23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

“Shpresa” e Rrezeart Galicës

Në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, kur debati politik është i ashpër dhe krahas aktiviteteve që po shënojnë këtë 8-vjetor planifikohet edhe protestë, edhe artistët kanë mënyrën e tyre për të reaguar.

Artisti kosovar, Rrezeart Galaica, komenton për KosovaLive njërin nga punimet e tij, objekt i së cilit është simboli shtetëror i Kosovës, saktësisht flamuri. Sipas Galicës ky flamur u përzgjodh me një konkurs të rremë.

“Flamurin e Kosovës e kam zgjedhur pa pas parasysh ato debate që sot përfliten, jo që për mua është i pranueshëm por sepse ka ardhur si pasojë e një konkursi të rremë, jo serioz, sepse teksa ne po aplikonim me idetë tona për flamur shtetëror të Kosovës, pushtetarët e atëhershëm vetëm se e kishin shtypur një sasi të flamurit të sotëm në fabrikat e Turqisë. Kjo është një ndër arsyet pse më vije fallc ky flamur i sotshëm, që duket qartë i kontrabanduar dhe jo përfaqësues e aq më pak emocionues si simbol”, thotë Galica.

Në punimin e titulluar “Hope Ks” (Shpresë Ks) harta e Kosovës paraqitet si një balonë e shfryrë, sipër të cilës janë yjet e komuniteteve, që sipas autorit, është një metaforë për tkurrjen e kosovarëve dhe privilegjet e pa arsyeshme dhënë komuniteteve.

“Nëse them se vetëm zhvillimet e fundit janë si reflektim i veprës sime atëherë gënjej sepse nuk është e vërtetë sepse zhvillime në dëm të qytetarëve të saj ka pasur që prej kohësh. Ju kujtohet se në fillim të vitit të kaluar imazhet që depërtuan nga vendi ynë ishte braktisja e vendit në masë të madhe nga të rinjtë që kishin humbur shpresën se zhvillimet në vendin tonë do të ishin pozitive. Tani po shohim se duke u privilegjuar një pakicë apo një tjetër. Kjo po e përgjysmon shtetin tonë duke krijuar një embrion të një shteti tjetër përbrenda e për nga perspektiva duket se ky embrion do të jetë kancerogjen për ardhmërinë e këtij vendi”, shprehet Galica.

Rrezearti ka pasur ekspozita të ndryshme personale në Prishtinë, Turqi, Gjermani, Itali etj, si dhe shumë ekspozita kolektive në vend dhe rajon.

Rikujtojmë se Galica në nëntor të vitit të kaluar prezantoi punimin e tij, “Bloody Eiffel”, që e lidh me sulmet terroriste që ndodhën në Paris.

Më Shumë

Lajmet e Fundit