24.1 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025
Home Blog Page 6584

Politikanët ndërtuan piramidën e krimit

0

Analistë të ekonomisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se piramida e politikanëve me para të pista është ndërtuar fillimisht në gjirin e partive, për të vazhduar me institucione. Sipas tyre, edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Prokuroria e Shtetit nuk po ndërmerr diçka kundër këtij fenomeni.

Deputeti Pal Lekaj thotë se të gjitha të këqijat e vendit, pra edhe krijimi i skemave të piramidave për pastrimin e parave të pista, burojnë nga krerët më të lartë të shtetit tonë që nga paslufta dhe deri më sot.

“Pa fije dyshimi politikanët tanë, përkatë- sisht pushtetarët tanë të pasluftës, së bashku me një numër të ndërkombë- tarëve që i kanë joshur, janë kreatorët e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës pas lufte”, thotë ai. Sipas deputetit Lekaj, një fije shprese se do të ketë lëvizje e ngjallin reagimet e ditëve të fundit të ambasadorit amerikan dhe atij britanik.

“Sabotimi nuk është bërë rastësisht, është pjesë e zbatimit të programit që u mundëson krerëve politike të ndërtojnë skema, sisteme dhe piramida që u nevojiten për të mundësuar pasurimin me para të pista në njërën anë dhe në anën tjetër t’u sigurojë pandëshkueshmëri ligjore”, thekson analisti Xhevat Meha. Sipas tij, shumica e krerëve politikë janë të njëjtë nga përfundimi i luftës dhe e mbrojnë njëri-tjetrin. / Kosova Sot

FAK-u, peng i pazareve politike

0

Edhe pse Qeveria e Kosovës ende zyrtarisht nuk e ka komunikuar, burime brenda saj kanë konfirmuar për KosovaLive se ajo ka zgjedhur një rrugë të re për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, respektivisht në një forcë të armatosur të Kosovës, duke iu shmangur ndryshimeve kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e deputetëve të minoriteteve, ndërsa deri më tani një gjë e tillë është parë e pamundshme të arrihet me deputetët e Listës Serbe.

Flitet se tashmë brenda qeverisë janë bërë përgatitjet për ndryshimet ligjore që do t’i bëhen vetëm Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilin do të shkrihet e gjithë përmbajtja e Projektligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), të cilin e ka kaluar Qeveria e Kosovës, por ai nuk ka arritur të dalë para deputetëve.

Ndonëse ende askush nuk e ka konfirmuar se si do të jetë emërtimi i kësaj force të armatosur, ajo që tash për tash dihet është vetëm se me ligjin e ri që po përgatitet, FSK-ja do të marrë misionin e ushtrisë me të gjitha kompetencat ushtarake.

Burime brenda qeverisë thonë se baza ligjore për ndryshimin e statusit të Forcës së Sigurisë të Kosovës është gjetur në nenin 126 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë, deputetë opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë të mendojnë se çështja e themelimit të ushtrisë së Kosovës ka filluar dhe ende mbetet më shumë një lojë e madhe politike, sesa një proces i nisur me seriozitetin që e meriton.

Sipas tyre, çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës që në start ish-kryeministri Hashim Thaçi e filloi si lojë politike që e bëri kryekëput për qëllime politike në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Deklarimi me pompozitet i Thaçit para zgjedhjeve se “ne jemi ata që do ta formojmë Forcën e Armatosur të Kosovës” dhe kalimi i një vendimi të tillë shpejt e shpejt në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, sipas analistëve është dëshmi se kjo çështje filloi si një lojë politike, si një pazar politik me elektoratin dhe sot po vazhdon si një pazar politik me Serbinë, respektivisht me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë opozitarë në Kuvendin e Kosovës, ndonëse janë skeptikë se ky proces do të kryhet brenda vitit 2015, vlerësojnë se çështja e forcës së armatosur të Kosovës duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur dhe të mos mbetet më peng i pazareve politike ndërmjet qeverisë dhe Listës Serbe.

Përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës e ka qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, deklaroi për KosovaLive se qeveria ka heq dorë nga themelimi i forcës së armatosur të Kosovës që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjë FAK-un, por do të vazhdojë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në.

