11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

E zeza dhe e kuqja

Marjeta Bejtullahu Thaçi

Një ndër mjeshtërit e shquar të krijimtarisë narrative – zhanrit romanor është padyshim edhe autori Mehmet Kraja, i cili së fundi na prezantoi romanin “E zeza dhe e kuqja”.

Romani në fjalë është një rrëfim vërshues për historinë dhe aktualitetin që ende nuk është bërë histori, për Shqipërinë që i bëri njëqind vjet shtet që Kraja e quan “Shqipëri e brendshme” dhe pjesës tjetër të Shqipërisë që mbeti jashtë kufijve të saj që Kraja e quan “Shqipëri e jashtme”.

“E zeza dhe e kuqja” është roman voluminoz i strukturuar në tri pjesë, me një dekonstruksion që fillon me perceptim e vazhdon me imago e histori duke na rrëfyer historinë njëqindvjeçare të Shqipërisë që sipas citimit të Basri Çapriqit: “Historia e Krajës nuk është histori e betejave apo e luftërave që fitohen, është histori e ndeshjes së ideve që ato luftëra kanë bartur”.

Pavarësisht se ngjarja është shtrirë në një nga fshatrat në kufi të Shqipërisë dhe Malit të Zi gjë që konsiston me vendin ku është lindur dhe rritur vetë autori i romanit “E zeza dhe e kuqja” nuk është roman autentik, por është përvojë, perceptim, histori, lexim me një fjalë është konglomerat i kësaj vepre. E përshkruar nga karaktere të ndryshme, figura historike dhe johistorike, heronj të paharruar, me elemente dramatike, botë fizike dhe metafizike, në formë reminishencash Kraja trajton çështjen problematike të kufirit që njëherësh është edhe tema e romanit. Është kufiri ky që i solli fatkeqësi të tërë fshatit, e veçanërisht tri brezave të familjes Bogdani, gjyshit, birit dhe nipit.

Kronika tragjike e familjes Bogdani rrëfehet brenda njëqind viteve, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri te njëqindvjetori i pavarësisë së tij.

Më 1913 gjyshi Halil Bogdani përjetoi themelimin e shtetit shqiptar dhe vendosjen e kufirit, por duke kundërshtuar që të mos vihej ky kufi, vritet. Brezi i dytë i familjes Bogdani është Saliu i cili përjetoi Luftën e Dytë Botërore, i bindur se tanimë ishte koha që të hiqet ky kufi, duke i ruajtur gurët e tij mbasi i kishte shtyrë, u vra me dymbëdhjetë plumba nga partizanët e të dy anëve. Brezi i tretë i familjes Bogdani është vetë narratori i romanit, i cili po ashtu vdes tragjikisht. Ai vritet paradoksalisht nga një toskë i çmendur që quhej Kiço në ditën kur Shqipëria festonte njëqindvjetorin e themelimit. Kiço një kohë kishte qenë partizan, pastaj ishte bërë ushtarak dhe që atëherë nuk i hiqte nga trupi uniformën e oficerit me bindjen se ende është diktatura e Enver Hoxhës. Por, fatkeqësitë e familjes Bogdani nuk i përcollën vetëm meshkujt por edhe vajzat dhe nuset e saj.

Pas vrasjes së burrit Halil Bogdanit, gjyshe Sibja nuk ndihej mirë. Ajo tërë kohën rrinte si në ëndërr dhe diçka e çuditshme ndodhte me të. I dukej sikur në anën tjetër të ëndrrës të ishte burri i saj, kështu një ditë u nis të shkonte në Shkodër për ta takuar shpirtin e tij. Ajo nuk u kthye më, u gjet e shtrirë mbi një varr të panjohur dhe u varros në një djerrinë të vetmuar.

Edhe gruaja e Salihut pas vdekjes së tij nuk ndihej mirë dhe ishte mbyllur në vetvete. Shëndeti i saj ishte përkeqësuar edhe më shumë. Ajo vdiq me mallin që ta shihte edhe një herë djalin e saj të cilin pafajësisht e kishin burgosur me njëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Fatkeqësitë e familjes Bogdani rëndojnë edhe te e bija e tyre e cila nga peripecitë e familjes së saj çmendet.

Romani “E zeza dhe e kuqja” cituar sipas Zija Çelës është një roman me aromë letërsie, i shkruar me dorë të rëndë, tekst mbi sfidën autoriale ndaj rregullave që ngrysin stilin dhe me pasuri të shprehjes deri në pamundësi të gjuhës.

Autori në këtë rrëfim zbulon ironinë e kohës e të vërtetës, absurdin e realitetit të sistemeve pa moral. Diskursi i romanit kryesisht është fokusuar në ide atdhetare dhe ka katër nivele: letrar, historik, politik e realist.

Më Shumë

Hyseni për herë të pestë fiton çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1391 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit