20.2 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025
Home Blog Page 6293

Gjuha e gjarpnit

0

IMER MUSHKOLAJ

Isa Mustafa vazhdon të helmojë e ofendojë me gjuhë prej gjarpni. Por, në vend se t’i krahasojë me kafshë gratë që, sipas tij, “i kanë kullotë” fondet e huaja, ai është mirë të sqarojë qytetarët se si ende dikush po vazhdon ta mjelë Fondin e Trepërqindëshit, për të cilin ai ka qenë përgjegjës

Pak ditë pasi Hashim Thaçi ofendoi mijëra kosovarë që protestuan më 17 shkurt në Prishtinë, duke i krahasuar me kafshët që ikin me bisht ndër shalë, Isa Mustafa zgjodhi t’i ofendojë rëndë gratë – respektivisht “disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”, siç shkroi të shtunën në një postim në Facebook.

Në këtë mënyrë, ai i krahasoi gratë me kafshë që kullotin. Por, nuk është hera e parë që Mustafa ofendon të tjerët duke i krahasuar me kafshë. Para pak muajsh, ai e krahasoi deputetin Albin Kurti me gomar. Ndërkaq, fondet që i marrin nga jashtë ua pat përmendur edhe disa analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, por pa ofruar asnjë fakt.

Që nga koha kur pati mbyllur Facebook’un, kosovarët qenë kursyer nga kjo gjuhë neveritëse dhe e pështirë e kryeministrit, por duket se ai nuk mund të durohet pa i ofenduar të gjithë ata që nuk e pëlqejnë ose e kritikojnë.

Inatçi e arrogant sa s’ka, ai në këtë mënyrë vetëm sa po shpërfaq logjikën e tij të qeverisjes në një situatë ku i irriton të gjithë me sjelljet dhe veprimet e veta.

Pak ditë më parë, ai foli edhe për njerëz që “ulërasin serbisht”. “Nuk mund të rrisim mirëqenien e qytetarëve dhe të ulërasim serbisht nëpër sheshet tona dhe të gjuajmë gurë. Asociacionit nuk duhet thënë Zajednicë për të ngjallë ndjenja nacionaliste”, deklaroi Mustafa.

Hipokrizi shkruar hipokrizie. Se Asociacionit nuk u dashka thënë Zajednicë po na tregon hiç më pak se ai, i cili vetë e ka nënshkruar si të tillë marrëveshjen me Aleksandar Vucicin në Bruksel. Ai vetë ka pranuar ta nënshkruajë termin Zajednicë për Asociacion dhe tash na shet folkolorizëm e dokrra që nuk iu beson kush. Ndërkaq nuk merret asnjëherë me zyrtarë serbë të qeverisë që udhëheq, të cilët në çdo paraqitje Kosovës ia shtojnë edhe fjalën Metohi. Se me çfarë kriteresh vlerëson akademiku, mbase veç ai e di.

* * *

Isa Mustafa është shef dhe partner politik i Hashim Thaçit, i cili gjatë luftës është njohur me nofkën “Gjarpri”. Por kjo nuk do të duhej ta trimërojë atë që të përdorë gjuhë prej gjarpni në paraqitjet e veta publike, gjuhë që helmon dhe ofendon qytetarë të Kosovës.

Isa Mustafa është edhe akademik, por diskursi i tij publik mund të krahasohet me një diskurs komunikimi të rrugës. Ai nuk e ka hiç dert çfarë nxjerr nga goja, e mandej kur përballet me reagime të qytetarëve, përpiqet ta përmirësojë gjuhën ofenduese, siç ndodhi me përmirësimin e postimit në Facebook, në të cilin ofendonte gratë. Gratë që po kullotkan fonde të huaja.

Por, në çfarë momenti Mustafa po na flet për kullotje fondesh? Në momentik kur është riaktualizuar çështja e Fondit të Trepërqindëshit.

