Home Blog Page 6232

Shpërthehet me thikë një i ri në Prizren

0

Një i ri është shpërthyer me thikë në lagjen “Ortokoll” në Prizren. Zëdhënësi i Policisë, Vesel Gashi tha se gjendja e viktimës është e rëndë.

“Sot rreth orës 10.40 në lagjen Ortakoll në afërsi të motel “Fatoni” ka ndodhur një zënkë e rastit në mes të dy të rinjëve. Si pasojë e kësaj është plagosur R. Z i lindur në vitin 1992”, tha Gashi.

“ Ai dyshohet të jetë goditur me mjete të mprehta dhe është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.

“ Policia është duke u marrë me hetimin e rastit ndërsa, D. N është shoqëruar në stacionin policor në Prizren”.

“Gjendja shëndetësore e të riut të lënduar si pasojë e goditjes më thikë është e rëndë”./PrizrenPress.com/

Tubimet e Nismës në Prizren

0

Kryetari i Nismës në Prizren, Zafir Berisha ka njoftuar për tubimet që do t’i mbajë me qytetarë. Ai tha se tubimet mbahen në kuadër të mobilizimit të Nismës. Sipas njoftimit, Nisma në Prizren, gjatë kësaj jave ka planifikuar tetë tubime me qytetarë.

Postimi i plotë i Zafir Berishes në Facebook

Në kuadër të angazhimeve tona për mobilizim, me qëllim që sa më shpejtë me i dhënë fund kapjes së shtetit nga grupet mafioze e parapolitike, ftoheni të merrni pjesë në tubimet me qytetarë, anëtarë, aktivist, simpatizant dhe votues të “NISMA” për Kosoven.
Tubimet e organizuara nga “NISMA” – dega në Prizren, do të mbahen duke filluar më:

Dt. 04. Nëntor. 2016, (e premte), ora 19:00h, në “Jeshkovë”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Nazim Buduri”.

Dt. 04. Nëntor. 2016, (e premte), ora 20:00h, në “Hoqë të Qytetit”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Nazim Buduri”.

Dt. 05. Nëntor. 2016, (e shtunë), ora 19:00h, në “Petrovë”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Lekë Dukagjini”.

Dt. 05. Nëntor. 2016, (e shtunë), ora 20:00h, në lagjen“Kurrilla”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Motrat Qiriazi”.

Dt. 06. Nëntor. 2016, (e diel), ora 19:00h, në “Korishë”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Dëshmoret e Kabashit”.

Dt. 06. Nëntor. 2016, (e diel), ora 20:00h, në lagjet “11 Marsi dhe 2 Korriku”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Lekë Dukagjini”.

Dt. 07. Nëntor. 2016, (e hënë), ora 19:00h, në “Billushë”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Dëshmoret e Vërrinit”.

Dt. 07. Nëntor. 2016, (e hënë), ora 20:00h, në “Poslisht”, takim ky që do të mbahet në shkollën fillore “Hasim Maliqaj”.

Ne po vijmë!
Bashkohu edhe ti…

Vehapi nënshkruan memorandum mirëkuptimi me KFOS-in

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe Luan Shllaku, drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS, ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, Komuna e Rahovecit ka për obligim të siguroj zbatimin e papengueshëm, nga çfarëdo palë tjetër, të aktiviteteve të parapara me projektin EU SIMRAES 2, i cili zbatohet nga partneri SHL “Kosova”, në hapësirat e qendrës mësimore në lagjen e romëve, shkruan GazetaBlic.com

Obligimet nga ana e KFOS-it janë zbatimi i të gjitha aktiviteteve e parapara me projektin EU SIMRAES 2, në bashkëpunim të plotë me Komunën e Rahovecit dhe do të sigurojë bashkëpunim të gjerë me donatorët dhe organizatat tjera joqeveritare, të cilat zbatojnë në të njëjtat lokacione, duke krijuar sinergji në mes të projekti EU SIMRAES 2 dhe projekteve tjera që zbatohen në ato lokacione, transparencë të aktiviteteve dhe buxhetit të vet në dispozicion.

