6.9 C
Prizren
E enjte, 23 Prill, 2026
Home Blog Page 6753

Begaj kërkon nga drejtorët të mos ketë vonesa në realizimin e projekteve

0

Këshilli i Drejtorëve, i drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur sot takimin e rregullt të së hënës.

Në këtë takim janë diskutuar një varg çështjesh, që lidhen me punët e përditshme të drejtorive komunale dhe planet e drejtorive për javën në vijim.

I pari i Malishevës, Ragip Begaj ka kërkuar që të punohet dhe të mos ketë vonesa në realizimin e projekteve.

“Unë kërkoj nga drejtoritë që të mos vonohen në procedura për realizimin e projekteve, sidomos në investimet kapitale, pasi çdo vonesë e shënuar, neve na humb kohë në realizim, prandaj kërkoj që të punohet me seriozitetin më të madh në këtë drejtim”, tha Begaj.

Më pas, drejtorët e drejtorive komunale, duke raportuar për aktivitetet e javës së kaluar, thanë se janë duke i realizuar disa projekte dhe kjo falë motit të mirë që është duke mbretëruar. Sipas drejtorive, janë realizuar apo janë në realizim e sipër disa projekte të kanalizimeve, si në Gollubovc, Malishevë dhe vende të tjera. Thanë se grupi punues për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) është duke punuar në finalizimin e këtij plani, duke u përshtatur me ligjet në fuqi. /PrizrenPress.com

Arrestohen dy persona të armatosur në Prizren

0

Pas mesnate, rreth orës 02:45 minuta, në rrugën “Ukë Bytyqi në Prizren, një patrullë policore e ka ndaluar një automjet të llojit Golf 5 në të cilin ndodheshin dy persona.

Siç bën të ditur Policia, gjatë kontrollit të dokumentacionit policët kanë vërejt sjellje të dyshimta të personave të ndaluar gjë që ka nxitur dyshime për një kontroll të automjetit. Dhe, nën ulësen e pasagjerit është gjetur një kallashnikov me 19 fishekë, raporton PrizrenPress.

Policia i ka arrestuar të dyshuarit ndërsa arma është sekuestruar në cilësi të provës materiale.

Hetues policorë po punojnë për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për t’i dhënë përgjigje pyetjes se çfarë po planifikonin këta të dyshuar të armatosur pas mesnate. /PrizrenPress.com

Shteti heq dorë nga liberalizimi

0

Ministria e Administratës Publike nuk do të merret me zgjidhjen e kontestit pronësor në mes të Avokatit të Popullit dhe Gjykatës Kushtetuese, e që është njëri prej kushteve kryesore për liberalizim të vizave.

Plotësimi i këtij kushti tani mbetet në dorë të këtyre dy institucioneve, që nuk po merren veshe për objektin ku do të vendosen që nga viti 2012.

Gjykata Kushtetuese e cila duhet ta lëshoj objektin aktual që gjendet në lagjen Pejton ngulë këmbë që të qëndroj ende aty, edhe pse ata e kanë të rezervuar hapësirën e punës në Pallatin e Drejtësisë.

Madje krerët e këtij institucioni i kanë dërguar ditë më parë një kërkesë MAP-it që t’i lejohet qëndrimi në këtë objekt.

Por zyrtarë brenda MAP kanë thënë për Gazetën Fjala se ky problem duhet të zgjidhet në mes të dy institucioneve dhe se për momentin nuk e ka ndërmend që të ndërhyjë.

“Gjykata Kushtetuese e ka objektin e saj në pallatin e drejtësisë. MAP shpreson që ky problem që ky problem të zgjidhet në mes të dy institucioneve. MAP për momentin nuk do të ndërhyje në këtë çështje”, kanë thënë burime të Ministrisë së Administratës Publike.

Çollaku: Të mos ketë presion për asnjërën palë

Se gjithçka për liberalizimi të vizitave varet nga ky kontest pronësorë e ka thënë edhe vet ministri i Integrimeve Evropianë, Bekim Çollaku.

Ai ditë më parë ka njoftuar se kanë plotësuar 6 kritere dhe kanë mbetur edhe dy të tjera të paplotësuar, e që njëra prej tyre është çështja e objektit të Avokatit të Popullit.

