10.7 C
Prizren
E mërkurë, 13 Maj, 2026
Home Blog Page 6565

Ragip Begaj: Lirimi i Limajt, tregon pastërtin e luftës së UÇK-së

0

Sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë Komunale, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fillim të kësaj mbledhje, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Apelit, lidhur me rastin “Kleçka”, për lirim nga aktakuza për Fatmir Limajn dhe nëntë ushtarët tjerë të UÇK-së, të cilët kryesisht janë nga Komuna e Malishevës.

“Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit, për herë të pestë, për të njëjtin rast, u dëshmua jo vetëm pafajësia, por edhe lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Përndryshe në mbledhjen e sotme, drejtorët e drejtorive, raportuan për punët dhe angazhimet e tyre, gjatë javës së shkuar dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje, u bë e ditur se kanë filluar përgatitjet për shënimin e 16 Qershorit- Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, si dhe u tha se do të ketë aktivitete edhe me rastin e 1 Qershorit-Ditës së Fëmijëve.

Sa i përket realizimit të projekteve, sipas drejtorive komunale, të gjitha projektet nga lista e miratuar, e investimeve kapitale, do të përfundojnë sipas planifikimeve, si në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe në fusha të tjera.

Ndërsa për shërbimet administrative, u bë e ditur se janë mobilizuar për shkak të rritjes së numrit të personave që aplikojnë për pasaporta biometrike dhe të cilët kanë nevojë për nxjerrje të dokumenteve në shërbimin e gjendjes civile, si dhe janë përgatitur edhe për pritjen e bashkatdhetarëve, të cilët gjithashtu kanë nevojë për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme, dhe u premtua se në maksimum, do të evitohen pritjet para sporteleve, sepse shërbimet do të jetë të shpejta.

Nexhat Çoçaj i pafajshëm, Shaip Buduri dënohet me burg

0

Drejtori Komunal i Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, është shpallur i pafajshëm sot në Gjykatën Themelore në Prizren në akuzën për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar ndërsa drejtori i gjimnazit në Prizren, Shaip Buduri, është dënuar me një vit burg pasi u gjet fajtor në akuzën e njëjtë.

Çoçaj dhe Buduri akuzoheshin për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, se i mundësuan mikut të drejtorit të gjimnazit, Besnik Krasniqi, lidhje të kontratës së punës pa shpallur konkurs për vendin e punës.

Edhe Çoçaj edhe Buduri, gjatë shqyrtimit të provave, ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave./kallxo.com/

Petrit Çeku në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Panama

0

Në këtë festival ‘Encuentro Internacional de Guitarra 2016”, që do të shënoj edicionin e 13-të do të marrin pjesë kitaristë të rëndësishëm nga bota, shkruan KultPlus

Edhe mediet e Panamasë kanë shkruar për pjesëmarrjen e kitaristit kosovar Petrit Çeku në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës që do të mbahet në Panama e që do të nis më 19 maj të këtij viti. Në këtë festival ‘Encuentro Internacional de Guitarra 2016”, që do të shënoj edicionin e 13-të do të marrin pjesë kitaristë të rëndësishëm nga bota, shkruan KultPlus.

Petrit Çeku i cili karrierën e tij prej kitaristi është duke e zhvilluar në Kroaci, ka marë pjesë në festivale të rëndësishme të këtij instrumenti, por duke mos përjashtuar edhe prezantimet e tij të shumta edhe në Kosovë, duke përfshirë edhe koncertet humane./KultPlus.com

E zeza dhe e kuqja

0

Marjeta Bejtullahu Thaçi

Një ndër mjeshtërit e shquar të krijimtarisë narrative – zhanrit romanor është padyshim edhe autori Mehmet Kraja, i cili së fundi na prezantoi romanin “E zeza dhe e kuqja”.

Romani në fjalë është një rrëfim vërshues për historinë dhe aktualitetin që ende nuk është bërë histori, për Shqipërinë që i bëri njëqind vjet shtet që Kraja e quan “Shqipëri e brendshme” dhe pjesës tjetër të Shqipërisë që mbeti jashtë kufijve të saj që Kraja e quan “Shqipëri e jashtme”.

