22.5 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025
Home Blog Page 6319

Grabovci: Votat e sigurta për president

0

Hashim Thaçi duket se ende nuk e di nëse tetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës do ta festojë si president apo do të presë që kjo festë të kryhet, në mënyrë që ai të votohet në Kuvend për të parin e Shtetit. Sipas zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit mund të bëhet nesër ose pasnesër, por kjo mund të bëhet edhe pas shënimit të tetëvjetorit të Pavarësisë.

Për nënkryetarin e PDK-së, Adem Grabovci, shefi i tij në parti do të jetë president brenda muajit shkurt.

“Ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat, mirëpo e drejta e deputetëve, 40 deputetë, nëse ata shprehin dëshirën dhe janë insistues ata kanë të drejtë në çdo kohë të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që do të mblidhet seanca para ose prapa 17 shkurtit. Por ajo që është shumë me rëndësi është se president do të kemi në përputhje me të gjitha afatet ligjore. Pra, deri në fund të muajit shkurt do ta kemi presidentin e ri”, ka thënë Grabovci në një bisedë për “Zërin”.

Por, edhe pse partnerët e koalicionit ende s’e kanë përcaktuar ditën kur do të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit, Grabovci thotë se për ta shumë më e rëndësishme është që zgjedhja e presidentit të bëhet në përputhje me Kushtetutën, të gjitha ligjet dhe duke respektuar të gjitha procedurat dhe këshillat e marra nga partnerët ndërkombëtarë.

“Gjithsesi, duke respektuar edhe këshillat, edhe sugjerimet e partnerëve tanë të cilët sugjerojnë që të kemi qetësi, të ketë një transparencë të plotë dhe thjesht zgjedhja e presidentit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe kështu edhe do të ndodhë”, ka thënë Grabovci, i cili thekson se janë të interesuar dhe do t’i respektojnë afatet, por nuk do të lejojnë që të kenë ndonjë vakum institucional.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka folur edhe për respektimin e marrëveshjes me partnerët në koalicion, duke thënë se do ta respektojnë edhe më tutje ashtu siç e kanë respektuar deri më tani./Zëri

Mustafa: Marrëdhëniet me Serbinë janë shtetërore, jo partiake

0

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se lufta politike me ngjyrim partiak nuk bën të bëhet rreth marrëdhënieve me Serbinë.

Ai në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë janë shtetërore, jo partiake.

“Kuvendi është organi suprem për të thirrur debat, i cili mund të zhvillohet edhe në forma të tjera, por përjashtimi i Kuvendit nga ky debat është non sens, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për stabilitetin e vendit”, ka thënë Mustafa.

Grushti i fundit për Qeverinë e korruptuar

0

Protesta e 17 shkurtit pritet të jetë më masive se ajo e 9 janarit

Opozita e bashkuar po numëron ditët e fundit për mobilizimin gjithë qytetar, për të festuar me protestë popullore 17 shkurtin, 8-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, në kërkim të dorëheqjes së kësaj Qeverie, që po rrezikon vendin me qeverisje të keqe, krim të organizuar dhe korrupsion, si dhe me marrëveshjet kundërkushtetuese në dëm të sovranitetit dhe integritetit të këtij shteti të ri.

Analistët politikë besojnë se është shumë e pritshme dhe e besueshme që protesta e 17 shkurtit të jetë grushti i fundit ndaj kësaj Qeverie të korruptuar e të kriminalizuar.

“Shoqëria kosovare duhet të mësohet të rrëzojë një kryeministër gënjeshtar e të papërgjegjshëm, të paaftë për të qeverisur vendin. Kjo do të mund të shihej në arenën ndërkombëtare si pjekuri e shoqërisë kosovare për të qenë një shtet i pavarur e sovran”, tha analisti politik Nexhmedin Spahiu.

Ali Hertica, analist politik, tha: “Është e pritshme që populli në masën më të madhe ta mbështesë opozitën në protestë”.

