33.4 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025
Home Blog Page 6270

Qosja: Si po degradon PDK-ja

0

Akademik Rexhep Qosja flet sot për zgjedhjen e Thaçit President, për PDK’në, për profilin e Isa Mustafës, vrasjen e Rexhep Lucit e Dino Asanajt etj.

Njoftimi i Qosjes në Facebook

Të nderuar miq, më ndiqni sot, e hënë, më datë 7 mars 2016, në një bisedë me gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Dritare, Vizion Plus, ora 20:45, ku ndër të tjera do të diskutohet:

• Bashkimi i dy të ndarave! A është koalicioni PDK-LDK shkaktare e krizës institucionale në Kosovë?
• Situata në të cilën u zgjodh presidenti i Kosovës. A është zgjedhje legjitime?
-Gjendje e jashtëzakonshme
-Shtetërrethim
-Opozitë e përjashtuar me dhunë nga Kuvendi.
• Çka i duhen Kosovës ata deputetë të cilët aq lehtë e shesin interesin e Kosovës.
• Pozita e serbëve të Kosovës është forcuar shumë gjatë kësaj qeverisjeje.
• Sa janë të dëmshme për Kosovën dy marrëveshjet e kontestuara.
• Kuvendi i Kosovës – i delegjitimuar dhe i margjinalizuar.
• Forcimi i ndikimit të mediave dhe i shoqërisë civile, strategji për krijimin e shtyllës së IV, dhe si po i përndjekë qeveria kundërshtarët përmes tyre.
• Koha e intelektualëve të fundit dhe shpërfillja e tyre nga mendjet e frikësuara të pushtetit.
• Mbi servilët dhe poltronët në politikë.
• Privatizimi i dyfishtë
• Kush e vrau Rexhep Lucin
• Pse u (vetë)vra Dino Hasanaj
• Deklaratat staliniste të prokurorëve të Kosovës
• A mund të njëjtësohet dhuna e individit (deputetit) me dhunën e pushtetit (Parlamentit)
• Roli i SHBA-ve në KS dhe koncepti anakronik i qeverisjes së pushtetarëve
• Profili i Isa Mustafës
• Kosova në terror psikologjik
• Si po degradon PDK-ja
• Gjykata speciale – kundërkushtetutare dhe shumë e dëmshme për historinë dhe të tashmen e Kosovës
• Lulëzimi i korrupsionit në Kosovë dhe EULEX-i
• Rëndësia e reformave ne drejtësinë e shtetit shqiptar dhe rezistenca e PD-së sepse po cenohen interesat e disa individëve brendapartiak
• Simpatia ime për amabsadorin Donald Lu
• Pse dhe si do të duhej të merrte fund kriza institucionale në Kosovë
• Figura e Adem Demaçit në 80 vjetorin e tij dhe kush po e shfrytëzon figurën e Demaçit për poena politik.

Rektori i UPZ-së uron Ditën e Mësuesit

0

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, të gjithë mësimdhënësve të UPZ-së dhe arsimtarëve në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë dhe anembanë trojeve shqiptare ua uron Ditën e Mësuesit “7 Marsin”.

“Me këtë rast shprehim mirënjohjen për punën e madhe dhe sakrificën që mësuesit kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë në arsimimin e gjeneratave”.

“Kjo është një ditë e shënuar dhe më e ndritshme e popullit shqiptar që shënon kthesën e madhe”.

“Neve na mbetet që të jetësojmë porosinë e atyre që ngritën dhe mbajten gjalle shkollën shqipe ne etapa te ndryshme historike te veshtira per popullin tone, të punojmë në edukimin e shendoshe te gjeneratave të reja ne menyre qe te ndertojme nje shtet te shendoshe”, thuhet në urimin e rektorit Vataj. /PrizrenPress.com/

Ja ku gjendet tuneli i seksit

0

Vijimi i hetimeve për rastin e Bulqizës në Shqipëri, ku 30-vjeçari Havalja kreu marrëdhënie seksuale me 13-vjeçaren Doga, i ka befasuar efektivët.

Teksa hynë në Tunelin e Qafë-Buallit për të vijuar hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ata gjetën një tjetër çift që kryenin marrëdhënie seksuale.

Çifti që policia nuk e ka njohur, ashtu gjysmë të zhveshur, ia kanë mbathur me vrap, duke dalë nga tuneli dhe duke u ngjitur në pyll, shkruan “Panorama”.

Ky tunel, thanë qytetarë të Bulqizës, është ndërtuar muaj më parë në shërbim të Rrugës së Arbërit.

“Ai nuk është vënë në funksion dhe tani shërben për çiftet që hyjnë aty për të kryer marrëdhënie seksuale, në mënyrë të fshehtë. Ky tunel duhet të ketë roje ose duhet të bllokohet deri kur të vihet në punë”.

SBASHK: Gëzuar 7 Marsin- festën e madhe të mësuesit

0

Sindikata e Bashkuara e Arsimit të Kosovës ka uruar mësimdhënësit e punëtorët e tjerë të arsimit  në me rastin e shënimit të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Shprehim edhe sot respektin për gjithë të punësuarit në arsim që u pensionuan gjatë viteve dhe i falënderojmë për punën dhe përkushtimin  në misionin  e tyre të shenjtë për edukimin e drejtë të brezave”.

“Ju premtojmë se SBASHK-u do të vazhdojë me angazhimet për të qenë  vazhdimisht në shërbimin tuaj dhe në mbrojtje të kërkesave tuaja të drejta.  Në dialog me institucionet qendrore e lokale të shtetit tonë do të punojmë që t’i zgjedhim mirë e drejtë  të gjitha çështjet e ngritura nga ju.  Të vazhdojmë me unitetin shembullor dhe të jemi sot e gjithmonë bashkë e në SBASHK”.

“Gëzuar, pra  7 Marsin këtë festë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe.   Ju dëshirojmë shëndet të mirë dhe arritje edhe më të mëdha  në shërbim të dijes dhe arsimit në Kosovë”, thuhet në urimin e SBASHK-ut.

Nexhmi Krasniqi dërgohet në Gjakovë

0

Drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, nuk është kthyer në vendin e tij të punës. Ai është dërguar me punë në Gjakovë.

“Më kanë dërguar në Gjakovë”, tregon Krasniqi për PrizrenPress.

Krasniqi pasi ishte suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, javën e kaluar nënshkroi vendimin për kthimin e tij në pozitën e njëjtë të punës.

Ndërkaq, vendimi është ndryshuar pasi që Krasniqi ka dalë në vendin e punës.

“Unë kam nënshkruar dhe jam kthyer në pozitën e njëjtë që e kam pasur para suspendimit, mirëpo pas orarit të punës ka ardhur një vendim tjetër dhe jam transferuar në Gjakovë”, tregon ai.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në shtatorin e vitit të kaluar i kishte rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqit, së bashku me Besim Rexhepin, udhëheqës në sektorin e hetimeve të vrasjeve, nën dyshimin se nga informacionet që posedonte IPK kishte ankesa nga qytetarët ndaj tyre.

Rexhepi ishte kthyer në punë rreth dy muaj më parë, ndërsa javën e kaluar kthimin në punë e nënshkroi edhe drejtori Krasniqi. /PrizrenPress.com/

Fillojnë praktikën 30 studentë të antropologjisë

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot një grup prej 30 studentësh nga Departamentet i Antropologjisë nga Fakultetit i Filozofik i Universitetit të Prishtinës, të cilët nga sot do të fillojnë praktikën 3 deri në 6 mujore në institucionet trashëgimisë kulturore që veprojnë në kuadër të MKRS-së.

Kjo vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit, të cilin MKRS-ja e ka nënshkruar me fakultetin përkatës në vitin e kaluar. Në kuadër të këtij memorandumi, parashihen një sërë aktivitetesh, si trajnime, konferenca, seminare dhe botime që për synim kanë hulumtimin, ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Ministri Shala i përgëzoi studentët dhe iu uroi punë të mbarë, dhe njëkohësisht iu premtoi përkrahjen dhe mbështetjen e institucioneve të kulturës në rrugën e formimit dhe ngritjes së tyre të mëtejme profesionale. Ai po ashtu u shpreh se trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e Kosovës, janë tejet me rëndësi për të ndërtuar Kosovën e së nesërmes dhe në këtë synim, brezi i ri, ka një rol fondamental.

Ministri Shala u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Departamentin e Antropologjisë, si një ndër departamentet e vetme të kësaj fushe në gjuhën shqipe, ku studimet themelore janë studimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës, trashëgiminë kulturore e kanë prioritet të veçantë, ndaj edhe po investohet në shumë aspekte për të gjurmuar, konservuar dhe promovuar, gjithnjë në funksion të ruajtjes edhe të diversitetit kulturor.

Ministri Shala gjithashtu u shpreh se MKRS-ja do të mbështes studentët e Degës së Antropologjisë edhe në të ardhmen, që ata të mos mbesin pa praktikë, dhe njëkohësisht iu premtoi bashkëpunim në krijimin e programeve të reja profesionale në bashkëpunim me institucionet dhe po ashtu në trajnime dhe shkollime nëpër Evropë. /PrizrenPress.com/

Rahoveci shënon 18 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

0

Në 18 vjetorin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, përfaqësues të OVL-UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë, kanë bërë sot homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh.

Homazhe dhe kurora me lule janë vënë tek Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e Rahovecit, Shtatorja e Heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mollabazi-Mici, Pllaka përkujtimore, busti i heroit Mensur Zyberaj dhe Pllaka përkujtimore tek Teqja e Madhe.

Homazhe dhe kurora lulesh janë vënë edhe nëpër varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve nëpër gjithë territorin e komunës së Rahovecit. /PrizrenPress.com/

Vehapi ben homazhe3Vehapi ben homazheVehapi ben homazhe1 Vehapi ben homazhe2

Një muaj paraburgim për hajnat e Zhurit

0

Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurve me iniciale S.G., M.S., D.A. dhe E.S. që të gjithë nga fshati Zhur- Komuna e Prizrenit.

Katër të pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.

“Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 04.03.2016 prej orës 11.00 minuta, dhe do të zgjasë deri me datën 03.04.2016”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 29.02.2016 – 02.03.2016, gjatë orëve të natës, në fshatin Zhur – Komuna e Prizrenit, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, ia marrin pasurinë e të dëmtuarit me inicialët B.G., në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm, orët e vona të natës, dhe mos prezencën e punëtorëve, me përdorimin e forcës, thyejnë derën e depos – garazhdës së të dëmtuarit dhe marrin gjëra të ndryshme me vlerë dhe largohen nga vendi i ngjarjes”, bën të ditur Kicaj. /Prizrenpress.com/

Institucionet po e stimulojnë degradimin e Qendrës Historike të Prizrenit

0

Organizata Jo-qeveritare Emancipimi Civil Ma Ndryshe vlerëson se institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit ende nuk e kanë krijuar një sistem të duhur të koordinimit ndërmjet tyre, ndërkohë që edhe organet e drejtësisë ende nuk po aplikojnë sanksione për shkeljet në këtë zonë të veçantë.

“Monitorimi lidhur me veprimet e zinxhirit institucional, gjatë periudhës korrik-nëntor 2015 ka nxjerrë në pah mungesën e komunikimit të mirëfilltë institucional, gjë që ka pas ndikim negativ në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e degradimit në këtë qendër”, thuhet në komunikatën e EC Ma Ndryshe.

“Të dhënat statistikore të ofruara nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren tregojnë se ky mekanizëm ka evidentuar 5 projekte apo punime të realizuara në këtë zonë pa shqyrtimin e QRTK-së dhe se të njëjtat i ka adresuar te Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit”.

“Ndërsa të dhënat statistikore të ofruara nga Drejtoria e Inspektorateve bëjnë të ditur se vetëm 1 rast ka qenë në procedurë administrative, pasi investitori ka poseduar leje rrënimi, por punimet në ndërtim i ka nisur pa u pajisur me leje ndërtimore. I njëjti sipas DI-së dy herë është gjobitur me gjobë mandatore dhe nuk ka pas vazhdim të punimeve në ndërtim të objektit. DI ka njoftuar se nuk ka pas raste tjera në këtë periudhë në Qendrën Historike”.

“Ndërkohë Prokuroria Themelore e Prizrenit ka theksuar se gjatë kësaj periudhe kohore ka ngritur 2 aktakuza ndaj 2 personave të dyshuar për shkelje ligjore”.

“Ndërkaq të dhënat statistikore për këtë periudhë të ofruara nga Gjykata Themelore e Prizrenit tregojnë se masat sanksionuese janë shqiptuar për parregullsitë urbanistike në 4 raste penale në pjesët tjera të qytetit, ku në mesin e të pandehurve ka edhe zyrtarë komunal që kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, ndërkohë që nuk është raportuar për ndonjë aktgjykim në lidhje me shkeljet në Qendrën Historike të Prizrenit”.

