8.5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6756

Jahjaga e vonuar, vetëm zgjedhjet e shpëtojnë Republikën

0

“Nëse shkohet në zgjedhje, opozita duhet të tregojë që ka mendësi ndryshe për të qeverisur, në mënyrë që t’ua kthejë shpresën qytetarëve të mashtruar dhe të zhgënjyer të këtij vendi. Duhet të bëjë një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe ecjen përpara”, thotë analisti Faik Krasniqi

Vetëm zgjedhjet e reja e janë alternativë e vetme për të dalë nga kriza e thellë institucionale. Ftesa e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, është e vonuar, dhe se bisedimet nuk mund të prodhojnë asgjë tjetër, pos marrëveshje për shkuarje në zgjedhje të reja. Pa dyshim se nëse shkohet në zgjedhje të reja, ka gjasë që opozita të shkojë me një listë të përbashkët, me të vetmin qëllim që t’i fitojë zgjedhjet. Por, për t’i fituar zgjedhjet, në listë do të duhej të futeshin edhe kandidatë me reputacion nga shoqëria civile dhe të pavarur. Vetëm një qeveri me mendësi ndryshe mund t’ua kthente shpresën qytetarëve të këtij vendi, e cila do të zotohej të vinte drejtësi dhe do të qeveriste pa korrupsion. Analisti Florim Zeqa shprehet se të flasësh për ftesën e vonuar të presidentes Jahjaga, është njësoj sikur të flasësh për himnin pa tekst të shtetit të Kosovës.

“Çdo gjë është e pavlerë dhe e pashpresë, për të besuar tutje në një dialog të mundshëm mes pushtetit dhe opozitës, dhe atë për shumë arsye që tashmë janë të njohura për opinionin e gjerë publik në Kosovë. Që nga zgjedhjet e vitit 2007 e këndej, asnjë Qeveri e Kosovës nuk del me legjitimitet të plotë zgjedhor, shkaku i mosdaljes së elektoratit në zgjedhje në njërën anë, ndërsa në tjetrën edhe shkaku i vjedhjes industriale të votave dhe kontrabandimit të vullnetit të elektoratit nga ana e liderëve partiakë”, thotë ai.

Zeqa: Kjo Qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % të elektoratit

Zeqa mendon se koalicioni aktual, edhe pse i ka numrat në Parlament, nuk e ka as minimumin e legjitimitetit qytetar për të qeverisur tutje me vendin. “Dëshiroj ta ilustroj me një shembull të thjeshtë: nga më pak se 50 % e (47-48 %) qytetarëve të dalë në zgjedhjet e fundit nacionale të 8 qershorit të vitit 2014, vetëm 30 % e tyre, elektorati i PDK-së kanë votuar për vazhdimin e qeverisjes aktuale. Mbi 25 % e elektoratit të LDK-së, në të cilin padrejtësisht dhe në mënyrë abuzive thirret lideri i saj, kishin votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të keqqeverisjes së vendit, kur kësaj i shtohen edhe përqindjet e partive të tjera shqiptare dhe joserbe, që votuan PRO ndryshimit qeverisës në vend, atëherë na del argumenti bindës se kjo Qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % e elektoratit kosovar për të shkuar tutje me qeverisjen e vendit”, mendon ai. Sipas Zeqës, alternativa e vetme e daljes nga kriza politike dhe e shpëtimit të vendit nga më e keqja, janë zgjedhjet e reja. Edhe për politologun Shefqet Dibrani zgjedhjet e jashtëzakonshme janë alternativë që duhet konsideruar.

