19.1 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6321

Më shumë Joyce

0

James Joyce, i lindur më 2 shkurt 1882, konsiderohet si thesari kombëtar i Irlandës. I njohur për librat klasikë si “Portret Artisti të Ri”, “Dublinasit”, si dhe kryeveprën “Uliksi”, por ndërkohë jeta e tij ka pasur plot të panjohura – saqë edhe sot ka shumë kontradikta për të.

Më poshtë, disa informacione interesante për shkrimtarin irlandez.

1. Personazhi i Moli Blum, në romanin e tij “Uliksi”, bazohet mbi gruan e tij, Nora Barnacle. Romani fillon më 16 qershor, dita kur Joyce takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, më 1904.

2. Joyce studio danisht dhe norvegjisht në Dublin, në mënyrë që të ishte i aftë të lexonte veprën e dramaturgut norvegjez, Henrik Ibsen, në origjinal.

3. Pasi përfundoi studimet në vitin 1902, ai u largua nga Irlanda për në Paris, ku u shpërngul për të studiuar mjekësi.

4. Irlandezi jetoi me familjen e tij në Pola, Austro-Hungari në 1904-n, por në 1905-n u dëbua, kur qeveria zbuloi një rreth spiunësh.

5. Joyce u rikthye në Irlandë në vitin 1909, për të hapur kinemanë e parë në Dublin, “Cinematograph Volta”, ku shfaqte filma italianë dhe të vendeve të tjera europiane.

6. Joyce bëri 25 operacione në sy gjatë jetës së tij.

7. Përpara se libri i tij “Uliksi” të botohej në Amerikë në vitin 1934, qindra kopje të jashtëligjshme u sekuestruan dhe u dogjën në vitet 1920.

Kosova ka mbështetjen e Shqipërisë dhe Amerikës

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët për media me Sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me zyrtarin e lartë amerikan.

Veç temave të brendshme, Rama thotë se ka folur edhe për çështjet në rajon, sidomos në shtetet ku jetojnë shqiptarët.

Rama tha se Kosova duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë drejt normalizimit të raporteve mes tyre.

“Nuk është dialog i lehtë, por është padisukutim e vetmja rrugë drejt suksesit”, theksoi Rama.

Më tej, Rama potencoi edhe njëherë përkrahjen që Kosova ka nga dy aleatët e saj më të mëdhenj, Shqipërinë dhe ShBA-të.

“Kosova do ta ketë mbështetjen e dy aleatëve më të mëdhenj të saj, Shqipërisë dhe Amerikës”, potencoi Rama.

Mustafa: Kerry në Tiranë edhe për Kosovën

0

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Shqipëri, nga Qeveria e Kosovës shihet si një mundësi e mirë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vendet e rajonit.

Kryeministri Isa Mustafa tha për Top Channel se, vizita e sekretarit amerikan do të ketë efekt në thellimin e mëtejshëmm të bashkëpunimit të qeverisë amerikane me atë të Shqipërisë.

“Unë e konsideroj një vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo sepse flet për kujdesin që SHBA-të kanë për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimet tona euroatlantike. Por, po ashtu edhe për thellimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto vende. Sa i përket Kosovës, ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë atë, që qeveria amerikane e populli amerikan kanë bërë për ne. Kemi nevojë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur kohët e fundit, lidhur me angazhimin e sektorit privat amerikan në sektorin e energjisë në Kosovë, ndaj dhe presim edhe investime të tjera. Unë e konsideroj lart dhe e vlerësoj lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për këtë rajon. Konsideroj se, vizita e tij do të ketë efekte në thellimin e bashkëpunimit të qeverisë amerikane me Qeverinë e Shqipërisë, por edhe me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

I pyetur nëse beson se do të ketë ndonjë mesazh politik për krizën politike në Kosovë, nga ana e zotit Kerry, Mustafa tha se “unë mendoj se mesazhin, ne e kemi marrë shumë qartë kur ka qenë këtu zoti Kerry”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga pikëpamja e gjendjes, por edhe nga pikëpamja e cilësisë së mesazhit, sepse ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm, i cili ka dhënë orientimet sesi ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe çfarë është zotimi e përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ne”, tha Mustafa.

Kryeministri kosovar tha se, Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të kultivojnë raportet me Shtetet e Bashkuara, si aleati më i fuqishëm i shqiptarëve në botë.

