Home Blog Page 6230

Gjykimi i zyrtarëve të Universitetit të Prizrenit nis prej fillimit

0

Gjykimi ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe dy zyrtarëve të lartë Adem Sallauka e Halim Haziraj u kthye nga fillimi për shkak të vonesave në procedura.

Gjykimi ndaj ish rektorit të Universitetit të Prizrenit Mazllum Baraliu dhe dy zyrtarëve të lartë Adem Sallauka e Halim Haziraj u kthye nga fillimi për shkak të vonesave në procedura.

Trupi gjykues vendosi të enjten që ky gjykim të rifillojë për shkak se nga seanca e fundit kanë kaluar më shumë se tre muaj që nuk është mbajtur seancë tjetër.

Një gjë të tillë e kërkon Kodi e Procedurës Penale.

Trupi gjykues i njoftoi palët, se seanca duhet të fillojë prej fillimit, për shkak se ka pasur pengesa në caktimin e seancës që tre muaj

Ish rektori i Universiteti të Prizrenit, Mazllum Baraliu, sekretari i përgjithshëm, Adem Sallauka dhe zyrtari për buxhet e financa, Halim Haziraj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre, ata nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit, Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.

Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.

Prokurori i shtetit Sefer Morina propozoi që pasi që shqyrtimet e kaluara janë mbajtur para të njëjtit trup gjykues, të bëhet vetëm leximi i provave dhe deklaratave të dëshmitarëve dhe ata të mos thirren prapë për t’u dëgjuar.

Me këtë propozim u pajtua edhe mbrojta e të akuzuarve. Trupi gjykues aprovoi propozimin e prokurorit dhe u lexuan deklarata e dëshmitarëve të dhënë në seancat e kaluara.

Në këtë shqyrtim, mbrojtjen e tij e dha i akuzuari Halim Haziraj, i cili tha se nuk kishte pasur autorizim me shkrim për shkëputjen e vendimin të prorektorit Enver Sopjani nga rektori Mazllum Baraliu, por ai ka qenë në dijeni për këtë vendim. Ai tha se vendimin për ndërprerjen e punës e ka bërë në bazë të statutit të universiteti dhe ky vendim, sipas tij, është i drejtë.

Në seancën e ardhshme fjalën mbrojtëse do ta japë i akuzuari Adem Sallauka, ndërsa më pas pritet që të jepet fjala përfuindimtare./kallxo.com/

Konfiskohen armë ilegale në Mamushë dhe Korishë

0

Policia e Prizrenit njofton se në dy raste të ndara në Mamushë dhe në fshatin Korishë kanë konfiskuar disa armë pa leje.

Sipas Policisë rreth orës 10 e 30 minuta në fshatin Korishë në kërkim të armëve ilegale është arritur që të identifikohet i dyshuari B. D, ku ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, me prejardhje, model dhe kalibër te panjohur, me numër serik 0A2399-87 dhe një karikator të pushkës automatike dhe shtatëmbëdhjetë (17) fishekë kalibër i panjohur.

Po sipas Policisë rreth orës 19:30 minuta, në Mamushë në kërkim të armëve ilegale është arritur që të identifikohet i dyshuari H M

Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij është gjetur dhe sekuestruar dy armë (pistoleta) të tipit Ekol special 99 e kalibrit 9mm me numër serik EV 12123982,EKO e kalibrit 6mm me numër serik ET-1081069 dhe 6 fishek te kalibrit 6mm, një karikator i zbrazur dhe një këllëf i pistoletës.

Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. Rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt.

Rrahje për parking në Suharekë

0

Tre persona janë përshirë në një rrahje për mosmarrëveshje rreth një parkingu në Suharekë.

Dy të dyshuarit kanë sulmuar një tjetër, i cili me një brisk ka goditur në krah njërin prej tyre, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori, kurse rasti shkon në procedurë të rregullt.

