7.8 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 6754

Nis përpjekja për tejkalimin e krizës

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka nisur një takim me liderët e partive politike, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje për tejkalimin e krizës në vend.

Në takim, po marrin pjesë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe lideri nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ftesës së presidentes Jahjaga nuk i janë përgjigjur kryetarët e dy partive tjera opozitare, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Fatmir Limaj nga partia Nisma.

Sidoqoftë, që nga 25 gushti i vitit të kaluar, kur opozita ishte marrë vesh që veprimet e saja t’i ketë të koordinuara dhe unike, kjo është hera e parë që njëri prej liderëve nga ky tabor, në këtë rast, Ramush Haradinaj (AAK), vendos të shkoj vet në një takim të tillë me përfaqësuesit e partive në pushtet.

Takimi i thirrur nga presidentja është thëne se ka si qëllim gjetjen e një zgjidhje politike në mënyrë që Kuvendi, sidomos t’i kthehet normalitetit pas bllokimit të punës nga ana e opozitës.

Po ashtu, funksionalizimi i plotë i Kuvendit në këtë fazë, shihet si jetik për Kosovën, ngaqë brenda një muaji, ky institucion duhet të zgjedh presidentin e ri të Kosovës. Në të kundërtën, vendi do të zhytej në një krizë të thellë institucionale e politike.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i kanë shkruar letër presidentes Jahjaga duke u kërkuar që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Këto subjekte politike kanë paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8 të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovë?s dhe Serbisë? në? Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Sidoqoftë, në takimin e sotëm në zyrën e presidentes, po marrin pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie si dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar.

Roli i përfaqësuesve ndërkombëtar, sidomos atyre amerikan, ishte përcaktues edhe në momentin e lidhjes së koalicionit aktual qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Jahjaga pret sot në takim liderët politikë

0

Për ta tejkaluar krizën politike që është krijuar ndërmjet pozitës dhe opozitës, presidentja Atifete Jahjaga sot ka ftuar në një takim të përbashkët liderët e pesë partive parlamentare.

Përveç liderit të PDK-së, Hashim Thaçi dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kurse, kryetari i VV-së, Visar Ymeri dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, nuk do të jenë pjesë e këtij takimi.

Ndërkohë njohësi i proceseve politike, Behxhet Shala, ka thënë se nuk pret rezultate pozitive nga ky takim pasi, sipas tij, edhe kësaj radhe do të përsëritën fjalët e njëjta.

‘Banda e policëve’ po terrorizon Shqipërinë

0

Persona të veshur si policë ose ushtarë, ” deri më tani ka zhvilluar 6 aksione vjedhjesh dhe rrëmbimesh gjithandej territorit të Shqipërisë.

Qytetarët e Shqipërisë kanë mbetur të tmerruar nga disa vjedhje spektakolare dhe vrasje që po i kryen një bandë e veshur me rroba të policisë. E quajtur si “Banda e Policisë” deri më tani ka zhvilluar 6 aksione vjedhjesh dhe rrëmbimesh gjithandej territorit të Shqipërisë, që këta “policë” i kanë kryer.

Të veshur si policë ishin personat që grabitën Gazmend Çollakun dhe Enver Stafukën, fati i të cilit ende nuk dihet, raporton Albeu.

40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës. Stafuka ende nuk është gjetur.

Po ashtu me uniforma policie ishin edhe personat që grabitën një makinë me para teksa automjeti po ikte në drejtim të Rinasit. Kjo vjedhje ishte sikurse në filmat aksion, pasi që u vodh automjeti i bankës nën përcjellje të disa policëve privat.

Forcat policore kanë hedhur dyshime se bëhet fjalë për të njëjtën bandë kriminale të përfshirë në ngjarje të rënda të ndryshme. Ndërkohë akoma nuk janë gjetur personat që vranë 3 dhe plagosën 8 të tjerë në Kërrabë të Elbasanit. Kjo ishte vrasja më e rëndë dhe më makabër e stilit mafioz që ngjau periudhën e fundit në Shqipëri.

Facebook i beson mirëmbajtjen e rrjetit shkodranit 14 vjeçar

0

Një fëmijë i zakonshëm është Nilidon Pepushaj, 14 vjeçari shkodran që dëshira për të krijuar dita-ditës po e bënë të veçantë.

Ka aftësi të mëdha në përdorimin e kompjuterit. Aq sa stafi i rrjetit më të madh social, Facebook, e ka vënë atë në listën e njerëzve të besuar dhe tashmë ai ka qasje në mirëmbajtjen e këtij rrjeti.

Atij i është kërkuar nga Facebook që të mbyllë faqet jo-reale. Ai ka mbyllë edhe atë të Adi Krastës dhe Tom Doshit që nuk ishin vërtetë të tyre.

Programet kompjuterike edhe aftësinë e tij për t’i zotëruar ia dedikon profesorit të tij, Arben Çokaj dhe librave të tij.

Ai përdor programet e fundit hollivudiane për krijimet e tij kompjuterike të cilat i publikon në kanalin e tij në youtube.

“Unë kam kanalin në youtube ku hedh video dhe shpjegoj probleme kompjuterike. Profesori Arben Çokaj më ka ndihmuar shumë. Dy librat që ai ka botuar janë tepër të vlefshme”, ka thënë Nilidon Pepushaj, njofton Oranews.

Gjithashtu është shpërblyer nga youtube, ku edhe ka përfituar pagesë për të cilat paguan edhe taksa.

Pasioni i Nilidonit 14 vjeçar, nuk është vetëm bota kompjuterike. Letërsia zë gjithashtu një vend të veçantë në kohën e tij. Ai ka botuar tre libra deri tani dhe është në botim të katërtit.