Anëtarët e Viola Beach vdesin në aksident me makinë

0

Pesë shtetas britanikë kanë vdekur në një aksident me makinë në Suedi.

Anëtarët e grupit indie Viola Beach janë të përfshirë në aksident, i cili ka ndodhur të shtunën në kryeqytetin suedez Stokholm.

Mediat lokale thonë se makina u zhyt nga një urë të autostradës në një kanal.

Grupi me bazë në Warrington, të cilët ishin për një koncert në Guildford në Surrey të shtunën, ishin pjesë e festivalit të muzikës suedeze “Where is the Music”.

Kurti: Kerry nuk përzihet se kush bëhet president në Kosovë

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një lidhje direkte në Top Channel, ka folur për vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

Kurti tha se SHBA brengoset për gjendjen në Kosovë dhe tha se populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen amerikane.

Sidoqoftë, ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin me SHBA-në.

“Gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Kerry vizitoi Prishtinën në fund të vitit të kaluar. E në fillim të këtij viti po viziton Tiranën”.

“Kjo është një vizitë e rëndësishme edhe për vendin por edhe për kohën kur po ndodhë”.

“Shumica e njohjeve të Kosovës nuk do të ndodhte pa SHBA-në dhe ne jemi falënderues për këtë”.

“Por shqiptarët duhet ta thellojnë aleancën pra të bëjnë bashkëpunim për të ardhmen dhe jo për të kaluarën”.

“Shqipëria duhet të forcojë ushtrinë, e Kosova duhet të formojë ushtrinë. Prandaj, ne duhet të kemi më shumë bashkëpunim në çështjen e sigurisë”, tha Kurti.

I pyetur se nëse kjo vizitë e Kerryt është mbështetje për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president, Kurti tha se nuk beson se sekretari amerikan “përzihet” se kush do të duhej të ishte president i Kosovës.

“Besoj se nuk është kjo vizitë për mbështetje për Thaçin president. Nuk besoj se zoti Kerry përzihet se kush do të bëhet president në Kosovë”, tha Kurti./lajmi.net

Cineuropa: Fëmijët me biçikletë janë rrugës për në Hollywood

0

Magazina më e madhe evropiane e filmit, Cineuropa, i ka kushtuar një artikull filmit “Shok”, të parit film në historinë e kinematografisë kosovare që u nominua për çmimin prestigjioz Oscar.

Shkrimi, që nis me titullin “Fëmijët me biçikletë janë rrugës për në Hollivud” nis duke cituar fjalët e paramilitarëve serbë “Ky nuk është shteti juaj. Merrni gjërat tuaja, largohuni dhe mos shikoni prapa. Nëse ktheheni, do t’ju vrasim”, drejtuar kosovarëve që po i dëbonin nga shtëpitë e tyre.

Cineuropa shkruan se nuk është e domosdoshme të jesh lindur e rritur në Prishtinë për të kuptuar absurditetin e përshkruar në këtë film kur një oficer i rangut të lartë nga ushtria serbe në një mëngjes të vitit 1998 dëbon nga shtëpia e tyre një familje shqiptare, në kohën kur Kosova është ende dhjetë vjet larg fitimit të pavarësisë.

Kjo magazinë thotë se matanë Atlantikut audienca është fascinuar me filmin sepse nga 16-të çmime marr nëpër festivale, 13 janë fituar në Amerikë.

“Kosova po feston këtë fitore të madhe, që është fryt i një strategjie të propozuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës që ngadalë po e vendosë industrinë në hartën kinematografike”, shkruan Cineuropa.

Filmi “Shok” i regjisorit Jamie Donoughe është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film luajnë Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Rikujtojmë se ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscars” mbahet më 28 shkurt.

“Shpresa” e Rrezeart Galicës

0

Në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, kur debati politik është i ashpër dhe krahas aktiviteteve që po shënojnë këtë 8-vjetor planifikohet edhe protestë, edhe artistët kanë mënyrën e tyre për të reaguar.

Artisti kosovar, Rrezeart Galaica, komenton për KosovaLive njërin nga punimet e tij, objekt i së cilit është simboli shtetëror i Kosovës, saktësisht flamuri. Sipas Galicës ky flamur u përzgjodh me një konkurs të rremë.