“Kjo zvarritje është produkt i një qeverie çfarë e kemi, e cila po e zvarrit këtë proces sepse kështu po do Lista Serbe në Parlamentin e Kosovës, respektivisht Beogradi zyrtar. Çështjen e FAK-ut e ka hequr nga rendi i ditës Qeveria e Kosovës, sepse ajo ka hequr dorë nga themelimi i FAK-ut që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjnë FAK-un, por do të vazhdojnë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në”, ka deklaruar Selimi.

Ai vlerëson se një gjë e tillë nuk ka shpresë që të kryhet brenda vitit 2015, pasi, sipas tij, përderisa është ky koalicion as që mund të bëhet fjalë se mund të lëvizë diçka në këtë drejtim.

Selimi mendon se Qeveria e Kosovës është dorëzuar kur ka deklaruar se është e pamundur të bëhen ndryshime kushtetuese për shkak të pozicionit të Listës Serbe si dhe kur u deklarua për shtimin e kapaciteteve për FSK-në.

“Në mungesë të fuqisë për ta bërë Forcën e Armatosur, pra ushtrinë qeveritarët tanë kërkojnë kompetenca shtesë për FSK-në. Mos të harrojmë se kompetencat ushtrisë ia përcakton Kushtetuta e pa ndryshime kushtetuese nuk ka ndryshim kompetencash, sepse kompetenca e një ushtrie është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës gjë që këtë kompetencë në Kushtetutë nuk e ka FSK-ja”, ka shtuar Selimi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rrustem Berisha, ka thënë se përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës deri më sot e ka Qeveria e Kosovës, e cila deri dje udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ndërsa tash nga Isa Mustafa.

“Ideja e kryeministrit Mustafa për disa modele tjera të transformimit të FSK-së në ushtri janë një lojë e re që veç ai mund ta kuptoj. Vonesat në drejtim të themelimit të ushtrisë së Kosovës janë të paarsyeshme dhe krejtësisht të papranueshme”, ka deklaruar ai.

Duke folur për aktivitetin e qeverisë që ndërlidhet me transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës ai ka thënë se proces i deritashëm nuk është në përputhje me rekomandimet e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë sa i përket dinamikave të transformimit dhe zhvillimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Lista Serbe e ka ndërlikuar formimin e FAK-ut

Nga ana tjetër deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, thotë për KosovaLive se çështja e FAK-ut është ndërlikuar për shkak të qëndrimit të Listës Serbe. Megjithatë ai e quan pozitiv faktin që kjo nuk ka shkuar në pakon e njëjtë me atë të asociacionit të komunave pasi siç thotë në këtë mënyrë do të kushtëzoheshin nga Lista Serbe.

“Zvarritja lidhet edhe me legjislaturën e kaluar, e cila e kishte shansin real që të formojnë FAK-un. Tash jemi në një situatë relativisht të ndërlikuar me qëndrimin e Listës Serbe e kjo e ndërlikon shumë situatën. Mendoj se u bë mirë që çështja e FAK-ut nuk hyri në një pako me Asociacionin e komunave serbe, sepse po të kishte ndodhë një gjë e tillë, atëherë do të ishim kushtëzuar edhe me autorizime ekzekutive të asociacionit.

Po ashtu, po të kishte ndodhë një kombinim i tillë ata sot do të mund ta kushtëzonin me koncesione të ndryshme që iu shkon në favor atyre për formimin e FAK-ut për çka ata po insistojnë të kenë forcë të armatosura një etnike në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës e që është e papranueshme për neve si shtet”, thekson Ibishi.

Sipas tij, përderisa formimi i FAK-ut është i kushtëzuar me ndryshime kushtetuese, të cilat nuk i miraton Lista Serbe, duhet të gjendet një tjetër zgjidhje në kuadër të ligjeve.

“Tash kur jemi të kushtëzuar me votimin e ndryshimeve kushtetuese nga Lista Serbe duhet të gjejmë zgjidhje në kuadër të ligjeve dhe mos të mbetet peng zhvillimi i forcave të armatosura. Duhet të ndryshohet ligji ekzistues i FSK-së me shumicë votash. Mendoj se qysh tash duhet të propozohet ndryshimi i ligjit dhe çështja e ushtrisë së Kosovës të zgjidhet menjëherë”, theksoi Ibishi.

