8.5 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6757

Martin Amis, një shkrimtar zbulon Holokaustin

0

Lavdimir Marku

Kur më 1949, Teodor Adornoja deklaroi duke thënë se “të shkruash poezi për Aushvicin, është gjë barbare”, ai ndoshta me këtë kishte paralajmëruar të gjithë atë masë poezie dhe proze që i referohej Holokaustit, e që sidoqoftë deri në atë çast kishte një gamë dhe intensitet më të paktë nga ajo që do të pasonte më vonë. Kjo lloj letërsie përfshin atë realizëm psikologjiko-historik të rrëfyer ngulmët të André Schwarz-Bart-it, Imre Kertész-it, Kafkas, skenat onirike, kafkiane, të Aharon Appelfeld-it, dhe për të ardhur më vonë te krijimet letrare eliptike e thellësisht origjinale të W. G. Sebald-it.Teksa brezat e parë, që ishin dhe dëshmitarë okularë të asaj që kishte ndodhur, u hapën rrugën brezave të ardhshëm, veprat letrare mbi këtë subjekt kanë qenë më të kujdesshme; romanet e fundit të Susanna Moore-it dhe Ayelet Waldman-it kanë arritur të krijojnë ndjenja të forta duke u fokusuar te disa personazhe periferike të historisë europiane që, sido që të jetë, nuk kanë pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me vetë ata. Ky zjarr i stërmadh duhet parë thjesht shkarazi, jo drejtpërdrejt, po të kemi parasysh këshillën e Appelfeld-it, sipas të cilit: “askush s’mund ta shohë drejtpërdrejt, me sy të lirë diellin”.

Por nuk është se një përkujdesje e tillë ka qenë pjesë e strategjisë me anë të së cilës Martin Amisi i është qasur Holokaustit. Kampi nazist i vdekjes, ai i Aushvicit, përbën sfondin e ngjarjeve që Amisi përshkruan tek Akrepat e kohës: ose natyra e fyerjes” (1991), tek i cili jeta e një mjeku nazist që merrej me eksperimente, paraqitet të rrjedhë në një drejtim kronologjik kundërorar, duke zënë fill me vdekjen e tij (si i dashuri amerikan, Tod Friendly) dhe për të përfunduar te ngjizja e tij (kur i vihet dhe emri ogurzi, Odilo Unverdorben), e gjitha kjo shtjellohet duke pasur si dëshmitar njërën pjesë të tij, atë që duket të jetë ndërgjegjja e tij, ose shpirti i tij.

Afërsisht një çerek shekulli më vonë, romani më i ri i Amisit mbi nazizmin, i cili mbart po të njëjtin risk, Zona e interesit, (botimet Knopf), i rikthehet edhe një herë qytetit të Aushvicit, më veçanërisht zonës së interesit, në të cilën është njëri prej kampeve të vdekjes, shtabet dhe banesat e personelit nazist dhe adjutantët e tyre, “një vendgrumbullim për idiotët e kategorisë së dytë”, siç vërente i thartuar në fytyrë komandanti i tij.

Në roman ndeshet gjithkund fryma e hulumtimit historik në atë mjedis të tmerrshëm e absurd që në pasthënien e romanit, ai e quan “e pazakonta e Rajhut të Tretë”. Zona është një vend ku “shkarkohen” nga trenat hebrenjtë, të cilët më pas do t’u nënshtrohen punës së detyruar ose do t’i dërgojnë drejt e në dhomat e gazit; eshtrat e tyre groposen në atë që me eufemizëm quhej Livadhi i pranverës, por që në të vërtetë kundërmonte kalbësirë. (“Nëse ajo çka po bëjmë ne është kaq e mirë sa thuhet, – thoshte me vete komandanti, – atëherë pse ky kundërmim therës është kaq i keq?”) Në këtë vend të skëterrshëm, në gusht 1942, ndodhen disa rrëfimtarë; asnjëri nuk është aq shumë gojëtar, sipas mënyrës nabokoviane të ironisë, sa ç’është rrëfimtari i paidentifikuar i romanit Akrepat e kohës, por secili, në mënyrën e vet, sjell dëshminë e vet.