“Flamurin e Kosovës e kam zgjedhur pa pas parasysh ato debate që sot përfliten, jo që për mua është i pranueshëm por sepse ka ardhur si pasojë e një konkursi të rremë, jo serioz, sepse teksa ne po aplikonim me idetë tona për flamur shtetëror të Kosovës, pushtetarët e atëhershëm vetëm se e kishin shtypur një sasi të flamurit të sotëm në fabrikat e Turqisë. Kjo është një ndër arsyet pse më vije fallc ky flamur i sotshëm, që duket qartë i kontrabanduar dhe jo përfaqësues e aq më pak emocionues si simbol”, thotë Galica.

Në punimin e titulluar “Hope Ks” (Shpresë Ks) harta e Kosovës paraqitet si një balonë e shfryrë, sipër të cilës janë yjet e komuniteteve, që sipas autorit, është një metaforë për tkurrjen e kosovarëve dhe privilegjet e pa arsyeshme dhënë komuniteteve.

“Nëse them se vetëm zhvillimet e fundit janë si reflektim i veprës sime atëherë gënjej sepse nuk është e vërtetë sepse zhvillime në dëm të qytetarëve të saj ka pasur që prej kohësh. Ju kujtohet se në fillim të vitit të kaluar imazhet që depërtuan nga vendi ynë ishte braktisja e vendit në masë të madhe nga të rinjtë që kishin humbur shpresën se zhvillimet në vendin tonë do të ishin pozitive. Tani po shohim se duke u privilegjuar një pakicë apo një tjetër. Kjo po e përgjysmon shtetin tonë duke krijuar një embrion të një shteti tjetër përbrenda e për nga perspektiva duket se ky embrion do të jetë kancerogjen për ardhmërinë e këtij vendi”, shprehet Galica.

Rrezearti ka pasur ekspozita të ndryshme personale në Prishtinë, Turqi, Gjermani, Itali etj, si dhe shumë ekspozita kolektive në vend dhe rajon.

Rikujtojmë se Galica në nëntor të vitit të kaluar prezantoi punimin e tij, “Bloody Eiffel”, që e lidh me sulmet terroriste që ndodhën në Paris.

Pse vjen John Kerry në Tiranë?

0
Nga Lisen Bashkurti
Brenda pak javësh, kryediplomati amerikan, John Kerry viziton dy kryeqytetet shqiptare-Prishtinën dhe Tiranën. Ndonëse agjenda e diplomatike e ShBA-ve ka një zhvendosje të dukshme drejt zonave të krizave të sotme të sigurisë globale, sërish vëmendja ndaj faktorit politik shqiptar mbetet e lartë në Uashington.
Bazuar në njoftimet publike, kryediplomati amerikan ka në agjendën e tij bilaterale çështjet themelore të politikes shqiptare-reformën në drejtësi, dekriminalizimin e politikes dhe ecurinë e proceseve të integrimit në BE.
Në këto aspekte Shqipëria po karakterizohet nga një ecuri e ngadalte, kontradiktore dhe shpesh e paqartë. Prandaj mbështetja e ShBA-ve në këto aspekte konsiderohet vendimtare për Shqipërinë. Opinioni publik shqiptar vijon të ketë pritshmëri të larta tek ShBA-të, sidomos në kushtet e rënies së dukshme të besimit te politika dhe institucionet e brendshme.
Shqipëria konsiderohet nga ShBA-të dhe diplomacia e tyre edhe si faktor në peshë dhe influencë në qendrat e rëndësishme shqiptare në Ballkanin Perëndimorë, posaçërisht në Kosovë dhe Maqedoni. Diplomacia amerikane pret një rol konstruktiv shumë më aktiv të Tiranës zyrtare në mbarë hapësirat shqiptare dhe në Ballkanin Perëndimor.
Roli konstruktiv me aktiv i Shqipërisë në hapësirat shqiptare do t’i ndihmonte lehtësimit të zgjidhjes krizës politike në Kosove dhe të asaj politike e ndëretnike në Maqedoni me rrugë e mjete politike, diplomatike dhe demokratike. Tirana është shquar për rolin e vet konstruktiv në rajon, por kohet e fundit vërehet një pasivitet i dukshëm i saj ndaj krizave që kanë përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë.
Vizita e Xh. Kerryt në Tiranë tejkalon marrëdhëniet bilaterale ShBA-Shqipëri dhe rolin e kësaj të fundit në Ballkanin Perëndimor. Aktualisht kjo vizitë merr rendësi gjeostrategjike për ShBA-të dhe NATO në kushtet e krizave serioze bashkëkohore.
Përkeqësimi i marrëdhënieve Perëndim-Rusi, zgjerimi i krizës në Siri, rritja e rrezikut nga terrorizmi islamik, valët e refugjatëve përmes rrugës ballkanike përbëjnë kërcënime shumë serioze për paqen dhe sigurinë në këtë krah të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në këto rrethana të konjukturës ndërkombëtare rritet përgjegjësia gjeostrategjike e Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe aleate e ngushtë e ShBA-ve. Është momenti që Shqipëria të dëshmojë rol më aktiv dhe gatishmëri më të lartë për të marrë me shumë përgjegjësi dhe detyra konkrete në mbështetje të NATO-s, ShBA-ve dhe BE-së.
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë si portal detar i NATO-s dhe BE-së e vendos atë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Kjo është karta më e fortë e Shqipërisë. Prandaj Shqipëria lypet ta luajë mirë këtë kartë në dobi të interesave të saj kombëtare dhe të bashkëpunimit me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Vdes gjyqtari i Supremes në ShBA