Insajderi.com ka raportuar për transaksione të dyshimta nga llogaritë e këtij fondi deri në vitin 2012, nga i cili janë tërhequr qindra mijëra euro. Mustafa, si ish-shef i këtij fondi, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë. Madje, në vend se te jep përgjegjësi, ai ka zgjedhur të përmend fonde të tjera fiktive që po i kullotka dikush. Ndërkohë që qytetarëve iu është thënë se Fondi i Trepërqindëshit nuk është më aktiv, na del se dikush po vazhdon ta mjelë rrastë atë.

* * *

Të zgjedhësh për të folur për mirëqenien e qytetarëve, ndërkohë që një pjesë të tyre i ofendon me gjuhë prej gjarpni është e padenjë dhe e pandershme. Siç është e padenjë për një kryetar të LDK’së dhe një kryeministër që të provojë të bëhet më Hashim Thaç se vetë Hashim Thaçi. Brenda Isës çdo ditë e më shumë na shfaqet një Hashim i vogël. Ndërkohë që vazhdon të na flasë për frymën rugoviane dhe thirret në ato që LDK i quan vlera rugoviane.

Se për çfarë fryme e vlerash rugoviane flet, mund ta dijë veç ai. Por, nuk është kurrfarë vlere as morali të veprohet siç ka vepruar Mustafa. T’i fitojë votat e elektoratit të LDK’së me premtimin se kurrë nuk do të qeverisë me Hashim Thaçin, e t’i gjuhet në krahë atij. Të ofendojë opozitë, shoqëri civile, gazetarë e opinionistë, e të mos e ndjejë as më të voglën keqardhje.

Të qeverisë me arrogancë e papërgjegjësi, e të mos iu përgjigjet shqetësimeve të dhjetëra-mijëra qytetarëve në sheshet e Prishtinës. Për më tepër, të trimërohet e të mos ndihet keq të paktën, teksa partneri i tij Hashim Thaçi kërcënon po këta qytetarë, duke iu thënë se i kanë pritur për t’ua dhënë përgjigjen e merituar.

Për ta ruajtur sadopak Isa Mustafën nga zhytja edhe më e thellë në diskursin e tij ofendues, dikush duhet t’ia heq kabllën e kompjuterit nga rryma. E shpëton edhe atë, por i kursen edhe qytetarët nga gjuha e gjarpnit e një kryeministri linçues e përjashtues./Gazeta Express/

Shfajësohet Kushtrim Dakaj

0

Gjykatës Themelore në Prishtinë e ka shfajësuar të pandehurin Kushtrim Dakaj nga veprat penale ,Sulmi i Personave të Mbrojtur Ndërkombëtarisht dhe Dëmtimit të Pasurisë së Luajtshme.

Trupi gjykues konsideroi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta dëshmuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri e ka kryer ndonjërën vepër penale.

” Veprat penale ndërlidhen me sulmin ndaj një konvoji të automjeteve zyrtare nga Beogradi që po e vizitonin Kosovën më 4 prill të vitit 2012.

Në një njoftim të Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se rupi gjykues ishte i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar vendor

Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar nga Prokurira Speciale e Kosovës.

Poashtu kjo gjykatë bën të ditur se aktgjykimi i plotë i arsyetuar do t’iu dorëzohet brenda tridhjetë ditësh si dhe prokurori e ka të drejtën që të ankohet ndaj këtij vendimi.

Kushtrim Dakaj është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosjes në Prizren.

Vataj priti një delegacion nga Universiteti i Anadollit

0

Një delegacion nga Universiteti i Anadollit në Eskishehir të Turqisë, i kryesuar nga Prof. Dr. Adnan Ozlan, Prorektor në këtë universitet, të hënën kanë vizituar Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku janë pritur nga Rektori Prof. Dr. Ramë Vataj, Prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Dr. Sc. Sadik Idrizi, Koordinatori i programit në gjuhën turke, Dr. Sc. Soner Yaldirim dhe anëtarja e Këshillit Drejtues të UPZ-së, Dr. Sc. Mynaver Mujo.