“Ftesa e presidentes është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Një gjë më ka befasuar se si presidentja gjatë tërë mandatit të saj i ka duruar këshilltarët, që historikisht kanë qenë kundërshtarë të demokracisë dhe të koncepteve euro-amerikane, prandaj roli i saj ka qenë i zbehtë, ashtu siç mbetet e zbehtë tërë karriera publike e këshilltarëve të saj. Një gjë shqetësuese është mënyra e votimit me vetëm një zonë zgjedhore, e cila ua mundëson oligarkëve politikë të zgjidhen pa asnjë pengesë. Po ashtu për diskutim listat e kandidatëve, të cilat nëse nuk pastrohen nga elementet kriminale, nga të gjithë emrat e dyshuar për krime, për korrupsion dhe duhet të eliminohen edhe ata që kanë humbur zgjedhje dhe nuk respektojnë demokracinë për t’u tërhequr e kështu e radhë, zgjedhjet nuk sjellin gjë të re, përveç riciklimit të kësaj garniture, e cila e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje ku është”, mendon ai.

Pothuajse i gjithë pushteti i akuzuar!

Shefqet Dibrani mendon se është e trishtueshme, kur pothuajse të gjithë udhëheqësit e shtetit po akuzohen për shkelje të ndryshme. “A ka fatkeqësi më të madhe për një vend sesa kur kryeministri dhe gati të gjithë ministrat akuzohen për keqpërdorim dhe krim politik e ekonomik. Pastaj kryetari i Parlamentit, heronjtë e luftës e të paqes, të cilët i kanë përvetësuar kurorat e lavdisë, janë në ato lista, ndërsa deputetët dorëzojnë mandatin e deputetit për të shkuar në burg për krime politike e ekonomike dhe avazi vazhdon nëpër komuna, ku kryetarë të tyre janë në burgje për keqpërdorime politike e ekonomike, ndërsa komunat i presin kthimet e tyre./kosova sot/

Ushtria ‘pa emër’

0

Kosova po mbush tetë vjet shtet, por ende mbetet ligjërisht pa ushtri e që është njëra nga shtyllat bazë të pavarësisë. Por ndonëse jo me emër, Forca e Sigurisë së Kosovës vepron sikurse ushtritë e vendeve tjera.

Pjesëtarët e kësaj Force shkollohen dhe trajnohen sipas standardeve të Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s, ndërsa brenda kazermave të saj jeta rrjedh sikurse në ushtritë moderne të shteteve demokratike.

FSK-ja ndonëse me Kushtetutën e Kosovës nuk është ushtri, ajo tashmë ka plotësuar kriteret për të marrë një mision të ri sikur ushtritë e vendeve të tjera. Mirëpo, politika vazhdon ta vonojë procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të marrë përsipër misionin e ushtrisë së Kosovës tregon fakti i shkollimit dhe i trajnimit që bëhet në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

Ekipi i “Zërit” ishte në Qendrën e Stërvitjes Kolektive në KDS, në Ferizaj, për të parë nga afër se si përgatiten kuadrot e reja ushtarake sipas doktrinave të NATO-s nga niveli i togut e më lartë.

Kapiten Avni Bunjaku tregon se Qendra e Stërvitjes Kolektive ka për mision vazhdimin e kontrollit dhe vlerësimin e trajnimeve kolektive që realizohen në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës…/zeri/

Filmi “Shok” për Pavarësi shfaqet në New York

0

Filmi “Shok”, i regjisorit anglez Jamie Donoughue, që gjatë muajit të kaluar u nominua për çmimin Oscar, me 17 shkurt, në tetë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të shfaqet në New York.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, në rrjetin social Twitter, ka shkruar se me 17 shkurt filmi “Shok” do të shfaqet në Muzeun e Arteve Moderne (MoMA), në New York, transmeton Klan Kosova.

Filmi “Shok”, ka marrë nominim për kategorinë si filmi më i mirë i shkurtër nga Akademia e Filmit Oscar.

Ky projekt filmik me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë ndërsa xhirimet janë realizuar në muajin nëntor të vitit 2014 në Shalë të Bajgorës.

Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film luajnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar, do të mbahet me 28 shkurt.

