8.7 C
Prizren
E enjte, 30 Prill, 2026
Home Blog Page 6614

Hillary Clinton rrëfen 25 fakte për veten

0

Hillary Clinton, ish-First Lady e SHBA dhe aktualisht kandidate e për Shtëpinë e Bardhë, ka treguar 25 fakte mbi jetën e saj, në një intervistë me revistën US Weekly.

Më pëlqejnë mezet e lehta me speca djegës dhe vendos salsë djegëse në gjithçka.

Jam një njeri që i studioj deri në imtësi politikat, ndonëse ky është një sekret që e kam ruajtur keq. Kam takuar Martin Luther King Jr kur isha 14 vjeç. Ministri i Kishës sonë na mori për ta dëgjuar të fliste dhe unë arrita t’i shtrëngoj dorën.

Nuk arrij dot kurrë të këndoj një melodi. Mësuesja ime e korit më kërkonte që vetëm të lëvizja gojën. Dikur i këndoja time bije, Chelsea, kur ishte bebe, deri kur ajo tha: “No sing Mommy, no sing” (“Jo këngë, mami, jo këngë”). Miqtë e mi nuk e besojnë që kam kënduar në një nga emisionet e Saturday Night Live. Bill Clintoni më propozoi dy herë, përpara se të thoja po.

Unë isha Senatore e SHBA për Nju Jorkun kur ndodhi 11 shtatori, dhe ende ndiej detyrimin për të siguruar që, personat që shkuan të parët për të dhënë ndihmë, të marrin trajtimin mjekësor që meritojnë. Si Sekretare Shteti, kam shkuar në 112 vende dhe kam udhëtuar 956 733 milje. (Po, dikush i numëroi!) Babai im, Hugh Rodham, ishte biznesmen i vogël. Ai prodhonte copa për perde. Ne të gjithë e ndihmonim.

Mes ndalesave të fushatës dhe dokumentave informues që më sjellin, si dhe copëzave të lajmeve, më pëlqen të pushoj dhe të lexoj romanet e mi misteriozë.

Kur isha vajzë e re, i kam shkruar NASA-s që ta pyesja nëse mund të bëhesha astronaute. Ata më kthyen një letër, me shumë mirësjellje, ku më thoshin se nuk pranojnë vajza.

Çokollata është dobësia ime… ashtu si edhe peshqit e kuq.

Mamaja ime, Dorothy Rodham, ishte demokrate dhe babai im, Hugh Rodham, ishte republikan. Kështu që, në cdo palë zgjedhje, ata “eleminonin” votën e njëri-tjetrit.

Unë jam, dhe do të jem gjithmonë, një tifoze e Beatles. Po kështu, më pëlqen vërtetë shumë Adele.

Një prej gjërave që më pëlqejnë më shumë nga fushata janë historitë personale që njerëzit ndajnë me mua. Disa prej tyre ma thyejnë zemrën. Disa janë frymëzuese.  Unë mësoj nga të gjitha. Eshtë vërtetë e rëndësishme për mua, që të mësoj në vetë të parë atë që ndodh në jetët e njerëzve.

Kur jam në Nju Jork, udhëtoj me një furgon të madh. Ka sedilje të mëdha dhe të rehatshme dhe një pajisje reale për energji elektrike. Fushatën e nisa duke shkuar me të deri në Ajoua.

Puna ime e parë jashtë shkolle ishte me Fondin e Mbrojtjes së Fëmijëve. Nuk doja të futesha në një kompani të madhe. Doja të isha avokate për fëmijët e varfër. Të punosh për t’u dhënë fëmijëve një shans më të mirë për të ardhmen, ky ka qenë fokusi im që atëherë.

Billi dhe unë pëlqejmë të dalim në shëtitje të gjata me dy qentë tanë, Maisie dhe Tally. Ishim në një nga këto shëtitje, kur presidenti Obama më telefonoi dhe më kërkoi të bëhem Sekretare Shteti.

Pyetja që më bënin më shpesh kur isha jashtë vendit ishte: “Si mund të punosh për njeriun që të mundi?” Përse e bëra? Sepse kur presidenti yt të kërkon të shërbesh, thuaj po. Nuk mund të isha më e kënaqur.