Deputeti i LDK-së kërkon që bashkësia ndërkombëtare të ndihmojë në krijimin e FAK-ut.

“Ne duhet të tejkalojmë këtë situatë brenda këtij viti a në muajt e vitit të ardhshëm. Qeveria duhet të kërkojë ndihmë të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga faktori vendimmarrës SHBA dhe Bashkimi Evropian, të gjendet një zgjidhje politike për statusin e forcave të armatosura për arsye se kjo është e përcaktuar edhe në Pakon Ahtisaari”, përfundoi Nuredin Ibishi për KosovaLive.

Të rikujtojmë se Qeveria e Kosovës më kot kishte proceduar amendamentet kushtetuese, të cilat do ta shndërronin Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, pasi këto amendamente nuk u vunë fare në rend dite të Kuvendit të Kosovës. Siç dihet Kryesia e Kuvendit të Kosovës më 20.07.2015, pasi nuk arriti marrëveshje me Listën Serbe nuk e futi në rend të ditës votimin e amendamentit kushtetues për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e patën lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Që nga ajo kohë thuhet se qeveritarët tanë në krye me Hashim Thaçin e Isa Mustafën po mendojnë për një modalitet tjetër që do ta themelonte ushtrinë e ardhshme të Kosovës. / KosovaLive

Nisin debatet publike për Qendrën e Vjetër të Rahovecit

0

Në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec janë hapur debatet publike për Planin Rregullues të Hollësishëm “Qendra e Vjetër e Qytetit”. Debatet do të zgjasin një muaj.

Nënkryetari i Komunës, Xhemali Haxhimustafa, i cili mori pjesë në hapje të debatit, uroi punë të mbarë dhe suksese gjatë debateve njëmujore, me ç’rast qytetarët do të mbështesin projektin që qendrës së vjetër të qytetit t’i kthehet pamja e vjetër atraktive. Ai tha se presin që qytetarët do të kontribuojnë me sugjerime dhe rekomandime.

Visar Haxhibeqiri, arkitekt urbanist, shpjegoi hollësishëm Planin Rregullues para të pranishmëve, duke dhënë detaje për përmbajtjen, objektivat, planet, vizionin dhe hapësirat e kësaj pjese të qytetit.

Ai tregoi se Plani Rregullues “Qendra e Vjetër e Qytetit” në Rahovec përfshin një sipërfaqe prej 27.5 Ha. Në Rahovec janë evidentuar 29 objekte të trashëgimisë kulturore, nga ky numër 9 janë në mbrojtje të shtetit.

Haxhibeqiri theksoi se Plani Rregullues do të përfshijë edhe rregullimin e shesheve në parqe të gjelbëruara, ndërsa me këtë do të avancohen edhe zejet e vjetra artizanale, me ç’rast zejtarët, por edhe Komuna, do të kenë përfitime ekonomike.

Thaçi fton Prefektin e Londrës për skijim në Brezovicë

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook ka shprehur kënaqesinë e tij me rastin e takimit me Prefektin e Londrës, Boris Johnson.

Kryediplomati kosovar e ka ftuar Johnsonin për skijim në Brezovicë.

“Pata kënaqësinë që të takohem dhe të bisedoj edhe me Prefektin e Londrës, Boris Johnson. Ai i kujtoi ditët kur ishte në Kosovë, si gazetar, ndërsa unë e ftova që të vijë përsëri, këtë herë për të skijuar në Brezovicë, ftesë të cilën e priti me gëzim”, shkruan Thaçi në Facebook. / PrizrenPress.com

Gjykata në Prizren: Ja si ndodhi incidenti mes Emira Gavazajt dhe Myrvete Qollakut

0

Gjykata në Prizren ka sqaruar mënyrën se si ka ndodhur incidenti në mes praktikantes Emira Gavazaj dhe avokates Myrvete Qollaku.

Zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj tha se situata ka ndodhur kur Trupi Gjykues nuk ka qenë në sallë të gjykimit.

“Ky rast ka ndodhur pasi që Trupi Gjykues është tërhequr për t’u konsultuar me ekspertin e Balistikës për dalje në vend të ngjarjes, dhe për të kryer rekonstruimin e vendit të ngjarjes”, thotë Kicaj.

