Home Blog Page 6694

Prokurori i ‘Kallashit’ përfundon në Komision Disiplinor

0

Gjetjet e emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’ e shtyjnë Zyrën e prokurorit Disiplinor të ndërmarrë hetime ndaj prokurorit të rastit “Cobra City” në Prizren.

Zyra e Prokurorit Disiplinor të KPK-së e ka dërguar në procedurë disiplinore prokurorin Beqë Shala me pretendimet për shkelje të pahijshme gjatë trajtimit të rastit “Cobra City”.

Në shtator të vitit të kaluar, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për parregullsi gjatë trajtimit të çështjes së paraburgimit të Dibran Hoxhës, truprojës së valltares Donjeta Kasumi e njohur në ndryshe si “Kallashi”.

Ai ishte arrestuar me urdhër të prokurorisë për një incident të rrahjes ndërsa me vendim të gjykatës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Mirëpo dy javë më pas, prokurori Beqë Shala kishte kërkuar ndërprerjen e paraburgimit për Hoxhën me arsyetimin se kushtet për paraburgim kishin përfunduar.

“Drejtësia në Kosovë” atëkohë kishte siguruar prova se njëri nga kushtet kryesore, ai i intervistimit të palës së dëmtuar, nuk ishte përmbushur në kohën kur prokurori kërkoi ndërprerjen e arrestit.

Veprimet e prokurorisë në atë kohë ishin kritikuar nga drejtori rajonal i Prizreni Nexhmi Krasniqi i cili kishte rrëfyer për të kaluarën kriminale të grupit.

Në përgjigjen e tij rreth kësaj çështje kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha kishte pretenduar se çdo gjë rreth trajtimit të rastit të Dibran Hoxhës kishte qenë në rregull me procedurat ligjore.

Përfundimisht pas një viti hetimesh, Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka njoftuar emisionin “Drejtësia në Kosovë” se bazuar në të gjeturat e raportuara kjo zyrë ka arritur në konstatimin se prokurori kishte kryer “sjellje të pahijshme” dhe i njëjti me rekomandim të ZPD-së është dërguar në Komisionin Disiplinor të KPK-së. /Kallxo.com/

Sanders dhe Cruz fituan në Viskonsin

0

Senatorët Bernie Sanders dhe Ted Cruz, dy kandidatë që duket se nuk kanë gjasë për triumf përfundimtar në zgjedhjet partiake për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar fitore të rëndësishme në shtetin, Viskonsin.

Rrjeti televiziv CNN ka raportuar se në zgjedhjet partiake në Partinë Demokratike në Viskonsin, Sanders ka fituar 56.4% të votave, ndërsa kandidatja që konsiderohet favorite për ta fituar nominimin, Hillary Clinton, fitoi 43.3%.

Megjithatë, për nga numri i delegatëve, Clinotn, ish-sekretare amerikane e shtetit, vazhdon të kryesoj me 1,778, derisa Sanders ka 1,097 delegatë.

Në Partinë Republikane në Viskonsin ka fituar senatori, Ted Cruz, me 48.3% të votave, ndërsa favoriti, Donald Trump, fitoi 35.1% të votave.

Megjithatë, Trump ka më së shumti delegatë – 743, ndërsa Cruz është i dyti me 510 delegatë.

Petrit Çeku me koncert edhe në Shkup

0

Kitaristi i mirënjohur kosovar, Petrit Çeku, do të prezantohet me një koncert solistik edhe në kryeqytetin maqedon, në Shkup.

Bëhet e ditur se Çeku do të interpretojë më 20 prill, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë.

Koncerti përkrahet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Gemak, Bushi Resort ndërsa “Telegrafi” është mbështetës medial i këtij koncerti.

Mysafir të Çekut në këtë koncert do të jenë edhe artistët Toni Kitanovski me kitarë dhe Ema Popivoda në piano.

Së fundi Petriti mbajti një koncert bamirësie në Prizren, përmes të cilit ndihmojë shoqatën “Down Syndrome Kosova”.

PDK e LDK duan mbylljen e listave zgjedhore

0

Dy partitë në pushtet, PDK-ja dhe LDK-ja, janë duke diskutuar fshehurazi për mbylljen e listave zgjedhore

Reforma zgjedhore e nisur para pesë vjetëve pati mbetur në gjysmë, pasi nuk gjeti vullnetin e liderëve të partive politike. Tani duket se partitë në pushtet janë të interesuara që të ndodhë kjo reformë, por ashtu siç u përgjigjet liderëve të tyre. Mbyllja e listave është një opsion, e cila po diskutohet brenda PDK-së dhe LDK-së në mënyrë që të ketë një kontroll lideri dhe kryesia mbi deputetët, meqë atëherë drejtpërdrejt lideri dhe kryesia e dërgojnë kë të duan përfaqësues në Kuvend.

