Home Blog Page 6299

Lamtumirë Etrit

0

Simone Inzaghi, trajneri i Lazios, nuk e ka ftuar fare në ekip Etrit Berishën për ndeshjen ndaj Juventusit, e cila luhet në kuadër të xhiros së dytë të Serie A.

Etrit Berisha ndodhet pranë largimit nga klubi i Lazios. Ai nuk është ftuar fare në ekip nga trajneri, Simone Inzaghi për ndeshjen ndaj Juventusit, e cila luhet sot nga ora 18:00.

Tre portierët e thirrur nga trajneri janë Federico Marchetti, Thomas Strakosha dhe Vargiç.

Vendin e Berishës duket se e ka zënë i riu Strakosha, pasi edhe në ndeshjet e kaluara gardiani i kuqezinjve nuk ka pasur rolin e titullarit në formacion.

Kështu, Berisha gjatë këtij muaji pritet të bëhet me skuadër të re. Ai ka zgjuar interesimin e disa ekipeve, në mesin e tyre është edhe Palermo.

Mbi 8 mijë maturantë i nënshtrohen sot Testit të Maturës

0

Mbi 8,500 maturantë, të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e qershorit në Provimin e Maturës Shtetërore, do t’i nënshtrohen pjesës së parë të Provimit në afatin e gushtit.

Kjo është e bërë e ditur në një njoftim për media nga MASHT, ku bëhet e ditur se ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, do t’i vizitojë nxënësit që i nënshtrohen këtij provimi në shkollën “Gjin Gazulli” në Prishtinë në ora 10:30.

Thaçi: Sulmet me bomba prekin vijën e kuqe të terrorizmit

0

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur se Demarkacioni me Malin e Zi është bërë pa gabime dhe duhet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator.

Thaçi e quan të pakuptimtë dhunën dhe rreshtimin e opozitës kundër marrëveshjeve, ndërsa sulmet e fundit me bomba, sipas tij, “prekin vijat e kuqe të terrorizmit”

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi nuk ka asnjë arsye të shtyhet më, por duhet të miratohet më 1 shtator, në mënyrë që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave dhe formimit të FAK-ut. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në intervistën e parë dhënën gazetës “Zëri”.

Mosratifikimin e marrëveshjes brenda një viti Thaçi nuk e quan papjekuri politike, por nevojë për shoshitjen e të gjitha modaliteteve dhe argumenteve lidhur me kufirin. Përveç opozitës e cila po aplikon dhunë, ratifikimin, sipas presidentit, po e kërkojnë të gjithë në Kosovë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar.

“Është për keqardhje që kjo dhunë ka vazhduar edhe pas apeleve të qarta, të ardhura nga përfaqësues politikë në Kosovë, nga përfaqësues të shoqërisë civile, të medieve dhe akademikëve; por edhe pas apeleve të qarta të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thotë Thaçi.

Është edhe më shqetësuese se në Kosovë, në muajin e fundit, sipas tij, ka dhunë të paparë ndonjëherë qëkur jemi shtet.

“Po t’i shohim definicionet nëpër fjalorë dhe enciklopedi, këto sulme mund të thuhet pa ekuivok se prekin vijën e kuqe të terrorizmit. Edhe këtu besoj që ekziston një konsensus i plotë në Kosovë. Nuk duam dhunë”, thotë ai.

Presidenti Thaçi foli edhe për skandalin e përgjimeve “Pronto” dhe për kërkesën e ndërkombëtarëve për ta luftuar korrupsionin. Ai inkurajoi drejtësinë që të merret me të gjitha rastet “pa presion”.

Thaçi foli edhe për raportet me opozitën, por edhe për protestën e 1 shtatorit, të organizuar nga “Vetëvendosja”.

“Pretendimet e opozitës janë kauzë e rreme dhe përpjekje për mashtrim të opinionit”, tha ai.

Shefi i shefave tash ka punë me drejtësinë

0

Krerët më të lartë të shtetit dhe strukturat politike të gjertanishme që kanë qeverisur vendin, por edhe organet e drejtë- sisë, në përgjithësi, kanë dëshmuar e treguar në vazhdimësi se nuk kanë qenë asnjëherë të interesuara dhe të gatshme për të zhvilluar një proces në mënyrë të rregullt, transparent e të drejtë sa i përket kategorisë të të ashtuquajturve njerëzve me ndikim të madh dhe të pushtetshëm, që janë të implikuar në krim të organizuar e vepra të tjera penale. Së këndejmi, edhe vendimi i djeshëm i Prokurorisë së Shtetit për nisjen e hetimeve ndaj Adem Grabovcit, i cili është përfshirë së fundmi në një aferë tjetër ‘Pronto’ e që shpërfaqi skandalin më të madh të njohur publikisht, po shihet si i vonuar, i mangët, por jo edhe shpresëdhënës.

Kjo ngase, sipas tyre, punësimet e paligjshme të bëra nga partitë politike në Kosovë janë të shumta, ku bëhet fjalë për një rrjet të gjerë të njerëzve që merren me punësim partiak e që janë përfshirë edhe partitë e tjera dhe jo vetëm PDK-ja. Por, pavarësisht kësaj, është shtruar pyetja se a do të fillojnë njerëzit e drejtë- sisë që të prekin edhe të pushtetshmit, dhe a duhet të ketë një proces më të gjerë e gjithëpërfshirës hetimi për punësimet e kundërligjshme në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike në vend?

Pista hetimore e organit të akuzës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës Adem Grabovci, për “shpërdorim të detyrës dhe ndikim mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike”. Në një kumtesë të Prokurorisë Speciale thuhet se “Adem Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave”.

Prokuroria Speciale thotë se me veprimet e tij “Grabovci, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë të vendit për punësim… dhe ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve të tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj”. Vendimi i Prokurorisë Speciale pason publikimin në mediat lokale të bisedave të përgjuara telefonike të ishshefit të Grupit Parlamentar të PDKsë, Adem Grabovci, në të cilat qenë përfshirë, veç të tjerash, edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Bisedat e përgjuara përfshijnë periudhën e fundvitit 2011 në rastin e Ministrisë së Transporteve, që po e hetonte misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX..

Tradhtia kombëtare dënohet me burgim të përjetshëm

0

Ekspertët e politikës dhe drejtësisë, por edhe deputetë të opozitës ua kanë tërhequr vërejtjen krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga kryetari Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa se janë ata që në një të ardhme shumë të afërt do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, në rast se Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ratifikohet nga ana e Kuvendit të Kosovës gjatë muajit shtator.

Sipas ekspertëve juridikë për këtë çështje, Kodi Penal i Kosovës është i qartë, sepse neni 124 flet në mënyrë precize ndaj asaj se çfarë mund të konsiderohen akt i tradhtisë, ku te pika 2 thuhet si në vijim: “Kushdo që në cilësinë e Presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohen me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm, procedura është qartë e bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës për dyshimet eventuale për tradhti”.

Humbja e territorit me pasoja të rënda

Deputeti i opozitës, Enver Hoti, është shumë i bindur se nëse Kuvendi i Kosovës e miraton ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe për këtë qoftë nga spektri politik opozitar, apo shoqëria civile apo mbase edhe nga banorët e anës së Dukagjinit, që janë në brezin kufitar me malazezët, kryetari i vendit Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa do të mund të akuzohen për tradhti kombëtare, për shkak të mbështetjes së Marrëveshjes së dëmshme për Demarkacionin skandaloz të kufirit me Malin e Zi.

Sipas Hotit, janë pikërisht këta dy liderë që po e shkelin Nenin 124, që flet për atë se çfarë mund të konsiderohet tradhti, e ku bëjnë pjesë edhe marrëveshjet ndërkombëtare për territorin e vendit me çka apriori ata po kontribuojnë që një pjesë e territorit të Kosovës prej më shumë se 8 mijë hektarësh të kalojnë nën sovranitetin e një shteti tjetër, në këtë rast të malazezëve.

Edhe analisti politik, Nexhmedin Spahiu, tha për “Kosova Sot” se “pa mëdyshje që Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa mund të akuzohen për tradhti kombëtare për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ndaj ata duhet që të kenë frikë “.

Por, analisti Spahiu tha se natyrisht se kjo nuk do të ndodhë, përderisa ata janë në pushtet, por kur të bien prej pushtetit, ata rrezikojnë që të përballen me këto akuza të tradhtisë. “Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet që ta dinë se gjithmonë ata nuk do të jenë në pushtet, sepse as Tito as Enveri e as Sulltan Sulejmani nuk ka qëndruar gjithnjë në pushtet”, theksoi ai.

Prokuroria nuk e përjashton mundësinë për hetime ndaj Thaçit e Veselit

0

Adem Grabovci mund të mos mbetet protagonisti i vetëm i Dosjes së Shefave ndaj të cilit Prokuroria e Shtetit ka nisur hetime.

Kështu ka paralajmëruar prokurorja Drita Hajdari, e cila ka thënë se nëse gjatë hetimeve për përgjimet zbulohet “diçka e dyshimtë ose elemente të veprës penale, ne nuk do të hezitojmë.”

Në këtë kontekst, hetimet mund të nisin edhe ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së të cilët dëgjohen në një numër përgjimesh telefonik të bëra publike nga Insajderi.

“Do të ngritim hetime ndaj çdo zyrtari duke përfshirë edhe ata në poste të larta të Qeverisë së Kosovës. Nuk do të bëjmë përjashtim për askënd, sepse e kemi vullnetin dhe mbështetjen për t’i quar përpara hetimet. Ekipi i prokurorëve sot kemi nxjerrë një aktvendim për fillimin hetimeve në bazë të provave fillestare me të cilat disponojmë ndaj Adem Grabovcit. Tani do të shohim se ku dhe te kush do të na qojnë hetimet”, ka Hajdari për portalin Indeksonline.