Mamaja ime më thoshte gjithmonë: “Të gjithë rrëzohen. Ajo që ka rëndësi është që të ngrihesh dhe të vazhdosh të ecësh”. Këshilla më e mirë që kam marrë ndonjëherë.

Ja një gjë që nuk do të habisë askënd: Prej vitesh i kam lyer flokët.

Dikur kisha një punë, ku prisja salmon në një fabrikë konservimi në Alaskë. Ishte po aq e bukur sa dhe tingëllon.

Një prej gjërave që kam mësuar në fushatë është se sa serioz është bërë problemi i abuzimit me substancat në vendin tonë. Jam e vendosur të merrem. Unë bëj joga. Jo aq sa duhet.

Qëndroj në kontakt me shumë njerëz nga të gjithë pjesët e jetës sime, dhe takohem sa më shpesh që mundem. Kohët e fundit, teksa isha në Chicago, takova Betsy Ebeling, shoqja ime më e ngushtë kur u rritëm në Park Ridge, Illinois.

Unë jam mbesa e një punëtori mulliri. Dhe gjyshja e Charlotte, (18 muajshe), që është mbesa më e përsosur në botë.

Grabovci: Zgjedhjet, më 2018

0

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë për “Zërin” se ndryshimet më të mëdha në vend kanë ndodhur pas ardhjes së kësaj partie në pushtet.

Sipas tij, deri më tani është vendosur një themel i fuqishëm për zhvillim ekonomik dhe për hapje të vendeve të reja të punës. Kurse duke i komentuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Grabovci ka thënë se para vitit 2018 nuk do të ketë zgjedhje.

“Besojmë në punën tonë, në angazhimin tonë dhe në rezultatet konkrete që kanë dalë prej kohës që PDK-ja është në pushtet. Me këtë nuk pretendoj të them se kemi bërë mrekulli, por megjithatë në Kosovë pas ardhjes së Partisë Demokratike në pushtet ka ndryshime më tepër se çdoherë më parë. Besojmë se është vendosur një themel shumë i fuqishëm për të vazhduar me suksese të reja në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës”, është shprehur Grabovci.

Ndërsa duke folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Grabovci ka thënë se PDK-ja nuk i frikësohet zgjedhjeve, megjithatë, sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të reja para vitit 2018, pasi, sipas tij, zgjedhjet nuk mund të mbahen sa herë që kërkojnë subjektet opozitare.

“Ne nuk i jemi frikësuar dhe nuk i frikësohemi daljes para qytetarëve, jemi të gatshëm në çdo kohë që të komunikojmë me qytetarët tanë, t’i dëgjojmë shqetësimet që i kanë ata. Ne jemi deklaruar prej kohësh se nuk mund të ketë zgjedhje para vitit 2018 sepse nuk është interes i qytetarëve, i shtetit të Kosovës dhe i institucioneve të vendit. Zgjedhjet nuk mund të mbahen kur dikujt i teket. Është e sigurt se edhe po të mbaheshin zgjedhjet, opozita menjëherë do të kërkonte zgjedhje të tjera”, ka shtuar Grabovci, duke thënë se kjo parti gjithmonë vendimet i merr në bazë të interesave të qytetarëve dhe të shtetit. /Zëri/

Haradinaj: Ne ofruam partneritet, jo shkrirje

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka mohuar se koalicioni AAK – Nisma ka dëmtuar kauzën opozitare në vend.

Në një intervistë për “Epokën e re” Haradinaj ka thënë se ky koalicion parazgjedhor ka fuqizuar opozitarizmin në vend.

Ai ka thënë se nuk po mund t’i kuptojë pse përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! japin deklarime se AAK-ja, duke synuar bajraktarizmin, dëmtoi opozitën e bashkuar.

Haradinaj ka bërë me dije se bashkëpunimi në mes të AAK-së dhe Nismës ka për qëllim shtimin e presionit ndaj pushtetit për t’ia kthyer mandatin qytetarit.