“Për Zyrën e Avokatit presim që të dyja palët të jenë të arsyeshme dhe të mos ketë presioni mbi asnjërën palë” ka theksuar ai.

Kurse, Avokati i Popullit që nga viti 2011 e deri më tani për të shfrytëzuar objektin ku qëndron duhet të paguaj nga 5 mijë euro qira.

Por as Avokati i Popullit e as Gjykata Kushtetuese nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

Zyrtarë të Avokatit të Popullit kanë thënë se presin që vendimi i dhënë nga MAP-i gjatë vitit 2012 që përcakton zhvendosjen e institucionit të Avokatit të Popullit në objektin e Gjykatës Kushtetuese të respektohet nga kjo gjykatë.

“Ekziston një vendim i MAP-it, si ministri përgjegjëse për akomodimin e institucioneve publike, që nga viti 2012, që përcakton objektin ku aktualisht është Gjykata Kushtetuese, si objekt në të cilin do të vendoset institucioni I Avokatit të Popullit”, zëdhënësja e IAP-it, Majlindë Lulaj.

Ajo ka shpjeguar se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) funksionon në objekt me qira që nga viti 201.

“Realisht, që nga gushti 2015, IAP vazhdon kontratën me pronarin e objektit ku funksionojmë, për periudha të shkurtra kohore, me shpresën se autoritetet përkatëse do të zbatojnë vendimin për akomodim”, thotë ajo.

Gjykata në heshtje

E ndërkaq Gjykata Kushtetuese nuk ka dashur që të deklarohet lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi iI kësaj Gjykate, Veton Dula ka thënë përmes telefonit se nuk dëshiron të përgjigjet. Ndonëse Gazeta Fjala ka pritur dhjetë ditë për të marrë një përgjigje zyrtare nga ky institucion.

“Nuk dëshirojmë që të përgjigjemi”, ka thënë shkurt Dula.

E ndërkaq deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija shpreson se çështja e avokatit të popullit të zgjidhet gjatë këtij muaji.

“Mendoj që është e padrejte prej Gjykatës Kushtetuese e cila vazhdon të jetë kriter në vazhdimësi i mos përmbushjes dhe detyrave tona. Por mendoj që Qeveria më nuk duhet të merret me Gjykatën Kushtetuese, por Qeveria duhet të gjejë një hapësirë për Avokatin e Popullit. Kam informacione se Qeveria është duke bërë përpjekje që gjatë këtij muaji ta siguroi objektin e Avokatit të Popullit”, citohet të ketë thënë deputetja Sahatqija.

Ndërkohë që gjetja e një objekti të përshtatshëm për Avokatin e Popullit është edhe një prej kritereve të Komisionit Evropian për plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, që është kërkuar të plotësohet shumë shpejt./GazetaFjala/

Thaçi: Haradinaj do rrëzimin e Qeverisë

0

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë takimit në Zyrën e Presidentes, për Ramush Haradinajn nuk ishte shqetësim demarkacioni me Malin e Zi.

Madje, Thaçi tha se për këto procese ka ftuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që të japë kontributin e saj në komisionet që do të formohen për këtë çështje.

Për Haradinajn, sipas Thaçit, qëllim është vetëm rrëzimi i Qeverisë e jo diskutimet normale në Kuvendin e Kosovës.

“Ne kemi propozuar që AAK të marrë pjesë në seanca të përbashkëta dhe në komisionin ndërkombëtar për demarkacionin. Por, ka pasur një heshtje nga ana e liderit të AAK’së lidhur me këtë propozim dhe nuk e di se si do të reflektojë ai më tutje”.

Thaçi ka deklaruar se nuk kanë biseduar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pasi ajo është e rregulluar sipas Kushtetutës.

“Nuk kemi biseduar rreth çështjes së zgjedhjes se Presidentit, e as për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi këto janë të rregulluara me Kushtetutë”.

Ai, po ashtu, është shprehur se Kuvendi është vendi ku duhet të flitet për të gjitha mosmarrëveshjet e mospajtimet.

AAK: Anulimi i protestës në Facebook, gabim teknik

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me shkrimet në media se është tërhequr nga protesta e 17 shkurtit.