‘Zoti i zi në Shtëpinë e Bardhë’ është botimi i parë i tij i frymëzuar nga filmat vizatimorë. Botim i dytë është romani ’15 minuta lojë me kohën ‘

Lirikën e ka shfaqur në vëllimin me poezi të titulluar ‘Qesh e Qaj me mijëra djaj’.

Një libër i tij i preferuar është edhe një libër i presidentit amerikan,Barack Obama, i cili ka lënë shenjë në memorien e Nilidonit për triumfin e tij si njeriu më i fuqishëm në botë. Dhe meqë jemi tek politika, ka edhe një krahasim për politikën në Shqipëri.

Një libër që do t’ua sugjeronte fëmijëve të moshës së tij është Tom Sojeri.

Rasti i Nilidon Pepushajt nga Shkodra është një rast i veçantë për të gjithë fëmijët shqiptar, po ashtu edhe një rast frymëzues, se si me punë dhe dëshirë mund të arrish shumë sukses.

Nilidon Pepushaj është një 14 vjeçar nga Shkodra. Ai vazhdon klasën e tetë në shkollën jopublike të quajtur ‘Zemra e Krishtit’.

Maloku: S’besoj fare në ‘Naivitetin e Rambos’!

0

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fadil Maloku e ka komentuar takimin e nesërm të Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj me Presidentën e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.

Ai në profilin e vet Facebook, ka shkruar se shkuarja e Ramushit, në takimin e nesërm, është thjesht një deriçkë e daljes nga ngërçi politik.

Postimi i plotë i Fadil Malokut:

S’besoj fare në “Naivitetin e Rambos”!

1 .Shkuarja e Ramushit, në takimin e nesërm te ZARFI… s’duhet shikuar as si koketim, as si dallim konceptual, e as si frikë nga perëndimi, e aq më pak si ndonjë koncesion i mundshëm…!

2. Por, thjesht, si një deriçkë e daljes nga ngërçi politik, e sidomos si një ridëshmi e qëndrimit opozitar për qeverinë dhe qeverisjen aktuale…!

3. Ndryshe, kjo shkuarje…do ishte një vetëvrasje e padiskutueshme politike e Tij dhe e AAK-s!

NISMA nuk shkon te Presidentja

0

NISMA për Kosovën, përmes një komunikate, thotë se analizoi me seriozitetin më të madh ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për dialogun ndërpartiak të paraparë për datën 8 shkurt 2016.

“Dialogu i pakushtëzuar është instrument demokratik në të gjitha rastet dhe për të gjitha shoqëritë demokratike ku problemet ndërpartiake janë të natyrës së divergjencave për probleme të caktuara. Në këto raste dialogu mund të krijonte hapësirën e nevojshme të përafrimit dhe të konsensusit minimal që të mos kishte përplasje të shoqërisë”, thuhet në komunikatë, të dërguar në orët e mbrëmjes të së dielës.

“Në rastin e Kosovës, kur kundërthëniet në mes pozitës dhe opozitës nuk janë probleme këndvështrimesh por çështje thelbësore që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e vendit, çështje që detyruan qindra mijë qytetarë të shprehin pakënaqësitë e tyre qoftë përmes peticionit qoftë përmes protestave në rrugë, çështje që detyruan edhe Gjykatën Kushtetuese të prononcohet, atëherë “tryezat ndërpartiake” kanë kuptim të ndryshëm nga ajo që na u ofrua nga Presidentja Jahjaga”.

“Nga momenti kur Gjykata Kushtetuese solli vendimin se Marrëveshja e nënshkruar për krijimin e “Zajednicës” serbe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, rruga e vetme që mbetet është përgjegjësia e shkelësve të kushtetutës”.

“Në këtë kontekst të pazakonshëm, dalja e vetme nga kjo situatë mund të bëhet përmes një dialogu ndërpartiak që do t’i përcaktonte modalitet dhe datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Vetëm vendimi i tillë do t’i kthente të gjitha çështjet në duart e sovranit: POPULLIT. Vetëm vendimi i tillë do të hiqte revoltën nga rruga dhe do ta kthente mundësinë që populli të shprehë vullnetin e vet përmes votës së lirë”.

“Ftesa për takimin e ditës së nesërme është ftesë e kushtëzuar që të ruhet gjendja e tanishme, sepse nuk parasheh mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme”.

“Nisma për Kosovën nuk shkon në këtë takim, sepse konsiderojmë se Kosova ka nevojë për tryeza që e nxjerrin nga kjo situatë. Nisma për Kosovën këtë tryezë më shumë e sheh në funksion të përgatitjes së kushteve për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga mazhoranca se sa për dalje nga kriza politike. Nisma do të marrë pjesë vetëm në takimet që vërtetë mund të hapin rrugë për daljen nga kjo spirale krize”. /PrizrenPress.com

Arrestohet Sait Fishta

0

Është vënë në pranga biznesmeni shkodran Sait Fishta.

Ai është ndaluar në Tiranë me urdhër të prokurorisë së Shkodrës.

Arrestimi i tij është bërë disa orë pasi prokuroria sekuestroi edhe pallatet e tij.

Burimet nga policia thanë se, Fishta akuzohet për “ndërtim të paligjshëm”. /Mapo

Përshkrimi i botës me kthjelltësi

0

Një bisedë me Orhan Pamuk në Stamboll: Për suksesin e librit të tij të fundit, gjendjen e çalë të politikës turke dhe sulmet terroriste.

“Ja këtu rri unë”, thotë ai duke i vendosur duart mbi një tavolinë të vogël të rrumbullakët druri përpara dritares.

Më pas, mendja e tij kthehet më 12 janar.