“Këtë situatë e kanë shfrytëzuar palët e ndodhura në sallë, nga e cila ka ardhur deri te mosmarrëveshja verbale e tyre”.

“Trupi Gjykues nuk ka qenë prezent në momentin e krijimit të kësaj situate për të ndërmarr masa për largimin eventual të palëve nga salla, apo për caktimin e ndonjë gjobe, ndaj atyre që kanë shkaktuar konfrontim verbal në sallë të gjykimit”.

“Është evidente se incizimi është bërë nga praktikantja, e cila pas largimit të trupit gjykues nga salla pa lejen e trupit gjykues me telefon ka incizuar situatën”.

“Pas kthimit të trupit gjykues në sallë, kryetarja e trupit gjykues u informua për situatën e krijuar dhe nga salla e largon praktikanten, e cila pas përfundimit të seancës me shkresë ka kërkuar vendim prej kryetares së trupit gjykues arsyet e përjashtimit të saj nga salla”.

Emira Gavazaj është përplasur rëndë me avokaten Myrvete Qollaku që po përfaqësonte njërën nga palët në këtë seancë.

Gavazaj ka ngritur kallëzim penal ndaj avokates Qollaku për fyerje dhe dëmtim të personalitetit të saj, transmeton Koha.net.

Gavazaj ka një kohë të gjatë që është duke kërkuar drejtësi për babanë e saj, i vrarë para më shumë se dy vjetësh në pikën kufitare në Vermicë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i dënuar për vrasje./PrizrenPress.com/

Familjarët e të akuzuarve të Speciales fajin ta kërkojnë te Mustafa dhe Thaçi

0

Deputeti i “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha, në emisionin “Info Box” të Tv Dukagjini, ka thënë se nëse familjarët e të akuzuarve të Gjykatës Speciale do ta kërkojnë një fajtor se pse familjarët e tyre po akuzohen pa të drejtë nga kjo Gjykatë, atëherë sipas tij, ata fajin duhet ta kërkojnë të dy persona – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Ai ka theksuar se këta dy zyrtarë të lartë të Qeverisë i kanë detyruar deputetët që ta votojnë këtë Gjykatë, përmes se cilës ka thënë Berisha, po tentohet të barazohet lufta çlirimtare me atë okupuese.

“Nuk është e vërtetë se kjo Gjykatë do të merret me hetimin e vrasjeve të kryera pasluftës. Ata që e kanë lexuar ligjin më vëmendje e vërejnë këtë gjë. Zyrtarët e LDK-së, që po thonë se kjo Gjykata Speciale do të merret me hetimin e vrasjeve të pasluftës, po i bëjnë këto deklarata për poena politik, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha ai.

I pyetur se cili do të jetë reagimi i opozitës ditëve në vazhdim, Berisha ka theksuar se veprimet e opozitës së bashkuar do të vërehen qysh në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës – e para për sesionin vjeshtor.

Ai ka shtuar se të gjitha metodat ligjore, seancat e Kuvendit, protestat, për t’i kundërshtuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, por se i pyetur për veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – aksionet e organizuara, ka theksuar se secila parti e ka strategjinë e saj të veprimit.

“Natyrisht protesta është e mjet ligjshëm dhe demokratik. Reagimi i ashpër i policisë është jonjerëzor. Ka kaluar koha kur njerëzit duhet të arrestohen për propaganda – për trakte. Isa Mustafa të shkoqet nga mentaliteti që i ka shërbyer më herët – regjimi komunist dhe mos ta shtyp ata që kanë mendim ndryshe”, ka shtuar Berisha. /Telegrafi/

Grabovci i përgjigjet opozitës për zgjedhjet e parakohshme!

0

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i është kundërpërgjigjur kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Ai në një prononcim për gazetën Blic ka thënë se nuk është lajm kërkesa e opozitës për të shkuar në zgjedhje të reja.

Sipas tij, është e drejtë legjitime e opozitës që të kërkoj zgjedhje të reja, por ai ka thënë se në demokraci ka rregulla.

“Demokracia e ka rregullat e saja dhe ato rregulla duhet të respektohen. Nëse nuk respektohen atëherë shkohet në anarki, dhe PDK nuk është e interesuar që ta dërgoj vendin drejt anarkisë”, tha ai për Gazetën Blic.

