9 C
Prizren
E enjte, 14 Maj, 2026
Home Blog Page 6283

Nëntoka kriminale, në ofensivë

0

Pas incidenteve të vazhdueshme të fundit në Kosovë, analistët, njohësit e fushës së drejtësisë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë hedhur dyshimet e tyre se nëntoka kriminale është aktivizuar sërish përmes skenarëve të bombave dhe ashpërsimit të gjuhës publike politike, për ta paraqitur kësisoj Kosovën si një shtet të pasigurt ku nëse, “të fortët” nuk mbështeten nga ndërkombëtarët dhe po ashtu nëse oligarkët nuk janë në pushtet, nuk do të ketë paqe të përgjithshme në vend, pasi, veç të tjerash, ata tashmë edhe po e shohin se po demaskohen si asnjëherë më parë në publik, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se situatat e rënda në Kosovë i shfrytëzojnë lloj- lloj forcash destruktive e agjenturash të ndryshme, të cilat, sipas tij, kanë për qëllim të fundit destabilizimin e Kosovës dhe defaktorizimin e saj. “Në anën tjetër, të “fortët” në vazhdimësi kanë qenë të dëgjueshëm dhe të shantazhueshëm, ngase ata gjithmonë e kanë luajtur rolin e dëgjuesit, duke zbatuar gjithmonë politikat e të tjerëve si primare e asnjëherë tonat. Në këtë mënyrë janë dëmtuar rëndë interesat tona nacionale e shtetërore. Ne nuk e dimë saktë se kush janë autorët e bombave, por një gjë është e sigurt se ata nuk ia duan të mirën Kosovës. Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me miqtë dhe partnerët tanë,por gjithmonë duke pasur në rend të parë interesat tona e jo interesat e të tjerëve”, ka theksuar ai.

Dibrani: Skenar i përgatitur për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera

Ndërkaq, avokati Tomë Gashi ka vlerësuar se sido që të jetë, së pari duhet të identifikohen dhe të gjenden personat e vërtetë që kanë hedhur bomba apo mjete shpërthyese, ose çfarëdo tjetër që kanë vepruar, e që janë padyshim vepra inkriminuese dhe vepra të rënda penale. Ai shtoi se përderisa nuk do të zbulohen ata dhe nuk gjykohen mund të jetë secili variant i mundshëm. Në anën tjetër, analisti Shefqet Dibrani thotë se siç duket nëntoka e veprimeve kriminale është në ofensivë, derisa, sipas tij, bombat më shumë duhet të shikohen me dyshim si një skenar i nëntokës sa për të shprehur pasiguri në nivel Kosove. ” Rastet po ndodhin sipas një planimetrie e cila rrit dyshimin, pasi shpërthimet po bëhen në një kohë që, përveç panikut dhe dëmeve materiale, deri më tani nuk paraqisnin rrezikun e jetëve njerëzore.