Vetëm media kritike është e pavarur dhe e lirë

0

Nga Skënder S.KAPITI

Vetëm mediat kritike dhe shkrimtarët, intelektualët dhe filozofët e guximshëm dhe kritikë nuk mbrojnë të këqijat dhe nuk ndoten nga pisllëku i politikës së pamoralshme dhe nuk shiten nga interesi.Askush nuk mundet sot t’i shpëtojë monitorimit dhe kontrollit kritik, e sidomos personat dhe institucionet publike që financohen nga taksat e popullit dhe sidomos sidomos ata që abuzojnë, vjedhin e grabisin paranë publike dhe që bënjë tradhëtinë e interesave kombëtare.Nuk mund të prëtendojë asnjë media se është e lirë, e pavarur dhe roje e demokracisë po nuk qe opozitë e pushtetit dhe kritike ndaj tij dhe e të këqijave të realitetit që vijnë për shkak të tij.

E ndjek median, sigurisht më shumë atë të shkruar ku aty gjen vend ajo të cilën filozofi më i madh i modernitetit Immanuel KANT e quan “Liria e penës”, pasi media vizive më shumë reklamon veten dhe jep informacione te interesit të vet si bashkëpunëtore e politikës dhe pazareve me bizneset, është videopushteti që manipulon dhe selekton informacione sipas deshires se politikës dhe pushtetit. Te mediat e lira e të pavarura qejanë shumë pak pothuaj nje televizion si “New 24” p.sh., 2-3 gazeta në Shqiperi, dhe shumica e tyre jane jasht Shqiperise, dhe fatmiresisht që ka të tilla, si media kritike dhe edukative qe e ruajne demokracine dhe qe mundesojne ta shohim realitetin më realisht dhe sipas këndvështrimeve të ndryshme dhe të lira, si gjykim dhe vleresim që vjen nga intelektualë të ndryshëm të cilët ashtu si dhe keto media i përshendes dhe i respektoj shumë. Por kritika e vërtetë intelektuale që i mundësohet mundësia që të paraqitet në media, moralisht si e tillë, kundërshtarin më të madh sot ka politikën kunderdemokratike dhe te korruptuar, së cilës nuk i pëlqen kritika e të tjerëve por vetëkritika mashtruese e djallëzore e saj për gjëra të vockla e të parëndësishme.

Sot pothuajse politika ka pëvetësuar gjithçka, pasi merret me gjithçka dhe pretendon se zgjidh gjithçka, madje pretendon që edhe të shkuarën mund ta ndreqë politikisht ajo. Ky është banaliteti dhe mashtrimi më i madh i politikës. Prandaj është e domosdoshme kritika intelektuale e guximshme dhe e moralshme, mendimi kritik i pakorruptuar i saj për t’ju kundërvënë fuqisë së pushtetit të politikës e cila e fsheh të vërtetën , të drejtën dhe realitetin duke hipokrizuar me djallëzi se gjoja po ndjek modën demokratike. Kritika, kuptohet jo kritika negative, dhe jodashakeqëse, dhe jodjallëzore i shërben emancipimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe lirisë, dhe që askush nuk mund të jetë i përjashtuar dhe i pakritikueshëm, pasi askush dhe asnjë njeri nuk është i pagabueshëm, i paanshëm dhe i pandikueshëm nga jeta, shoqëria dhe nga interesi i vet. Edhe ai që filozofon dhe që është i dijshëm dhe që kritikon, edhe ai, edhe veprimtaria e kritika e tij do të gjykohet dhe do të kritikohet. Kritika është rruga filozofiko-intelektuale që ka bërë dhe i hap rrugën lirisë së vërtetë dhe çmitizimin, çdogmatizimin dhe rënien e prestigjit dhe kulteve të rrejshme, të pamerituara dhe të mashtrimeve.