Sipas Grabovcit edhe po të shkoj sot në zgjedhje, pikërisht është opozita ajo që do të humb më së shumti. Ju garantoj se sërish PDK do të fitoj.

“Alternativa më serioze qeverisëse në vend është PDK. Prandaj, edhe po të shkohej sot në zgjedhje PDK do të fitoj”, tha ai.

Graboci ka thënë se format ekstreme që po i përdor opozita për ta marrë pushtetin, vetëm sa do të irritojnë qytetarët e vendit.

Ai ka një kërkesë për opozitëm.

“Ata është më mirë që të merren me zhvillimin e alternativës e jo të kërkojnë zgjedhje pa nevojë”, ka thënë Grabovci për Gazetën Blic./ Gazeta Blic

Marrëzira akademike

0

IMER MUSHKOLAJ

Në vend se të angazhohen për t’i dhënë fund diskriminimit të një dialekti-standardi të tërë, një grup gjuhëtarësh duan ta bunkerizojnë shqipen. Duan ta mbrojnë me ligj jo për ta zhvilluar e dinamizuar, por për ta ngulfatur e bllokuar. Duan që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik

Kur tash një vit në Universitetin Shtetëror të Tetovës ishte publikuar një thirrje për studentët, e shkruar me plot gabime gjuhësore, profesorë të këtij institucioni ishin shfaqur të alarmuar. Ata kërkuan miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, respektivisht ndëshkimin e të gjithë atyre që nuk e përdorin shqipen si duhet. Thanë se mungesa e ligjit dhe mospërkufizimi i saktë i statusit të saj po shkaktonte probleme në zbatimin e normës. Reagimet po vinin nga akademikët, nga ata që do të duhej të ishin përgjegjës për ato gabime.

Po vitin e kaluar, në Shqipëri një grup prej njëzet vetash i kishin kërkuar kryeministrit Edi Rama që qeveria të ndërhynte në mbrojtjen e gjuhës shqipe. E në Kosovë në krye të nismës janë vënë punonjës të Institutit Albanologjik, që po kërkojnë nga Kuvendi miratimin e një ligji të veçantë për këtë punë.

Por, a mund të ruhet gjuha me ligj? Si mund të mbrohet ajo nga ndikimet e jashtme në kohën e globalizmit? Dhe, për më tepër, a nuk do të ishte më mirë që në vend se të merren nisma të tilla, të plotësohet e ndryshohet standardi ekzistues i shqipes që është diskriminues e përjashtues ndaj një dialekti, ndaj një standardi tjetër të tërë, ndaj një gjuhe të tërë?

Ligje për mbrojtjen e gjuhës kanë disa shtete, por nuk është se janë treguar aq efikasë. Gjuhët evulojnë, zhvillohen, janë dinamike. Andaj mbrojtja e shqipes me ligj nuk është se do të ndikojë që ajo të përmirësohet në përdorim. Bile mbrojtja me ligj e standardit të vitit 1972, siç thonë studiues të shqipes, është edhe në kundërshtim me standardet europiane. Kjo i bie që politika të mbrojë një standard të vendosur me urdhër politik. Një akt politik të imponuar me diktat. Nga Enver Hoxha.

* * *

Duke e shpërfillur më shumë se gjysmën e leksikut të shqipes, kongresi i 72’shit ka kryer krim ndaj gegnishtes. Duke e përjashtuar nga standardi, janë lënë jashtë më shumë se 40 mijë fjalë, një pasuri kjo e jashtëzakonshme dhe shqipja është kthyer zyrtarisht në një gjuhë skajshmërisht të varfër.

Në vend që të kërkojnë që standardi t’i nënshtrohet rivlerësimit shkencor, tash dalin gjuhëtarë që kërkojnë mbrojtjen me ligj të tij. Por, në vend se të mbronte gjuhën, një akt i tillë do të pengonte edhe më shumë komunikimin ndërshqiptar, sepse standardi aktual as që i përmbush nevojat për një komunikim normal ndërmjet shqiptarëve. Madje as nevojat për komunikim të vetë këtyre ”gardianëve” të gjuhës standarde, që po kërkojnë mbrotje politike të një standardi politik.