“Memorandumi ka për qëllim, të arrij mirëkuptim të gjerë e të përbashkët për përkrahjen të cilën palët do ta japin për aktivitetet e projektit EU SIMRAES2, në fushën e arsimit në qendrën mësimore në lagjen e romëve dhe në shkollë”, thuhet në një njoftim për media./PrizrenPress.com/

Konkurs letrarë me çmimin “Abdullah Thaçi”

0

Biblioteka Ndërkomunale në Prizren, ka shpallur konkurs letrarë me çmimin “Abdullah Thaçi”.

Konkursi është hapur me 1.11.2016 dhe mbyllet me 15.11.2016.

“Ftojmë gjithë krijuesit e trojeve shqiptare që t’i paraqesin punimet e tyre në poezi dhe prozë”,thotë drejtoresha e Bibliotekës Ndërkomunale në Prizren Sahadete Sadikaj.

Fituesi i çmimit “Abdullah Thaçi”, do të shpërblehet me 150 euro, fituesi i parë me 100 euro, i dyti 80 euro dhe i treti 50 euro./PrizrenPress.com/

Narthin asamblistët e Suharekës

0

Asamblistët suharekas u ankuan për kushtet e punës. Ata kërkuan sidomos që t’u sigurohet ngrohje dhe mikrofonë.

Anëtarët e Asamblesë Komunale të Suharekës u ankuan për kushte të papërshtatshme të punës.

Prandaj, nga kryesuesi i Asamblesë ata kërkuan plotësimin e një varg kushtesh. Kushti kryesor ishte që në seancën e radhës të ketë ngrohje.

Shqetësimet dhe kërkesat në emër të kolegëve të tij i bëri Shefket Kolgeci, asamblist nga radhët e LDK-së.

“Në emër të grupit dhe ankesa e të gjithëve është se ambienti nuk është i përshtatshëm, është ftoftë, nuk është shumë ftoftë, por i papërshtatshëm. Sot kërkojmë që në mbledhjen e ardhshme të sigurohet ngrohja. Njëherit kërkojmë edhe një gardërobë, sepse nuk po kemi ku t’i vendosim palltot. Gjithashtu kërkojmë edhe mikrofona, ose një, ose për secilin ulëse”, tha Kolgeci.

Në mbledhjen e së hënës në rend dite ishin disa pika. Ajo që nxiti debat ishte këmbimi i pronës private me pronë publike të një qytetari, i cili kishte dhënë pronën e tij për zgjerimin e rrugës.

Disa asamblistë u ankuan për vlerësim jo të mirë të Komunës karshi qytetarit e disa të tjerë ishin kundër procedurës se si ishte shpronësuar kjo rrugë.

Kur erdhi pika e rendit të ditës për pyetje të ndryshme, grupi i asamblistëve të PDK-së e lëshoi mbledhjen për shkak të mungesës së kryetarit të Komunës dhe drejtorëve të drejtorive.

Alush Shala, shef i grupit të asamblistëve, tha se nëse prapë mungojnë kryetari dhe drejtorët nuk do të marrin pjese më në Asamble.

Veprimin e udhëheqësve të Komunës Shala e quajti mungesë përgjegjësie.

Gjatë kësaj mbledhjeje, betimin e dha asamblistja e re nga radhët e AAK-së, Vlora Elshani-Neziri, e cila e zëvendësoi Albana Ndrecajn, e cila kishte dhënë dorëheqje.

Në kohën e pyetjeve të ndryshme, Leonard Shala nga LVV u interesua rreth dështimit të një investimi nga një biznesmen gjerman, i cili kishte ikur nga Suhareka në mungesë të pronës./kallxo.com/

Bajram Rexhepi ia refuzon PDK-së postin e deputetit

0

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka refuzuar postin e deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar vetë Rexhepi.

“Po e kam refuzuar postin e deputetit, unë jam kthyer në kirurgji tash dhe kush është pas meje në listë le të vazhdojë”, ka thënë shkurt Rexhepi.

Bajram Rexhepi para disa muajsh ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryetarit aktual të PDK-së, Kadri Veseli./Telegrafi/

Isni Kilaj e sulmon shefin e tij, Avdullah Hotin

0

Zëvendësministri i Financave nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj ka drejtuar akuza të shumta ndaj shefit të tij, Avdullah Hotit. Ai në intervistën dhënë për “Ora e Fundit” në Klan Kosova ka theksuar se Avdullah Hoti e ka planifikuar buxhetin pa e pyetur fare PDK-në.

“Avdullah Hoti as që ka dashur të dëgjoj për këshillat tona dhe e ka propozuar këtë buxhet”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Madje, Kilaj e ka akuzuar ministrin Hoti edhe për spastrimin e kësaj ministrie nga njerëzit profesionist dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të LDK-së.

Kilaj ka theksuar se PDK nuk do ta votoj buxhetin pa disa ndryshime./ Gazeta Blic

Arrestimet rrezikojnë të arriturat e dialogut

0

Shteti serb po vazhdon t’i arrestojë qytetarët shqiptarë nga Kosova me akuzën për “Krime lufte”.

Pas arrestimit të kolonelit të Policisë Nehat Thaçit, ai që ka rënë në duar të policisë dhe të gjyqësisë serbe është Hilmi Kelmendi, i cili apriori është dënuar me 30 ditë paraburgim.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) deklarojnë se kanë dërguar në Serbi një notë formale ku kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kelmendit.

Kurse në lidhje me arrestimin e fundit ka reaguar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka kërkuar nga ndërkombëtarët të ndërmjetësojnë në këtë çështje.

Pavarësisht arrestimeve që po bëhen në Serbi, ministrja Edita Tahiri thotë se kosovarët mund të lëvizin në Serbi pa ndonjë frikë, ndërsa MPJ-ja ka bërë apel tek qytetarët t’i shmangin udhëtimet në shtetin fqinj.

Derisa Qeveria është e pakoordinuar në qëndrimet e saj, opozita e ka vlerësuar si të dështuar dialogun me Serbinë. Kurse analistët konsiderojnë se arrestimet e fundit janë vepër e Qeverisë së dështuar të Kosovës.

Bashmir Xhemaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se arrestimet nga ana e Serbisë po rrezikojnë të arriturat pesëvjeçare mes dy shteteve.

“Kjo situatë po rrezikon gjithë ato që janë arritur gjatë pesë vjetëve, sa edhe po zgjat procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, rrjedha e procesit dhe menaxhimi i tij na kthen, pavarësisht vullnetit tonë, në kohë të cilat jemi të bindur se nuk do të përsëriten, por i japin një shije të hidhur përpjekjeve për normalizim dhe krijojnë dyshime serioze për ekzistencën e motiveve politike në këtë rast”, ka deklaruar Xhemaj.

Po ashtu MPJ-ja i ka dërguar një notë formale Serbisë përmes së cilës ka kërkuar lirimin e Kelmendit.

Kadri Veseli po tallet me politizimin

0

Më në fund edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u detyrua ta pranojë publikisht faktin se për një kohë të gjatë Kosova po kritikohet për politizimin e institucioneve të pavarura, për nepotizmin dhe klientelizmin e madh të instaluar nga politika, të shfaqura në nivele të ndryshme, e që kanë dëmtuar reputacionin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Ai është detyruar të pranojë faktin se korrupsioni është ngushtësisht i lidhur me këto fenomene që janë edhe pengesa shumë serioze në konsolidimin e sistemit demokratik dhe ecjen përpara të vendit tonë në rrugën e integrimeve dhe është zotuar e “betuar” për luftimin e tyre në të ardhmen e afërt, me qëllim të përshpejtimit të proceseve integrues e të Kosovës në BE. Sidoqoftë, analistët politikë theksojnë se ky zotimi i shefit të tanishëm të PDK-së dhe kryetar i Kuvendit është një hipokrizi e madhe për opinionin, se zotimet e Veselit për luftimin e këtyre fenomeneve nuk mund të jenë më shumë se deklarim fals e mashtrues për qytetarët, ngase pikërisht gjatë dy mandateve të qeverisjes nga ky subjekt politik me vendin dhe institucionet e tij, ka ndodhur kapja “historike” e të gjitha institucioneve të shtetit nga parapolitika mafio-oligarkike dhe nga korrupsioni e krimi i organizuar. Analisti politik, Islam Krasniqi thotë se kryeparlamentari e ka thënë një të vërtetë të madhe, sepse gjithç- ka hapur po bëhet me letra, dhe tani Veseli nuk mund t’i qetë popullit gjithmonë pluhur syve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Askush nuk i beson kryeparlamentarit

