22 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026
Home Blog Page 6689

PDK merr postet kryesore në Qeveri

0

Partia Demokratike e Kosovës të mërkurën pritet të diskutojë rreth emrave që do ta zëvendësojnë Hashim Thaçin në ekzekutiv. PDK-ja sot do ta mbledhë Këshillin Drejtues për të diskutuar për mbajtjen e konventës për ta zgjedhur kryetarin e ri të partisë, por që, sipas burimeve brenda PDK-së, temë diskutimi pritet të jetë edhe zëvendësimi i posteve të lëna zbrazët në Qeveri nga Hashim Thaçi

Partia Demokratike e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e Këshillit Drejtues sot, ku pos diskutimit për mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, do të diskutojë edhe për emrat që do ta zëvendësojnë Hashim Thaçin në Qeveri, i cili dha dorëheqje pas zgjedhjes në postin e presidentit.

Sipas burimeve brenda PDK-së, Haredin Kuçi dhe Enver Hoxhaj janë emrat që do ta zëvendësojnë Thaçin në postet e lëna zbrazët. Atë të zëvendëskryeministrit pritet ta marrë Hajredin Kuçi, ndërsa Enver Hoxhaj pritet të emërohet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme.

PDK-ja diskuton sot për emrat që do ta pasojnë Thaçin

Burime të gazetës “Zëri” brenda PDK-së kanë thënë se të mërkurën kanë mbledhjen e Këshillit Drejtues të partisë, në të cilën do të diskutohet për mbajtjen e konventës për zgjedhjen e kryetarit të PDK-së, mirëpo në këtë mbledhje mund të diskutohet edhe për pasuesit e ish-kryetarit, Hashim Thaçi, në Qeverinë e Kosovës.

“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe aty ka mundësi të merren edhe vendimet se kush do ta pasojë Thaçin në postet që ka lënë zbrazët në ekzekutiv”, kanë thënë këto burime. /Zëri/

Le Figaro: Thaçi mund të akuzohet nga Gjykata Speciale

0

Akuzat serioze rreth abuzimit të të burgosurve serbë dhe romë mund të bëjnë që Hashim Thaçi të akuzohet nga Gjykata Speciale. Pas zgjedhjes së tij, Presidenti i Kosovës mund të akuzohet, shkruan Le Figaro.

“I zgjedhur më 26 shkurt nga Parlamenti i Kosovës, 47 vjeçari Hashim Thaçi mund të preket nga themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si përgjegjës për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, ku ai ishte një nga komandantët, i njohur si ‘gjarpri”, shkruan Le Figaro.

“Presidenti Hashim Thaçi, i cili e merr detyrën në prill, është përfshirë në raporton e Këshillit të Europës më 2010, të krijuar nga parlamentari zviceran Dick Marty. Ai beson se Thaçi udhëhoqi trafikimin e organeve të 500 të burgosurve serbë dhe romë nga shqiptarët. Sipas dëshmive të mbledhura nga misioni i Dick Marty, të burgosurit ishin dërguar në vendin fqinje Shqipëri për tu ekzekutuar, dhe organet e tyre u ishin shitur klinikave të huaja, shkruan Le Figaro, duke thënë se raporti specifikon edhe ekzekutime dhe rrëmbime ku përfshihen oponentë të Thaçit, transmeton Gazeta Express.

Presidenti Thaçi i ka thënë agjencisë France-Presse, se ‘nuk ka asgjë për të fshehur’.

Le Figaro shkruan se gjithçka mund të komplikohet, pasi shumë dëshmitarë mund të jenë, ish anëtarë të UÇK’së.

Si pjesë e kësaj procedure si dëshmitar mund të thirret Bernard Kouchner. Si përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së në Kosovë prej 1999 deri më 2000, Kouchner rregullisht ishte akuzuar se kishte mbyllur sytë në krimet e kryera nga UÇK, shkruan Le Figaro.

‘Nuk mund të them se Kouchner e dinte për trafikimin e organeve, por është e pamundur që ai të mos kishte informacione për organizatat kriminale në Kosovë”, citohet të ketë thënë si komandanti i policisë së UNMIK’u,t Stu Kellock.

Bernard Kouchner vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Më 2010 ai e kishte quajtur të çmendur një gazetar serb që e kishte pyetur për një çështje të tillë./Gazeta Express/

Zika në rritje seksualisht

0

Transmetimi në rrugë seksuale i virusit Zika është më i përhapur nga sa mendohej më parë, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pas një mbledhjeje të komitetit të emergjencave, agjencia e OKB-së për shëndetin deklaroi gjithashtu se, provat për lidhjen mes Zikës dhe defektet tek fëmijët e lindur sa vijnë e shtohen.

