34.6 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 6275

Mogherini mbyll vizitën në Tiranë

0

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme, Federica Mogherini është larguar herët në mëngjes nga Shqipëria, pasi ka mbyllur takimet me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, në orën 07.00 të mëngjesit.

Basha tha se reforma në drejtësi ishte një nga pikat e diskutimit me zonjën Mogherini. Ai tha se kjo reformë ka nevojë për dialog politik.

“Reforma në drejtësi është një proces jo një ligj që pret në Parlament. Që ky ligj të shndërrohet në amendamente kushtetuese dhe ligje lypset dialog politik. Kushtet për dialog politik kjo qeveri nuk i ka krijuar, përkundrazi ka investuar dhe investon për konfliktin politik. Parakusht për të ecur përpara është dialogu politik që çon drejt konsensusit, bazuar mbi kriteret e Venecias”, tha Basha.

Basha tha për gazetarët se për opozitën kushtet thelbësore për të dalë nga situata janë lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ai shoqërohej në takim nga deputetët Majlinda Bregu, Albiona Halimi, Gent Strazimiri dhe Aldo Bumçi, shkruan Top Channel.

Shkelet këmbësori në Prizren

0

Një këmbësor është goditur me veturë në rrugën e “Jonit” në Prizren.

Policia e Kosovës njofton se i dyshuari duke lëvizur me veturën Mercedes nga pakujdesia ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/

DokuFest hap aplikimin për ‘Rec’on the Future’

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest ka hapur thirrjen e aplikimit për programin e trajnimit për prodhimin e dokumentarëve dhe thërret pjesëmarrësit mes moshës 18-25 vjec nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Rumania, Greqia, Kroacia, Italia, Spanja dhe Franca të aplikojnë.

Projekti ‘Rec’on the future!’ ka për qëllim të ofrojë hapësirë për të rinjtë të diskutojnë për temën e shtetësisë në Evropë.

Pjesëmarrësit e përzgjedhur do të ftohen në Prizren për të konceptuar, xhiruar dhe edituar filmat e tyre nën drejtimin e tutorëve. Dy dokumentarë me temën e identitetit, kulturës dhe shtetësisë do të prodhohen.

Projekti do ti ketë dy sesione trajnimi:

Sesioni I në Prizren, Kosovë: 5 – 17 prill 2016

Sesioni II në Prizren Kosovë në fillim të muajit gusht 2016.

Afati i fundit për aplikim është 25 mars.

Projekti koordinohet nga Pistes Solidaires Méditerranée, organizuar nga DokuFest dhe me mbështeje financiare nga Erasmus+ dhe Région PACA. /PrizrenPress.com/

Komuna e Rahovecit nënshkruan marrëveshje me Caritasin Zviceran

0

Komuna e Rahovecit, sot, ka nënshkruar marrëveshje me Caritasin Zviceran, për realizimin e projektit “Edukimi Parashkollorë në Komunën e Rahovecit”.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga nënkryetari i Komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, Vjollca Vuçiterna – drejtoreshë e DKA-së, Kreshnik Basha – shef i zyrës së Caritasit Zviceran zyra në Prizren dhe Albert Bakalli përgjegjës i projektit.

Nënkryetari i Komunës së Rahovecit Xhemali Haxhimustafa, falënderoi zyrtarët e Caritasit Zviceran për pranimin e kërkesës së bërë nga ana e komunës përkatësisht nga drejtoresha e DKA-së.

“Falë kësaj kërkese ka ardhur edhe tek nënshkrimi i marrëveshjes. Me nënshkrimin e marrëveshjes, do të përfitojnë 7 klasë parashkollorë në 7 shkolla në Komunën e Rahovecit”, ka thënë Haxhimustafa. Gjithashtu, ai, u shpreh i gatshëm, për vazhdimin e bashkëpunim edhe në projekte të tjera në mes të Komunës dhe Caritasit Zviceran.

Nga ana e tyre zyrtarët nga Caritasi Zviceran, thanë se edhe në te kaluarën ka pasur bashkëpunim në mes të Komunës së Rahovecit dhe Caritasit Zviceran, për këtë arsye nuk do të kemi problem për zbatimin e projektit i cili ka të bëjë me “Edukimi Parashkollorë në Komunën e Rahovecit”.

