14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Ura e Gurit që mbolli dashuri

Posa të përmendet Ura e Gurit menjëherë kjo asocion me Prizrenin. Kjo urë dhe ky qytet bashkëjetojnë ndër shekuj. Qyteti buzë Lumëbardhit aktualisht ka 20 ura me material të fortë pa numëruar ato të konstruksioneve të hekurta të ndërtua rishtas. Këto ura secila në vete ka nga një histori. Shënimet e një studiuesi të vjetër, Hasan Kaleshi flasin se në shekullin XVII mbi Lumëbardhë kishte 9 ura, por nuk dihet vendi i tyre sepse atëbotë Lumëbardhi kishte tjetër rrjedhë dhe kalonte pranë secilës shtëpi në formë jazi. Secila nga këto ura ka nga një histori në vete dhe secila ka një arsye të kësaj historie. Ura e Gurit tregon se ky qytet dikur ishte kasaba, siç ishin edhe Shkupi e Vushtrria, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas profesor Sylejman Randobravës, Ura e Gurit është njëra ndër urat e lashta që dhe kjo paraqiste lashtësinë e këtij qyteti. Për Urën e Gurit, drejtori i QTRK-së, Samir Hoxha, shpjegon se përmes Prizrenit kalon Lumëbardhi, i cili e ndan qytetin në dy pjesë, pothuajse të barabarta. “Mbi Lumëbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura, por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit, e cila gjendet në qendrën e qytetit të vjetër. Në anën lindore të saj gjendet Ura e ,,Arastës”, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e ,,Naletit”. Ura lidh drejtpërsëdrejti sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit)”.

E ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar

Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar nga fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI. Ura e vjetër është e ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror. Ura e vjetër ishte triharkore, harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30 metra, ndërkaq e urës së tanishme është 17 metra. Gjatësia e harkut të madh është 10m, lartësia 5m. Gjatësia e harqeve anësore 4m, lartësia 3m. Ura ka edhe një hark të vogël ndihmës me gjatësi 103cm dhe lartësi 160cm. Gjerësia e trasesë është 4,20m dhe është e shtruar me kalldrëm. Ura ka një rrethojë prej 40 cm që përcjell nivelimin e saj dhe ka shërbyer vetëm për këmbësorë.

Hoxhaj thotë se në rrjedhat e historisë, ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha. “Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumëbardhit, në vitet ’60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq, harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi. Prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan dhe sipas projektit të hartuar nga M. Gojkoviq, ing., më 5 qershor 1982 fillojnë punimet për rindërtimin e saj. Punët restauruese i kreu Ndërmarrja ,,Elani”, nën mbikëqyrjen e Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit. Ura e rindërtuar solemnisht u inaugurua më 17 nëntor 1982. Kështu ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë. Duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të saj”, tregon Hoxha.

Një mori historish të dashurisë

Dikur moti në këndin e Urës së Gurit, tregojnë pleqtë, organizohej tregtia, që kryesisht bëhej në ditën e tregut të mërkurën. Kjo urë ishte vendtakimi për të krijuar edhe martesa e për të bërë shumë krushqi. Kurse në raste të fejesave të vajzave shpesh thuhet se sa luan guri i kësaj ure aq luan fjala e burrit, kur ishte fjala për ta dhënë vajzën. Kjo urë ka një vistër historish të dashurisë dhe ka një vistër dhembjesh. Gjatë rregullimit të rrugës “Remzi Ademi” në vitet e 50-ta të shekullit XX, ura pëson ndryshime në dukjen e saj, pasi që harku i djathtë (ana veriore) mbyllet për të zgjeruar rrugën. Edhe pse me pamje deformabile, ura ka kryer funksionin e vet deri më 17.11.1979, kur ujërat vërshojnë Prizrenin, me ç’rast ura rrënohet tërësisht. “Pasi ura kishte një rëndësi të veçantë për Prizrenin dhe banorët ishin të lidhur emocionalisht me të, atëherë vendoset që të bëhet rindërtimi i saj. Kështu menjëherë fillohet me analizën e dokumentacionit dhe hartimin e projektit. Ura rindërtohet përsëri ku gur themeli është vënë më 5.06.1982, ndërsa inaugurimi është bërë më 17.11.1982. Krahas urës është rregulluar edhe keji pranë urës në anën e djathtë të lumit”, tregon Randobrava.

Më Shumë

Ramush Haradinaj takon drejtuesit e shoqatave të luftës në Prizren

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, takoi drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta në Prizren. Në prani të deputetëve, drejtuesve të degës së partisë në...

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Lajmet e Fundit