Vetëvendosje proteston në Prizren: Kërkon lirimin e Astrit Deharit

0

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti një aksion simbolik pranë burgut të  Prizrenit, aty ku padrejtësisht po mbahet tash e 67 ditë Astrit Dehari.

Duke shpalosur parullën “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje  të ndryshme, aktivistët kërkuan lirimin e Astritit nga burgu, sikurse  edhe të Atdheut e Egzonit që vuajnë padrejtësisht burgun në Lipjan e  Pejë. Liri u kërkua edhe të Adeas, Frashërit e Petritit, që po ashtu
padrejtësisht mbahen në arrest shtëpiak.

Në fjalën e tij, anëtari i Kryesisë, Xhelal Sveçla, tha se pushteti  kriminal i klanit “Pronto” me montime e pa asnjë provë të vetme po i  privon nga liria gjashtë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! vetëm pse  janë aktivistë të saj, e rrjedhimisht kundërshtarë të këtij regjimi që  dita ditës po bëhet regjim autoritar.

“Këtu, para meje ndodhet Astrit Dehari, një aktivist shembullor nga një  familje veprimtarësh , një student i shkëlqyer në Fakultetin Mjekësisë,  një shok e familjar i dashur, një shembull për çdo të ri në Kosovë.

Pikërisht për këtë, Astriti mbahet në burg sepse djemtë si Astriti nuk i  duron një pushtet kriminelësh e një pushtet injorantësh”, theksoi
Sveçla.

Më tej, ai shtoi se aktet e tilla të këtij pushteti nuk e zbehin  rezistencën tonë kundër aktivitetit kriminal të këtij klani kriminal,
duke thënë se Astrit Dehari nuk mund të qëndrojë aty ku e ka vendin  klani “Pronto”, aty ku duhet të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa
Mustafa e të tjerë. Si dhe, Sveçla potencoi se mbajtja në burg gjashtë  aktivistëve është shkelje me dy këmbë mbi drejtësinë.

Kurse, Kryetari i Qendrës së Prizrenit, Artan Abrashi, duke bërë thirrje  për lirimin e aktivistit Astrit Dehari, deklaroi se Astriti nuk është
vetëm, por se jemi bashkë e do të vazhdojmë të jemi bashkë në përpjekjen  për të çliruar shtetin nga kapësit dhe për të ndërtuar një shtet të së
drejtës, ku drejtësia nuk është selektive e ku askush nuk është mbi
ligjin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar për të vendosur drejtësinë në  këtë vend. Pa lirinë e Astritit dhe të tjerëve nuk ka drejtësi, dhe  përderisa nuk ka drejtësi, s’mund të ketë as qetësi. Drejtësinë do ta  sjellim duke i vënë para përgjegjësisë ata që i kanë kapur institucionet  e drejtësisë dhe që qëndrojnë non-stop mbi ligjin. Këta njerëz e kanë  vendin në burg, kurse Astriti me shokë në liri. Nuk do t’i ndalim
kërkesat tona të drejta pa vendosjen e drejtësisë së mirëfilltë.

Drejtoria e Arsimit në Dragash, me ushtrues detyre

0

Drejtori aktual i Drejtorisë komunale për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike në Dragash, Tafil Krasniqi, është ngarkuar edhe me një drejtori shtesë. Ai do ta ushtrojë postin e drejtorit të Arsimit, derisa për këtë pozitë të zgjidhet drejtori i ri.

Kjo u bë e ditur nga kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili tha se ky emërim është bërë për shkak të rrethanave të krijuara në këtë drejtori, e që tashmë dihen.

Ndërkaq, vetë drejtori Krasniqi e konfirmoi emërimin e tij në këtë post, duke potencuar se detyrën që i është besuar do ta kryej me nder dhe përgjegjshmëri, derisa të emërohet drejtori i ri.