“Ky koalicion është një vazhdim i një bashkëpunimi ekzistues, i cili është produkt i një rrugëtimi të deritashëm dhe i domosdoshmërisë si të jemi të bashkuar. Pra, nuk mendoj se ky bashkëpunim është ndonjë dëmtim, por ky është një hap përpara për ta fuqizuar opozitën në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se koalicioni me Nismën ka për synim ta vetëdijesojë secilin qytetar për gjendjen e rëndë në vend.

“Ne jemi në rrugëtim e sipër për t’i rritur kundërshtimin dhe presionin për t’ia kthyer mandatin qytetarit. Pra, për ta vetëdijesuar secilin qytetar për gjendjen në vend. Ky është misioni ynë si parti politike opozitare dhe këtë po bëjmë”, është shprehur Haradinaj. Ai është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar edhe me Lëvizjen Vetëvendosje!, por mbi baza të partneritetit e jo në forma të llojit të shkrirjes së partisë.

Haradinaj ka pranuar se me këtë subjekt politik kanë dallime substanciale sa i përket ndërtimit të një qeverie në të ardhmen.

“Ne e ruajmë një konsideratë për angazhimin e pakompromis edhe të Vetëvendosje!-s dhe të Nismës, por edhe të shoqërisë civile për t’i kundërshtuar marrëveshjet e rrezikshme, për ta kundërshtuar regjimin Mustafa – Thaçi dhe për t’ia kthyer mandatin qytetarit. Pra, ne mbesim në këtë partneritet. Sa i përket vizionit se si ta ndërtojmë qeverisjen në të ardhmen kemi dallime. Ato dallime janë substanciale dhe mbetet për t’u diskutuar. Ne jemi të gatshëm për t’i ridiskutuar ato dallime”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se më nuk është kërkesë e tij ta marrë postin e kryeministrit.

Sipas liderit të AAK-së, koalicioni me Nismën është një bosht fitues, i cili synon që Qeverinë e ardhshme ta bëjë pa njërën nga partitë në pushtet.

“E kuptoj pyetjen tuaj, por ju po e shihni se ne po shkojmë për t’i fituar zgjedhjet, pra për ta ndërtuar Qeverinë pa njërën nga partitë në pushtet. Ne vërtet po shkojmë për një opsion fitues, pra nuk po shkojmë për një fitore të pjesshme, por për një fitore të plotë në zgjedhjet që vijnë”, ka thënë Haradinaj. /Epoka e Re/

Ekspozitë kushtuar Adem Demaçit

0

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të organizojë sot ekspozitë kushtuar 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar shqiptar dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.

Demaçi shquhet për aktivitetin e tij politik kundër regjimit jugosllav, për çka ishte mbajtur 28 vite në burgjet e Jugosllavisë.

Në vitin 1991, Parlamenti Evropian e kishte nderuar atë me çmimin Saharov, duke e radhitur atë në mesin e personaliteteve të njohura botërore, gjurmët e së cilit do të mbesin në histori.

Më së miri, Demaçi njihet si udhëheqës i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995 dhe si zëdhënës i UÇK-së gjatë periudhës 1998-1999.

Kjo ekspozitë është organizuar nga Shoqata e të Burgosurve të Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”.

Papa i Amerikës

0

Libri i një studiuesi italian të gjeopolitikës, Manlio Graziano, i sapobotuar nga Mulino, “In Rome we trust – Ngjitja e katolikëve në jetën politike të Shteteve të Bashkuara” ndihmon të vëmë në rregull faktorët dhe të sqarojmë – të paktën nën profilin kronologjik dhe logjik – një fenomen shpesh të nënvleftësuar, dhe një paradoks të çuditshëm.

Pse katolikët mbështeten kaq shumë në politikën e Shteteve të Bashkuara?

Çfarë fitojnë SHBA në këmbim? Përgjigjet në një libër.

