24.9 C
Prizren
E premte, 20 Qershor, 2025
Home Blog Page 6659

“Dokufest”-i si “Karabashi”!

0

Nga Myrfet SHASIVARI

Tanimë e dimë faktin se për secilin 5 maj të vitit kalendarik, në zonën jugore të qytetit të Prizrenit, organizohet festa e Karabashit, në shenjë nderimi për Shëngjergjin, festë kjo për të cilën ekzistojnë disa interpretime. Siç dihet më 5 maj, aty grumbullohet turma, njerëzit e kategorive të ndryshme sorollaten për synime të ndryshme, disa të bëjnë tregëti, fëmijët të luhaten në kolovajzat e shumta, ndërkaq që kategoria e të rinjëve, bredhin në kërkim të ndonji flirti erotik. Dhe përderisa më 5 maj, nga turma pushtohet zona jugore e qytetit, nga 8 deri më 16 gusht, po nga kjo turmë, e ndihmuar edhe nga sponsorë medialë e institucionalë, pushtohet hiq më pak se pjesa qendrore e Prizrenit.

Kjo për shkakun se nesër fillon festivali i filmit dokumentar dhe i atij të metrazhit të shkurtër “Dokufest”, i cili përmban më tepër filma përmbajtjesh simbolike, e që një përqindje e madhe e turmës, vështirë se i kupton, por që hapësirat e shfaqjeve filmike i vizitojnë sa për ta “mbytur” kohën, ose thjeshtë për snobizëm. Por ky festival filmash që nuk dihet se për çfarë shquhen, ngaqë si premierë tanimë janë parë nëpër festivale të ndryshme anë e kënd globit, viteve të fundit ka rastisë të ngjasojë me atmosferën e “Karabashit”, pasi që në prag të fillimit të tij, urat dhe sheshet qendrore të Prizrenit, janë mbushur me hekura, reklama, qadra, vinça, kamionë, që punojnë për dekorimin e këtyre hapësirave, në shenjë të “Dokufest”-it, e që në fakt, po krijojnë tollovi të bezdishme e ngushtime hapësirash.

Pra, në vend se fokusi i organizatorit të festivalit të përqëndrohet në sensibilizimin e publikut për filmat që do t’i shikojnë përgjatë rrjedhës së këtij evenimenti, këtyre ditëve jemi dëshmitarë të “okupimit” të Shadërvanit nga shumësia e pajisjeve dhe e punëtorëve, që krahas qarkullimit të pakuptimtë të automjeteve, shtrirjes së tavolinave të kafiterive nëpër trotuare e deri në mes të sheshit, Prizrenit, po ia degradojnë imazhin e qytetit të këndshëm e pitoresk.

Të tregosh Shqipërinë përmes romanit të Sterio Spases

0

Regjisori i ri, Borin Shehu, sjell “Shqipëria përmes aktesh”. Për 21 ditë, një ekip i huaj do të udhëtojë në qytete të ndryshme të vendit, për të sjellë Shqipërinë ndryshe

Sterjo Spase (1) Sterjo Spase (2)Ditarët e Gjon Zaverit (personazhi i romanit “Pse” të Sterio Spases) vijojnë të jenë frymëzuese. Kur Borin Shehu, një i ri në fushën e kinemasë, i dha fund udhëtimit në faqet e këtij romani, ndjeu se gjithë ndjesitë e marra prej tij kërkonte t’i shndërronte në imazhe kinematografike. Prej kohësh ai kërkonte të rrëfente Shqipërinë e tij, gjithçka të marrë përmes librave të historisë, rrëfimeve të së afërmeve, apo përvojës së tij personale në një film. Të sillte përmes imazheve gjithçka ka përjetuar ky vend që pas rënies së komunizmit. Dukej sikur Gjon Zaveri e ndillte drejt një Shqipërie ndryshe, nga ajo çfarë dokumentarët për vendin tonë kanë dhënë këto vite, një Shqipërie që vinte e bëhej më grishëse treguar prej këtij burri që prej gati një shekulli fle në fletët e një libri. Një Shqipëri sentimentale dhe njëherazi e fortë në historinë e saj, dinjitoze përballë historisë. “Frymëzimi i parë më erdhi nga libri “Pse”.