Zika përhapet kryesisht nga mushkonjat, por vende të tjera, jo të pakta në numër, kanë raportuar për transmetim seksual të tij. OBSH njoftoi muajin e kaluar se rënia dhe përhapja e virusit përbën një emergjencë globale.

Drejtoresha e përgjithshme Margaret Chan tha se, “raportimet dhe hetimet e kryera në vende të ndryshme sugjerojnë se, transmetimi seksual i virusit është më i shpeshtë nga sa mendohej më parë”.

Duke e cilësuar këtë zhvillim si “alarmant”, doktoresha Chan tha gjithashtu se, mikrocefalia – defekti tek fëmijët e sapolindur që lidhet fuqishëm me rënien e virusit në Brazil – është vetëm një nga anomalitë e konstatuara nga OBSH tek Virusi.

Chan shtoi se, problemet e lidhura me Zikën tashmë po shihen jo vetëm tek gratë në fazë shtatëzënie, por edhe tek fëmijët, adoleshentët e madje edhe të rriturit.

Tre të arrestuar për fajde në Suharekë

0

Policia e Kosovës, drejtoria rajonale e Prizrenit ka bërë të ditur se pas disa kontrolleve në disa lokacione ka shoqëruar në polici tre persona të dyshuar për fajde.

“Sot rreth orës 09:00 të mëngjesit, hetues rajonalë kanë kryer kontrolle në tri lokacione: dy në Suharekë dhe një në Semetisht”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate.

PK-ja ka thënë se bastisjet janë kryer me urdhëresë të lëshuar nga gjykata në vazhdimësi të hetimit të rastit të fajdeve.

“Tre të dyshuar janë shoqëruar për në stacion policor dhe pas intervistave është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që njëri nga të dyshuarit me mbiemër Bytyqi të ndalët nën masën e arrestit policor ndërsa dy të tjerë do të përballen me drejtësinë sipas procedurës së rregullt”, ka thënë PK-ja. /PrizrenPress.com/

Kërcënoi Donald Trump, studentin egjiptian e përzënë nga SHBA

0

Një student egjiptian ka rënë dakord që të largohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një postimi të bërë në Facebook në lidhje me kandidatin për president Donald Trump. Ai ka shkruar në rrjetin social se bota do ta falenderonte atë nëse vriste miliarderin Trump.

23 vjeçari Emadeldin Elsayed, i cili studionte në shkollën e pilotimit, nuk u akuzua për ndonjë krim, por autoritetet amerikanë kërkuan deportimin e tij.

Autoritetet e emigracionit thanë se Emadeldin Elsayed, ka afat për t’u kthyer në shtëpi deri më datë 5 korrik. Ai po mbahet në paraburgim, ndërsa avokati i tij e ka cilësuar këtë vendim si të paligjshëm.

“Mendoj se ai është ndaluar pasi është një mysliman nga Lindja e Mesme”, tha avokati i tij Bushra.

Letërsia është shpëtimi

0

Italo Svevo

Svevo“Letërsia duhet të jetë shërimi dhe një formë mbrojtjeje nga jeta”, kështu e shihte letërsinë një prej personazheve më të njohura të letërsisë italiane, Italo Svevo. Me një ndikim të jashtëzakonshëm nga studimet mbi teoritë e Frojdit dhe të psikanalizës, ai e shihte “neurozën” si shenjë pozitive të refuzimit të qenies njerëzore për t’iu nënshtruar qytetërimit modern. Në këtë mënyrë, thotë ai, lind figura e “të sëmurit”, i cili nuk arrin dot të bëhet njësh dhe të përshtatet me shoqërinë dhe që psikanaliza më kot kërkon ta shërojë, duke mos i dhënë rëndësi faktit që ai është një qenie njerëzore autentike.

Një tjetër autor që do të ndikonte te Svevo ishte dhe filozofi gjerman, Schopenhauer, prej të cilit mori “idenë për vullnetin”, forcën e padukshme, e cila na shtyn të jetojmë jetën. Tjetër karakteristike e Svevos është edhe interpretimi që shkrimtari italian i bën teorisë se Darvinit. Sipas këndvështrimit të tij, nuk janë më të fortët ata që mbijetojnë, por të sëmurët dhe të paaftët, madje janë këta të fundit që falë paaftësisë së tyre arrijnë të përshtaten më lehtë me ndryshimet e botës që i rrethon. Të tria veprat kryesore të Svevos paraqesin mënyra investigimi mbi të mashtruarit e vetvetes, duke krijuar alibi morale mbi arsyetimet që lindin nga impulset e pavetëdijshme të mendjes njerëzore.