“Ajo nisi si një ditë e paqtë. Unë sapo kisha përfunduar romanin tim të fundit dhe po shkruaja një artikull. Papritur, bum! Menjëherë e kuptova që ishte një sulm me bombë. E dini, në të shkuarën çdo ditë ka ndodhur kështu. Në vitet 1970 ishim mësuar. E njoh mirë zhurmën e një shpërthimi.”

Më 12 janar, 11 njerëz humbën jetën pas një sulmi terrorist afër Xhamisë Blu.

Banesa e shkrimtarit nobelist është e vendosur në lagjen “Cihangir”, vetëm pak kilometra larg vendit ku eksplozivi shpërtheu. Imazhi që shihet nga dritarja e apartamentit është po aq e famshme sa edhe vetë autori. Sepse një nga librat e tij titullohet: “Pamja nga dritarja ime”. E përsëri ky imazh të mbërthen të gjithin befasisht, sepse në mënyrë të papritur ti përballesh me një panoramë kaq të gjerë e frymëzuese nën një qiell dimri gjigant blu. Duket sikur tavolina e tij rri pezull në ajër. I gjithë Bosfori është mu para teje, me Azinë në të majtë dhe Europën në të djathtë. Në qendër lundrojnë anijet, e kundruall është një xhami. Ndërkohë shoqëri të bëjnë mjaullimat e maceve dhe thirrjet e pulëbardhave, bashkë me ndjesinë që të jep ajri i ftohtë. Pamja i shkon për shtat një njeriu që gjithnjë është quajtur si ndërtues urash mes Lindjes dhe Perëndimit, Azisë dhe Europës. Por Pamuku e urren këtë gjë. Ai thjesht përpiqet të shkruajë romane të mira që kanë rrënjë të forta në kulturën turke dhe otomane. Por gjithashtu nuk harron të lërë shenjën e dashurisë që ka për jetën dhe letërsinë perëndimore.

Politika

Që përpara se biseda jonë të nisë, ai sugjeron radhën e temave që do të diskutojmë.

“Të lutem, e nisim me politikë. Do ta mbarojmë të parën e kështu do të jemi të lirë të flasim për letërsinë.”

Shkrimtari nxjerr një fletore, nga e cila më pas lexon disa fjali në formën e deklaratave. Bisedën e nis me bombën. Se si ai pas shpërthimit priti në ankth 10 minuta, përpara se të kontrollonte në kompjuter e të shikonte se frika që kishte, ishte kthyer në realitet. Kur kishin kaluar 20 minuta, nisi të merrte email-e nga gazeta anembanë botës, nga vende si Italia, Gjermania, SHBA-ja që i kërkonin një deklaratë. Por asnjë email nuk erdhi nga Turqia.

“Bombat janë një ngjarje normale për ne. A doni t’ju them diçka për IS-in? OK, është një organizatë johumane, primitive dhe e llahtarshme. Por e dini çmendoj? Media i kushton shumë rëndësi IS-it. Kjo i kënaq terroristët. Plus që në raportim mungojnë analiza dhe një mendim i zgjuar. Kjo e ndihmon IS-in dhe unë këtë mesazh dua të dërgoj.”

Pamuk flet edhe për demokracinë e gjymtuar turke dhe për faktin se në atdheun e tij mungon liria e shprehjes. Mendimin e çon te një mik gazetar i burgosur dhe se si qeveria u bën presion mediave që të fshehin të vërtetën. Ankohet se në ditët e sotme në atdhe mungon ndarja e pushteteve.

“Doktrinat e Monteskjesë nuk janë shumë popullore këtu”. Vetëm pas kësaj nis të komentojë seriozisht. “Unë jam novelist, kështu që them atë çfarë më pëlqen. Por Turqia nuk është në moment të mirë dhe unë nuk dua të flas për çdo gjë, çdo ditë”.

Libri më i suksesshëm

Pamuk është një njeri kurajoz dhe shkrimtar i madh. Para 10 vjetësh u akuzua se ofendoi Turqinë, pasi foli për gjenocidin armen. Kjo e futi në listën e vdekjes së ekstremistëve nacionalistë, në të cilën bënte pjesë edhe miku i tij turko-armen Hrant Dink. Ky i fundit u vra më 2007-n me armë në Stamboll. Dikur shteti i kishte caktuar tre truproja për ta ruajtur, kurse tani ka vetëm një që e thërret sa herë dëshiron të dalë.

“Nuk ka urrejtje si dikur dhe as presion politik krahasuar me 10 vite më parë”, thotë.

Libri i tij i fundit “Një ndjesi e pazakontë në mendjen time” ka qenë më i suksesshmi në Turqi. Romani tregon historinë e Mevlutit, një i ri që vjen në Stamboll nga fshati i tij në Anadoll më 1960-n dhe nis punën si shitës në rrugë. Këtë profesion do ta ushtrojë gjatë gjithë jetës. Ai shet bozë, një pije që përmban pak alkool, e që lejohet për t’u tregtuar, pavarësisht rregullave strikte fetare. Mevluti është një djalosh i varfër në qytetin e madh dhe ndryshe nga shumica e njerëzve që do të vijnë me të, i tillë do të mbesë. Ai është protagonist naiv, optimist, që ka dhuntinë të dallojë lumturinë e të kapet fort pas saj kur e ka. Në dasmën e kushëririt bie në dashuri me një vajzë të re. I dërgon për disa vite me radhë letra dhe në fund e rrëmben atë. Por djaloshi u mashtrua. Ai mori gruan e gabuar, motrën më të madhe të dashurisë së tij. Kushëriri gënjeshtar, që prej nisjes, i kishte thënë emrin e gabuar dhe letrat kështu i kishin vajtur të motrës. Të kthente vajzën nuk bëhej fjalë. Mevluti mund të quhet një pragmatist i lumturisë. Ai gëzohet nga fakti që vajza që rrëmbeu vlerësoi shtëpinë e tij modeste dhe madje edhe letrat që i kishte nisur. Në këtë histori dashurie, gruaja e gabuar bëhet e duhura.