Krasniqi nuk beson në zotimin e kryeparlamentarit që këto fenomene të eliminohen, derisa ai edhe vetë është pjesë e atyre të bëmave, kapjes së shtetit që ka ndodhur deri më tash. “Si mund të ngrihet apo të ndërtohet reputacioni i institucioneve dhe besimi i qytetarëve kur korrupsioni dhe krimi i organizuar është prezent në to, kur këto dukuri negative janë pengesa shumë serioze në konsolidimin e sistemit demokratik dhe rrugëtimin tonë në rrugën e integrimeve. Po edhe sikur të ishte e vërtetë deklarata e kryetarit të PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të jetë shumë problem të luftohen këto dukuri, sepse edhe fëmijët në çerdhe tani po politizohen, dhe Veseli nuk mundet të luftojë kundër vetes, kur nga partia e tij ngrihet, drejtohet gishti më së shumti. Sidoqoftë, tash veç ka filluar një fushat parazgjedhore akoma jo zyrtare, sepse ka filluar të flitet për zgjedhje edhe brenda koalicionit, i cili është koalicion i dhunshëm, i cili kur zotohet se punon për mirëqenien e qytetarëve, është vetëm sikur të nisesh e të prashitësh në ujë”, tha Islam Krasniqi. Po aq mashtrues e sheh këtë zotim të Veselit edhe analisti Arsim Haziri.

“Kur potencohet fakti se Kosova është rast”sui generis”,ndoshta me vështirësi pranohet. Kadri Veseli qysh prej kur është instaluar në institucionin më të lartë vazhdimisht është shfaqur me një personalitet më të butë dhe liberal, kinse për një përafrim institucional me qytetarët dhe hallet e tyre, gjë që rrallë ka ndodhur. Kjo mendësi praktike është mendësi e një sofisti, mendësi mashtruese dhe për më keq mendësi që për bazë ka manipulimin e sërishëm të qytetarëve, siç edhe e kanë synim politik. Kryekuvendari, përmes pranimit të fenomeneve negative që janë në masë enorme, s’mund të diferencohet prej atyre që kanë shkaktuar këtë mjerim”, theksoi ai/kOSOVA sOT/

Madia

0

Nga Edison Ypi

Për të mos u shtyrë më thellë në mjegullat e kohës, qëllimi i komunikatorëve të mesjetës, murgjve dhe dervishëve misionarë, nuk ishte përhapja e së vërtetës në kuptimin e sotëm por e dogmave që nuk pranojnë verifikim. Njehsimi i mesazhit me faktet ishte i padëshirueshëm si për dhënësit dhe për marrësit. Megjithatë mes palëve një marrëdhënie ekzistonte. Misionarët arrinin ta komunikonin atë që u interesonte përmes asaj që pritej, dëshirohej, pëlqehej, funksiononte, përmes ëndrrës. Mes qendrës së ngushtë prej nga mesazhet vinin dhe bazës së gjerë që mesazhet i merrte, nuk qarkullonin fakte por ëndrra. Njerëzve të shumtë të bazës së kënaqur me ëndrrën nuk u interesonte të dinin çfarë faktikisht ndodhte në qendrën e ngjeshur të pak krerëve. Po ashtu, qendra e pak barinjve nuk merakosej fort çfarë saktësisht ndodhte në periferinë amorfe. Ishte kohë e artë për protagonistët adhurues të ëndrrës mohues të faktit, poetët, artistët. Ishte fatkeqësi për ithtarët e strukur të pazëshëm të faktit dhe mohues të ëndrrës. Ëndrra, kjo çimento e mirë për të mbajtur të lidhura qendrën me periferinë funksionoi për qindra vite.
Kur nisën shpikjet e mëdha, avulli, hekurudha, korrenti, drita elektrike, telegrami, telefoni, shtypshkronja, gazeta, autor i shumicës së të cilave shpikje qe një adashi im, marrëdhënia thelbësisht ëndërrtare mes qendrës dhe periferisë nisi të ndryshojë. U krijua një gjendje e ndërmjetme; një numër njerëzish nisën të interesoheshin se çfarë faktikisht ndodhte në qendër. Qendra nisi të interesohej për çfarë konkretisht ndodhte në periferi.