AAK thekson se nuk ka e ka anuluar protestën e 17 shkurtit, por ky ka qenë një gabim teknik i njërit prej administratorëve të Eventit në Facebook.

“AAK, është më ë mobilizuar se kurrë që protesta e 17 shkurtit të jetë protesta më e madhe që është mbajtur ndonjëherë”, thuhet në reagim.

Mustafa: Opozita ta ndalë dhunën dhe të kthehet në Kuvend

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha pas takimit se ka shprehur shqetësimin për bllokimin e kuvendit.

Ai tha se bashkë me opozitën duhet të punojnë në gjetjen e zgjidhjës, dhe se për asosciacionin fjalën e vet e ka thënë kushtetuesja.

“Kërkuam ndaljen e dhunës”, tha Mustafa.

“Kemi nevojë të punojmë bashkarisht për implementin e MSA-së dhe liberalizimin e vizave”.

“I bëjmë ftesë opozites që të vij në Kuvend”.

Haradinaj nuk e donte Veselin në takim

0

Presidentja e vendit Atifete Jahjaga në takimin me liderët Mustafa, Thaçi e Haradinaj, kishte ftuar edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin.

Mirëpo me insistim të Haradinajt, Veseli nuk kishte shkuar në takim te Presidentja.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari i kryetarit të kuvendit Blerim Latifi.

Ai tha për zëri.info se Veseli ka pasur ftesë zyrtare nga presidentja Jahjaga, por që Haradinaj kishte insistuar që ai të mos jetë në këtë takim.

“ Ka pasur ftesë zyrtare nga presidentja, por Ramushi ka tentuar përmes këtij procesi të insistoj që të mos e jetë edhe Veseli në takim. Kryetari Veseli ka marrë vendim që të mos jetë pjesë e tryezës në këtë takim që të jap hapësirë këtij dialogu duke mos shkuar”, ka thënë Latifi.

Ndërsa zyrtarë në partinë e Haradinajt thonë se nuk janë në dijeni për diçka të tillë. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për zëri.info se nuk ka informacione për këtë çështje.

“ Nuk e di për besë, nuk jam në dijeni për diçka të tillë”, ka thënë Nitaj shkurt.

Ndryshe në takimin me presidenten po merr pjesë Kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi, përfaqësues të minoriteteve dhe lideri i vetëm i opozitës Ramush Haradinaj./Zëri

Haradinaj pas takimit: Kërkova shpërbërjen e Parlamentit

0

Menjëherë pas takimit ka folur kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai thotë se gjatë këtij takimi ka shprehur shqetësimin e tij se si shteti është kapur nga PDK dhe LDK.

“Kemi mungesë investimesh, Rend dhe ligj të politizuar skajshmërish. Edhe politika e jashtme dështuar. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe presidenti të shkojë në zgjedhje të drejtpërdrejta”, ka thënë Haradinaj.

“Opozita është e bashkuar dhe shihemi me 17 shkurt”, tha Haradinaj duke mos iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

39-vjeçari me depresion hidhet nga kati i tretë

0

Një 39-vjeçar në Elbasan, në gjendje të rëndë depresioni, është hedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte dhe ndodhet i shtruar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shtetasi me iniciale Gj.L., 39 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, është hedhur nga sheshpushimi i shkallëve ditën e dielë.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe dërguan shtetasin Gj.L. në spital, ku ndodhet në rrezik për jetën.

Shpallet juria e garës #InstaKosova

0

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës do ta mbajë të hapur garën #InstaKosova deri më 10 shkurt, ndërsa fituesit shpallen më 16 shkurt, duke iu bashkuar kështu kremtës së javës së pavarësisë me rastin 8-vjetorit të shtetit të Kosovës.

Me këtë rast, MPJ i fton qytetarët që të postojnë në rrjetet sociale fotografitë më të mira të Kosovës duke përdorur thurjen #InstaKosova ose #InstaKosovo për t’u kualifikuar automatikisht në garën për 100 imazhet më të mira që do të figurojnë në botimin e tretë të librit #InstaKosova. Fotografitë mund të postohen pa kufizim, por ato do të shpërblehen vetëm një herë me para. 10 prej tyre fitojnë nga 50 euro, ndërsa fotoja më e mirë do të shpërblehet me 500 euro.

