26.7 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025
Home Blog Page 6271

Lunacek: Serbia do ta njohë Kosovën

0

Zëvendëspresidentja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, është shprehur se Serbia duhet ta njohë Kosovën, teksa ka shtuar se Serbia është e vetëdijshme se Bashkimi Evropian, pas rastit të Qipros, nuk do të pranojë më asnjë shtet anëtar që nuk i ka kufijtë e definuar.

Kur ka folur për integrimin e serbëve, Lunacek ka përmendur edhe faktin se serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë e në Kuvendin e Kosovës.

“Madje e ndihmuan Hashim Thaçin të zgjidhet President i Republikës së Kosovës, duke i siguruar kuorum”.

Në një intervistë dhënë Kuririt të Beogradit, ajo ka folur edhe për liberalizmin e vizave, duke thënë se kjo duhet të bëhet sa më shpejt për Kosovën, duke nënvizuar se është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka ende regjim vizash.

Por një çështje tjetër që prek Lunacek është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Lunacek për Asociacionin thotë se duhet të zbatohet si Marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinë dhe Beogradit. Ajo ka thënë se gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për këtë marrëveshje duhet të përfshihen në formulimin e Ligjit dhe Statutit.

Lunacek ka marrë një shembullin e UNESCO-s kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ka thënë se refuzimi i UNESCO-s vitin e kaluar e thekson bllokadën politike të vazhdueshme që Serbia i bën Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Kjo shkelje sistematike e parimit të fqinjësisë së mirë dhe qëllimit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve e vë dialogun në rrezik”, ka theksuar ajo.

Rugova nuk ka vdekur nga kanceri – ai është helmuar (Video)

0

Në dokumentarin “Misteri i vdekjes së Presidentit”, tre personalitete të njohura kanë hedhur dyshime se Ibrahim Rugova nuk ka vdekur nga kanceri.

Shikojeni emisionin Zona Express me autor Leonard Kerqukin për të kuptuar se ku i mbështesin ata pretendimet se Lideri Historik i shqiptarëve të Kosovës mund të jetë helmuar.

Klikoni në videon në vazhdim:

Hoxha nga Prizreni përqesh ata që u thonë “Lavdi” Jasharëve dhe dëshmorëve tjerë (Video)

0

Hoxha nga Prizreni, Mazllam Mazllami, i cili ishte arrestuar nën akuzat për nxitje të urrejtjes dhe ekstremizëm fetar, ka mbajtur një ligjëratë para besimtarëve në një xhami, duke thënë se kushdo që u thotë “Lavdi” dëshmorëve, “del nga feja e Allahut”.

“Kush shkon te varret e Adem Jasharit apo Ibrahim Rugovës, dhe thotë lavdi dëshmorëve, ai del nga feja e Allahut, sepse në Islam vetëm Allahut i thuhet lavdi, ndërsa për Ademin thuhet inshalla e bën Allahu shehid, pra mos u merrni me përralla enveristash dhe titistash”, ka thënë Mazllami, transmeton Gazeta Express.

http://dai.ly/x3w7hdh

Gërvalla: Isa Mustafa s’tregoi guxim sot në Prekaz

0

E bija e Jusuf Gërvallës, Donika përmes një postimi në Facebook ka reaguar ndaj deklaratave të sotme të kryeministrit Isa Mustafa në Prekaz.

Ajo ka shkruar se Isa Mustafa nuk e viziton Rifat Jasharin ngaqë i mungon guximi ta shohë në sy sepse këtë gjë s’e kishte bërë as në Gjermani në vitin 1999.

Ja postimi i plotë:

Isa Mustafa nuk e viziton Rifat Jasharin ngaqë i mungon guximi ta shohë në sy. Është shumë për t’u shqetësuar paaftësia e Isa Mustafës për ta përballuar të vërtetën dhe shkarja e tij në gënjeshtra krejtësisht të pakuptimta për çështje, të cilat shumë lehtë mund të vërtetohen.

E pamja në Mynih në mars të vitit 1999 tej Rifat Jashari jo vetëm që është mbajtur, por ajo ka zgjatur me ditë të tëra. Sali Çekaj për shembull nuk ka munguar as një ditë të vetme në këtë t’pame, gjatë së cilës Baci Rifat priti e përcolli me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota.Pse shpik Isa Mustafa gjëra të paqena në një ditë kaq të rëndë por edhe krenare në vetëdijen kolektive shqiptare në Kosovë? E din Isa Mustafa mirë, por e dijmë edhe ne të gjithë që në atë kohë ishim në Gjermani, pse nuk troket në derë të Rifat Jasharit. Prandaj Isa Mustafa, thuaje të vërtetën ose hesht më mirë!Sa e neveritshme kjo mungesë totale e moralit dhe e përgjegjësisë.