Kurse, analisti Faik Krasniqi shprehet: “Opozita, përveç organizimit të protestave për largimin nga pushteti të këtyre pushtetarëve të inkriminuar, duhet të bëjë edhe një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet, për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe si të ecim përpara”. /Kosova Sot

Deklaratë bombastike: Hashim Thaçi ka punuar për shërbime sekrete të afërta me Serbinë (Video)

0

Në emisionin Zona Express, ku u transmetua dokumentari “Udhëkryqi i madh i Hashim Thaçit”, ka folur edhe deputeti i LDK’së, Adem Salihaj.

Ai ka bërë një deklaratë bombastike.

Sipas tij, Lideri i PDK’së ka punuar për shërbime të afërta me Serbinë.

Shikojeni videon:

Djali i Mehmet Shehut: Ja pse nuk e dënoi Enveri shkrimtarin Kadare

0

Bashkim Shehu e njihte më shumë se shumë të tjerë Pallatin e Ëndrrave. Shumë njerëz që e rrethonin, hynin e dilnin në të…
Gjatë eksperiencave të ndryshme jetësore, do të mësonte ta lexonte ndryshe “Pallatin e Ëndrrave” të Kadaresë. Në konferencën “leximi dhe interpretimi”, mbajtur dje në Bibliotekën Kombëtare, shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu do të sillte për të pranishmit një përsiatje rreth “Pallatit të Ëndrrave”.

Shehu ofroi së pari një historik të këtij “romani-përbindësh”, siç e quan ai, si doli për së pari, si u hesht në fillim rreth tij e si shpërthyen anatemat pas goditjes së kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut, me djalin e të cilit (pra, me atë vetë, Bashkim Shehun), ai kishte lidhje miqësie.

Shehu e pranon se arsyet pse Kadare nuk u dënua lidhen, nga njëra anë, me njohjen e tij ndërkombëtare dhe “refuzimin” nga ana e udhëheqjes komuniste për t’i dhënë Perëndimit një Solzhenicin të ri, dhe, nga ana tjetër, sepse Enver Hoxha e kishte “zgjedhur” për të lartësuar emrin e tij përmes një vepre madhore. Vetë ai e kishte talentin.

Ai zbulon alegoritë që fsheh Pallati i Ëndrrave, aludimin për Shqipërinë komuniste dhe më ngushtësisht me ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Në fund të fjalës së tij Shehu do të shprehej se kishte qenë një ndër njerëzit e parë që kishte lexuar veprën, qysh në dorëshkrim, në vitin 1980, më pas në vitin 1989, teksa ishte në internim, sapo kishte dalë nga burgu e do të futej sërish aty. E më pas në kushte lirie.

Pra, tri lexime në rrethana të ndryshme dhe pas eksperiencave të ndryshme jetësore. “Do të ishte interesante të mësonim se si të rinjtë e sotëm, që nuk i kanë jetuar ato rrethana (në komunizëm) arrijnë të shohin dimensionin universal të veprës në rrethanat e tanishme”, tha Shehu, duke ua propozuar këtë lloj leximi pedagogëve për studentët e tyre. Botojmë më poshtë, me shkurtime referatën e mbajtur në konferencën shkencore.

Çdo vepër narrative, për nga vetë natyra e saj, është njëfarë udhëtimi. Shtjellimi i subjektit është një trajektore për të mbërritur diku, dhe qysh në njësinë e parë domethënëse e në krejt semiotikën e rrëfimit është ngërthyer fshehurazi qëllimi i mbramë, destinacioni.

Kësisoj, nuk është e rastësishme që ka aq shumë kryevepra në formën e romaneve të udhëtimit, qoftë në kuptimin fizik, apo të inicimit, të të mësuarit, apo të zbulimit të vetvetes e të botës, apo në kuptime të tjera, duke filluar nga “Odiseja”, nga vetë themelet homerike, pra, të letërsisë, e pastaj me radhë “Komedia Hyjnore”, “Don Kishoti”, “Fausti”, “Shpirtra të vdekur”, “Uliksi”, “Mali magjik”…

Në këto shtigje, të çelura nga klasikët, edhe Kadareja është futur mjaft herë, madje qysh me romanin e tij të parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Po kështu, një udhëtim i jashtëzakonshëm, tmerrësisht mahnitës, dhe poetikisht marramendës, është romani i tij “Pallati i Ëndrrave”, një labirint i skëterrshëm i pushtetit të shpirtrave, ku autori na e shënon rrugën me saktësinë e rrëfimit të tij përmes të papriturash të panumërta gjer në dalje. Para se të futemi në udhëtimin ku na shpie ky roman, vlen të ndjekim peripecirat e një udhëtimi në të cilin vetë romani u përshkua.