“Oh, unë nuk e di pse ndodh kjo”, thotë Pamuku dhe qesh.

“Mendoj se më shumë ka të bëjë me seksin. Me njëri-tjetrin kryejnë për herë të parë marrëdhënie seksuale. Ata janë të lumtur. Ai është një person mirënjohës, i matur. Kjo është e gjitha.”

Për 44 vjet dhe 575 faqe, Stambolli shkon në 10 milionë banorë dhe mundësitë janë të mëdha për banorët e tij. Mevluti ka shansin për t’u bërë i pasur, por nuk i shfrytëzon. Është hera e parë që Pamuku, i cili vjen nga në familje e shtresës së lartë, shkruan për dikë nga shtresa punëtore.

“Një kushdo”, thotë ai. Gjithsesi, “një ndjesi e pazakontë në mendjen time” ka politikë brenda, sepse përshkruan korrupsionin, betejat politike, luftën ndaj kurdëve, urbanizimin dhe viktimat e shkatërrimit dhe rindërtimit.

Duhej të ishte roman i shkurtër

Pamukut iu deshën gjashtë vite ta shkruante librin, më shumë kohë se çdo vepër tjetër.

“Më ndihmuan të rinj që hapën tek unë horizonte të reja. Por shumicën e intervistave i bëra vetë, me lloj-lloj njerëzish. Shumë qenë të rezervuar e dyshues, por të tjerë të emocionuar për të më rrëfyer historitë e tyre. Madje më telefononin e më tregonin për kushërinjtë e tyre dhe historitë që mbanin mbi supe. Tani kam aq material sa të shkruaj disa libra të tjerë. Mendova të shkruaja një roman të shkurtër, por thjesht kishte shumë për t’u rrëfyer. Njësoj si ‘Uliksi’ i Joyce-s. Edhe ai në fillim nisi të shkruante një libër të shkurtër.”

Lumturia

Gjatë bashkëbisedimit ne dalim në ballkon. Ndërtesat e larta në zonën aziatike shkëlqejnë në dritën e kuqe të diellit.

“Nuk do e besoni se sa poema kam bërë i frymëzuar nga kjo dritë, nga kjo pamje.”

Pamuk tregon se marifeti për të bërë shkrime të mira është t’i shikosh gjërat nga një këndvështrim i ri dhe ekzotik. Ai gjithçka e bën me plan dhe shton se ka studiuar arkitekturë. Kjo e ka ndihmuar për të shkruar për Stambollin dhe ndryshimin e tij.

“Vetëm në kapitullin e fundit ti krijon, aty asgjë nuk planifikohet më.”

Në pallatin ku banon, dy kate më sipër, shkrimtari turk ka një tjetër banesë me pamje që të lë pa frymë. Momentalisht vetëm librat ‘banojnë’ aty. Ata janë të paketuar në kuti të panumërta, ndërsa rafte boshe presin për rezidentët e ardhshëm. I rrethuar nga kaq shumë libra, nobelisti habit: “Unë nuk jam një njeri i lumtur. Nuk është në natyrën time. Por gjithashtu nuk mendoj se ne jemi në këtë botë për të qenë të tillë. Sigurisht jam një shkrimtar i lumtur, por jam i bindur se kurrë s’do të jem një njeri i lumtur”. /Spiegel/Marrë nga Shqip

Rëndësia Milan Kundera

0

Në vitet 1980 të gjithë lexonin “Lehtësia e Padurueshme e Qenies” dhe “Libri i të Qeshurës dhe Harresës”. Por, teksa ai po boton një roman për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh, çfarë emri gëzon sot shkrimtarit çek dhe a është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme për shkak të mënyrës si i portretizon gratë?

Në faqen e parë të romanit të ri të Milan Kunderës botuar në Francë vitin e kaluar, kur autori i saj ishte 85 vjeç, dikush po ecte nëpër një rrugicë pariziane, në qershor, pikërisht në kohën kur “dielli i mëngjesit po dilte nga retë”. Emri i tij është Alain. Nuk e dimë ç’moshë ka, apo si duket, por dimë se është intelektual, sepse teksa kalon përbri vajzave të reja me kërthizën jashtë, pamja e tyre e fut në një mori përsiatjesh që orvaten “të përshkruajnë dhe përcaktojnë veçantinë” e “orientimeve erotike” të ndryshme.

E kush tjetër mund ta kishte shkruar këtë pjesë, përveç Milan Kunderës? Dy prej figurave letrare kryesore të romaneve të tij janë të pranishme e të sakta dhe zënë faqen e parë dhe gjysmën e faqes së dytë: së pari, ato shprehin zotërimin e vështrimit mashkullor, i ngulitur mbi trupin e femrës, i “magjepsur” prej tij, duke ngritur një teori të përpunuar mbi bazën e asaj që sheh. Së dyti, majat e larta të kësaj teorie, e cila kridhet “në qendër të fuqisë joshëse femërore”, jo siç perceptohet nga “një burrë”, por nga “një epokë”, dëshmojnë për ambicien e një romancieri, i cili e ka bërë detyrë të jetës së tij që të farkëtojë lidhjet midis ndërgjegjes individuale, rrymave të historisë dhe politikës. Pas më shumë se një dhjetëvjeçari do të botohet në anglisht i pari roman i Milan Kunderës.