Sipas marrëveshjes, shkollat të cilat janë përfitues të këtij projekti nga Caritasi Zviceran do të përfitojnë pajisje për klasat e parashkolloreve, trajnimin e mësimdhënëseve të klasave të parafillorëve, do të bëhet edhe monitorimi i projektit, mbështetje e Komunës së Rahovecit në zhvillimin e strategjisë së parashkollore. Realizmi i projektit dë të zgjatë për periudhën nga viti 2016-2017. /PrizrenPress.com/

Vjedhje e rëndë në Zhur, dëmi rreth 10 mijë euro

0

Në një garazh privat në fshatin Zhur të Prizrenit ka ndodhur një vjedhje e rëndë.

Sipas informatave që ia ka dhënë policisë pronari i garazhit thuhet se dikush ka hyrë në garazh dhe nga aty ka vjedhur vegla pune dhe sende të tjera (goma, felne alumini), në vlerë të përgjithshme rreth 10 mijë euro, raporton PrizrenPress.

Policia bën të ditur se ka intervistuar katër të dyshuar meshkuj, të cilët kanë pranuar se kanë kryer veprën.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Një tjetër vjedhje e rëndë ka ndodhur edhe në fshatin Randobravë. Një i dyshuar – shtetas i Shqipërisë është arrestuar, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se me forcë ka depërtuar në shtëpinë e viktimës, me ç’rast ka vjedhur gjësende të ndryshme. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

UP-ja mbetet pa rektor

0

(E plotësuar) Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka arritur ta zgjedh rektorin, as në votimin e tretë.

Tetë anëtarët e Këshillit Drejtues kanë ndarë votat në mes të Lul Rakës dhe Naser Sahiti, nga katër për secilin, për të pamundësuar kështu që të zgjidhet i pari i Universitetit më të madh publik në vend.

Kësisoj, Universiteti i Prishtinës duhet të rishpall konkursin e ri për rektor.

Sot zgjedhet Rektori i ri i UP-së

Kandidatët që kanë aplikuar për postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të intervistohen sot  në sallën e Këshillit drejtues të UP-së

Intervistat do të fillojnë nga ora 13:00 të cilat do të jenë të hapura për media ndërkohë që rreth orës 16:00 pasdite pritet të shpallet rektori i ri .

Kandidatët që do të intervistohen janë Anton Berishaj, Lul Raka, Naser Sahiti dhe Sali Bashota.

Opozita nuk e dërgon Hashim Thaçin në Kushtetuese

0

Opozita e bashkuar ka marrë vendim që mos ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës, bëjnë të ditur burime të Gazetës Fjala brenda bllokut opozitar.

Mandati dhe Betimi i presidentit është përcaktuar me Neni 87  të  Kushtetutës  , pika 1 ku  thuhet se  Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës.

Gazeta Fjala ka kontaktuar edhe zyrtarë të bllokut opozitar, por ata nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë çështje.

Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se ende nuk kanë informata dhe nuk e din se a do të dërgohet lënda për kontestimin e Hashim Thaçit për president në Gjykatën Kushtetuese.

“Ende nuk e dimë, do ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Nitaj për Gazetën Fjala.

Femra, bolla që pi cigare

0

Ankthi nga femra është ankthi nga pamundësia për ta kontrolluar dhe pamundësia për ta “pasur” femrën

Ballsor Hoxha

Ka një tregim popullor dhe krejtësisht surreal i shoqërisë sonë, që thotë se shumë burra e kanë takuar “bollën”, e cila për t’ua lëshuar rrugën, u ka kërkuar cigare. Është tregim shumë i vjetër. Por dhe nuk ka asnjë në botë që mund të më bindë se ka një shpjegim tjetër përpos se “bolla” është vetë gruaja, simbolikë e gruas. Dhe pikërisht për këtë simbolikë e ndërdijshme për pushtetin e femrës, për mosnjohjen e femrës dhe për frikën e burrit shqiptar nga femra, jo nga femra reale, por psika dhe e pakontrollueshmja brenda saj.

Ka, personazhi kryesor i romanit “Bora” të Orhan Pamuk, është një prej personazheve më të përafërta me dramën dhe strukturën e burrit shqiptar ndaj femrës së dashuruar. Kjo strukturë është pikërisht ankthi nga femra: ankthi nga pamundësi e posesivitetit / kontrollit të tij ndaj saj dhe nga paplotësia e saj.