I pari ndër rrëfimtarët është komandanti Tomsen, një oficer nazist i një grade të mesme i cili përgjigjet për fabrikën Buna-Werke, nipi i parapëlqyer i kreut të lartë nazist, Martin Bormanit – “njeriut që mban protokollin e Shpëtimtarit”. (Për disa arsye, askush te Zona e interesit nuk i referohet drejtpërdrejt në emër Adolf Hitlerit, veç disa rasteve të parafrazuara.) Pjesëmarrja e Tomsenit në luftën naziste është spontane dhe në përshtatje të plotë me rrethanat. Ai shprehet: “Ne ishim vrima e fundit e kavallit. Thjesht për inerci vazhduam të merrnim pjesë në këtë luftë. Filluam ta kërcenim këtë valle duke bërë çdo gjë që vetëm e vetëm të tërhiqnim zvarrë këmbët tona. Dhe si puna jonë kishte me qindra mijëra, mbase miliona vetë”. Sidoqoftë, Tomseni e përshkruan veten e tij si modelin e një ariani: rreth dy metra i gjatë, me sy “arktikë” në ngjyrë kobalti blu, me shalët posi direkë të latuar”. Një gruar i sëmurë dhe një mburravec që krekoset për aventurat e tij seksuale, ai është marrëzisht i dashuruar pas bashkëshortes së komandantit të kampit, Paul Dollit – të paarritshmes dhe kryelartës Hana, e cila “në përpurthje me idealin kombëtar për femrën e re, është e ftohtë, ka tipare të femrës së lidhur me natyrën, dhe një trup të aftë për të lindur shumë fëmijë e për të bërë punë të rënda”.

Paul Dolli është rrëfimtari i dytë. Ai është një mburravec qesharak, i cili ndien keqardhje për veten e tij, pasi sheh se keqtrajtohet nga e shoqja (e cila ndien neveri për të) dhe mbingarkohet nga eprorët e tij (që e përçmojnë). Ai është përgjegjës për mbikëqyrjen e mbërritjes së të shpërngulurve dhe për vijimin e fatit të tyre në Aushvic. Për këtë arsye, ai ishte i ngarkuar nga Zyra Qendrore e Administrimit Ekonomik, që të ndihmojë në “shtimin e forcës punëtore (për industrinë e armatimit)”, dhe njëkohësisht është ngarkuar edhe nga zyra kryesore për sigurinë e Rajhut që të rekrutojë për shërbimet e kësaj zyre sa më shumë të shpërngulur që është e mundur, me ç’duket për arsye sigurie. Ai ndjek koncertet e nazistëve, ndërkohë që mendon “sesa gaz do të duhej për ta mbytur atë auditor…”.

Duket qartazi që Amisi e ka për kënaqësi të vendosë zërin e vet satirik në gojën e Dollit, gjatë deklamimeve të këtij të fundit, teksa qahet për fatin e tij e thotë se ka ngecur në zonën e interesit “duke vrarë plaka të vjetra e fëmijë të vegjël, teksa burra të tjerë i japin një vlerësim të shkëlqyer këtij realiteti”. Është pikërisht kjo ajo që e vesh me humor të zi imazhin e nazizmit.

“E merrni lehtësisht me mend se ç’ndodh kur të rinjtë dhe më të shtyrët në moshë i përball me forca e virtyte të tjera – fanatizmi, radikalizmi, vrazhdësia, mostoleranca, ashpërsia, ftohtësia, mungesa e mëshirës e kështu me radhë. Tekefundit… dikush duhet ta bënte këtë – hebrenjtë do të na kishin trajtuar edhe neve në të njëjtën mënyrë, po qe se ata do të kishin pasur qoftë dhe gjysmën e mundësisë për diçka të tillë, sikurse çdokush e merr lehtësisht me mend”.

Po ashtu siç ndodh rëndom në skenë gjatë shfaqjeve të komedive, maskat e bufonëve nazistë bien dhe befas dëgjojmë një zë që dridhet, i cili befas ndalon, ja, njëlloj si në këtë fantazim të Dollit: “Ajo është një femër e re, e pashme dhe e zgjuar, ndonëse është fort gjoksdërrasë (ndonëse vithet i ka përsosmërisht për së mbari dhe në rast se e ngre lart atë fund të shtrënguar pas kofshëve të saj… Mos u përpiq të kuptosh pse shkruaj kështu unë; ky nuk është aspak stili im)”.

Ka njëfarë ironie dhe shumë më pak humor te rrëfimtari i tretë i Amisit, komandanti Zmul, kreu i të burgosurve të veçantë, kreu i të burgosurve hebrenj që ndihmonin nazistët për të vrarë e për të futur në furrë hebrenjtë e tjerë – “korbat e krematorëve” që duket se e kryenin detyrën e tyre të kobshme me një mospërfillje shurdhmemece”. Zmuli e percepton veten e tij me terma të ndryshëm, si një dëshmitar të tmerrit: “Ndiej se po ta dije çdo ditë, çdo orë, çdo minutë të historisë njerëzore, ti nuk do të gjeje ndonjë shembull, ndonjë model, ndonjë precedent”. Si dhe të gjithë të rekrutuarit e tjerë për një punë të tillë, mes atyre të burgosurve dhe të kufomave të tyre (të cilëve duhet t’ua hiqnin me kujdes dhëmbët prej floriri), Zmuli kupton që edhe ai është i dënuar, ndonëse ai shpreson që dëshmia e tij do t’i bindë gjykatësit:

“Ndonjë ditë do të vijë ndokush në geto ose në kampin e përqendrimit dhe do ta vërejë përkujdesjen thuajse absurde të urrejtjes gjermane. Dhe atëherë unë do të zë të pyes se përse ishim dënuar ne, pse nuk ishim të lirë, teksa ne po shkonim drejt shkatërrimit tonë… Ja ku është, e sheh vetë: hebrenjtë mund t’ia zgjatin jetën vetes së tyre vetëm nëse ndihmojnë armikun që të fitojë – e çfarë do të thotë kjo fitore për hebrenjtë?”