MAURIZIO CRIPPA

Një duzinë vitesh më parë, David Frum, kolumnist konservator i tranzituar më pas për disa vjet në administratë, si speechwriter presidencial, shkroi një biografi të shkëlqyer të George W. Bush-it të titulluar “The right man”. Ku tregonte i kënaqur se fjalët e para që George W. Bush-i i drejtoi Shtëpisë së Bardhë qenë: “Missed you at Bible Study”, i ke bërë bisht takimit në Bibël. Nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur mirë. Bush-i ishte një evangjelist born again, ndonëse katoliku Ric Santorum tha për të “është presidenti më katolik që kemi pasur ndonjëherë”. Kurse Barack Obama është presidenti me konfliktualitetin më të madh me kishën katolike prej tridhjetë vjetësh e këtej, ose të paktën me hierarkinë e saj kombëtare: nga dosja e reformës shëndetësore te martesa homoseksuale te kufizimet de facto, në mos de jure, e lirisë fetare. Megjithatë, duke pritur Papa Françeskun, Obama tha: “Ati i Shenjtë, vizita juaj tregon se sa të gjithë amerikanët, të çdo mjedisi dhe besimi, i japin vlerë rolit që kisha katolike mbulon në forcimin e Amerikës” dhe në tetë vjet ka vënë në vendet kyçe të administratave të saj një përqindje më të lartë të katolikëve sa as në të shkuarën. Tani po vazhdon një fushatë elektorale ku temat tradicionale të axhendës fetare duken se kanë pak rëndësi, përveç ndonjë shprehje të ndershme kundër abortit të Trump-it. Ndoshta do të ndryshojnë diçka nëse kundër tij do t’ia dalë në shtëpinë republikane Ted Cruz-i, që katolik nuk është: është një evangjelist konservator, bir i një katoliku të konvertuar në predikues protestant dhe me një grua bijë misionarësh të Kishës adventiste të ditës së shtatë. Por tetë vjet obamizëm duken se e kanë shfuqizuar rolin publik të fesë, në një klimë të përgjithshme sprapsjeje të rolit të saj publik, social dhe kulturor. Dhe është e çuditshme që sot në mëngjes, në Vatikan, është mysafir i Akademisë Papnore të Shkencave Bernie Sanders, hebre laik, socialist dhe kandidati më pak i interesuar për axhendën klasike fetare amerikane. Duke i vënë në radhë gjërat kështu, pyetja që vjen e vetvetishme është: a kemi humbur ndonjë gjë, ndonjë thelbësore, në marrëdhënien midis Kishës katolike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Apo është diçka e rrëfimit me të cilin jemi mësuar, e skemës interpretative më të zakonshme të marrëdhënies midis katolikëve dhe Amerikës, që do të duhej të thellohej? Dyshimi është i ligjshëm, dhe përgjigjet nuk janë të afërta. Libri i një studiuesi italian të gjeopolitikës, Manlio Graziano, i sapobotuar nga Mulino, “In Rome we trust – Ngjitja e katolikëve në jetën politike të Shteteve të Bashkuara” (344 faqe, 22 euro) ndihmon të vëmë në rregull faktorët dhe të sqarojmë – të paktën nën profilin kronologjik dhe logjik – një fenomen shpesh të nënvleftësuar, dhe një paradoks të çuditshëm. Fenomeni i nënvleftësuar është pesha gjithnjë e më madhe që katolikët, dhe në nivel gjeopolitik kisha katolike romane, kanë në jetën politike dhe institucionale të një vendi që deri para tridhjetë vjetësh nuk kishin marrëdhënie diplomatike me Vatikanin dhe elitat e të cilit kanë bërë gjithnjë me antipapizmin një koordinatë të identitetit të vet. Paradoksi është se rritja e peshës katolike, edhe në nivel demografik dhe ndaj emërtimeve protestante dhe evangjeliste, duket se vuan një paaftësi ndikimi kulturor dhe legjislativ. Për të bërë një shembull: edhe me vdekjen e Antonin Scalia-s, gjykatësit të madh kushtetues, në Gjykatën e Lartë katolikët janë ende në shumicë ndërsa nuk janë, prej dhjetëvjeçarësh, protestantët. Një paradoks që edhe Scalia e nënvizonte, kur thoshte se në Gjykatë kishte vetëm katolikë dhe hebrenj. E megjithatë, për t’i qëndruar lojës, vendimi Roe kundër Wade-s nuk u përmbys kurrë dhe martesa homoseksuale gjeti një kundërshtim jo të pakapërcyeshëm. Është njësoj sikur e madhja “american way of life” që është përkufizuar si një protestantizëm i shekullarizuar (teologu i madh protestant amerikan Reinhold Niebuhr fliste për “fe të modernitetit”) të kishte përthithur në shekullarizmin e saj pragmatik edhe katolicizmin, pasi kishte bërë të njëjtën gjë me protestantizmin wasp.