Pastaj nëse analizohen deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, se si u bëjnë thirrje organeve të drejtësisë për t’i ndriçuar rastet, lë përshtypjen e personave që nuk kanë asnjë përgjegjësi udhëheqëse, ngase këto thirrje irritojnë qytetarin, në vend se ata të lëshojnë urdhëresa për t’u kapur personat që kryejnë akte terroriste, ndërsa lihet po ashtu përshtypja se rastet po ndodhin në një shtet tjetër, ndërsa këta kanë kompetencë vetëm të bëjnë thirrje publike për t’u ndriçuar rastet”, u shpreh ai. Më tej, Dibrani ka nënvizuar se po aq shqetësuese janë deklaratat e personave të atakuar, të cilët në emër të një vendosmërie shprehin guximin e tyre për të shkuar më tutje dhe për të mos u zmbrapsur, andaj, sipas tij, e tëra duket si një skenar i përgatitur, sa për të bartur vëmendjen e popullsisë në tema të tjera, më pak të rëndësishme. “Shqetësuese është kur deklaratat e Qeverisë dhe të Parlamentit lidhen me një subjekt politik, veçanërisht për t’u gjykuar është deklarata e Bordit të RTK-së, ku rastin me bombë e lidhin drejtpërdrejt me një subjekt politik, madje pa u dhënë raporti policor, është joprofesionale dhe veprime të pafalshme që mund të kualifikohet si vepër penale. Edhe sikur të shihej qartë personi që kryente veprën penale, edhe sikur atij t’i dihej emri, mbiemri dhe përkatësia partiake, shteti nuk guxon të drejtojë gishtin nga një subjekt politik, i cili është pjesë e Parlamentit, aq më pak këtë gabim nuk është dashur ta përsërisë RTK-ja si medium publik. Hedhja e bombave dhe deklaratat janë për keqardhjen, por nëse këto gjëra janë skenar i grupeve dhe individëve që kanë kapur shtetin, prandaj policia dhe drejtësia janë vetëm instrumente në duart e tyre. Derisa policia nuk e ka kapur asnjë rast, dyshimet mund të shtohen se këto ngjarje janë një skenar i strukturave të nëntokës të cilat e kanë kapur shtetin dhe nga aty po tallen jo vetëm me qytetarët dhe me fatin e Kosovës, por edhe me rolin e bashkë- sisë ndërkombëtare në Kosovë”, është shprehur Dibrani për gazetën “Kosova Sot”..

UPZ-ja lëshon diploma të pavlefshme

0

Ish-studentja e Universitetit të Prizrenit Y.H, e cila ka kryer studimet në drejtimin Gjuhë dhe letërsi angleze, ka marrë vesh se drejtimi i saj ka qenë i paakredituar tek atëherë kur ka dashur të aplikojë për studime master jashtë vendit.

Ajo i ka thënë gazetës “Zëri” se një gjë të tillë e ka kuptuar nga Ministria e Arsimit, një vit pasi ka kryer studimet në nivelin bachelor, të cilat i kanë zgjatur katër vjet. Megjithëkëtë, askush deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë çështje.

“Pas një vit diplomimi, unë dhe një kolege imja kemi shkuar në MASHT në Prishtinë për ta marrë një vulë nga ana e tyre, sepse na duhej për studime jashtë vendit. Mirëpo, në Ministri na kanë thënë që nuk munden sepse drejtimi ynë nuk paska qenë i akredituar dhe që diplomat tona nuk paskan vlerë. Vetëm kaq, asnjë sqarim tjetër”, është shprehur Y.H për gazetën “Zëri”.

Y.H. fajëson dekanin Ismet Temaj

Ajo ka thënë se bashkë me kolegen e saj, B.H., kanë shkuar te dekani i Fakultetit, Ismet Temaj, për të marrë së paku një sqarim.

Siç ka treguar ish-studentja e UPZ-së Y.H., dekani e ka pranuar se ka qenë i informuar për një gjë të tillë, por ai ka mohuar që kjo çështje të jetë pjesë e obligimeve të tij.

“Pas një bisede të gjatë, zotëriu në fjalë e pranoi që ka qenë në dijeni qysh para pranimit të studentëve në fakultet që nuk është i akredituar, por që nuk paska qenë detyra e tij që të na lajmërojë se po e vijojmë një lëmi që nuk ka për të pasur vlerë për ne”, ka treguar ish-studentja e Universitetit të Prizrenit.

Sipas saj, dekani Temaj qëllimisht i ka mashtruar studentët, pasi ashtu si ajo është shprehur, vetë dekani ka qenë ai i cili i ka nënshkruar diplomat e tyre.

“Ismet Temaj është ai që e ka hapur konkursin për pranimin e studentëve dhe po ai i cili e ka nënshkruar diplomën, që po i bie se ka bërë mashtrim, falsifikim me vetëdije për 4 vjet rresht”, ka shtuar më tutje ajo.

Dekani Temaj fajëson MASHT-in

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe dekanin Ismet Temaj, mirëpo ky i fundit ka thënë se në kohën kur studentja Y.H. është pranuar në fakultet, ai nuk ka qenë në pozitën që është sot.