Në takim ishte edhe koordinatorja Universitetit të Anadollit në Kosovë, Eser Spahi Kovaq.

Në takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes të dy universiteteve konkretisht për mundësinë e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve dhe realizimit të programeve të përbashkëta studimore.

Rektori Vataj i falënderoj për vizitën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar me UPZ-së. Ai shprehi mirënjohjen për vlerësimin e kuadrove të UPZ-së dhe llogaritjen për të mbajtur ligjërata në Universitetin e Anadollit.

Prorektori i Universitetit të Anadollit, Prof. Dr. Adnan Ozlan, Prorektor theksoi se ata janë të gatshëm që të mbështesin UPZ-në në të gjitha aspektet.

Mbet që në të ardhmen të mbahet takime të tjera ku do të konkretizohen gjërat në mënyrë që të fillojë bashkëpunimi.

Ekipi i filmit Shok, niset për Los Angeles

0

Ekipi i filmit “Shok” ka udhëtuar të hënën drejt Los Angeles-it, ku pritet që pas disa ditësh të bëhet ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar.raporton Prive.al

Ky projekt filmik me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë.  Ndërsa xhirimet janë realizuar në Shalë të Bajgores, gjatë muajit nëntor të vitit 2014.

Ideja e këtij filmi është periudha e luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë.

Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film luajnë aktorët si: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Me 28 shkurt, bëhet ndarja e çmimeve Oscar, ku filmi “shok” është i nominuar në kategorinë e filmave më të mirë të metrazhit të shkurtër.

Zafir Berisha: Nëse e shohim të arsyeshme, protestojmë para 27 shkurtit

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se nëse opozita e sheh të arsyeshme që duhet të mblidhet para datës së paralajmëruar, gjegjësisht para 27 shkurtit, atëherë do ta bëjnë një gjë të tillë.

Kjo pasi që, ditët e fundit, u publikua lajmi se Hashim Thaçi pritet të zgjidhet president i vendit këtë të enjte, ndonëse seanca akoma nuk është thirrur zyrtarisht.

“Edhe pse është paralajmëruar protesta për datën 27, nuk nënkupton se nëse e shohim të arsyshme nuk tubohemi edhe më herët. Por meqë s’ka ende mbledhje të caktuar për senacë, nuk mund të themi diçka konkretisht për veprime, po një gjë dihet: zgjedhja e Thaçit është ofendimi i radhës që i bëhet Kosovës”, ka deklaruar ai në një prononcim për Gazetën Blic.

Megjithëkë, ai ka thënë se partitë opozitare nuk e kanë synimin që të organizojnë protesta të mëdha, siç ishte ajo e 9 janarit dhe e 17 shkurtit.

“Nuk e kemi në plan që të bëjmë protesta të tipit të 9 janarit dhe 17 shkurtit, sepse masoviteti në këto protesta e ka dhënë mesazhin e vet për atë që kanë sy dhe vesh. Injorantët e kolicjonit “Zajedincë”, nuk reflekton edhe nëse krejt Kosova del në shesh”, ka shtuar tutje Berisha.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, më pas, ka thënë se duhet të jepet sqarim për përdorimin e forcave ndaj deputetëve të opozitës gjatë seancës së kaluar.

Ndryshe, opozita disa herë ka paralajmëruar prerë se do të vazhdojë me bllokimin e seancave dhe se nuk do ta lejojë assesi që Hashim Thaçi ta marrë postin e të parit të shtetit./GazetaBlic/

Policia arreston dy aktivistë të Vetëvendosjes

0

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se Policia e Kosovës ka ndaluar sot dy aktivistës e saj Kastriot Gërbeshin dhe Januz Shatrin, të cilët më pas i arrestoi pa asnjë arsyetim.

Sipas Vetëvendosjes, kjo është një fushatë persekutimesh politike që të kujton kohën e regjimit jugosllav.