“Fakti që organet e drejtësisë kanë nisur adresimin e parregullsive urbanistike është inkurajues, por ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Në anën tjetër, dallimi në mes të dhënave të raportuara nga QRTK dhe rasteve të evidentuara nga DI është i dukshëm. Dhe ky hendek duhet të ngushtohet në mënyrë që të mbrohet Qendra Historike e Prizrenit nga degradimi i mëtutjeshëm”.

EC Ma Ndryshe përkujton se mbrojtja dhe zhvillimi i Qendrës Historike të Prizrenit është përgjegjësi e ndarë e dy niveleve të qeverisjes dhe e një numri të konsiderueshëm institucionesh. Mungesa e sanksioneve për shkeljet nënkupton paaftësi të institucioneve për të siguruar sundim të ligjit.

“Për këtë arsye, rekomandon koordinim mes institucioneve të shtetit për të vendosur rend urbanistik në Qendrën Historike, por pa anashkaluar edhe pjesët tjera të qytetit”.

“Ky koordinim duhet të zbatohet në disa nivele, përfshi atë brenda komunës së Prizrenit (drejtoritë, Këshilli i Trashëgimisë Kulturore), komuna në raport me QRTK-në dhe ministritë përkatëse (Kulturë, Planifikim Hapësinor, Qeverisje lokale), institucionet e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrja parlamentare në raport me qeverinë dhe komunën”. /PrizrenPress.com/

Gjimnazistët e “Gjon Buzukut” në Prizren me peticion kërkojnë drejtësi për punëtorët e arsimit

0

Nxënës dhe ish – nxënës të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren kanë nisur një peticion për të kërkuar, siç thonë ata drejtësi për punëtorët e arsimit.

Kjo nismë po vjen pas lajmit të publikuar në media rreth mësuesit Shpend Goranci, i cili edhe pse i sëmurë është detyruar të dal në punë.

Duke parë trajtimin e këtij profesori që po i bëjnë institucionet përgjegjëse, nxënësit përmes një njoftimi për media bëjnë me dije për nismën e këtij peticioni, për përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies së gjithë punonjësve në Kosovë.

Lexojeni të plotë njoftimin e dërguar nga nxënësit e kësaj shkolle.

PETICION:

Kërkojmë drejtësi për punëtorët e arsimit!

Ne, nxënës dhe ish-nxënës të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, qytetarë të Prizrenit dhe të Kosovës, jemi thellësisht të brengosur dhe të indinjuar me lajmin e bartur nga Koha.net më 28 shkurt, mbi gjendjen e profesorit të nderuar Shpend Goranci.

Dr.Shpend Gorancin e njohim si një njeri me kulturë të gjerë, sens humori dhe zemërgjerësi të rrallë. Për shumë nga ne, janë edukatorët si ai, që na kanë mbajtur aftësinë për të ëndërruar gjallë, edhe në kushtet më të rënda. Shumë nga ne kanë arritur suksese të mëdha profesionale, në Kosovë dhe më gjerë, falë përkushtimit e punës vetëmohuese si ajo e profesor Shpendit.

Atij sot i mohohet e drejta për kompensim të plotë të pagës – gjatë rehabilitimit mjekësor të nevojshëm në afat më të gjatë kohor, aq se e kërkon gjendja e tij shëndetësore. Në mungese të dispozitave ligjore që do të rregullonin rastet e tilla, ky mësimdhënës është detyruar të punojë me orar të plotë edhe pse gjendet ende në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore.

Profesori thotë që këtë e bën me dëshire dhe kjo është padyshim e vërtetë. Mirëpo, në të vërtetë, ai fare nuk e ka opsionin që të marrë pushimin e nevojshëm dhe të kalojë aq kohë sa i nevojitet për t’u rehabilituar. As Lig ji i Punës (03/L -212) dhe as Kontrata Kolektive e Arsimit Parauniversitar nuk u mundëson mësimdhënësve të shfrytëzojnë më shumë se 20 ditë pushim mjeksor me pagesë. Poashtu, për dallim nga vendet tjera në rajon, Kosova nuk ka ligj që garanton pushimin invalidor me pagesë për mësimdhënës. Ata poashtu nuk kanë sigurim mjekësor – gjë që do të duhej të ishte e garantuar në një sistem shoqëror të drejtë.