Tjetër përveçse ishte një korb krematori, Zmuli është një biçim shenjti i Aushvicit, një lloj asketi dhe një lloj vetëmohuesi. Nëse ai nuk është një personazh fort bindës, del thuajse si një detyrë e pamundshme që t’i japësh një zë bindës një personi të tillë (dhe sipas të gjitha gjasave një person i tillë ekzistonte). Zmuli të gjitha ato çka kishte shkruar si një dëshmitar i Aushvicit i fut brenda një termosi, të cilin më pas e lë rrëzë një kulumbrie: “Dhe për shkak të kësaj, jo e gjithë qenia ime do të vdesë”.

Është oportunisti Tomsen ai që mbijeton nga disfata e ushtrisë gjermane. Duke u rimarrë me të si me një “personazh të reformuar” – një gjerman i denazistizuar – në shtator të vitit 1948, aty nga fundi i romanit, Tomsenin e shohim të punojë me amerikanët, për Bundesentschadigungsgesetz-in, ose atë që quhej ndryshe “direktiva e rehabilitimit”: drejtësia e viktimave”. Ai ka dëgjuar që himni i ri i Gjermanisë titullohet Ich Wusste Nichts Uber Es (S’dija asgjë për këtë). Sidoqoftë, Tomseni nuk arrin dot ta rehabilitojë jetën e vet, dhe mbase ky ishte dhe dështimi i madh kombëtar. Te Zona e interesit ai reflekton: “Ndihesha i dyzuar (ky jam unë dhe ky nuk jam unë; duhet të kem edhe një unë të më përtejmë), pas luftës u ndjeva i gjysmuar”.

Martin Amisi në këtë roman, me një vështrim të ftohtë e pa iu dridhur bisturia në dorë, arrin pikën e tij kulminante si “një eksperimentues me qeniet e gjalla”. Ky roman, në momentet e tij më frymëzuese është një konspekt epifanish, tmerresh, anekdotash dhe një historie radikale të përmbledhur. Duke paraqitur virtualisht në çdo faqe të romanit tmerr, duke përfshirë dhe kundërmimin e rëndë të vdekjeve në masë, ky është një zgjatim i imagjinatës së lexuesit për atributin që i bëhet “interesit për dashurinë” e Tomsenit ndaj Hana Dollit, i cili rezulton të jetë shumë më tepër se një element dytësor.

Dhuntia e madhe e Amisit është ai zë satirik e gërryes, shpesh shumë zbavitës, gjithë vrull profan, i pahijshëm dhe skatologjik. “Zemërimi i egër” i Xhonathan Suiftit, i shoqëruar nga moraliteti pasionant i Suiftit, është pikërisht ajo çka përshfaq vepra e Amisit. Por te romani i ri për Holokaustin, Amisi është shumë human, përderisa tekefundit arrin që për disa herë rresht të krijojë humor. Efekti i Holokaustit nuk sjell vetëm një pasojë, por disa. Gjatë ekzekutimit të një Selektimi rutinor (selektimi i të burgosurve: disa të vazhdojnë të jetojnë, por duke bërë punë me detyrim, kurse të tjerët të shkojnë drejt e në dhomat e gazit), komandanti shoqërohet nga një grup i vogël violinistësh, për të luajtur muzikë, për të mbuluar klithmat e terrorit (“tendosja e parë e violinave nuk arrinte të bënte më shumë sesa të dublonte e të përforconte atë britmë të pashpresë e drithëruese. Por pastaj muzika ndali”), pastaj është dhe ajo pjesa e humorit më të zi. Madje, kur mizori të tilla përsëriten e përsëriten vazhdimisht, qoftë dhe vetë satiristi arrin të pajtohet me Tomsenin, kur ky i fundit thotë: “U përpoqa të jem si i mpirë, por tani e ndiej veten si një copë e pazier mishi”. Një anomali tjetër më shumë në këtë roman janë edhe ato pasazhe ku në tekst përdoren fjalë në gjermanisht (por për disa arsye nuk janë vënë shenjat karakteristike diakritike mbi ato zanore që marrin të tilla), ndërkohë që të gjithë dialogët dhe materiali në introspektivë duhet të kishte qenë në gjermanisht. Gjatë një shkëmbimi mes Dollëve, njëri personazh flet në anglisht e tjetri në gjermanisht, dhe Zmuli, në njërën prej fantazimeve të tij mendon: “Të burgosurit që punojnë këtu vuajnë nga Seelenmord-i – vdekja e shpirtrave”, siç do të mund ta kishte shprehur mendimin e tij në lidhje me këtë një gjermanishtfolës. Autori i romanit, jo rrëfyesi i kapitullit, dëshiron të nxjerrë në pah disa fraza të caktuara, për të mirën e lexuesit, por manierizmi është diçka që ta tërheq vëmendjen.