Ankthi nga femra është ankthi nga pamundësia për ta kontrolluar femrën dhe pamundësia për ta “pasur” femrën. Ky ankth, sigurisht buron nga struktura e marrëdhënies fëmijë / nënë shqiptare dhe në besimin e pastërtisë absolute të nënës. Por, shih ironinë, pikërisht kjo, do të thotë se ka një “fëlliqësi” në nënën shqiptare, si në të gjitha nënat e botës apo për ta quajtur më saktësisht dhe jashtë diskursit burrëror shqiptar, ka një anë të errtë edhe brenda nënës / nënave shqiptare. Dhe se pikërisht ana e errët e femrës / nënës shqiptare do të thotë mungesë kontrolli ndaj saj.

Ankthi i burrit / djalit të sotshëm dhe në kohërat moderne të shqiptarëve është dhe buron nga mosnjohja e femrës.

Ankthi po ashtu është edhe për shkak të pamundësisë për të gjetur një harmoni dhe ndërveprim të pranueshëm për të dyja palët, pra jo vetëm për burrin.

Nëse e kërkojmë këtë strukturë, jo historikisht, në modelet letrare të letërsisë shqipe nga ndikimi dhe gjithëpërfshirja që kanë pasur dhe me këtë edhe ndërkomunikimit që kanë pasur, janë disa romane që duhet shquar në këtë aspekt: “Lulja e Kujtimit”, pastaj romani “Sikur të isha djalë” etj. Në të dy këto romane dashuria është tejet naive dhe pikërisht për këtë, është simbolikë e marrëdhënies së djalit me nënën e tij të “pastër” në nivel absolut. Në të dy romanet femra është ajo që e dimë vetëm si fëmijë dhe ende të papërfshirë brenda kompleksit të Edipit.

Por romani, i cili krijon dhe projekton një dashuri më të thellë, është romani “Lumi i vdekur”, dhe pikërisht dashuria ndërmjet personazheve të Adilit dhe Vitës. Në këtë marrëdhënie fiksionale, këta dy persona krijojnë një lidhje dashurie me ndërmjetësimin e misionit të letërsisë së asaj kohe, që ishte ruajtja e kombit, bashkimi i shtresave dhe përkatësive religjioze të ndryshme etj., e që në psikanalizë njihet si instinkti i “ruajtjes së llojit” apo vazhdimit të llojit.

Megjithatë, edhe kjo lidhje dashurie krijon një femër krejtësisht të pastër dhe të padyshimtë. Pikërisht kjo e bën artificiale këtë dashuri, gjë që krijon një formulë të “mundshme”, në nivel të dietetit (Zotit) të motivuar nga humanizmi, për ruajtjen e llojit.

Vita, personazhi i dashuruar në Adilin, në romanin “Lumi i vdekur”, tërë kohën vuan akuzimet e grave për papastërtinë e saj si femër, akuza të cilat gjithherë dalin të pavërteta dhe si intriga. Mirëpo shikuar në thelb, këto janë pikërisht konflikti i femrës shqiptare, femrës në tërë botën, që nga vendosja e strukturës moralizuese ndër njerëzimin për pastërtinë e femrës.

Femra që nga lindja e moralit e këndej ka një konflikt të tmerrshëm, bartur edhe në bashkëkohësinë tonë. Realitetin e “fëlliqësisë” që njihet në zhargonin e gjuhës moralizuese apo ndryshe të njohur si anë e errët apo edhe si anë e pakontrollueshme. Derisa në paragjykimin social dhe moral femra duhet të jetë e pastër, në të vërtetë pastërtia e saj është pakontrollueshme dhe e pamundshme. Ajo që kërkohet nga femra është e pamundshme.

Kështu edhe Vita, e fejuara e Adilit, te “Lumi i vdekur” nuk arrin të jetojë derisa i duhet të përballet me atë që në roman paraqitet si intrigë e ligë ndaj saj. Mirëpo parë më thellë, kjo mund të shihet edhe si projeksion i femrës naive (lexo: Vitës) së anëve të errëta të saj. Por me qenë se Vita duhet të shërbejë për një motivim gjithëkombëtar asaj i janë sterilizuar (lexo: kastruar) të gjitha mundësitë e “ikjes” në të pakontrollueshmen femërore dhe ajo është peng i misionit të “ruajtjes së llojit”.