Libri Panairi i Kotësisë, është përfaqësues tipik, në mos klasik i artit të Kunderës. Është libri i një plaku dhe ndërsa në të rrëzëllejnë shenja të një urtësie të arrirë e të gjallë, do të ishte e habitshme sikur në të të mos kishte diçka vjeshtake. Po t’u hedhim një vështrim kopertinave të pasme të romaneve të Kunderës të publikuara nga shtëpia botuese “Faber”, zbulojmë një mori citimesh prej autorëve të të njëjtit kalibër si: Ian McEwan, Selman Rushdi dhe Karlos Fuentes, shumica e të cilëve janë 30 vjet më të mëdhenj se ai, duke na kujtuar se emri i tij kishte arritur kulmin në vitet 1980, një dhjetëvjeçar kur gjithkush lexonte veprën Libri i së Qeshurës dhe Harresës dhe Lehtësia e Padurueshme e Qenies.

Pse dukeshin këta libra aq të ‘pritur’, aq të domosdoshëm në atë kohë? Mos ndoshta, sepse përkonin më së miri me atmosferën e kohës, apo mos vallë mishërojnë diçka më të fuqishme dhe të qëndrueshme? Si do t’i vlerësojë historia?

Na duket e drejtë të themi që emri i tij do të bazohet mbi tre romane madhështore të “moshës së mesme”: Libri i së Qeshurës dhe Harresës, Lehtësia e Padurueshme e Qenies dhe Pavdekësia. Para këtyre veprave kemi një triptik të romaneve serio-komike si: Shakaja, Jeta Është Diku Tjetër dhe Valsi i Lamtumirës, që të sjellin në mendje Çekosllovakinë e pasluftës dhe të epokës komuniste, pa përmendur pretendimin për origjinalitet që do të bëhej vula e Kunderës.

Më pas, kemi treshen e novelave të shkurtra, të vogla: Ngadalësia, Identiteti dhe Padituria, të cilat vetëm me titullin nxjerrin në pah sa prirjet filozofike, aq edhe statusin e tyre si trillime letrare. Megjithatë, janë librat e moshës së mesme ata që zbuluan se Kundera gjeti jo vetëm zërin e veçantë letrar, por edhe formën e tij të përsosur. Ato janë romane të mërgimit, të shkruara në mërgim.

Ai u largua nga Çekosllovakia në vitin 1975, pasi ishte hequr nga puna si mësimdhënës, pa të drejtën për të punuar dhe pasi pa që romanet e tij u ndaluan në bibliotekat publike. Ardhja e tij në Paris, përkoi me një ndryshim të rëndësishëm të drejtimit letrar. Vepra e tij Libri i të Qeshurës dhe Harresës shmang rrëfimin tradicional linear dhe në vend të saj shpaloset si pjesë historish të ndërlidhura, të mbajtura së bashku pjesërisht nga karaktere të përsëritura, por më fort nga tema, fjalë dhe motive të rimarra. Ishte sikur teksa peshonte spirancën e atdheut, Kundera çlironte edhe veten nga prangat e rregullave të zakonshëm. Romani kishte një rrjedhshmëri të pabesueshme, një lehtësi për t’u pasur zili në kalimet e saj nga të rrëfyerit e një tregimi, te të shkruarit e eseve dhe anasjelltas.

Pandashmëria e formës dhe përmbajtjes: kjo është një nga ato çka na mëson vepra e Kunderës. Teksa në romanin Ngadalësia, shkruan në lidhje me librin më të famshëm të autorit Pierre de Choderlos Laclos, Kundera vëren: “Forma epistolare e librit Lidhje të Rrezikshme, nuk është thjesht një procedurë teknike që mund të zëvendësohet lehtë nga një tjetër. Forma është e rrjedhshme në vetvete dhe kjo na tregon se, çfarëdo që kanë pësuar, personazhet e kanë përjetuar për hir të të rrëfyerit të atij përjetimi, për ta përçuar, komunikuar, rrëfyer e për ta shkruar atë. Në një botë të tillë ku rrëfehet çdo gjë, arma edhe më e gjindshme, edhe më vdekjeprurëse, është përhapja e informacionit.

Sigurisht që ky vëzhgim nuk vjen vetëm nga një historian i mprehtë letrar, por nga dikush i cili ka jetuar nën vëzhgimin e policisë sekrete.

Të shkruarit dhe ajo çfarë mund të “zbulojë” ai në lidhje me autorët e tij, është një nga temat më të ngutshme në veprën e Kunderës, që nga Shakaja, te veprat e mëvonshme. Te vepra Libri i së Qeshurës dhe Harresës, Tamina, një mërgimtare çeke që jeton në një qytet perëndimor pa emër, do të bëjë të pamundurën për të tërhequr nga vendi i saj i lindjes 11 fletore të humbura. Një nga pengesat me të cilat përballet ajo, është moskuptimi i perëndimorëve: “për t’i bërë njerëzit këtu të kuptojnë diçka nga jeta e saj, gjërat duheshin thjeshtuar”, ndaj ajo ua përshkruan fletoret si “dokumente politike”, edhe pse në të vërtetë janë libra me kujtime, të cilat ajo dëshiron t’i tërheqë jo për arsye politike, por sepse po i zbehen kujtimet për jetën e saj dhe “ajo dëshiron të kthejë në to trupin e saj të humbur”. Shtysë për të nuk është dëshira për bukurinë, por për jetën.