Në të vërtetë, duket si lehtësim për autorin, si dhe për lexuesin, kur trillimi i sforcuar “i trillimit” lihet mënjanë dhe ne dëgjojmë zërin tejet të angazhuar të Amisit kur lexojmë pasthënien, të titulluar Ajo që ndodhi. Këtu Amisi u referohet shumë veprave historike dhe shënimeve biografike që ai ka shfrytëzuar për të shkruar Zonën e interesit dhe magjepsjen e tij pas Fyhrerit të të gjithë Fyhrerëve: “Atij i jam referuar kaq e kaq herë nëpër roman, por pa ia përmendur ndonjëherë emrin; por tani jam i detyruar të shkruaj fjalët “Adolf Hitler”. Amisi i bashkohet asaj enigme të njohur edhe për historianët e tjerë, rreth “të kuptuarit” të Hitlerit: “Ne e dimë shumë mirë sesi arriti ai të bënte atë çka bëri; por duket se thuajse nuk dimë asgjë rreth asaj se përse ai veproi kështu”. Interesante në lidhje me këtë lloj magjepsjeje është fakti që Hitleri nuk është fare i pranishëm në Zonën e interesit, përveç asaj që referohet si një figurë thuajse mitike, të cilën e adhurojnë dhe njëkohësisht ia kanë frikën nazistët e zakonshëm.

Amisi e shpjegon më poshtë makthin që e kishte kapluar atë në lidhje me Holokaustin:

“Narracioni im i brendshëm është një lloj amullie kronike, e ndjekur nga një lloj pushimi… Së pari, pata lexuar në vitin 1987 veprën klasike të Martin Gilbertit Holokausti: tragjedia hebraike, dhe e pata lexuar me mosbesim; në vitin 2011 e lexova sërish dhe ndjeva që mosbesimi ishte plotësisht si ai i mëparshmi… Në intervalin mes këtyre dy leximeve kisha punuar duke lexuar mjaft libra e duke mbajtur shënime në lidhje me këtë subjekt dhe ndërkohë që mund të kisha arritur mjaft sa i përket njohurisë, nuk kisha arritur asgjë sa i përket depërtimit brenda kësaj çështjeje. Ato fakte të mbledhura nga një historiografi e dhjetëra mijëra volumeve nuk mund të dyshohen lehtësisht; por sidoqoftë në një farë mase ato janë të pabesueshme, ose përtej mundësisë për t’i besuar dhe nuk mund të pranohen tërësisht. Duke treguar shumë kujdes, unë e paraqes Rajhun e Tretë si një përjashtim, si një arsye të panënshtrueshmërisë së këtij të fundit – sertësia elektrike me të cilën përpiqet të zmbrapsë kontaktin tonë me atë realitet. Mbase ndokush do të mund të kundërshtonte e të thoshte se Hitleri dhe larot e tij nuk ishin aspak një përjashtim në atë pjesë të historisë njerëzore, të mbushur me luftime, një mizori të parrëfyeshme dhe gjenocidi që kryen. Ajo çka i dallon nazistët prej paraardhësve të tyre më pak efikase se ata, ishte mundësia e tyre që si njerëz të shekullit XX përdorën mjete të industrializuara për luftën dhe asgjësimet e tyre, si dhe makinën e një propagande e cila përjashtonte të gjitha rrugët e tjera të informacionit, të cilat njoftonin faktin që në thelb populli gjerman ishte i kapur rob. Zona e interesit, po ashtu si edhe Shigjetat e kohës, shënjestron peripecitë e personit dhe të rrethanës dhe nuk thellohet në analizën e plotë të kësaj çështjeje shumëplanëshe, por thjesht e çik atë kalimthi. Zemërimi i autorit ndaj tmerreve të Holokaustit është i ndarë në skena dhe sentenca, jo në njësi të vetme, që të shkaktojë shastisje apo tmerr te lexuesi. A është e qenësishme kjo për postmodernizmin që, pavarësisht subjektit, emocione të tilla duhet të qëndrojnë në njëfarë mënyre larg nesh? “Për të shkruar një libër të rëndësishëm, duhet të zgjedhësh një temë të rëndësishme”, – kështu shkruan Melvilli te Mobi Diku; por shkrime të tilla të rëndësishme mund të pengohen prej mënyrës së të shkruarit të atyre të cilëve shtrati krijues më tepër është ironia sesa empatia. Te pasthënia, Amisi citon atë pasazh të famshëm të Primo Levit, në kujtimet e këtij të fundit për Aushvicin, në të cilin ai pyet një roje gjermane, teksa i thotë: Warum? (Përse?); dhe roja i përgjigjet: Hier ist kein warum (Këtu s’ka “Përse?”). Mbase kjo përgjigje lakonike është përgjigjja e vetme, e përshtatshme ndaj të gjitha pyetjeve “Përse?” në lidhje me Holokaustin.

Avokati publik i Prizrenit: Nuk kam bërë shkelje ligjore

0

Avokati publik i Prizrenit Besim Morina thotë se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore pavarësisht që ëhstë duke u përballë me organet e drejtësisë. Ai është i bindur se nuk ka shpërdoruar detyrën apo autoritetin zyrtar

Morina tregon se hetimet ndaj tij kanë nisur afër 6 muaj më parë dhe se para hetuesve të Policisë, por edhe në intervistën në Prokurori ka treguar se nuk ka shkelje ligjore nga ana e tij.

“Nëse ka shkelje atëherë këtë e ka bërë Gjykata, sepse ka marrë vendim të kundërligjshëm, ndërkohë që tani fajtori kërkohet diku jashtë”, ka thënë Morina për media.

Sipas tij, rasti ka të bëjë me ” vendim për anulim të kontratës mbi falje dhe dorëzim-posedim palëve përkatësisht ish-pronarëve të cilat deri në vitin 1998 vet Prokuroria sipas detyrës zyrtare i ka anuluar këto kontrata dhe ju ka dorëzuar pronat ish-pronarëve, sepse ju janë marrë në mënyrë arbitrare nga pushtetet e kaluara”. Sipas tij, në 5 vjetët e punës së tij ka pas vetëm 2-3 lëndë të kësaj natyre.

“Nga ana ime nuk bëhet fjalë për shpërdorim të detyrës zyrtare sepse unë nuk i marrë vendimet. Nëse një vendim i Gjykatës ka qenë i kundërligjshëm atëherë Prokuroria do të duhet ta shpallë si të tillë dhe ta hetoj Gjykatën, e jo fajin ta kërkoj te personi i tretë, i cili nuk bjen vendim, as qëndrime, por vetëm me fjalë i kundërshton pretendimet e palëve”.

“Personalisht ndjehem i dëmtuar dhe i ofenduar që të akuzohem mbi bazën e fajeve të tjerëve, përkatësisht të akuzohem për veprimet e të tjerëve”.
Ai tregon se si avokat publik komunal përballet i vetëm me 5 mijë lëndë të natyrave të ndryshme. Morina ka pranuar se në Gjykatën Themelore janë mbajtur seancat fillestare në lidhje me aktakuzën ndaj tij dhe se pritet që brenda pak javësh të nis shqyrtimi kryesor.

“Gjatë shqyrtimit kryesor besoj se do të vërtetohet se nuk kam shpërdoruar detyrën zyrtare”.

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Besim Morinën se në cilësinë e avokatit publik komunal i autorizuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave lidhur me pronën e komunës pranë Gjykatës kompetente nuk e ka përmbushur detyrën e tij zyrtare , me qëllim të shkaktimit të dëmit për personat tjerë, duke shkelë me dijeni ligjin përkatësisht duke shpërdorë detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës në një lëndë civile me paditës të nacionalitetit serb, të cilët e kanë paditë Komunën e Prizrenit për shkak të anulimit të kontratës, avokati komunal gjatë shqyrtimit gjyqësor i ka mbrojtë interesat e komunës, ku me përgjigje në padi e ka kontestuar padinë dhe kërkesë padinë e propozuar, duke kërkuar që e njëjta të refuzohet si e pabazuar.

Ndërkohë Gjykata e ka aprovuar kërkesë padinë e paditësve, mirëpo sipas aktakuzës avokati komunal nuk ka ushtruar ankesë, duke mundësuar kështu plotfuqishmërinë e aktgjykimit, dhe kësisoj dyshohet se i ka shkaktuar dëm komunës në vlerën e patundshmërisë prej 28,070 metra katrorë, në zonën kadastrale në Dushanovë.

Akti i akuzës po ashtu thekson se avokati komunal ka vepruar njëjtë edhe në një rast tjetër civil, ku gjatë shqyrtimit gjyqësor në tërësi e ka kontestuar padinë e paditësve, dhe pasi Gjykata ka aprovuar padinë, nuk ka ushtruar ankesë, ku sipas Prokurorisë dyshohet se i ka shkaktuar dëm komunës në vlerën e patundshmërisë 1,471 metra katrorë, në vendin e quajtur “Pashaallti”. Kësisoj Prokuroria e ka akuzuar se ka kryer veprën penale të të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtarë, në vazhdimësi./PrizrenPress.com/

Ndërron jetë astronauti Edgar Mitchell, njeriu i 6 në Hënë

0

Astronauti i 6 i cili ka ecur në Hënë, Edgar Mitchell, ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare në Florida. Lajmi është konfirmuar nga familja e astronautit amerikan, ndërsa shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.