Më pas shkrova një histori të shkurtër surrealiste rreth një çifti të ri të mbetur në një qytet kaotik, të paparashikueshëm, që ndryshon nga dita në ditë, në një vend ku e shkuara takohet me të ardhmen”, thotë Shehu. “Shqipëria përmes aktesh” quhet filmi në stilin e dokufiksionit eksperimental në llojin e filmave të Jean Rouch, i cili do të sjellë për publikun francez një rrëfim për Shqipërinë e pas viteve ’90. Për të realizuar këtë prodhim, Shehut iu bashkua dhe një ekip i huaj. Dy kineastë francezë, dy prej Luksemburgu dhe një italian, bashkë me dy miqtë e tij shqiptarë kanë nisur prej më shumë se një jave një udhëtim në qytete të ndryshme të Shqipërisë, për të fotografuar apo për të xhiruar Shqipërinë që Borinit i doli nga fletët e një libri. Një udhëtim që do të përfundojë më 31 gusht, për të konkretizuar idenë e një Shqipërie sipas Gjon Zaverit.

“Do të jemi duke udhëtuar deri më 31 gusht, përgjatë gjithë Shqipërisë, duke filmuar vende të rëndësishme historike, politike apo kulturore, duke eksploruar historinë kulturore shqiptare për të treguar si ka ndryshuar deri tani, duke bërë një paralelizëm me të shkuarën. Do të vizitohet gjithçka, nga malet e larta te bunkerët, portet e uzinat e braktisura, nga vendet e qeta në ato të zhurmshmet, duke trajtuar tema si problemet sociale, varfëria dhe emigrimi dhe duke përdorur herë pas here skenografi, për të dalë te dokufiksioni”, thotë Shehu. Më shumë se një dokumentar për francezët, Shehu e quan një dokumentar për identitetin tonë, treguar përmes gjërave që na bëjnë të ndihemi krenar për të shkuarën dhe kur ajo është e trishtë. Është interesante të shohësh, sipas Shehut natyrën, sesi ajo ka mbetur aq e brishtë në një vend që ka jetuar një nga diktaturat më të egra. Natyra i ngjason një thirrjeje dhe përmes saj imagjinon një të nesërme më të bukur. Historitë do të jenë të rëndësishme në këtë dokumentar.

Historia e një vendi bëhet më e plotë përmes tregimeve mbi ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur. “Çdo qytet ka historinë e tij, një histori që lidhet fort me ndryshimet politike që i kanë ndodhur këtij vendi”, thotë Shehu. I tillë është Durrësi, një qytet i bukur jo vetëm për bregdetin, por që shpesh ka qenë i rëndësishëm për fatet e këtij vendi. Princ Vidi konsolidoi shtetin e parë shqiptar nga ky vend, rrëfimet e gazetarëve të huaj mbi vendin tonë nisin pikërisht nga mbërritja në këtë qytet…Do jetë një kombinim sipas Shehut, i tregimeve më të spikatura që duke u lidhur bashkë e sjellin si në një film historinë e këtij vendi. “Për realizimin, një ndihmë e madhe na u dha nga Luksemburgu, ku shoqata jofitimprurëse Feierblumm na ofroi mbështetjen me materialet (kamera, dron dhe GoPro). Mirëpo për të bërë një film duhet pak më shumë se sa një ide e mirë, një kamera dhe një ekip fantastik ku çdokush punon kundrejt asnjë pagese”, thotë Shehu. Pas studimeve në Strasburg, e vetmja gjë që ai mendon është të bëjë filma. Dhe në këtë kohë pasionesh pasuniversitare, një dokumentar për vendin tënd nuk ka si të jetë ndryshe, përveçse me dashuri.