Familja Jashari bënë thirrje për përgjegjësi e maturi

0

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familja Jashari i bënë thirrje për përgjegjësi e maturi klasës politike në Kosovë. Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, konsideron se 17 vjet pas luftës, Kosovës po i hapen plagë panevojshme.

“Në një moment të caktuar, i madhi Sami Frashri do të thoshte: Gjithsecili është detyruar t’i shërbej atdheut të tij pa shpërblim. Nuk është për të qortuar edhe ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet. Por, nuk ka poshtërsi më të madhe sesa të vësh atdheun në rrezik për interesa personale. Andaj, i bëjmë thirrje klasës politike, për maturi e përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës. E themi me keqardhje që 17 vjet pas luftës Kosovës po i hapen plagë të panevojshme. Nuk është koha për krekosje e lavde. Nuk është koha t’i marrim Kosovës, por t’i japim asaj.Mos të shesim shpirtin për hirë të shijes së gojës. Për hirë te të pamurit të syrit dhe dhimbjeve të trupit. Nderi dhe lavdia u takon heronjve, dëshmorëve e martirëve. Ndërsa ne puna dhe detyra për shtet ndërtim”, tha ai.

Duke thënë se dita e sotme e përkujtimit të marsit, është ditë historike, Jashari tha se të gjallëve u mbetët që të punojnë dhe sakrfikojnë më shumë, në mënyrë që të qojnë në vend amanetin e brezave.

“Këtë askush nuk mund të na mohojë”, tha ai.

Këto komente, Jashari i bëri në akademië përkujtimore në Prishtinë, që u mbajt për nderë të rënies heroike të familjës Jashari në Prekaz.

Kush e pengoi ushtrinë?

0

Ministri për Forcën dhe Sigurinë e Kosovës, Haki Demolli kërkoi nga të gjitha partitë politike në vend, të angazhohen për të gjet zgjidhje të krizës. Sipas tij, zhvillimet e fundit në Kosovë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në ngecjen e proceseve të rëndësishme për Kosovën, përfshirë këtu edhe atë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur.

“FSK paraqet garancën se në të ardhmen do të shndërrohet në Forcë të Armatosur. Përvjetori i 18-të i Epopesë e ka gjet vendin me mospajtime e kundërshtime të theksuara mes partive. Andaj në këtë përvjetor, kërkoj nga të gjithë akterët politik që të lënë anash interesat e grupeve apo partive vetanake dhe të kenë parasysh vetëm interesin e popullit ,ashtu siç e kishte komandanti Adem Jashari dhe shokët e tij. Dhe, të angazhohen për të gjetë zgjidhje për këtë situatë. Sepse zhvillimet në Kosovë, me pamje të dhunshme, drejtpërdrejtë kanë ndikuar në ngecjen e proceseve të rëndësishme. Kur them këtë, kam parasysh faktin që edhe pse Qeveria e ka prioritet shndërrimin e FSK-së, ajo nuk ka ndodh gjatë vitit të kaluar, pikërisht për shkak të zhvillimeve jo normale. Andaj duhet shpresuar që gjatë këtij viti do të dominoj interesi i shtetit. Të arrihet një zgjidhje dhe të krijohen rrethanat që Qeveria dhe Kuvendi të marrin veprimet ligjore për transformim”, ka thënë Demolli.

Ai tha se përmes krijimit forcës së Armatosur të Kosovës, Qeveria do të ngris shkallën e sigurisë së vendit, për të gjithë qytetarët pa dallim, të cilët pastaj do të jenë më të sigurt.

Këto deklarata, Demolli i tha në akademinë përkujtimore që po mbahet në Prishtinë, me rastin 18 vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari.

Rënia e Jasharëve mobilizon kombin për liri

0

Nga Jakup Krasniqi

Drejtuesit e shtetit dhe pretendentët e tij për të drejtuar shtetin, duhet ta adresojnë qartë e pa ekuivokë meritën e brezave që na sollën në këtë ditë. Nuk kam asnjë dyshim, se merita është e gjithë kombit, pasi i tërë kombi ka pranuar për shekuj jetën si të “gjarprit nën gur” për t’i mbrojtur këto troje. Sigurisht që kryemeritat u shkojnë atyre që ishin më me integritet, që kishin guximin e gatishmërinë për t’u përballur edhe me rreziqe të paparashikueshme.