Ata na shfaqen si ruajtës të shqipes, thua se gjuha iu takon vetëm atyre. E gjuha nuk mbrohet në këtë mënyrë, por duke u mbledhur e diskutuar se çfarë duhet plotësuar, çfarë duhet ndryshuar.

Ardian Klosi fliste për një kuvend të ri që do të mblidhte jo veç gjuhëtarë, por edhe krijues të gjuhës, përkthyes, gazetarë, mësues. “Gjuhëtarët janë vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë. Absolutisht jo më ta vendosin gjuhëtarët, siç e kanë vendosur së bashku me politikanët në vitin 1972”, thoshte ai.

Dhe, nuk kris kiameti nëse “çelet” standardi. Gjermanët, një popullsi dhjetëramilionëshe, para pak vjetësh vendosën rregulla të reja drejtshkrimi. Pse u dashka që ne standardin e 72’shit ta konsiderojmë të shenjtë, të paprekshëm, madje edhe ta mbrojmë me ligj? Apo gjuhëtarët tanë janë më të mençurit, më të diturit.

* * *

Europa sot kërkon mbrojtjen e dialekteve të gjuhëve, që i sheh si një pasuri të rëndësishme. Me miratimin e një ligji për mbrojtjen e gjuhës shqipe, do të sanksionoheshin, ndëshkoheshin dialektet, gjë që do të ishte në kundërshtim me standardet dhe praktikat europiane.

Por, këto as që iu interesojnë “gardianëve” të shqipes standarde që duan ligj. Për ta është e rëndësishme që të vazhdojnë së funksionuari brenda bunkerëve të tyre gjuhësorë e mendorë, brenda mentalitetit përjashtues e diskriminues.

Gjuha shqipe ka nevojë për sa më shumë studiues të mirëfilltë, të cilët atë e shohin si diçka dinamike dhe në zhvillim, e jo si specie në zhdukje e në rrezik, që po u dashka mbrojtur ligjërisht.

Nëse ka nevojë për mbrojtje, atëherë shqipja duhet të mbrohet pikërisht nga të tillët që shiten si “gardianë” të saj, por që nuk janë gjë tjetër veç interesxhinj e shkencëtarë mediokër.

Gjuha shqipe duhet zgjeruar e çuar përpara, e jo sakatuar, kufizuar dhe bllokuar. Të kërkosh që ta mbrosh atë nga shqiptarët nuk është gjë tjetër veç marrëzi. E kur kërkesat e tilla vijnë nga akademikët, gjithçka shndërrohet në marrëzi akademike./Gazeta Express/

A është Kosova shtet normal?

0

Kushtrim GASHI

Për shumë kënd Kosova nuk është një shtet normal për shkak të problemeve të shumta që cilësohen si shkaktar të jo normalitetit. Dikush mund të thotë nuk jemi normal sepse jemi te dobët, nuk kemi një ushtri dhe jemi te ndarë.Nëse nismi me ketë logjik, atëherë asnjë nga vendet e rajonit nuk do të konsideroheshin shtete normale . Listës se këtyre shteteve i prin Greqia, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian gjendet në krizë të thellë ekonomike dhe me qeveri që bien çdo tre muaj që e ka shumë vështir për të mbijetuar.

Bosnja Hercegovina një shtet i ndarë me marrëveshjen e Dejtonit dhe jo funksional tash e 20 vite mund të radhitet në vendin e dytë. Serbia një shtet agresor dhe luftënxitës, por edhe i dobët sepse ishte bombarduar nga Aleanca Veri atlantike NATO gjendet në vendin e tretë.
Maqedonia një vend shovinist dhe jo stabil për shkak të diskriminimit te shqiptarëve dhe shkeljes se të drejtave të tyre, por edhe problemet me Greqinë e bëjnë të jetë në pozitën e katërt.

Dhe në pozitën e fundit mund ta radhitnim Kosovën si një shtet jo normal.
Sa është i drejtë një konstatim i tillë, ku pothuajse të gjitha shtetet në rajon po na dalin jo normale?
Duke marrë parasysh të kaluarën dhe sfidat me të cilat përballen shtetet e rajonit një konstatim i tillë jo vetëm që nuk është i drejtë, por aspak racional. Racionaliteti ynë do të vihet në rrezik nëse mendojmë në ketë formë dhe në ketë mënyrë duke shikuar vetëm njollat e zeza.