Edhe heronjtë sado të mëdhenj që të jenë ata nuk janë shenjt dhe të pagabueshën, sepse gabimi është i pashmangshëm për natyrën njerëzore, dhe po nuk njohëm gabimet, si ato personale po dhe ato të të tjerëve do të binim lehtë pre e fanatizmit, servilizmit dhe nënshtrimit që janë vese shumë të ulta sidomos për intelektualizmin. Jo shumë kohë na ndan kur intelektualizmi shqiptar ishte pronë dhe në shërbim krejtësisht të politikës dhe indoktrinimit ideologjik komunist, duke përfshirë mediat, po se po, po edhe artistët, shkrimtarët dhe akademikët e Realizmit Socialist dhe të lartësimit të kultit të Diktatorit E.Hoxha. Një prej tyre dhe më kryesori ishte dhe I.Kadare, të cilit nuk mundet askush t’ja pastrojë dhe fshijë biografinë letrare meritore të realizmit socialist, as këta politikanët, artistët , shkrimtarët e bashkëkohësit e vet, ashtu sikurse edhe nuk mundet t’i mohohet veprimtaria letrare e paskomunizmit.

E mora si shëmbull Kadarenë se ashtu është pothuajse tërë moria intelektuale e Epokës së Regjimit Komunist se kushdo qoftë ai që i ka shërbyer me zell shpirtëror dhe intelektual atij regjimi nuk mund t’i shmanget kritikës së kohës sepse rrjedha e saj të bën gjykimin, dhe kushdo që i ka shërbyer politikës dhe regjimit të keq, të paktën edhe ai është njollosur bashkë me regjimin, dhe askush nuk mund t’ja fshijë njollosjen intelektuale të veprës së tij, por shoqëria mund t’ja falë mëkatin këtij intelektuali dhe bashkëkohësve të tij nën “Justifikimin” e kushteve që ja kane imponuar të shërbejë shërbëtori dhe shërbëtorët e tjerë intelektual të ish-Regjimit. Të tillë intelektualë servilë e puthadorë të pushtetit dhe media të tilla ka edhe sot në Demokraci, që i bëjnë fresk çdo ndërrimi të pushtetit qoftë edhe për një interes të vogël personal, gjë që konstatohet me shumë lehtësi sot në Shqipëri, ku një shumicë mjaft e konsiderueshme e intelektualëve sidomos e ata me formësim nga ishkomunizmi dhe trashëgimtarët e tyre, tërë media vizive dhe e shkruar pothuajse, me pak pëjashtime janë blerë dhe janë zgjatime e zëdhënës të politikës.Nuk janë media të lira, të pavarura, kritike e opozitare kundër të këqijave ato media të cilat i mbyllin ekranin dhe botimin e analizave dhe opinioneve qoftë nga egoizmi dhe xhelozia intelektuale po edhe pse ato kane ndonjë paragraf apo ndonjë rrjesht që nuk i pëlqen pronarit, redaktorit apo që i ka prekur politikanin apo politikën e “zëmrës” së tyre. Pasi unë njoh individe prej mediave të shkruara e të pavarura të pakta në Shqipëri dhe të shumta jashtë saj: profesorë, shkrimtarë, poetë , akademikë dhe intelektualë e profesionistë të talentuar që politika i ka privuar ata nga aktiviteti politik, por që po nga ndërhyrja e politikës ju ka pamundësuar edhe promovimi i tyre dhe i veprave të tyre letrare dhe akademike, shkencore dhe politike edhe nga media shtetërore po se po , por edhe nga ato media që me demek e mbajnë veten private dhe të pavarura nga politika dhe pushteti.

Por, çdo epokë, sistem e regjim dhe personalitet e personazh historik, politik, akademik, letrar, publik të çdo kohe gjithnjë do t’i nënshtrohen gjykimit dhe kritikës sidomos gjatë kohes në të ardhmen dhe askush nuk është jasht vëzhgimit, hetimit madje as edhe paragjykimit. Në fund të këtij shkrimi të shkurtër them se media kritike, kritika dhe kritika e kritikës pozitive intelektuale duke përjashtuar egoizmin negativ dhe xhelozinë intelektuale, që mundësohen dhe këto të publikohen në median e lirë dhe të pavarur janë shërbëtorët dhe rojtarët e së mirës, progresit, demokracisë dhe të patriotizmit. Askush nuk ka në pronësi kritikën e pakritikueshme, dhe çdo kritikë do të përballet me kritikën kundër saj. A nuk ishte komunizmi një ideologji që nuk lejonte dhe nuk pranonte ndryshimin dhe kritikën, dhe si i tillë premtoi parajsën tokësore dhe kokëfortësia, dhe fanatizmi ideologjik i “pagabueshmerisë” dhe genjeshtra e tij solli sketerrën, dhe sot koha e pas tij është dhe vazhdon t’i bëjë ish-komunizmit gjykimin dhe kritikën më të madhe në histori për pasojat rrënimtare që i ka sjellë ai njerëzimit dhe sidomos shoqerise shqiptare.