Edgar Mitchell ishte pjesë e “Apollo 14” në vitin 1971, ndërsa kaloi më shumë se 9 orë në sipërfaqen e hënës.

Një vit më vonë, ai u largua nga Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA dhe ngriti Institutin e Shkencave Neotike, që synon të mbështesë “transformimin individual dhe kolektiv përmes hulumtimeve ndërgjegjes”.

Vitet e fundit, Mitchell ishte shprehur se besonte në ekzistencën e alienëve, ndërsa thoshte se ata kanë vizituar edhe Tokën.

Ku janë zhdukur fëmijët e refugjatëve?

0

Askush nuk mund të thotë saktësisht se sa është numri i refugjatëve të mitur në Evropë që janë zhdukur, ose ku janë këta fëmijë. Është e qartë se gjatë regjistrimit janë bërë lëshime dhe gabime.

Pse për refugjatë të cilët janë ende fëmijë ose adoleshentë pas regjistrimit nuk është ndërmarrë kujdesi i duhur? Sa të mitur konkretisht mungojnë apo janë zhdukur? Në kërkim të një përgjigjeje për këtë pyetje zbulohen deficite të mëdha të krijuara gjatë regjistrimit të refugjatëve.

EUROPOL dhe Policia gjermane kundër kriminalitetit BKA (Bundeskriminalamt), paraqitën shifrat që vërtet nuk mund të quhen si të sakta për shkak se çdo ditë po ndryshojnë. Përveç kësaj, mënyra në të cilën janë mbledhur të dhënat ngre shumë dyshime. Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe të refugjatëve flasin për shifra mjaft shqetësuese, por në fakte, edhe ata nuk mund të bazohen. Kështu BKA supozon se më 1 janar 2016 në Gjermani kishin ardhur 4,749 refugjatë të mitur dhe të pashoqëruar nga të rriturit. Ata janë të ndarë në dy grupe. 431 prej këtyre refugjatëve, sipas të dhënave zyrtare, kanë qenë më të rinj se 13 vjeç, kurse 4287 prej tyre ishin më të vjetër, në mes moshës 14 dhe 17 vjeç.

Megjithatë, këto janë vetëm të dhënat që janë mbledhur në një moment të caktuar, sepse shifrat janë vazhdimisht në ndryshim e sipër, tha në një intervistë për “Deutsche Welle”, një zëdhënëse e BKA-së, dhe shtoi se shifrat brenda një dite mund të ndryshojnë dhe shkojnë nga 200 deri në 300 raste.

“Nuk e dimë se ku janë ata”

Janë shënuar regjistrime të shumta në disa shtete federale gjermane, thotë zëdhënësja e sipërpërmendur, e cila më tej thekson se disa prej këtyre fëmijëve të zhdukur pas një kohe të shkurtër rishfaqen: “Por ne nuk mund të përjashtojmë që një pjesë e kësaj kategorie të refugjatëve, të cilët janë zhdukur në fillim të vitit të shkuar, kanë rënë në duart e kriminelëve”. Informacion të saktë në lidhje me këtë, BKA, megjithatë, ende nuk posedon, tha ajo.

Shefi i EUROPOL-it, Brian Donald, në një intervistë për gazetën britanike, “The Observer”, ka pranuar se mijëra refugjatë të mitur të regjistruar në vendet e ndryshme evropiane, më pas humbën pa lënë asnjë gjurmë. Donald paralajmëroi se disa nga këta fëmijë mund të kenë rënë në duart e kriminelëve. Në të njëjtën kohë ai shtoi: “Jo të gjithë janë viktima të kriminelëve, disa prej tyre ndoshta janë nën kujdesin e familjarëve të tyre. Por thjesht, nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë ata, ose te kush po qëndrojnë”.

EUROPOL-i thotë shefi i kësaj policie, ka mbledhur prova që dëshmojnë se disa nga këta fëmijë dhe të rinj gjatë ikjes së tyre për në Evropë janë abuzuar seksualisht. Është formuar një infrastrukturë kriminale, e cila përfiton nga fluksi i emigrantëve, thotë Brian Donald.

Kontrabandistët, shpjegon ai, po përdorin refugjatët që të shfrytëzohen për punë që kanë të bëjnë me industrinë e seksit dhe si skllevër. Por kjo nuk është diçka e re, thotë Donald, sepse gjatë çdo fluksi refugjatësh në histori, është ushtruar dhunë ndaj të dobëtit. Megjithatë, në këtë pikë tani për tani ka më shumë spekulime sesa fakte, transmeton “Zëri”

Shifrat më të qarta janë në dispozicion të qyteteve dhe komunave gjermane. Sipas Zyrës Gjermane të Rinisë, në Gjermani, kujdesi aktual është për rreth 60,000 refugjatë të mitur të cilët arritën të pashoqëruar nga të rriturit apo familjet e tyre. Pretendohet se shumë prej këtyre fëmijëve minorenë rrëfyen për përvojat e këqija me të cilat ishin përballur gjatë arratisjes së tyre.

