9 C
Prizren
E martë, 5 Maj, 2026
Home Blog Page 6534

Shteti në dorë të analfabetëve

0

Dy doktorë shkence së fundi kanë kërkuar punë në qendrat komunale të punësimit, ndërkohë në shkollat e Kosovës janë të punësuar 565 persona të cilët nuk kanë asnjë edhe një ditë shkollë.

Përkundër kësaj, asgjë nuk i pengon ata punojnë në këto institucione të dijes.

Po më të ngritur profesionalisht nuk janë edhe të tjerët që punojnë në institucionet edukativo-arsimore.

Rreth 2 mijë punonjës në objekte arsimore e kanë të kryer vetëm shkollën fillore. Ndërkaq, me shkollë të mesme janë 3 mijë e 945.  Ndërkohë që vetëm 14 mijë punonjës të tjerë kanë përfunduar shkollimin superior.

Kështu tregojnë të dhënat e punësimit nëpër institucionet publike, të siguruara nga Gazeta Fjala.

Hiq më mirë me kuadro nuk qëndrojnë as ministritë, komunat e agjencitë tjera shtetërore.

Sipas të dhënave të punësimit të marra në Ministrinë e Administratës Publike, janë 982 zyrtarë komunal në tërë Kosovën që kryejnë funksionet e tyre pa asnjë ditë shkollë.  Nga ta 410 punojnë në administratë.

Derisa me shkollë fillore janë të punësuar 2 mijë e 225 punonjës, e 10 mijë e 313 të tjerë e kanë të kryer vetëm shkollën e mesme. Me shkollim të lartë janë 6 mijë e 446, përderisa me shkollim superior janë afër 20 mijë persona.

Ministri e Arsimit heshtë për të pashkollët

Në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk flasin për këtë çështje. Zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë sqaruar për Gazetën Fjala se për cilët punëtorë bëhet fjalë dhe përse personat e pa-kualifikuar mbajnë pozita të cilat nuk iu takojnë.

Njohësit e sistemit arsimor në Kosovë nuk e mohojnë faktin se në mesin e tyre mund të jenë edhe mësimdhënës të cilat nuk janë të përgatitur profesionalisht për lëndët që japin.

Dukagjin Popovci, ekspert i çështjeve arsimore thotë se këto raste janë më të shpeshta në zonat rurale për shkak të kontratave të shkurtra, të mësimdhënësve e zëvendësimeve të tyre.

“Në shkollat tona ka edhe persona që asnjëherë nuk kanë qenë të kualifikuar për punën që bëjnë, për shembull ekonomisti i diplomuar mban mësim nga matematika. Zakonisht, kjo ndodhë në shkollat rurale ku ka pak interesim për punësim tek të rinjtë”, ka thënë për Gazetën Fjala, Popovci.

Shqetësuese duket të jetë përgatitja profesionale e të punësuarve në shëndetësi në nivelin komunal.

Në mesin e rreth 6 mijë punonjësve shëndetësor në të gjitha komunat e Kosovës sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Publike 7 janë pa asnjë nivel të shkollimit.

Ndërkaq, me shkollë fillore janë 347 punëtorë, me shkollë të mesme janë 3 mijë e 898 persona, derisa vetëm 52 prej tyre e kanë të përfunduar shkollimin e lartë.  Ndërkaq 1 mijë 601 prej tyre e kanë të përfunduar shkollimin superior.

Por edhe në nivelin qendror gjendja mjaftë e rëndë sa i përket përgatitjes profesionale të shërbyesve civil.  Prej të gjithë të punësuarve nëpër ministri, janë 847 persona të cilët e kanë  të kryer vetëm shkollën  fillore.

Me shkollë të mesme janë 18 mijë e 184 persona, ndërsa shkollimin e lartë e kanë të kryer vetëm 904 të punësuar. Me shkollim superior janë 11 mijë e 713 punonjës

Ekspertët e arsimit: Të ndërhyjë inspektorati

Dukagjin Popovci thotë se i takon Inspektoratit të punës të merret me rastet kur fshihet vendi i punës dhe nuk pranohen personat e kualifikuar.

Megjithatë, ai mendon se kualifikimet e mësimdhënësve duhet të njihen, edhe nëse nuk e kanë përfunduar shkollimin superior.