“E zeza dhe e kuqja” është roman voluminoz i strukturuar në tri pjesë, me një dekonstruksion që fillon me perceptim e vazhdon me imago e histori duke na rrëfyer historinë njëqindvjeçare të Shqipërisë që sipas citimit të Basri Çapriqit: “Historia e Krajës nuk është histori e betejave apo e luftërave që fitohen, është histori e ndeshjes së ideve që ato luftëra kanë bartur”.

Pavarësisht se ngjarja është shtrirë në një nga fshatrat në kufi të Shqipërisë dhe Malit të Zi gjë që konsiston me vendin ku është lindur dhe rritur vetë autori i romanit “E zeza dhe e kuqja” nuk është roman autentik, por është përvojë, perceptim, histori, lexim me një fjalë është konglomerat i kësaj vepre. E përshkruar nga karaktere të ndryshme, figura historike dhe johistorike, heronj të paharruar, me elemente dramatike, botë fizike dhe metafizike, në formë reminishencash Kraja trajton çështjen problematike të kufirit që njëherësh është edhe tema e romanit. Është kufiri ky që i solli fatkeqësi të tërë fshatit, e veçanërisht tri brezave të familjes Bogdani, gjyshit, birit dhe nipit.

Kronika tragjike e familjes Bogdani rrëfehet brenda njëqind viteve, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri te njëqindvjetori i pavarësisë së tij.

Më 1913 gjyshi Halil Bogdani përjetoi themelimin e shtetit shqiptar dhe vendosjen e kufirit, por duke kundërshtuar që të mos vihej ky kufi, vritet. Brezi i dytë i familjes Bogdani është Saliu i cili përjetoi Luftën e Dytë Botërore, i bindur se tanimë ishte koha që të hiqet ky kufi, duke i ruajtur gurët e tij mbasi i kishte shtyrë, u vra me dymbëdhjetë plumba nga partizanët e të dy anëve. Brezi i tretë i familjes Bogdani është vetë narratori i romanit, i cili po ashtu vdes tragjikisht. Ai vritet paradoksalisht nga një toskë i çmendur që quhej Kiço në ditën kur Shqipëria festonte njëqindvjetorin e themelimit. Kiço një kohë kishte qenë partizan, pastaj ishte bërë ushtarak dhe që atëherë nuk i hiqte nga trupi uniformën e oficerit me bindjen se ende është diktatura e Enver Hoxhës. Por, fatkeqësitë e familjes Bogdani nuk i përcollën vetëm meshkujt por edhe vajzat dhe nuset e saj.

Pas vrasjes së burrit Halil Bogdanit, gjyshe Sibja nuk ndihej mirë. Ajo tërë kohën rrinte si në ëndërr dhe diçka e çuditshme ndodhte me të. I dukej sikur në anën tjetër të ëndrrës të ishte burri i saj, kështu një ditë u nis të shkonte në Shkodër për ta takuar shpirtin e tij. Ajo nuk u kthye më, u gjet e shtrirë mbi një varr të panjohur dhe u varros në një djerrinë të vetmuar.

Edhe gruaja e Salihut pas vdekjes së tij nuk ndihej mirë dhe ishte mbyllur në vetvete. Shëndeti i saj ishte përkeqësuar edhe më shumë. Ajo vdiq me mallin që ta shihte edhe një herë djalin e saj të cilin pafajësisht e kishin burgosur me njëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Fatkeqësitë e familjes Bogdani rëndojnë edhe te e bija e tyre e cila nga peripecitë e familjes së saj çmendet.

Romani “E zeza dhe e kuqja” cituar sipas Zija Çelës është një roman me aromë letërsie, i shkruar me dorë të rëndë, tekst mbi sfidën autoriale ndaj rregullave që ngrysin stilin dhe me pasuri të shprehjes deri në pamundësi të gjuhës.

Autori në këtë rrëfim zbulon ironinë e kohës e të vërtetës, absurdin e realitetit të sistemeve pa moral. Diskursi i romanit kryesisht është fokusuar në ide atdhetare dhe ka katër nivele: letrar, historik, politik e realist.

Triumf i Ermonela Jahos

0

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, ka fituar Çmimin Ndërkombëtar të Operës nga votat e publikut botëror.
Ky çmim, që mund të quhet si “Oscar”-i i Operës Botërore, i është dhënë yllit shqiptar të muzikës operistike, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të zhvilluar të dielën në mbrëmje në Teatrin Savoy të Londrës.

Jaho e ka fituar këtë çmim në bazë të votave të publikut mbarë botëror. Në kategorinë e çmimit të dhënë nga publiku botëror, sopranoja shqiptare konkurronte me disa nga zërat më të bukur dhe më të njohur të operës botërore kontemporane, si Joyce Didonato, Juan Diego Florez, Dimitri Hvorostovsky, apo Eva Maria Ëestbroek, etj.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve përfshiheshin çmimet për regjinë më të mirë, dirigjentin më të mirë, këngëtarët e kategorive të ndryshme apo produksionet e teatrove nëpër botë.
Nomimini dhe votimi nga publiku botëror lihet me performancat e Ermonela Jahos gjatë tërë këtyre viteve, duke përmendur “Sour Angelica” në triptikun e Pucinit, apo edhe regjistrimin së fundmi të operës “Zaza” me orkestrën simfonike të BBC në Londër. Këto performanca janë vlerësuar maksimalisht nga disa nga mediat më të njohura dhe me më influencë në botë si “Financial Times”, që sërish boton të hënën një shkrim për sopranon shqiptare, “Times” e Londrës, e shume media në mbarë botën.

Duke folur për Top Channel në Londër, pas marrjes së çmimit ndërkombëtar, Ermonela Jaho tha: “Jam shumë e emocionuar në këto momente. Falenderoj gjithë shqiptarët që votuan për mua dhe publikun që më ndjek në çdo anë të botës. Kushdo që përkushton gjithë jetën drejt pasionit të tij, është gjithmonë fitues”, deklaroi Jaho pas marrjes së çmimit ndërkombëtar.

Ky çmim për yllin shqiptar të muzikës operistike është i pari që një artist shqiptar merr në nivele të tilla kaq të larta, vlerësohet se çmim “Oscar” i muzikës operistike në botë.

 

Konfliktohen 3 kushërinj, përfundojnë në pranga

0

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona të të njëjtit fis, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin ditën e diel, pranë xhamisë së Farkës së Madhe. Xhevdet Aga, 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trup shërbimi pranë stacionit të Policisë Farkë u arrestua së bashku me të birin Shkëlqim Aga, 37 vjeç dhe bashkëshorten V. Aga, 61 vjeçe.

Tre anëtarët e familjes përfunduan në pranga pas një konflikti që djali i efektivit, Shkëlqimi, pati me djalin e xhaxhai të tij H. Aga.

“Më datë 15.05.2016, në Farkë të Madhe, shtetasi H. Aga, duke udhëtuar me mjetin e tij, pranë xhamisë në Farkë të Madhe, është goditur nga mbrapa nga mjeti tip ‘Audi’, me drejtues shtetasin Shkëlqim Aga (kushërinj të parë), ku më pas janë konfliktuar me mjete të forta, si pasojë H. Aga është dërguar në QSUT, për mjekim”, njofton policia.

Por Shkëlqim Aga nuk është mjaftuar vetëm me dhunimin e djalit të xhaxhait. Mësohet se ai ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip automatik dhe ka shkuar tek banesa e shtetasit A. Aga, babai i të dëmtuarit, njëkohësisht dhe xhaxhai i tij.

Pas konfliktit verbal me xhaxhain dhe bashkëshorten e tij shtetasen S. Aga, ka qëlluar me armë muret rrethuese të banesës së A. Aga dhe është larguar. Më pas ka vijuar konflikti midis shtetasve Xhevdet Aga me të vëllain A. Aga dhe nusen e tij S. Aga, ku kjo e fundit është dhunuar fizikisht nga Xhevdet Aga.

Nga hetimet e kryera si dhe nga kqyerja e vendit të ngjarjes është faktuar se shtetasja V. Aga (e ëma e shtetasit Shkëlqim Aga), ka mbledhur gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes dhe ka bërë fshehjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar: një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehra dhe 21 copë fishekë

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Evropa kushtet, Kosova talentin

0

Tri skuadra kosovare do të dalin në Evropë

“E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane e çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte të mira, ndërsa ne e kemi cilësinë. Për të arritur rezultate çfarë po kërkojmë, duhet organizim i mirë, shumë punë e mbi të gjiha disiplinë, pasi në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka thënë Liridon Leci,shkruan gazeta Kosova Sot.

Të gjithë futbolldashësit kosovarë gjatë verës sytë do t’i kenë nga skuadrat, që do ta përfaqësojnë për herë të parë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare, për ta parë kështu nivelin tonë karshi atij evropian. Pa dyshim se kjo mund të sjellë presion te lojtarët, të cilët në rast të paraqitjeve zhgënjyese, mund t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit dhe sigurisht pastaj edhe entuziazmi mund të vijë duke u shuar. Megjithatë, futbollistët e dy skuadrave, që pritet të dalin në garat evropiane, Feronikeli e Hajvalia, Mentor Zhdrella e Liridon Leci, janë të bindur se do të tregojnë nivel të lartë, dhe se nuk i frikë- son rivaliteti i skuadrave evropiane.

Ish-futbollisti i Kalmar-it të Suedisë, por edhe disa skuadrave në kampionatit shqiptar, Liridon Leci, e di shumë mirë nivelin e ekipeve evropiane, pasi pati rastin të marrë pjesë në kupat ndërkombëtare. Ai, në një bisedë për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se klubet tona nuk kanë pse të frikësohen nga forca e kundërshtarëve, por gjithsesi se duhet shumë punë, që të paraqiten siç po pretendojnë. Njëjtë mendon edhe futbollisti aktualisht më i miri në Kosovë, Mentor Zhdrella, i cili beson se rezultatet nuk do të mungojnë.

Zhdrella: Nuk do të zhgënjejmë

Njëri nga futbollistët më të mirë, që ka nxjerrë Superliga e Kosovës pas luftës, pa dyshim është mesfushori i Feronikelit, Mentor Zhdrella. Ish-lojtari i disa skuadrave kosovare sivjet feston titullin e kampionit me “Niklin”, gjë të cilën e kishte bërë me herët edhe me Hysin. Zhdrella është shumë i lumtur që më në fund edhe klubeve tona do t’u jepet mundësia të luajnë në garat ndërkombëtare derisa është i bindur se prezantimi i tyre do të jetë në nivelin më të lartë. “Nuk u frikësohemi aspak garave ndërkombëtare, edhe pse për ne do të jetë hera e parë që do të luajmë në ato gara. Do të japim gjithçka që të prezantohemi sa më mirë dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë, pasi kemi ekip cilësor dhe me përvojë”, ka thënë Zhdrella, i cili e ka të qartë për përgjegjësinë e madhe që kanë këtë herë. “Është e vërtetë që i gjithë opinioni këtë herë do të drejtohet nga ne, por kjo aspak nuk na jep presion dhe nuk frikësohemi se mund t’i zhgënjejmë. Gjithsesi, për rezultate të mira do të varet shumë edhe nga shorti që do ta kemi”, ka përfunduar Mentor Zhdrella.

Leci: Mungojnë kushtet, por jo edhe cilësia

Hajvalia këtë vit ka shënuar suksesin më të madh në histori të klubit. Skuadra prishtinase do të përfundojë si nënkampion i Raiffeisen Superligës dhe, sipas të gjitha gjasave, do ta prezantojë futbollin tonë në garat e Ligës së Evropës. Futbollisti kryesor i kësaj skuadre, Liridon Leci, ka thënë se ekipi po përgatitet për të pasur paraqitje sa më të mira në Evropë. “Vendi i dytë në kampionat është vërtet sukses për ekipin e Hajvalisë, sepse unë nuk mbaj mend që Hajvalia të ketë qenë në nivele të tilla”, ka thënë Leci, sipas të cilit për të pasur rezultate në arenën ndërkombëtare duhet shumë punë.

“Normalisht se duhen investime, duhen lojtarë me kualitete të larta për t’u ballafaquar me ekipet evropiane. Unë mendoj se si Hajvalia, ashtu edhe Feronikeli, që marrin pjesë në Evropë, nuk do t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit, përkundrazi ne kemi mundësi dhe shanse të mira që të kemi rezultate edhe në Evropë. E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane dhe çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte shumë të mira, ndërsa sa i përket cilësisë jemi afër tyre, mirëpo thashë edhe më herët që duhet organizim, punë e shumë disiplinë, sepse në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka përfunduar Liridon Leci.

Turqia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani, ushtrime të përbashkëta ushtarake

0

Ministrat e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Azerbajxhanit dhe Turqisë janë takuar në qytetin Qabala në Azerbajxhan, për të diskutuar rreth ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

Pas takimit të djeshëm, ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Gasanov, tha se vendet janë pajtuar që të mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake, për t’i shtuar kapacitetet dhe gatishmërinë e trupave të tyre.

Nga ana tjetër, homologia nga Gjeorgjia, Tina Khidasheli, tha se qeveria e saj ka shprehur gatishmëri që disa nga këto ushtrime t’i ofrojë në Gjeorgji në vitin 2017 dhe se vendi do të bëhet gati për pranverën e vitit të ardhshëm që t’i organizojë ato.

Takimi vjen në kohën kur presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, bashkë me ndërmjetësuesit nga SHBA, Rusia dhe Franca, pritet të takohen sot në Vjenë, për të diskutuar për rajonin e trazuar të Nagorno – Karabakhut.

Edhe PSG e do Sanchezin

0

Klubi francez, PSG i është shtuar garës për ta blerë sulmuesin e Arsenalit, Alexis Sanchez.

Kiliani duket se në fund të këtij sezoni, do të largohet nga “Emiratës”.

Ai është duke u kërkuar nga Juventusi, por sipas mediave franceze, tashmë në garë për ish-sulmuesin e Barcelonës është futur edhe PSG-ja.

Kampionët e Francës janë duke kërkuar pasardhësin e Zlatan Ibrahimoviçit, i cili ka konfirmuar largimin nga Parisi.
Dhe Sanchez është përfshirë në listën e gjigantit francez.

 

Politikanët ushqehen nga krimi, nuk duan reformë në drejtësi

0

Sado që në retorikën e tyre i dëgjojmë partitë politike si nga pozita, po ashtu edhe nga opozita se janë për fuqizim të shtetit, pavarësisht përçarjeve që kanë, ato në fakt nuk bëhen bashkë, kur është fjala për interesin e vendit dhe të qytetarëve. Kjo klasë politike nuk ulet së bashku, të tejkalojë dallimet për të bërë një reformë në drejtësi, e cila përfundimisht do ta pastronte drejtësinë nga të korruptuarit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Se janë këto vetëm deklarime mashtruese për opinionin publik të painformuar sa duhet, nga fakti që askush nuk po e merr iniciativën me kalendar dhe agjendë konkrete për këtë reformë, e nxjerrin si një përfundim real analitik edhe analistët e fushës së politikës dhe sundimit të ligjit. Sipas tyre, kjo lojë për publikun që vjen qoftë nga pozita, apo edhe nga opozita, nënkupton qartë frikën e të dyja palëve si nga njerëzit e pozitës, ashtu edhe ata të opozitës për ta sjellë një drejtësi të pastër, ngase të dy palët ushqehen e mbahen nga oligarkia e inkriminuar, korruptuese dhe kriminale, që është shtrirë gjithandej në institucionet e Kosovës.

Pushteti frikësohet se i humb privilegjet

Analisti politik, Florim Zeqa, i tha gazetës se pavarësisht kundërthënieve dhe raporteve të “acaruara” që kanë, pozita dhe opozita ishte dashur të ulen së bashku, për të hartuar një strategji të qartë veprimi për reformimin e sistemit të drejtësisë, mirëpo arsyeja e qasjes joserioze e subjekteve politike ndaj sistemit të drejtësisë në vend, është tek fakti se liderët e partive politike pushtetare dhe atyre opozitare, së bashku me klanet e tyre, ushqehen dhe mbahen nga oligarkia e inkriminuar, e korruptuar, e shantazhuar dhe kriminalizuar në sistemin e drejtësisë së kapur nga lidhjet e tyre kriminale.

Ai vlerëson se vetëm ndërrimi gjeneral i kësaj klase politike ngjall shpresën edhe për reformën e thellë në drejtësi. “Nga frika e humbjes së privilegjeve pushtetore dhe ruajtjes së sferave të interesit përmes zinxhirit korruptiv, liderët partiakë, përveç deklarimeve për konsum të brendshëm partiak, nuk mund të shkojnë tutje me iniciativat për reformimin e sistemit të drejtësisë. Madje, është iluzive vetëm të mendohet, që me këtë klasë politike kaq të papërgjegjshme, të korruptuar dhe shantazhuar të realizohet ndonjë lloj reformimi substancial në sistemin e drejtësisë. Prandaj, reformat në sistemin e drejtësisë janë të mundshme të arrihen vetëm me një klasë të re politike, të guximshme, me përkushtim dhe dashuri ndaj atdheut dhe së ardhmes prosperuese të Republikës së Kosovës”, u shpreh analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”