“Ju bëj me dije se unë në kohën e regjistrimit, gjegjësisht pranimit të studentëve të kësaj gjenerate (2011), nuk kam qenë në asnjë pozitë udhëheqëse të Universitetit ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht nuk kam qenë dekan i Fakultetit të Edukimit”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Ndërkaq, arsyeja se pse është vazhduar që drejtimi Gjuhë dhe letërsi angleze të jetë në program të Fakultetit të Edukimit në Prizren, sipas Temajt, ka qenë se me këtë gjë vetëm është zbatuar një vendim i Ministrisë së Arsimit.

“Sa i përket akreditimit të programit të Gjuhës dhe letërsisë angleze, ju njoftoj se ne, gjegjësisht Universiteti ‘Ukshin Hoti’, ka zbatuar vendimin e MASHT-it për të regjistruar (vazhduar studimet në këtë program dhe programet e tjera lëndore). Një gjë e tillë ishte edhe në universitetet e tjera publike në Republikën e Kosovës”, ka shtuar më tutje dekani Temaj.

Ndërsa, ka thënë se problemin në fjalë mund ta zgjidhë vetëm Ministria e Arsimit, por jo UPZ-ja.

“Ju bëjmë me dije edhe një herë se këtë çështje mund ta zgjidhë MASHT-i e jo Universiteti ‘Ukshin Hoti’, gjegjësisht Fakulteti i Edukimit në Prizren”, ka deklaruar Temaj.

Ministria nuk ka qenë në dijeni

Ndërkaq Faton Fetahu, asistent personal i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se Ministria nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, përkundrazi, ashtu si ai është shprehur, për çështjen në fjalë MASHT-i është njoftuar kohët e fundit.

“Në emër të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami, ju njoftoj se kabineti i ministrit tash së fundmi është njoftuar për këtë problem, me rastin e kërkesave të studentëve të këtij programi për verifikime të diplomave të fituara”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.

Më tutje, Fetahu ka thënë se çështja në fjalë është duke u shqyrtuar dhe ajo do të qartësohet në përputhje me ligjin.

“Përndryshe, aktualisht është duke u trajtuar me Departamentin për Arsim të Lartë dhe gjithçka do të sqarohet në bazë të legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar asistenti i ministrit Bajrami.

Pavarësisht kësaj, sipas një vendimi të MASHT-it, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” (gjersa Ramë Buja ishte ministër), thuhet se Ministria e Arsimit kishte vendosur t’ua njihte të gjitha diplomat e studentëve të Fakultetit të Edukimit nëpër universitetet publike, siç thuhet “në fazën e transformimit të programeve lëndore nga Fakulteti i Edukimit, në departamentet tjera përkatëse, për vitin akademik 2011/2012 dhe 2012/2013”

Kadaj-Bujupi: Veseli kryekriminel, regjimi si ai i Millosheviqit

0

Donika Kadaj-Bujupi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje tregojnë më së miri regjimin nën të cilin po jetojnë qytetarët e Kosovës, ndërkaq nuk hezituar që kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ta quajë kryekriminel.

“Unë dëgjova një deklaratë të kryekriminelit(i drejtohet Kadri Veselit) që konfirmoi se ai ishte urdhërdhënës, dhe në këtë intervistë paragjykoi për aktivistët e Vetëvendosjes dhe vërtetoi që deri në orët e vona kanë ushtruar presion ndaj deputetëve të PDK-së për ta votuar demarkacionin”.

“Aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes shkëlqejnë edhe në karrierë edhe në pjesën akademike. Për dallim prej këtyre të tjerëve, që na e nxinë fytyrën”.

“Sonte u kërkua që në emër të demarkacionit deputetët të votojnë shitjen e mbi 8 mijë hektarëve të territorit të Kosovës”.

“Arrestimet e djemve dhe vajzave më të mira kanë për qëllim që të na dëmtojnë tash kur jemi afër 1 shtatorit. Por ne nuk do të ndalemi. Do të punojmë”.

Kadaj-Bujupi ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë provë të vetme për t’u bërë këto arrestime, ndërsa sistemin qeverisës të vendit e ka krahasuar me regjimin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, njofton Klan Kosova.