Kujtojmë se ish-drejtori, Hajri Ramadani, është detyruar nga drejtësia që ta lirojë këtë post, pasi janë konstatuar parregullsi, të cilat, sipas gjykatës, ia ndalojnë ushtrimin e detyrave publike për një kohë të caktuar./Radio Sharri/

Pse Vetëvendosje refuzoi ftesën e Thaçit?

0

Lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar ftesën e presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar për reformën zgjedhore pasi konsiderojnë se vendi ka nevojë që të shkojë në zgjedhje të reja.

“Në Kosovë ka nevojë të pyetet populli për gjithçka që ka ndodh deri tash”, ka thënë Zgjim Hyseni në “Ora e Fundit” në Klan Kosova.

Hyseni ka shtuar se nuk është reforma zgjedhore se pse në vend ka kaq shumë nivel të korrupsionit.

“Kemi pasur manipulime jo për shkak të ligjit të zgjedhjeve por për shkak se janë manipuluar zgjedhjet.”

“Ne vend kemi pas vendime antikombëtare, si ‘Zajednica’ dhe Demarkacioni, kështu zgjedhja më e mirë janë zgjedhjet”, ka pohuar Hyseni.

“Arsyet se pse ka pasur manipulime është të shkelja e ligjit, duhet të bëhet pastrimi i listave zgjedhore.”

Hyseni shton se Thaçi takimin për diskutim të reformës zgjedhore e ka thirrur më shumë për interesat e tij personale.

“Nga i ashtuquajturi president, ky takim është thirrur, jo për problemet e Kosovës, por të tijat personale.”

“Ai është figura më përçarëse në Kosovë nga viti 1999. Ai ka nevojë tash që të rikonfirmohet se kinse po zgjedh probleme brenda vendit. Ai po tenton që edhe dialogu të kalojë në nivel presidentësh”, ka shtuar Hyseni nga Vetëvendosje.

Madje ai ka thënë se presidenti Thaçi është duke u bërë i papërdorshëm edhe për ndërkombëtaret.

“Ai është i zhytur në krim dhe korrupsion dhe kështu mund të përfundojë prapa grilave dhe prandaj ai po thërret kësi takimi”, ka thënë Hyseni, njofton Klan Kosova.

Opozita refuzon ftesën e Thaçit

0

Liderët e subjekteve politike në opozitë kanë refuzuar pjesëmarrjen në një takim pune të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi për të premten në orën 10:00, e në të cilin është planifikuar të diskutohet për reformën zgjedhore.

As kolegët e tyre që drejtojnë partitë në pushtet nuk dihet nëse do të marrin pjesë, shkruan sot Koha Ditore.

Ftesa është përcjellë dy ditë më parë në adresë të partive parlamentare. Ajo është bërë pak ditë pasi pasuesi i Thaçit në krye të PDK-së, Kadri Veseli, ka lansuar idenë për zgjedhje të parakohshme.

Kundër tyre publikisht është deklaruar vetëm kryeministri Isa Mustafa, i cili bashkëqeveris me PDK-në.

Dje jo, por sot PO

0

Arbër A. Rexhaj

(Në përkujtim të publicistit Adnan Abrashi)

Dje nuk desha të thoja asnjë fjalë të vetme, por sot patjetër që po. Këto do t’i them për herë të parë, edhe pse krejt subjektive, e personale. Ndokujt do t’i lë përshypje, ndokujt do t’i duket e zakonshme, por në fakt vdekja e tij e papritur për ne që e njihnim ishte e jashtëzakonshme, sepse prisnim që edhe më tutje ta kishim bacën Adnan me punën dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme.