Gjendja e rëndë shëndetësore e profesor Gorancit si dhe nevoja për trajtim të vazhdueshëm mjekësor kanë shkaktuar harxhime të mëdha për familjen ( kredi prej €5000, mes tjerash), përveç mundimeve dhe tronditjeve të mëdha të ballafaqimit me një sëmundje të rëndë.

Mjafton vetëm ta përkujtojmë punën vetëmohuese dhe sakrificat e arsimtarëve tanë në kohë të represionit serb. Edhe pse pa kompensim dhe në kushte shumë të rënda, ata e vazhduan punën me përkushtim dhe profesionalizëm. Janë ato gjenerata të shkolluara nga arsimtarë si Shpendi që kanë diplomuar në disa nga qendrat kryesore universitare në botë, dhe janë nxënësit e arsimtarëve si Shpendi që sot janë mjekë, avokatë, ekonomistë, arkitektë, apo artistë të kalibrit më të lartë (Siç është, padyshim, edhe vetë Shpend Goranci).

Heronjtë e Kosovës së pavarur nuk janë vetëm ata që luftuan me pushkë. Janë edhe ata që luftuan me, dhe për dije – punëtorët e arsimit. Tani është koha që ta shpaguajmë borxhin.

Andaj, ne të nënshkruarit, e konsiderojmë këtë rast jo vetëm si një padrejtësi të rënde, por edhe sulm dhe ofendim personal ndaj çdo vlere civilizuese që e gëzojmë falë pedagogëve siç është profesor Shpendi. Kur arsimtarët tanë poshtërohen, poshtërohemi të gjithë ne. Kur atyre iu mohohen të drejtat themelore njerëzore, pësojmë ne dhe pësojnë fëmijët tanë.

Me këtë rast, bëjmë thirrje për aksion si vijon:

1. Institucionet relevante si Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Minisitrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Asamblenë Komunale dhe Drejtorinë e Arsimit në Prizren, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit të Kosovës dhe Sindikatën e Gjimnazit “Gjon Buzuku”: Kërkojmë nga ju që ky rast të merret urgjentisht dhe të sigurohet së paku paga prej 70% në rast të pushimeve mjekësore afatgjata, apo çfarëdo lehtësimi që do të ishte i pranueshëm në këtë rast, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe kontratën kolektive.

2. Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrit të Arsimit: kërkojmë urgjentisht të vihet në rend të ditës shqyrtimi i një sigurimi gjithëpërfshirës mjekësor dhe invalidor për punëtorët e arsimit publik. Kërkojmë që kjo të merret si një çështje me rëndësi jetike për vendin.

3. Opozitës: kërkojmë që ta kryeni detyrën tuaj si opozitë lojale e Republikës së Kosovës dhe të bëni trysni në Qeverinë e Kosovës që kjo çështje të merret me prioritet të lartë.

5. Gjithë spektrit politik (Pozitë dhe Opozitë): Si çdo kosovar, edhe ne kemi bindje dhe qëndrime politike, duke përfshirë edhe mospajtime serioze. Por në këtë rast, jemi parimisht neutral. Prandaj, i bëjmë apel vullnetit të mirë tuaj, ndërgjegjes suaj, si dhe obligimeve qe keni marrë përsipër si shërbyes publikë që të punoni me përkushtim për mirëqenien e qytetarëve kosovarë. Kur është çështja te sigurimi i një jete dinjitoze të atyre që përkujdesen për shkollimin e brezave të rinj, atëherë aty jemi një.

6. Qytetarëve të Republikës: Kërkojmë që secili të kontaktoni përfaqësuesin e juaj në Kuvend dhe të loboni për këtë çështje. Ju bëjmë thirrje që ta konsultoni linkun më poshtë për numrat e telefonit dhe adresat e-mail të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, si dhe Ministrisë së Arsimit.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm që Kosova gjendet në një situatë të vështirë politike. Por jemi poashtu të bindur që ndryshimet e mëdha fillojnë me një hap të vogël. Populli ynë është treguar i aftë të mobilizohet dhe të tregojë shkallë të lartë solidariteti në kushte edhe më të vështira se këto. Ta dëshmojmë, pra, edhe njëherë se jemi të denjë për sakrificat e mësimdhënësve tanë. Ndërmerr aksion që tani!

/RTK/