Nëpërmjet kësaj historie dhe të tjerave që lidhen me të, vepra Libri i së Qeshurës dhe Harresës, ndriçon bukur kulmet e jetës sonë, ku identiteti, thelbi i vërtetë i vetes sonë përmes kujtesës, gërshetohet me forcat politike që janë në konflikt me të. Kjo është një temë e pandashme nga konteksti në të cilin u rrit Kundera, bota e komunizmit të epokës sovjetike, një kontekst që magjepsi dhe në një farë mase tralliti vëzhguesit perëndimorë në vitet ’70 dhe ’80 dhe mbi të cilin romanet e tij dukej se hapnin një dritare unike, duke nxjerrë në pah kompleksitetin e tij përzier me ironi të pashoqe, me melankoli dhe ashpërsi intelektuale. Nuk është çudi që kur u botuan për herë të parë, këto romane dukej se ishin ndër dokumentet më të rëndësishme letrare të kohës së tyre.

Pikërisht në gjurmë të këtyre romaneve erdhi një libër që ndër të tjera rrekej t’i shpjegonte këto vepra të mëparshme: Arti i romanit, një koleksion prej shtatë esesh, ku Kundera parashtronte konceptimin e tij mbi traditën romaneske europiane dhe vendin e tij brenda saj. Teksti kyç në analizën e tij ishte vepra Somnambulët nga Hermann Broch, një trilogji të cilën në atë kohë lexuesit bfitanikë e njihnin pak dhe sot lexohet edhe më pak. (Në fakt, në këtë vend nuk gjen dot botime të këtij libri në treg.) Në këto libra edhe Broch u përpoq të bënte një sintezë të llojeve të ndryshme, por sipas pikëpamjes së Kunderës “disa elemente (vargu, rrëfimi, aforizmi, reportazhi, eseja) janë më shumë të ndodhura pranë e pranë, sesa të përziera në një unitet të vërtetë ‘polifonik’. Nën dritën e këtij uniteti, është e vështirë të mos shohësh të gjithë veprën e Kunderës të shkruar pas mërgimit, si një përpjekje për të vazhduar detyrën që kishte filluar Broch dhe si një triumfues në kuptimin që, përzierja që u bën ai këtyre elementeve duket vërtet e përsosur dhe organike.

Megjithatë, e ka arritur vallë Kundera këtë të vërtetë psikologjike për jetën, në kurriz të diçkaje të rëndësishme?

“Romanet e mia nuk janë psikologjike”, pohonte ai në librin Arti i Romanit. – Më saktë: ata qëndrojnë jashtë estetikës së romanit, që normalisht quhet psikologjik”.

Kjo ishte një deklaratë e guximshme mohuese, – një deklaratë e asaj çka romanet e tij nuk janë, por kur erdhi radha për të përcaktuar se çfarë janë, ai ishte më pak i qartë. “Të gjitha romanet, të çdo epoke, shprehin shqetësimin e enigmës së vetes së tyre…Nëse unë e vendos veten jashtë të ashtuquajturit roman psikologjik, kjo nuk do të thotë që dëshiroj t’u heq personazheve të mia një jetë të brendshme. Kjo do të thotë vetëm se ka enigma, pyetje të tjera që eksplorojnë kryesisht romanet e mia…Që të kuptosh veten në romanet e mia, do të thotë të zbërthesh thelbin e problemit të saj ekzistencial. Të zbërthesh kodin e saj ekzistencial”.

Ky “kod ekzistencial”, vazhdonte ai me shpjegimin e vet, mund të shprehet si seri fjalësh kyçe. Për shembull, për Terezën te libri Lehtësia e Padurueshme e Qenies, këto fjalë kyçe do të ishin “trupi, shpirti, marramendja, dobësia, idili, parajsa”. I mahnitur nga madhështia filozofike e atij romani (dhe pa dyshim si shumë lexues meshkuj, të ndikuar nga erotizmi i tij i ftohtë), adhuruesit e Kunderës ishin të lumtur të pranonin përdorimin e kodit ekzistencial si mjet për të portretizuar personalitetin; ose, po ta shprehim sipas termave të një kritike letrare më tradicionale, ata ia falën cektësinë e karakterizimit të tij. Por karakteret janë të prirur të jetojnë në kujtesë më gjatë se idetë. Disa kohë më parë, John Banville shkroi një pjesë interesante duke rivlerësuar librin Lehtësia e Padurueshme e Qenies njëzet vjet pas publikimit të parë. Toni i tij ishte i admirueshëm, por edhe pak skeptik. “U habita se sa pak mbaja mend”, shkroi ai. “Me një titull mjaft të gjetur, libri avulloi nga mendja ime si një tullumbace me ajër të ngrohtë që është lënë të endet e lirë…Nga personazhet nuk kujtoja asgjë, madje as emrat”. Duke pranuar se romani ende ruante rëndësinë e tij politike, ai shtoi: “Megjithatë, rëndësia nuk është asgjë në krahasim me atë kuptim të jetës së ‘jetuar’, të cilën e komunikojnë shkrimtarët vërtet të mëdhenj.

Nga shkrimet e tij, duket se Kundera nuk do ta konsideronte veten si pjesë e kësaj tradite të shkrimtarëve “vërtet të mëdhenj”, drejt të cilëve pa dyshim synonte edhe Banville. Shumë nga romancierët e tij të preferuar, Stern, Didero, Broch, Musil, Gombrowicz, me të vërtetë i përkasin asaj rryme ironikësh, me shkrimet plot nënkuptime, ku autorët janë aq të vetëdijshëm për kontradiktat, grackat dhe prapaskenat e natyrshme në aktin e krijimit të trillimeve letrare, sa në një pikë vetë librat e tyre shndërrohen në parodi, ose në një marrje në pyetje të vetvetes. Vendi i Kunderës brenda këtij panteoni të veçantë duket i sigurt, por me një paralajmërim të rëndësishëm: më pak e pranishme se kudo, ndjenja e Banville për “jetën e jetuar” gjendet në portretizimin që u bën Kundera personazheve femra.