Në të njëjtën kohë, nëse në Shtëpinë e Bardhë ka qeverisur Bush-i apo nëse është Obama, është i vazhdueshëm kërkimi i një marrëdhënieje të privilegjuar midis “dy superfuqive të vetme të pajisura me një vizon global të problemeve”. Profesor Graziano-ja bën llogari: në periudhën e administratave “Obama”, përveç një gjykatësi katolik të Gjykatës së Lartë, “më shumë se një e treta e ministrave që kanë pasuar njëri-tjetrin ishin katolikë, ndërsa në tërësinë e popullsisë amerikane vetëm një e katërta është katolike”. Katolikë një zëvendëspresident, chief of staff-i i mandatit të dytë, një këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dy këshilltarë të Sigurisë së brendshme, presidentët e Dhomës, një drejtor i CIA-s, një zëvendës i FBI-së, një shef i Shtabit të Përgjithshëm. Pse kisha katolike ka ngjitur kaq shumë pozicione? Dhe çfarë nxjerr prej kësaj? Dhe ç’avantazh mund të nxjerrin Shtetet e Bashkuara nga ky mbipërfaqësim politik i përbërësit katolik? Graziano-ja është një studiues i gjeopolitikës, jep mësim gjeopolitikë dhe gjeopolitikë të feve në American Graduate School të Parisit, si edhe në Geneva Institute of Geopolitical Studies. Është edhe bashkëpunëtor i revistës Limes, ndan mbi marrëdhëniet mes feve dhe politikës optikën realiste të një Lucio Caracciolo-je dhe të një Sergio Romano-je, që nënshkruan parathënien e vëllimit. Qasja e tij ndaj lëndës është në mënyrë delikate laike, në një skemë interpretative vagëllimthi schmitt-iane, në kuptimin që priret ta konsiderojë kishën katolike si një aktor politik dhe e bën të tijin gjykimin e Carl Schmitt-it (1923) mbi “shumanësinë dhe ambiguitetin, fytyrën e dyfishtë, kokën e Xhanos, hermafroditizmin” e kishës që i lejon, si “parti me një vizion solid të botës”, të “formojë koalicione me grupet më të ndryshme”.

Por “In Rome we trust” është para së gjithash një libër i dobishëm nën profilin historik, sepse sinteticitet analitik ripërshkon nyjëtimet e rëndësishme, të njohura por shpesh të lëna pas dore, të një historie konfliktuale për një kohë të gjatë. I një armiqësie “antipapiste” është marrëdhënia e zanafillave, Kolonitë lindin si antikatolike: “Në koloninë britanike që Alexis de Tocqueville e konsideronte si prototipin e demokracisë amerikane, Massachusetts”, ishin në fuqi diskriminime fetare të natyrës teokratike (kundër katolikëve, hebrenjve dhe kuakerëve) “krejtësisht të panjohura për spanjollët”. Dhe plot dy ligje, të 1647-s dhe të 1700-s, “parashikonin dënimin me vdekje për priftërinjtë katolikë të kapur duke u kthyer në Masaçusets, pasi ishin përzënë”. Por kësaj armiqësie që do të lërë gjurmë deri në Nëntëqindën e shtyrë do t’i kundërvihet ajo që Graziano-ja e quan “zbulimi i ngadaltë i Amerikës” nga ana e Romës, sepse Selia e Shenjtë, diplomacia e saj dhe një pjesë e rëndësishme e episkopatit të saj do të zgjasin më shumë se një shekull për të kuptuar se duhet të mbajnë në konsideratë ngjitjen e kombit të ri, duke provuar të ndërtojnë me të një marrëdhënie paritetike. Mjafton të themi që në kohën e Luftës së secesionit, simpatitë e Piut IX ishin për Jugun skllavist, dhe të tilla mbetën edhe pas luftës – me qortime të rënda të brendshme ndaj ipeshkëve amerikanë që ishin rreshtuar me Veriun – aq sa ta nxirrnin në konkluzione historianin Gaicomo Martina se “Piu IX rreshtohej me të mundurit e historisë, jo me fitimtarët”. Në këtë qëndrim të Vatikanit mblidheshin shumë aspekte. Dënimi i “modernitetit” – mjafton të mendohet për lirinë e shprehjes, bazë e Kushtetutës amerikane – ku Shtetet e Bashkuara ishin flamurtarët e natyrshëm; vështirësia për të pranuar ndarjen midis kishës dhe shtetit dhe sferave përkatëse të ndikimit – tek e fundit kisha kishte pësuar në Europë rezultatet e dhunshme, mjafton të kujtohet Kushtetuta civile e klerit të Francës rvolucionare; në fund një eurocentrizëm kulturor dhe gjeopolitik që edhe deri në Luftën e Parë Botërore do të përbëjë pikën e vëzhgimit të kishës katolike mbi botën.

Ndërkohë imigracioni dhe rritja ekonomike, me çekuilibrimet e saj, e rrisnin peshën specifike të katolicizmit amerikan. Veprat e tij sociale, edukative, organizimi dhe përkrahja e sindikatave ndihmuan në pranimin e kishës në shoqëri dhe në ndërtimin e atij “katolicizmi blue collar” dhe demokratik që do të jetë profili i tij deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Saktësisht vitet kur shfaqet – është reagimi ndaj shekullarizmit social dhe ndaj revolucionit seksual të të gjashtëdhjetëve – vala e Great Awakening-ut protestant dhe të Right Nation-it me gjurmë evangjelike që voton republikanët. Graziano-ja rindërton, gjithnjë mbi bazën e të dhënave historike, një fakt tjetër disi paradoksal, por të cilin rrëfimet tona mbi “fenë politike amerikane” shpesh nuk e mbajnë parasysh: se evangjelizmi radikal – nga këndvështrimi i ndikimit politik – ka humbur me shpejtësi, nuk ka ngjitur pozicione në establishment-in dhe sot po tërhiqet.

Por me sa duket, fenomeni i pathemelësisë në skenën publike të evangjelizmit – në krahasim me kishën e strukturuar katolike me hierarkinë e saj, shkollat, universitetet dhe shoqatat – ishte e qartë për presidentët si Ronald Reagan dhe pastaj për George W. Bush, njëri presbiterian dhe tjetri evangjelist, që në fakt synuan në një bllok pushteti katolik. Ishin vitet tetëdhjetë të Reagan-it dhe Gjon Palit II. Marrëdhëniet diplomatike midis Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë pranohen vetëm në 1984-n, është projekti i madh i luftës së përbashkët ndaj botës komuniste dhe që bashkoi dy personazhet karizmatike. Por Graziano-ja ndriçon një problematikë të një periudhe më të gjatë. Si institucione globale, Shtetet e Bashkuara dhe kisha shkojnë drejt një perspektive spekuluese rënieje duke filluar nga Nëntëqinda: sfida është gjeopolitike dhe ekonomike për Uashingtonin, e ndikimit moral për Romën. Pikërisht nga kjo dobësi e dyfishtë lind prirja ndaj “mbështetjes së ndërsjellë”, që mbart jo dhe aq të qenët në sintoni në çdo dosje dhe çdo fushë strategjike – shembujt e divergjencës janë jashtëzakonisht të shumtë – por vetëdija që ka, herë pas here, objektiva të përbashkët. Në bëhet fjalë për antikomunizmin e nëntëqindës, për mbrojtjen e “vlerave të panegociueshme” që bashkojnë të djathtën protestante të Bush-it dhe Vatikanin, sot përgjigjja ndaj sfidës së islamit, apo ambientalizmin.