“Sot nuk ka pasur asnjë provë të vetme. Ka pasur vetëm akuza dhe paragjykime. A duhet që secili që posedon telefon dhe kompjuter të arrestohet. Nuk e arsyetoj mbajtjen ilegale të armëve, por ato nuk kanë asnjë lidhje me predhën e hedhur në Kuvend. Ajo predhë ka ardhur nga pushteti”.

“Veprimet e sotme janë veprime të regjimit, që kanë ndodhur edhe gjatë regjimit të Millosheviqit, që i kanë parapri propagandës. Vet arrestimi kaq tendencioz, pa asnjë provë e tregon këtë gjë”.

“Ekziston një rrjet i organizuar kriminal që e lufton opozitën me qëllim të mbetjes në pushtet dhe zhvatjes së vazhdueshme që e kanë bërë tash e një kohë”.

“Ne jemi në vazhdimësi, në përgatitje maksimale, që 1 shtatori të jetë dita kur këtij regjimi t’i vie fundi. Në të kundërtën do të kemi një vazhdimësi dhe rrënim të Republikës. Prandaj jemi duke punuar në terren dhe presim që më 1 shtator, deputetët brenda dhe qytetarët jashtë t’i thonë jo demarkacionit”.

“Unë edhe kur kam qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në raste të caktuara kam votuar kundër (propozimeve të PDK-së), ndërsa vota ime është përshtatur me votat e Lëvizjes Vetëvendosje”. /klankosova.tv/

Sonte nis festivali “Zambaku i Prizrenit”

0

Sonte në Prizren do të nis festivali “Zambaku i Prizrenit”, me ç’rast duke filluar nga ora 20:00, do të këndohen 14 këngë, të përcjella nga orkestra.

Në një njoftim për media, thuhet se kënga “Nuk jam shpirti yt” që do të këndohet nga Xhevat Kelmendi, sonte në orën 20:00, në kopshtin e Kino Lumëbardhit do ta hap perden e edicionit të 28 të Festivalit të këngës së vjetër qytetare, i cili me edicionet para këtij është vënë në dilemën “të jesh apo të mos jesh”.

“Orkestra në përbërjen e së cilës janë instrumentistë të dëshmuar në një kohë prej vetëm pesë ditësh, nën përkujdesjen e kompozitorit Tomor Berisha, ka bërë përgatitjet maksimale të mundshme që Prizrenit t’i kthehet “Zambaku i Prizrenit” me vlerat e dëshiruara. Festivali i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit” është i vetmi festival i kësaj natyre, që synon ruajtjen e vlerës dhe promovimin e kompozitorëve dhe këngëtarëve”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se juria, emrat e së cilës do të bëhen publike vetëm pas fillimit të festivalit do t’i ndaj tri shpërblime.

“Kënga të cilës do t’i ndahet vendi i parë nga juria, përveç “Zambakut të Argjend” që i takon kompozitorit do të shpërblehet me shumën prej 500 Euro, vendin i dytë, do të shpërblehet me shumë prej 300 Euro dhe vendi i tretë do të shpërblehet me shumën prej 200 Euro. Kënga më e mirë e zgjedhur nga publiku përveç me “Mikrofonin e Artë” i takon këngëtarit, do të shpërblehet edhe prej 300 Euro. , Shpërblimet në para në mënyrë të barabartë i takojnë këngëtarit dhe kompozitorit të këngëve fituese”, thuhet më tej në njoftim.

Live në kopshtin e Kino Lumëbardhit do të paraqitjen me këtë renditje këto këngë:

1, “Nuk jam shpirti yt”. Kompozim i Memli Kelmendit e këndon Xhevat Kelmendi.