Autoritetet në këtë mënyrë, theksojnë se numri i përgjithshëm ende nuk dihet dhe se do të mbetet kështu. Sepse, ende nuk mund të thuhet se cili është në të vërtetë numri i atyre fëmijëve të pa regjistruar që vijnë me të afërmit apo njerëz të tjerë, dhe sa prej atyre u bënë viktima të trafikimit.

Gabimet në sistemin e regjistrimit

Situata e pasigurt statistikore edhe organizatave të fëmijëve ua bën më të vështirë punën në këtë drejtim. Kështu, UNICEF deklaroi: “Shifrat e publikuara nga EUROPOL i marrim shumë seriozisht, por këto të dhëna nuk mund të vërtetohen. Një nga problemet është se ende nuk ka të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve refugjatë”. Sipas UNICEF-it, një e treta e refugjatëve, të cilët nga vera e vitit 2015, erdhën në Gjermani, janë fëmijë dhe adoleshentë.

Këto të dhëna janë të bazuara në të dhënat jo të plota të qeverisë, thotë kjo organizatë, duke shtuar se për shkak të gabimeve në sistemin e regjistrimit, ende nuk ka një ekzaminim të detajuar. UNICEF kritikon faktin se në këtë sistem nuk përfshihet mosha e refugjatëve dhe për këtë arsye kërkon që refugjatët e mitur të regjistrohen në të gjitha vendet e tranzitit dhe pritëse, dhe se gjendja e tyre të monitorohet vazhdimisht.

Aleanca gjermane për mbrojtjen e fëmijëve konsideron se janë bërë lëshime dramatike në mbrojtjen e refugjatëve të mitur. Kriminelët e shfrytëzojnë një situatë të tillë në të cilën fëmijët e vetmuar dhe të pashoqëruar kanë ikur për në Evropë, tha në një deklaratë për transmetuesin e shërbimit publik të Gjermanisë “SWR”, kryetari i kësaj organizate, Heinz Hilgers. Refugjatët nën moshë, shton ai, mund të mbrohen në mënyrë efektive në qoftë se ata përkujdesen nga një zyrë për të rinjtë ose nëse mund të jenë në gjendje të lidhën përsëri me familjet e tyre. /Zëri/

Mustafa pret për takim veteranët e UÇK-së

0

Zyra e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë të ditur se sot kryeministri do të presë për një takim veteranët e luftës së UÇK-së.

Veteranët që po protestojnë për një kohë të gjatë po kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Takimi zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 09:00.

Heshtja inkriminuese e Hashim Thaçit

0

Politikanë dhe analistë shprehen të shqetësuar me refuzimin e liderit të PDK-së për të sqaruar raportet e tij me Shërbimin Sekret Francez, duke kërkuar që ai të mos kandidojë, nëse nuk e bën transparente aktivitetin e tij në këtë drejtim

Me gjithë vazhdimin e deklarimeve të ish- zyrtarëve të Shërbimit Sekret Francez, agjentëve të këtij shteti të angazhuar edhe në misionin ndërkombëtar të OKB-së në Kosovë, se gjithçka që është thënë rreth lidhjeve të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, me Shërbimin Inteligjent të Francës është një e vërtetë zyrtare, ish- kryeministri i Kosovës, tanimë në pozitën e kryediplomatit të shtetit dhe kandidat për president, po vazhdon të heshtë rreth këtyre deklarimeve.

Sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të opozitës, një figurë e tillë politike, e përfshirë edhe në shërbimet e huaja sekrete, përveçqë duhet ta sqarojë pozicionin e vet, në asnjë mënyrë nuk bën për president të vendit. “Në atë moment që ish- kryeagjenti francez dha një deklaratë të tillë, Thaçi është dashur të deklarohej në lidhje me ato deklarata të ish- kryespiunit francez.

T’i demantojë apo t’i pohojë. Sepse, një kryespiun i një shërbimi inteligjent nuk guxon të japë deklarata të tilla, nëse nuk janë të vërteta. Këto deklarata të tij e forcojnë edhe më shumë argumentin, që një njeri i kompromentuar, një mashtrues, gënjeshtar dhe një njeri që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, nuk i duhet Kosovës në skenën politike, e aq më pak të jetë president i Kosovës”, tha analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot”…

PDK e LDK, po përgatiten për zgjedhje

0

Dy partitë politike që përbëjnë koalicionin e ashtuquajtur të “elefantëve” PDK e LDK, edhe pse po kundërshtojnë kategorikisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ato tashmë kanë filluar mobilizimin e partisë nga brenda.

Madje intensifikimi i takimeve nëpër degë e nëndegë nga liderët e partive, nga analistët konsiderohet si fillim i fushatës për zgjedhje të parakohshme.