Skënder S. KAPITI
Durres

Mustafa e Thaçi: Në çdo rrethanë duhet të bisedojmë

0

Kryeministri Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, kanë ftuar partitë politike opozitare që, të hënën, të marrin pjesë bashkërisht në takimin e ftuar nga presidentja, Atifete Jahjaga.

Takimi i thirrur nga presidentja Jahjaga thuhet se ka për qëllim që të zhvillojë një dialog për tejkalimin e krizës politike.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas një takimi që ka zhvilluar të shtunën me përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se çështjet duhet të zgjidhen me dialog dhe nuk ka asnjë arsye që të mos shkohet në takim.

“Unë, si kryeministër, iu kam bërë ftesë edhe vetë që të takohemi e, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike ka treguar interesin edhe gatishmërinë që të marrim pjesë që të dy, por ne i ftojmë edhe liderët e opozitës që ata të jenë aty. Ne jemi që të gjitha çështjet t’i zgjidhim me dialog, me biseda në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen në rrugë dhe përmes dhunës”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se iniciative e presidentes, për një takim me liderët e të gjitha partive politike, është një hap i drejtë. Thaçi ka theksuar se dialogu është procesi i vetëm, me të cilin mund të arrihet objektivat e përbashkët të interesit shtetëror.

“[Opozita] t’i bashkohet dialogut, është zgjidhja e vetme, mundësia më e mirë. Ky është edhe vullneti i qytetarëve dhe në të njëjtën kohë është edhe këshilla e bashkësisë ndërkombëtare. Ne në çdo rrethanë duhet të ulemi dhe duhet të bisedojmë. E kemi agjendën e qartë të interesave të shtetit të Kosovës”.

“Mendoj se ky dialog tejkalon çdo interes partiak. Dhe, besoj se do të kemi edhe përgjigje pozitive, sepse është edhe në interesin e tyre që të dilet nga kjo gjendje”, ka deklaruar Thaçi duke përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosjes takimin e thirrur nga presidentja e shohin si të panevojshëm.

Adonis Tahiri nga Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti më i madhe opozitar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se jemi takuar disa herë me presidenten, dhe ajo tashmë e ka të qartë qëndrimin e palëkundur të Lëvizjes Vetëvendosje.

“As ‘Zajednica’ dhe as demarkacioni me Malin e Zi nuk kalojnë dhe se Qeveria që e ka shkelur Kushtetutën, duhet të largohet”, është shprehur Tahiri.

Ai ka theksuar se nuk ka arsye për takim tjetër me presidenten, përveç rastit kur na thërret për të biseduar për datën zgjedhjeve.

“Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë politikanë që e kanë dëmtuar më së shumti Republikën e Kosovës, me marrëveshjet e dëmshme që kanë nënshkruar. Qytetarët e Republikës, 205.254 sosh, nënshkruan peticionin kundër marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit. Më 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës, vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet e Serbisë në Kosovë”.