Përmes kësaj gare Kosova edhe sivjet freskohet me foto të reja që ilustrojnë më së miri periudhën nëpër të cilën kemi kaluar vitin e fundit si vend dhe shoqëri.

Nga më shumë se 40 mijë foto të postuara sivjet, InstaKosova ka mbledhur deri më tash lloj-llojshmëri fantastike imazhesh që e dokumentojnë trashëgiminë e vendit tonë, ritualet tona dhe koloritin kulturor që e ofrojnë ato.

Në fotot e postuara deri më tani, bota e internetit sheh një galeri masive të imazheve që krijojnë një ide mbi të rinjtë e Kosovës, arkitekturën e re të shtetit tonë të ri, kulturën e machiattos, party-t e shumta dhe festivalet gjithandej nëpër Kosovë.

Në të gjitha rrjetet sociale ne tashmë qartë shohim një dokumentim të rrugëtimit evropian të vendit tonë apo edhe të rrugës drejt çmimit OSCAR.

Juria e cila do të përzgjedh fotot më të mira të këtij edicioni përbëhet nga Agron Dragaj – fotograf i pavarur, Arjeta Emra – drejtoreshë e British Council, Dafina Zeqiri – këngëtare, Daniel Cosentino – artist në multimedia dhe Majlinda Hoxha – fotografe e pavarur.

Agron Dragaj, fotograf i pavarur kosovar, i cili aktualisht jeton në Nouakchott të Mauritanisë. Përgjatë punës së tij njëzetvjeçare, Dragaj ka mbuluar ngjarje të rëndësishme në pjesë të ndryshme të botës, si: Balkan, Afganistan, Irak, Tajlandë, Birmani, Kamboxhia, Pakistan, Mindanao – Filipine si dhe, së fundmi, në Afrikë.

Arjeta Emra, drejtoreshë e British Council, një nga rrjetet më të mëdha botërore të qendrave kulturore dhe programeve për këmbim kulturor. Zyra e British Council në Kosovë ka qenë gjithmonë në ballë të ngjarjeve kryesore kulturore në Kosovë si dhe programeve kulturore jashtë vendit.

Dafina Zeqiri, yll i muzikës pop dhe RnB në Kosovë, me ndikim të madh në të gjitha vendet shqipfolëse. Njihet po ashtu si këngëtarja më e ndjekur në rrjetet sociale, me mbi 1 milion ndjekës në Instagram, Twitter dhe Facebook.

Daniel Cosentino, është artist në multimedia, puna e të cilit përfshin bashkëpunim me disenjatorë, artistë, koreografë, arkitektë dhe planifikues urban. Njihet për punën e tij të jashtëzakonshme me studentët e AUK, ku është njëherësh zëvendëspresident për Çështje Akademike, si dhe drejtor i programeve akademike të RIT në AUK.

Majlinda Hoxha, fotografe e pavarur nga Kosova. Mban titullin e magjistres së Arteve të Bukura nga Universiteti i Auckland, në Zelandë të Re. Kurse në Kosovë njihet për punët e saj në fotografi konceptuale si dhe për bashkëpunime me artistë e disenjatorë të ndryshëm vendorë.

Libri #InstaKosova përmbledh fotot fituese të edicionit të tretë të kësaj gare. Ky libër do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore gjithandej botës dhe në ambiente të ndryshme të artit e kulturës. Edhe kësaj radhe, punimet e fituesve do të ekspozohen përgjatë tërë vitit në faqen zyrtare instakosova.com.

Edicioni i fundit i kësaj gare nxori fituese 17-vjeçaren Sara Rodiqi nga Prishtina me foton e shkrepur në kamp të festivalit “NGOM” në Prizren. Botimi i librit është shoqëruar me një ekspozitë të të gjitha fotografive fituese. InstaKosova mbetet në mesin e publikimeve më autentike të shtetit të Kosovës si për audiencën e saj ashtu edhe për atë ndërkombëtare. Kjo garë është iniciuar dhe vazhdon të mbështetet nga British Council, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. /PrizrenPress.com