26 ditë pas nisjes së publikimit të përgjimeve nga Insajderi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime ndaj nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabovcit. Ai dyshohet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare gjatë viteve 2011-2012.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.

Prokurorja Hajdari ka thënë po ashtu se edhe personat të cilët dëshmohet përmes përgjimeve se janë punësuar në institucione publike të vendit me ndihmën e PDK-së do të hetohen.

“Do të na nevojitet pak kohë për ti identifikuar personat dhe se a janë realizuar ato premtime për punësim, pastaj pas gjetjes së dyshimit të bazuar edhe ndaj tyre do të hapim raste”, ka thënë ajo për Indeksonline.

Talenti prizrenas Celina prezantohet te Twente

0

Bersant Celina është prezantuar sot te skuadra e tij e re, Twente, ku do të qëndrojë i huazuar për një vit

Twente ka arritur marrëveshje me Manchester City për huazimin e sulmuesit nga kosovar, Bersant Celina.

Talenti 19-vjeçar, i cili do ta përfaqësojë Kombëtares e Kosovës në ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin “Rusia 2018”, ndaj Finlandës më 5 shtator, do të paguhet afro 12.000 funte në javë.

Ai pritet të kthehet te Manchester City pas një viti.

Inter transferon dy superlojtarë

0

Dy goditje të mëdha brenda pak orëve.

Interi duket se po tejkalon çdo parashikim, duke arritur të afrojë dy emra shumë të lakuar në merkaton e futbllit europian.

Braziliani Gabigol dhe portugezi Joao Mario mbërritën në Milano ku do të veshin zyrtarisht fanellën e skuadrës zikaltër edhe pse gjatë orëve të ardhshme do të zbardhen shumë detaje në lidhje me kontratat e tyre.

Rreth 70 milionë Euro, kjo është shuma që do të paguajë shoqëria italiane për të fituar shërbimet e dy lojtarëve, një sinjal i rëndësishëm ky se në “Apiano Gentile” ujërat po lëvizin pas transferimit të aksioneve në duart e kinezëve që kanë vendosur të investojnë shuma të rëndësishme për të rikthyer lavdinë e dikurshme.

Sakrifica për trup

0

Aktorja 24-vjeçare Lucy Mecklenburgh i ka bërë të gjithë për vete në plazhet e bukura të Majorkës në Spanjë me trupin e saj të palestruar.

Ylli i serialit “The only way is essex” dukej fenomelane ndërsa mbante veshur bikini të kuqe. Ajo njihet si një vajzë që kujdes shumë për trupin e saj; frekuenton rregullisht palestrën.

Bukuroshja brune, kohë më parë, botoi edhe një libër se si të mbash trupin në formë. Natyrisht që të japësh këshilla për një trup perfekt duhet të kesh një të tillë, dhe Lucy e ka treguar më së miri këtë në Majorka.

Një Ushtri Europiane

0

Liderët e Republikës Çeke dhe të Hungarisë thonë se një ushtri e përbashkët europiane është e nevojshme për të forcuar sigurinë në BE.

Deklaratat u bënë në prag të bisedimeve në Varshavë me kancelaren gjermane Angela Merkel. Ata nuk e pëlqyen mirëseardhjen e saj për migrantët myslimanë nga jashtë BE-së.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se “duhet t’i japim përparësi sigurisë, prandaj le të fillojmë të ndërtojmë një ushtri të përbashkët Evropiane”.

Qeveria e Britanisë së Madhe e ka kundërshtuar fuqishëm një lëvizje të tillë jashtë hapësirës së NATO-s.

Liderët e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë po bashkërendojnë politikat e tyre të jashtme si “Grupi i Vishegradit”.

Kryeministri cek, Bohuslav Sobotka, tha se krijimi i një ushtrie të përbashkët Evropiane mund të mos jetë i lehtë por bëri thirrje për diskutime që të fillojë një gjë e tillë.

BE-ja ka kapacitete të përbashkëta të mbrojtjes në formën e 1500 trupave luftarake, por ato nuk janë testuar për luftime ende, njofton BBC. .

Vitin e kaluar, President i Komisionit Evropian, Jean Claud Juncker, bëri thirrje për krijimin e një ushtrie Evropiane, për t’i dhënë BE-së muskuj në përballje me kërcënimet nga Rusia dhe gjithandej.

Sllovakia do të jetë mikpritëse e një samiti joformal të BE-së më 16 shtator për të vlerësuar të ardhmen e BE-së pa Britaninë e Madhe.

Asnjë ministër britanik nuk do të marrë pjesë, meqë qeveria konservatore po përgatit terrenin për Brexit, në përputhje me votën e 23 qershorit për të dal nga blloku i 28 vendeve.

“Brexit nuk është vetëm një ngjarje si çdo tjetër – është pikë kthese në historinë e BE-së dhe ne prandaj duhet të formësojmë një përgjigje të kujdesshme”, tha Merkel.