Në veprat “Një jetë” dhe “Senilita”, autori merr rolin e gjykatësit të jashtëm kur rrëfen, dhe gjatë rrëfimit ai ndërhyn me gjykime që nënvizojnë ndryshimin ndërmjet fakteve reale dhe ndërgjegjes së personazhit kryesor për të tilla ngjarje. Këtë gjë nuk e gjejmë te “Ndërgjegjja e Zenos”, ku ai që rrëfen dhe ndërgjegjja e personazhit kryesor janë në një linjë me njëri-tjetrin. Në të tria veprat na shfaqet figura e “Të paaftit”, që në dy librat e parë është një letrar i vogël borgjez i pakënaqur me pozicionin e vet në shoqëri, ndërsa në librin e tretë “I paafti” i përket botës se financave dhe tregtisë dhe është i kënaqur me pozicionin e vet në shoqëri. Sa i përket stilit të të shkruarit të Svevos, ai është i ndryshëm te veprat. Kemi raste kur personazhi kryesor pushon se rrëfyeri në vetën e parë dhe e kalon atë në vetën e tretë, duke i dhënë mundësi autorit të ndërhyjë duke na rrëfyer një këndvështrim të ndryshëm nga ai i personazhit.

Në raste të tjera, rrëfimi ndjek rrjedhën e kujtimeve të protagonistit, ngjarje të renditura në mënyrë kronologjike dhe logjike sipas tij, por nga ana tjetër gjejmë edhe ngjarje të radhitura sipas mënyrës së autorit. Në raste të tjera ekziston një dopio “Unë” që rrëfen (Zeno), i cili përpiqet të justifikojë veprimet e veta, ndërkohë që “Uni” që rrëfen i vë ato në dyshim. Gjuha e përdorur në veprat e Svevos, si pasojë edhe e ndikimit të gjuhës gjermane të studiuar në rini, na shfaqet me një strukturë që u përket gjuhëve të ndryshme.

Pika e tij më e fortë është gjuha joletrare e përdorur në vepër. Personazhi kryesor nuk përdor një gjuhë të pastër letrare, por atë të shfazuarën, e cila në fakt përcakton gjuhën e ndërgjegjes. Italo Svevo, emri i vërtetë i të cilit është Aron Ettore Schmitz, ka lindur në Trieste, në vitin 1861, në një familje borgjeze tregtarësh me origjine hebreje dhe ishte vëllai i shtatë nga tetë vëllezërit. Gjyshi i tij kishte jetuar në Renania, Gjermani. Ai zgjodhi ta thërrisnin Italo për t’u deklaruar italian dhe Svevo për të treguar origjinën e tij gjermane. Prej dëshirës së babait të tij, studimet e para i kreu në Gjermani, ku krijoi dhe kontaktet e para me klasikët e letërsisë gjermane. Në vitin 1887 u kthye për të vazhduar studimet në Trieste, duke treguar një pasion të madh për letërsinë. Pas krizës financiare që goditi familjen e tij, Svevo ndërpret studimet dhe fillon punë në bankë. Svevo nuk ishte vetëm romancier, por edhe një kritik letrar, dramash dhe muzike, por që nuk pati shumë sukses si i tillë, edhe pse u mundua t’i përngjante modelit të De Sanctis. Svevo ka shkruar edhe vepra teatrale (thuajse gjithmonë të papërfunduara dhe të pabotuara gjatë jetës së tij), por pa qenë i suksesshëm. Romani i tij i parë “Një jetë”, në të cilin për herë të parë përdor pseudonimin Italo Svevo, u botua me shpenzimet e tij në vitin 1892, por nuk pati sukses. Ai tregon historinë e një të riu, Alfonso Nitit, i ardhur nga provinca në Trieste për të punuar në një bankë. Personazhi bën një jetë të dyfishtë. Atë të të punësuarit, me të cilin nuk është shumë i kënaqur dhe atë të studiuesit që thur ëndrra për letërsinë. Më pas ai bie në dashuri me Anetën, vajzën e pronarit të bankës, por jo çdo gjë shkon siç duhet, derisa në fund të veprës, pas vdekjes së të ëmës dhe fejesës së Anetës me një djalë tjetër, dhe pas një autoanalize të pamëshirshme ndaj vetes, Alfonsi vret veten. Vepra e Svevos ka një hyrje realiste dhe natyrale drejt zhvillimit të saj, por përfundon në mënyrë psikologjike, emotive. Në vitin 1898, Svevo publikon librin e tij “Senilita”, por edhe ky pa sukses. Protagonisti i veprës është Emilio Brentani, një i punësuar nga Trieste. Edhe ky një intelektual me prirje për letërsinë, i cili dashurohet me Anxholinën, një femër e ulët, por që ai e sheh si të padjallëzuar dhe të pastër. Kur e kupton gabimin mundohet ta kthejë të shoqen në rrugë të drejtë, por nuk ia arrin. Më pas kërkon të gjejë justifikim për sjelljen e saj, duke e quajtur viktimë të shoqërisë. Emilio nuk vetëvritet, por humbet dëshirën për të ecur përpara, si pasojë e pamundësisë për të krijuar një realitet të ri. Kalimi në heshtje i kësaj vepre, e demoralizoi aq shumë shkrimtarin, sa për 25 vjet nuk shkroi më asgjë tjetër. Për të dalë nga gjendja ku e kishin futur dështimet në letërsi, ai filloi të mësonte violinën dhe të studionte gjuhën angleze. Mësuesi i tij ishte James Joyce, i cili më vonë (1905) u bë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj irlandez dhe një ndër më të njohurit e viteve 1900. Mes tyre lindi një miqësi e madhe. Atij i lexoi edhe librat “Një jetë” dhe “Senelita”, të cilat nuk u pëlqyen nga Joyce. Pas Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës mbronte me fanatizëm idealet e Italisë, shkroi romanin e tij të fundit, “Ndërgjegjja e Zenos”, i cili u botua më 1923-shin dhe që prekte shumë nga polemikat rreth ideve te Frojdit. Montale do të bënte një analizë për këtë vepër, duke nënvizuar “nderime për Italo Svevon” … Por jeta e tij do të ishte si një libër, i cili përfundon pikërisht atëherë kur jeta bëhet e bukur … Svevo humb jetën në një aksident automobilistik më 1928-n. /Shqip/

