11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Papa i Amerikës

Libri i një studiuesi italian të gjeopolitikës, Manlio Graziano, i sapobotuar nga Mulino, “In Rome we trust – Ngjitja e katolikëve në jetën politike të Shteteve të Bashkuara” ndihmon të vëmë në rregull faktorët dhe të sqarojmë – të paktën nën profilin kronologjik dhe logjik – një fenomen shpesh të nënvleftësuar, dhe një paradoks të çuditshëm.

Pse katolikët mbështeten kaq shumë në politikën e Shteteve të Bashkuara?

Çfarë fitojnë SHBA në këmbim? Përgjigjet në një libër.

MAURIZIO CRIPPA

Një duzinë vitesh më parë, David Frum, kolumnist konservator i tranzituar më pas për disa vjet në administratë, si speechwriter presidencial, shkroi një biografi të shkëlqyer të George W. Bush-it të titulluar “The right man”. Ku tregonte i kënaqur se fjalët e para që George W. Bush-i i drejtoi Shtëpisë së Bardhë qenë: “Missed you at Bible Study”, i ke bërë bisht takimit në Bibël. Nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur mirë. Bush-i ishte një evangjelist born again, ndonëse katoliku Ric Santorum tha për të “është presidenti më katolik që kemi pasur ndonjëherë”. Kurse Barack Obama është presidenti me konfliktualitetin më të madh me kishën katolike prej tridhjetë vjetësh e këtej, ose të paktën me hierarkinë e saj kombëtare: nga dosja e reformës shëndetësore te martesa homoseksuale te kufizimet de facto, në mos de jure, e lirisë fetare. Megjithatë, duke pritur Papa Françeskun, Obama tha: “Ati i Shenjtë, vizita juaj tregon se sa të gjithë amerikanët, të çdo mjedisi dhe besimi, i japin vlerë rolit që kisha katolike mbulon në forcimin e Amerikës” dhe në tetë vjet ka vënë në vendet kyçe të administratave të saj një përqindje më të lartë të katolikëve sa as në të shkuarën. Tani po vazhdon një fushatë elektorale ku temat tradicionale të axhendës fetare duken se kanë pak rëndësi, përveç ndonjë shprehje të ndershme kundër abortit të Trump-it. Ndoshta do të ndryshojnë diçka nëse kundër tij do t’ia dalë në shtëpinë republikane Ted Cruz-i, që katolik nuk është: është një evangjelist konservator, bir i një katoliku të konvertuar në predikues protestant dhe me një grua bijë misionarësh të Kishës adventiste të ditës së shtatë. Por tetë vjet obamizëm duken se e kanë shfuqizuar rolin publik të fesë, në një klimë të përgjithshme sprapsjeje të rolit të saj publik, social dhe kulturor. Dhe është e çuditshme që sot në mëngjes, në Vatikan, është mysafir i Akademisë Papnore të Shkencave Bernie Sanders, hebre laik, socialist dhe kandidati më pak i interesuar për axhendën klasike fetare amerikane. Duke i vënë në radhë gjërat kështu, pyetja që vjen e vetvetishme është: a kemi humbur ndonjë gjë, ndonjë thelbësore, në marrëdhënien midis Kishës katolike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Apo është diçka e rrëfimit me të cilin jemi mësuar, e skemës interpretative më të zakonshme të marrëdhënies midis katolikëve dhe Amerikës, që do të duhej të thellohej? Dyshimi është i ligjshëm, dhe përgjigjet nuk janë të afërta. Libri i një studiuesi italian të gjeopolitikës, Manlio Graziano, i sapobotuar nga Mulino, “In Rome we trust – Ngjitja e katolikëve në jetën politike të Shteteve të Bashkuara” (344 faqe, 22 euro) ndihmon të vëmë në rregull faktorët dhe të sqarojmë – të paktën nën profilin kronologjik dhe logjik – një fenomen shpesh të nënvleftësuar, dhe një paradoks të çuditshëm. Fenomeni i nënvleftësuar është pesha gjithnjë e më madhe që katolikët, dhe në nivel gjeopolitik kisha katolike romane, kanë në jetën politike dhe institucionale të një vendi që deri para tridhjetë vjetësh nuk kishin marrëdhënie diplomatike me Vatikanin dhe elitat e të cilit kanë bërë gjithnjë me antipapizmin një koordinatë të identitetit të vet. Paradoksi është se rritja e peshës katolike, edhe në nivel demografik dhe ndaj emërtimeve protestante dhe evangjeliste, duket se vuan një paaftësi ndikimi kulturor dhe legjislativ. Për të bërë një shembull: edhe me vdekjen e Antonin Scalia-s, gjykatësit të madh kushtetues, në Gjykatën e Lartë katolikët janë ende në shumicë ndërsa nuk janë, prej dhjetëvjeçarësh, protestantët. Një paradoks që edhe Scalia e nënvizonte, kur thoshte se në Gjykatë kishte vetëm katolikë dhe hebrenj. E megjithatë, për t’i qëndruar lojës, vendimi Roe kundër Wade-s nuk u përmbys kurrë dhe martesa homoseksuale gjeti një kundërshtim jo të pakapërcyeshëm. Është njësoj sikur e madhja “american way of life” që është përkufizuar si një protestantizëm i shekullarizuar (teologu i madh protestant amerikan Reinhold Niebuhr fliste për “fe të modernitetit”) të kishte përthithur në shekullarizmin e saj pragmatik edhe katolicizmin, pasi kishte bërë të njëjtën gjë me protestantizmin wasp.

Në të njëjtën kohë, nëse në Shtëpinë e Bardhë ka qeverisur Bush-i apo nëse është Obama, është i vazhdueshëm kërkimi i një marrëdhënieje të privilegjuar midis “dy superfuqive të vetme të pajisura me një vizon global të problemeve”. Profesor Graziano-ja bën llogari: në periudhën e administratave “Obama”, përveç një gjykatësi katolik të Gjykatës së Lartë, “më shumë se një e treta e ministrave që kanë pasuar njëri-tjetrin ishin katolikë, ndërsa në tërësinë e popullsisë amerikane vetëm një e katërta është katolike”. Katolikë një zëvendëspresident, chief of staff-i i mandatit të dytë, një këshilltar i Sigurisë Kombëtare, dy këshilltarë të Sigurisë së brendshme, presidentët e Dhomës, një drejtor i CIA-s, një zëvendës i FBI-së, një shef i Shtabit të Përgjithshëm. Pse kisha katolike ka ngjitur kaq shumë pozicione? Dhe çfarë nxjerr prej kësaj? Dhe ç’avantazh mund të nxjerrin Shtetet e Bashkuara nga ky mbipërfaqësim politik i përbërësit katolik? Graziano-ja është një studiues i gjeopolitikës, jep mësim gjeopolitikë dhe gjeopolitikë të feve në American Graduate School të Parisit, si edhe në Geneva Institute of Geopolitical Studies. Është edhe bashkëpunëtor i revistës Limes, ndan mbi marrëdhëniet mes feve dhe politikës optikën realiste të një Lucio Caracciolo-je dhe të një Sergio Romano-je, që nënshkruan parathënien e vëllimit. Qasja e tij ndaj lëndës është në mënyrë delikate laike, në një skemë interpretative vagëllimthi schmitt-iane, në kuptimin që priret ta konsiderojë kishën katolike si një aktor politik dhe e bën të tijin gjykimin e Carl Schmitt-it (1923) mbi “shumanësinë dhe ambiguitetin, fytyrën e dyfishtë, kokën e Xhanos, hermafroditizmin” e kishës që i lejon, si “parti me një vizion solid të botës”, të “formojë koalicione me grupet më të ndryshme”.

Por “In Rome we trust” është para së gjithash një libër i dobishëm nën profilin historik, sepse sinteticitet analitik ripërshkon nyjëtimet e rëndësishme, të njohura por shpesh të lëna pas dore, të një historie konfliktuale për një kohë të gjatë. I një armiqësie “antipapiste” është marrëdhënia e zanafillave, Kolonitë lindin si antikatolike: “Në koloninë britanike që Alexis de Tocqueville e konsideronte si prototipin e demokracisë amerikane, Massachusetts”, ishin në fuqi diskriminime fetare të natyrës teokratike (kundër katolikëve, hebrenjve dhe kuakerëve) “krejtësisht të panjohura për spanjollët”. Dhe plot dy ligje, të 1647-s dhe të 1700-s, “parashikonin dënimin me vdekje për priftërinjtë katolikë të kapur duke u kthyer në Masaçusets, pasi ishin përzënë”. Por kësaj armiqësie që do të lërë gjurmë deri në Nëntëqindën e shtyrë do t’i kundërvihet ajo që Graziano-ja e quan “zbulimi i ngadaltë i Amerikës” nga ana e Romës, sepse Selia e Shenjtë, diplomacia e saj dhe një pjesë e rëndësishme e episkopatit të saj do të zgjasin më shumë se një shekull për të kuptuar se duhet të mbajnë në konsideratë ngjitjen e kombit të ri, duke provuar të ndërtojnë me të një marrëdhënie paritetike. Mjafton të themi që në kohën e Luftës së secesionit, simpatitë e Piut IX ishin për Jugun skllavist, dhe të tilla mbetën edhe pas luftës – me qortime të rënda të brendshme ndaj ipeshkëve amerikanë që ishin rreshtuar me Veriun – aq sa ta nxirrnin në konkluzione historianin Gaicomo Martina se “Piu IX rreshtohej me të mundurit e historisë, jo me fitimtarët”. Në këtë qëndrim të Vatikanit mblidheshin shumë aspekte. Dënimi i “modernitetit” – mjafton të mendohet për lirinë e shprehjes, bazë e Kushtetutës amerikane – ku Shtetet e Bashkuara ishin flamurtarët e natyrshëm; vështirësia për të pranuar ndarjen midis kishës dhe shtetit dhe sferave përkatëse të ndikimit – tek e fundit kisha kishte pësuar në Europë rezultatet e dhunshme, mjafton të kujtohet Kushtetuta civile e klerit të Francës rvolucionare; në fund një eurocentrizëm kulturor dhe gjeopolitik që edhe deri në Luftën e Parë Botërore do të përbëjë pikën e vëzhgimit të kishës katolike mbi botën.

Ndërkohë imigracioni dhe rritja ekonomike, me çekuilibrimet e saj, e rrisnin peshën specifike të katolicizmit amerikan. Veprat e tij sociale, edukative, organizimi dhe përkrahja e sindikatave ndihmuan në pranimin e kishës në shoqëri dhe në ndërtimin e atij “katolicizmi blue collar” dhe demokratik që do të jetë profili i tij deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Saktësisht vitet kur shfaqet – është reagimi ndaj shekullarizmit social dhe ndaj revolucionit seksual të të gjashtëdhjetëve – vala e Great Awakening-ut protestant dhe të Right Nation-it me gjurmë evangjelike që voton republikanët. Graziano-ja rindërton, gjithnjë mbi bazën e të dhënave historike, një fakt tjetër disi paradoksal, por të cilin rrëfimet tona mbi “fenë politike amerikane” shpesh nuk e mbajnë parasysh: se evangjelizmi radikal – nga këndvështrimi i ndikimit politik – ka humbur me shpejtësi, nuk ka ngjitur pozicione në establishment-in dhe sot po tërhiqet.

Por me sa duket, fenomeni i pathemelësisë në skenën publike të evangjelizmit – në krahasim me kishën e strukturuar katolike me hierarkinë e saj, shkollat, universitetet dhe shoqatat – ishte e qartë për presidentët si Ronald Reagan dhe pastaj për George W. Bush, njëri presbiterian dhe tjetri evangjelist, që në fakt synuan në një bllok pushteti katolik. Ishin vitet tetëdhjetë të Reagan-it dhe Gjon Palit II. Marrëdhëniet diplomatike midis Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë pranohen vetëm në 1984-n, është projekti i madh i luftës së përbashkët ndaj botës komuniste dhe që bashkoi dy personazhet karizmatike. Por Graziano-ja ndriçon një problematikë të një periudhe më të gjatë. Si institucione globale, Shtetet e Bashkuara dhe kisha shkojnë drejt një perspektive spekuluese rënieje duke filluar nga Nëntëqinda: sfida është gjeopolitike dhe ekonomike për Uashingtonin, e ndikimit moral për Romën. Pikërisht nga kjo dobësi e dyfishtë lind prirja ndaj “mbështetjes së ndërsjellë”, që mbart jo dhe aq të qenët në sintoni në çdo dosje dhe çdo fushë strategjike – shembujt e divergjencës janë jashtëzakonisht të shumtë – por vetëdija që ka, herë pas here, objektiva të përbashkët. Në bëhet fjalë për antikomunizmin e nëntëqindës, për mbrojtjen e “vlerave të panegociueshme” që bashkojnë të djathtën protestante të Bush-it dhe Vatikanin, sot përgjigjja ndaj sfidës së islamit, apo ambientalizmin.

Reagan-i thoshte se Bibla është libri ku ka një përgjigje për çdo gjë, Obama i tha Papa Françeskut se feja i ndihmon politikanët të mendojnë. Niebhur-i i konsideronte Shtetet e Bashkuara “kombin më fetar si dhe më të shekullarizuarin e Perëndimit”, dhe ndoshta sot një pjesë e madhe e katolikëve amerikanë e vuan këtë gjendje dhe tmerrohet vetëm kur mendon një marrëveshje të përzemërt midis një presidenti mjaft të shekullarizuar si Obama dhe Papës. E megjithatë, siç shpjegon libri i Graziano-s, edhe Obama nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka konfirmuar prirjen për bashkëpunim midis institucioneve. Dhe pastaj presidenti do të ikë pas pak, por prirja për një mbizotërim të katolikëve në jetën publike amerikane është e paracaktuar të konfirmohet në një optikë të kontrastit utilitarist ndaj teprive të shekullarizimit.

Edhe sepse në anën tjetër të oqeanit jemi të pranishëm para një fenomeni spekulativ: “amerikanizimi” i kishës katolike. Sot kardinalët amerikanë të pranuar në Konklavë janë grupi më konsistent (dhe i pasur) pas atij të italianëve dhe pesha ekonomike e institucioneve fetare amerikane është më e larta në nivel global. Dhe kjo për një vend që është atdhe vetëm për 7% të katolikëve botërorë. Bëhet fjalë edhe këtu për një fenomen të një periudhe të gjatë, që nuk mund të përgënjeshtrohet nga fakti që Papa mbretërues ka sy më shumë për kishën e jugut të botës sesa për atë “amerikanoveriore”. Interesi i përbashkët i dy superfuqive “morale” botërore mbetet puna për një perspektivë kontrasti ndaj shekullarizimit apo madje “deshekullarizimit”, siç e quan ndonjë studiues. Mund t’i kundërshtohet Graziano-s se misioni i kishës nuk mund të reduktohet në këtë perspektivë “politike”. Por, në pritje që Amerika të rigjejë fatin e vet të hapur, duhet t’u përmbahemi fakteve. /Gazeta Shqip/

Më Shumë

Xhamia më e veçantë në Ballkan, ndodhet në Delvinë

Xhamia më e veçantë në Ballkan ndodhet në Delvinë. Për një mijë e një arsye. Historia dhe emri i xhamisë, janë unike. Quhet xhamia...

Nga sot fillon konvertimi i patentave ilegale të shoferëve në RKS

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se nga 10 maji deri më 9 gusht 2024 të gjithë qytetarët mund t’i konvertojnë...

Lajmet e Fundit