Pikërisht për këtë arsye personazhet e Orhan Pamuk në romanet e tij si “Muzeu i pafajësisë” dhe “Bora”, janë shumë më të përafërt me mënyrën tonë të jetës. Duke e ditur jo vetëm influencën e kulturës turke në shoqërinë tonë shqiptare, por edhe konfliktet, dramat dhe aksidentimet e ngjashme tonat dhe të shoqërisë turke me zhvillimet sociologjike në Perëndim, ka një argument të fortë që të fillojmë prej aty trajtimin e temës së tradhtisë së femrës ndaj mashkullit.

Personazhi Ka, siç na jepet në roman, tërë jetën e tij ka qenë i dashuruar në Ipekun e bukur dhe në të njëjtën kohë tërë jetën ka ikur nga ajo. Tërë romani është njëlloj rikthimi dhe rigjetjeje e jetës për personazhin Ka, pikërisht në vendin më të izoluar në botë.

Por si strumbullar i tërë kësaj ikjeje të ankthshme dhe të tmerrshme në poezi, vetmi dhe trishtim i personazhit Ka, për tërë jetën e tij, është frika nga tradhtia e femrës. Në njërën anë Ka asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që të mbizotërojë modelin e burrit patriarkal, i cili ia – ndalon – (lexo: kastron) femrës anën e pakontrollueshme dhe me këtë e bën të kontrollueshme femrën; dhe, në anën tjetër, ai kurrë nuk ka mundur të bëjë jetë tjetër përpos sipas modelit të sociologjisë së “shëndoshë”, asaj të përsëritjes së strukturës së tij si fëmijë me nënën e tij, e që është ndarja e jetës me një grua. Dhe me këtë, mundësia e tradhtisë së një femre për Ka-në ka qenë edhe strumbullari i ankthit edhe argumenti i ikjes së tij.

Dhe pikërisht kur çdo gjë bëhet e mundshme, edhe jeta, edhe lumturia në jetë (në vendin më të braktisur dhe më të izoluar në botë dhe atë jo vetëm nga njeriu, por edhe nga natyra), dashuria dhe besimi i femrës etj., në atë moment Ka kupton se Ipeku e bukur është e dashuruar në përjetësi me personazhin tjetër të quajtur Kaltri.

Megjithëse i paralizuar psikologjikisht personazhi Ka nga mundësia e tradhtisë, që do të thotë dhembja e shkaktuar nga femra, ai arrin të tejkalojë faktin se e dashura e tij ka qenë e martuar me një burrë. Dhe megjithëse edhe në momentin kulmor të lidhjes së Ka me Ipekun ai kupton se Ipeku ka pasur edhe një dashnor tjetër dhe atë në strukturën e tradhtisë klasike, pra derisa ka qenë e martuar e ka tradhtuar burrin e saj me një shok të tij (përndryshe tmerri më i madh i strukturës së mashkullit të zakonshëm / shëndoshë), ai nuk arrin ta përmbushë këtë dashuri, këtë lidhje dashurie.

Ka një gjë që i bën femrat të pabesa, sidomos në strukturat patriarkale, si ato të moderuara, si ato ekstreme. Është kushtëzimi i jetës, pra kushtëzimi edhe i dashurisë, edhe i kënaqësisë, edhe i lirisë, edhe i përmbushjes së femrës nga fenomeni biologjik i virgjërisë. Pikërisht momentin kur femra e humb virgjërinë fizike, ajo është e lirë vetëm brenda zonës së përcaktuar nga përshkuesi i himenit të saj. Pavarësisht modelit, nëse ajo e ka humbur virgjërinë si e martuar, e dhunuar apo edhe e “përdalë”, ajo është dhe do të mbetet deri në fund të jetës së saj peng i virgjërimarrësit të saj. Dhe pikërisht për shkak të kësaj, ajo do të jetë e palogjikshme, e pakontrollueshme dhe e pazotërueshme, por edhe e pabesë ndaj po të njëjtit.

Duke qenë se femra mbetet pre e një “zoti” mashkullor, ajo do të rebelohet, do të “shkërdhejë”, do të luftojë, do të dashurojë dhe do ta tradhtoj atë që ka pushtetin absolut mbi femrën e zhvirgjëruar.