Vetima

0

Skender Berisha 

Eshte e thelle e erret si nata
vret shume pret sikur shpata
therr ndermjet brinjet e thata
sa shpesh e pata nuk e pata
me fryu neper asht si hataja
nuk e ndieva c’eshte sevdaja
me dogji fundesh edhe sipri
kur erdhi paravera apo dimri
tashti vec helme me perpijne
as zogjte besa me s’me vijne
nen blinj cicerijne e nuk i ndiej
dhe ne pike vape nisi dritherij
mundohem ledhin t’ia kapercej
dicka ze e me shpon tejepertej
ma zgjat doren e me ngroh pak
te lirohem vec sonte nga ky lak

Me filmin “Steve Jobs”, do të mbyllet Festivali i Filmit Britanik në Londër

0

Filmi në festivalin e Londrës do të jetë premierë evropiane, ndërkaq në kinema do të prezantohet më 13 nëntor

Me regji të Danny Boyle, filmi “Steve Jobs”, i bazuar në biografinë më të shitur, përfshinë 14 vite, në mes të vitit 1984 dhe 1998. Michael Fassbender luan rolin kryesor , sikurse që do të luajnë edhe:

Kate Winslet, Jeff Danieles dhe Seth Rogen. Ky është filmi i tretë i Boyle pas “Slumdog Millionaire”, “127 Hours”. Filmi në festivalin e Londrës do të jetë premierë evropiane, ndërkaq në kinema do të prezantohet më 13 nëntor. Kurse programi i plotë i Festivalit të Londrës do të prezantohet më 1 shtator./KultPlus.com

Emra të fuqishëm në juritë e DokuFestit

0

Juritë e përbëra nga profesionistë dhe entuziastë filmi do të shikojnë dhe përzgjedhin filmat e tyre të preferuar në mesin e 124 filmave.
BALKAN DOX
Pavel Smejkal

Pavel Smejkal u lind më 1986 në Kosice të Sllovakisë. Pas diplomimit në Studime Filmi nga Akademia e Muzikës dhe Arteve në Bratisllavë, ai vijoi studimet post-diplomike në të njëjtin program. Që nga viti 2005, Pavel shkruan kritikë edhe ese mbi filma për një mori revistash sllovake të filmit. Në vitin 2011, iu bashkangjit ekipit programues të IFF Bratislava, në cilësinë e programerit e dokumentarëve në garën ndërkombëtare.

Iva Radivojevic

Iva Radivojevic është një kineaste laurate e disa çmimeve që aktualisht vepron në Brooklyn, NY. Vitet e hershme i kaloi në Jugosllavi dhe Qipro para se të zhvendosej në NYC. Filmat e saj shqyrtojnë temat e identitit, migrimit dhe përfshirjes, dhe janë shfaqur në shumë festivale. Ajo u përfshi në listën e 25 Fytyrave të Reja të Filmit të Pavarur në Filmmaker Magazine. Iva punon si montazhiere e filmave fiksion dhe dokumentarë, dhe gjithashtu në projekte komerciale. Filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë, dokumentari “Evaporating Borders” ka fituar një sër çmimesh ndërkombëtarisht.
Alexei Dmitriev
Qysh prejse isha një vajzë e vogël, ëndrra ime ishtë të luaja në një film eksperimental.

HUMAN RIGHTS DOX
Charlotte Selb
Lindur më 1980 në Strasburg të Francës, Charlotte Selb studioi Anglisht para se të zhvendosej në Montreal, ku përfundoi studimet e nivel master në Studime të Filmit në Concordia University. Në 2003, ajo iu bashkangjit ekipit të Montreal International Documentary Festival (RIDM); fillimisht mbajti pozitën e kordinatores së programimit, për t’u promovuar pastaj në Drejtoreshë të programimit në 2010. Gjithashtu ka bashkëpunuar më organizime tjera të filmit në Montreal. Është ftuar si programuese mysafire në DOXA në Vancouver dhe Munich’s DOK.fest. Në cilësinë e anëtares së jurisë, është paraqitur në DOK.fest, Cinema du Reel në Paris dhe Visions du Reel në Nyon. Është pjesë e Këshillit nominues për Cinema Eye Honors.
Oskar Alegria
Oskar Alegria është trajnuar si gazetar, dhe shkruan raporte nga udhëtimet e tij për ElPais, El Viajero. Njëkohësisht ësht autor i projektit artistik fotografik të quajtuar Las ciudades visibles (Qytetet e Dukshme). Që nga 2009, ai është profesor i skenarit për dokumentarë në Masters of Audiovisual Scripts në Universitetin e Navarra-s, dhe njëashtu ka udhëhequr një punëtori fëmijësh për fotografinë abstrakte në Muzeun Chillida-Leku. Filmi i tij i parë Emak Baika Baita, për një shtëpi në bregun Bask ku Man Ray u inspirua për kinemanë e tij avant-garde, ka fituar 17 çmime dhe është shfaqur në 75 festivale. Aktualisht është drejtor artistik i International Film Festival Punto de Vista.
Agon Maliqi
Agon Maliqi është hulumtues dhe këshilltar i politikave publike si dhe aktivist i shoqërisë civile nga Prishtina. I angazhuar rregullisht si kolumnist në shtypin kosovar, gjatë dekadës së kaluar, Maliqi ka punuar në një numër programesh zhvillimore në Kosovë, kryesisht të lidhura me qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin gjithëpërfshirës. Ai është themelues dhe bashkëredaktor i blogut analitik S’bunker. Në vitin 2012, përfundoi studimet master për Politikat e Zhvillimit Ndërkombëtar në Duke University në SHBA, si vazhdimësi e prapavijës në Shkenca Politike dhe Studime Evropiane, fusha të cilat i studioi në 2006 në Universitetin Amerikan në Bullgari.