“Dikush mund ta thotë me lehtësi sot se një mësuese e punësuar para 25 vjetësh është e pakualifikuar pasi nuk e ka të kryer fakultetin, por vetëm shkollën e lartë.  Por kjo nuk funksionon në këtë mënyrë askund në botë. Nëse një person ka qenë i kualifikuar për një profesion në kohën e punësimit, atëherë ky kualifikim i njihet përderisa është në gjendje ta ushtrojë atë profesion me sukses”, ka thënë njohësi i çështjeve arsimore.
Sipas tij këta mësimdhënës duhet të ndjekin trajnime, për ti përmirësuar  kualifikimet e tyre. E në rast se shteti nuk u ofron mundësi të tilla, Popovci thotë se kualifikimin nuk e përbën vetëm diploma, por përvoja gjatë karrierës.

“Këtyre personave duhet mundësuar të ndjekin trajnime ose edhe programe ri-kualifikimi që t’i përmirësojnë kualifikimet e tyre. Në ato raste kur shteti nuk mund të ofrojë mundësi të tilla atëherë duhet pranuar kualifikimin e tyre si të mirëqenë, sepse kualifikimin nuk e përbën vetëm diploma, por edhe përvoja dhe të mësuarit gjatë karrierë”, ka shpjeguar ai./Gazeta Fjala/

Evra: Edhe dy sezone te Juve

0

Mbrojtësi francez, Patrice Evra, ka konfirmuar se do të nënshkruajë kontratë të re që i garanton qëndrimin te Juventusi edhe për dy vjetët e ardhshme.

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit ka luajtur një rol të rëndësishëm te gjiganti italian drejt triumfit dy vjet radhazi në Serie A dhe Kupën e Italisë, qëkur ishte transferuar si lojtar i lirë në vitin 2014.

“Po, e kam dhënë pëlqimin tim, do të rri te Juventusi edhe për dy vjet të tjera”, ka thënë 35-vjeçari për La Gazzetta dello Sport.

Ai pritet të qëndrojë deri në vitin 2018 me klubin nga Torino.

VV protestë brenda dhe jashtë Kuvendit për demarkacionin

0

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta lejoj ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvend dhe për këtë do të organizoj edhe protestë të fuqishme brenda dhe jashtë kuvendit.

Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur njëri ndër kushtet e fundit për liberalizimin e vizave, raporton Indeksonline. Por këtë çështje partitë opozitare janë duke e kundërshtuar pothuajse tash e nëntë muaj.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë për Indeksonline se nuk është e drejtë të kërkohet falja e mbi 8000 hektarëve tokë vetëm për liberalizim të vizave.

“Ne nuk do të lejojmë miratimin e kësaj marrëveshje. Jemi shteti që ka pritur më së shumti në rajon për liberalizim të vizave, dhe nuk është e drejtë që të kërkohet nga ne falja e mbi 8000 hektarëve. Nuk do ta lejojmë miratimin e kësaj marrëveshje dhe për këtë do të organizojmë protestë të fuqishme brenda dhe jashtë Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, kërkesa që demarkacioni të miratohet para miratimit të liberalizimit të vizave është e padrejtë ngase nuk i është vënë asnjë shteti të rajonit.

“Kërkesa që demarkacioni të miratohet para miratimit të liberalizimit të vizave, është e padrejtë ngase nuk i është vënë asnjë shteti të rajonit. Mali i Zi, i cili sot ka liberalizim të vizave, asnjëherë nuk e ka pasur kusht që për ta marrë liberalizimin ta ketë të zgjidhur çështjen e demarkacionit me Kosovën”, ka thënë ai.

Koalicioni ka votat për demarkacion

0

Koalicioni qeverisës i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend për ta ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën kërkohet vota e dy të tretave të deputetëve.

Por, një gjë e tillë ende nuk dihet se kur do të ndodhë, ndonëse është kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që kjo çështjet të përfundojë sa më shpejtë, në mënyrë që të ecet përpara me procesin e liberalizimit të vizave. Opozita konsideron se koalicioni qeverisës po frikësohet ta procedojë këtë çështje në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë më 25 maj, por as në këtë seancë në rend dite nuk është paraparë të jetë ratifkimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Partitë e koalicionit qeverisës, ndonëse i kanë më shumë se 80 deputetë në Kuvend, nuk po e procedojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Këtë hezitim, nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e konsideron si frikë të koalicionit qeverisës.

“Ky koalicion e ka një shumicë parlamentare për të marrë vendime. Por ata gjithnjë janë frikësuar nga numrat, sepse shpeshherë nuk iu ka dalë llogaria ashtu sic kanë menduar. Edhe pa i penguar ata frikësohen nga vetë brenda koalicionit të tyre sepse ka deputetë që po deklarohen publikisht se janë kundër formës së tillë dhe demarkacioni ashtu siç është parashtruar nga komisioni”, tha Kollçaku për Radio Kosovën.