Reagan-i thoshte se Bibla është libri ku ka një përgjigje për çdo gjë, Obama i tha Papa Françeskut se feja i ndihmon politikanët të mendojnë. Niebhur-i i konsideronte Shtetet e Bashkuara “kombin më fetar si dhe më të shekullarizuarin e Perëndimit”, dhe ndoshta sot një pjesë e madhe e katolikëve amerikanë e vuan këtë gjendje dhe tmerrohet vetëm kur mendon një marrëveshje të përzemërt midis një presidenti mjaft të shekullarizuar si Obama dhe Papës. E megjithatë, siç shpjegon libri i Graziano-s, edhe Obama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka konfirmuar prirjen për bashkëpunim midis institucioneve. Dhe pastaj presidenti do të ikë pas pak, por prirja për një mbizotërim të katolikëve në jetën publike amerikane është e paracaktuar të konfirmohet në një optikë të kontrastit utilitarist ndaj teprive të shekullarizimit.

Edhe sepse në anën tjetër të oqeanit jemi të pranishëm para një fenomeni spekulativ: “amerikanizimi” i kishës katolike. Sot kardinalët amerikanë të pranuar në Konklavë janë grupi më konsistent (dhe i pasur) pas atij të italianëve dhe pesha ekonomike e institucioneve fetare amerikane është më e larta në nivel global. Dhe kjo për një vend që është atdhe vetëm për 7% të katolikëve botërorë. Bëhet fjalë edhe këtu për një fenomen të një periudhe të gjatë, që nuk mund të përgënjeshtrohet nga fakti që Papa mbretërues ka sy më shumë për kishën e jugut të botës sesa për atë “amerikanoveriore”. Interesi i përbashkët i dy superfuqive “morale” botërore mbetet puna për një perspektivë kontrasti ndaj shekullarizimit apo madje “deshekullarizimit”, siç e quan ndonjë studiues. Mund t’i kundërshtohet Graziano-s se misioni i kishës nuk mund të reduktohet në këtë perspektivë “politike”. Por, në pritje që Amerika të rigjejë fatin e vet të hapur, duhet t’u përmbahemi fakteve. /Gazeta Shqip/

Malishevë: Nxënësi akuzon profesorin për sulm (Video)

0

Nxënësi Fatlind Shala, i shkollës “Naim Frashëri”, nga Banja e Malishevës po e akuzon profesorin e informatikës Xhemajli Begajn për sulm ndaj tij.

Sulmi ndaj të birit e ka irrituar babain e djaloshit, ani pse ai e ka pranuar për Klan Kosovën se 15 vjeçari nuk është djalë i rehatshëm.

Dhunën nga mësimdhënësi e ka dënuar edhe drejtori i shkollës, por ky ka thënë se nxënësi është goxha problematik.

Por arsimtari, Xhemajli Begaj, i cili nuk pranoi të flas para kamerës, i tha Klan Kosovës se nuk e ka sulmuar djaloshin por vetëm i ka vendosur dorën në qafë.

Për rastin në fjalë ka intervenuar edhe policia, derisa komandanti i stacioni të Malishevës, Halil Morina i ka thënë Klan Kosovës nëpërmjet telefonit, se në bazë të lëndimeve rasti është cilësuar si sulm.

Shfrytëzonin 16–vjeçaren për prostitucion arrestohet një person

0

Vetëm pak orë pas transmetimit të rastit tronditës në emisionin “Stop” të 16- vjeçares nga Lushnja, e cila shfrytëzohej për prostitucion, policia ka arrestuar personin që e shfrytëzonte si dhe bashkëpunëtoren e tij. Në pranga të policisë kanë rënë Klodian Kiptiu, 38 – vjeç dhe S. Muaxhiri, 18 – vjeçe, të dy banues në Lushnje.

Ndalimi i tyre u bë pasi të dy në bashkëpunim me njëri – tjetrin kanë shfrytëzuar për prostitucion në rrethana rënduese, shtetasen e mitur A.S., 16 – vjeçe, me banim në Lushnje.

Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Policisë së Fieri falënderoi emisionin “STOP” për bashkëpunimin. 16-vjeçarja me prindër të divorcuar jetonte me gjyshen e saj të sëmurë dhe të moshuar. Sipas dëshmisë së dhënë prej saj, prej kohësh i bëhej presion për të shkuar në Holandë për të punuar si prostitutë.

Vehapi takim me zyrtarët e OSBE-së të zyrës regjionale në Prizren

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi bashkë me nënkryetarin e komunës dhe drejtorin për Buxhet dhe Financa pritën në takim zyrtarin e lart të demokratizimit nga zyra rajonale e OSBE-së në Prizren, George Katcharava, si dhe Yusuke Hara e Aqim Emurli, poashtu zyrtarë në zyrën rajonale të OSBE-së në Prizren.