Kjo fillon në vitin 1979. I ndërgjegjshëm për vështirësitë që do t’i sillte censura e regjimit të atëhershëm totalitar në Shqipëri, Kadareja e paraqiti të cunguar, si tregim, që përmbante afërsisht vetëm një të tretën e tekstit të romanit.

Ndërsa titulli ishte “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, si për ta shmangur vëmendjen nga protagonisti i vërtetë dhe i përbindshëm, që është vetë Pallati, duke e zhvendosur te një personazh me trajtë njerëzore modeste e të rëndomtë. E tërë kjo strategji apo sendërgji e autorit, veçanërisht cungimi i tekstit, synonte, me sa duket, që ta bënte veprën e pranueshme për censurën, duke e paraqitur gradualisht, ose, ndoshta, me një frikë të pavetëdijshme, të bënte ashtu një sondazh, një sprovë paraprake.

Ky tekst i cunguar u botua i përfshirë në një vëllim me tregime, krahas tekstesh “më të pafajshëm”, si të thuash, i fshehur mes tyre, që të binte sa më pak në sy. Ishte një moment politik i rrezikshëm, vendi sapo kishte kaluar valë të njëpasnjëshme spastrimesh në majat e pushtetit, ndërthurur me rritje të intensitetit represiv në të gjithë sektorët e shoqërisë.

Dhe, paradoksalisht, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” u botua dhe kjo kaloi në heshtje, si një nëpunës anonim që del nga një sallë mbledhjesh ku janë prerë koka të pushtetshme, krerët e pallatit metaforik të Kadaresë, kurse për nëpunësin mjeran kurrkujt nuk i bie ndër mend. Mbas një viti e ca, romani botohet i plotë, po përsëri i ambalazhuar si tregim, në një vëllim tregimesh të gjata.

Ndoshta vetë pushteti, vetë censura, nuk guxonte ta prekte romanin- përbindësh. Droja e autorit, viktimë e mundshme, ishte përcjellë, falë guximit të tij, te xhelatët e mundshëm. Ndoshta druheshin ta preknin ngase ashtu romani-përbindësh do të shndërrohej në autodenoncim të regjimit, përderisa regjimi do të gjente në Pallatin metaforik ngjashmërinë me veten, dhe do ta pohonte kësodore se ishte i tillë, i përbindshëm. Prandaj, më mirë heshtje.

Megjithatë, pa kaluar viti, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” rishfaqet si objekt anatemash të ashpra. Kjo ka të bëjë me një valë të re spastrimesh në majat e pushtetit. Kësaj here, diktatori Enver Hoxha goditi si komplotist një nga bashkëpunëtorët më të afërt, ndërsa Kadareja kishte lidhje miqësie me të birin e të akuzuarit për komplot, autorin e këtyre radhëve. Paranoja e diktatorit, që ishte në zanafillë të spastrimit, shkonte deri atje sa të dyshonte se edhe Kadareja mund të ishte përfshirë në komplot.
Ky dyshim buronte, natyrisht, edhe nga vepra e shkrimtarit, e cila iu nënshtrua një shqyrtimi që të kujton pikërisht shkoqitjen e ëndrrave të dyshimta në romanin e tij. Me sa duket, dhe sa kuptova nga insinuatat e atyre që më morën edhe mua në pyetje, rezultoi se Kadareja, ndonëse jo pjesëtar i komplotit, ishte njeri me “pikëpamje armiqësore”.

Një opinion i tillë ekzistonte qysh më parë, prandaj dhe më se një herë ai ishte qortuar dhe kërcënuar, ndërsa tani, ky opinion përforcohej më tepër se kurrë sidomos nga ridalja në dritë e “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave”, si i harruar deri atëherë. Në një plenum ad hoc të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, praktikisht një gjyq joformal ndaj Kadaresë, në prill 1982, pra, afro një vit pas botimit të romanit, vihet në dukje shprehimisht paralelizmi ndërmjet Pallatit të Ëndrrave dhe institucioneve represive të regjimit aktual.