Burime të “Zërit” brenda LDK-së kanë thënë se tashmë lideri i kësaj partie, Isa Mustafa, ka nisur diskutimet me kryetarët e degëve rreth mbylljes së listave. Sipas këtij burimi, brenda LDK-së është diskutuar në takime të mbyllura.

“Në LDK është diskutuar me kryetarë të degëve. Është thënë se duhet të mbyllen listat, sepse atëherë kryetari dhe kryesitë e kanë kontrollin e plotë se kush hyn deputet, meqë në një skenar të tillë qytetarët nuk mund t’i zgjedhin deputetët, por votojnë vetëm partinë”, ka thënë ky burim. /Zëri/

Rexhaj: Salustro me Vekariqin po i montojnë aktakuzat për Specialen

0

Ish i burgosuri i grupit “Lëvizja e Lirë”, Qëndrim Rexhaj, djali i dëshmorit Xhemajl Rexha, është liruar nga burgu i Smrekonicës, ku qëndroi për katër vjet.

Rexhaj ka qenë një ndër të dënuarit e grupit të Dobrosinit “Lëvizja e Lirë”. Ai ishte dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim por, pas shqyrtimit nga Gjykata e Apelit, atij iu zbrit dënimi me katër vjet burgim.

Aktakuzën ndaj Rexhajt e kishte ngritur në Gjykatën Themelore të Gjilanit prokurori italian Maurizio Salustro, i cili më vonë u ngarkua me detyrë të re në Beograd, si këshilltar kryesor i zevendëskryeprokurorit për Krimet e Luftës në Serbi, Bruno Vekariq. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur për kryerjen e sulmeve të armatosura në punktet e xhandarmërisë serbe që ndodhën në Dobrosin dhe Konçul gjatë vitit 2012. Pas lirimit nga burgu, Qëndrim Rexhaj ka dhënë një intervistë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka thënë se aktakuza ndaj tij ka qenë e përgatitur dhe montuar nga prokurori tashmë i njohur për montimin e rasteve gjyqësore, Mauricio Salustro. Sipas Rexhajt, tashmë Salustro, në bashkëpunim me Bruno Vekariqin, është duke i montuar aktakuzat për Gjykatën Speciale.

“Gjithçka ka qenë e përgatitur dhe montuar nga prokurori tashmë i njohur për montimin e rasteve gjyqësore, Mauricio Salustro. Salustro së bashku me të gjitha dosjet iku nga Kosova dhe tani u punësua në Beograd si këshilltar kryesor i Bruno Vekariqit, zëvendëskryeprokuror për Krime Lufte në Beograd dhe tani së bashku po i montojnë aktakuzat për Gjykatën Speciale në Kosovë”, ka treguar Rexhaj.

Ai në këtë intervistë ka rrëfyer dhe çastet sa ka qenë i burgosur. Sipas Rexhajt, çastet më të vështira kanë qenë kur gardianët e njëjtë të cilët e kishin rrahur dhe maltretuar babanë e tij dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë në vitet ’80-ta ia mbyllnin derën edhe atij.

“Për mua ka qenë e rëndë emocionalisht të përballem me këto akuza dhe të më merret liria ende pa e shijuar mirë atë. Më të rëndat kanë qenë çastet kur ma mbyllnin derën ish-gardianët, të cilëve ua dija emrin e mbiemrin, se të njëjtit kanë pasur sjellje të dhunshme në vitet’80, kur edhe babai ka qenë i burgosur politik. Ata jo vetëm që bëjnë të njëjtën punë, por janë ngritur edhe në detyrë, punojnë si eprorë”, ka thënë ish i burgosuri dhe veprimtari i “Lëvizjes së Lirë”, Qendrim Rexhaj. /Epoka e Re/

Haradinaj: Koalicion, vetëm me një PDK ndryshe

0

Ramush Haradinaj nuk e hedh poshtë mundësinë e një koalicioni me PDK-në, por, siç thotë ai, me kusht që Kadri Veseli do t’i bindë se nuk është për vazhdim të kësaj logjike qeverisëse. Sipas tij, partia më e madhe në vend është përgjegjëse për kapjen e shtetit, për shkallën e lartë të korrupsionit, rritjen e kriminalitetit të brendshëm dhe rritjen e ekstremizmit fetar

Ramush Haradinaj thotë se ende është e mundur partneriteti me partitë opozitare, por, siç thotë ai, nuk është i gatshëm t’ia dorëzojë vizionin e AAK-së një subjekti tjetër politik, duke aluduar në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Sipas tij, Aleanca është parti e qendrës së djathtë dhe duke u bazuar në këtë e ka zhvilluar një vizion të veten se si e sheh Kosovën në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Këto janë vizionet tona, të cilat nuk hezitojmë t’i ofrojmë për partneritet, por të njëjtat nuk pranojmë t’i dorëzojmë te një partner politik. Pra, ky është dallimi ynë”, shprehet Haradinaj gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.