INTERNATIONAL DOCS
Ben Fowlie
Ben Fowlie është themelues dhe drejtor ekzekutiv i Camden International Film Festival dhe Points North Documentary Forum. Të themeluara në 2005, Camden dhe North janë bërë platformë e zbulimit të zërave të rinj dhe teknikave inovative të rrëfimit brenda formatit të dokumentarit. Ben gjithashtu është bashkëthemelues dhe programues në DocYard, një seri e dokumentarëve të shfaqura në Cambridge, MA. Aktualisht, ai është pjesë e bordit këshillues të industrisë dhe këshillit nominues për Cinema Eye Honors për Filmat jofiksion, dhe ka marrë pjesë në disa festivale (Hot Docs, SilverDocs, Big Sky dhe IFFBoston) në cilësinë e anëtarit të jurisë.
Thomas Logoreci
Thomas Logoreci ka prodhuar dhe bashkëmontuar filmin e mirëpritur të zhanrit komedi “I am a Sex Addict” (2005) nga Caveh Zahedi. Ky film, u shfaq në mbi 30 festivale anembanë botës dhe u shpërblye me çmimin New York Gotham Award në kategorinë “Best Film Not Playing at a Theatre Near you.” Thomas është një nga skenaristët e filmit “There Be Dragons” (2013), në bashkëpunim me kineastin e vlerësuar irlandez Mark Cousins – film i cili pati premierën në BFI London Film Festival dhe premierën veriamerikane në Telluride Film Festival. Në 2014, së bashku me Iris Elezin, Logoreci ishte skenarist, regjisor, dhe producent i filmit “Bota” një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë, dhe Kosovës. Ky film u shfaq premierë në Karlovy Vary Film Festival.
Michael Pattison
Michael Pattison lindur më 1987, aktualisht ndan kohën e tij mes Gateshead, Londër dhe festivaleve të filmit ku merr pjesë në cilësinë e kritikut, programuesit, moderatorit, mësimdhënësit dhe anëtarit të jurisë. Shkrimet e Michal janë publikuar nga Sight & Sound, Fandor, IndieWire, Vice, Playboy, The Guardian, Film Comment, Cineaste etj. Gjithashtu ka ofruar kritikë filmi në Radio BBC. Si këshilltar i programimit dhe moderator i sesioneve intervistuese, Michael ka punuar per Viennale, Crossing Europe Linz, Bradford International Film Festival, Kino Otok Isola Cinema, IndieLisboa, CurtoCircuíto dhe Seville European Film Festival. Gjithashtu, ka udhëhequr punëtori për kritikë të ardhshëm në Dokufest (Prizren), ZubrOFFka Short Film Festival (Bia?ystok) dhe Black Nights Film Festival (Tallinn).
Lois Patiño
Lois Patiño u lind më 1983 në Vigo, Spanjë. Videot dhe video instalacionet e tij janë shfaqur në qendra arti, përderisa filmat e tij në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Fokuse specifike të veprave të tij janë zhvilluar në vende si New York Film Festival (Views form the Avant Garde), Flaherty Seminar (Colgate University) në BAFICI (Argentina) dhe Festival of Cali (Colombia). Ai është ftuar t’i paraqesë veprat e tij në universitete si Harvard, Cal Arts (LA), California College of the Arts, FUC (Buenos Aires) dhe Instituto Politecnico (Porto). Në Locarno IFF, Lois fitoi çmimin për regjisorin më të mirë të ri me filmin “Costa da Morte”. Ky film i metrazhit të gjatë fitoi çmime edhe në festivale tjera.
Jean­Pierre Rehm
Jean­Pierre Rehm, i diplomuar nga Ecole Normal Superieure dhe student i literaturës moderne dhe filozofisë, ka lëvizur nga mësimdhënia (në histori dhe teori arti e filmi) në shkolla të ndryshme të artit, në Ministrinë e Kulturës në Francë, e deri të kurimi i ekspozitave (Cairo Museum of Modern Art, Yokohama Art Center në Japoni, Witte de With në Rotterdam, Fondation Caixa në Barcelonë). Jean-Pierre shkruan rregullisht për media të ndryshme: katalogje ekspozitash, monografi artistësh dhe kineastësh, kritikë arti dhe kinemaje si Cahiers du Cinéma, Cinéma, Trafic, etj. Nga 2001, është drejtor i International Film Festival of marseille, FIDMarseille.