Vërtetë i gjithë rajoni e edhe Kosova po kalon nëpër faza të ndryshme të tranzicionit, të shtetëndërtimeve, zhvillimit ekonomik dhe demokracisë funksionale.
Kosova nuk është ajo që ëndërronim ne, nuk është ajo që do të dëshironim që të jetë, por nuk është aspak e drejtë që gjendjen aktuale ta krahasojmë me idealen. As në jetën dhe rrafshin personal askush nuk ka arritur që ti jetësoj e ti bëjë realitet idealet, eh të mos flasim për një shoqëri dhe një shtet.

Kritikat ndaj realitetit dhe pushtetit aktual duhet të jenë prezentë gjithsesi sepse vetëm në ketë mënyrë mund të përparoj shteti dhe shoqëria. Gjendja aktuale dhe rrethanat politike mund të përshkruhen pa emocione dhe folklorizëm patriotik vetëm nëse kemi qasje racionale. Kjo është e ngjashme me gotën që është gjysmë e mbushur me ujë, ku pesimistet e shohin si një gotë gjysmë të zbrazur, ndërsa optimistet si gjysmë të mbushur.E vërteta është se Kosova hyn në radhën e shteteve në zhvillim dhe është në një fazë që mbase ka ngecje dhe gabime të pushtetit, por që edhe opozita ka ndihmuar të jemi këtu ku jemi.

Çdo kritik konstruktive mund të ndihmojë në lëvizjen përpara dhe zhvillimin e proceseve, por jo edhe kritikat destruktive.
Vendi ynë më tepër se kurrë ka nevojë për kritika, eh sidomos në fushën e sundimit të se drejtës që është edhe një ndër sfidat më të mëdha dhe kusht për integrime evropiane. Nuk kemi luftë të njëmend kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk kemi një luftë kundër varfërisë dhe papunësisë. Nuk kemi një luftë kundër punësimit të shumëfishtë nëpër institucionet shtetërore. Nuk kemi pavarësim të gjyqësorit dhe sundimit të ligjit. Nuk kemi një luftë kundër nepotizmit dhe punësimeve familjare. Nuk kemi edhe shumëçka tjetër nuk kemi…por barazia sociale dhe mirëqenia ekonomike janë kushte për zhvillimin ekonomik.
Andaj çdo kritik konstruktive është një hapë para drejtë progresit, përparimit dhe zhvillimit të vendit.

Komuna e Këshilli Evropian ndihmojnë komunitetin REA në Rahovec

0

Komuniteti REA, i cili jeton në komunën e Rahovecit, nga dita e martë i kanë marrë pajisjet e tyre për punë, donacion nga Komisioni Evropian dhe Komuna e Rahovecit. Përfitues ishin 10 të ri dhe të reja të këtij komuniteti.

Habibe Haxhimustafa, Koordinatore e Njësisë për të Drejtat e Njeriut në komunën e Rahovecit, thotë se në nëntor të vitit 2014 ka qenë mundësia e aplikimit online te Këshilli i Evropës me një projekt. Ky projekt ishte projekt Ballkanik, ku në tërë Ballkanin kanë qenë përfitues 36 komuna nga shtatë shtete, në mesin e tyre edhe komuna e Rahovecit e cila është shpallur përfituese e një projektit.

Haxhimustafa thotë se të gjithë përfituesit e këtyre pajisjeve për punë janë të komunitetit RAE, fillimisht janë aftësuar në Qendrën për Aftësim Profesional në Prizren për tre muaj, aftësimet kishin të bënin kryesisht me saldim, kuzhinieri dhe floktari.

Pas aftësimit të gjithë janë pajisur me certifikata dhe me mjete pune, të aftësuarit do të fillojnë nga një biznes ku me punën e tyre mund të mbajnë edhe familjet e tyre. Nga kjo mund të thuhet se ky është një projekt shumë konkret dhe i arsyeshëm.

Ky projekt ka qenë në bashkëfinancim në mes të komunës së Rahovecit dhe Këshillit të Evropës, vlera e përgjithshme e këtij projekti është 20 000 euro. / PrizrenPress.com