Ndërsa Ramiz Alia, ai që do të bëhej pasardhësi i Enver Hoxhës, i thotë Kadaresë në këtë mbledhje: “Partia të ngre në Olimp, partia të flak në baltë”. Ajo që po ndodhte ishte një kërcëllitje dhëmbësh e diktaturës ndaj shkrimtarit. Por Kadareja nuk u dënua, në të kundërtën e asaj që prej kohësh dëshirohej në zyrat e Sigurimit.

Dy gjëra e mbrojtën edhe në këtë rast: E para ishte njohja e tij ndërkombëtare, për çka Enver Hoxha nuk donte t’i jepte rast Perëndimit për të krijuar një Solzhenicin në Shqipëri. E dyta është më e vështirë për t’u shprehur. Ajo lidhet me gjakimin megaloman të diktatorit që emri t’i përjetësohej nëpërmjet një monumenti letrar.

Dhe Kadareja qe ai që zotëronte talentin e duhur për këtë, veçse duke u mbajtur nën zap, duke qenë syçelët ndaj krijimtarisë së tij, për të mos i lejuar “të devijonte”, gjë që ishte çështje efikasiteti të censurës, dhe duke i kërcëllitur dhëmbët sa herë të përpiqej të botonte vepra të atilla.

Si dhe, çka është kryesorja, duke i kërkuar haraçin, glorifikimin e tiranisë ekzistuese e të udhëheqësit. Kjo është, përnjëmend, historia e marrëdhënieve të Kadaresë me totalitarizmin shqiptar gjatë dhjetëra vjetësh, me luhatje të herëpashershme ndërmjet kompromisit dhe subversionit.

“Pallati i Ëndrrave” është ndoshta vepra e tij më subversive. Subjekti i romanit vendoset në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në periudhën e mbrame të saj, periudhë krize e dekadence, teksa shteti shekullor osman po hibridizohej me elemente të modernitetit, të një përzierjeje të despotizmit oriental me sistemin burokratiko-policor që synon të totalizojë gjithçka.

Sidoqoftë, për një lexues që e ka njohur Shqipërinë komuniste të viteve ’70, aluzionet dhe përqasjet alegorike janë të tejdukshme. Pallati i Ëndrrave, institucioni që depërton deri në skutat më të errëta të shpirtrave të nënshtetasve, për të zbuluar së këtejmi shenja paralajmëruese përbetimesh e komplotesh ndaj Sovranit, është një alegori e sistemit totalitar, dhe vetë mendësitë e paranojave të sundimtarit, projeksion dhe objektivim i delireve të tij.

Madje, Shqipëria e vetizoluar e atyre viteve shfaqet deri edhe në terminologjinë burokratike të institucionit, nëpërmjet një tretjeje të ndërsjelltë mjeshtërore të konteksteve historike gjithsesi të ndryshme: “Jo hyrja e ndikimeve të kashtme, por përkundrazi, mbyllja e tyre, jo depërtimi, por izolimi…”.

Këto janë fjalët e një funksionari të Pallatit të Ëndrrave qysh në kapitullin e parë, fjalë që pikasen, më 1982, nga censura, dhe i përmenden Kadaresë në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për ta demaskuar. Madje, Kadareja, si të mos i mjaftonin aluzionet politike, deri edhe përshkrimin fizik të qendrës së kryeqytetit osman e ka bërë sipas gjedhes së Tiranës së atyre viteve, me zonën e ministrive, të xhamisë, të bankës shtetërore, ndërsa Pallati i Ëndrrave ka trajtën e ndërtesës së Komitetit Qendror.

Ndërkaq, vetë Kadareja ka thënë, a posteriori dhe në kushte lirie, se të tilla përkime i kanë dalë më së shumti në mënyrë të pavetëdijshme… Pavarësisht se ç’thotë Kadareja si autor, po t’u referohemi teksteve të tij të ndryshme, shohim se denoncimi i totalitarizmit ishte një nga motivimet më të fuqishme të tij.

