Presidenti francez, François Hollande, është duke mbajtur një takim emergjence në Élysée Palace – Pallati Elysee, së bashku me kryeministrin Manuel Valls, ministrin e brendshëm Bernard Cazeneuve, ministrin e mbrojtjes Jean-Yves Le Drian, ministri i jashtëm Laurent Fabius dhe ministri i Drejtësisë, Christiane Taubira, raporton The Guardian.
Vajza e Donikës, rrëfen momentin e arrestimit
Policia e Kosovës, e ka arrestuar sot në mëngjes, deputeten e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi në shtëpinë e saj.
Vajza e Donika Kadaj – Bujupi, Doruntina, ka rrëfyer se si është arrestuar e ëma e saj.
“Ishte ora 8:30 e mëngjesit, kur policia me maska dhe armë duke bërtitur, kanë kërkuar nga ne që të dalim jashtë dhe e kanë marr mamin. Gjatë aksionit, dera nuk është thyer, ajo ka qenë e hapur. Në ato momente krejt familja e ngushtë kemi qenë në banesë. Policia i ka bërtitur edhe gjyshes dhe i ka thënë me dal jashtë”, ka thënë vajza e Donikës, e cila ishte para Pallatit të Drejtësisë.
Përveç Donika Kadaj – Bujupi, policia është në kërkim edhe të Albin Kurtiti, Ismail Kurteshit dhe Albulena Haxhiut, për të cilët mbrëmë është lëshuar një fletarrest. /Gazeta Tribuna
Alma ndien keqardhje për arrestimin e Donikës!
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama, thotë se ndjenë keqardhje për arrestimin e Deputetes Donika Kadaj Bujupi.
Por, ajo thekson se do të donte që opozita të tregohej më e arsyeshme e të mos sfidonte shtetin dhe rendin si dhe kolegët me gazin lotsjellës.
“Është përjetim i rendë kur lexon lajmin se është arrestuar kolegia ime deputete, znj Donika Kadaj, më të cilën më lidh një bashkëpunim i gjatë dhe i vlefshëm sidomos përsa iu përket te drejtave te grave. Sinqerisht do të doja që gjerat të mos shkonim deri këtu, ku disa deputetë të bëhen subjekt i policisë e ne t’i shohim kolegët tanë në pranga. Do të doja që opozita të tregohej më e arsyeshme, të mos sfidonte shtetin dhe rendin, të mos na sfidonte as ne si kolegë me gazin lotsjellës. Jam e bindur që Donika se shpejti do t’i bashkohet punës se Kuvendit”,(sic) ka shkruar Lama në Facebook.
Isufi: Deputetët të mos arrestohen, ndryshe do të thellohet kriza në vend
Para ndërtesës së Pallatit të Drejtësisë ku po mbahet deputetja Donika Kadaj Bujupi, janë kolegët e saj nga AAK.
Ahmet Isufi u tha gazetarëve se ky është një veprim i pastër politikë, dhe se ata janë aty për ta përkrahur deputeten.
Në rast të arrestimit të deputetëve të tjerë dhe mbajtjes së tyre, Isufi la të kuptohet se kriza në vend do të thellohet ngase do të mblidhen në protesta, duke e kujtuar rastin e fundit të arrestimit të Albin Kurtit.
Shtyhet seanca për Limajn
Seanca për Fatmir Limajn është shtyrë për datën 26 nëntor, me arsyetimin se njëri nga të pandehurit kishte rast vdekje në familje.
Në këtë seancë ishte planifikuar që të lexohej aktakuza e ngritur si “e konsoliduar”, si rezultat i bashkimit të dy rasteve mbi të cilat janë zhvilluar hetimet, që ndryshe njihen edhe si MTPT1 dhe MTPT 2, pjesë e së cilës është edhe lideri i NISMA-së, deputeti Fatmir Limaj, që për kohën kur akuzohet drejtonte këtë ministri.
Vetëvendosje!: Përndjekja e opozitës të ndalet menjëherë
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi si dhe bastisjes së banesës së Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut.
Vetëvendosje thekson se Policia po i përgjigjet urdhrave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të cilët janë të gatshëm të shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë.
“Deputetja Kadaj – Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë. Ne nuk do të ndalemi pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë, pavarësisht sa larg është i gatshëm të shkojë pushteti, në mbrojtje të ‘Zajednicës’”, thuhet në reagimin e VV-së.
Bastiset banesa e Albin Kurtit (Foto)
Njësitet e Plicisë kanë rrethuar godinën ku banon Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me familjen e tij të ngushtë, ndërsa janë bllokuar edhe hyrje-daljet e rrugës që lidhin me banesën e Kurtit.
Burime të KosovaPress nga VV kanë deklaruar se Albin Kurti në momentin e bastisjes së shtëpisë së tij nuk ndodhej aty.
Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi se si duket banesa e Albin Kurtit, pas largimit të Policisë.
Policia pasi ka kryer bastisjen e banesës është rikthyer për kontroll pasi janë gjuajtur me molla nga katet tjera të banesave.
AAK: Donika u arrestua me urdhër të politikës
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi se sot në orët e hershme të mëngjesit, forca të mëdha policore kanë arrestuar deputeten e AAK-së, Donika Kadaj, në dalje të shtëpisë së saj.
AAK i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhra politike të të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Mustafës, Thaçit dhe Veselit.
“AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkundër shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim e AAK-së.
AAK kërkon lirimin sa më parë të deputetes, Donika Kadaj!
Arrestohet Donika Kadaj-Bujupi
Policia e Kosovës ka arrestuar deputeten e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila raportohet të jetë dërguar në Prokurorinë Themelore të Pallatit të Drejtësisë.