Ura rindërtohet përsëri ku gur themeli është vënë më 5.06.1982, ndërsa inaugurimi është bërë më 17.11.1982. Krahas urës është rregulluar edhe keji pranë urës në anën e djathtë të lumit”, tregon Randobrava.

Avokati i familjes Dehari: Astriti kishte një mori gërvishtjesh në trup

0

Vdekja në burg e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje duket se ka ndodhur për shkak të asfiksisë, por se si ka ardhur deri tek ajo mbetet të konstatohet nga ekspertët e mjekësisë ligjore.

Në trupin e Astrit Deharit, aktivistit të VV-së, që u gjet i vdekur të shtunën në qendrën e paraburgimit në Prizren, ka pasur shenja të gërvishtjeve sipërfaqësore në njërën dorë dhe në qafë. Këtë e konfirmoi avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Shenja në trup ka pasur, edhe atë një mori gërvishjesh. Prerje sipërfaqësore ka pasur në dorën e majtë dhe në qafë, mirëpo nga kjo nuk mund të thuhet nga dikush se është vrasje apo vetëvrasje”, tha Gashi për Gazetën Express, pak minuta pasi trupit të Astrit Deharit iu krye autopsia në Qendrën e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Sipas Gashit, vdekja e aktivistit të VV-së në paraburgim ka mund të ndodhë për shkak të asfiksisë – mungesës së oksigjenit, por gjithçka mbetet të konfirmohet përfundimisht nga ekspertët që të hënën në mesditë kryen obduksionin.

“Vdekja e tij duket se ka ndodhur për shkak të asfiksisë, por si ka ardhur deri tek ajo, atë do ta thonë ekspertët e mjekësisë ligjore, kështu që tani jemi në fazën kur vetëm është kryer onduksioni”, tha ai.

Ai ka hedhur poshtë raportimet se Dehari ka përdorur barna, apo substanca tjera.

“Astriti nuk ka përdorur barna e as substanca tjera, qoftë edhe ato narkotike”, tha ai.

Avokati Gashi ka treguar se në obduksion që zgjati rreth dy orë e gjysmë përveç tre ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të kryesuar nga Flamur Blaka, kanë marrë pjesë edhe ekspertët e thirrur nga familja Dehari Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia.

Astirt Dehari u gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, fundjavën e kaluar. Ai po mbahej në këtë qendër si për sulmin e 4 gushtit në Kuvend, që u cilësua si sulm terrorist. Bashkë me Deharin, Policia e Kosovës, në shtator kishte arrestuar gjithsej 6 persona, të gjithë aktivistë të VV-së. /Express/

Ja shkaktari i vdekjes së Astrit Deharit

0

Ka përfunduar procesi i autopsisë së të ndjerit Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në Burgun e Prizrenit.

Pas përfundimit të autopsisë, Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se për momentin nuk ka të dyshuar për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Hoxha ka thënë se rasti do të ndriçohet deri në fund dhe se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur medikamente, siç është raportuar më parë.

Ai ka thënë se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e asfiksisë, pra për shkak të mungesës së ajrit.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi, ka thënë se procesi i autopsisë zgjati gati dy orë e gjysmë.

“Janë marrë të gjitha mostrat e nevojshme dhe në rast nevoje disa prej tyre do të dërgohen edhe në Angli”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se rezultatin përfundimtar do ta thotë Mjekësia Ligjore.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, dy ekspertët e caktuar nga familja Dehari, Besim Ymaj nga Shqipëria dhe Besim Latifaj nga Anglia, kanë përcjellur nga afër këtë proces.

Gjithashtu prezent kanë qenë edhe tre mjekë nga Instituti, një përfaqësues i EULEX-it, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, si dhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në lidhje me përfundimin e autopsisë së Astrit Deharit, avokati Tomë Gashi ka thënë se nuk janë gjetur barna që kanë aftësi psikotropike.

“Dy orë e gjysmë ka zgjatur autopsia. Ne, si përfaqësues të familjes, angazhuam edhe ekspertë nga Shqipëria e Anglia”.

“Të gjitha mostrat e nevojshme janë marrë për ta vërtetuar shkakun e vdekjes së Astritit, disa prej të cilave do të dërgohen edhe në Angli”, tha ai.

Gashi ka thënë se të rezultatet përfundimtare do t’i thotë Mjekësia Ligjore, të cilat pritet të dalin ditëve në vijim./Telegrafi/

Sylë Hoxha: Nuk ka të dyshuar për rastin e Astrit Deharit

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka folur para mediave pas përfundimit të autposisë ndaj Astrit Deharit.

Ai u ka thënë mediave se nuk ka të dyshuar që lidhjen me vdekjen e Deharit, raporton Gazeta Blic.

“Për momentin nuk ka. Nëse do të ketë ai do të paraburgoset dhe nëse gjendet fajtor edhe do të dënohet”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Artan Abrashi: Astriti dëshmori i parë i Kosovës

0

Kryetari i Qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi, tha se vdekja e Astrit Deharit është një ngjarje e rëndë që na ka tronditur të gjithë.

“Ndërsa sonte po realizojmë një aksion simbolik për të përkujtuar mikun, aktivistin dhe të riun i cili është dëshmori i parë i Kosovës i cili ra duke kundërshtuar demarkacionin dhe themelimin e “ Zajednicës”,tha ai, shkruan TVPZ

Zafir Berisha ndezë qirinj në kujtim të Astitit

0

Qytetarë të shumtë në Prizren kanë bërë homazhe dhe kanë ndezë qirinj në nderim të Astrit Deharit.

Përmes një foto të postuar në facebook, deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha, ka treguar pamjet, ku disa qytetarë, por edhe vet deputeti, shihen duke ndezur qirinjë për të nderuar dhe përkujtuar ish- aktivistin e VV-së, Astrit Dehari

Dehari, që ka qenë student i Mjekësisë në UP, të shtunën ka vdekur në rrethana ende të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ai ishte arrestuar nga Policia si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës./PrizrenPress.com/