Kjo shfaqet sidomos në romanet e tij më të arrira, duke qenë bashkudhëtare, pra, me cilësinë poetike, çka na bën të mendojmë se pa një dimension të tillë politik subversiv Kadaresë nuk i shijonte të shkruarit. Aq më tepër kështu nëse i ka ardhur në mënyrë të pavetëdijshme… /Panorama/

Haki Abazi, Isa Mustafës: Fol për 3 përqindëshin

0

Analisti politik, Haki Abazi e ka akuzuar rëndë Isa Mustafën. Në një shënim në Facebook, Abazi thekson se është pikërisht Isa Mustafa ai i cili nuk ia ka lejuar pagesat për udhëtimet e presidentit Ibrahim Rugova, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë i Abazit:

E ulet por nuk befason

Ju i keni ndeprere pagesat Ibrahim Rugoves ne kohen kritike te zhvillimeve ne Kosove. Ju nuk keni lejuar pagesat per udhetimet dhe hotelet e presidentit. Ju jeni dhe keni qene element i krimbjes se LDK dhe kjo nuk mund te mshihet lehte. Kjo tregon fjalorin e ulet dhe jointelektual qe perdorni, metodat me te poshtra te mundshme per kercnime ndaj deputeteve te LDK, menyren dhelprake te ardhjes ne krye te LDK, aklamacionin si forme te rizgjedhjes duke ngulfatur zerin e vertete te LDK. Isa eshte nje antiRugove dhe nje anti LDK qe po e fundos ne humnere, i rrethuar me te padijeshem dhe pakurrizor- te pabese.

Nje Ise si ky qe ne fakt eshte asgje tjeter perveq se nje produkt i te se majtes Jugosllave dhe qe perqarjen e ka formen e vetme per te udhehequr. Batutat e uleta per opoziten, arrestimet per statusa te facebook-ut dhe metoden e tij perqarese e ka reagim nga friga per nje perfundim te merituar. Ne vend se te merret me vedimet e AAK e NISMES ndoshta Isa duhet te merret me llogarine per 3%, Dardania Banken,UFORK, Pasurite dhe tokat e pervetesuara dhe me deshtimet e perbashketa me PDK. Shkolle njejte,shkolle pa rezultate, shkolle e perqarjes dhe mjerimit.

Të mërkurën që vjen moti do të jetë me Opozitën!

0

Duket që edhe moti do të jetë në anën e opozitës të mërkurën që vjen. Me datën 17 Shkurt kur do të organizohet protesta gjithëpopullore në Prishtinë priten temperatura deri në 19 gradë celsius. Kështu së paku sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në ditët në vazhdim, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave të ngrohta të ajrit me origjinë nga jugperëndimi. Po sipas IHMK-së, si pasojë e rritjes së shtypjes së ajrit dhe depërtimit të këtyre masave mbi vendin tonë, kjo periudhë pesë ditore do të jetë me temperatura pranverore.

“Vlera minimale e temperaturave minimale do të lëvizë nga 4-7 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 17-19 gradë Celsius”.

“Të hënën në pjesën e parë të ditës do të fryjë erë herë-herë me vrull nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi mbi 15m/s, do të ketë reshje shiu vetëm në jug dhe jugperëndim të vendit, kurse të martën dhe të mërkurën sipas imazheve satelitore dhe situatës sinoptike parashihet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me maksimalet që do të arrijnë deri në 19 gradë Celsius. Nga dita e enjte do të ketë vranësira të dendura të cilat pasdite, vende–vende do të shoqërohen me reshje shiu të cilat do të vazhdojnë edhe të premten, thuhet në njoftimin në fjalë./ Gazeta Blic/

Prizren: Lagjja e zejtarëve, të cilëve u ka mbetur vetëm emri

0

Sylejman Randobrava, i cili shet prodhime të dorës, pohon se është një krizë e tregut, por ai shprehet më optimist për të ardhmen. “Shpejt do të rikthehet vlera e zejeve të vjetra në këtë këtë qytet dhe në gjithë Kosovën”, shprehet Randobrava, duke shtuar se kjo vjen me rritjen e turizmit

Prizreni si lagje të njohur e kishte dikur “Tabakhanen”sepse kjo lagje ishte ajo që mbante gjallë traditën e zejtarisë. Aty kishte këpucëtarë, gëzofpunues, saraç dhe këto zeje ishin të përqendruar më shumë këtu. Lagjja e” Tabakhanes” ka marrë këtë emër pasi që aty bëhej përpunimi i lëkurës me të gjitha proceset përkatëse: larja, tharja, ngjyrosja etj. Në fund të shek. XIX në këtë lagje kanë punuar qindra punëtorë për përpunimin e lëkurës (tabakët).

Kompleksi i” Tabakhanës” gjendet në anën e djathtë të Lumëbardhit në mes të Xhamisë së Ahmed Beut, Xhamisë së Suziut dhe ndërtesës së Beledijes. I pari këpucëtar në Prizren thuhet se ka ardhur nga Budapesti ku ai ishte në usta që në mbretërinë e kohës kishte mësuar të bëjë regjjen e lëkurës më pastaj ta transferoj atë në punim mbathjesh ushtarake. Ai ishte ndalur në Prizren për të qëndruar aty.

Për këtë fakt edhe sot e kësaj dite lagjja ku ata punonin quhet “Tabakhane”. Kah mesi I shekullit XVIII, krijuesi më i njohur i Prizrenit ka qenë usta Riza Begu,deri në vitin 1818 thuhet se familja Bojniku këtë zeje e ka ushtruar në Bojnik të Leskovcit pastaj e trashëguan bijtë Zejnullahu e Emërllahu, kurse po atë vit ka ardhur familja Hashimi nga Lebani i Leskovcit për ta përcjellë këtë traditë. Zejen thuhet se e kanë mësuar shumë ustallarë të tjerë, siç ishin: Abdulla Osmani, Qamil Shaqiri, Hamdi Bytyqi pastaj vijnë djemtë e Muhamedit, Selim Dorambari, Isa Ameti, Zeqo Baruti, Rraif Ajgeri, Ali Gashi, deri tek familja e Halit Spahiut, Ismajl Qemajlit, Rifat Memishit duke ardhur tek familja e Ajrullah Tabakut, Hazër Alltiparmakut, Sefedin Laçit pastaj Ramiz Potori e kështu me radhë. Secili prej tyre ka pasur punëtorinë për tharjen e lëkurës, gropat e gëlqeres për zhytjen e lëkurës, tinarët në lumë për shpëlarjen e lëkurës dhe dybekun për shtypjen e ujit. ./kosova sot/

Zëdhënësi i Mujës i shtien në thonjëza emrat e dëshmorëve! (Foto)

0

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka probleme serioze me gjuhën shqipe. Shkrimet e publikuara në ueb-faqen e Komunës, përmbajnë `miliona` gabime të pafalshme gjuhësore.

Berisha, i cili është edhe këshilltar politik i kryetarit Ramadan Muja, emrat e dëshmorëve i shtien në thonjëza.

Isa Boletini, Sinan Thaçi, Ismail Kryeziu, janë disa nga emrat e dëshmorëve që Berisha i shtie në thonjëza.

Në thonjëza është futur edhe emri i këshilltarit të Kuvendit të Prizrenit, Masar Shala, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2014.

isa boletiniBerisha ka probleme edhe me vendosjen e shenjës së pikësimit – pikën. Në çdo titull të lajmeve të publikuar, në fund vendos shenjën e pikësimit, pikë!

Ymer Berisha, në një debat televiziv pati treguar se ka “gëlltitur” një bibliotekë libra.

“Për t’i mësuar shprehjet retorike si unë, duhet m’e hangër një bibliotekë me libra”, pati thënë ai.

ismail kryeziu

Ndërkaq, “gëlltitja” e librave duket se nuk i ka ndihmuar në drejtshkrim. Madje, gjatë leximit të shkrimeve të publikuar në ueb-faqen e Komunës, mund të hasësh edhe në gabime elementare, të cilat nuk lejohen të bëhen as nxënësit e shkollës fillore.

sinan thaci

Berisha për tri mandatet të qeverisë `Muja` ka ushtruar detyrën e zyrtarit për informim të Komunës së Prizrenit. Ai po ashtu është këshilltar politik i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. /PrizrenPress.com/

Mustafa tregon pse braktisi VLAN-in e u bashkua me PDK

0

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” pranë festimit të Pavarësisë së Kosovës, duke mos u kursyer edhe nga kritikat dhe zbulimi i disa të pathënave deri tash për bllokun VLAN.