Krejt ndodhi papritur. Në shtabin zgjedhor komisionerët raprtonin për rezultatet zgjedhore. Kur kthej kokën dy djemtë e tij nuk ishin aty. E kuptova se c’kishte ndodhur. Baca Adnan kishte pasur edhe një problem të njejtë muaj më pare, para se të ndërronte jetë. Por prita. Dola në oborrin e gjërë të shtabit tonë zgjedhor, pas meje me lot në sy mu afrua një kandidate për asamble, Alisa, e cila qante. Qarja e saj ishte e thëllë, dëneste dhe me zë nxirrte dhembjen. Nuk u durova, dhe thirra mikun tim më të mirë. Na la, më tha. Nuk munda t’ia ktheja asnjë fjalë të vetme. M’u duk se një ‘tull’ e rëndë më ra në kokë.

Hyra në shtab dhe i pash fytyrat e vërenjtura të gjithë aktivistëve, asnjëri nuk fliste, disa qanin, disa ishin skuqur, disa heshtnin por asnjëri nuk lëvizste. Nuk ju thash asgjë. Sigurisht që doja, por nuk dija cfarë t’u thosha, por edhe nëse do të dija, nuk kisha asnjë pikë të forcës. Hipa në veturë dhe u nisa drejtë e në shtëpinë e bacës Adnan. Në vendin kur duhej të kthehesha, pash veturën e spitalit tek sillte trupin e tij. U ndala, e ktheva rrugën dhe nuk shkova aty. Nuk munda!
Më parafytyrohej dhembja që ndienin familjarët për të, nuk mund ta paramendoja mikun tim me dhembjen e babës, të cilin e kisha përjetuar vetë si fëmijë. Ika, nuk më kujtohet nëse kisha mundur të bëj një sy gjymë atë natë…

Një njeri të urtë, dhe njëkohesisht shumë aktiv në jetën shoqërore e politike, e kishte kapur vdekja, rëndom vdekja do të na kap të gjithëve, por ai kishte ende për të dhënë e për të thënë!

Sa herë që jam takuar me të, në duar kishte libra, dhe gazetat kryesore të vendit. Dhe si zakonisht një shkrim të tij publicistik të botuar në ndonjërën prej tyre. Muhabeti ynë i përbashkët ishin shkrimtarët; Henri Miller, Herman Hesse, Albert Kamy, Ernest Heminguejdhe shkrimtar të tjerë egzistecialist. Por pikëtakimi ynë ishte “Siddharta” e Herman Hesses.

Atij i pëlqente kjo novelë apo roman, e cila ishte e diskutueshme nga kritikët letrar. Ndërsa unë kisha diplomuar me këtë vepër. Baca Adnan njejtë sikurse Siddharta e kishte mësuar gjuhën e detit, mimikën e njerëzve, maskat e tyre, gjuhën e pafolur të tyre. Shkurt e kishte njohur llojin, racën! Ai e njihte jetën në krejt dimesionet shpirtërore, njejtë sikur Siddharta, prandaj më sfidonte më personazhin e tij. Siddharta më në fund kishte ikur në qetësinë e tij, baca Adnan në paqen e tij. Ndërsa ne në jetën tonë, në luftën tonë…

 

UÇK-në duhet ta mbrojnë ata që s’kanë qenë pjesë e UÇK-së

0

Ahmet Jashari

Kosova nuk mund të mbahet as si shtet në vete, as bashkë me Shqipërinë, nëse shkatërrohet bazamenti i lirisë së saj. Nuk mund të ndërtohet e ardhmja duke rrënuar të kaluarën.

Kjo praktikë e ka ndjekur popullin shqiptar pothuajse gjatë gjithë historisë, prandaj aq shpesh i është përsëritur historia.

Ofensiva që ka nisur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në këtë kohë paqeje është shumë më e rrezikshme sesa ofensivat që kishte përballuar në kohën e luftës. Kjo është ofensivë kundër lirisë së Kosovës, kundër atyre që kanë luftuar dhe kundër atyre që nuk kanë luftuar.

Kjo është ofensive kundër të ardhmes së Kosovës. Prandaj UÇK-ja duhet të mbrohet prej të gjithëve dhe më së shumti prej atyre që nuk kanë qenë pjesë e saj.

Ky është momenti i madh për ne që s’kemi luftuar.