Rasti i feminizmit është parashtruar kundër Kunderës shpesh dhe ndoshta kurrë më me aq oratori sesa nga Joan Smith në librin e saj Misogjinitë, ku ajo mbështeste idenë se “armiqësia është faktori i përbashkët në të gjitha shkrimet e Kunderës mbi gratë”. Për shembull, ajo përmend shumë pjesë, përfshirë edhe një tejet të pakëndshme nga Libri i së Qeshurës dhe Harresës. Në këtë pjesë, rrëfimtari takohet fshehtazi me redaktoren e një reviste, e cila ka vënë veten në rrezik duke blerë artikujt prej tij. Ajo është aq e shqetësuar për takimin, i cili zhvillohet në një banesë krejt të panjohur, sa ajo e bën në pantallona. Megjithatë, kur e takon, çuditërisht reagimi i rrëfimtarit është “një dëshirë e egër për ta përdhunuar…”Doja ta zotëroja të tërën, me të pëgërët dhe shpirtin e saj të pashprehshëm”. (Pa dyshim që është pjesë e zymtë, por më shumë se çdo gjë tjetër, më duket si fyerje për burrat.)

Kundër shembujve poshtërues të autores Smith, duhet të përmendin numrin e personazheve femra, veçanërisht në shkrimet e vona të Kunderës, që të paktën janë po aq të arritur sa ato të personazheve burra. Në një farë mënyre, për mua libri Injoranca është më i parapëlqyeri nga romanet më të fundit të tij. Dhe jo thjesht sepse heroina e tij, Irena, është karakter kompleks dhe dashamirës, ku qëndrimet e saj të nënkuptimshme karshi mërgimit janë hulumtuar me zgjuarsi dhe dhembshuri. Por edhe këtu, në fund të librit imazhi ynë përfundimtar mbi Irenën është ai i përgjimit fshehtazi, i objektivizimit, kur ajo fle lakuriq “me këmbët hapur shkujdesshëm”, ndërsa i dashuri i saj ngul sytë mes kofshëve të saj dhe “vështron për një kohë të gjatë atë vend të trishtë”. Pse e ndien Kundera nevojën për t’i shfaqur personazhet e tij femra me kaq hollësi e mizori të tillë? Dhe si mund të ketë shkruar ai për këtë çështje, një libër prej 150 faqesh me ese mbi romanin europian, pa përmendur qoftë edhe një shkrimtare të vetme femër, përveç Agata Kristit?

E ndiej që nëse do të ketë diçka që do të minojë famën afatgjatë të Kunderës, nuk do të jetë ndonjë mungesë e “jetës së jetuar” në romanet e tij, apo fakti se arti i tij është zhvilluar në një kontekst politik që një ditë (madje më shpejt nga sa mendojmë ne) mund të harrohet: por do të jetë androcentrizmi i tij i madh. Pa e shmangur fjalën “misogjini”, sepse nuk mendoj që ai i urren femrat, ose që është vazhdimisht armiqësor ndaj tyre, duket se ai nuk e sheh botën vetëm nga një këndvështrim tejet mashkullor dhe kjo e kufizon atë që ndryshe mund të ishin arritjet e tij të pakufishme si romancier dhe eseist. Për fat të mirë, krahasuar me pothuajse çdo gjë tjetër që ka shkruar; Festa e Kotësisë është më pak e shformuar nga kjo prirje. Prandaj, edhe pse ky libër nuk mund të jetë një shtesë e rëndësishme në veprën e tij, ende mund të jetë një pikë e mirë rihyrjeje për ata që në të kaluarën janë shmangur nga çështje problematike seksuale, të cilat dërgojnë valë shqetësimi, madje edhe përmes librave të tij më të arrirë. /Revista Saras

Për dashurinë dhe vdekjen

0

“Nëse gjithë femrat që kam dashur do të përmblidheshin në një të vetme, do t’i përfshinte të gjitha ajo, do të ishte ajo, e vetmja grua që kam dashur përgjithmonë. Ato të gjitha janë yje, por Silvia është vetë galaksia. Ajo i rrok të gjitha. Ajo është bukuria, kënaqësia erotike, por edhe thjesht mrekullia për të qenë së bashku, për të ngrënë, për të fjetur dhe për t’u zgjuar së bashku, për të shëtitur dhe për të udhëtuar së bashku, për t’i pasur miqtë së bashku, për t’i ndarë të gjitha së bashku mëdyshjet, planet, të metat, gabimet, dashurinë; duam dhe atë që mund të mos na pëlqejë apo të na pezmatojë në personalitetet dhe sjelljet tona”. Në Panamanë që po zhytej drejt errësirës, Carlos Fuentes, ishte i gjithi i pushtuar nga kujtimi i Silvias. Ai u takua për herë të parë me të në vitin 1971 dhe vetëm pesë vjet më vonë do t’i propozonte të bëhej gruaja e tij.