Guximi e integriteti i ka shtyrë përpara proceset politike që kanë mbajtur të gjallë idealin e çlirimit e të bashkimit kombëtar, kjo ka ndodhur te cilido komb në botë. Por nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që meritat t’u adresohen atyre që nuk kanë pasur guxim e integritet për të luftuar për liri e pavarësi?! Çështjet, qofshin historike a politike, duhet të adresohen saktë, mbi bazën e fakteve dhe të veprave politike e jo të dëshirave!

Shumë breza luftuam dhe u flijuan, u ndoqën dhe u përndoqën për liri e çlirim dhe të gjithë së bashku e përgatitën ambientin dhe terrenin për brezin e Adem Legjendarit, për brezin e UÇK-së, që ta jetësojë idealin e brezave për liri e çlirim. Pra Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Komandanti i saj, Adem Legjendari, janë: “buka, gjaku dhe jeta” e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës.

Vargu i dëshmorëve të kombit është shumë i gjatë, është i të gjitha trojeve shqiptare, por balli i tyre ishte Adem Legjendari. Secili nga ne e di se Komandanti Legjendar Adem Jashari nuk e ka arritur çlirimin e Kosovës nga Serbia, nuk ka marrë asgjë për vete a familjen nga Kosova, por i ka dhënë shumëçka e gjithçka që kishte ai e familja e tij fisnike.

Adem Jashari nuk e jetoi lirinë në Kosovën e lirë, pse preferoi vdekjen për liri e jo jetën në robëri. Rënia e tij dhe e Jasharëve Legjendarë, mobilizoi të gjithë kombin shqiptar për çlirimin e Kosovës. Liria e pavarësia jonë nuk do të vinin pa flijimin e tij e të familjes së tij! Vetëm ajo rënie e madhe e mobilizoi kombin në luftën çlirimtare! Të tjerët kishte kohë që e kishin demobilizuar popullin e Kosovës, me frikën e luftës.

Të ligj e antinjerëz janë të gjithë ata që përpiqen ta adresojnë kudo tjetër, vetëm jo aty ku është, liria e pavarësia e Kosovës! Më të ligj se mohësit, janë vetëm ata që u përpoqën dhe arritën te një masë e njerëzve, që dashurinë e tyre për Legjendarin, ta kthejnë në dashuri për xhepin, barkun a një vend pune?! Kjo është tepër e dhembshme, madje e tmerrshme, sidomos për ata luftëtarë të orëve të para që shkelën mbi idealin e dinjitetin e tyre, të dëshmuar në një kohë tepër të vështirë e të mohuar në liri?!

Këtë fakt, faktin e mobilizimit të kombit për çlirim, nuk e kupton shumëkush, kur Adem Jashari më të drejtë krahasohet me personalitete legjendare të kombit, por ata nuk e kanë parasysh ose nuk duan ta kenë parasysh të gjithë dimensionin e madhështisë së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij.

Pse po e them ketë?

Po e them këtë, se pa konsistencën e konsekuencën e Adem Jasharit për të formuar formacionet e para të UÇK-së, pa vazhdimin e rritjen e ushtarëve të UÇK-së, pa gatishmërinë për të luftuar e rënë për liri, nuk do të sigurohej vazhdimësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ta themi shkurt, Adem Jashari me jetën dhe veprën e tij të pakontestueshme, është themeluesi i UÇK-së, rreth të cilit janë bashkuar të gjitha bërthamat e UÇK-së anekënd Kosovës. Rasti i Adem Jasharit, rasti i Jasharëve Legjendarë është rasti më unikat në botë, i cili jo me jetën e tij, por me rënien e tij e të familjes, mobilizoi kombin shqiptar në luftën për liri. Nuk e di, nëse ka në botë, qoftë edhe një rast të tillë!

Në këtë 18-vjetor, kurrë më shumë se sot, në 17 vitet e lirisë e tetë vitet e pavarësisë, nuk kemi pasur nevojë më të madhe për t’iu drejtuar liribërësve për t’i falënderuar për lirinë që e kemi dhe kërkuar falje deri në përulje për mëkatet që po i bëjnë qeveritarët dhe njerëzit e paguar nga ta! Qeveritarë që mandatin na e paskan marrë (si e kanë marrë nuk ka rëndësi), nga qytetarët?!