Ai ka thënë se AAK-ja, Nisma e në veçanti Vetëvendosja e kanë bindur se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të atillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Më tej ai sqaron edhe bashkimin me PDK-në, transmeton Koha.net.

“Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën jo shumicë”, ka shkruar Mustafa duke shtuar se fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin.

Ai thotë me tej se nuk e sheh arsyen logjike që krerët e AAK-së dhe Nismës, që janë luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së, i janë bashkangjitur VV-së në veprimet e tyre si peng.

Postimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Të dashur miq,

Janë 16 vite nga ndërhyrja e NATO-s dhe tetë vite nga shpallja e pavarësisë. Për jetën e një të riu janë shumë vite, ndërkaq për historinë janë vite të hapave të parë të ndërtimit të mekanizmave shtetëror, të tranzicionit demokratik dhe ekonomik, të njohjeve nga vendet e tjera. Mund të lavdërohemi se kemi bërë shumë, e kur mbushemi me nihilizëm shohim vetëm keq. Por, mendoj se askujt, nga populli i këtij vendi, nuk ia zë goja të thotë se shteti ynë dhe pavarësia nuk ia vlen, se ajo nuk ekziston. Përjashtuar ata që akoma ëndërrojnë se Kosova duhet të jetë Serbi.

Ky vend nuk u çlirua lehtë, janë gjenerata të tëra që u flijuan për idenë e pavarësisë, janë rreth 15 mijë të vrarë në luftën e fundit, llogaritet të jenë rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe të ekspozuara sjelljeve shtazarake të forcave ushtarake e paramilitare serbe; sot e kësaj dite janë edhe rreth 1600 të pagjetur. Vlerësojmë ushtarët dhe paqeruajtësit ndërkombëtar, të cilët u flijuan për këtë vend.

Janë këto fakte, të cilat, nuk i japin të drejtë askujt të thirret në emër të turmave e të sulmojë me gurë, shufra hekuri, me armë e me shishe molotovi institucionet e Kosovës të dala nga vota e lirë, të sulmojë policët e Kosovës, pronat publike e private. Veç se në një proces demokratik kanë mbetur në pakicë, e populli u ka dhënë vota aq sa e kanë merituar!

Kundër dhunës janë ata që kanë shumicën në parlament, edhe përfaqësuesit e popullatës joshumicë, të cilët si pakicë ndihen të pasigurt. Në takimet që unë si Kryeministër kam pasur me përfaqësuesit e bizneseve, sindikatave, shoqërisë civile, mediave, sportistëve, të rinjve, kompanive më të mëdha përfshirë Trepçën dhe KEK-un, të gjithë e kanë refuzuar dhunën dhe shkatërrimin e shtetit. Dhunën si instrument politik nuk e ka përkrah asnjë shtet demokratik. Kërkohet të punohet më shumë, të bëhen ndryshime pozitive, të hapen vende të punës, të përmirësohet arsimimi dhe shëndetësia, të sigurohet ardhmëria ekonomike e sociale.

Shtrohet pyetja: Kush dhe kah po i financon gjithë këto aktivitete kundër shtetit. Lypset para e madhe për materiale propaganduese, spote e reklama në media, shpenzime të transportit të protestuesve, performansa të llojllojshme ditore?! Ligji obligon të kontrollohen këto shpenzime.

Pyetja tjetër është se çfarë synohet me dhunën, në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj. Nëse shënjimi i kufirit me Malin e Zi, kërkohet të zgjidhet me dhunë, atëherë të njëjtën gjë mund a bëjë edhe pala tjetër. Qeveria nuk ka asnjë ankesë të argumentuar të asnjë qytetari, të asnjë komune dhe të asnjë agjensioni shtetëror se ndonjë pjesë e hapësirës tokësore me të cilën kanë administruar në pronësi më parë, ka kaluar në Malin e Zi. Prandaj po të ishte kjo kauze reale, do të uleshin në tavolinë për të argumentuar. Mungesa e argumenteve i qon te gurët dhe armët.

As Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që si çamçakëz e përtypin në serbishte patriotët e VV, nuk duhet të jetë çështje e rrënimit të shtetit. Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se Marrëveshja e Parimeve për Asociacionin shkel sovranitetin vendit, por ka konstatuar se si e tillë mund të rrezikoj të drejtat, që komunave me shumicë serbe u takojnë me ligj dhe me Kushtetutë. Dhe, nëse opozita është e brengosur për këtë çështje le të bashkohet në hartimin e Statutit të Asociacionit. Ndryshe rezulton të jetë kauze false.

Rezultoi se nuk është as shënjimi i kufirit me Malin e Zi, e as Asociacioni kauzë, por qenka shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet e imponuara dhe të shkaktuara nga dhuna e pakicës janë mënyra më e mirë për ta zhytur vendin në kaos institucional, në dhunë ciklike dhe në mohim të shtetit. Koalicioni qeverisës është i përgjegjshëm ndaj votës së qytetarëve dhe nuk do të lejojë me asnjë kusht tu plotësohet dëshira anarkistëve. Atyre që e mohojnë Ditën e Pavarësisë.

Një prej arsyeve të zgjedhjeve, u tha se ishte se është kapja e shtetit. Edhe unë pajtohem se ka kapje të shtetit, jo aq nga strukturat politike sa nga oligarkë politik e parapolitik, të cilët kanë përvetësuar e privatizuar nën kërcënime pas luftës e janë pasuruar shumë, shfrytëzojnë pronat publike si me qenë të tyre, e disa që kanë bërë krime nga më të ndryshmet, të cilët synojnë të diktojnë se kujt duhet dhënë tenderët, se kush duhet të udhëheqë firma e pasuri të caktuara, se me kënd duhet marrë vesh për Trepçën e pasuritë natyrore. Gjendja pa pushtet në Kosovë do të ishte parajsë për ata, sepse nuk do ti shqetësonte askush. Kur funksionon shteti, ashtu si ka filluar të funksionoj, ngadalë por sigurt, të gjithë e shohin veten të rrezikuar.

Dita e flamurit, 28 Nëntori dhe Dita e Pavarësisë, 17 shkurti janë për të festuar. Logjika që këto ditë të shfrytëzohen për të protestuar dhunshëm kundër institucioneve të Kosovës, është nënçmim për qytetarët e këtij vendi. Siç është nënçmim dhe sjellje e turpshme “dekorimi” i Kryeqytetit nga krerët e Komunës së Prishtinës me pankarta e parulla si të revolucionit kulturor kinez, e jo dekorimi me flamuj dhe simbole të Republikës së Kosovës. Është mohim i njërës dhe datës tjetër. Nuk mund të shoh arsyen logjike të krerëve të AAK-së dhe Nismës, luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së që, si peng, iu kanë bashkëngjitur VV në këto veprime.

Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën joshumicë. Fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin. Unë qeverisjen me PDK-në, në një kurs të qartë zhvillimor, e konsideroj veprim të mençur dhe alternativën më të mirë në këto kushte.
Veprimet e tanishme të opozitës dëmtojnë, por nuk kanë fuqi as ta lëkundin e as ta rrënojnë shtetin. Shteti janë shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk donë që edhe njëherë këtë vend ta kaploj dhuna, shkatërrimi, mjerimi, vrasjet e plaçkitjet; janë ata që besojnë se drejtësia do të zbardh humbjen e njerëzve të tyre; që kërkojnë dekriminalizimin e plotë të vendit, luftimin e korrupsionit dhe të ekstremizmin e dhunshëm; ata që Kosovën e tyre e shohin në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE. Janë qytetarët e këtij vendi ata që nuk miratojnë që në Kosovën e tyre të shohin pamjet e vendeve dhe organizatave më ekstremiste të këtij fillimshekulli.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj në shtetin dhe qytetarët!