Qëllimi i takimit ishte që të diskutohet në vazhdimësinë e zhvillimeve për financimin e këshillit për fshatin Hoçë e Madhe të Komunë së Rahovecit.

Gjatë takimit është theksuar nevoja për bashkëpunim dhe koordinim me të madh në mes të Komunës me nivelin qendror, respektivisht me Ministrinë e Financave.

Ne këtë drejtim të dy palët u dakorduan, që në të ardhmen e afërt Komuna e Rahovecit të dërgoj një kërkesë tek ministria e financave dhe të njoftoj ministrinë e ambientit dhe planifikimit hapësinor për të kërkuar përfshirjen e kompetencave të zgjeruara për këshillin e fshatit Hoçë e Madhe në qarkoret buxhetore.

Kryetari Vehapi, konfirmoi përkrahjen e tij të plotë në zgjidhjen e kësaj çështjeje si dhe e theksoi nevojën për koordinim me arteret e nivelin qendror përmes një tryeze të rrumbullake me qellim që ti jepet zgjidhje kësaj çështje. /PrizrenPress.com/

Nis dezinsektimi selektiv kundër rriqrave në Malishevë

0

Në kuadër të zbatimit të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), nga sot, në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar dezinsektimi selektiv kundër rriqrave, në zonat që cilësohen endemike.

Dezinsektimin, është duke e kryer kompania “Truly Nolen”, e cila është e kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë. Ky dezinsektim, po bëhet krahas fushatave tjera, për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Shëndetësi dhe anëtari i Shtabit komunal për luftimin dhe parandalimin e EHKK, Hajdin Berisha, në ditën e parë e këtij dezinsektimi, çdo gjë ka shkuar mirë.

“Ky dezinsektim është duke u kryer krahas aktiviteteve tjera që janë duke u zhvilluar në terren për luftimin e këtij virusi. Aktualisht, janë duke u zhvilluar fushata vetëdijesuese nëpër të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, për rrezikun nga thumbimi i rriqrave, si bartës të virusit që shkakton ethe hemorragjike. Po ashtu nga nesër, fillon edhe cikli i dytë i repelimit të kafshëve, në mënyrë që të parandalohet bartja e rriqrave përmes kafshëve”, tha Berisha.

“Deri më sot, janë regjistruar 84 raste të thumbimeve nga rriqrat, por situata është normale dhe nuk ka vend për shqetësim, pasi asnjë rast nuk është i infektuar, ndërsa në të njëjtën kohë, janë duke u marrë të gjitha masat parandaluese, por edhe masat e trajtimit, për rastet e thumbimeve”, bëhet e ditur në njoftim.

Studentët e Juridikut të UPZ-së vizitojnë Gjykatën e Prizrenit

0

Sot, Gjykatën Themelore të Prizrenit, e vizituan studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Vizita kishte për qëllim të nxisë komunikimin më të besueshme mes studenteve dhe Gjykatës Themelore në Prizren dhe tu mundësoj atyre të njihen për së afërmi me gjykatën dhe me punën e gjyqtarëve brenda departamenteve të ndryshëm.

Studentët u vendosën në njërën nga sallat e gjykimit ku u pritën nga kryetari i Gjykatës, Ymer Hoxha, zëdhënësja e kësaj gjykate, Afërdita Kicaj.

Prezantimet fillestare u pasuan me diskutim me studentet dhe përfaqësuesve të gjykatës. Ndër të tjera u diskutua për të rejat që ka sjellë reformimi i sistemit gjyqësor, mundësit për takime direkët me kryetarin e Gjykatës dhe pjesëmarrjen në seanca gjyqësore të hapura për publikun.

Në pjesën e dytë të vizitës, studentët vizituan objektin e gjykatës dhe u njohën me shërbimet që i ofron ajo për qytetarët e Prizrenit, me sallat e seancave gjyqësore dhe panë se ku dhe si operojnë departamentet brenda gjykatës. /PrizrenPress.com/

Prizren-Studentet ne gjykate1