“Flokëzeza”. Kompozim i Irfan Blakqorit e këndon Irfan Blakqori .
“Kënga e zemrës”. Kompozim i Veton Perrollit, e këndon dueti Hysen Kafexhiu dhe Frida Toçi;
“Me trille t’ambla ma more zemrën” kompozim i Zyhni Beqirajt e këndon Olta Juba;
“Sa të kam dashtë”. Kompozim i Nexhat Maculës e këndon Albulena Jashari.
“Sen Oldun”. Kompozim i Hisein Kazaz e këndon Tolga Kazaz.
“Miris belog Zambaka”. Kompozuar nga Shefqet Hoxha e këndon Shaqir Ahmeti”
“O po qan Lulja”, kompozuar nga Ylli Kalaja, këndohet nga Rakipe Karaj;
“Malli im”. Kompozim i Isa Jakupit, këndohet nga Ylberina Avdyli
“Lem ta puth nishanin” kompozim i Ylli Ramzotit, këndohet nga Ilsi Ademi.
“I vetmuar jam”. Kompozim i Arsim Kryeziut, këndohet nga Andi Qerreti.
“Vera e hidhur”. Kompozim i Edon Ramadanit këndohet nga Denik Prizreni.
“Sa të dua o Prizren”. Kompozim i Tomor Berishës, këndohet nga Majlinda Cikaçi e Sahit Vata;
14 “ Do t’ këndojmë e do t’ këndojmë”. E ka kompozuar dhe e këndon Artan Bakija.

Mustafi zyrtarisht lojtar i Arsenalit

0

Mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi zyrtarisht është lojtari më i ri i Arsenalit.

24-vjeçari është larguar nga Valencia pas 64 paraqitjeve me klubin. Mustafi ka luajtur më parë edhe te Evertoni e Sampdoria.

Reprezentuesi i Gjermanisë i bashkohet Granit Xhakës te ekipi londinez.

“Ai është në moshën e duhur. Ka përvojë. Është futbollist i fokusuar që luan mirë me top. Kemi marrë futbollist të mrekullueshëm të përgatitur për të ardhmen”, ka deklaruar trajneri Arsene Wenger.

Juventus transferon një sulmues shqiptar

0

Juventus është përforcuar me një futbollist shqiptar.

Kampionët e Serie A kanë transferuar në formë huazimi sulmuesin e talentuar shqiptar, Andi Zeqiri nga FC Lausanne-Sport, i cili do të luajë me të rinjtë e ‘Zonjës së Vjetër’.

17 vjeçari shqiptar u transferua një vit më parë te ekipi zviceran FC Lausanne-Sport nga Team Vaud, derisa këtë sezon do ta kalojë në formë huazimi në Itali.

“Është nder të njoftojmë se sulmuesi i ri Andi Zeqiri është huazuar te Juventusi me të drejtë blerje në fund të edicionit. Klubi italian ka treguar dëshirë të madhe për të punuar me Andin”, shkruhet mes tjerash në komunikatën e FC Lausanne-Sport.

Andi do të jetë pjesë e ekipit U19 të Juventusit për sezonin 2016/17.

 

Policia në Prizren gjen veturat e vjedhura

0

Hysni Kryeziut nga Prizreni i është rikthyer vetura e vjedhur nga hajnat. Djali i Hysniut, Bekim Kryeziu tha se vetura është gjetur falë angazhimit të policisë.

“Jam i kënaqur që policia ka arrit t’i arrestojë hajnat dhe të kthejë veturën e babit”, tha Kryeziu.

Rreshteri i Policisë në Prizren, Vesel Gashi tha ndërkaq, policia ka arrestuar dy të dyshuar për vjedhje të veturave në tri raste të ndryshme.

“Falë bashkëpunimit me qytetaë kemi arrit t’i zbulojmë hajnat dhe veturat t’i kthejmë te pronaret e tyre”, tha Gashi për TV Besa.

Sipas tij, lënda për këto vjedhje është dërguar në Prokurorinë Themelore në Prizren./TV Besa/

Kimete Bytyçi zëvendëson Alma Lamën në pozitën e deputetes

0

Kimete Bytyçi do të zë vendin e ish deputetes Alma Lama në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi.net merr vesh se Kimete Bytyçi do të bëj betimin e deputetes në seancën e 1 shtatorit, pasi Lama u zgjodh ambasadore e Kosovës në Itali.

Bytyçi është gruaja e të ndjerit Ukë Bytyçi, i cili u vra në vitin 2002. Ai ishte kryetar i LDK-së në Suharekë.

