20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Koalicioni ka votat për demarkacion

Koalicioni qeverisës i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend për ta ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën kërkohet vota e dy të tretave të deputetëve.

Por, një gjë e tillë ende nuk dihet se kur do të ndodhë, ndonëse është kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian që kjo çështjet të përfundojë sa më shpejtë, në mënyrë që të ecet përpara me procesin e liberalizimit të vizave. Opozita konsideron se koalicioni qeverisës po frikësohet ta procedojë këtë çështje në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë më 25 maj, por as në këtë seancë në rend dite nuk është paraparë të jetë ratifkimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Partitë e koalicionit qeverisës, ndonëse i kanë më shumë se 80 deputetë në Kuvend, nuk po e procedojnë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Këtë hezitim, nënkryetarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e konsideron si frikë të koalicionit qeverisës.

“Ky koalicion e ka një shumicë parlamentare për të marrë vendime. Por ata gjithnjë janë frikësuar nga numrat, sepse shpeshherë nuk iu ka dalë llogaria ashtu sic kanë menduar. Edhe pa i penguar ata frikësohen nga vetë brenda koalicionit të tyre sepse ka deputetë që po deklarohen publikisht se janë kundër formës së tillë dhe demarkacioni ashtu siç është parashtruar nga komisioni”, tha Kollçaku për Radio Kosovën.

E në rast se ratifkimi i marrëveshjes për demarkacionin shkon në Kuvend, Kollçaku thotë se Vetëvendosje, e cila tash e sa kohë po i bojkoton seancat, do të kthehet aty për ta kundërshtuar ratifkimin.

“Ne e kemi dhënë kundërshtimin tonë në vazhdimësi dhe normalisht që do ta kundërshtojmë çfarëdo zgjidhje të imponuar, çdo zgjidhje që nuk është pyetur qytetarët, por është marrë në mënyrë të njëanshme”, tha Kollçaku për Radio Kosovën.

E analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se do të ishte mëkat i madh që qytetarët e Kosovës edhe më tej të mbeteshin të izoluar, për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Andaj ai thotë se një zgjidhje mund të gjendet me presionin e bashkësisë ndërkombëtare, jo vetëm BE-së, por edhe SHBA-së.

“Do duhej të arrihej një konsensus i përgjithshëm politik, ose në masën më të madhe i tillë, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë, natyrisht duke mos qenë në dëm të Kosovës siç është tash”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë pas mbledhjes së fundit të Kryesisë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi nuk është ende në agjendën e Kuvendit, porse sipas tij, ajo çfarë do të ndodhë në asnjë mënyrë nuk do ta vërë në rrezik liberalizimin e vizave dhe se vendimmarrja do të jetë adekuate me interesat e vendit dhe të qytetarëve./RTK/

Më Shumë

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Shqipëria, Besim R. Cengu, promovohet në Prizren

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Kukësi i Shqipëria, Besim R. Cengu, u promovua në Prizren. Studiuesit i kanë vlerësuar lartë baladat e publikuar...

Lexojeni kodin 20 pikësh që indianët e Amerikës ia dhuruan njerëzimit

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet. 2. Ji tolerant me njerëzit që...

Lajmet e Fundit