“Opozitarët, veçanërisht Lëvizja VETËVENDOSJE!, po trajtohen si cak i abuzimit policor. Arsyeja pse po ndodh kjo është për shkak të dëshirës të pangopur të Hashim Thaçit për t’u bërë President dhe për shkak të mospranimit të zgjedhjeve të parakohshme si zgjidhje për ngërçin politik që e ka prodhuar veprimtaria antikushtetuese e Qeverisë Mustafa-Thaçi”, thuhet në njoftim për media të kësaj lëvizjeje.

Këta të fundit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të aktivistëve.

Aksident në Sopijë të Suharekës

0

Tri vetura me targa vendore me drejtues dy meshkuj dhe një femër janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti në fshatin Sopijë të Suharekës, raporton PrizrenPress.

Policia e Kosovës njofton se aksidenti ka ndodhur për shkak të vozitjes së pakujdesshme nga ana e drejtuesit të njërës nga veturat e involvuara.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një mashkull – pasagjer në njërën nga veturat e përfshira në aksident. I lënduari pas pranimit të ndihmës mjekësore është liruar. /PrizrenPress.com/

Fundi i diktatorëve!

0

Nga Faik Krasniqi

Ky pushtet i udhëhequr nga dyshja mafioze dhe kriminale, Mustafa-Thaçi, ka kohë që e kanë humbur legjitimitetin e popullit për të qeverisur. Kjo dyshe mashtruese dhe arrogante, shkeljen e Kushtetutës, mashtrimeve dhe gënjeshtrave, dhe me gjithë dështimet e njëpasnjëshme, nuk janë duke e marrë seriozisht indinjatën masive të popullit të gënjyer dhe mashtruar skajshmërisht. Por kështu është fundi i çdo diktatori dhe diktature. Ju kujtohet kur shpërtheu revolucioni i Libisë, diktatori libian Gaddafi kërkoi prej forcave të tij t‘i zënë ata që ai i quajti minj. Ai dha urdhër të prerë: “Tërhiqni ata, pastroni rrugët prej tyre!” Pastaj përsëriti shprehjen e tij të njohur: “shtëpi – shtëpi, rrugë- rrugë, skutë- skutë, sokak – sokak”, duke përdorur edhe një shprehje të papërdorur arabe “zenga-zenga”, e cila nga revolucionarët u kthye në një hit të llojit të vet. Por, ky ishte vetë fundi i diktatorit, i cili për më shumë se 42 vjet e sundoi vendin e vet me zjarr e hekur. Me këto metoda diktatoriale janë duke vepruar edhe këta diktatorët tanë në pushtet, me popullin e saj dhe opozitën. Dhe fundin do ta kenë me një rënie të turpshme nga pushteti, siç kanë rënë edhe diktatorët më të tmerrshëm që ka njohur historia. Prandaj, sa më këmbëngulës të jenë që nuk do të dorëhiqen, sikurse diktatori sirian Bashar Al Asadi, pavarësisht se kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur, aq më dhimbshëm do të largohen nga pushteti.

Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme

Por shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjë opozita që t’i japë fund më shpejt kësaj Qeverie kriminelësh dhe oligarkësh? Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme, derisa ky pushtet kriminal dhe mafioz, të lëshojë pe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Por, përveç organizimit të protestave për largimin nga pushteti këtë pushtet mafioz dhe kriminal, opozita duhet urgjentisht të bëjë edhe një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet, për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe si të ecim përpara. Sepse këtij populli i ka humbur besimi nga institucionet dhe duhet me vepra që t’i kthehet besimi i humbur. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme, partitë opozitare dhe ato jashtëparlamentare, duhet të bëhen të gjitha bashkë, por duke përfshirë në atë listë gjysmën e kandidatëve nga shoqëria civile, mediet dhe personalitete të pavarura dhe të respektuara në opinion. Me këtë listë të përbashkët jo vetëm që pushteti do jetë i garantuar, por kjo listë do të shënonte fitore të thellë karshi këtij pushteti mafioz dhe të kriminalizuar, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin dhe degraduan këtij shteti.