Kimete Bytyçi është profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe./lajmi.net

Lubonja ‘godet’ ambasadorët e huaj

0

E ndërsa pritet me interes seanca e posaçme plenare e ditës së nesërme, analisti Fatos Lubonja thotë se ligji për vettingun do të kalojë.

Këtë argument ai e mbështet me faktin se ndryshe nga votimi i Kushtetutës së re, kësaj radhe koalicioni PS-LSI është i konsoliduar, çka e dobëson rolin e opozitës.

Megjithatë Lubonja shprehet i sigurt se ky ligj në Shqipëri do të dështojë njësoj si për Kosovën, e cila ka 7 vite që u ka bërë vetting gjyqtarëve dhe sot nuk ka drejtësi.

Lubonja: “Situata po ta krahasosh nga ajo që ju e quajtët maratona e konfliktualitetit që shoqëroi aprovimin e Kushtetutës ndryshon në disa aspekte. Njëri ndryshim kryesor është fakti se LSI e shikojmë nën bashkëpunim me PS. Ndërkohë tensionin aty e rriste shumë edhe fakti që ishte LSI kundër për shumë gjëra.Ishte për konsensusin, tani nuk është. Ka një prirje mazhoranca për ta marrë këtë gjë. Kjo e bën më të mpirë situatën.Opozita e vetme duket më e pafuqishme, nuk ka zë.Mendoj se mund të kalojë siç kalojnë kullat e Ramës, pavarësisht se ka dhë zëra që e kundërshtojnë.Vettingu do kalojë.Edhe Ambasadorët janë të lodhur dhe duan të kalojnë. I kanë hyp këtij kali dhe duhet ta çojnë deri në fund. Pavarëisht se ne jemi bnjë pjesë që themi, prit njëherë, kujdes, shikoni Kosovën. Kosova ka 7 vjet që u ka bërë vetting të gjithë gjyqtarëve, se këtu nuk i referohet njeri. Ka pasur EULEX. Dhe sot thonë se nuk kemi sistem të drejtësisë, banditët që janë në pushtet vahzdojnë të qetë, askush nuk i trazon. Ndërsa këtu na japin ilizuone se me vettingun do të pastrohet Shqipëria”.

Lubonja është kritik edhe lidhur me rolin e ndërkombëtarëve.

Lubonja: “Ka 25 vjet që i kemi ndërkombëtarët këtu, unë i shikoj gjithnjë me zhgënjim.Nuk ka vend në Ballkan që të dalë Ambasadori amerikan të jetë protagonist i politikave të bvrendshme. Kjo është situata që kemi ndërtuar ne. Lu po bën lojën e vet në kuptimin që ndoshta mendon për mirë, ndoshta ka marrë ndonjë porosi nga lobingjet e Uashingtonit.Ne e kemi të qartë se nuk mjaftion një vetting për të pastruar këtë hale kaq të madhe, duhen ujëra më të fuqishme.Ambasadorët jetojnë mirë këtu, nuk kanë ndonjë problem.Jetojnë në tip vilash, i kanë të gjitha të mirat, janë të rrethuar, i miklojnë dhe këta gazetarët. Tjetër është lodhja jonë, mërzia jonë, tjetër është jeta e tyre. Marrin rroga nga 10-20 mijë euro. Ata punojnë për Shqipërinë dhe ne për Shqipërinë. Ne rropatemi, ata marrin 15 mijë euro. Se kanë idenë se ç’bëhet këtu. E njohin shumë më pak Shqipërinë. Por këtu jemi në vendin e çudirave”.

PDK emëron zëvendësuesin e Grabovcit

0

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që deputeti Zenun Pajaziti të marrë detyrën e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Pajaziti në këtë detyrë do të zëvendësojë Adem Grabovcin, i cili ka dhënë dorëheqje rreth dy javë më parë pas publikimit të përgjimeve telefonike në kuadër të Dosjes së Shefave.

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur sot për të diskutuar situatën aktuale në vend. Takimi i tyre vjen vetëm dy ditë para se marrëveshja e demarkacionit të votohet në Kuvendin e Kosovës.