Pas një martese të dështuar, Fuentes, një nga emrat më të njohur të letërsisë meksikane do t’i besonte Silvias me një vështrim. Ai e dinte se nuk mund të shmangte dot vegime të tjera dashurie në jetën e tij, por asnjëherë s’do mund të zëvendësonte nevojën që kishte për të. “Çdo gjë që na bashkon, madje edhe ajo që mund të na ndajë, kthehet në një pikë takimi, hetimi dhe në fund bashkimi. Fizikisht jemi shumë të ndryshëm. Ajo është delikate, vajzë e çlirët, bionde dhe me ca sy sensualë që ndërrojnë nga e kaltra në të gjelbër apo në gri, sipas kohës. Pamja e saj është europiane, por cipën e ka të brymtë, me një vezullim të bukur oriental. Shija e saj për t’u veshur është e jashtëzakonshme dhe më kënaq. E dua sepse unë jam njeriu më i përpiktë mbi këtë tokë dhe ajo, me përpikëri, mbërrin gjithnjë me vonesë. Është pjesë e magjisë së saj. Të bën të presësh”, shkruan Fuentes. Por në dashurinë më të madhe, njeriu përjeton të njëjtën gjë me dhimbjen. Dhe çifti Silvia dhe Carlos do të ndanin një jetë mes dashurisë dhe dhimbjes së humbjeve të mëdha. Fuentes, miku më i afërt i nobelistit Gabriel Garsia Markes, kaloi një fëmijëri dhe adoleshencë të gëzuar.

Por jeta e tij familjare qe e mbushur, njëherazi, me lumturi e dhimbje. Fuentes-i shquhej për bukurinë e tij mashkullore dhe shijen e hollë për t’u veshur, gjë që bëri të adhurohej prej femrave të kohës dhe sërës së tij. Më 1958, kur ishte 30 vjeç, Fuentes ra në dashuri me aktoren e famshme meksikane Rita Masedo (María de la Concepción Macedo Guzmán), e cila ishte tre vite më e madhe dhe që la burrin e dytë për shkrimtarin e ri simpatik. Bashkë patën një vajzë. Edhe pse Fuentes-i e donte shumë, Rita divorcohet (1969) për shkak të tradhtive të tij me të tjera femra. Rita, më 1993, kur ishte 67 vjeçe, vret veten, pasi merr vesh se ishte me kancer. Kjo e plagosi Carlos-in. Po atë vit (1969) Carlos-i martohet me aktoren amerikane Jean Seberg që ishte dhjetë vjet më e vogël. Pas një romance intensive, por të shkurtër, pas pak muajsh ata ndahen. “Ishte brilante, inteligjente, e bukur… ishte një femër mjaft vulnerable”, thotë Fuentes për të. Më 1979, kur ishte ende 41 vjeçe, edhe Jean Seberg i jep fund jetës, duke gëlltitur një mbidozë barbirutikos. Më 1971, Fuentes humbet të atin, me të cilin ishte i lidhur shumë. Por, po atë vit u njoh me gazetaren Silvia Lemus, gjë që do ta quajë ngjarje vendimtare në jetën e tij. Pas një viti u martuan. Bashkë patën dy fëmijë: Karlosin dhe Natashën. Më 1999, kur sapo kishte mbushur 25 vjeç, biri i tyre, Karlosi, që vuante prej hemofilisë qysh i vogël, vdes. Kjo do të ishte tronditja e parë e thellë për çiftin.

“Europianët e shekullit XVII prisnin që vdekja t’u vinte nga Spanja, në mënyrë që të arrinte sa më vonë. Jo, mua dhe asaj na mbërriti shpejt, kur humbëm Karlosin. Të bashkuar përgjithmonë, na erdhi një vdekje që na bashkoi më shumë se kurrë. Ajo e ka pranë Karlosin çdo çast. Mua, më pak i ndjeshëm apo më burracak, më është bërë zakon ta thërras tim bir, me një forcë që vetë mua më habit, gjatë kohës kur shkruaj. Ky është momenti kur im bir vjen pranë meje, dhe ndiej se gjatë përpjekjes sime të përditshme për të shkruar, ai e përmbush qëllimin e tij të cunguar. Kësisoj, ndodh që gjithçka zgjatet dhe kthehet për t’u mishëruar në bashkimin e një çifti. Ka thënë Apolineri se ka nga ata që vdesin për të qenë të dashuruar. Në rastin tonë, biri ynë është gjallë, sepse dashuria që na bashkoi (Silvian, Karlosin dhe mua) është e gjallë në jetët tona”, shkruan Fuentes. Por fatkeqësia nuk do të mbaronte këtu. Më 24 gusht të 2005-s, në gazetat e mbrëmjes njoftojnë se diku pranë lagjes “Tepito” të kryeqytetit qe gjetur trupi i pajetë i vajzës së Carlos Fuentes.

Natasha sapo kishte mbushur 30 vjeçe. Në tekstin kushtuar fëmijëve të tij, shkrimtari do të shkruajë për Natashën: “Ishte një vajzë lojcake, e gëzuar, plot imagjinatë dhe humor. Iluzioni i madh i një prindi është që bija e tij të jetë përherë një burim dashurie dhe përherë ta shikojë në sallon duke kërcyer…” Pas vdekjes së Fuentes, Silvia publikoi librin me kujtime nga jeta me të. “Një çift nuk e di se cili do ta përcjellë tjetrin apo nëse do të vdesin së bashku. Veç ai që mbetet pas, nuk do të jetë thjesht një i pikëlluar, por një përfaqësues i vdekjes. Dashuria që vazhdon edhe pas vdekjes quhet eros. Ajo vazhdon edhe pas netëve, ditëve dhe viteve me gjallje, kur nuk është më, por vetëm përmes imagjinatës erotike”. ‘Erotizëm do të thotë ta miratosh jetën deri në vdekje’, thotë Georges Bataille te romani i shkrimtares britanike Emily Bronte, ‘Maja të stuhishme’. Seksualiteti të çon drejt vdekjes, sepse të riprodhohesh do të thotë të zhdukesh. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh jetën erotike pas zhdukjes së çiftit”, shkruante Fuentes. Dhe Silvia ndenji vetëm një vit pa të në këtë botë, për t’u nisur më pas për t’iu bashkuar diku në eter. /a.b/Shqip