11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

NISMA nuk shkon te Presidentja

NISMA për Kosovën, përmes një komunikate, thotë se analizoi me seriozitetin më të madh ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për dialogun ndërpartiak të paraparë për datën 8 shkurt 2016.

“Dialogu i pakushtëzuar është instrument demokratik në të gjitha rastet dhe për të gjitha shoqëritë demokratike ku problemet ndërpartiake janë të natyrës së divergjencave për probleme të caktuara. Në këto raste dialogu mund të krijonte hapësirën e nevojshme të përafrimit dhe të konsensusit minimal që të mos kishte përplasje të shoqërisë”, thuhet në komunikatë, të dërguar në orët e mbrëmjes të së dielës.

“Në rastin e Kosovës, kur kundërthëniet në mes pozitës dhe opozitës nuk janë probleme këndvështrimesh por çështje thelbësore që lidhen me sovranitetin dhe integritetin e vendit, çështje që detyruan qindra mijë qytetarë të shprehin pakënaqësitë e tyre qoftë përmes peticionit qoftë përmes protestave në rrugë, çështje që detyruan edhe Gjykatën Kushtetuese të prononcohet, atëherë “tryezat ndërpartiake” kanë kuptim të ndryshëm nga ajo që na u ofrua nga Presidentja Jahjaga”.

“Nga momenti kur Gjykata Kushtetuese solli vendimin se Marrëveshja e nënshkruar për krijimin e “Zajednicës” serbe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, rruga e vetme që mbetet është përgjegjësia e shkelësve të kushtetutës”.

“Në këtë kontekst të pazakonshëm, dalja e vetme nga kjo situatë mund të bëhet përmes një dialogu ndërpartiak që do t’i përcaktonte modalitet dhe datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Vetëm vendimi i tillë do t’i kthente të gjitha çështjet në duart e sovranit: POPULLIT. Vetëm vendimi i tillë do të hiqte revoltën nga rruga dhe do ta kthente mundësinë që populli të shprehë vullnetin e vet përmes votës së lirë”.

“Ftesa për takimin e ditës së nesërme është ftesë e kushtëzuar që të ruhet gjendja e tanishme, sepse nuk parasheh mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme”.

“Nisma për Kosovën nuk shkon në këtë takim, sepse konsiderojmë se Kosova ka nevojë për tryeza që e nxjerrin nga kjo situatë. Nisma për Kosovën këtë tryezë më shumë e sheh në funksion të përgatitjes së kushteve për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga mazhoranca se sa për dalje nga kriza politike. Nisma do të marrë pjesë vetëm në takimet që vërtetë mund të hapin rrugë për daljen nga kjo spirale krize”. /PrizrenPress.com

Më Shumë

Lajmet e Fundit