Opozita e përbashkuar

Nëse opozita vepron në këtë mënyrë, në zgjedhjet qytetarët e Kosovës këtë kastë politike kriminale dhe mafioze, të cilët janë shndërruar në kancerin jo vetëm të shtetit, por të çdo qytetarit, me votën e tyre do ta ndëshkonin shumë keq. Këtë gjë përfaqësuesit e opozitës duhet ta mendojnë mirë, që është momenti i fundit për t’u bërë bashkë të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi dhe duan t’i largojnë këta qelbësira nga pushteti. Opozita duhet t’i kontaktojë personalisht të gjithë personalitetet e pavarura dhe të respektuara, nga mediet, shoqëria civile dhe bota akademike, që janë kundërshtarët e mafio-politikës në pushtet, për t’iu bashkuar kauzës për parandalimin e degradimit, shkatërrimit dhe zhbërjes së shtetit.

Protestuesit godasin me vezë dhe domate objektin e bashkisë

0

Partia Demokratike ka nisur protestën e paralajmëruar para godinës së bashkisë së Tiranës.

Qytetarët janë mbledhur në rrugën kryesore përballë bashkisë, në sheshin “Skënderbe”.

Ata kundërshtojnë projektin e bashkisë së Tiranës për parkun e Liqenit, ku do të ndërtohet këndi i lojërave për fëmijë, mjaft i debatuar.

Protestuesit kanë qëlluar me vezë e domatë godinën, teksa para hyrjes së bashkisë është vendosur një kordon policësh, raporton Top Channel.

Komunat fqinje të Prizrenit nuk po i publikojnë Raportet e Auditorit

0

Raportet e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të vitit 2014 janë publikuar nga vetëm dy komuna fqinje të Prizrenit në ueb faqet e tyre zyrtare, derisa katër komunat tjera nuk i kanë prezantuar ato deri më tani.

Komuna e Suharekës dhe Komuna e Rahovecit janë të vetmet që kanë krijuar mundësinë për vizitorët e ueb faqeve zyrtare të tyre që të njihen me përmbajtjen e plotë të Raportit përkatës të Auditorit. Ndërsa Raporti i Auditorit nuk figuron në ueb faqet e komunave të Dragashit, Malishevës dhe Mamushës. Komuna e Shtërpcës në anën tjetër ka të publikuara raporte të viteve paraprake të Auditorit, por jo edhe atë për vitin 2014.

Raportet e nxjerra nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, siç thuhet edhe në hyrjet e Raporteve të Auditimit, “promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien pasi ato ofrojnë bazë për t’i kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore”. Në këtë rast, Raportet e Auditimit, ofrojnë bazë për të kërkuar llogari nga kryetarët e komunave përkatëse për mënyrën e qeverisjes së parasë dhe pasurisë publike, si dhe për të parë nëse shpenzimi i fondeve publike është në përputhje me interesin e taksapaguesve.

EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se Raportet e Auditimit për këto komuna janë të publikuara dhe të qasshme për të gjithë në ueb faqen e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Megjithëkëtë publikimi i tyre edhe në ueb faqet e komunave do të dëshmonte një përkushtim të vet lidershipit komunal për llogaridhënie dhe transparencë në menaxhimin e fondeve publike.

Po ashtu konsideron se informimi i publikut për praktikat e mira por edhe të metat e komunave në menaxhimin e financave publike paraqet një tregues të rëndësishëm për nivelin e transparencës së tyre.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, EC Ma Ndryshe rekomandon komunat fqinje të Prizrenit që Raportet e Auditorit të Përgjithshëm t’i publikojnë në ueb faqet e tyre në vazhdimësi, sikurse që të nisin edhe praktikën e hartimit dhe publikimit të raporteve periodike mbi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve të adresuara nga Auditori i Përgjithshëm. /PrizrenPress.com/