“Kjo Qeveri nuk ka më as legjitimitet, e as legalitet ta udhëheqë më vendin. Këta pushtetarë duhet të largohen menjëherë. Populli i Kosovës e kërkoi një gjë të tillë më 9 janar, dhe do ta kërkojë edhe më fuqishëm më 17 shkurt. Zgjidhja e vetme është largimi i kësaj Qeverie dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. E, nëse Qeveria nuk reflekton e nuk largohet vet, ne duhet t’i detyrojmë që të largohen”, ka theksuar Tahiri.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8 të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrë?eshjes ndë?rmjet Kosovë?s dhe Serbisë? në? Bruksel, të arritur më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë kanë theksuar se nuk do të tërhiqen para, siç i kanë cilësuar, “shantazheve” të kujtdo./REL

Gjermania në alarm, terroristët e IS strehohen mes emigrantëve

0

Në Gjermani ka shqetësim të madh, pasi anëtarë të Shtetit Islamik ndodhen brenda territorit të kamufluar si emigrantë. Shefi i inteligjencës gjermane Hans-Georg Maassen ka pohuar se brenda vendit gjenden xhihadistë, por ka qetësuar qytetarët duke e bërë të qartë se nuk ka asnjë rrezik për një sulm të menjëhershëm xhihadist. “Ne vazhdimisht kemi parë se terroristët kanë kaluar fshehtas të maskuar si refugjatë. Ky është një nga problemet që organet tona të sigurisë po merren. Aktualisht jemi të përqendruar për të gjetur elementë të tjerë terroristë që nuk i kemi zbuluar, të cilët ndodhen në vend e përbëjnë rrezik për të ardhmen”, tha numri 1 i shërbimeve sekrete. Situata në Europë ka qenë mjaft e tensionuar pas sulmeve të ndodhura në Paris nga militantët e ISIS-it. Vitin e kaluar nga frika e sulmeve, policia gjermane anuloi një ndeshje futbolli, ndërkohë që në ditën e vitit të ri, stacioni i trenit u mbyll pas kërcënimeve.

Masat

Edhe pse Maaseen-i përjashtoi sulme të afërta, ai shtoi se masat nga ana e autoriteteve janë maksimale. Kjo sepse ekziston frika se brenda territorit po ngrihen celula xhihadiste. “Situata është mjaft serioze këtu. Risku është i lartë që të ndodhë një sulm terrorist. Por polica, shërbimet sekrete dhe agjencitë e sigurimit janë në gatishmëri të lartë. Qëllimi ynë është ta minimizojmë riskun sa më shumë që të mundemi”. Gazeta gjermane “Berliner Zeitung” raportoi se shërbimet sekrete kishin marrë 100 denoncime për xhihadistë të fshehur mes refugjatëve. Por Maaseen qartësoi se pas hetimeve të kryera, shumica e informacioneve ishin të pavërteta. Dy ditë më parë, policia goditi një celulë xhihadiste. Pas tri aksioneve të ndryshme, në pranga u vunë tri shtetas algjerianë, të cilët po planifikonin që të kryenin sulme në Berlin. Kreu i grupit ishte një azilant, i cili jetonte në një qendër strehimi të emigrantëve bashkë me familjen në Attendorn, në landin e North Rhine-Westphalia-s. Policia informoi se anëtari i ISIS-it hyri në Gjermani nëpërmjet Ballkanit, pasi u trajnua nga organizata terroriste në Siri. Hetuesit dyshojnë se mos ka lidhje mes të arrestuarve dhe autorëve të sulmit në Paris të 13 nëntorit. “Po investigojmë nëse të ndaluarit kanë lidhje me autorët e sulmeve terroriste të Parisit”. Një prej të ndaluarve Farid.A ka përdorur emrin e tij dhe tre të tjerë falsë gjatë qëndrimit në Gjermani. Ai madje dyshohet se ka udhëtuar në lagjen e njohur si bastion të islamistëve në Bruksel të Belgjikës, Molebeek.

Incidentet

Policia në Këln të Gjermanisë ka thënë se 22 incidente të dhunës seksuale kanë ndodhur në qytet, në natën e parë të karnavaleve tradicionale. Policia ka bërë të ditur se ka ndaluar 190 persona. Këlni ka shpërndarë 2,500 policë për karnavalet tradicionale, që zgjasin një javë dhe tërheqin deri në 1.5 milionë vizitorë. Pjesëmarrja është thënë se ka qenë më e ulët, pavarësisht sigurisë së shtuar. Natën e Vitit të Ri, në Këln, shumë gra kanë raportuar se janë sulmuar seksualisht ose janë plaçkitur. Për këto sulme, në masë të madhe janë fajësuar emigrantët.