Ëndrra zbriti nga piedestali. Piedestali u shemb. Rëndësia e dishepujve të ëndrrës, ra. Rëndësia e adhuronjësve të faktit, u rrit. Për të ruajtur ekuilibrin bazë-qendër dhe që marrëdhënia të vazhdonte të ekzistonte, në kushtet e reja lindi domosdoshmëria e një institucioni, nevoja e përdorimit të një mjeti të ndërmjetëm mes faktit, ëndrrës, dhe adhuruesve përkatës. Lindi Media, gazetat, revistat, radiot, televizionet etj.

Media, po aq sa lumturoi dishepujt e shumëvuajtur të faktit apo të vërtetës, dëshpëroi adhuruesit e ëndrrës. Zhvillimi i teknologjive favorizoi gjendjen e ndërmjetme që u inkurajua si diçka pozitive që duhej pranuar prej të gjithëve, si shtim i shanseve për gjithkënd që deri atëherë kishte për të thënë por pengohej, kishte diçka për të bërë por nuk i mundësohej, shkurt si shtim i Lirisë. Media ishte dhe është një Liri, që si me gjithçka tjetër edhe abuzohet. Media u përdor edhe për manipulim. Aq sa tashmë shumica e protagonistëve të saj nuk janë njerëz qëllimmirë por mbijetues përmes manipulimit.

Me shpikjen e Internetit, u shfaq një tendencë e re, një fazë e tretë, si gjithë dukuritë bashkëkohore, në dukje më e thjeshtë, në thelb më e ndërlikuar se dy fazat e para.

Preokupimet që po shfaqen lidhur me fatin e Medias në formën e ankesave të tipit “audienca është bërë e cekët”, “njerëzit i janë larguar leximit”, “interesimet kulturore artistike po degradojnë”, nuk kanë bazë, janë klithma të mbijetuesve përmes mediave, dëngla të të patalentuarve që Median e përdorin në interes të vetes. Ajo që pas pak pritet të ndodhë është fantastike. Duke u informuar në çdo çast dhe për gjithçka jo vetëm nga celulari që e mban gjithë kohës me vete, por edhe nga shtypja e një butoni me të cilin së shpejti do pajisen soba, lavatriçja, tenxherja e groshëve, do bëhet e mundur përmbysja e tablosë së hershme me murgj dhe dervishë me zero fakte dhe vetëm ëndrra, për të kaluar shumë shpejt në vetëm fakte dhe zero ëndrra me protagonistë secilin prej të gjithë banorëve të planetit.

Shteti islamik, disa pranvera demokratike arabe të dështuara, atentatet terroriste, zhvendosjet migratore, e deri te haberet për nisjen e luftës së tretë, nuk të lënë të dyshosh se me botën dhe qytetërimin diçka ka ndodhur.
Po, diçka ka ndodhur.

Media e ndotur ka lindur Madian hëpërhë të pastër.

Nëse në kohën e murgjve dhe dervishëve njerëzit jetonin të mbështjellë me ëndrra të bukura, tash e tutje njeriu do jetojë i mbështjellë me lajme të sigurta të verifikuara nga shumë burime.
Dashuria e njerëzimit me ëndrrën mbaroi. Nuk ka më ëndrra, ka fakte. Në të ardhmen e afërt do jetë po aq e pakuptimtë ta dyshosh lajmin sa edhe para qindra vitesh ëndrrën.

Injoranti, shpifaraku, budallai, hajvani i sotëm me maus në dorë, nuk është problem. Do lodhet. Do dali ndonjë hundëlesh t’i fusë një grusht. Do t’i ngulet diku ndonjë hu. Do përfundojë në çmendinë ose në burg. “Një mesjetë tjetër duket në horizont”, “teksti vdiq, mesazhet do përcillen vetëm me video” dhe të tjera marrina, janë grahmat e fundit të manipulatorëve të cilët do vazhdojnë të na pengojnë derisa të arrijmë ku kemi qenë. Por në një nivel shumë më të lartë. Te një mënyrë thelbësisht e re komunikimi. Tek Madia, që si e thotë vetë emri “mad”, protagonistë të krisur të saj do jenë ata të cilëve bota u përket; murgjit dhe dervishët e paepur, idealistët e përkushtuar, autorët e talentuar, fictionarët e fandaksur, artistët shpirtmëdhenj e zemërzjarrtë.