Dhe pikërisht këtu fillon drama e personazhit Ka në romanin “Bora” të Orhan Pamuk, sepse ai, megjithëse ka tejkaluar frikën dhe ankthin e strukturës së mashkullit në lidhje me femrën e kontrollueshme dhe megjithëse ka tejkaluar ankthin nga pabesia e femrës, ai assesi nuk mund të pajtohet me pamundësinë e zotërimit të femrës së dashuruar.

Pikërisht femra e kontrolluar është struktura e fëmijës me nënën e tij të kontrollueshme përmes dashurisë së plotë dhe të mjaftueshme, në shoqëritë patriarkale. Pikërisht në momentin kur e tërë dhembja shoqërore e Ka-së është tejkaluar, në vendin më të izoluar në botë, në qytetin Kars të Turqisë, lind sëmundja universale e mashkullit patriarkal, e pamundësisë së përsëritjes së dashurisë së nënës. Një nëne jo vetëm të pastër, por dhe të mjaftueshme e të plotë në dhe për tërë dëshirën e mashkullit.

Pikërisht këtu lind dilema se pse në letërsinë shqiptare tradhtia e femrës është tërësisht e panatyrshme dhe e izoluar brenda modeleve dhe strukturave të kontrollueshme e të zotërueshme nga mashkulli: nëse jemi ende pa model tejkalimi të kësaj paplotënie të femrës në dashurinë tonë dhe kjo është arsyeja e mungesës së një personazhi të këtillë në letërsinë tonë apo nëse tradhtia e femrës është tejkaluar pa u përjetuar, dhe tani gjendemi në nivel të avancuar përvoje, por pa një shpjegim të dokumentuar në letërsi?

Kjo nuk është dilemë e lehtë, zbërthimi i saj mund të shkaktojë cunami në tërë shoqërinë dhe vlerave të saj. Por, gjithashtu, edhe një letërsi pa një Zonja Bovari, pa një Ana Karenina apo pa një përballje me “bollën që pi cigare”, nuk është jetë e jetuar në plotëni. /Revistasaras.al/

Mbytet peshkatari amator në Shëngjin

0

Një peshkatar amator është mbytur në vendin e quajtur Skalierat, në Shëngjin.

Shtetasi Mark Ujka, sipas familjarëve, kishte dalë për të peshkuar dhe nuk ishte kthyer më.

Policia bashkë me familjarët nisën kërkimet dhe e kanë gjetur viktimën në ujë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të motit të keq dhe dallgëve që e kanë rrëmbyer peshkatarin nga bregu, shkruan Top Channel.

LDK nuk i përjashton ‘disidentët’

0

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i përjashtojë deputetët e saj që nuk kanë marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Sipas drejtuesve të kësaj partie, LDK-ja asnjëherë nuk i ka përzënë anëtarët e saj. Ndërsa, zyrtarët që kanë dhënë këtë ide të apostrofuarit për largim i quajnë parashutistë

Ideja e dhënë nga disa kryetarë të degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për përjashtim të pesë deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit të vendit është hedhur poshtë nga drejtuesit e kësaj partie. LDK-ja i konsideron spekulime mediale deklarimet për mundësinë e përjashtimit të deputetëve të saj, që në opinion njihen si “disidentët” e partisë.

Në anën tjetër, analistët politikë vlerësojnë se largimi i deputetëve për shkak se kanë qëndrim tjetër nga partia do të ishte i paarsyeshëm. Ata madje vlerësojnë se kjo do ta dëmtonte LDK-në.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë për “Zërin” se gjatë 26 vjetëve të ekzistimit të saj, kjo parti nuk e ka përjashtuar askënd. Sipas saj, LDK-ja është subjekt demokratik dhe se anëtarët e saj kanë të drejtë që ta shprehin lirshëm mendimin e vet.

“Kryesia nuk është trup që i përjashton deputetët dhe kjo çështje është ngritur nga mediet pa asnjë bazë. Në LDK për 26 vjet asnjë anëtar nuk është përjashtuar. Siç e keni parë, në LDK ka demokraci ku anëtarët mund të shprehin mendimin e tyre, ashtu siç e kanë bërë 5 deputetët që nuk kanë ardhur në seancë. Njëjtë kanë të drejtë edhe të tjerët të shprehin mendimin e tyre lidhur me zhvillimet dhe kjo paraqet bazën e demokracisë”, ka deklaruar Sahatqija. /Zëri/