Banorët e Ishmit nuk e lëshojnë Kodrën

0

Banorë të Ishmit, ku prehet prej dhjetë vitesh trupi i piktorit të njohur shqiptar, Ibrahim Kodra, kanë reaguar dje kundër zhvarrosjes së artistit, për t’u prehur në kodrat e Liqenit Artificial. Ata kanë dalë në rrugë duke kundërshtuar ekspertët e Ministrisë së Kulturës që t’i afrohen varrit të piktorit. Duke mbrojtur me fjalë të thjeshta idenë që Kodra është biri i tyre, dhe ka qenë amaneti i tij për t’u varrosur në vendlindje ata janë shprehur se nuk do ta lejojnë zhvarrosjen.

Por sipas Ministrisë së Kulturës ka një kërkesë nga fondacioni “Ibrahim Kodra” për të plotësuar vullnetin e plotë të mjeshtrit që të prehet në Tiranë ose Durrës. Sipas zëdhënëses së Ministrisë, Milena Selimi, me rastin e 11-vjetorit të vdekjes së artistit, trupi i tij do të vendoset në Kodrat e Liqenit Artificial për t’u prehur pranë Faik Konicës dhe vëllezërve Frashëri.

“Në koordinim me Bashkinë Tiranë dhe Durrës janë marrë masat për të realizuat ceremoninë që do të mbahet në datën 12. Memoriali në Ishëm do të vazhdojë të qëndrojë atje për të nderuar vendin e lindjes së mjeshtrit”, shprehet Selimi. Zhvarrosja e Kodrës ka qenë një kërkesë e hershme e drejtorit të fondacionit me emrin e tij Fatos Faslliu.

Gati dy muaj pas vdekjes së Kodrës, ai reagoi me një konferencë për shtyp, duke kërkuar largimin e trupit nga fshati i lindjes. Si kurator i testamentit të artistit, Faslliu është shprehur se dëshira e mjeshtrit ka qenë të varroset në një vend të bukur në Tiranë apo Durrës, por jo në Ishëm.”. Maestro nuk ka dashur të varrosej në Ishëm dhe këtë e dinë mjaft mirë dhe institucionet shqiptare.

Ai ka dashur të prehej në një vend të bukur, si në Tiranë ose në Durrës, por jo në Ishëm. Kam kaq ditë që ndodhem në Shqipëri dhe akoma nuk po arrij të gjej një zgjidhje”, është shprehur Faslliu kohë më parë.

Malishevë: Hajnat në shtëpi

0

Një vjedhje ka ndodhur në Malishevë. Policia e Kosovës njofton se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi, ku kanë vjedhur gjëra me vlerë si: stoli ari, televizor dhe gjëra tjera teknike.

“Policia është duke hetuar rastin”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/

Ambicia për president, i shkaktoi Thaçit dështime në diplomaci

0

Kriza politike e prodhuar pas zgjedhjeve të fundit, ia pamundësoi Hashim Thaçit që të vijë sërish në pozitën e kryeministrit.
Pasi që ia lëshoi këtë pozitë, Isa Mustafës, Hashim Thaçi u pozicionua në atë të ministrit të jashtëm.

Mirëpo, prej atëherë, qeveria u përball me probleme dhe kriza të ndryshme.

Përpjekjet për të kaluar krizat e brendshme politike, i kushtuan Kosovës me dështime të shumta diplomatike.

Mungesa e njohjeve të reja, mos anëtarsimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe skandalet në diplomacinë kosovare, bënë që MPJ-ja të vlerësohet si institucion i dështuar në kryrerjen e detyrave dhe obligimeve të saja.

Që kur Thaçi është në krye të kësaj ministrie, ka pasur stagnim të njohjeve, ndërkohë që dështimi më i madh është mos anëtarsimi i Kosovës në UNESCO.

Për më shumë koncentrimi i madh i Hashim Thaçit për të ardhur në pozitën e presidentit ia pamundësoi atij suksesin në procesin diplomatik.

Të kontaktuar nga “Zëri” zyrtarët e MPJ-së kanë refuzuar të flasin.

MPJ-ja nuk është përgjigjur fare as në email-in e lënë me porosi. /Zëri/

Haradinaj: Ja pse zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shkuarja në zgjedhje në këtë kohë do të ishte precedent pozitiv për të ardhmen e vendit.
Haradiaj ka thënë se për një shoqëri e cila synon të jetë demokratike precedent më të mirë për shkuarje në zgjedhje e cila vjen pas shkeljes së Kushtetutës nga ana e Qeverisë nuk ka.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje i garantojmë vetvetes se për çështje të rëndësisë së veçantë, përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e nivelit më të lartë.

Ai po ashtu ka thënë se nëse nuk shkohet në zgjedhje ky do të ishte një precedent i keq dhe i rrezikshëm

Lexojeni të plotë postimin e Haradinajt:

“Pse zgjedhjet në Kosovë janë precedent pozitiv?

Nuk ka precedent më të mirë, më pozitiv, më të shëndoshë për një shoqëri e cila synon të jetë dinamike, precedent më demokratik për një shtet se sa shkuarja në zgjedhje, e cila vjen si rrjedhojë e shkeljeve të rënda kushtetuese, e dëshmuar edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Në rastin tonë, shkelja kushtetuese është e një rëndësie të veçantë, sepse ndërlidhet me fatin e shtetit dhe funksionalitetin e tij, me fatin e gjeneratave të ardhshme. Këtu nuk kemi të bëjmë me një vendim, marrëveshje, nënshkrim të rëndomtë, si shembull: marrëveshje mbi ujërat e zeza apo emisionet e gazit në ambient. Këtu kemi të bëjmë më nënshkrimin e marrëveshjeve, të cilat në mënyre të drejtpërdrejtë cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial të shtetit tonë.

Rrjedhimisht, me zgjedhje, ne i garantojmë shoqërisë sonë, qytetarëve në përgjithësi, vet shtetit, sot e edhe për të ardhmen, se për çështjet e rëndësisë së veçantë, të cilat janë subjekt i dispozitave kushtetuese, sovranitetit dhe integritetit territorial, qeveria duhet të jetë në nivelin më të lartë të përgjegjësisë institucionale, dhe çfarëdo shkelje apo devijim nga këto dispozita kushtetuese, pa pëlqimin gjithëpërfshirës, konsensusit nacional, nuk mundet dhe nuk duhet të kalojnë, pa pasur konsekuenca politike. Nuk mundemi të sillemi sikur gjithçka është e zakonshme, kjo do të paraqiste precedent të rrezikshëm për të ardhmen tonë.

Precedent i rrezikshëm do të ishte, që nëse mbas këtyre shkeljeve, një qeveri vazhdon të qeverisë, duke mos pasur përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve te saj, dhe të sillet thuajse asgjë nuk ka ndodhur! Ky është një precedent i rrëzikshëm dhe i përhershëm, i cili nuk duhet të lejohet të instalohet në logjikën qeverisëse të udhëhequr nga kushdo qoftë.

Pra, ne me kërkesën për zgjedhje po krjojmë precedent pozitiv, precedent mbrojtës, precedent ndëshkues ndaj cilësdo qeveri, sot por edhe në të ardhmen, duke iu treguar dhe bërë thirrje, se shkeljet kushtetuese nuk bën të tolerohen asnjëherë dhe shkelësit duhet të thirren dhe të mbajnë përgjegjësi institucionale, politike dhe publike – kushdo qofshin ata, sot apo nesër!
Këto praktika nuk janë të panjohura për shtetet dhe shoqëritë demokratike, kur vendi shkon në zgjedhje për shkak të qeverisjes së keqe” (sic.), ka shkruar Haradinaj.