0

Dje ka vdekur Antonin Scalia, anëtar i Gjykatës Supreme Amerikane, gjyqtar që ka shërbyer në gjykatën më të lartë më gjatë se cilido nga anëtarët e tjerë, i emëruar nga ish presidenti Ronald Reagan.

Emrimi i tij ishte bërë në vitin 1986. Vdiq në moshën 79 vjeç ndërsa në Gjykatë shërbeu plotë 30 vjet, post ku gjyqtarët emërohen me mandat të përjetshëm. Gjyqtari Scalia u tha se ka vdekur nga shkaqe natyrore në një dhomë hoteli gjatë qëndrimit në një vendpushim në Teksas.

Antonin “Nino” Scalia, zyrtarisht i quajur ‘gjyqtari i parë italiano-amerikan në gjykatën Supreme,’ nga disa grupe Arbëreshe në Amerikë do të konsiderohej si gyqtari me prejardhje dhe nga të dy prindërit Arbëreshë nga Sicilia, megjithëse një gjë të tillë, të qenit Arbëresh nuk dihet ta ketë thënë ndonjëherë vetë Scalia. Ai do të njihet si një zë i fuqishëm i konservatorëve të Amerikës dhe gjyqtari më i vlerësuar nga republikanët. Gjykata Supreme Amerikane e përbërë prej nëntë anëtarësh, është dega e tretë e pushtetit dhe anëtarët e saj konsiderohet se përbëhen nga dy krah ideologjik, ai konservator dhe liberal.

Ish presidenti Bill Clinton në deklaratën e tij tha se “edhe pse nuk jam pajtuar me te në pothuajse asgjë, unë gjithmonë e kam pëlqyer gjyqtarin Scalia.”

Presidenti Barack Obama, i cili duhet të emërojë gjyqtarin e ri, tha se Gjyqtari Scalia ishte “një mendje e shkëlqyer ligjore me një stil energjik dhe me ndikim tek një brez i gjyqtarëve, juristëve dhe studentëve, që i dha një formë të thellë peizazhit ligjor.” Gjyqtari i ri i propozuar nga presidenti duhet të konfirmohet nga Senati. /RTK

AK: Mr. Kerry mos tako qeveritarët kriminelë

0

“Aleanca KuqeZi” është tubuar sot në bulevard në pritje të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry. Dhjetra aktivistë “kuqezi”, kanë vendosur një banderolë për ardhjen e sekretarit Kerry në Shqipëri.

Në tubim, “AK” bëri thirrje që sekretari amerikan nuk duhet të takohet me qeveritarët shqiptar të korruptuar.

Në fjalën e tij, kreu i “AK”-së Kreshnik Spahiu, i uroi mirëseardhjen John Kerry-t, ndërsa i kujtoi atij se, duhet të publikojë emrat e politikanëve kriminelë, të përmendur kohë më parë nga ambasadori i tij, Donald Lu.

Spahiu theksoi se, Shqipëria për 25 vjet demokraci ka zero investime amerikane.

Më tej, ai bëri me dije se, shqiptarët janë një popull pro amerikan, me qeveritar servil dhe të korruptuar.

“Rreziku i Shqipërisë, banditizmi dhe jo patriotizmi”,- tha kreu i “AK”-së, Kreshnik Spahiu.

Aktivistët “kuqezi” vendosën një mesazh për Kerry-n në krye të Bulevardit të Tiranës.