Të përfundojmë: E sotmja qoftë e mjerë siç po shfaqet këto ditë, qoftë edhe e pashpresë për momentin, në asnjë formë a mënyrë nuk mund ta zbehë e as shëmtojë lirinë e pavarësinë e republikës, nuk mund ta zvetënojë asnjë formë e meskinitetit njerëzor, madhështinë e veprës së Dëshmorëve të Kombit – Shtetin e Pavarur, Sovran e Demokratik!

Shënim

Fjalori shqip-shqip në internet, për fjalën legjendë/ar jep këtë shpjegim: që është kthyer në legjendë, që është si në legjendë, që është karakteristikë për legjendat; që bën trimëri të pashoqe, që mbetet i pavdekshëm, madhështor, i jashtëzakonshëm. Hero legjendar. Figurë legjendare. Luftë (epope) legjendare. Trimëri (qëndresë, vepër) legjendare. Forcë legjendare. (Fjalori shqip-shqip

Këto janë armët me të cilat kanë luftuar Adem e Hamzë Jashari

0

Muzeu i Kompleksit memorial “Adem Jashari” është tashmë i hapur me një ekspozitë të përhershme ku janë ekspozuar eksponatet e familjes Jashari.

Ekspozita titullohet “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri” i autorit Sadik Krasniqi.

Aty janë mbi 50 eksponate të ndryshme që kanë shpëtuar pa u djegur nga masakra e familjes Jashari në Prekaz.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme janë armët me të cilat kanë luftuar Adem e Hamzë Jashari, dy heronjtë më të njohur të kësaj tragjedie në Prekaz.

Aty mund ta shohin armën personale të Hamza Jasharit e llojit pushkë automatike kallashnikov dhe armën personale të Adem Jasharit e llojit automatik kallashnikov./insadjeri.com/

Tronditja nga Rolling Stones

0

Një zë, një thashethem i lindur kushedi se ku, një lajm që kurrë nuk u konfirmua. Por, mjaftoi për të bërë të dridhet për një ditë, regjimin e Gjermanisë Lindore. Dhe i kushtoi qindra të rinjve të shtypur prej diktaturës së Ulbrichtit, një pasdite me goditje, persekutime, madje edhe burg; ndokush mbeti brenda për plot dy vite dhe më pas u dëbua nga vendi. Që atëherë, është e vështirë të thuhet që muzika nuk lëviz malet: një koncert i grupit britanik Rolling Stones, që në vitin 1969 shqetësoi tmerrësisht shumë RDGJ-në, dhe që nuk u mbajt kurrë. Por që i ka dha një goditje të parë Murit.

Në ditën kur Rolling Stones kanë lajmëruar koncertine  tyre në Kubë, Berlini kujton një copëz historie. Në fundin e verës së vitit 1969, në prag të festimeve pompoze mbi 20 vjetorin e Gjermanisë lindore që do të mbaheshin në 7 tetor, njerëzit e Ulbrichtit po përgatiten për marshimet e zakonshme ushtarake, si dhe fjalimet triumfantë dhe gënjeshtarë. Por një zë përhapet me shpejtësinë e dritës mes të rinjve të Berlinit lindor. Ditën e përvjetorit, Rolling Stones do të zhvillonin një koncert pranë Murit, në anën perëndimore, por në çatinë e ndërtesës së Axel Spinger – botuesi i “Bild”. Këngët e grupit më të famshëm rok në botë do të dëgjohen disa kilometra përtej Murit, atje ku muzika pop perëndimore është e ndaluar, disqet e Rolling Stones dhe Beatles futen kontrabandë dhe ku të lësh flokë të gjatë dhe të dëgjosh rok është një shenjë mosbindjeje.

Fatkeqësisht, ndërkohë që thashethemi përhapet edhe jashtë kryeqytetit, dhe shumë të rinj e të renja përgatisin çantat e shpinës për të shkuar në Berlin, lajmi i rremë mbërrin edhe tek agjentët e njërit prej shërbimeve të fshehtë më paranojakë të Paktit të Varshavës, Stasi-t. Një muaj më herët, një i ri nga Dessau shkruante në trotuar: ‘Fansa të Rolling Stones, vraponi drejt Ber…”. Por nuk arriti ta përfundontre frazën. Disa kalimtarë e trembën, ai largohet me shpejtësi, por një spiun e ka regjistruar lajmin dhe ia përcjell shërbimit. Dy javë më vonë, në lagjen berlineze të Prenzlauer Berg, dalin fletëpalosjet e para: “Rolling Stones do të vijnë në Berlinin Perëndimor”. Janë vetëm zëra, por shërbimi i fshehtë i merr seriozisht.