Afrim Avdaj uron gratë për 8 Mars

0

Punonjëset e Spitalit të Prizrenit “Prim.dr. Daut Mustafa” të martën kanë organizuar një takim të përbashkët për të shënuar 8 Marsin-Ditën e Gruas.

Në shenjë respekti dhe për të uruar këtë eveniment punonjëset i ka vizituar edhe drejtori ekzekutiv, Dr.sci. Afrim Avdaj.

“Në këtë ditë të rëndësishme, dera e urimeve është e hapur për çdo nënë që në shpirtin e tyre gjithherë ka vend për urime, respekt dhe dashuri. Andaj përkushtimi dhe dashuria e pafund ju takon gjithë nënave që na dhanë jetë na jetët e tyre”, uroi drejtori Avdaj.

Ramadan Muja: Gratë ndryshuan historinë botërore

0

Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja ka uruar të gjitha nënat dhe femrat prizrenase me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të tyre.

“Kjo ditë shërben për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje. 8 marsi u dedikohet të gjitha grave, të cilat në saje të vlerave të tyre ndryshuan historinë botërore, grave të cilat për shekuj luftuan për barazinë e gruas në shoqëri”.

“Komuna jonë po benë përpjekje maksimale që përmes politikave publike dhe përkrahjeve shumëdimensionale të mbështesë të gjitha nismat, aktivitetet dhe evenimentet që realizojnë femrat në komunën tonë”, thuhet në urimin e Mujës. /PrizrenPress.com/

Helmohen nxënësit në Dragash

0

Janë helmuar një grup nxënësish të shkollës fillore “28 nëntori” në Bresanë të komunës së Dragashit.

Nxënësit janë drejtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në këtë lokalitet, mirëpo edhe pse kjo Qendër ka mjekun e vet të rregullt, ai nuk gjendej në vendin e tij punës , por në as nuk kishte ndonjë zëvendësues.

Nxënësve më pas u kanë ardhur në ndihmë mjekë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare nga Dragashi.

Informacionin e ka bërë publik dega e LDK-së në Dragash, duke kritikuar organet kompetente për neglizhencë me rastin.

Për momentin nuk dihet rreth shkaqeve që shkaktuan helmimin e këtyre nxënësve. /TV Prizreni/

Bill Wyman vuan nga kanceri

0

Ish-basisti i grupit Rolling Stones, Bill Wyman, është diagnostikuar me kancer të prostatës.

“Ai i është nënshtruar trajtimit dhe pritet të shërohet plotësisht, pasi e ka kapur në fazat e hershme”, ka thënë një zëdhënës i muzikantit.

Wyman ka qenë anëtar i grupit britanik Rolling Stones nga viti 1962 deri më 1993.

79-vjeçari është fotografuar javën e kaluar në një festë dasme.

Familja e tij, përmes një deklarate, ka kërkuar privatësi gjatë kësaj kohe.

“E kam lënë grupin Rolling Stones, sepse muzika e tij ka qenë e mërzitshme për mua”, ka thënë Wyman për gazetën gjermane Bild në vitin 1998.