NATIONAL SHORTS
Izer Aliu
Izer Aliu, u lind më 1982 dhe studioi në Norwegian Film School. Filmi i tij i diplomës To Guard a Mountain (2012) fitoi çmimin Amanda si Filmi më i mirë i shkurtë, film i cili edhe rezultoi në përfshirjen e tij në listën e regjisorëve premtues, listë e përpiluar nga një bashkëpunim i katër revistave më të mëdhaja të filmit në Skandinavi. Filmi i tij i rradhës, The Good Life –Over There fitoi Karrigën e Artë në 2014 dhe përsëri u nominua për çmimin Amanda. Aliu gjithashtu është nominuar për Student Academy Award dhe ka fituar një numër çmimesh ndërkombëtare. Aktualisht, filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë Hunting Flies është në post-produksion, kurse i dyti 12 Labors në para-produksion.
Delphine Jeannere
Delphine Jeanneret u lind në Zvicër dhe shkollimet master i përfundoi në Histori të Artit dhe Literaturë Angleze dhe Amerikane. Pas punës si programuese dhe menaxhere e një kinemaje të pavarur në Lozanë, ajo punoi si programuese në disa festivale filmi, konferenca të fokusuara në ndërlidhjen e artit me mediat moderne, dhe gjithashtu ishte kryesuese e kategorisë së filmit të shkurtër në Fribourg International Festival. Tani, ajo është programuese në International Kurzfilmtage Winterthur dhe Neuchatel International Fantastic Film festival, dhe ka themeluar një festival për fëmijë dhe të rinj në Lozanë.
Bujar Kabashi
Bujar Kabashi është producent filmi, por aftësitë e tij shtrihen edhe në fushat e dizajnit grafik, marketingut, copyright, dhe shërbimeve këshilluese. Filmat që ai ka prodhuar janë përzgjedhur në qindëra festivale dhe kanë fituar mbi 40 çmime. Filmi i tij fundit Ballkoni, kishte premierën në Venice Film Festival dhe u përzgjedhë në mbi 120 festivale tjera, duke përfshirë Telluride, Warsaw, Palm Springs. Fitoi çmime në AFI FEST 2013 dhe 25 festivale tjera dhe u bë filmi i parë kosovar që u ble nga një distributor ndërkombëtar.

Në Zvicër do të formohet shoqata “Malisheva”

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot është takuar me bashkatdhetarët tanë, që jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme dhe që aktualisht gjinden në vendlindje, me të cilët ka bashkëbiseduar për çështje të ndryshme. Në këtë takim, u bë e ditur se bashkatdhetarët në Zvicër, deri në fund të gushtit, do ta formojnë shoqatën “Malisheva”.