Më aktiv në terren është kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi dhe zëvendësi i tij Kadri Veseli.

Por, edhe LDK-ja është aktive në terren, pasi disa nga drejtuesit e kësaj partie po zhvillojnë takime të shumta me strukturat e partisë.

Gjithnjë sipas analistëve, dy partitë e mëdha përgatiten për zgjedhje, në rast se dështon përpjekja e Hashim Thaçit për t’u zgjedhur president.

Por, në anën tjetër vetë përfaqësuesit e këtyre dy partive politike, takimet e shpeshta nëpër degë e nëndegë i konsiderojnë të rëndomta…, shkruan Zëri.

Kurti: Vucic ta njeh Mustafën më mirë se LDK-ja

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Kushtetuese tregoi se Isa Mustafa nuk e kishte ditur se çfarë ka nënshkruar në Bruksel.

“Ne si opozitë nuk mund ta ndalemi. Ja kemi dhënë një goditje të fuqishme Serbisë. Aleksandër Vuçiq dështimin më të madh e ka krijimin e ‘Zajednicës’ në Kosovë e tash ka zgjedhje në Serbi. Neve na bënë shumë të lumtur kjo”, ka deklaruar ai gjatë emisionit “Debat” në RTK.

Kurti thotë se protestat e opozitës nuk kanë të bëjnë gjë me dëshirën për pushtet.

“Ata e kanë lidh fatin me ‘Zajednicën’. Gazi nuk është hedh pse është formuar Qeveria, po pse kjo e solli ‘Zajednicën’”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk e urren Mustafën.

“Sinqerisht ju them, nuk e urrej, por s’kam edhe aq respekt. Nuk e konsiderojmë ne këtë si lider, si burrështetas aq të madh që ta urrejmë. Fare nuk është kjo situatë”.

“Por, le të largohen se e kanë shkel Kushtetutën. Gazi lotsjellës ik për 30 minuta, e ‘Zajednica’ as për 30 vjet. Na jemi paqësorë, pushtetin nuk e duam me dhunë”.

Sipas tij, nëse Kosova vazhdon rrugëtimin e saj, me hapat e kryeministrit Isa Mustafa e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, gjasat janë që brenda 4-5 vjetësh në Ballkan të ketë luftë.

Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, Kurti tha se kjo nuk po bëhet për shkak të opozitës – e jo se nuk i ka deputetët e LDK-së – pasi opozita do të hidhte gaz në atë seancë.

“Opozita ka mjaftueshëm gaz lotsjellës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Isa Mustafa është totalisht i parashikueshëm nga kundërshtari dhe për këtë arsye ai nuk duhet të dërgohet në bisedime me Serbinë.

“Vucic ta njeh Mustafën më mirë se LDK-ja”, tha Kurti.

https://youtu.be/ucjdpGzt72s

Opozita mobilizon gratë në Malishevë për protestën e 17 shkurtit

0

Subjektet opozitare kanë mbajtur tubimin e radhës mobilizues me gra.

Përmes një njoftimi për media subjektet opozitare kanë treguar se në takimin që është mbajtur në Malishevë e ku salla ishte e mbushur plot, të pranishmet të cilat diskutonin për nevojën e madhe të angazhimit të grave për ndryshimin e gjendjes aktuale në vend.

Në këtë tubim folën përfaqësueset e tri subjekteve të Opozitës së bashkuar.

“Aty u tha se marrëveshjet duhet të ndalen meqë dëmi i tyre është kolosal. Këtë sipas tyre, do ta bëjnë qytetarët e shumtë e të shumte bëhen vetëm me pjesëmarrjen masive të grave. Shumë prej tyre duhet ta vazhdojnë aktivitetin. Disa duhet ta shtojnë atë e të tjera të fillojnë me angazhim në kundërshtimin e marrëveshjeve kriminale. Vetëm kësisoj mund të sigurohemi se do të jetojmë në një ambient më të siguritë e më të zhvilluar. I tillë mund të jetë pa ‘Zajednicë’”, thuhet në një njoftimin e opozitës.

“Prandaj, aktivitetet tona së bashku do të intensifikohen dhe mobilizimi për protestën e 17 shkurtit do të vazhdojë. Ky angazhim tregon qe protesta e datës 17 shkurt do të jetë madhështore ashtu siç është vullneti që kundërshton marrëveshjet kriminale dhe qeverinë antikushtetuese”, thuhet më tej në këtë njoftim. /PrizrenPress.com

Rama e Thaçi, darkë para Kerryt

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka treguar në llogarinë e tij në Twitter treguar se është duke darkuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçin.

Ai ka thënë se është në darkë vëllazërore me Thaçin për punët e vitit në rrugën e bashkëpunimit mes tyre dhe pranë vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Kerry pritet ta vizitojë Tiranën më 14 shkurt.