Gjatë kësaj interviste ai është shprehur i sigurt se zgjedhjet e parakohshme në vend do të mbahen para vjeshtës së këtij viti.

Ndërsa për mundësinë e një koalicioni me PDK-në Haradinaj ka thënë për “Zërin” se një gjë e tillë do të ishte vazhdim i logjikës së deritanishme të qeverisjes. Megjithatë, sipas tij, nëse PDK-ja në krye me Kadri Veselin arrin t’i bindë se angazhimi i tyre nuk është vazhdim i gjendjes aktuale, atëherë, siç thotë ai, çdo gjë është e mundur. /Zeri/

Librat e Mahmutit dhe Millakut në Cambridge

0

Dekani i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prizrenit, Shkëlqim Millaku, shfrytëzoi pjesëmarrjen e vet në Konferencën e organizuar nga Universiteti i Cambridget, në të cilën merrnin pjesë mbi 450 studiues nga të gjitha vendet e botës për ta dorëzuar në bibliotekat e kolegjeve të këtij universiteti librin e Bardhyl Mahmutit “Mashtrimi i Madh”, i përkthyer në anglisht me titull “Blood Libel – Anti-Americanism and Genocide in the Kosovo War”, përmbledhjen “Institute of Albanology, Albanologycal Researches, 1/2015” dhe dy vepra të Shkëlqim Millakut: “Konferencë shkencore kushtuar Akademik Idriz Ajetit” dhe “Kërkime gjuhësore”, Prizren, 2015.

Nëpërmjet kësaj mënyre Millaku u ofron mundësi studiuesve të ndryshëm të kenë mundësi të njihen me disa aspekte të gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të vërtetën e gjenocidit serb që ka përjetuar populli i Kosovës.

Ky është 22 vjeçari nga Prizreni, i vrarë në Siri (Foto)

0

Edhe një kosovar është vrarë në Siri. I vrari është Hamdi (Fadil) Krusha 22 vjeçar. Lajmi është konfirmuar nga familjar të Hamdi Krushës, në kushte anonimiteti.

Hamdiu i cili e mbante emrin Sulejman El- Albani, ishte vrarë të shtunën gjatë luftimeve në Siri, që i takonte krahut të Al – Nusras.

Sipas burimeve të Gazetës Blic, familja e të vrarit, që jeton në Prizren në lagjen ‘Jeta e Re’, për rastin është njoftuar të dielën pasdite (03.04.2016), nga bashkëluftëtarë e djalit të tyre, tashmë të vrarë.

Familjarët janë njoftuar për vdekjen e djalit të tyre edhe përmes një bashkëluftëtari të Hamdiut, në Siri, gjithashtu prizrenas.

“Hamdi Krusha i takonte grupit terrorist Al- Nusra”, i ka thënë ky burim.

Mësohet se ai është varrosur në Siri. Familjarët e tij që nga e diela pasdite kanë hapur të pame për ngushëllime.

Hamdiu ishte bashkuar me luftëtarët në Siri para më shumë dy vitesh.

Ai, atje mbante emrin Sulejman El-Albani. /Gazeta Blic/

E mashtron se do t’i bëjë vizë për punë, arrestohet një person

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me dyshimin se ka e ka mashtruar një tjetër se do t’i bëjë një vizë për Suedi dhe për këtë i ka marr para.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull (shqiptar) pasi që i njëjti ka mashtruar viktimën mashkull (shqiptar) duke i thënë se ka një firmë ndërtimore në Suedi dhe mund të rregullojë vizë për punë. I dyshuari nga viktima ka marr para”, thotë PK-ja.

Gjatë intervistimit, PK-ja njofton se i njëjti ka pranuar se ka marr një shumë të parave, por sipas tij ka dështuar ta rregulloj vizën. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Remi shkon në burg!

0

Ish- deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish- komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa- Remi është rikthyer në burg, për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Para disa ditësh Remi është rikthyer në burg, për ta mbajtur edhe pjesën e mbetur të dënimit”, ka thënë ky burim.

Remi pritet që t’i mbaj edhe 11 muaj burg.

Pos Remit, para disa ditësh edhe ish- deputeti tjetër dhe njëri prej ish- komandantëve të Zonës Operative të Llapit, Latif Gashi kishte shkuar vullnetarisht ta mbajë edhe një pjesë të burgut që i ka mbetur, pasi ishte dënuar bashkë me “Grupin e Llapit”./ Gazeta Blic