Dhe kështu Stasi përgatit kundërsulmin. Dalin urdhëra që sot të bëjnë të qeshësh, por që atëherë tingëllonin si dënim. “Të rinj me pamje dekadente”, thuhet në urdhër, duhet të pengohen me çdo kusht që të mso shkojnë në Berlin. Të rinjtë e parë me flokë të gjatë, apo me xhaketë lëkure, apo edhe thjeshtë me një palë xhinse, ndalohen nga policia. Disave u jepet “Berlin-Verbot”, ndalimi për të shkuar në kryeqytet, të tjerëve u merret pasaporta, dhe ju zëvendësohet me famëkeqin “PM12”, një dokument që e etiketon si kundërshtar, dhe që i jep çdo polici të drejtën ta ndalojë dhe marrë në pyetje pa arsye.

Në 7 tetor, aparati histerik i sigurisë shtrëngon më shumë: 238 të rinj ndalohen në stacionin e Berlinit dhe kthehen mbrapsht në shtëpi, ndërsa forcohen shumë kontrollet përreth zonës së supozuar të koncertit. E megjithatë, shumë të rinj arrijnë gjithësesi në Leipziger Strasse, disa dhjetëra metra larg nga qiellgërvishtësi Springer. Disa arrestohen aty, por duke nisur nga ora dy e pasdites, pranë murit nisin të shfaqen qindra të rinj. Duken të pandalshëm, janë të lumtur, u kanë shpëtuar gjithë kontrolleve. Janë pacifistë, kanë ardhur deri aty për të dëgjuar Rolling Stones, por pengesat dhe dhuna e regjimit, dalëngadalë i ashpërsojnë. Vopos-ët, policët e kufirit nisin t’i sulmojnë brutallisht, u ndërsejnë qentë. Turma sprapset por nuk heq dorë.

Fansat nisin të thërrasin “Rolling Stones”, “Dubcek, Dubcek”, emrin e reformatorit çekosllovak, një simbol i lirisë. Policia i hipën në kamionë, vazhdon t’i rrahë. Në fund, 430 do të arrestohen, disa do të mbeten në burg për vite. Por ndërkohë, revolta poshtë Murit prish festën e 20-vjetorit të RDGj-së. Ndërsa bota nuk do ta harrojë asnjëherë koncertin imagjinar të Rolling Stones. /La Repubblica / Bota.al/

Gjyqtarët në “listën e zezë” që nuk marrin vizë për ShBA

0

Në listën e zezë të gjyqtarëve që iu është anuluar viza amerikane janë edhe emrat e 14 gjyqtarëve të kallëzuar nga ILDKPKI-ja, kallëzime këto që janë hetuar ose janë në hetim nga organi i akuzës.

Pavarësisht që prokuroria mund të ketë pushuar çështjen ndaj këtyre gjyqtarëve, emrat e tyre nuk janë përjashtuar nga lista e zezë e refuzimit dhe anulimit të vizave amerikane.

Përveç këtyre emrave të kallëzuar nga ILDKPKI, burimet thonë se janë edhe emra të tjerë të gjyqtarëve, që ambasada ka krijuar bindjen se janë të korruptuar, raporton Abc.

Nga një hulumtim i DITA-s, rezulton se ILDKP ka kallëzuar në prokurori 12 gjyqtarë dhe dy prokurorë për akuzat e pastrimit të parave, fshehje të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve.

Kallëzimet e para në nivele të tilla në fakt kanë ndodhur pas vitit 2013, me fillimin e detyrës nga Inspektori i ri Shkëlqim Ganaj.

Më poshtë emrat

Gjyqtarët e kallëzuar nga ILDKP

23 prill 2014 Gjin Gjoni, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

26 shtator 2014 Ardian Kalia, gjyqtar, Gjykata e shkallës së parë Tiranë

29 shtator 2014 Osman Aliu, gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë, Kavajë

12 nëntor 2014, Qani Hasa, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan

28 prill 2015, Tomorr Kullolli, gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

28 prill 2015, Besnik Qira, gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin

8 qershor 2015, Petrit Aliaj, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Vlorë

8 qershor 2015, Rasim Doda, gjyqtar në Gjykatën e rrethit gjyqësor, Sarandë

8 qershor 2015, Enkeleda Doda (Kashuri), gjyqtare në Gjykatën e rrethit gjyqësor, Sarandë.

9 korrik të 2015-s, Adelina Zarka, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier

9 korrik të 2015-s, Petraq Çuri, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor

2 nëntor 2015, Shpëtime Pitaku, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës