Ka përfunduar Festivali i parë Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec, i mbajtur në restorant “Esra Palace”, me pjesëmarrjen e mbi 49 poetëve nga të gjitha kontinentet dhe Kosova. Çmimi “Rrushi i Artë”, iu dha poetit nga ShBA-ja, Wiliam Spenser Peters.
Festivali është organizuar falë ideatorit dhe organizatorit kryesor, poetit rahovecas me famë botërore, Fahredin Shehut, festivalin të cilin e ka mbështetur Ministria e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, me të cilin Rahoveci tashmë gjendet në hartën e kulturës botërore.
Fahredin Shehu, njëherë edhe drejtor i festivalit, thotë se ka menduar që festivali do të ketë mbështetje të madhe të njerëzve dhe dashamirëve të kulturës, por siç thotë jemi aty ku jemi.
Para ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve, secili poet ka lexuar vargjet në gjuhën e tyre origjinale, ku disa poet edhe kanë kënduar këngët në gjuhë të tyre, si Mongolezi Leetiv Namdag Yanchivin, ndërsa poeti francez, Marc Delouze nga Franca, ka përformuar koncert poetik “Requiem për Ali Podrimja” dhe një po ashtu artistiko- poetike.
Në fund u vendos që çmimi i parë i Festivalit , “Rrushi i Artë”, t’i takoj poetit nga ShBA-ja, Wiliam Spenser Peters. ndërkaq, zv.ministëri i Ministrisë për KRS, Rexhep Hoti të gjithë poetëve u ka shpërndarë nga një pako me dhurata nga Ministria për KRS, kurse poetët janë nderuar edhe me mirënjohje.
Hoti tha se djem dhe vajza të Kosovës kanë talent në shumë fusha kulturore, kurse ky festival do t’i tregoj botës se vlerat kulturore të Rahovecit janë të pashtershme, dhe premtoi se ky festival tashmë do jetë tradicional me mbështetje edhe më të madhe nga institucionet dhe e gjithë shoqëria.
Për organizatorin dhe ideatorin e festivalit, Fahredin Shehu, Hoti thotë se ka bërë vepër kolosale, sepse në një qytet të vogël , siç është Rahoveci, ka sjellë poetët nga të gjitha kontinentet, ku për herë të parë janë dëgjuar dhe intonuar shumë gjuhë të huaja nëpërmjet vargjeve poetike. /PrizrenPress.com