Home Blog Page 6233

Konica në “New York Times”: Ju rrëfej Ilirinë dhe krimet e grekëve ndaj çamëve

0

Kur shpërtheu lufta italo-greke, Faik Konica në një artikull të gjatë në gazetën më të madhe amerikane, “New York Times”, me titull “Ju rrëfej grekët”, ku kërkonte të njihte amerikanët me historinë e Shqipërisë, veçanërisht të Çamërisë dhe krimet që kishin kryer grekët ndaj çamëve.

Prej disa kohësh, ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, gjë që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen së Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekëve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse, a nuk ka thënë, njëherë, një autor anglez se një nga karakteristikat e shqiptarëve është se ata janë të “paartikuluar”? Kërkesave të përsëritura unë u jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë.

Ata e dinë që unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke, që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim; kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme. Ata mendojnë se askush tjetër, më mirë se unë, nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se, si drejtues i rinisë, unë njëherë e një kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj, ndonëse me lëkundje, vendosa ta thyej heshtjen dhe t’i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.

(I)

Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekët kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë “kontinent”; në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël, përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën “kontinenti”, me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon, gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk, përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.

Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha dhe kombësia, por kufijtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Jonianë kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm, që e njohin mirë studiuesit, “Fjalori i antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Kërkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull “në zanafillë banohej nga ilirët”. Kurse ata, që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin “Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë”, do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar; deri edhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit, Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Pak nga pak, depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.

(II)

Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtrembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak! Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë Perandorake Bizantine, me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojërat e tyre të parapëlqyera ishte t’u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t’i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë, nën flamurin e armëpushimit, i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerra nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.

Siç e thotë historiani, ambicia e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi, thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë “të zbrazte” Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht, zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse “të drejta” të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në formën më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380, dhe në pak vite më parë.

Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila, ndërkaq, ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t’u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikëqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greqisht. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë, me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Ëian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe, sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Ëien. Në traktatin e Ajzenburgut, të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.

(III)

Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.

Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.

Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.

(IV)

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.

Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.

Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?

Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë.

E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.

Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

(Faik Konica, “Ju rrëfej grekët”, botuar në “New York Times”, më 1940) /Tirana Observer/

100 euro të falsifikuara në Prizren

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se një punëtore e një banke në Prizren ka raportuar se ka pranuar një kartëmonedhë prej 100 eurosh që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Bëhet e ditur se personi që i dorëzoi kartëmonedhën e falsifikuar ishte mashkull.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më 31 tetor dhe policia është duke hetuar rastin.

19 mijë euro për gërmime arkeologjike në Kalanë e Kabashit

0

19 mijë euro për gërmime arkeologjike në Kalanë e Kabashit

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që te ndajë 19 mijë euro për gërmime arkeologjike në Kalanë e Kabashit.

Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha tha se ky vendim është marrë pas kërkesës së Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik.
“Gjithashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe propozimi i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, për implementimin e memorandumit të nënshkruar me një shoqatë të komuniteteve RAE në shumë prej 15 mijë eurove, përmes së cilit projekt synohet socializmi dhe integrimi i këtyre komuniteteve në jetën shoqërore në Prizren”, tha Berisha/TVPZ/

Aktakuzë ndaj policit nga Prizreni për marrje të ryshfetit

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E. K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale, marrja e ryshfetit.

Sipas aktakuzës në rast kanë qenë të përfshirë E.K dhe Z.A, që të dy zyrtarë të Policisë së Kosovës. Ndërkaq, pas përfundimit të hetimeve për të pandehurin E.K., Prokuroria ka ngritur aktakuzë, e për të pandehurin Z.A., janë pushuar hetimet, në mungesë të provave.

“I pandehuri E. K., më 2 gusht 2016, në pikën e kontrollit në autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të Prizrenit në cilësi të personit zyrtar ka kërkuar dhe pranuar përfitim për vete në mënyrë që të veprojnë në kundërshtim me detyrën zyrtare, me çka ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 2 të KP-së”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Rrahje e pamëshirshme mes disa të rinjve në Malishevë

0

Një rast i dhunës është shënuar sot në Malishevë, kur disa të rinj kanë rrahur një bashkëmoshatar të tyre.
Në pamjet që janë xhiruar nga dëshmitarët që kanë parë nga afër gjithë ngjarjen, e të cilat fillimisht i ka publikuar Malishevapress, shihet dhuna e shfrenuar ndaj të miturit.

Madje, ata që godasin nuk kthehen për të parë pasojat, që kanë mundur të jenë fatale.

Djaloshi që ka mbetur pa ndjenja është dërguar për hospitalizim nga të pranishmit aty.

Policia nuk ka folur për detajet e këtij rasti.

Në Grazhdanik i ndërtojnë shtëpitë e reja për t’ua vënë drynin

0

Fshati Grazhdanik thuhet se është fshati më i bukur në gjithë rrethin e Prizrenit. Gjatë kohës osmane aty kishin bërë ofiqet e tyre bejlerët dhe fusha ishte pjellore, për të mbajtur shumë bagëti. Aty për bagëti bëheshim shumë grazhde, prandaj e ka marrë edhe emrin Grazhdanik. Fshati Grazhdanik shquhet për fushat e gjera dhe të bereqetshme, por njëkohësisht fshati ruan shumë histori, pasi është një prej vendbanimeve të lashta të kësaj zone. Prandaj, në këtë fshat dikur kishin krijuar ofiqet e tyre bejlerët e Prizrenit. Për shkak të kushteve shumë të mira, ujërave të bollshme, kullosave të shumta, pastaj për shkak të fushave pjellore, kjo tokë ndikoi edhe në ardhjen e të tjerëve.

Tokë bukanike Banorët kanë edhe versionin e tyre për historinë e fshatit. Sipas tyre, para disa shekujsh, thuhet se aty erdhi e u ngul me familje në këtë fshat Nue Doda nga Mirëdita. “Prandaj, që nga ajo kohë, e edhe tani ky fshat mbeti me shumicë të banorëve të besimit katolik”, tregon kryetari i këtij fshati, Asllan Fanaj. Se kjo tokë është tokë e bereqetshme, tregon edhe Fanaj. “Kjo tokë bukanike, edhe neve si familje na ka sjellë të jetojmë këtu nga Vërmica”, thotë Fanaj. Toka është e bereqetshme këtu, edhe për faktin se ka tre lumenj me ujë të pastër si kristali, dhe fushat pjellore që e bëjnë jetën më të lehtë për banorët. Por, përkundër kësaj, rrethanat e krijuara pas luftës së fundit kanë bërë që shumë prej familjeve të fshatit ta braktisin punën e fushës dhe të nisen në kërkim të një pune dhe jete më të mirë jashtë fshatit. Llogaritet se fshati ka 57 familje, por një pjesë e tyre tashmë kanë shkuar jashtë vendit. “Këtu kanë ndërtuar shtëpi të bukura, por janë 60 për qind e këtyre shtëpive që tashmë rrinë nën dry”, tregon kryetari Fanaj, duke shtuar se kjo është e dhembshme. “Sigurisht jeta jashtë Kosovës, ata i ka bërë më të pasur. Edhe pse vijnë dhe investojnë në fshat, fshati nuk e ka gjallërinë e dikurshme”, thotë Fanaj.

Vendbanimi i hershëm Nga ana tjetër, faktet flasin se ky ishte një vendbanim qysh në periudhën romake. Në fshat ndodhet edhe kisha e Shën Florit dhe Shën Laurit. Lidhur me këtë, Frrok Kristaj pohon se në fshat gjenden gjurmë të krishterimit të hershëm. “Sipas burimeve kishtare, në kohën e perandorit romak Hadrianit, të Dioklecianit e shumë të tjerëve, për shkak të përhapjes së krishterimit në trojet iliro-dardane, u persekutuan mizorisht Prokuli dhe Maksimi. Këta ishin mësuesit e martirëve dardanë të krishterimit – Shën Florit dhe Shën Laurit, që të dy nga Ulpiana. Këta martirë dardanë njiheshin si gurskalitës e gurgdhendës, skulptorë të njohur të kohës, festa e të cilëve kremtohet më 18 gusht në Grazhdanik të Prizrenit, e të cilët për shkak të dashurisë dhe të shërbimit të tyre ndaj krishterimit pësuan fatin e kobshëm të mësuesve të tyre (të Maksimit e Prokulit)”, thotë Kristaj.