“Qëllim i këtij takimi është, që të takohemi dhe të bashkëbisedojmë për çështje të ndryshme me interes për ju bashkatdhetar. Të jetosh larg vendit tënd, është e vështirë, por rrethanat e kohës, ju kanë imponuar këtë, mirëpo kontributi juaj për vendin, është shumë i madh, pasi ju jeni ata që përveç familjeve tuaja, e keni mbajtur edhe jetën institucionale, edhe luftën edhe zhvillimin e pasluftës, përmes kontributit që vazhdueshëm që jepni për vendin. Ne si komunë, po mundohemi që të angazhohemi maksimalisht në ofrimin e shërbimeve për çdo gjë që keni nevojë. Ju e mira e këtij vendi dhe e keni për borxh që t’ju ofrojmë shërbimet dhe respektin që meritoni”, tha mes tjerash në fjalën e tij, i pari i Malishevës, Ragip Begaj.

Më pas u diskutua për çështje të ndryshme, me të cilat përballen bashkatdhetarët, gjatë qëndrimit në vendlindje. Nga folësit në këtë takim, nuk pati ankesa në ofrimin e shërbimeve nga ana e komunës, përderisa ngritën shqetësimet e tyre, lidhur me gjendjen e ambientit, për shkak të hedhjes së mbeturinave, vend e pa vend, pastaj në disa raste, për vendosjen e pengesave në rrugët, nga ana e qytetarëve, pranë shtëpive, mungesa e tabelave informuese nëpër vendbanime dhe mungesa e tabelave me emërtimet për rrugët, në fshatrat ku jetojnë.

Ndërsa bashkatdhetari, z.Istref Rudaj, bëri të ditur, se me iniciativë të mërgimtarëve në Zvicër, kanë nisur procedurat dhe deri në fund të gushtit, do ta formojnë shoqatën “Malisheva” në Zvicër, e cila do të ketë kryesisht karakter humanitar dhe kulturor, dhe në të njëjtën kohë ju bëri thirrje bashkatdhetarëve nga Malisheva, që ti bashkohen kësaj shoqate dhe të japin kontributin e tyre./PrizrenPress.com/

Prizren: Vidhen rreth 24 mijë euro dhe stoli ari në një shtëpi

0

Në intervalin kohor prej 21:10 minuta të mbrëmjes gjer në orën 01:50 minuta pas mesnate, në një shtëpi në lagjen “Arbanë” në Prizren ka ndodhur një vjedhje e rëndë.

Sipas hetuesve të policisë dhe krim teknikëve që kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes thuhet se të dyshuar të panjohur kanë shfrytëzuar mungesën e familjarëve në shtëpi dhe nga një derë ballkoni të cilën e kanë thyer janë futur brenda me ç‘rast kanë thyer edhe dyer tjera të dhomave në kërkim të gjësendeve të vlefshme.

Sipas pronarit të shtëpisë, janë vjedhur stoli të arta dhe një shumë e konsiderueshme e parave kesh që i afrohet vlerës prej 24 000 euro.

Nuk ka të dyshuar për rastin.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren apelon tek qytetarët që mos t’i lënë shtëpitë pa përkujdesje e posaçërisht gjësendet e vlefshme, kur shkojnë në ahengje ose për pushime sepse lehtë mund të jenë cak i vjedhjeve dhe dëmtimeve në shtëpitë e tyre. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një person në Prizren

0

Një person është arrestuar në rrugën “Xheladin Hana” në Prizren.

Arrestimi është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

I dyshuari është dërguar në burgun e qarkut në Prizren. /PrizrenPress.com/

Në Xërxë të Rahovecit, arrestohet trafikuesi i një vajze nga Shqipëria

0

Është arrestuar një person në fshatin Xërxë, pasi që dyshohet se ka trafikuar një femër nga Shqipëria.

“Në një lokal është arrestuar një person, pasi që i njëjti dyshohet se ka trafikuar një femër, shtetase e Shqipërisë”, njofton policia.

Policia nga i dyshuari ka konfiskuar një revole të llojit ‘EKOL special 99’, një karikator, dy fishekë të kal.7.65mm.

I dyshuari pas intervistës me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje./PrizrenPress.com/

Aksident në Grykën e Caralevës, pesë të lënduar

0

Pesë persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur në Grykën e Caralevës të Suharekës.

Aksidenti ka ndodhur në mes të tri automjeteve me targa lokale.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar njëri nga drejtuesit e automjetit si dhe katër pasagjer femra.

Të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë dhe më pas lirohen për në shtëpi.

Është informuar prokurori. /PrizrenPress.com/