E në rast se ratifkimi i marrëveshjes për demarkacionin shkon në Kuvend, Kollçaku thotë se Vetëvendosje, e cila tash e sa kohë po i bojkoton seancat, do të kthehet aty për ta kundërshtuar ratifkimin.

“Ne e kemi dhënë kundërshtimin tonë në vazhdimësi dhe normalisht që do ta kundërshtojmë çfarëdo zgjidhje të imponuar, çdo zgjidhje që nuk është pyetur qytetarët, por është marrë në mënyrë të njëanshme”, tha Kollçaku për Radio Kosovën.

E analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se do të ishte mëkat i madh që qytetarët e Kosovës edhe më tej të mbeteshin të izoluar, për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Andaj ai thotë se një zgjidhje mund të gjendet me presionin e bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm BE-së, por edhe SHBA-së.

“Do duhej të arrihej një konsensus i përgjithshëm politik, ose në masën më të madhe i tillë, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë, natyrisht duke mos qenë në dëm të Kosovës siç është tash”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë pas mbledhjes së fundit të Kryesisë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi nuk është ende në agjendën e Kuvendit, porse sipas tij, ajo çfarë do të ndodhë në asnjë mënyrë nuk do ta vërë në rrezik liberalizimin e vizave dhe se vendimmarrja do të jetë adekuate me interesat e vendit dhe të qytetarëve./RTK/

‘Palma e Artë’ për britanikun

0

Filmi “I, Daniel Blake”, i regjisorit britanik Ken Loach, ka fituar “Palmën e Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë.

Ky ishte çmimi i dytë i 79-vjeçarit për filmin më të mirë në Festival, pas atij të vitit 2006 “The Wind That Shakes the Barley”.

Filmi paraqet ndikimin e sistemit të mirëqenies në Mbretërinë e Bashkuar në jetën e një të veje të moshës së mesme.

“Ne duhet të japim një mesazh shprese. Duhet të themi se një tjetër botë është e mundshme”.

“Bota në të cilën jetojmë është në një pikë të rrezikshme tani. Jemi në kthetrat e një projekti të rrezikshëm të kursimit, drejtuar nga idetë që ne i quajmë neo-liberalizëm, e që na kanë sjellë afër katastrofës”, ka deklaruar Loach, pasi ka pranur çmimin.

Snowden: Osama Bin Laden nuk ka vdekur, po jeton si “pasha”

0

Edward Snowden thotë se, ka dëshmi të cilat tregojnë se Osama Bin Laden, jo vetë që nuk është vrarë, por është duke bërë shtatë palë qejfe në Bahamas.

Ai thotë se, Bin Laden po ashtu vazhdon që të jetë në listën e rrogave të CIA-s, duke marrë një pagë prej 100.000 dollarësh amerikanë në muaj.

Snowden, i cili tani jeton në Rusi, ku i kanë dhënë azil politik për një vit, ka kohë që lëshon informata kontroverse, kështu që nuk dimë sa mund të jetë i vërtetë ky lajm rreth Bin Ladenit, raporton KS.

Sido që të jetë, ai thotë se Qeveria amerikane e inskenoi vrasjen e Bin Ladenit, në mënyrë që atë të mos e kërkonte kush më, ta linin të qetë.

Dihet se Osama Bin Laden ishte agjent i CIA-s gjatë luftës kundër trupave sovjetike në Afganistan, prandaj Snowden thotë se, CIA kurrë nuk do ta porosiste vrasjen e agjentëve të saj, meqë kështu do t’iu dërgonte mesazh të pakëndshëm agjentëve të tjerë të saj.

Gjashtë serbë të Kosovës deputetë në Kuvendin e Serbisë

0

Në përbërjen e re të Parlamentit të Serbisë do të ulen vetëm gjashtë deputetë serbë nga Kosova e nga 12 lista sa kanë hyrë në Kuvend, tetë nga to nuk e kanë asnjë përfaqësues nga Kosova, njofton dhe ankohet gazeta e Beogradit “Veçernje Novosti”.

Pos nga pesë listat e minoriteteve, deputetë nga Kosova nuk kanë as radikalët, koalicioni me DS-në dhe Lëvizja “Dosta je bilo”.

Në klubet e deputetëve nga përparimtarët dhe socialistët (parti të Vuçiqit e Daçiqit) do të jenë nga dy deputetë , derisa Dveri-DSS dhe lidhja LDP-LSV-SDS do të përfaqësohen me nga një deputet nga Kosova.

Eric Clapton prezanton albumin e ri

0

“I Still Do” titullohet albumi më i ri i kitaristit legjendar, Eric Clapton, që u publikua të premten e që duket se përshtatet si një këpucë e rehatshme me principet e tij.

Ai këndon këngë të Johnsonit dhe është çudi që mund të gjejë këngë të tij që nuk i kanë përpunuar ende – J.J Caleit dhe Bob Dylanit, bashkë me dy të tjera origjinale.

Kopertina e pjesës së prapme të “I Still Do” e pasqyron dorën e Clapton me një dorezë mbrojtëse tek mban qafën e kitarës. Janë ekspozuar vetëm gishtërinjtë.

Clapton 71- vjeçar, ka tri vajza prej moshës 11 deri në 14-vjeçare dhe është e natyrshme që ato kanë pak interesim për incizimet e vjetra të babait të tyre për Robert Johnson. Ato janë adhuruese të Justin Bieberit, shkruan Chicago Tribune.

“Supozoj, se isha paksa i zhgënjyer që ato po flisnin për të, derisa dëgjova muzikën e tij”, citohet të këtë thënë muzikanti.

Filmi me Uliks Fehmiun shfaqet në Nju Jork

0

Nju Jorku për herë të 13-të do të mirëpresë filmat më të mirë të krijuar në Bosnjë.

Ky edicion i Festivalit të Filmit nga Bosnja në Nju Jorku do të nisë me 25 maj, dhe 16-të filma të regjisorëve nga Bosnja do të jepen në metropolin amerikan.

Në mesin e këtyre filmave është edhe “Our Everyday Life” ku luan edhe Uliks Fehmiu, aktori tanimë i dëshmuar dhe djali i aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, transmeton KultPLus. Filmi trajton problemet e një familje tipike boshnjake, me regji nga Ines Tanovic, dhe prekë vitet 2000 kur në Bosnjë kërkohej një jetë më e mirë, por realiteti vështirë që ndryshohej.

Pos këtij filmi, në këtë Festival të Filmit do të shfaqen edhe “Tigers” nga Danis Tanovic dhe”One Day in Sarajevo” nga Jasmila Zhbaniq, e po ashtu edhe “Zvizdan” nga Dalibor Mataniq.

Shumica e filmave janë premiera amerikane, dhe një pjesë e mirë e tyre kanë fituar edhe çmime.

Maliqi: Nuk falim tokë për vizat, demagogji patriotike

0

Publicisti Shkëlzen Maliqi i ka quajtur demagogë politikë të gjithë ata që thonë se “Nuk falin tokë për vizat”.

“”Nuk falim tokë për viza!” është demagogji patriotike e radhës! Të çosh inat me botën dhe injorosh parimin e përcaktimit të demarkacionit me Malin e Zi mbi vijat kufitare dhe gjendjen administrative dhe kadastrale të Kosovës sipas kushtetutave të fundit të federatës jugosllave të vitit 1974, nuk është as mençuri e as sjellje patriotike”, ka shkruar Maliqi në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Parimi i sukcesionit të një shteti të shpërbërë është ligj ndërkombëtar që obligon të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë dhe do të vlejë edhe në demarkacionin me Serbinë. Nuk ka pikënisje tjetër racionale për çështjen”.

“Është tjetër gjë kur thuhet dhe konstatohet se kufiri i 1974 është i padrejtë ose i gabuar, jonatyror, arbitrar etj. Kjo mund të jetë platformë politike e të ardhmës së shtetit dhe partive, por jo e fiksimit ndërkombëtar të sukcesionit. Kjo do të thotë se akti i ratifikimit të demarkacionit të kufijëve adminstrativë të Kosovës të vititi 1974 nuk e përjashton mundësinë që dy shtete sovrane, të rinegociojnë dhe bisedojnë për korrigjimin e kufirit, që në ditën e parë pasi që ai të ratifikohet në kuvendet e dy shteteve”

”Kjo aq më parë që për këtë ka tregur gatishmëri edhe Mali i Zi, ku edhe nga ana e komunave kufitare të Rozhajës dhe Plavës ka pakënaqësi me demarkacionin” ka shkruar ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

”Mësim për “patriotët”është vetëm ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi na bën shtet sovran jo vetëm për liberalizimin e vizave por edhe për korrigjim eventual të kufijve”.