Aty ku lindi Anton Pashku Edhe pse shumëçka ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, fshati ende ruan idilin e natyrës së bukur dhe banorëve të dhënë pas kësaj natyre. Edi Morina, edhe pse një djalosh i ri, ka vendosur t’i përkushtohet jetës së fshatit dhe atje është duke mbajtur disa krerë bagëti. Ai tregon se nëse punon, edhe në fshat mund të jetohet mirë. Sipas tij, pos që është tokë bujqësore, Grazhdaniku i plotë- son shumë kushte për të rritur bagëti. Por, kryetari Asllan Fanaj shprehet se ky nuk është vetëm një fshat i fermerëve, por edhe një fshat që nxori shumë intelektualë dhe njerëz të penës. Kështu thuhet se Drane Berisha nga Grazhdaniku ishte ndër mësueset e para të Prizrenit. “Pastaj është një fakt tjetër se këtu ka lindur njeriu i madh i letrave shqipe, Anton Pashku”, thotë me mburrje Fanaj. Ai tregon se Anton Pashku është i lindur në Grazhdanik dhe këtu e ka kaluar fëmijërinë, e pastaj ka jetuar në fshatin Karashëngjergj ku edhe është i varrosur. Historiani Shukri Quni tregon se në këtë fshat dikur moti thuhet se bejlerët kanë pasur shumë ofiqe të tyre. “Bile, sipas disa shënimeve thuhet se në këtë grykë në mes Grazhdanikut dhe Nashecit edhe kryeministri i parë i LSHP-se, Ymer Prizreni të këtë pasur një pasuri të tijën, ku thuhet se këtu ka qëndruar për të pasur ajër të pastër dhe ujë të kulluar”, shprehet ai. Por, edhe ky fshat i bukur ka mungesat e veta. Kështu, nxënësit e këtij fshati mësimi e vijojnë në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Nashec.

(Kosova Sot)

Suhareka kundër kthimit të serbëve në Mushtisht

0

Kuvendi i komunës së Suharekës gjatë ditës së sotme ka nxjerrë një deklaratë ku është shprehur kundër kthimit të serbëve në fshatin Mushtisht pa u plotësuar disa kushte.

Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, Alush Shala në një lidhje direkte në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova ka treguar se deklarata ka qëllim sensibilizues.

“Kjo deklaratë përmban kërkesat e banorëve të cilët i kanë familjarët e zhdukur dhe kanë dalë nga lufta shkatërrimtare me pasoja materiale si dhe pasoja në aspekte të tjera”.

“Qëllimi është sensibilizues si dhe të lëvizin institucionet e drejtësisë për zbardhjen e krimeve, n nëpermes deklaratës kërkojmë të kthehen të zhdukurit dhe të kemi kërkim falje nga ana e Serbisë dhe më pas mund të bisedojmë për kushtet e kthimit”.

Shala ka thënë se banorët e këtij fshati gjithmonë kanë kundërshtuar kthimin e serbëve.

“Kjo është hera e parë që dalim me një deklaratë për sensibilizim të opinionit derisa trazira ka pasur sa herë që serbët kanë tentuar të kthehen në fshat”.

Ai ka thënë se deklarata është si pasojë e mos reagimit të duhur të institucioneve.

“Deri te kjo deklaratë ka ardhur se institucionet qendrore dhe ato të drejtësisë nuk kanë bërë atë që duhet për banorët e fshatit Mushtisht”.

Sipas Shalës, kjo deklaratë ka qenë e harmonizuar me të gjitha grupet politike të Kuvendit Komunal derisa ka shtuar se e njejta pritet t’i adresohet Ministrisë së Kthimit.

Burri e bën për spital gruan në Prizren

0

Një burrë e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij gjatë pasdites së djeshme në Prizren.

Sipas policisë, viktima e këtij rasti ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor.

Rasti në fjalë me urdhër të prokurorit ka shkuar në procedurë të rregullt.

Prizren: Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, S. A., dhe H. Z., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, njofton Klan Kosova.

Sipas aktakuzës, “të pandehurit gjatë periudhës kohore 29 prill 2015 deri tetë maj 2015, në cilësi të personave zyrtarë, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, dhe seriozisht ia kanë shkelur të drejtat personit tjetër”.

Me këto veprime dy të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Berisha: Thaçi është përgjegjës

0

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, mendon se pikërisht është Thaçi personi më përgjegjës për gjendjen kaotike, që e kemi në drejtësi dhe intervenimi me këtë fjalor nga ai në raport me kriterin e BE-së lidhur me liberalizimin e vizave nënkupton se ky person i papërgjegjshëm nuk është i interesuar që Kosova të ketë liberalizim vizash.

“Jorastësisht ne vazhdimisht kemi insistuar në atë se kushti kryesor dhe i domosdoshëm për liberalizim të vizave është dhe duhet të mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Andaj, ky qëndrim i fundit lidhur me çështjen e liberalizimit duke akuzuar BE-në është i papapranueshëm dhe i paqëndrueshëm dhe po besoj se opinioni përmes kësaj e ka kuptuar të vërtetën se personi kyç për mosliberalizim të vizave është vetë Hashim Thaçi, qeverisja e tij e korruptuar dhe bashkëqeverisja e tij me LDK-në, që nuk dallon për nga mënyra e formës së qeverisjes mafioze nga PDK-ja”, ka potencuar për gazetën “Kosova Sot” deputeti Zafir Berisha.