Ndryshe ajo s’ka prej kujt të mbrohet tjetër. Heronjtë e saj na kanë mbrojtur në kohë lufte, ndërsa ne duhet t’i mbrojmë në kohë paqeje. Në kohën e luftës tentohej të zhbëhej fizikisht, ndërsa tash qëllimi është të zhbëhet psikikisht, të mos ekzistojë as si kujtesë, apo të paktën të kujtohet si diçka e keqe, kriminale, etj.

Tash nëse nuk e mbrojmë ne, kush do ta mbrojë atë? Të rënët nuk ngrihen edhe një herë, prej të shpëtuarve disa janë duke luftuar për ekzistencë, disa të tjerë nëpër burgje, disa të tjerë të korruptuar e disa të tjerë të akomoduar. Kushdo qoftë prej këtyre grupeve nuk ka përgjegjësi më të madhe për ta ruajtur UÇK-në sesa ne që s’kemi qenë në UÇK. Nëse atyre nuk u duhet, na duhet neve.

Instrumentet tashmë nuk janë në dorën e ushtarëve, ata e kanë kryer të veten në kohën e luftës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të mbrohet jo për hatër të së shkuarës, por për hatër të së ardhmes. Ajo duhet të ndahet nga partitë politike, duhet të ndahet nga rajonet, duhet të ndahet nga emrat e përveçëm. Është e popullit shqiptar qoftë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe kudo në botë.

Kujt i duhet dhe kujt i shërben shkatërrimi i UÇK-së? Gjatë luftës ka qenë e qartë se ka qenë Serbia ajo që ka dashur ta shkatërrojë, po tash!? Për shkak të disa çlirimtarëve të korruptuar nuk mund të pranohet lufta e udbashëve të rehabilituar.

Hoxhaj: Jemi të shqetësuar nga afrimi i Tiranës me Beogradin

0

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se është i shqetësuar me afrimin e Tiranës zyrtare me Beogradin.

“Jemi të shqetësuar për shpejtësinë e afrimitetit të Tiranës dhe Beogradit. Serbia duhet të kërkojë falje dhe pajtim me Kosovën dhe Tirana nuk duhet të vrapojë drejt takimeve në Beograd pa i dakorduar agjendat me Kosovën. Takimi fundit i Kryeministrit Edi Rama ishte i tillë”, ka thënë Hoxhaj në Top Channel.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, këtu vetëm Kosova është aktor politik, ndërsa Shqipëria besoj se e ka pasur të qartë historikisht këtë proces dhe besoj se edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global sikurse SHBA-të apo BE-ja. Prandaj, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ne natyrisht që kërkojmë mbështetjen amerikane dhe atë europiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Çdo bashkëpunim që mund të ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ka deklaruar Hoxhaj kohë më parë për televizionin ART në Maqedoni. Ai thotë se i qëndron deklaratës së bërë, megjithëse shton se është “keqinterpretuar në Prishtinë dhe Tiranë”.

“Kam thënë që raportet tona janë aq komplekse saqë vetëm SHBA dhe BE kanë instrumente që ta kushtëzojnë Serbinë deri në njohjen e ndërsjellët. E kam përshëndetur bashkëpunimin Shqipëri-Serbi, por qëndrimi im ka qenë që të tregojë që SHBA dhe BE janë kushtëzues të Serbisë. Ky është një realitet gjeopolitik në raport me shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Hoxhaj thotë se shqetësimi kryesor i diplomacisë së Kosovës është fakti sesi mund të lexohet në Beograd afrimi kaq i shpejtë i Shqipërisë me Serbinë, nisur edhe nga fakti që qeveria e Serbisë bëri publik planin e ri që flet për dialog shqiptaro-serb, duke mos përmendur Kosovën.

Ministri shtoi se Shqipëria ka dhënë dhe po jep një ndihmë të vyer për Kosovën dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në të shkëlqyera.